Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Aug 31, 2018 Zani i Nalte Abstraktet 0
Shkenca Islame
01- Kur’ani në kohën e sotme
Dr. Enes Kariç
Fakulteti i Studimeve Islame, Sarajevë, Bosnje & Hercegovinë
Abstrakt
Metoda tradicionale e komentimit dhe interpretimit të mendimit kuranor nuk mund të kishte vlerë të përhershme. Ajo ka qenë e përcaktuar dhe e kushtëzuar nga rrethanat e atëhershme. Përpunimi i parë, komentimi dhe zbatimi i mendimit kuranor, edhe në qoftë se do të ishin më adekuatë, megjithatë, ata do të duhej të llogarisnin natyrën dhe nivelin e shoqërisë së atëhershme. Kush mund të pohojë se për mendimin kuranor, që është i rëndësishëm për të gjitha kohërat, për të gjitha vendet dhe rastet (ndodhitë), mund të thuhet se ishte formulim i natyrshëm, që do të ketë rëndësi për gjithë kohërat. Një pohim i tillë do të ishte plotësisht absurditet. Çdo moment historik merr nga Fjala e Zotit aq sa i duhet në momentin e dhënë, sipas nivelit të zhvillimit të jetës.
Çdo gjeneratë duhet të japë kontributin e vet për përpunimin e mendimit kuranor, aq sa dëshiron të jetojë me frymën e tij dhe të kërkojë tek ai zgjidhjen e çështjeve që jeta ofron, e cila është dinamike, e, sipas kësaj, në ballafaqimet e përhershme me probleme të reja dhe me dilema shumë të koklavitura
02- Nevoja e ringjalljes se trashëgimisë intelektualo-shpirtërore
MA. Ervis Jangulli
Abstrakt
Epoka moderne dhe postmoderne janë ngritur mbi disa koncepte, paradigma e botëkuptime. Koha jonë përmban në ngrehinën e vet problematika dhe sfida të ndryshme. Edhe shoqëria myslimane, nëse do ta përfytyrojmë si një trup më vete, gjendet përballë sfidave të shumta. Përballë problematikave bashkëkohore shoqëria myslimane duhet ta ofrojë zgjidhjen dhe melhemin brenda suazave të trashëgimisë Islame. Sëmundja e këtij shekulli është mbisundimi i një zhvillimi shkencoro-teknologjik i bazuar në botëkuptimin materialist dhe egocentrik, njëherazi i tëhuajësuar nga etika e spiritualiteti. Shoqëria myslimane gjendet në pozicionin inferior për shkak të mosmarrjes përsipër të trashëgimisë intektualo-shpirtërore të traditës Islame. Trashëgimia intelektualo-shpirtërore është nevojë urgjente për shoqëritë myslimane që ta vendosin në skenë për të ofruar zgjidhje ndaj sfidave. Kjo trashëgimi mund të emërtohet me termin pasim i Islamit tradicional, pra të burimeve parësore të fesë dhe pasurinë e shtjellimit të këtyre burimeve nga mendimtarët, teologët, mistikët, filozofët dhe urtarët përgjatë shekujve. Kjo, jo vetëm parandalon rënien e mëtejshme në greminat e formuara nga myslimanë radikalë apo modernistë, por edhe risjell një vizion në shoqëritë myslimane për t’u përballur denjësisht me sfidat e kohës dhe në fund të fundit të fitojë qëllimin real të çdo individi. Qëllimi i fundmë i traditës Islame është arritja e përsosmërisë shpirtërore tek individi.
Key words: modernizmi, shkencizmi, ringjallja, trashëgimia, trashëgimia islame.
