Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Nov 01, 2018 Zani i Nalte Personalitete 0
nga Prof. dr. Sadije Bushati
Universiteti “Luigj Gurakuqi”
Fakulteti Ekonomik, Shkodër
Hafiz Sabri Beg Bushati, i njohur edhe me emrin Ejup Sabri, trashëgimtar i bushatllinjve të Shkodrës, që i takon degëzimit të trungut me fillesë Hysen Pashën, nip i Ali Beut të Beqir Beut; djali i Shabanit, lindi në Shkodër në vitin 1889. Ai u shqua jo vetëm si klerik, por edhe si personalitet publik e përfaqësues i qytetarisë shkodrane. I paraqitshëm, karizmatik, me trup të gjatë e elegant, atdhedashës, i ndershëm dhe i nderuar për aftësi, me karakter e i përkushtuar, krijoi në vetvete një personazh të respektuar “nga i madh e i vogël”, siç thuhet në Shkodrën tonë. Nga ky degëzim i pemës së bushatllinjve[1], janë shquar luftëtarët e patriotët si Beqir Beu, dëshmor në luftën e I të Shpuzës me 1840, Ali Beu që mbas kryengritjes së vitit 1833, së bashku me kushëririn e vet Jusuf Beun, formuan organin qeverisës, që administroi qytetin për një muaj, derisa qeveria osmane pranoi kushtet e kryengritësve; po ky Ali Beu, përfaqësoi Shkodrën në Këshillin e Përgjithshëm të Lidhjes në Prizren; Malo Bej Bushati, si komandant i Xhandarmërisë shqiptare dhe që më vonë, pengoi veprimin e D’Annuncios për sjellje armësh; Nusho Beu i Ulqinit; pastaj politikani Maliq Bushati deri Kryeministër,[2]; klerikët H. Halit Bushati, Molla Rustem Bushati dhe më vonë, dëshmori i luftës nacional-çlirimtare Nuri Bushati etj.[3]
Hafiz Begu, në moshën 3 vjeçare mbetet jetim nga nëna, e cila ndërroi jetë gjatë një lindjeje, ngjarje që ndoshta influencoi për formimin e karakterit të fortë të Hafiz Sabrisë, por që në raste të veçanta, thyhej dhe derdhte lotë.
Në fëmijëri ndoqi mejtepin e Hafiz Isuf Kelmendit dhe më pas medresenë e lagjes Qafë, kjo e fundit institucioni arsimor më i vjetër në Shkodër, në periudhën e sundimit turk.[4]Aty shquhet si nxënës i aftë dhe sapo përfundon studimet në medrese, vazhdon studimet e larta fetare në Stamboll. Për shkak të fillimit të luftës Ballkanike, ngaqë ishte i pajisur me ndjenja atdhetare të theksuara, ndërpret studimet dhe hyn si vullnetar në grupimin luftarak, që ndodhej te kodra e Boksit. Qëndron pak ditë; në këtë kohë martohet me Nadire Bushatin, motra e Xhemal Bushatit, edhe këta bushatllinj, por nga dega e Vishobegëve dhe nga kjo martesë lindi Samija. Kur e bija bëhet 5 vjeçe, Hafizi humb bashkëshorten nga gripi spanjol. Samija, kujtonte deri në pleqëri se kur ishte e vogël, i ati e merrte në prehër dhe shpesh herë ai përlotej. Ajo mendonte se kjo gjendje shkaktohej ngaqë edhe ajo kishte pësuar të njëjtin fat; kishte mbetur jetime nga nëna. Ai duhej të ndjente dhembshuri të shumëfishtë, për të ëmën, për të shoqen, për veten dhe për të bijën.
Mbas vdekjes së Nadires, Hafizit i propozohet martesa me motrën tjetër të Xhemalit, Merjemen, për të rritur me përkujdesje mbesën 5-vjecare, Samijen. Nga kjo martesë lindën shumë fëmijë, por jetuan e krijuan familje vetëm tre, Vahidi, Hasani dhe Hadija, me diferenca 9 vjeçare nga njëri tjetri.
Krijimi i familjes dhe rrethanat historike bënë që në pranverën e vitit 1913, Hafizi të rifillojë studimet teologjike në vend, duke pasur si pedagogë emra të njohur si H. H. Jusuf Kelmendi, Tahir Myftija dhe personalitetin e shquar Haxhi Vehbi Dibra, nga i cili edhe u diplomua e fitoi titullin Myderriz.
