Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Nov 07, 2018 Zani i Nalte Histori, Studime 0
nga Prof. dr. Njazi Kazazi, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Departamenti i Gjuhësisë
Monografia “Zhvillimi i arsimit të mesëm në Shkodër (Nga fillimet deri në vitet ‘20 të shekullit XX)”, shtëpia botuese “Rozafa”, Shkodër, 2014, që po paraqesim, synon të ndriçojë sadopak historinë e traditën e arsimit të mesëm në trevën e Shkodrës e kësisoj të japë një ndihmesë modeste në punën e këtyre shkollave, për rëndësinë e tyre në arsimin e kulturimin e masave të popullit, për përgatitjen e intelektualëve që punuan dhe kontribuuan në fushat e ndryshme të jetës, që nga drejtimi i shtetit e deri si mësues në shkolla të ndryshme të vendit.
Gjatë këtyre 20 viteve janë botuar shumë vepra madhore dhe monografi, të cilat, në mënyrë të përmbledhur, do t’i përfshijmë në këtë botim, si:
– Akademia e Shkencave e Shqipërisë (më pas ASHSH): Fjalori Enciklopedik Shqiptar (më pas FESH). Botim i ri. Grup autorësh. Vëll. 1-2. Tiranë, 2008. Vëll. 3. Tiranë, 2009.
– Ministria e Arsimit dhe e Shkencës (më pas MASH), Instituti i Studimeve Pedagogjike (më pas ISP): “Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar”. Grup autorësh. Tiranë, 2003.
– Shefik Osmani: “Reflekse etnopedagogjike”. Vëllimi 1. Tiranë, 1998.
– Shefik Osmani: “Shpalime etnopedagogjike – Panoramë retrospektive e mendimit pedagogjik shqiptar”. Vëllimi 2. Tiranë, 2008.
– Shefik Osmani – Njazi Kazazi: “Abetaret Shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike”. Botim i MASH dhe i Shtëpisë botuese “Idromeno”, Tiranë, 2000.
– Tomor Osmani: “Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918)”. Shtëpia botuese “Camaj-Pipa”. Shkodër, 2004 (Rib. 2009, 2012).
– Tomor Osmani: “Udha e shkronjave shqipe-Histori e alfabetit”. Botim i ASHSH. “Ilar”, Tiranë, 2008.
– Vehbi Hoti: “Luigj Gurakuqi, për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar”. Monografi. “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2002.
– Vehbi Hoti: “Ethem Osmani Mësues i Popullit” (Monografi), “Camaj- Pipa”, Shkodër, 2012.
– Mentor Quku: “Historia 100-vjeçare e shkollës së Barbullushit (1901-2001)”, Shtëpia botuese “Lilo”, Shkodër, 2001.
– Iljaz Gogaj: “Shkolla teknike dhe Harry Trevlye Fultz”. (Botim i rivështruar). Tiranë, 2010.
– Ilir Kanini: “Arsimi në Shqipëri në vitet e Luftës së Parë Botërore”. (Zona e pushtimit Austro-hungarez, 1916-1918). Tiranë, 2001.
– Ludovik Shllaku: “Shkollat klerikale”. (Vështrim historik nga fillimet deri në vitin 1924). Monografi. “Camaj-Pipa”. Shkodër, 2002.
– Pipa, Fehime: “Një shekull shkollë shqipe”, (1861-1961). “Shêjzat”, Romë, 1961, nr. 7-8; 1962, nr. 1-2; 1962, nr. 3-4; 1962, nr. 5-6; 1962, nr. 7-8; 1962, nr. 9-10; 1962, nr. 11-12; 1963, nr. 3-4.
– Smajl Bala: “Historiku i shkollave dhe mësuesit e Shkodrës (1662-1945)” në dy vëllime: Vëll. I, Vëll. II. Shkodër, 2011
– Fiqiret Hoxha “Fletët e Jetës, Histori pedagogjike ndër vite”, (Historiku i shkollave Ruse, sot “Skënderbeg”), Botimet “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2010.
– Abdullah Poti “Shkollat e mësuesit në Anën e Malit”, Shtëpia botuese “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2010.
– Kujtim Shimaj “Historiku i arsimit në Zonën e Bushatit”, Shtëpia botuese “Pakti”, 2011.
