Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Mar 05, 2018 Zani i Nalte Studime 0
“Duan të shuajnë me gojën e tyre Dritën e Allahut,
por Allahu e plotëson Dritën e Tij edhe pse e urrejnë mohuesit.” (Saff, 8)
nga Prof. Dr. Qani Nesimi, Myfti i Tetovës
Abstrakt
“Drita Islame” ka një barrë të rëndë që të edukojë brezin e ri me fenë, e cila aq sa ka potencial të ndikojë pozitivisht, po aq ka të ndikojë edhe negativisht. Ajo, sa mund ti bëjë mirë njeriut, po aq mund ti bëjë edhe keq atij; sa mund të krijojë paqe në një vend, mund të jetë shkak edhe për luftë. Luftërat në Ballkan midis serbëve e boshnjakëve, midis serbëve e shqiptarëve, midis shqiptarëve dhe maqedonasve, midis serbëve e kroatëve, midis grekëve e shqiptarëve, sa mund të jenë me përmasa nacionale, po aq janë edhe me përmasa fetare, në mënyrë direkte ose indirekte, si motivuese e luftës, apo si mbështetëse e saj. E gjithë kjo, varet nga mënyra e përdorimit të fesë, mënyra e trajtimit të saj. Pra, ai që e beson dhe e praktikon fenë varet se si e përdor atë. Kurse ai që duhet të marrë një vendim ose të mbajë një qëndrim ndaj fesë, varet se në çfarë rrethanash dhe me çfarë bindje e ka bërë atë ose, se sa serioz është ai në qëndrimin e tij. Prandaj, për mendimin tim, periodiku “Drita Islame” ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në prezantimin dhe në interpretimin e drejtë të fesë Islame, e cila është kundër dhunës, vrasjes, keqpërdorimit të fesë, keqtrajtimit të tjetrit etj.
Në vitet ‘90-të në botë, sidomos në Bashkimin Sovjetik dhe në Ballkan, u përjetuan ndryshime të mëdha politike, të cilat ndikuan edhe në fillimin e ndryshimeve në aspekte të tjera në shoqëri. Kjo periudhë, për shumë popuj, shpreh edhe procesin kalimtar nga një sistem në tjetrin. Ndërsa, në anën tjetër, shpreh kalimin nga një botëkuptim lokal e nacional në atë global, pra, nga një sistem komunist, gjegjësisht sistem monist, në një sistem demokratik. Demokracia, në krahasim me komunizmin, është një sistem shumë më i përshtatshëm për jetën fetare. Me një fjalë, në sistemin demokratik u përjetua një rikthim fesë dhe aktiviteteve fetare në përgjithësi. Kurse në aspektin global, kjo është një kohë kur më veç bëhen hapat e para në kalimin prej kohës moderne në atë postmoderne. Prej një kohe kur feja mohohej krejtësisht, në një kohë kur feja luan një rol shumë të rëndësishëm për njeriun dhe për shoqërinë në përgjithësi. Këtë kohë postmoderne e karakterizon edhe një dukuri shumë e rëndësishme që është globalizmi, i cili pretendon dy fakte shumë me rëndësi. I pari, globalizmi pretendon që edhe politikisht, edhe ekonomikisht, edhe në aspektin social të dominojë ndikueshëm në tërë botën. Kurse i dyti, globalizmi pretendon të shtojë ndikimin, varësinë dhe lidhjen reciproke në dhe mes shteteve dhe shoqërive në tërë botën. Varësia reciproke, e cila ritet bashkë me globalizmin, në mënyrë të vazhdueshme përpiqet që jetën e çdo njërit ta bëjë edhe më të varur ndaj vendimeve dhe lajmeve që vijnë aq larg sa që njeriu nuk ka mundësi që në një mënyrë tjetër t’i posedojë ato pranë vetes.