Fillon menjëherë punën si myderriz dhe përgatit disa hoxhallarë të rinj, të njohur të qytetit tonë e më gjerë si Hafiz Sulejman Durrësi, Ibrahim Vekshari, Ali Çanga, Hafiz Sabri Koçi etj. Këtë veprimtari e zhvillon kryesisht në Xhaminë e Kuqe të qytetit, shpesh edhe në shtëpinë e tij, gjithmonë në mënyrë vullnetare.
Krahas mësimdhënies fetare ai kryen edhe veprimtari patriotike, si shumë burra të farefisit të tij. Gjatë viteve 1915-17 vepron së bashku me atdhetarët përparimtarë kundër forcave destabilizuese në shërbim të propagandës antishqiptare. Në vitin 1916, ai mori pjesë në revoltën e fuqishme të mbajtur në Xhaminë Plakë nga popullata myslimane e Shkodrës, kundër austriakëve, të cilët, edhe pse qenë pushtues, kur hynë në Shkodër më 22 Janar 1916, u pritën nga krejt popullata shkodrane si shpëtues nga pushtimet serbe e malazeze. Shkaktar qe kërkesa e administratës austriake për të detyruar djemtë shqiptarë në angazhimin pranë ushtrisë austriake si luftëtarë.[5] Edhe Hafizi ndenji 3 ditë në burg.[6] Gjithashtu, ai mbështeste dhe ndihmonte veprimtarinë e Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, i cili e kishte qendrën e vet në Shkodër, me drejtues Hoxhë Kadriun, mik i afërt i Hafizit[7].
Megjithatë, angazhimi politik më i fortë i Hafizit, mund të konsiderohet pjesëmarrja e tij në Kongresin e Lushnjës. Si rrjedhim i pjesëmarrjes në Luftën Ballkanike dhe veprimtari të tjera patriotike, u përzgjodh në listën e delegatëve për Kongresin e Lushnjës. Nga prefektura e Shkodrës, Lezha do të përfaqësohej me dy delegatë, ndërsa Shkodra me katër të tillë.
Kongresi u hap më 21 janar 1920, por meqenëse delegatët e disa zonave ishin penguar nga forca të ndryshme antishqiptare, punimet u shtynë dhe u zhvilluan gjatë 28-31 janarit. Edhe delegatët e Shkodrës nuk qenë në datën 21 janar, mbasi u ndaluan rrugës nga forcat e Qeverisë së Durrësit, sepse kjo e fundit, e ndihmuar nga Qeveria Italiane, donte të pengonte mbajtjen e Kongresit. Mbas disa ditëve ata u liruan dhe nënshkruan vendimet e marra në Kongres, nga i cili u zgjodh një përfaqësi me atributet e Senatit ose Parlamentit, i pari për Legjislativin tonë, që u quajt Këshilli Kombëtar. Senati, përbëhej nga 37 anëtarë, ndër të cilët ishte edhe Hafiz Sabriu. Në Kongres u zgjodh edhe Qeveria, që u quajt Këshilli i Lartë Kombëtar dhe Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë. Më 11 shkurt qeveria e re fillon punën në Tiranë, e kryesuar nga Sulejman Delvina, ndërsa më 27 mars zhvillohet mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar (Senatit). Mbas një muaji, më 27 prill, 1920, në mbledhjen e 30-të të Senatit, krijohet Komisioni për Arsim e Punë Botore, ku bën pjesë edhe Hafizi, së bashku me 6 senatorë të tjerë. Në mbledhjen e 31-të, datë 29 prill, lexohet programi i arsimit, ku ndër të tjera shkruhet: “… Për me pasun njerëz shkencorë do të mbahen nga Qeverija disa studentë, që mësojnë ndër shkolla të nalta të Evropës”. Ndërsa në mbledhjen e datës 13 prill, Hafizi ishte zgjedhur anëtar i njërit prej dy komisioneve të rendit, që kishin si qëllim frenimin e rebelëve të Mustafa Krujës dhe të Esad Toptanit, që donin të rrëzonin qeverinë e sapo formuar.[8] Komisionet ia dolën mbanë dhe i dhanë mundësi qeverisë të forcohet, duke grumbulluar forca mbrojtëse.
Duhet theksuar se situata politike në këtë kohë ishte e rënduar, mbasi në disa zona të vendit, kishte forca pushtuese, lufta e Vlorës, lufta e Koplikut (në të cilën u angazhua edhe Hafiz Begu për një kohë të shkurtër), komplote dhe aksione të kundërshtarëve vendas, por edhe grupimi i shumicës së senatorëve në dy kampe kundërshtare: ai i Aqif Pashës që përmbante ish anëtarë të Qeverisë së Durrësit etj., dhe ai i Ahmet Zogut, që përmblidhte krahun kombëtar. Hafizi bënte pjesë në një grup të vogël, jashtë dy të parëve, të cilët donin të ruanin ekuilibrin në Senat[9].
