Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Jun 14, 2017 Zani i Nalte Studime 0
nga M.D. M.Sc. Ilir Akshija
Abstrakt
Studimi i sistemit bankar dhe krahasimi me praktikat islame, apo edhe kundërvënia në momente të caktuara është e zakonshme në literaturën ekonomike islame. Një temë që nuk trajtohet rutinë është mënyra e pagesave të punëtorëve dhe vlerësimi i skemave përkatëse sipas një modeli të bazuar në Legjislacionin Islam. Flukset e jashtëzakonshme në botën e financave me të drejtë e kanë vendosur ekonomistin mysliman në pozitë mjaft të vështirë. Duke qenë i detyruar të respektojë kontratat, të jetë në kërkim të fitimit dhe ky të jetë hallall, ai është tejet i ngarkuar në përgjegjësi. Prandaj fokusi kryesor është përqendruar në transaksionet bankare dhe modelet tregtare, duke lënë pas dore, dhe në një farë mënyrë, ka rënë pre e imitimit të modeleve të gatshme për sa i përket sistemit të pagesave të punonjësve. Në këtë diskutim ne kemi ngritur pyetjen nëse pagesat e punonjësve që realizohen një herë në muaj a mund të quhen një borxh i paguar me vonesë apo ndonjë nënkategori e fajdes, po ti referohemi hadithit për pagesën e menjëhershme të punëtorit! Paga e ditës së parë të muajit kalendarik merret në të njëjtën kohë me pagën e ditës së fundit, duke mos marrë parasysh aspektin kohor të përfundimit të punës që te punëtori i zakonshëm është dita e punës. Pasojat e vonesës së pagesave janë të njohura nga aspekti praktik, madje edhe marrja e pagës mujore në kohën e caktuar shoqërohet me rritje të kriminalitetit, konsumit të drogave, alkoolit dhe krijon mundësinë e marrjes së kredive afatshkurtra me kamatë të lartë. Në vazhdim hipoteza kërkon një përgjigje nga ekspertë të fikhut, e ndoshta diskutim ndërdisiplinor.
Fjalëkyçe: rrogë, punë, mall, pagesë, kohë, borxh, fajde
“Jepjani punëtorit (që punon me mëditje) pagën e tij, para se t’i thahet djersa e tij”. Ky është versioni i këtij hadithi i përkthyer në shqip dhe në vazhdim është hadithi në anglisht sipas një prej përkthimeve të shtëpisë botuese Darussalam. “It was narrated from Abdullah bin Umar that the Messenger of Allah (pubh) said: ‘Give the worker his wages before his sweat dries’ (Sahih)”. [Sunan Ibn Mâjah (2443)].[1] Na ka treguar Abdullah b. Umeri se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Jepjani punëtorit pagën e tij, para se t’i thahet djersa e tij.” (Sahih) [Sunan Ibn Mâjah (2443)]
Ky është një hadith që më ka ardhur në mend në kontakt me një person të caktuar. K është një punëtor i zakonshëm që punon në spital edhe jashtë orarit për një firmë të nënkontraktuar për mirëmbajtje dhe shërbime të tjera. Zakonisht këtë detyrë e ka bërë një strukturë brenda spitalit me sukses të plotë por tani i është deleguar një firme private që ta realizojë me sukses edhe më të plotë. Jashtë ironisë së merituar mund të them që K pothuajse sa herë e takoj përmend Allahun xh.sh. dhe besimin që ka. Ky njeri merr një rrogë mujore punëtori dhe mban me të veten, gruan dhe dy fëmijë. Firma në shumë raste nuk e jep rrogën për dy apo tre muaj rresht duke treguar që kjo zgjidhje është një dështim i plotë, të paktën për sistemin e pagesave, në krahasim me kohën para kontraktimit të saj kur punëtorët i merrnin rrogat një herë në muaj, në shtet, në mënyrë të rregullt. Merr borxh dhe sa herë merr rrogën e vonuar menjëherë paguan borxhet dhe likuidon listën e ushqimeve te dyqani i lagjes. Kjo është një situatë e njohur dhe aspak e veçantë për punëtorët e ndershëm në Shqipëri. Hadithi më erdhi në mend lidhur me pagesën pa u tharë djersa, nëse ka kuptim literal apo tjetër.