Ajo që na shtyu për t’i hyrë kësaj pune ka qenë qëndrimi zyrtar i partisë-shtet gjatë 47 viteve të regjimit komunist. Ky qëndrim është paraqitur zakonisht: në lënien në heshtje të këtyre shkollave, në denigrimin e tyre, pa parë asgjë pozitive tek ato.
Nga propaganda zyrtare “Shkolla e vjetër feudo-borgjeze e paraçlirimit u godit rëndë si në përmbajtje, ashtu edhe në metodë”, mbasi Partia e udhëhequr nga Enver Hoxha, përcaktimin e rrugës së zhvillimit revolucionar të arsimit në Shqipëri e realizoi “…në luftën që i bëhej shkollës së vjetër”. Në kushtet e një totalitarizmi të tillë dhe të një politizimi të tejskajshëm “…autorit i lejohet liria e mendimit në trajtimin e historisë, por brenda caqeve ku ajo nuk binte në kundërshtim me disa postulate të ngurtësuara marksiste-leniniste.”[1]
Studiues – titullarë të këtyre fushave kanë theksuar se këto shkolla kishin “frymë fetare e klerikale, reaksionare dhe antikombëtare, në shërbim të padronëve të huaj….” dhe se ajo ishte “…shkollë me karakter antidemokratik e mbi të gjitha me një frymë të tërbuar agresive antikomuniste” dhe më poshtë si për merak rithekson “një kështjellë (Kolegji Saverian dhe Gjimnazi “Illyricum” – shënimi im – Nj. K.) e vërtetë e reaksionit kulturor dhe ideologjik në shërbim të të huajve…. me frymë jo vetëm antipopullore, por, siç thamë edhe antikombëtare.”
Pikërisht për të ndriçuar sadopak punën e mësuesve dhe të nxënësve të këtyre shkollave, ndihmesën që kanë dhënë ato në çështjen kombëtare dhe në edukimin e breznive të reja, ndërmorëm këtë studim me pretendimin për të vënë në vend atë që është mohuar për gjysmë shekulli, për të zënë edhe ato vendin që u takon në historinë e arsimit shqiptar, këtë të drejtë të ligjshme që ua japin ditët e bardha të demokracisë që erdhën te ne. Por, ashtu si për një poet tonin të njohur, edhe për mua “…demokracia nuk është një makinë elektronike llogaritëse për të gërmuar në koleksionet e gazetave dhe të revistave gjysmëshekullore dhe për të numëruar fjalitë dhe frazat e botuara nga njëri apo tjetri dhe për t’i përdorur si argumente akuzimi.”[2]
Natyrisht kemi synuar t’i bëjmë të njohur studiuesve të arsimit, shkollës dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, si dhe opinionit tonë në përgjithësi, disa probleme që lidhen me:
– Hapjen e këtyre shkollave (kuadri i të cilave plotësohet në fillimin e viteve ‘20 të shekullit XX.);
– Programet e tekstet me të cilat kanë punuar;
– Punën e mësuesve dhe nxënësve që dolën nga këto shkolla;
– Vendin që zinin lëndë të ndryshme dhe formimi teoriko-praktik që jepnin ato;
– Rregullsinë e punës në dokumentacionin shkollor;
– Lidhja e shkollës me prindërit dhe njohja e opinionit me rezultatet e shkollave në fjalë;
– Punën edukative dhe kulturore të shkollës;
– Botimet për shkollën dhe kualifikimin e mësuesve;
– Bazën materiale dhe bibliotekat shkollore.
Në fund të punimit kemi bërë një paraqitje të shkurtër për disa portrete mësuesish të shkollave të mesme me veprimtari të shquar arsimore e pedagogjike në fusha të ndryshme, të cilat ishin lënë në heshtje ose denigruar nga pushteti komunist për “faje të ndryshme”, ndonëse qenë mësues në kuptimin e plotë të fjalës, atdhetarë dhe punëtorë të palodhur, njerëz të ndershëm dhe të devotshëm, qytetarë dhe intelektualë që janë për t’u pasur zili. Në mes të tyre mund të përmendim: Mirash Ivanaj, Gjergj Fishta, Daut Boriçi, Mati Logoreci, Ethem Osmani, Isuf Tabaku, Gasper Beltoja, Rexhep Kruja, Kol Kamsi, Gasper Jakova, Haxhi Sheh Shamia, At Donat Kurti, Konsilja Muzhani, Simon Rrota, Ndue Paluca, Zef Mark Harapi, Engjëll Ndocaj, Haxhi Hafiz Abaz Golemi, Musa Tabaku, Jusuf Kraja, etj., etj.