03- Koncepti i reformës në Islam
Haki Sahitaj, KU Bedër
Abstrakt
Islami, feja që u bë pjesë e një shoqërie të gjerë, që së bashku i dhanë një qytetërim botës, me një shpejtësi dhe cilësi marramendëse. Nga shkencat fetare e deri tek ato empirike, nga arti, muzika e letërsia, filozofia e metodologjia e deri tek arkitektura, Islami sfidoi të gjitha qytetërimet dhe arritjet kohore. Por sot, myslimanët janë bërë një shoqëri që nuk po mund të cilësohen ndryshe veçse një shoqëri e prapambetur, regresive, të gërryer shpirtërisht e të rënë moralisht. Larg arritjeve të mëdha shkencore, të ngecur në vetëkritikën teologjike, në mbylljen e ixhtihadit, të pavarur politikisht e të mundur ekonomikisht. Meqë islami si fe nuk u lind si pasojë e faktorëve social, e as nuk u nxit si nxitje e një kulture, por ajo vetën e shfaqi vetëm si përpjekje për të jetësuar tashmë shpalljen e re që i kishte zbritur në kohën e profetit Muhamed a.s. Fe kjo që me botëkuptimin e vet kapërcen kohën dhe hapësirën. Dhe është pikërisht ky fakt që Islamin nuk e sheh si faktor dhe arritje historike, që lindi dhe tanimë njeh dhe fundin, dhe se duhet të pranoj të tjera kultura, të tjera ide, të tjera praktika. Islami mbetët ligji i Zotit që synohet të jetohet deri në fund, dhe është pikërisht ky botëkuptim që i ka shtyrë intelektualët myslimanë të thirrin në reforma islame. Por kjo fjalë ka nxitur debate dhe përplasje nga shumë myslimanë, të tjerë aq sa e kanë refuzuar si të tillë. Thirrjet për reforma në Islam kohëve të fundit nuk mungojnë as nga palët jomyslimane, siç janë orientalistët, njohës e kritikë të Islamit që vinë nga qarqe të ndryshme akademike. Por ky koncept sot si edhe shume koncepte të tjerë gjendet në një mjegulli terminologjike, saqë është e vështirë të vendoset se çfarë përfshin diskursi rreth “reformës”.
Studime
04- Mevlana Xhelaluddin Rumi (Simbol i dashurisë I)
MA. Dorian Demetja, Drejtor i Kulturës dhe Arsimit, KMSH
Abstrakt
Megjithëse kanë kaluar gati tetë shekuj nga koha e tij, mesazhet e Mevlanës nuk dinë të vjetrohen, duke ruajtur freskinë e gjallërinë akoma midis nesh. I destinuar që të bindë njerëzit se me dashuri mund të bëjnë mrekulli, Mevlana ka arritur që të studiohet ndër shekuj nga shumë universitete dhe studiues me emër në mbarë botën. Dashuria hyjnore, sipas tij, nënkupton dashurinë e dyanshme: Dashurinë e Zotit ndaj njeriut dhe të njeriut ndaj Tij. Një dashuri e tillë e dyanshme, ndërmjet Zotit dhe njeriut, ka një natyrë të përbashkët, ajo është dritë që ndriçon gjithkund dhe gjithmonë, ajo paraqet dritën e sinqertë të ekzistencës dhe të ftesës për ekzistencë në realitet. Sipas Mevlanës, rrugët që të çojnë te Krijuesi janë të hapura për të gjithë ata, që përpiqen mjaftueshëm. E vetmja gjë që duhet bërë, është të flaken përtej thesaret e kësaj bote, për tu pasuruar me dashurinë e Zotit. Ashtu siç e theksonte gjithmonë ai: “Njeriu ka nevojë për dy gjëra: Dashuri dhe sy të përlotur”.
05- Një analizë e veprave të Hoxhë Hasan Tahsinit
Burbuqe Meta, KU Bedër
Abstrakt
Hoxhë Hasan Tahsini njihet si një nga personalitetet më të shquara të botës shqiptare. Ai ishte më i dituri dhe më i formuari ku ndihmoi në përhapjen e diturisë, në mbrojtjen e atdheut dhe çështjes kombëtare. Hoxha Tahsini është një personalitet që rikthehet nëpërmjet zbulimit. Në të vërtetë ai s’ka qenë asnjëherë i harruar, emri i tij përmendej thjesht si njeri i njohur nga bashkëkohësit e shekullit XIX. Ai është fitues i shumë titujve të ndryshëm. Hoxhë Hasan Tahsini ka dy jetë: jetën e tij të thjeshtë dhe gati asketike si njeri mes lindjes dhe vdekjes së tij fizike dhe jetën e librave dhe veprës së tij intelektuale, që nuk i përfill, nuk kufizohet nga kufijtë kohorë. Jeta e parë është përkohshmëria njerëzore, jeta e dytë është pavdekësia e tij. Hoxha Tahsini nuk është një dijetar i formës, por dijetar i përmbajtjes. Ai ishte dijetar i pjekur, i bindur se dija dhe shkenca janë, në substancë, universale. Ky universalitet i jep kuptim edhe termit të sotëm globalizëm. Askush si Hoxha Tahsini, midis shqiptarëve dhe bashkëkohësve të tij, nuk i ka njohur shkencat ekzakte. Ai është vlerësuesi maksimal i shkencave ekzakte si matematika, fizika dhe kimia. Janë shkencat ekzakte dashuria dhe atributi i tij i përkorë, janë pikërisht këto shkenca ato që përbëjnë “kushtetutën mendore” të krejt veprimtarisë së tij
06- Analiza e artikujve të Salih Vuçiternit në revistën “Zani i Naltë”
Zamira Islami, KU Bedër
Abstrakt
Shqipëria ka një të kaluar shumë të ndritur dhe shembullore për sa i përket personaliteteve vendas, intelektualë e hoxhallarë. Shumë prej tyre, në shumë aspekte, janë sot burim frymëzimi. Ata ishin njerëz, të cilët u formuan në shkollat e vendit dhe jashtë tyre, e më pas, çdo aftësi dhe energji të tyren, e derdhën mbi shoqërinë shqiptare, ku u bënë shkak për shumë zhvillime pozitive në këtë vend.