Po bëj një rishikim të komponentëve të hadithit edhe pse në pamje të parë duket krejt i thjeshtë. Punëtori, paga dhe djersa janë tre komponentët e ndërlidhur me njëri tjetrin dhe që kërkojnë sqarim. Në një përkthim në gjuhën shqipe fjalën punëtori e gjej të përkthyer, të shoqëruar në kllapa me shprehjen ‘që punon me mëditje’. Në përkthimin në Anglisht nuk ka një përkthim të tillë nga arabishtja, thuhet vetëm ‘the worker – punëtorit’. E dimë se çfarë është një punëtor me mëditje. Po sa punëtor me mëditje ka sot? Pak ose aspak! Vetëm disa punëtorë që rrinë gjithë ditën duke pritur ti marrë dikush në punë ose disa të tjerë, që i kanë shpërndarë numrat e telefonit dhe shërbimet që ofrojnë nëpër muret e pallateve. Ky është një numër i papërfillshëm në një qytet të madh si Tirana. Të tjerët, të punësuar në shtet ose në privat, e marrin rrogën një herë në muaj. Përveç kësaj nëse bëhet fjalë vetëm për punëtorë të tillë me mëditje me të cilët ke kontakt vetëm një herë dhe të rastësishëm, atëherë pagesa sigurisht që është e menjëhershme ose do i mohohet fare dhe kjo mund të quhet pastaj grabitje e mundit të tjetrit, pra nuk bëhet fjalë për vonesë të pagesës siç kuptohet nga hadithi. Ka pasur punëtorë me mëditje që janë marrë çdo ditë nga pronarë dhe kjo mund të ketë qenë edhe rregull, por po mundohem ta sjell vlerën e hadithit në Tiranë dhe në vitin 2016. Prandaj mendoj që përfshirja e termit ‘me mëditje’ dhe zgjerimi i përfshirjes edhe të punëtorëve të tjerë më duket me vend duke pranuar për më të saktë përkthimin në anglisht.
Lidhja e punëtorit me tharjen e djersës si fenomen i shkaktuar nga aktiviteti fizik mund të jetë figurative, pra të bëhet pagesa e menjëhershme, ose literal. Nuk them që tharja e djersës të merret si standard kohor. Gjëja e parë që të shkon në mend është që djersitja të merret si standard për aktivitete të caktuara që kanë aktivitet fizik, ose më mirë për aktivitete që nuk konsiderohen si punë mendore. Ndarja e punës në punë fizike dhe mendore është e mirënjohur për shoqërinë tonë, dhe gjithashtu e pranuar në diskutimin tonë. Por, hadithi nëpërmjet shprehjes ‘para se t’i thahet djersa’ fut në diskutim edhe komponentin kohë, meqenëse nga djersitja deri te tharja e djersës kalon njëfarë kohe. Përderisa për realizimin e një pune kërkohet gjithmonë kohë, nuk është e paarsyeshme të diskutohet rreth saj, gjithashtu edhe koha nga mbarimi i punës deri në marrjen e pagesës. Koha është e rëndësishme, Allahu xh.sh. betohet në Kur’an, ‘Pasha kohën!’.[2] Duke u nisur nga ky princip në vazhdim hipoteza jonë merr në konsideratë ndarjen e punës në mendore (intelektuale) dhe fizike, dhe në punë me kohë të caktuar dhe me kohë të pacaktuar. Punë me kohë të caktuar është konsideruar çdo lloj pune që koha e përfundimit të saj është paracaktuar që në lidhjen e kontratës ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit. Figura e mëposhtme tregon në mënyrë skematike kombinimet ndërmjet këtyre dy kategorizimeve dhe tregon për secilën nga katër kombinimet raste konkrete të aplikimit.
Fig. 1 Paraqitje skematike e konceptit të punës sipas natyrës së saj dhe kohës së mbarimit.
Ashtu si në momentin kur caktohet koha e punës, po ashtu edhe kur nuk caktohet, pagesa bëhet pas përfundimit të saj. Puna me kohë të caktuar ka karakteristikë kryesore akumulimin e aktivitetit mbi blloqe aktiviteti të përfunduar që rreshtohen njëri pas tjetrit. Në fund të një dite pune mund ta masim me saktësi numrin e tullave të prodhuara nga një punëtor dhe gjithashtu edhe për rastet kur puna është e natyrës mendore. Një mjek apo një mësues praktikisht e mbaron me sukses apo jo ditën e punës sipas kontratës dhe vlerësimi i cilësisë së tyre zakonisht shpërblehet jo me rrogë por me bonuse. Puna e shkrimtarit dhe kërkuesit ka karakteristika të tjera. Nuk mund ti kërkohet një shkrimtari të shkruajë 0.32% të romanit të tij. Romani nuk mund të vlerësohet madje edhe pasi të jetë shkruar e botuar, por vetëm pasi të jetë përballur me publikun dhe kritikën e ndoshta tamam -tamam shumë vite pasi autori të ketë ndërruar jetë. Një kërkues mund të thotë që i është afruar zbulimit apo jo, por në fund mund të thotë që e ka realizuar ose jo. Ndërkohë tullat në fund të ditës i kemi numëruar, kemi skarcuar ato me cilësi të papranueshme dhe pas kësaj punëtori konsiderohet se e ka realizuar kontratën ditore dhe nuk ka asnjë detyrim përkundrejt punëdhënësit.