Madje, në fillim të shekullit XXI, edhe shtetet më të përparuara dhe më të fuqishme kanë qenë të detyruara të ballafaqohen me nevojën e varësisë reciproke. Shtetet nacionale, që në bazë janë shtete me kufij të caktuar, janë të detyruara të ballafaqohen me ndikimin pa kufij të teknologjisë së komunikimit, të qarkullimit të banorëve, të acarimeve dhe të konflikteve rajonale, shoqatave/organizatave multinacionale dhe të problemeve të tjera ekonomike.
Kështu që, në Shqipëri një rikthim dhe një rizgjim i këtillë filloi me shkatërrimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Kështu ato pak xhami dhe kisha që kishin mbijetuar në atë sistem barbar iu kthyen përsëri jetës, gjallërisë dhe aktiviteteve fetare, ashtu si edhe ato pak klerikë fetarë që kishin mundur të mbijetonin në atë periudhë të vështirë, iu kthyen përsëri obligimit të tyre fetar, nëpër xhami dhe nëpër kisha (qofshin ato kisha ortodokse ose kisha katolike). Përsëri filluan të dalin në dritë librat, broshurat, fletushkat, revistat, gazetat dhe shkrimet e tjera fetare, të cilat gjatë sistemit monist ishin të burgosura nëpër arkiva, biblioteka shtetërore apo private. Sidomos, në fillim u punua për restaurimin dhe për ndërtimin e tempujve të ri. U hapën edhe shkolla të mesme dhe fakultete (akademi) fetare. Kështu jeta fetare filloi në çdo aspekt të riorganizohet dhe zhvillohet. Këtij zhvillimi i ndihmuan jo vetëm populli fetar i Shqipërisë, ndihmën e tyre u munduan që ta japin edhe fetarët, pa marrë parasysh se cilës fe i takonin, e shteteve ku feja më parë ka qenë e lejuar për veprim. Prej ndihmave që vinin në Shqipëri, krahas atyre që ishin me qëllim të pastër fetar, kishte edhe të atilla që kishin prapavijë politike dhe kulturë asimiluese. Pra, pas lëkundjeve të themeleve të totalitarizmit në përgjithësi në Ballkan, madje shembjes së tërësishme në Shqipëri, edhe organet periodike, këtu mund të përmendim edhe revistën Drita Islame, jepnin shpresë se po ringjallet jeta fetare dhe se me demokratizimin e jetës politike do të përmirësohet edhe jeta fetare në përgjithësi, e ajo islame në veçanti.
Ballkani është një botë më vete. Ai nuk mund të mendohet pa disa gjuhë, disa fe/religjione, disa kultura etj. Dhe të gjitha këto kanë luajtur rolin e tyre në këtë vend, në krijimin e identitetit të këtij vendi, qoftë pozitiv apo negativ. Pa një islam, krishterizëm, gjegjësisht katolicizëm e ortodoksizëm, pa hebraizëm, paganizëm e dualizëm (Maniheizëm), edhe pa ateizëm definimi i Ballkanit do të ishte i mangët. Me një fjalë, ky vend gjeografik i ka përjetuar gati të gjitha llojet e sistemeve politike e administrative, kurse ky sistem ateist i llojit të veçantë, që u instalua në Shqipëri, është i pakrahasueshëm. Kështu që, pas rrënimit të këtij regjimi totalitar fillojnë të rilindin vlerat kombëtare e fetare që kanë qenë të ndaluara gati një çerek shekulli. Në këtë periudhë rilind edhe periodiku islam i titulluar “Drita Islame”, për të cilin mendoj se kuptimisht është vazhdimësi e periodikëve që botoheshin në botën shqiptare para ndalimit te fesë si “Zani i Naltë”, “Kultura Islame”, “Njeriu”, etj.