Qeveria e pavarur e S. Delvinës nuk i rezistoi kundërshtarëve politikë, sidomos kur u vendos të thirrej Asambleja dhe dha dorëheqje. U krijua Qeveria e re me elementë jashtë grupimeve me kryetar Iliaz Bej Vrioni. Senati i dha votëbesim dhe u shpërnda në nëntor 1920[10].[11]
Hafizi konsiderohej opozitar falë lidhjes së ngushtë me kunatin e tij, opozitarin e njohur, Xhemal Bushati; falë mosaprovimeve të politikës së Ahmet Zogut; falë miqësisë me Hoxhë Kadriun dhe senatorin e Dibrës, Ramiz Dacin etj; për këto arsye Hafiz Begu u vendos si kandidat në listën e deputetëve të grupit “opozitar” në Shkodër për zgjedhjet e reja të vitit 1921.
Por, për të shfrytëzuar vlerësimin qytetar shkodran për ndershmërinë, atdhetarinë dhe autoritetin e tij, Hafiz Begun e vendosën pa e pyetur dhe pa marrë aprovimin e tij, si kandidat në listën e “popullores”, grupit politik kundërshtar. Ky fakt kishte implikuar një takim të opozitës, në të cilin Hafizi nuk ishte ftuar dhe zhvillohej në shtëpinë e kunatit, ku po debatonin dhe merrnin vendime kundra tij. Rastësisht e merr vesh dhe shkon në takim i paftuar, por i nervozuar dhe iu rendit e sqaron veprimet e tij të pastra e pa hile, për të cilat merr aprovimet kryesisht nga kunati i vet dhe largohet.[12]
Me anën e një njoftimi publik, tërheq kandidaturën dhe nuk angazhohet më në politikë; madje, i zhgënjyer nga pabesitë politike, shumë vite më vonë, u lë amanet djemve, të mos merren me politikë.[13]
Duke iu përkushtuar besimit e leximit dhe studimit të librave fetarë, ai kishte autoritetin e një dijetari islam dhe kjo i dha një autoritet e respekt të madh popullor. Mbas fitores së kryengritjes së qershorit në 1924 dhe dorëheqjes së kryemyftiut të Shkodrës H. Xhemal Naipi të “Popullores”, Hafiz Sabriu caktohet si kryemyfti. Pastaj, mbas fitores së Legalitetit, largohet nga detyra dhe e transferojnë si myfti në Berat. Në këtë kohë pati edhe lëvizje të tjera jo dashamirëse ndaj hoxhallarëve të tjerë, të cilët, me ta edhe Hafizi, i kundërshtuan emërimet e tyre. Kjo gjë u shkaktoi mbajtjen nën vërejtje nga xhandarmëria dhe një farë internimi në Tiranë, larg familjes. Më pas, nga protestat dhe reagimet e besimtarëve, u detyruan t’i pezullojnë këto emërime të pavend. Sipas familjarëve, për emërimin e Hafizit në Berat, shkaktarë qenë pikëpamjet kundërshtare, që kishte treguar kohë më parë Hafizi me Ahmet Zogun. Hafiz Begu ia vlerësonte atij zgjuarsinë, guximin dhe aftësinë si organizator, por kishte kuptuar synimet e tij për pushtet personal dhe manovrimet jo legjitime për t’i arritur ato. Konkretisht, A. Zogu pat organizuar një darkë me tre senatorët myslimanë të Shkodrës, Hafiz Begun, Xhemal Bushatin dhe H. Xhemal Naipin. Mbas bisedave dhe debateve me opozitarët (Hafizin dhe Xh. Bushatin), Hafizi, trim, pa ndroje dhe i drejtpërdrejtë i ka thënë: “E mira e kombit e don që ti të largohesh nga politika”. A. Zogu është përmbajtur, ndërsa Xh. Naipi, si përkrahës i tij, ka ulë kokën me dëshpërim e mosmiratim të këtij shpërthimi të Hafizit.[14]
Edhe një herë tjetër, Zogu i ardhur me detyrë shtetërore në Shkodër, i dërgon në shtëpi Hafizit lajmësin, Hamit Dizdari (policin e Bashkisë), për një takim. Ky i thotë lajmësit, thuaji se nuk ishte në shtëpi. Kur lajmësi kthehet mbas pak, i thotë të njëjtën përgjigje dhe në herën e tretë i thotë: “Thuaji, nuk don me ardhë”. Mbas kësaj përgjigje, thuhet se A. Zogu ka thanë: “Çfarë t’i bësh; ka kokë mushke”. Më vonë, mbas viteve ‘90, disa legalistë të kthyer në Shqipëri kanë treguar, sipas tyre, vlerësimin që ka shprehë A. Zogu për Hafizin: “Burrë i ndershëm, i drejtë, me karakter, por inatçor”.[15]
