Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Dec 05, 2018 Zani i Nalte Studime 0
nga Dr. Adil Kutlu
Departamenti i Shkencave Islame, Universiteti Bedër
Abstrakt
Arsimi është një organizim i themeluar nga njerëzit me qëllim që t’u përgjigjet nevojave të së sotshmes e të ardhmes dhe i formuar të plotësojë zhvillimin e shoqërisë përkrah vazhdimësisë së saj. Kështu edhe feja, zotëron një hapësirë kulture dhe njohurie që ndikon ç’do njeri, pavarësisht nëse beson ose jo. Feja dhe arsimi, të cilët bashkohen në pikën e edukimit të njeriut dhe formimit të tij në përputhje me objektiva të veçanta, kanë shumë anë të njëjta dhe është e pamundur të mendohet edukimi fetar jashtë edukimit të përgjithshëm. Në fakt, edhe diskutimet e ditëve të sotme nuk janë rreth çështjes a duhet të jetë edukimi fetar pjesë e edukimit të përgjithshëm apo jo, por përqendrohen në “sa”-në dhe “si”-në e kësaj pjesëmarrjeje.
Parashtrimi i kësaj çështjeje duke e trajtuar subjektin në dimensione të ndryshme si nevoja për këtë hapësirë, rëndësia, tema dhe qëllimi i saj, do të jetë i dobishëm në lidhje me edukimin fetar.
Në ditët e sotme, aktivitetet edukative-arsimore kryhen në fusha të ndryshme. Njëra nga këto fusha është ajo e edukimit fetar. Për sa i përket marrëdhënies së fesë me edukimin, në kontekst pozite, feja, e cila zotëron një fushë të sajën akademike, ka lidhje me shumë shkenca që përbëjnë një fushë të gjerë me në krye edukimin dhe shkencat fetare. Disa nga shkencat e tjera, që mund të përmenden si fusha me të cilat ka lidhje edukimi fetar, janë: psikologjia, psikologjia fetare, sociologjia arsimore dhe biologjia. Marrëdhënia e edukimit fetar me shkenca të ndryshme tregon qartë se në mësimdhënien e edukimit fetar nuk është e mjaftueshme vetëm njohja e fesë, por edhe se njeriu, i cili do ta marrë këtë edukim, duhet njohur nga afër. Edukimi fetar, ashtu siç mund të vlerësohet si një shkencë e teologjisë, gjithashtu mund të shihet edhe si një nëndisiplinë e shkencave edukative. Cilado që të vlerësohet si pika e fortë e edukimit fetar, arsimi apo teologjia, edukimi fetar zotëron një pozitë të rëndësishme në formimin e një jete paqësore në shoqëri, duke formuar njerëz të shëndetshëm dhe të ekuilibruar.[1]
Megjithëse edukimi fetar e ka marrë përmbajtjen nga feja dhe morali, nuk mund të thuhet se këto dy terma thelbësore përmbajnë subjektin e edukimit fetar. Këtu, kryesore është përcjellja e fesë dhe moralit me anë të edukimit e arsimit dhe zotërimi prej të rinjve i këtyre njohurive. Edukimi fetar nuk e ka të gatshëm subjektin e tij; subjekti, del në pah në përfundim të aktiviteteve dhe kërkimeve të tij, sepse subjekti i një shkence përcaktohet nga fusha ku zhvillon kërkimet ajo shkencë, temat që trajton dhe metodat, që do ta çojnë në arritjen e synimeve.[2]
Edhe subjekti i edukimit fetar mund të nxirret nga aktivitetet e realizuara në këtë fushë. Një qasje më nga afër edukimit fetar do të nxjerrë në pah se subjekti i tij përbëhet nga njëra anë nga edukim-arsimi dhe nga ana tjetër nga analizimi i subjekteve në fushën shkencore të edukimit fetar, si një disiplinë shkencore e pavarur. Kjo gjendje na tregon se edukimi fetar ka dy aspekte: atë teorik dhe atë praktik dhe duket qartë se është e pamundur ndarja e aspektit praktik të edukimit fetar nga ai teorik. Pavarësisht se cilit prej këtyre dy aspekteve të edukimit fetar i jepet përparësi, mund të themi, pa dyshim, se subjekti themelor i tij është përcjellja e çështjeve fetare tek individi. Në këtë rast, duke qenë se qëllimi i edukimit fetar është përgatitja e fëmijëve dhe të rinjve me edukatë fetare dhe etike, deri-diku subjekti i tij është edhe formimi i njeriut të së ardhmes brenda kornizës së përgjegjësive të tij.[3] Si rrjedhojë, edukimi fetar është i detyruar t’i cekë të gjitha çështjet që e interesojnë për realizimin e synimit të tij. Në këtë kontekst, me anë të kërkimeve që do të bëjë, ai duhet t’u ofrojë përgjigje të kënaqshme nevojave të jetës shoqërore, pyetjeve të hulumtuara nga opinioni publik, kërkesave e pritshmërive të shoqërisë dhe t’i zhvillojë ato duke i përditësuar. Gjithashtu nuk duhet harruar se edukimi fetar ka një ndikim të madh në lidhjen e nxënësve me shoqërinë e tyre dhe vlerat e saj gjatë përgatitjes së tyre për jetën.