Për gjimnazin e shtetit në Shkodër, hapur më 1922, është folur dhe shkruar shumë. Janë botuar shumë artikuj nga autorë dhe studiues të ndryshëm, si dhe një libër (i cituar) nga Xh. Repishti e F. Luli (me rastin e 50- vjetorit të krijimit të tij). Në historinë e Arsimit Shqiptar i kushtohen disa faqe kësaj shkolle.
Hapja e gjimnazit të shtetit në këtë qytet me tradita të lashta në të gjitha fushat, por edhe me kontribut në fushën e arsimit kombëtar, ishte një ngjarje me rëndësi në historinë e tij, por “ishte edhe nevojë e kohës”.[3]
Është i njohur fakti që Ministria e Arsimit nën presionin e opinionit publik të qytetit, që përfaqësohej nga një peticion prej 56 nënshkrimesh, i cili përmblidhte “shtresa të ndryshme të popullsisë e nga shumica e lagjeve të qytetit”[4], u detyrua të hapte këtë shkollë shtetërore laike.
Në botimet e sipërpërmendura tregohet me hollësi edhe lufta, përpjekjet, por edhe kundërshtimet për hapjen e kësaj shkolle.
Synimi ynë është që t’u japim diçka për planin mësimor të shkollës, programet me të cilat mësonte, nivelin e nxënësve, me aq sa kemi mundur të gjejmë të dhëna, për bazën materiale të shkollës, për personelin mësimor etj., duke menduar se kësisoj plotësojmë në njëfarë mënyre mangësitë e botimeve të mëparshme për këto çështje.
Në informacionin e parë që kemi gjetur për hapjen e shkollës, dërguar Ministrisë së Arsimit më 13.10.1922, njoftohet se “…më 5.10.1922, Gjimnazin e hapme” dhe vazhdon “deri sot janë shkrue 29 vetë, 26 në klasën e parë dhe 3 në klasën e dytë, të ardhur prej shkollave qytetse, tre prej Gjimnazit Françes-kanë, 4 prej shkollës tregtare të jezuitëve.” Në një informacion shtesë tregohet se janë regjistruar 38 nxënës, prej të cilëve 35 në klasën e parë.[5]
Lëndët e mësimit u ndanë: Kol Kamsi – gjuhë shqipe, Kol Margjini – histori edhe shkronjë, Ruhi Zeka – matematikë, Kol Kraja – frëngjisht, Simon Rrota – vizatim, Luigj Shala – shkenca natyrore. Letërdërguesi, Luigj Shala, bënte punën e drejtuesit të shkollës në rangun e nëndrejtorit.
Janë njohur gjithashtu edhe diskutimet e bëra lidhur me gjuhën që do të hapej gjimnazi dhe përpjekjet për të sjellë nga jashtë një drejtor me autoritet shkencor, dihet edhe propozimi që iu bë albanologut të njohur Maksimilian Lambertz.
Informacioni shtron kërkesën për futjen në planin mësimor të lëndës “gjuhë latine” se “një gjimnaz pa gjuhën latine nuk mund të hapet tuj qenë se kjo asht landa ma e parë e gjith kësaj katëgorije shkollash. Për mësues nuk kemi. Ju lutëm mësuesve françeskanë, por ata janë shumë të zënë me punë të veta dhe s’mund ta përballojnë.”[6]
Nga informacioni marrim vesh për gjendjen shumë të keqe të bazës materiale, orenditë e vjetra, mjetet mësimore shumë të pakta, për të cilat në një informacion tjetër do të kërkohet me hollësi nevoja e tyre, duke i bërë lutje Ministrisë që të jepte një fond për sigurimin e tyre.
Mendojmë se është me interes të sjellim një paraqitje të planit mësimor të plotë me të cilin punoi gjimnazi në dy vitet e para të jetës së tij. Plani mësimor në fjalë miratuar nga Ministria e Arsimit i përcillet drejtorisë së shkollës nga inspektori i atëhershëm i arsimit Ismail Anamali.