Koha e pagesës për zanatet me kohë të pacaktuar varet nga kontrata dhe del jashtë diskutimit tonë. Ndërsa zanatet me kohë të caktuar, qofshin punë fizike apo mendore ndjekin modelin në vazhdim. Rroga merret një herë në muaj prandaj paga për ditën e parë të muajit merret muajin pasardhës, pra pas 30 ditësh, për ditën e dytë pas 29 ditësh e kështu me radhë deri ditën e fundit të muajit pagesa për të cilën bëhet pothuajse në kohë reale me mbarimin e punës, nëse rroga merret menjëherë në fillim të muajit pasardhës. Pavarësisht se është e sanksionuar në kontratë në këto raste kemi një kohë që zgjat nga 1 në 30 ditë deri në marrjen e shpërblimit që i takon të punësuarit nga koha e mbarimit të njësisë së punës. Të ardhurat në formë rroge mujore duhen menaxhuar në mënyrë të planifikuar për mbulimin e nevoja mujore për jetesë dhe pagesave të borxheve dhe kredive apo krijimin e kursimeve. Para se të vazhdojmë më tej duhet të kujtojmë që paga ditore ka qenë një mënyrë pagese e mirënjohur dhe të gjithë e njohim pagën javore të SHBA-ve të fillimshekullit të XX-të apo pagën dyjavore që ne vetë e kemi marrë deri në fund të shekullit të XX-të. Pra diskutimi i kohës së pagës është një nocion shumë i ndryshueshëm dhe nuk ka pse të mos mbetet i tillë, i ndryshueshëm.
Perceptimi i pagës mujore
Tani, për një moment, të ndalemi te perceptimi që ka personi që punon në sektorin shtetëror për pagën reale. Paga reale është paga e axhustuar për inflacionin duke treguar edhe fuqinë blerëse të mallrave dhe shërbimeve. Mund të shohim se çfarë ka ndodhur konkretisht në vitin 2015, sipas INSTAT. Ndryshimi mesatar vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit në vitin 2015 është 1,7 %, ndërsa Ndryshimi vjetor i Pagës Mujore në sektorin shtetëror ( % ) duke bërë që ndryshimi i pagës reale të jetë 0.1%.[3] Ndërkohë që tabela e marrë po nga INSTAT e tregon 0%.
Tab. 1 Paga mesatare mujore në sektorin shtetëror, Rritja reale e pagës në sektorin shtetëror, dhe ndryshimi i pagës reale, 2000-2015
Burimi i informacionit: Të dhëna administrative[4]
Fig. 1 Paga mesatare mujore në sektorin shtetëror, Rritja reale e pagës në sektorin shtetëror, dhe ndryshimi i pagës reale, 2000-2015.
Nga sa shikohet më sipër nuk është e lehtë që një individ të ndjekë ndryshimet në planin ekonomik dhe raportet përfundimtare vetëm sa mund të konfirmojnë perceptimet e tyre. Zakonisht qytetari i zakonshëm arrin të perceptojë mbulimin e konsumit të tij në raport me të ardhurat mujore. Pas pagesave mujore si drita, ujë dhe taksa mbetet një shumë që duhet ta ndajë për nevoja ditore. Pyetjes praktike se sa është konsumi ditor për familjen pasi hiqen këto pagesa nuk arrin ti përgjigjet kushdo. Po të marrim rastin e diskutuar në fillim kemi një familje me katër anëtarë dhe një të ardhur mujore prej 30,000 Lekë (244 USD) ose 250 Lekë (2.03 USD) për person në ditë. Kur personi që jeton me këtë standard është vazhdimisht i vetëdijshëm se ka në dispozicion 250 Lekë në ditë për kokë, pa hequr këtu pagesat mujore të zakonshme, edhe reagimi i tij në kërkesat për ndryshim të të ardhurave ose rritjes së çmimeve, qoftë edhe minimale do të jetë i ndryshëm. Sa më i përgjegjshëm të jetë qytetari aq më me drejtësi do të reagojë ndaj politikës dhe tregut. Një studim që merr përsipër të tërheqë vëmendjen e konsumatorëve rreth marrjes së overdrafteve dhe i shoqëroi pyetësorët me fjalë ngacmuese të problematikës së borxhit, si kontroll i shpenzimeve, monitorim i balancës bankare dhe tarifa bankare u shoqërua me rënie të fortë të marrjes së borxhit në formë overdrafti, gjë që tregon më së miri rëndësinë e të qenët i mirinformuar në marrjen e vendimeve.[5] Kërkesa për punësim, rritje rroge apo ndryshim politikash, madje edhe me protesta, do të ishte përgjigjja e pritshme. Sigurisht që njerëzit që jetojnë me këto të ardhura nuk kanë pse presin këto konkluzione që të perceptojnë skamjen në të cilën jetojnë, por të ndërgjegjësuar, mund ta përballojnë më lehtë dhe të drejtohen në përmirësimin e situatës. Vlera e të ardhurave e treguar më sipër nuk është larg prej asaj të varfërisë ekstreme. Varfëri ekstreme konsiderohet, sipas definicionit të Bankës Botërore, shifra prej 1.90 USD në ditë per kapita.[6] Një pagë ditore, neto, mund të jetë një pasqyrë më e mirë e realitetit se paga mujore. Nëse pagën do ta konsideronim si një ndërfaqe ndërmjet fitimit dhe konsumit, paga ditore do të jepte një perceptim më real të nevojave ditore sesa ajo që merret një herë në muaj.