Ky vlerësim shfaqet mjaft dukshëm edhe në rastin e Kongresit Mysliman, i cili filloi punimet më 24.02.1923. Pjesëmarrës nga Shkodra ishin Hafiz Sabri Begu dhe Halit Rroji, të zgjedhur nga Bashkia e qytetit. Gjatë mbledhjes mbërrin një telegram nga Shkodra, ku një grup qytetarësh protestonte se pjesëmarrësit nuk janë zgjedhur nga populli (mysliman) dhe kjo gjë diskutohet në Kongres. Hafizi largohet menjëherë; kolegu i tij një herë qëndron, por të nesërmen, më 25.02.1923, nuk marrin pjesë që të dy. Po në këtë ditë, më 25, mbërrin në Kongres një tjetër telegram, ku një shumicë e madhe, shprehin indinjatën për atë që ka ndodhur dhe mbështesin të dy pjesëmarrësit; por ata ishin larguar, nuk ndodheshin më në Kongres.[16]
Më pas Hafizi shërben si vaiz në lagjen Perash dhe me predikimet e tij linte mbresa të thella te besimtarët. Sipas familjarëve, ai ishte i preokupuar gjatë gjithë kohës për predikimin e radhës, përdorte disa “qitabe”-tekste në gjuhët perse, arabe ose turke, tri gjuhë që i zotëronte shumë mirë. Kështu ai ndërthurte mësimet e shenjta kur’anore dhe hadithet e Profetit (a.s.) me principe të etikës morale, me fjalën dhe me shembullin e tij në jetë, ai i edukonte besimtarët me frymën e atdhedashurisë, të vëllazërimit e të tolerancës fetare, ai ishte një ithtar i përparimit shoqëror e kulturor, mbronte idenë, që shkenca dhe feja duhej të ecnin paralelisht, përkrahte emancipimin e shoqërisë e të familjes.
Pushtimin fashist më 7 prill 1939 e priti me shqetësim. Mbas disa ditësh, familjarët transmetojnë fjalët e tij dëshpëruese të këtij fakti me një mik të tij: “Atë ditë e kam la çardakun e shtëpisë me lotë”. Agjentura proitaliane ishte përgatitur për t’i dalur përpara e për të pritur trupat ushtarake italiane te ura e Bahçallekut. Te Hafizi shkoi një i njohur dhe mik i tij, S. R., i cili i propozoi të dilnin te Ura e Bahçallekut, jo për agjenturë apo servilizëm, por sipas atij, me qëllim që okupatori të zbutej e të mos bombardohej qyteti. Ky ishte një kurth i agjenturës proitaliane për të nxjerrë parinë e qytetit si pritëse e okupatorit dhe disa persona u mashtruan, por Hafizi jo; ai nuk mund të pranonte një pushtues. Gjesti i tij ishte pjesë e rezistencës pasive të popullit tonë, në mbështetje të asaj me armë, që u zhvillua në pjesë të tjera të atdheut tonë.[17]
Qeveria e re, duke shfrytëzuar mbështetjen e tij në qytet, mospajtimin me politikën e Zogut dhe lidhjet fisnore me Maliq Bushatin, e emëroi kryemyfti. Duke qenë në këtë pozitë zyrtare, ai ftohej të merrte pjesë në ceremoni të ndryshme zyrtare, ai shpesh herë u shmangej ose qëndronte në pjesën e parë të tyre.
Te “Dokumentet tregojnë…”, në faqen 144, tregohet se prefekti i Shkodrës kishte thirrur shumë zotërinj shkodranë për t’i njoftuar për ndryshimet politike që po ndodhnin në Shqipëri-data 28.09.1943. Në faqen 147 në krye të listës është emri i Hafiz Sabri Beg Bushatit.[18]
Respekti dhe nderimi ndaj Hafiz Begut nga qytetarët e vet ka si arsye kryesore, se ai ka mbrojtur të drejtën dhe ka kundërshtuar me guxim të gjithë ata që kanë abuzuar apo kanë dashur të shkelin të drejtat institucionale apo personale. Kështu, ai ka kundërshtuar dhe polemizuar me kryetarin e Komunitetit Mysliman të asaj kohe Bexhet Shapati, lidhur me koncensionet që donte t’u bënte autoriteteve italiane në dëm të institucioneve fetare myslimane[19].