PROGRAMA E GJIMNAZIT
SHQIP CIKLI I PARË
Kl. I
E ndamja A | Gj. Klasik | E ndamja B | Gj. Qytetuer |
Shqip e latinisht | 10 orë | Shqip | 6 orë |
Gjuhët e gjalla | 5 orë | Gjuhët e gjalla | 5 orë |
Histori e gjeografi | 3 orë | Histori e gjeografi | 3 orë |
Njehsim | 2 orë | Njehsim | 2 orë |
Shkenca natyrore | 1 orë | Shkenca natyrore | 1 orë |
Vizatim | 2 orë | Vizatim | 2 orë |
Shuma | 23 orë | Shuma | 19 orë |
Kl. II
E ndamja A | Gj. Klasik | E ndamja B | Gj. Qytetuer |
Shqip e latinisht | 10 orë | Shqip | 6 orë |
Gjuhët e gjalla | 5 orë | Gjuhët e gjalla | 3 orë |
Histori e gjeografi | 3 orë | Histori e gjeografi | 3 orë |
Njehsim | 2 orë | Mat. e viz. Gjeomet. | 2 orë |
Shkenca natyrore | 1 orë | Shkenca natyrore | 1 orë |
Vizatim | 2 orë | Vizatim | 1 orë |
Shuma | 23 orë | Shuma | 16 orë |
Për të krijuar një ide se ç’kishte plani mësimor po e ilustrojmë me ato që shkruheshin për lëndën e gjuhës shqipe: – Në gramatikë në klasën e parë fillohej me studimin e sintaksës (këtë mënyrë të fillimit të mësimit të gjuhës me sintaksën e kemi gjetur edhe te tekstet e tjera, madje që në klasat fillore; për këtë analizë që i kemi bërë tekstit të gjuhës nga G. Mikeli, e gjejmë edhe sot të zbatuar në librat e rinj të gjuhës shqipe, klasa e dytë dhe e tretë që zbatohet për herë të parë këto dy vitet e fundit në shkollat tona). Qëllimi ishte që të ushtroheshin nxënësit në gjuhën e folur dhe në ortografi. Programi parashikonte dhe njohuri për dialektet. Në klasën e dytë vazhdohej studimi dhe thellimi i përvetësimit të sintaksës, vazhdohej me stërvitje të të folurit dhe ortografi, por në këtë klasë fillohej edhe puna për realizimin e hartimeve të thjeshta. Nga programi dukej qartë se i jepej rëndësi anës praktike të përdorimit të gjuhës në të folur dhe në të shkruar dhe pas tyre “do të mësohen rregullat”.[7]
Në lëndën e letërsisë i jepej vend i gjerë këndimit, shpjegimit dhe mësimit përmendësh të autorëve tanë, por edhe nga prozatorë dhe poetë të kohës së mesme të përkthyer në shqip. Nga autorët shqiptarë do të zhvilloheshin: Budi, Kristoforidhi, Sami e Naim Frashëri. Se si u zhvilluan mësimet dhe në ç’nivel qe puna e mësuesve gjatë vitit të parë na tregon një informacion i dërguar nga drejtori i shkollës për këtë.
Natyrisht që po japim në mënyrë të përmbledhur disa nga problemet kryesore të punës mësimore edukative gjatë vitit të parë të punës së gjimnazit. Informacioni në fjalë është prej 6 faqesh të daktilografuara, punuar me shumë rregull e qartësi, me të mirat e të metat dhe paraqiste gjendjen faktike pa zbukurime. Këtë praktikë e kemi gjetur edhe në vite të tjera nga drejtorët pasardhës të kësaj shkolle, por edhe të shkollave simotra të kësaj kohe. Informacioni mban datën 3.2.1923, ndonëse firma nuk është e lexueshme plotësisht. Nga burime të tjera e dimë se drejtor në këtë vit ishte Xhevat Korça.
Nga ky informacion mësojmë se:
– Gjimnazi deri në atë kohë mund të quhej real kurse nga janari e këndej ishin plotësuar mësimet në të dy degët (real dhe klasik).
– Kishte shumë mangësi dhe vështirësi në plotësimin e mjeteve mësimore gjë që “kanë shkatue nji fryt jo krejt të kënaqshëm”.[8]
– Trupi mësimor, ka punuar mjaft mirë, por bëhen edhe diferencime në punën e tyre.
– Drejtoria kishte bërë kontrolle në punën e mësuesve dhe në nivelin e përvetësimit të njohurive nga nxënësit sipas saj mjaft nxënës paraqisnin dobësi prandaj me ta duhej bërë punë e diferencuar për të arritur shokët, “ndryshe nuk mund të vazhdojmë me to”, theksohet aty.