Perceptimi i realizimit të pasurisë gjithashtu varet nga mënyra si përftohet ajo. Kështu që kategori të ndryshme ekonomike kanë një perceptime krejtësisht të ndryshëm të pasurisë. Në një ekonomi globale ku pasuria gjenerohet në shumë mënyra të tjera, të ndryshme nga ajo tradicionale e treguar nëpërmjet binomit pagë/punë, pra nëpërmjet zhvlerësimit të këtij modeli dhe fitimit të pasurisë nëpërmjet përdorimit të teknologjisë edhe perceptimi është rrënjësisht i ndryshëm.[7]
Mundësia për të planifikuar dhe abuzuar… dhe bankat në pritë
“Pse nuk merr borxh më tepër por vetëm për një apo dy ditë?”
“Sepse kaq shkollë kam, sepse kështu më bie më mirë.”
Ky dialog i shkurtër është një nga shtysat e këtij diskutimi. Pamundësia për të planifikuar nuk është turp. Kujtdo mund ti qëllojë të jetë i paaftë të planifikojë apo të dështojë në planifikim. Shqiptarët nuk mund të futen te planifikuesit e mëdhenj pas eksperiencave traumatike të firmave piramidale. Një investim mund të jetë i suksesshëm ose jo dhe aftësia për të ndërtuar një strategji të suksesshme është kyç. Në rastin e mësipërm, që nuk duhet të jetë i rrallë në popullatën shqiptare, duhet të pranojmë faktin që edukimi dhe aftësitë që kërkohen për planifikim është e pamundur të përmirësohen shpejt, madje mund të jetë edhe e pamundur. E vetmja mënyrë është që, përderisa të arrihet një nivel edukimi më i mirë, ti ofrohen kësaj pjese të shoqërisë mekanizma më të afërta planifikues që i përshtaten atyre dhe lehtësojnë menaxhimin e situatës ekonomike, tashmë të vështirë. Në terma praktikë, thjeshtimi i mekanizmave të planifikimit do të ishte i dobishëm, si p.sh., reduktimi i segmentit kohor që duhet planifikuar dhe siç e hasim në mënyrë eksplicite në dialogun e mësipërm.
Ky është rasti më i mirë i mundshëm, por kur këtij problemi i shtohen edhe abuzimet, pa frikë, krijohet skenari i një drame të cilën e shohim çdo ditë në format e saj më të shëmtuara. Abuzimi mund të jetë me alkool, me droga, me lojëra fati dhe pa frikë mund të themi që konsumi i tyre shtohet në ditët e rrogave. Sidomos në shtresa e shoqërisë, të cilat janë të privuara nga të mirat materiale, këto fenomene janë edhe më të shtuara. Duke kërkuar në literaturën mjekësore nuk është e vështirë të gjenden studime që konfirmojnë rritjen e abuzimeve në ditët e marrjes së rrogave. Zakonisht alkooli konsumohet jo për çdo ditë por sidomos me të abuzohet në raste familjare, fundjava, ditë rrogash dhe festa.[8] Po ashtu konsumi i drogave ndjek të njëjtat linja. Punonjës të shëndetësisë, të policisë dhe shërbimeve sociale, janë të bindur se grupet e personave me ndihmë sociale dhe probleme abuzimi me drogat, pasi u vihen në dispozicion sasi relativisht të mëdha parash, u drejtohen më tepër drogave duke sjellë rritje të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë. Policët tregojnë se trafikantët e drogës i mbushin rrugët me ‘mall’ pak ditë para marrjes së ndihmës ekonomike.[9] Gjithashtu i pandashëm është problemi i lojërave të fatit, i cili, kur shoqërohet me vështirësi financiare, sjell rritjen e kriminalitetit.[10]
Deri tani kemi parë një qytetar me vështirësi në planifikimin e buxhetit dhe i rrezikuar nga fenomenet e abuzimit. I gjendur në vështirësi ai drejtohet për ndihmë financiare nëpërmjet borxhit tek të afërmit dhe miqtë, marrjes së borxhit në bankë dhe në pak raste edhe kriminalitetit. Për sistemin bankar, një person i tillë është një klient potencial, dhe dhënia e kredisë, llogaritet sipas mundësisë që ai ka për të paguar, pra e ardhura e tij e vetme, rroga, dhe interesit që është aq më i lartë sa më në vështirësi të jetë subjekti. Një sistem i tillë kreditimi që shfrytëzon këto dy karakteristika të individit janë overdraftet dhe të ashtuquajturat ‘payday loans – kreditë e ditës së pagës’. Sidomos kreditimi sipas modelit të dytë, ose payday lending ka lulëzuar në dekadat e fundit sidomos në vendet e zhvilluara.[11] Këto janë borxhe me afat të shkurtër, interes të lartë dhe kanë si garanci rrogën. Sistemet e reja të bankimit elektronik janë në rekomandim që i lehtëson shumë këto procedura.[12] Madje personat që nuk kanë një llogari bankare quhen ‘unbanked – të pabankë’ megjithëse nuk përdoret si term pezhorativ por vetëm për të treguar një kondicion të caktuar.[13] E gjithë kjo situatë, mund të quhet pa frikë si kreditim grabitqar, aq më tepër kur shifrat tregojnë se në SHBA, 80% e kërkuesve për këtë lloj kredie nuk kanë fare para në kartat e tyre të kreditit. Ky segment i industrisë së bankimit ka filluar në fund të viteve 1990, duke pasur në vitin 2012, 12 milionë amerikanë përdorues të këtij shërbimi dhe 50 miliardë USD aktivitet[14].[15] Në fund të këtij paragrafi do të kisha vetëm një pyetje. Ku do të rreshtohej një bankë nëse ka dy (tre) variante për pagesën e punonjësve, në variantin e pagesës ditore apo javore apo në atë mujore?!