Drita Islame ka një barrë të rëndë që të edukojë brezin e ri me fenë, e cila aq sa ka potencial të ndikojë pozitivisht, po aq ka të ndikojë edhe negativisht. Ajo, sa mund ti bëjë mirë njeriut, po aq mund ti bëjë edhe keq atij; sa mund të krijojë paqe në një vend, mund të jetë shkak edhe për luftë. Luftërat në Ballkan midis serbëve e boshnjakëve, midis serbëve e shqiptarëve, midis shqiptarëve dhe maqedonasve, midis serbëve e kroatëve, midis grekëve e shqiptarëve, sa mund të jenë me përmasa nacionale, po aq janë edhe me përmasa fetare, në mënyrë direkte ose indirekte, si motivuese e luftës, apo si mbështetëse e saj. E gjithë kjo, për mendimin tim, varet nga mënyra e përdorimit të fesë, mënyra e trajtimit të saj. Pra, ai që e beson dhe e praktikon fenë varet se si e përdor atë. Kurse ai që duhet të marrë një vendim ose të mbajë një qëndrim ndaj fesë, varet se në çfarë rrethanash dhe me çfarë bindje e ka bërë atë ose, se sa serioz është ai në qëndrimin e tij. Prandaj, për mendimin tim, periodiku Drita Islame ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në prezantimin dhe në interpretimin e drejtë të fesë Islame, e cila është kundër dhunës, vrasjes, keqpërdorimit të fesë, keqtrajtimit të tjetrit etj.
Pikërisht për këtë, feja është një koncept që zhvillohet brenda kornizave të shpalljes hyjnore dhe përcjelljes profetike. Tradita konstituive e Islamit, e njëkohësisht edhe e feve të tjera qiellore, e quan fenë dhuratë të jashtëzakonshme hyjnore, dobiprurëse dhe liridhënëse. Feja është sistem hyjnor, i cili njerëzve të arsyeshëm u mundëson t’i kahëzojnë ndjenjat e tyre dhe të bëjnë vepra të mira. Duke e përfaqësuar themelin e jetës kuptimore të njeriut dhe shoqërisë, feja është tejet funksionale në aspektet sociale dhe psikologjike të jetës. Pikërisht për këtë paraqet edhe një dukuri, e cila nuk mund të lihet pas dore. Historia, në çdo epokë, flet për marrëdhëniet e ngushta mes fesë, njeriut dhe shoqërisë. Dukuria e fesë ka ekzistuar në çdo shoqëri njerëzore dhe ka ndikuar dukshëm në formimin dhe ndryshimin e sistemeve mendore dhe shoqërore. Pikërisht për këtë edhe u tregua si i pabazë dhe joreal pohimi se me zhvillimin e shkencave pozitive do të mënjanohet nevoja për fetë tradicionale dhe se njerëzit do ta margjinalizojë idenë fetare. Një situatë e ngjashme është duke u përjetuar edhe me globalizimin dhe sfidat që njerëzimi po përjeton me të.
Kështu që, “Drita Islame”, edhe pse në fillim përbëhej prej disa faqeve dhe disa shkrimeve, ajo simbolikisht përfaqësonte zërin e fesë. Duke u nisur nga kjo, mund të themi se:
-“Drita islame” e vitit ‘92 të shekullit të kaluar ka qenë zëri i parë zyrtar i shkruar për shqiptarët myslimanë të Shqipërisë, pas shkatërrimit të sistemit totalitar komunist;
-Ajo u ka dhënë mundësi njerëzve të edukuar fetarisht më herët, të cilët kanë arritur të mbijetojnë në sistemin komunist, që ti shprehin mendimet e tyre fetare lirshëm dhe të njëjtat t’ua kumtojnë të tjerëve;
-Ajo e ka mbrojtur dimensionin sunit dhe hanefit fetar të fesë islame, dimension ky që në Shqipërinë parakomuniste ka qenë dominant;
-Ajo ka qenë diga e parë që shqiptarët i ka mbrojtur nga ndikimet e fraksioneve të ndryshme të botës islame.