I rekomandon Ministrisë së Arsimit që në gjuhët e gjalla është më e dobishme që në vend të frëngjishtes të vihej gjermanishtja ose italishtja, meqë nxënësit do të vazhdonin më tepër mësimet në Itali e Gjermani dhe më pak në Francë.
– Vlerësonte në mënyrë të veçantë lëndën e muzikës, e cila “asht mjeti ma efektiv për dëfrimin dhe naltësimin e shpirtit të nxanësve”,[9] dhe kërkon nga Ministria një fond për të blerë instrumente muzikore, të cilat sipas mendimit të tij, do të jepnin frytet e duhura.
Siç kuptohet nga informacioni, gjendja dhe pajisja e nxënësve me libra ishte shumë e vështirë, prandaj i kërkohej asaj Ministrie që, veç të tjerave, t’u jepte edhe një shaptilograf për të kopjuar disa nga tekstet që u mungonin.
I sollëm këto mendime që studiuesit të krijojnë një ide sa më të qartë për interesat, metodën e punës, problemet, shkallën e formimit, kulturën, marrëdhëniet me dikasterin, sa korrektë dhe kërkues ishin në punë, marrëdhëniet ndërmjet drejtorisë dhe mësuesve.
Nga viti në vit shkolla erdhi duke u plotësuar me klasë. Deri në vitin 1924-25 kishte klasën e katërt dhe në vitin 1925-26 kishte edhe klasën e pestë. Drejtori i atëhershëm në pasqyrën e regjistrimit të fillimit të këtij viti shkruan: Nxënës gjithsej janë nënshkrue 89 të ndarë sipas klasave në këtë mënyrë:
Gjithsej sipas viteve
Klasa e parë | 32 | 32 |
Klasa e dytë -R- | 14 | |
-K- | 4 | 18 |
Klasa e tretë -R- | 16 | 16 |
Klasa e katërt -R- | 13 | |
-K- | 5 | 18 |
Klasa e pestë -K- | 5 | 5 |
89 |
Siç e kemi përmendur edhe në fillimet e arsimit të mesëm, në vitin shkollor 1925-26 hapet pranë gjimnazit edhe dega normale. Në një lajm të drejtorisë së shkollës, me firmë të dr. Mirash Ivanajt, theksohet se Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit me tel. nr. 1860, dt. 26.10.1925, lajmëron se pëlqen propozimin e kësaj drejtorie për çeljen e degës normale në të cilën vetëm për këtë vit do të pranoheshin nxënës të klasës së katërt. Mësimet fillojnë më 2.11.1925.[10]
Duke krahasuar planin mësimor të vitit të parë me këtë të viteve 1924, 1925 dhe 1926 shohim disa ndryshime që më tepër synonin në forcimin e shkollës, gjë që pasqyrohet në plan dhe në shtimin e lëndëve të reja, kështu sasia e orëve javore shkon nga 25-23 në 26-27. Për të ilustruar këtë mendim po sjellim dy pasqyrat që vijojnë:
Pasqyrë nr. 1
viti 1924-25
Rendi | Dega | Lëndët | Orë |
Shq| L| Fr|Mat|Gjr|His|Shk|Viz|Muz| Kal| Moral| Gjer | Javore | ||
I
II III
IV |
Klas Real Real Klas Real Klas | 5 5 4 3 2 2 2 1 1 1 – –
5 – 5 5 2 2 2 2 2 1 – – 5 – 5 5 2 2 2 2 2 – – – 5 5 3 3 2 2 2 2 2 – – – 5 – 4 7 2 2 2 2 2 – – 4 4 6 3 3 2 2 2 2 2 – 1 – |
26
26 25 26 26 27[11] |
Rendi | Dega | Lëndët | Orë |
Shq|Fr|Gjer|Lat|Mat|Gjgr|Hist|Shk|Fiz|Viz|Kal|V.gj |M| Fiz | Javore | ||
I
II III
IV V |
Klas Real Real Klas Real Klas Klas | 4 4 – – 3 2 2 2 – – 2 2 2 2
4 4 – 3 4 2 2 2 – – 2 2 2 2 4 4 – – 4 2 2 2 – – 2 2 2 2 3 3 4 – 4 2 2 1 2 – – 2 1 2 3 3 – 4 3 2 3 1 2 – – 2 1 2 3 4 3 – 4 2 3 1 2 – – 2 1 2 2 3 – 4 4 2 3 – 3 1 – 2 – 2 |
25
29 26 26 26 26 26[12] |
Për të dhënë një mendim të plotë dhe të saktë për përparimin e nxënësve dhe nivelin e tyre në gjimnazin e shtetit e kemi të vështirë në mungesë të materialeve për këtë problem, megjithatë po përpiqemi të sqarojmë diçka nëpërmjet statistikave dhe ndonjë burimi tjetër.