A është puna mall?
Puna nuk është mall. Organizata Botërore e Punës, nuk e konsideron si të tillë. Duhet mbajtur parasysh trajtimi i atij që punon si qenie njerëzore, duke e trajtuar me respekt dhe me dinjitet. Megjithatë debati nëse puna konsiderohet mall apo jo vazhdon të ekzistojë. Në rastin më të mirë, në shoqërinë që respekton dinjitetin njerëzor, prapë kemi një treg pune dhe puna mendore apo fizike kanë një çmim. Këtë diskutim e quaj të nevojshëm sepse nuk e quaj të arsyeshme të reduktohet qëndrimi i Profetit (a.s.) ndaj punës dhe punëtorëve në përgjithësi te rasti i punëtorit me mëditje dhe as të zgjidhet një situatë bashkëkohore vetëm me anë të një hadithi. Objektivat fetarë mbeten të pandryshueshëm, por një punëtor i shekullit të VII-të është i ndryshëm nga një punëtor i shekullit të XXI-të.
Me gjithë definicionet e mësipërme, shikojmë që terminologjia e përdorur për mallrat e zakonshëm dhe punën është pothuajse e njëjtë. SHBA e kanë konsideruar të nevojshëm sanksionimin e faktit që puna nuk është mall dhe artikull për shitblerje nëpërmjet të ashtuquajturit ‘Clayton Act’, të vitit 1914.[16] Megjithatë, presidenti Wilson, gjatë nënshkrimit të këtij akti, tha, “Më vjen keq që mund të ketë gjykatës në SHBA që duhet tu thuhet një gjë e tillë.”[17] Një deklarim i tillë tregon se pavarësisht qëndrimeve teorike, në praktikë gjërat janë disi më ndryshe. Puna është më tepër se një mall, është një mall shumë i veçantë, të cilit i shtohet komponenti i dinjitetit njerëzor dhe sa herë flitet për tregun e punës dhe çmimin e saj, nuk duhet harruar dinjiteti njerëzor.
Ajo çfarë na intereson të faktojmë është që, shoqëria jonë, pavarësisht definicioneve, flet për një treg pune dhe shkon deri në vlerësimin e kërkesës dhe ofertës në këtë treg, dy nocione aspak të ndryshme nga ata që përdoren për mallrat e tjerë[18].[19] Kapitali njerëzor është çelësi i rritjes ekonomike. Jo vetëm që lidhet me përmirësimin e performancës ekonomike por ndikon në rezultatet e vetë tregut të punës.[20]
Puna, produkti, paga dhe disa hadithe që mund të na ndihmojnë
Puna është një mall të cilit i shtohet dinjiteti njerëzor. Pa e zgjidhur përfundimisht këtë çështje, mund të themi se, dinjiteti i njeriut në Islam garantohet jo vetëm nëpërmjet marrëdhënies punëdhënës/punëmarrës, por është vetë Allahu xh.sh. garantues i tij. “Adhurojeni All-llahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqinjit të afërt, ndaj fqinjit të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit të largët dhe ndaj robërve. All-llahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet.”[21]
Në rastin më ekstrem kur mohohet fare komponenti mall i punës, mund të themi se, jo puna por produkti i saj është mall. Rasti i punëtorit që prodhon tulla është tipik. Tullat e përfunduara janë mall ku punëtori ka investuar mundin e tij dhe në njëfarë mënyre është bashkëpronar derisa të likuidohet për punën e bërë.