Sot, si gjithmonë, janë tre premisa bazë pa të cilat nuk mund të bashkëjetohet dhe nuk mund të formohet një shoqëri tolerante e të thuhet se jemi një vend pluralist. E para premisë është pranimi i tjetrit. Të pranohet kultura, besimi, tradita folklori i grupit tjetër etnik e religjioz, gjegjësisht të gjithë duhet të pajtohen me diversitetin kulturor, fetar e tradicional në vend. E dyta ka të bëjë me njohjen e tyre, pra nuk mund të bisedojmë vetëm për një pranim verbal dhe të thatë pa praktikë. Por pranimi duhet të pasohet nga njohja e asaj që i takon tjetrit. Kurse premisa e tretë, ka të bëjë me shpëtimin nga vetizolimi, gjegjësisht të jemi të hapur ndaj njëri tjetrit, çështje kjo të cilën e kërkon edhe procesi i globalizimit sot. Vetizolimi e bën njeriun, kulturën, fenë, grupin më të ashpër dhe më të rrezikshëm për veten dhe për të tjerët. E nëse e kemi parasysh se një njeri, një kulturë, një fe është e pamundur që të jetë i vetizoluar deri në fund, atëherë kuptohet se nëse vetë ai ose ajo nuk çlirohet nga ai vetizolim, më vonë kur të kuptohet realiteti që deri në atë moment ka qenë i izoluar, do të dalë në pah e vërteta, që në atë rast do të jetë edhe faqja e zezë e asaj apo atij.
Prandaj është e një rëndësie të veçantë që shteti dhe të gjitha institucionet qeveritare dhe joqeveritare, secili në formën e vet, të kontribuojnë sinqerisht dhe realisht në këtë drejtim. Pra të mundësojnë që njerëzit, kulturat, fetë etj., të pranojnë njëra tjetrën. Institucionet këtë mund ta bëjnë vetëm duke u dhënë atyre mundësi më të mëdha, që ata ta njohin njëra tjetrën më mirë dhe më së afërmi, dhe në fund të shpëtojnë nga vetizolimi, i cili sjell vetëm mundësi të mbjellë urrejtje.
Për këtë, çdo udhëheqës, qoftë shtetëror apo joqeveritar, në lidhje me periodikun në përgjithësi, e me “Dritën Islame”, në veçanti, duhet të ketë parasysh sa vijon:
1-Vetëdijësimin për periudhën postmoderne që na ndan nga periudha moderne, kurse Ballkanin edhe nga periudha komuniste;
2-Duhet mbjellë ndjenja e rëndësisë së fesë në riparimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore, dialogut, tolerancës etj;
3-Duhet dhënë shumë rëndësi njohjes së historisë, kulturës, fesë së vet, po edhe të historisë, kulturës e fesë së tjetrit, me të cilën jepet mundësia e njohjes së tjetrit, sa më tepër njohje aq edhe më tepër respekt reciprok.
4-Duhet zhdukur ndjenja e urrejtjes ndaj njëri tjetrit, që është mbjellë gjatë historisë. Këtë duhet ta bëjnë institucionet shtetërore, bashkësitë fetare, shkollat fillore, shkollat e mesme si dhe universitetet. Ende, për fat të keq, në Ballkan, për të cilën mendoj se është një sëmundje e trashëguar nga periudha komuniste, ka problem midis “intelektualëve fetarë” dhe “intelektualëve laikë”, pa dallim kombësie dhe feje. As të parët nuk i pranojnë si duhet të dytët, e as të dytët s’i pranojnë si duhet të parët. Ata as nuk dinë por as që duan të dinë sinqerisht për njëri tjetrin. Ende është gjallë ajo ndenja antitjetër në kombësi, kulturë, gjuhë dhe fe.
5-Për ta arritur këtë duhet shkruar dhe lexuar për njëri tjetrin si dhe duhet takuar sa më shumë njëri me tjetrin, duke biseduar dhe qarë halle në këtë drejtim.