Rezultatet e vitit të parë të shkollës ishin këto:
Nxënës gjithsej | Kalojnë | Riprovim | Mbeten |
37 | 21 | 13 | 3 |
Riprovimet do të bëheshin në lëndët: gjuhë shqipe – 5 nxënës, frëngjisht – 11, histori – 5, gjeografi – 3, matematikë – 1, histori natyre – 5.[13]
Siç duket Ministria e Arsimit dhe inspektorati nuk kërkonte përqindje të plotë kalimi dhe notë mesatare të lartë, parametra të cilat nuk i kemi parë absolutisht në asnjë statistikë të shkollave të paraçlirimit, por i kemi ndeshur çdo herë dhe kanë qenë shifra referimi për të treguar sukseset e arsimit në të gjithë shkollën shqiptare pas vitit 1944.).
Për të gjykuar sadopak për nivelin e përvetësimit të njohurive shkencore dhe përgatitjen e nxënësve na jep dorë një gjykim i Ministrit të Arsimit të atëhershëm, Rexhep Mitrovica, i cili, në një letër të hapur dërguar arsimtarëve (letra e dytë e tij), duke trajtuar probleme të të mësuarit në shkollë, thekson se “mësuesi duhet të zhvillojë sidomos energjitë natyrore të fëmijës, t’i zgjojë t’i vejë në lëvizje t’i ngacmojë. Rëndësia nuk asht me derdhë njoftime të cilat i merr pozitivisht përkundrazi me e sjellun fëmijën të vërejë, të kujdeset, të mendojë, të gjejë.”[14] Për ilustrim po sjellim një shembull nga Gjimnazi i Shkodrës: “merrni nxënës të këtij gjimnazi dhe bëni një pyetje mbi historinë. Do të shihni se përgjigja e tij nuk do të përmbledhet në të thurun përmendsh të ngjarjes, por ka për t’analizue faktorët e ksaj, u bën kritikën, ua gjen gabimet dhe jep nji gjykim mbi përfundimin mbas kapacitetit t’arsyetuemit të tij.”[15]
Në kuadrin e Gjimnazit ka pasur gjithmonë mësues të nderuar. Natyrisht për të bërë një listë të tillë është tepër e vështirë, mbasi aty renditen me qindra. Por emrat e Dr. Mirash Ivanajt, Ndue Palucës, Loro Rashës, Anton Dedës, Kolë Krajës, D. Mozalit, Januz Boliqit, L. Prelës që punuan në vitet e para të jetës së këtij gjimnazi do të mbeten në kujtesën e brezave të nxënësve që mësuan në këtë Gjimnaz e në Historinë e arsimit të rrethit të Shkodrës.
Pas provimeve të maturantëve të parë në degën klasike e reale, që u bë në qershor të vitit 1929, që ishte një ngjarje e rëndësishme në historinë e qytetit, për të cilën, në librin e procesverbalit të provimeve, është shkruar “Për herë të parë bahet në Shqypni në gjuhën shqipe e në gjimnaze shtetrore provimi i maturës i gjimnazit të lartë”[16], kanë dalë dhjetëra breza maturantë që kanë kontribuar në fusha të ndryshme të jetës dhe kanë ngritur lart lavdinë e këtij Gjimnazi.
Në jetën time të gjatë në arsim kam pasur rastin të njihem më shumë personalitete të arsimit që kanë punuar në këtë shkollë dhe do flas vetëm për dy miq të mi, (njëri prej të cilëve ka kaluar në botën tjetër dhe i dyti vazhdon punën edhe sot):
Ndër personalitet e shquara të arsimit, të shkencës dhe kulturës shqiptare zë vend të nderuar edhe Prof. dr. Jup Kastrati- “Mësues i Popullit” (me rastin e 100-vjetorit të Mësonjëtores shqipe të Korçës-1987) dhe “Mjeshtër i Madh i Punës” (dekorohet nga Presidenti i Republikës në vitin 1999) dhe në vitin 2002, Këshilli bashkiak i Shkodrës i dha titullin “Qytetar nderi”.