Hasani, i biri, tregon se në kohën e pushtimit fashist, ka ardhur në Myftininë e Shkodrës, Gjon (Gjush) Pistulli, nga Konsullata Italiane dhe i ka propozuar Hafizit si Kryemyfti, që konsullata, shteti Italian, të kontribuonte me shtesa rroge myezinët, sepse kanë rroga të vogla. Hafiz Begu i është përgjigjur: “Nuk mund të pranoj këtë shtesë nga vlera, që ka caktuar Komuniteti Mysliman. Në qoftë se dëshironi t’i ndihmoni, thërritni ata personalisht dhe ju a jepni vetë.” Duke u përshëndetur për t’u larguar, Gjushi i ka thënë: “Qenke zotnia vetë”. Këtë person, më vonë, e ka arrestuar pushteti komunist dhe një ditë e kanë thërritur në drejtorinë e burgut. Kur është kthyer në qeli, e kanë pyetur arsyen e thirrjes dhe ai ka treguar se e kanë pyetur për Hafiz Begun, nëse ka marrë para. Këtë fakt e ka treguar bashkëvuajtësi në qeli i Gjushit, Ahmet Kopliku.
Edhe në kohën e pushtimit nazist, si Kryemyfti i Shkodrës, u përpoq për mbrojtjen e integritetit juridik të institucionit fetar. Familjarët tregojnë se komandanti gjerman Hausding i kërkoi dislokimin e trupave gjermane në territorin e xhamisë Begas, por Hafizi e kundërshtoi, duke i thënë se nuk lejohet fetarisht një veprim i tillë dhe se ai nuk e kishte këtë kompetencë juridike e institucionale. Më vonë gjermanët e realizuan me urdhër nga lart.[20]
Edhe te revista “Zani i Naltë”, në faqet 409-410 gjejmë një letër, që i dërgon Këshillit të Naltë të Sheriatit, Tiranë, në të cilën shënohet se, “mësuesit e besimit islam nuk figurojnë në kuadrin e vjetit shkollor 1924-25 dhe se nuk ka përpjesëtim të drejtë të kreditit të dhanun për Arsim; se nuk ndahet sipas nevojës arsimore e kulturore, por as sipas proporcionit të frymëve të besimit…”.[21]
Qytetarët e Shkodrës ja njohën ndershmërinë e atdhedashurinë Hafizit edhe të tjerëve në çdo kohë. Kështu, në një trakt të Tetorit të 1944, i emërtuar “Dy rrugë” i bëhet “…thirrje shqiptarëve të gabuar e të rrejtun me u shkëputë nga rradhët e okupatorit nazist… dhe me marrë shembull nga njerëzit e ndershëm si Luigj Mjeda, Pjetër Simoni, Hafiz Sabri Begu, Malo Melgusha, Brahim Gjyrezi …”.[22] Megjithatë, pushteti komunist i harroi lëvdatat dhe më pas, në shkurt të 1946 e largoi nga detyra si kryemyfti i Shkodrës, i hoqi “Triskën e Frontit” dhe e trajtoi në vitet në vazhdim si fetar, si ish-pronar tokash, si mik i Jup Kazazit (nacionalisti i nderuar e i mirënjohur, organizator i Lëvizjes Antikomuniste të Postribës), si i informuar për këtë lëvizje. Kjo e fundit, edhe pse ishte e vërtetë, nuk u provua kurrë, megjithë përpjekjet, që bëri pushteti komunist. E torturuan nipin e Hafizit, Ahmet Koplikun, 15 vjeçar, në shtëpinë e të cilit qëndroi i fshehur Jup Kazazi, në se e takonte këtë të fundit Hafizi, por nuk nxorën gjë.[23] Një herë tjetër, i shkoi në shtëpi sekretari i përgjithshëm i Frontit Demokratik, Zija Dibra, i shoqëruar me një prokuror, e për ta provokuar, i bënë pyetjen: “Si mendon ti për pjesëmarrjen e gruas në luftën nacional-çlirimtare?”
Sipas Hafizit, prezenca e prokurorit, mund të ishte gatishmëria e tyre për ta prangosur direkt, mbas një përgjigjeje sipas “oreksit” të tyre, prandaj u është përgjigjur: “Për të dhënë fetva (gjykim të saktë në përputhje me besimin), duhet punë e nuk mund të jepet ajo si simit në tezgë”.[24]
Popullariteti, që gëzonte në qytetarët e Shkodrës e ka penguar pushtetin komunist për ta prangosur pa prova, të cilat nuk i siguruan kurrë.