Dy hadithet në vazhdim janë zgjedhur për të trajtuar kohën e pagesës së këtij komponenti, mall, në punën e punëtorit.
2178, 2179. Na ka treguar Ali b. Abdi-l-lahi, këtij i tha Ed-Dahhak b. Mahledi, këtij Ibn Xhurejxhi, këtij Amr b. Dinar se Ebu Salih Ez-Zejjati e ka informuar që e ka dëgjuar Ebu Seid El-Hudriun r.a. duke thënë: “Dinari me dinar (monedhë ari) dirhemi me dirhem, e unë i thashë: Ibn Abbasi nuk e thotë këtë?” – Ibn Seidi tha: Unë e pyeta: “A e ke dëgjuar këtë prej Pejgamberit s.a.v.s. apo e ke gjetur në librin e Allahut? Tha: S’do ta them këtë në tërësi, por ju dini më tepër mbi Pejgamberin s.a.v.s. se sa unë. Mirëpo Usame më informoi që Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “S’ka kamatë përveç në pritje (të pagesës).”[22]
2180, 2181. Na ka treguar Hafs b. Umeri, këtij i tha Shu’be, këtij Habib b. Ebu Thabiti, i cili tha që e dëgjova El-Minhalin duke thënë: E pyeta Berra b. Azibin dhe Zejd b. Erkamin r.a. për këmbimin e parave dhe secili prej tyre (për tjetrin) thoshte: “Ky është më i mirë se unë”. Pastaj që të dy thanë: “Pejgamberi s.a.v.s. e ka ndaluar shitblerjen e arit me argjend në formë të borxhit.”[23]
A janë paratë njëlloj si monedhat e arta dhe a është puna, apo produkti i saj, njëlloj me monedhat e argjendit?! Në ndihmë të pretendimit të bërë më sipër mund të shtojmë edhe qëndrimin e Ebu Hanifes, kur bëhet fjalë të zëvendësohet një mall me një mall tjetër kur është e nevojshme. Ebu Hanife e ka lejuar zëvendësimin e artikullit me vlerën e tij për të paguar zekatin e Fitrit.[24] Në këtë pikë i konsideroj kompetencat e mija të ezauruara për të vendosur rreth këtij përfundimi fetar, por duke i ruajtur vetes të drejtën ta ngre si pyetje, duke pasur gjithmonë parasysh rëndësinë që paraqet. Në rast se ky koment rreth këtyre dy haditheve përjashtohet nga diskutimi nuk mund të lë pa përmendur dy aspekte të hadithit fillestar. Së pari, hadithi në mënyrë eksplicite jep mesazhin rreth të drejtës së pagesës (sapo ka mbaruar punën dhe pa vonesë) dhe duke ruajtur në mënyrën më të përsosur krenarinë e punonjësit (në mënyrë implicite pagesa e menjëhershme eliminon pamundësinë intelektuale për planifikim në kohë të gjatë).
Nëse është borxh dhe nuk paguhet në kohë ka pasoja
Hadithi 1608. Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Zvarritja e pagesës së borxhit nga të pasurit është dhunë. Nëse dikush nga ju ndiqet ta paguajë borxhin, ndërkohë që ka mundësi të paguaj, menjëherë të bindet dhe ta paguaj borxhin.” (Muttefekun alejh)[25]
Hadithi 1584. Nga Ebu Hurejra r.a. transmetohet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Allahu i madhëruar thotë: “Me tre njerëz do të konfrontohem në ditën e kiametit, me njeriun, i cili premton në emrin tim dhe nuk e zbaton, me njeriun i cili e shet njeriun e lirë dhe ato të holla i përdor dhe njeriun, i cili angazhon mëditës dhe, pas kryerjes së punës, mëditjen e kontraktuar nuk e paguan”. (Buhariu)[26]
Këtij fenomeni mund ti vendosësh një emër vetëm pasi të gjykohet me profesionalizëm. Ai mund të quhet borxh derisa të paguhet dhe në rastin më ekstrem mund të hidhen edhe dyshime për tu quajtur si ndonjë nënkategori e kamatës. E gjitha kjo për vonesën, nëse do të gjykohej si vonesë, ndërsa për mospagesën e mundit të punës, Islami është i qartë.