Salih Vuçiterni, ishte një nga këto personalitete të ngritura të shoqërisë sonë. Qoftë me formimin e tij, qoftë me vizionin dhe horizontin që posedonte, ai luajti një rol shumë të rëndësishëm në institucionin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Fjalët kyçe: Fe, reformë, institucion, Islam
Histori
07- Historia e personaliteteve shqiptare të Vilajetit të Janinës (1859-1909) II
Syrja bej Vlora
Abstrakt
Libri i Syrja bej Vlorës “Historia e personaliteteve shqiptare të Vilajetit të Janinës (1859-1909)” është një punim enciklopedik me vlera të padiskutueshme për historiografinë shqiptare. Kjo për faktin se: e para, përbën përpjekjen e parë në këtë drejtim, në një kohë kur institucionet tona shkencore nuk ishin themeluar ende, e dyta, informacioni që ofrohet për disa personalitete historike përbën një risi.
Në një shënim të faqes një të dorëshkrimit shqip të këtyre biografive, përkthyesi Jonuz Tafilaj shkruan se ato janë përgatitur si aneks i veprës së Syrja bej Vlorës të përkthyer më parë nga Ali Asllani. Megjithatë, për nga volumi i tyre, këto biografi përbëjnë një libër më vete. Prandaj, duke pasur parasysh se ato nuk janë integruar më parë në asnjë version të librit tashmë të botuar të Syrja bej Vlorës, e sjellim për botim për herë të parë në revistën shkencore “Zani i Naltë”.
Ky dorëshkrim është shkruar në gjuhën osmane dhe, së bashku me përkthimin në gjuhën shqipe, gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit-Tiranë. Ai ka 78 faqe në osmanisht dhe 120 faqe në gjuhën shqipe, të cilat janë përkthyer nga orientalisti Jonuz Tafilaj. Në inventarin e hartuar nga përgjegjësi i sektorit të dorëshkrimeve osmane në arkivin historik, orientalisti Haki Sharofi, shkruhet data e marrjes në dorëzim të këtij përkthimi (26 qershor 1963). Ndërsa për kohën se kur është shkruar nga Syrja bej Vlora, ende nuk kemi asnjë të dhënë.
Megjithëse ky përkthim në dorëshkrim është në dialektin verior dhe përmbante një sasi të konsiderueshme gabimesh, ne jemi përpjekur që të ndërhyjmë vetëm aty ku ishte domosdoshmërisht e nevojshme. Kjo, sepse dialektet, së bashku me përkthimet e realizuara në një periudhë të caktuar, janë një pasuri e jashtëzakonshme dhe mbajnë vulën e kohës.
Në libër jepen të dhëna mbi personalitetet më të shquar të Shqipërisë së Jugut, e cila, nga pikëpamja administrative, në këtë periudhë, përfshihej në Vilajetin e Janinës. Aty flitet shkurtimisht, e ndonjëherë edhe më gjatë, për formimin, rolin dhe kontributin e emrave të njohur të botës shqiptare. Madje, nuk mungojnë edhe detaje, të cilat, duke pasur parasysh se janë shkruar si pjesë integrale e një libri me kujtime, nuk gjenden në asnjë libër tjetër. Kjo e pasuron dhe e bën më të bukur për lexuesin, por edhe më të vlefshëm si burim historiografik për studiuesit.