Nga viti 1946 deri në vitet ‘60, Hafizi ushtron detyrën e vaizit (predikues) në xhaminë e Bardhë të Perashit në qytet, duke gjetur kënaqësi shpirtërore e fetare. Mësonte nxënës dhe në kohën e lirë lexonte në bibliotekën e tij, e cila, sipas Hoxhë Bashkim Bajraktarit, në përshtypjet e tij dhënë me shkrim, është “dëshmi e diturisë dhe devotshmërisë së tij. Shumica e materialeve të bibliotekës ishin voluminoze, me nga 4, 5 ose 10 volume. Tefsiri i madh prej 7 volumesh i Fahri Raziut, ishte njëri nga thesaret e bibliotekës. Shënimet që kishte vënë në librat e Jurisprudencës islame (Fikhut), në‘Red-dulMuhtaraled-dur-ril Muhtar’ tregojnë etjen e tij për dituri, ndërsa si dijetar shpirtëror, njihet nga literatura islame mistike e bibliotekës së tij si Ihja Ulumid-din; Tedbir-Tedbiri, El-Insanul-Kamil etj., të cilët konsiderohen thesare mistike islame botërore…. Besoj dhe mendoj se H. Sabri Beg Bushati radhitet ndër xhevahiret e fshehur islamë shqiptarë …”.[25]
Tronditja më e madhe për të dhe gjithë besimtarët e vërtetë qe viti 1967, kur filloi fushata kundër fesë, institucioneve të saj, por edhe kundër individëve fetarë në mënyrën më poshtëruese, duke mësyrë të rinj dhe injorantë ndër mbledhjet e organizuara në lagje dhe rrugë, kundër personave me çallmë dhe veladonë.
Qeveria komuniste, për të njollosur figurën e tij fetare, përdori një fotografi të një ceremonie zyrtare dhe e vendosi (pa emër) në muzeun ateist të qytetit të Shkodrës. Më pas, duke iu referuar asaj fotografie, e akuzuan edhe se i ka dalë para okupatorit Italian. Kur një mik i tij ia ka treguar këtë akuzë, ai shumë i shqetësuar, është ngritur në këmbë dhe i ka pohuar: “Me këtë çallmë kemi vënë themelet e shtetit shqiptar, nuk kam pritur pushtuesin e kurrë nuk kam prekur para të huaja.”[26]
Në këtë kohë Hafizi u “vetburgos” në shtëpi; nuk doli për asnjë arsye, as kur i vdiq i vëllai, vetëm e vetëm për të ruajtur veshjen fetare të respektuar. Në një mbledhje të lagjes së tij të organizuar për diskriminimin e njerëzve të fesë, Hafizi nuk ishte prezent; merrte pjesë i biri, Hasani. Dikush kërkoi të merren me zor e të sillen në mbledhje. Kishte shumë persona, që kishin frikë të reagonin, por për fat të mirë, një zonjë e moshuar ndërhyri: “Të lihet Hafizi, mos të sillet, ai është plak”. Ismail Teli, që drejtonte mbledhjen, e aprovoi në heshtje dhe e kaloi si problem. Familja më pas ka falënderuar I. Telin, sepse e dinin që Hafizi nuk do të pranonte kurrë të merrej me zor dhe kushedi çfarë do të ndodhte…[27]
Brenda familjes ishte i heshtur; përpiqej të mos i rëndonte njerëzit e shtëpisë me kërkesa; edhe në vitet e pleqërisë donte të vetëshërbehej; në asgjë nuk e kalonte masën. Edhe kur nuk biente dakord për diçka, përdorte fjalor të rezervuar dhe ton të përmbajtur. Këshillonte vazhdimisht familjarët për korrektësi në marrëdhënie me të tjerët, veçanërisht në ato ekonomike.[28]
Pranë shtëpisë, banesës familjare të Hafizit, ka qenë ish ndërtesa e burgut dhe familjarët tregojnë ndodhjen e shpeshtë të arratisjes të burgosurve në çdo kohë. Besnik i traditës shqiptare që “miku s’pritet në besë”, asnjëherë nuk është sinjalizuar xhandarmëria, apo policia në këto raste. Familjarët kujtojnë rastin e një ish të burgosuri nga Tropoja që, i aksidentuar në arratisje e sipër, u strehua, u mjekua për disa ditë, pastaj u përcoll mik pas miku deri në Postrribë dhe prej andej në fshatin e tij.