Këtu do të përmend mendimtarin dhe intelektualin e njohur gjerman, Hans Kung, i cili merret me çështjen e dialogut dhe të bashkëjetesës. Ai në thënien e tij të njohur: “Pa paqe ndëreligjioze, nuk ka paqe ndërnacionale; pa dialog ndërreligjioz, nuk ka paqe ndërreligjioze; pa njohjen dhe hulumtimin e themeleve fetare, nuk mund të ketë dialog ndërreligjioz”, thekson se paqja ndërnacionale dhe ndërfetare janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën. Por në fund potencon se ato varen prej një njohjeje reciproke të themeleve të njëra tjetrës.
Dua të përmend edhe dy gjëra me rëndësi që më kanë lënë përshtypje shumë të madhe nga një trajnim i realizuar në ShBA.
E para, ishte mosekzistimi i kompleksitetit te njerëzit, madje edhe nëpër institucionet edhe më të mëdha dhe të nivelit më të lartë shkencor si universitete etj., se kanë të bëjnë me një njeri që është tjetër etnitet, racë, religjion apo ndonjë bindjeje tjetër çfarëdo qoftë ajo.
Mendoj se ne që jetojmë, sidomos në Gadishullin Ballkanik, kemi më së tepërmi nevojë për ta zhdukur ndjenjën, edhe atë shumë të theksuar, të ekskomunikimit të tjetrit nga rrethet tona, pse nuk është si ne, nuk mendon si ne, nuk beson si ne, etj.
Kurse e dyta, ishte sistemi sekular i shtetit, i cili ishte shtet i ndarë nga kisha, por vetë shteti ishte “fetar”, dhe askund nuk pashë ose të paktën nuk dëgjova për ndonjë vendim që ishte antifetar. Kryetari i shtetit sekular amerikan, bën betimin në librin e shenjtë, kurse dollari amerikan përmban fjalë religjioze. E njëjta gjë shihet edhe në fjalët, bisedat, debatet parazgjedhore të kandidatëve për president të ShBA-ve. Kështu, do të pajtohesha me idenë e papës, Benedikti XVI, i cili në vizitën e tij në ShBA (prill-2008), ndër të tjera tha se, Evropa duhet të marrë për model sistemin sekular amerikan.
Në fund dua të theksoj se periodikët islamë, konkretisht “Drita Islame”, duhet të mundësojë që të gjitha institucionet relevante në vend dhe më gjerë të kuptojnë peshën e fesë, pasi për fenë duhet të mendojnë të gjitha instancat shoqërore e shtetërore në vend. Këtu nuk mendoj se të gjithë duhet patjetër të besojnë. Besimi është çështje individuale. Por që ta shfrytëzojnë fenë pozitivisht, që ajo të jetë në shërbim të shoqërisë, ajo duhet trajtuar si shumë serioze, e jo si diçka me të cilën merren njerëzit e prapambetur, naivë, primitivë e të pashkolluar. Ky lloj mendimi, sipas meje, është rezultat i një qasje shumë naive dhe injorante ndaj fesë.
Dhe si rezultat i kësaj, ajo mund të dalë prej kontrolli, jo për arsyen se feja është diçka e keqe, por sepse feja është diçka e madhe dhe nuk mund të mbahet e mbyllur. Shtetet në Ballkan, nuk duhet që fenë ta shfrytëzojnë për qëllimet e tyre politike, por ata duhet të investojnë në këtë drejtim në mënyrë të barabartë. Vetëm në këtë formë krijohet stabilitet në vend. Në të kundërtën komunitetet fetare edhe kur heshtin ndaj padrejtësisë shtetërore është rrezik e jo më të bëjnë ndonjë veprim të hapur në atë drejtim. Vetëm në këtë formë ka mundësi që të ruhet shoqëria nga paraqitja e grupeve radikale dhe shqetësuese për mesin tonë.
Urime “Drita Islame”!
Urime botuesve të saj!
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...