Pavarësisht nivelit të përkthimit dhe gabimeve, botimi i këtij libri pjesë-pjesë te “Zani i Naltë” mendojmë se është i nevojshëm. Kjo si homazh për autorin e harruar dhe anatemuar padrejtësisht, për përkthyesin e nderuar, orientalistin Jonuz Tafilaj dhe, në fund, për historiografinë dhe memorialistikën shqiptare.
Dr. Hasan Bello
Përkthime
08- Es-Sarahsi, Shemsul-eimmeh (Dielli i dijetarëve)
Dr. Osman Taştan
Abstrakt
Shemsul-eimmeh Es-Sarahsi lindi rreth vitit 400 h./1010 në një familje tregtarësh, me gjasë në Sarahs, qytet në mes Meshhedit dhe Mervit (në Turkmenistanin e sotëm, afër kufirit me Iranin).
Shkrimet e Sarahsiut janë: El-Mebsut, El-Usul, Sherh es-Sijerul-kebir, En-Nukat: Sherh Zijadatiz-zijadat, Sherh Muhtesar et-Tahaui, dhe Eshratus-sa’a. Shumica e këtyre janë komentime sistematike mbi shkrime të mëhershme hanefite.
Sipas biografëve të tij, Sarahsiu i diktoi nxënësve të tij prej memories veprat Mebsut, Usul, dhe një pjesë të madhe të Sherh es-Sijeril-kebir, gjersa ai ishte i burgosur dhe pa qasje në referenca. Schacht e vë në dyshim këtë pikë, duke pohuar që (se) është e pakapshme që Sarahsiu të ketë mundur t’i diktojë veprat e tij gjatë katërmbëdhjetë viteve të burgosjes së tij prej memories. Për këtë arsye, Schacht sugjeron që (se) Sarahsiu duhet të ketë marrë asistencë të konsiderueshme nga nxënësit e tij, përfshirë qasje në burime. Kjo është e mundshme, pasi që ne dimë që nxënësit e tij kanë bashkëpunuar me të në kompozimin e veprave të tij.
Sarahsiu punoi në disa trajtesa njëkohësisht. Ai prodhoi disa pjesë të Mebsut para dhe disa pas punës së tij në Sherh es-Sijerul-kebir. Fakti që ai shpesh i referohet kapitujve të Mebsut në Usul-in e tij sugjeron që ai shkroi Usul-¬in pasi përfundoi Mebsut-in. Gjendja e tanishme e dijes tonë na e pamundëson që të vërtetojmë një kronologji ekzakte të veprave të tij.
Personalitet
09- Sheh Ibrahim Karbunara (1879-1947)
Klerik, patriot e politikan i pushkatuar nga komunizmi
Sheh Ibrahim Karbunara lindi në fshatin Karbunarë të Lushnjës në vitin 1879, në një familje fisnike me ndjenja atdhetare. Mësimet e mesme i mori në medresenë e Beratit, ku u shqua si nxënës i shkëlqyer. Pastaj shkoi për studime të larta teologjike në Stamboll, ku mori një arsim të plotë, të lartë, si klerik me pesë gjuhë të huaja: arabisht, osmanisht, persisht, anglisht dhe frëngjisht, si edhe i pajisur me një kulturë të gjerë të gjithanshme bashkëkohore.
Retrospektivë
10- Nisjativa te reja për bashkëpunim midis feve
Abstrakt
Mbassi shoknimi (shoqërimi, vëllazërimi) universal âsht nji qëllim i dëshëruar, njerzit e fés duhet t’i drejtojnë forcat e tyne drejt zhvillimit të këtij shoknimi e të përmblidhen rreth realizimit të tij me seriozitet e besim të plotë. Ky seriozitet duhet t’i drejtohet vetëdijes fetare, për të cilën kemi folë ma sipër edhe të përfitojë nga influenca e fuqishme qi kjo vetëdije i bâ n shpirtit të besnikëve e nga gjanësija e qëllimit të saj si edhe nga instinkti qi ka skalitë natyra në shpirt të njeriut. Këtu duhet me e fillue zhvillimin e shkoknimit universal.
Plotsimi i këtij qellimi të madh për vëllaznin universale e zhvillimin e saj mund të kryeht me anë të vetëdijes fetare të të gjitha feve dhe nëpër mjet të virtytit praktik e të parimeve të mira shoqnore qi gjinden në çdo fé.
Në të gjitha fét gjinden principe hyjnore qi shërbejnë për të mirën dhe dobín e njerzís e me ketë mënyrë çdo fetar duhet të jetë nji organ i dobishëm për shoqní.
11. Abstracts in English
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...