Ndërroi jetë më 28 shkurt 1971, mbasi qëndroi rreth një javë i sëmurë në shtrat. Në ditët e fundit qëndronte pa lëvizur, nuk mund të komunikonte dhe as të ushqehej; por në xhumanë (të premten) e fundit të tij, ai papritur, është ngritur ndenjur, ka marrë tejemum, është falur dhe përsëri është shtrirë pa folur asnjë fjalë. Të dielën ka ndërruar jetë.[29]
Hafiz Sabri Beg Bushati ishte personalitet, jo vetëm për aftësitë dhe karakterin e tij, por kishte edhe paraqitje të jashtme të admirueshme: i gjatë, elegant, i veshur me xhybe të hapur, ngjyrë qumështi gjatë verës dhe të zezë, gjatë dimrit; me çallmën e bardhë e të rregullt; me sy të mëdhenj, që po të kërkosh me vëmendje në fotot e tij, sheh krenari, por edhe vuajtje e dëshpërim[30].[31]
Vlerësim të lartë të paraqitjes së tij ka bërë At Visarion Xhuvani në burgun e Burrelit: “…kur dilte H. Sabri Beu (në parlament), sikur po dilte perandori”. Shumë familje të njohura qytetare, për raste familjare, e kanë pasur për nder ardhjen e tij e sidomos caktimin e tij si prijës i grupit në fejesa e martesa te shtëpia e krushqve, sipas zakoneve familjare të kohës.[32]
Hafiz Begu kishte miqësi me shumë personalitete të njohura, politikanë, fetarë etj. Po përmendim disa prej tyre, duke treguar edhe ndonjë episod.
Hafiz Ali Korça, i cili i ka dhuruar me dedikim, librin “Rubairat” e Omer Khajamit, të përkthyer nga vetë ai.
Haxhi Ibrahim Efendi Kaduku, myfti në Kavajë, vinte si mik edhe për të fjetur në shtëpinë e Hafizit.
Qazim Efendi Hoxha, me të cilin kanë pasur ditë të caktuara të javës për vizita te njeri tjetri.
Xhenazja e Sheh Qazim Hoxhës, drejtuar nga H. Sabri Bushati
Hafiz Abdulla Bërdica, të cilit Hafizi i ka besuar çelësat e zyrës, kur ai është larguar me detyrë jashtë qytetit. Kanë qenë bashkënxënës në Mejtep, Medrese dhe në Stamboll.
Molla Rustem Beg Bushati; Riza Drini; Mytesim Këlliçi; Hafiz Maliqi nga Shijaku, i cili i ka mësuar shqiptimin “Gurrah” të Kur’anit.
Hasani, djali i dytë, gjatë haxhillëkut që kreu me 1992, takoi në Mekë një ish-nxënës të babait të vet, hoxhë Isufin nga fshatrat e Tiranës, që me leximin që i bëri Kur’anit, i befasoi të pranishmit; për Hasanin, befasimi qe më i madh, kur ai deklaroi plot krenari dhe mirënjohje se këtë “dhunti” e kishte fituar nga mësuesi i tij, i nderuari H. Sabri Bushati.
“Cilësitë e tij të rralla morale, përkushtimi i plotë fetar e shoqëror, kultura e përgjithshme dhe përgatitja profesionale, atdhedashuria dhe integriteti i tij politik, detyrat serioze e me përgjegjësi, si ajo e imamit, e myderrizit, e vaizit dhe e kryemyftiut dinjitoz, pa lënë mënjanë impenjimin në rolin me aq përgjegjësi historike për konsolidimin e shtetit shqiptar, për ruajtjen e tërësisë tokësore e zhvillimin e demokracisë, si pjesëmarrës i Kongresit të Lushnjës, e si anëtar i Senatit, bënë që lidhjet e tij miqësore të shtriheshin edhe jashtë rrethit të hoxhallarëve, duke krijuar kështu një “ansambël” dashamirësish, si me intelektualët: Hamit Gjylbegaj, Hamdi Bushati, Riza Drini etj., apo me përfaqësues të familjeve me tradita të vjetra: Selim Reçi, Oso Kopliku, Muho Kazazi, Junuz Boriçi, Nuto Podgorica, Elez Muka, Ymer Lutfia, Caf Reçi, Elez Sokoli, Et’hem Kopliku, Riza Kaduku.”[33]
Pas ndryshimeve demokratike, filluan rivlerësimet e personaliteteve të denigruara nga diktatura komuniste. Biografi i parë i Hafiz Sabri Bushatit qe shkrimtari Fadil Kraja[34], i cili me të drejtë denoncon faktin që për dekada të tëra nuk u fol për meritat e këtij kleriku dinjitoz.