Përfundime
Në shekullin e XXI-të, i punësuari gjendet i përfshirë në një sistem pothuajse global kontratash dhe pagesash. Ndryshimet nuk janë shumë domethënëse nga njëri vend në tjetrin. Bankimi elektronik ka standardizuar mënyrën e pagesave edhe sa herë që shfaqet një ndryshim i ri në sistem, reflektohet kudo. Globalizimi ka efekte të pamohueshme në ekonomi, politikë dhe kulturë. Shembulli më i mirë dhe gjithashtu me ndjeshmëri shumë të madhe është pjesëmarrja masive e grave në forcën e punës.[27] Feja, dhe konkretisht feja Islame, duhet të thotë fjalën e saj në këtë vorbull që ndryshon vazhdimisht. Shteti demokratik dhe social, duhet ta dëgjojë zërin e besimit, si shprehje e vullnetit të masës që kjo fe përfaqëson, sigurisht, duke respektuar të drejtat e garantuara në mënyrë kushtetuese për të gjithë. Hadithi, rreth të cilit e filluam këtë diskutim, është ndoshta i vetmi fakt i pamohueshëm që Islami nëpërmjet Profetit Muhamed (a.s.) ka çfarë të thotë për trajtimin e punonjësve me pagesë. Islami është përplot me alternativa, që të përdorura në mënyrën më të mirë, do të ishin një avokaturë e drejtë për punonjësin e shekullit të XXI-të. Një mundësi është që këtë punonjës ta veshim me rrobat e shekullit të VII-të dhe ti lexojmë hadithin, duke e quajtur situatën të zgjidhur, një situatë kjo që nuk është se nuk ndodh dhe mundësia tjetër është të vendosemi konkretisht përballë situatës ku ndodhet shoqëria jonë dhe të mundohemi ta bëjmë më të drejtë duke e parë me syrin e Kur’anit dhe sunetit.
Kanë ndryshuar mjetet e prodhimit, lëvizja e kapitalit dhe bashkë me to edhe figura e të punësuarit. Konkretisht, çdo zanat ka fituar si karakteristikë superspecializimin dhe duke u vendosur përballë qoftë edhe një hadithi të vetëm, ka nevojë të jemi të vetëdijshëm për këtë fakt dhe të njohim kategoritë e këtij superspecializimi, duke u përpjekur të mos e zbatojmë atë ndryshe nga qëllimi për të cilin është transmetuar. Puna dhe mënyra e pagesës së një punëtori fabrike është e ndryshme nga cilido shembull i shekullit të VII-të. Të gjendur para një situate të tillë vihemi para dy alternativave, ta braktisim atë duke mos përfituar nga e mira e një hadithi dhe të tjerëve që lidhen me situatën e tij, që nuk më duket e drejtë, ose të përpiqemi ta implementojmë atë në situatën moderne.
Hadithi konsideron komponentin kohë në pagesën që i detyrohen punonjësit. Në mbyllje do të përmbledh vetëm dobësitë e diskutimit, tejkalimi i të cilave do ta lejonte atë të jetë praktikisht i vlefshëm dhe të sjellë rekomandime apo të drejtohet në një formë tjetër. Së pari hadithi i diskutuar është parë me syrin e ndarjes së punës me kohë të caktuar apo jo, përkrah ndarjes tipike në punë mendore dhe fizike. Në këtë nuk shoh ndonjë problem, vetëm se hadithi shikohet i reflektuar në grupe profesionesh. Nëse hadithi konsiderohet në mënyrë strikte, vetëm për punën fizike, kërkohet ndërhyrja e një eksperti, që duhet të vlerësojë edhe dy etapat e tjera, nëse puna është mall, të cilit i mbivendoset dinjiteti i njeriut dhe mund të jetë subjekt i haditheve në vazhdim, që flasin për këmbimin e mallrave apo jo. Së fundmi, qëndron përgjegjësia ndaj vonuesit të pagesave të punonjësve. Këtu nuk ka vend për diskutim. Ajo është e dënueshme sidomos kur bëhet fjalë për punëtorët e varfër, që me vështirësi mbulojnë jetesën dhe janë të rrezikuar më shumë se të tjerët për abuzime dhe, për më tepër, kanë vështirësi në planifikimin dhe menaxhimin e buxhetit.
Koha, si për çdo gjë tjetër, edhe për pagesat është vlerë e pamohueshme dhe, jo vetëm abuzimi nëpërmjet saj, por edhe mos studimi i vlerës praktike të saj, është i padrejtë. Sistemi bankar i sotëm më së shumti përfiton nëpërmjet lojës me faktorin kohë. Një pagesë e vonuar, sidomos për një të varfër, do të thotë shtyrje drejt borxhit, abuzimit e madje edhe vjedhjes dhe krimit. Vonesa e pagës edhe nëse nuk është drejtpërdrejt një stimul për korrupsion është një ngarkesë më tepër në supet e punonjësit që mund të rrisë tolerancën ndaj korrupsionit. “Edhe Medjenit (i dërguam) vëllain e tyre Shuajbin që ju tha: “O popull im, adhurojeni All-llahun, ju nuk keni zot tjetër pos Tij, mos matni as mos peshoni mangët, unë po shoh se jeni në gjendje të mirë jetësore, pra unë po frikësohem për ju nga dënimi që do t’ju përfshijë një ditë!””[28]
Nuk ka nevojë për ndryshime ligjore. Ligji e lejon që të paguash punonjësin tënd çdo ditë. Nëse ke në varësi punonjës që janë të nevojshëm për ta marrë të ardhurën e tyre në mënyrë ditore mund ta bësh sepse nuk kushton më shumë se një klik më tepër.