Përveç teksteve mësimore universitare dy kanë qenë “fushat e zemrës” të Prof. Kastratit: fusha e albanologjisë, gramatologjisë dhe fusha e studimeve deradiane.
Kështu që, studiuesit seriozë kanë theksuar se, gjatë viteve 1956-2003, nga veprimtaria shkencore botuese e studiuesit të afirmuar të gjuhës amtare, Prof. Jup Kastrati, ne trashëguam: rreth 900 studime dhe artikuj të përfshira në 14.000 faqe shtypi shkencor dhe divulgativ, si: traktate, libra, monografi, studime, artikuj, kumtesa, referate etj., të botuara në revista dhe organe të ndryshme të periodikut brenda dhe jashtë vendit dhe e thënë me fjalë të tjera ka botuar mbi 35 libra e monografi shkencore gjithsej.[17]
Ndësa i dyti është z. Ahmet I. Boriçi, mësues, drejtues shkolle, didakt dhe botues tekstesh shkollore. U lind në Shkodër, ku mori mësimet e para, duke kryer gjimnazin (1972). Më 1977 ka kryer Universitetin e Tiranës, dega matematikë. Ka punuar për shumë vite në fshatra të rrethit dhe në vitin 1987 punon në Gjimnazin e Shtetit, Shkodër, (Shkollën “28 Nëntori”), i cili ka veprimtari të dendur botuese në fushën e teksteve mësimore (si autor i vetëm dhe me bashkautorësi) me 27 tekste të ndryshme, që përmblidhen në 2700 faqe të llojeve të ndryshme me teori, ushtrime etj. [18]
Duhet të jemi të kujdesshëm në rastet e përvjetorëve të shkollave të mesme të tjera të Shkodrës si: Medresetë, Kolegji Saverian i Jezuitëve, Shkolla Normale e Motrave Stigmatine dhe Shkolla Normale (1917) (Për të cilën kemi shkruar në “ZANI I NALTË”, themeluar më 1923 – Viti V, Nr. 19 (172), f. 44-49.)
Në bankat e kësaj shkolle kanë mbaruar me qindra e qindra nxënës, që pasi kanë kryer studimet e larta, kanë shërbyer në të gjitha skajet më të largëta të Shqipërisë, të përgatitur nga një staf prej qindra mësuesish të talentuar që i kanë bërë nder kombit dhe arsimit tonë.
[1]. S. Pollo, Skematizmi-dhunë në historinë e popullit, “Drita” 12.5.1991, f. 5.
[2]. Dritëro Agolli, O tempora, O mores!, “Drita”, 13.01.1991.
[3]. Xhevat Repishti, Faik Luli: “Gjimnazi i shtetit”, Shkodër, 1972, f. 24-25.
[4]. MASH, ISP: “Historia e arsimit…”, Grup autorësh, Tiranë, 2003, f. 401 e 403.
[5]. AQSH, F. 6, D. 21, Fl. 4, V.1922.
[6]. AQSH, F. 699, D. 2; V. 1922, Fl. 2.
[7]. AQSH, F. 669, V. 1922, D. 3, Fl. 4-9.
[8]. AQSH, F. 669, D. 8, V. 1923, Fl. 2.
[9]. AQSH, F. 669, D. 8, V. 1923, Fl. 2.
[10] AQSH, F. 669, D. 47, V. 1925, Fl. 29.
[11]. ASH, F. 669, D. 47, Fl. 4-5, V. 1925.
[12]. ASH, F. 669, D. 47, V.1925, Fl. 11.
[13]. AQSH, F. 669, D. 8, V. 1922, Fl. 9.
[14]. Po aty, f. 31.
[15]. Rev. Pedagogjike, f. 29, nr. i posaçëm.
[16] . Xh. Repishti, F. Luli, libri i cit., f. 11.
[17]. Përgatitur për botim në librin “Portrete të shquara…”, Shkodër, 2017:153-160.
[18]. Po aty, “Një jetë me dinjitet…” (Për mësuesin z. Ihsan Boriçi), f. 247-253.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...