Për meritat e tij, së bashku me një grup klerikësh dhe intelektualësh, u dekorua me dekret Nr. 1045 datë 20.03.1995 nga Presidenti i Shqipërisë, z. Sali Berisha, me Medaljen “Për veprimtari patriotike” me motivacion: “Intelektual dhe patriot i shquar që luftoi për një Shqipëri të lirë e demokratike”.
Edhe Këshilli i Bashkisë Shkodër, në mbledhjen e datës 01.11.2010, me vendimin numër 84, i akordoi Hafiz Sabri Bushatit titullin “QYTETAR NDERI” pas vdekjes me këtë motivacion: “Deputet dhe përfaqësues i shquar i Shkodrës dhe i Lezhës në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920, pjesëmarrës në luftën e Koplikut. Myfti i Shkodrës në vitet 1924 dhe 1939-1946. I shkolluar në universitetin e Stambollit, i cili mbas ndalimit të ushtrimit të besimit fetar në vitin 1967 u vetë burgos për t’u mos u tjetërsuar me heqjen e rrobës së klerikut derisa ndërroi jetë”.
[1]. “Bushatllinjtë” Hamdi Bushati, f.366-369.
[2]. Po aty.
[3]. Të dhëna gojore e me shkrim nga familja e farefisi.
[4]. “Shkodra dhe motet” Hamdi Bushati, vëll. I, f.359-368; 477.
[5]. “Bushatllinjtë”, Hamdi Bushati, f. 366-369.
[6]. Të dhëna gojore e me shkrim nga familja e farefisi.
[7]. “Në kujtim të brezave”, F. Luli, I. Dizdari, N. Bushati, f. 347-364.
[8]. “Bisedimet e Këshillit Kombëtar, senati. Legjislatura e parë, viti 1920; Tiranë, shtypshkronja “Mbrothësia”, Kristo P. Luarasi, 1923, f. 22, 44, 46.
[9]. Të dhëna gojore e me shkrim nga familja e farefisi.
[10]. “Bisedimet e Këshillit Kombëtar, senati. Legjislatura e parë, viti 1920; Tiranë, shtypshkronja “Mbrothësia”, Kristo P. Luarasi, 1923, f. 22, 44, 46.
[11]. “Ballafaqime politike në Shqipëri” (1897-1942), Sejfi Vllamasi, Shtëpia botuese “Naraida” Tiranë, 2000, f. 190-257.
[12]. Të dhëna gojore e me shkrim nga familja e farefisi.
[13]. Të dhëna gojore e me shkrim nga familja e farefisi.
[14]. Të dhëna gojore e me shkrim nga familja e farefisi.
[15]. Të dhëna gojore e me shkrim nga familja e farefisi.
[16]. Arkivi Qendror i Shtetit, AQSH, Fondii Komunitetit Mysliman (482), viti 1923, Dosja 4, fletët 149-151; 153-154; 158, 161, 162.
[17]. Të dhëna gojore e me shkrim nga familja e farefisi.
[18]. “Dokumentët tregojnë …” Gëzim H.Juka, f. 144-147.
[19]. “Në kujtim të brezave”, F.Luli, I.Dizdari, N. Bushati, f. 347-364.
[20]. Të dhëna gojore e me shkrim nga familja e farefisi.
[21]. Kolana “Zani i Naltë”, nr. 1, f. 409, 410, vëll. I, 1923-24-25.
[22]. AQSH., Dosja 28, fleta 7/1, viti 1944.
[23]. Të dhëna gojore e me shkrim nga familja e farefisi.
[24]. Po aty.
[25]. Të dhëna me shkrim nga Haxhi Bashkim Bajraktari.
[26]. Të dhëna gojore e me shkrim nga familja e farefisi.
[27]. Po aty.
[28]. Të dhëna gojore e me shkrim nga familja e farefisi.
[29]. Po aty.
[30]. “Nderim për Hafiz Sabri Bushatin” Ismail H.Mucej, gazeta “Drita e Dijes”, nr. 76, dhjetor 2005, f.2-3.
[31]. “Kujtime për Hafiz Sabri Bushatin”, Sytki Bushati, gazeta “Drita e Dijes”, nr. 76, dhjetor 2005, f.3.
[32]. Të dhëna gojore e shkrim me nga familja e farefisi.
[33]. “Në kujtim të brezave”, F.Luli, I.Dizdari, N. Bushati, f. 347-364.
[34]. “Hafiz Sabri Bushati, një emër që i bëri nder atdheut”, Fadil Kraja, gazeta “Drita Islame”, viti I, nr. 19, Shtator 1992, f.3.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 28, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...