[1]. Ibn Majah, M. Y. A. A. A. “Sunan Ibn Majah.” Arabic-English by Nasiruddin al-Khattab Translation. Saudi Arabia: Darussalam (2007), 399.
[2]. Kur’an, El Asr, 1. Përkthimi me komentim i H. Sherif Ahmetit. OPGBG – “Rilindja” – Prishtinë, 1990, 732.
[3]. “Pagat Dhe Kosto E Punës.” (2016): n. pag. INSTAT. Web. 06 July 2016. <http://www.instat.gov.al/al/themes/pagat-dhe-kosto-e-pun%C3%ABs.aspx?tab=tabs-5>.
[4]. “Shqipëria Në Shifra, 2015.” (2016): 23. INSTAT. Web. 06 July 2016. <http://www.instat.gov.al/media/330710/shqiperia_ne_shifra__15.pdf>.
[5]. Stango, Victor, and Jonathan Zinman. “Limited and varying consumer attention evidence from shocks to the salience of bank overdraft fees.” Review of Financial Studies (2014): hhu008.
[6]. World Employment and Social Outlook 2016: Transforming Jobs to End Poverty. Geneva: International Labour Organization, 2016. Employment / Labour Policy / Poverty Alleviation. Pdf.
[7]. McMichael, Phillip. “World-systems analysis, globalization, and incorporated comparison.” journal of world-systems research 6.3 (2015): 668-689.
[8]. Demers, Andree, Robin Room, and Chantal Bourgault. “Surveys of drinking patterns and problems in seven developing countries.” (2000).
[9]. Verheul, Glenn, Sharon Manson Singer, and James M. Christenson. “Mortality and morbidity associated with the distribution of monthly welfare payments.” Academic emergency medicine 4.2 (1997): 118-123.
[10]. Lind, Kalle, Juha Kääriäinen, and Sanna-Mari Kuoppamäki. “From problem gambling to crime? Findings from the Finnish National Police Information System.” Journal of Gambling Issues (2015): 98-123.
[11]. Banks, Marcus, et al. “‘In a perfect world it would be great if they didn’t exist’: How Australians experience payday loans.” International Journal of Social Welfare 24.1 (2015): 37-47.
[12]. Khanna, Seema. “Customers Satisfaction and Governance-A Factor Analysis in Banking Sector of India.” The International Journal of Business & Management 3.6 (2015): 9.
[13]. Valenti, Joe. “Expanding Financial Access Through Mobile Banking.” Center for American Progress (2014).
[14]. Carrell, Scott E., and Jonathan Zinman. “In Harm’s Way? Payday loan access and military personnel performance.”(2008).
[15]. Bhutta, Neil, Paige Skiba, and Jeremy Tobacman. “Payday loan choices and consequences.” Journal of Money, Credit and Banking 47.2-3 (2015): 223-260.
[16]. Witte, Edwin E. “The doctrine that labor is a commodity.” The Annals of the American Academy of Political and Social Science 69 (1917): 133-139.
[17]. Burns, Joe. “Strike! Why mothballing labor’s key weapon is wrong.” New Labor Forum. Vol. 19. No. 2. SAGE Publications, 2010.
[18]. Mulligan, Casey B. “Fiscal policies and the prices of labor: a comparison of the UK and US.” IZA Journal of Labor Policy 4.1 (2015): 1.
[19]. Krebs, Tom, and Martin Scheffel. “Macroeconomic evaluation of labor market reform in Germany.” IMF Economic Review 61.4 (2013): 664-701.
[20]. Quintini, Glenda. “Skills at Work: How skills and their use matter in the labour market.” (2014).
[21]. Kur’an, Nisa, 36. Përkthimi me komentimi H. Sherif Ahmetit. OPGBG – “Rilindja” – Prishtinë, 1990, 116.
[22]. Sahihu-l-Buhari, Libri 5. Përkth. Ismail Ahmedi; Prishtinë, 2002, 290-291.
[23]. Sahihu-l-Buhari, Libri 5. Përkth. Ismail Ahmedi; Prishtinë, 2002, 291.
[24]. Sabiq, As-Sayyid, et al. FikhusSunneh. Mileniumi i Ri, Tiranë, 2005, 404.
[25]. Imam En-Nevevij. Riad us Salehiin. Përkth. Samedin Abazi; Biblioteka Islamike “Co Kavaja Albania”, 1994, 278.
[26]. Imam En-Nevevij. Riad us Salehiin. Përkth. Samedin Abazi; Biblioteka Islamike “Co Kavaja Albania”, 1994, 272.
[27]. Moghadam, Val. “Gender and globalization: Female labor and women’s mobilization.” journal of world-systems research 5.2 (2015): 366-389.
[28]. Kur’an, El Asr, 84. Përkthimi me komentimi H. Sherif Ahmetit. OPGBG – “Rilindja” – Prishtinë, 1990, 269.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...