Edukimi fetar, në një kuptim më të gjerë, ka zgjedhur si subjekt të tijin problemet, që kanë lidhje me vendin e fesë midis brezave të rinj e të pjekur dhe me jetesën e saj. Si rrjedhojë, subjekti i edukimit fetar duhet të ketë lidhje të ngushtë me detyrën që do të kryejë. Në bazë të këtyre përcaktimeve kuptohet se burimi i problemeve të vuajtura në zhvillimin fetar dhe etik të brezave të rinj është i lidhur me edukimin fetar dhe etik të tyre. Nga kjo kuptohet qartë se ajo çfarë duhet bërë, është studimi i përvojave të shkuara në lidhje me edukimin fetar dhe zhvillimi i një botëkuptimi që do mbartë të sotmen drejt së ardhmes dhe të ardhmen drejt përjetësisë.[4] E gjithë kjo sepse mësimdhënia dhe edukimi fetar, si një realitet gjatë gjithë procesit historik, ka qenë një fushë veprimtarie e pashmangshme dhe duket qartë se kjo gjendje, ashtu siç është sot, do të vazhdojë të jetë edhe nesër.
Është e natyrshme që individi të përballet në jetën e përditshme të mbrujtur nga traditat me disa sjellje të caktuara dhe të ndikohet nga to. Këto sjellje, përkrah të qenët përvojat e para të jetës së tij personale dhe sociale, janë gjithashtu edhe elementet, që ndikojnë në formimin e bazës së jetës që do të jetojë më vonë. Zhvillimi i individit brenda edukimit dhe arsimimit formal duhet të mbështetet edhe me edukimin e dhënë brenda një plani dhe programi të caktuar.[5]
Edukimi fetar, i cili është në harmoni me arsimin e përgjithshëm, ndan të njëjtat qëllime me të, si në mbështetjen e formimit të sjelljeve të kërkuara, duke zhvilluar tek individi aftësitë dhe zotësitë që ai posedon, ashtu si dhe në ndihmesën e individit në harmonizimin me shoqërinë në të cilën jeton. Në këtë kontekst, arsimi dhe edukimi fetar konvergojnë në qëllime të përbashkëta si lëvrimin e individëve të aftë, që do t’i japin drejtim jetës së tyre, tolerantë ndaj besimeve, mendimeve dhe ideve të ndryshme, duke zhvilluar marrëdhëniet njerëzore, besnikë ndaj idealeve demokratike dhe të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre qytetare.
Nga individi pritet që të formojë lidhje midis edukimit fetar dhe jetesës së tij dhe t’i kthejë njohuritë e marra në sjellje në jetën sociale. Kjo është, deri-diku, pritshmëria sesa ka ndikuar arsimimi dhe edukimi fetar në jetën e përditshme. Nëse individi është kthyer në një njeri të aftë që t’u përgjigjet pozitivisht kërkesave të fesë ndaj tij, në rrjedhën e jetës, atëherë tek ai do të vërehen lehtësisht sjellje pozitive në marrëdhëniet e tij personale dhe sociale me të tjerët, të ndikuara nga edukimi fetar.[6]
Mësimi i njohurive fetare në ambientet e shkollës synon sigurimin e mësimit drejt të fesë. Formimi i një mendimi fetar të shëndoshë varet nga kuptimi i saktë i fesë, sepse rrokja e saktë e përmbajtjes fetare është e lidhur ngushtë me përftimin e të vërtetave fetare, duke i kaluar nëpërmjet kullores së shkencës.[7] Është e rëndësishme, gjithashtu, që edukimi dhe arsimimi fetar të jenë të një niveli që mund të përballojnë nevojat shpirtërore të të rinjve dhe fëmijëve.
Qëllimi i dhënies së mësimit fetar është që njohuritë fetare të dhëna, si fillim, ta përgatisin individin për jetën, që do jetojë dhe ta ndihmojnë për këtë gjithmonë. Supozohet, që me mbështetjen e edukimit fetar, jeta që të jetohet do të jetë më fetare, etike, e shëndetshme, e lumtur, e qetë, e ekuilibruar dhe njerëzore.[8] Për këtë qëllim, për të siguruar që individi të sillet, ashtu si kërkohet edhe kur gjendet në shoqëri edhe në momentet kur është i vetëm, mund të përfitohet nga ndikimet dobiprurëse dhe frenuese të urdhrave dhe ndalesave të fesë.
Është e rëndësishme të përcaktohet se a janë të nevojshëm apo jo, feja, e si rrjedhojë besimi, si dhe edukimi dhe arsimimi fetar. Në lidhje me këtë shumë psikologë të psikologjisë së fesë dhe antropologë, theksojnë se feja dhe besimi janë një realitet në jetën e njeriut dhe plotësojnë një nevojë të rëndësishme të tij,[9] sepse te njeriu ekziston dëshira për të pranuar një qenie supreme, për t’u shprehur tek ajo dhe për t’u lidhur pas saj. Është vërejtur se ndjenja e besimit ekziston, që te njeriu i parë dhe përbën themelin e besimit fetar, pikërisht për këtë njeriu merr për bazë pikërisht këtë ndjenjë në jetesën e tij fetare.[10]
Një qasje historike ndaj besimit, që është shfaqja konkrete e fesë, do të na tregojë se ai ka qenë një nevojë e pashuar për shpirtin e njeriut dhe do të shihet se pa u plotësuar në një farë mënyre kjo nevojë, është e pamundur të shtypet.[11]
Rritja e numrit të njerëzve, të cilët kërkojnë zgjidhje ose lehtësim duke u mbështetur në fe, gjatë ose pas thatësirave, varfërive dhe fatkeqësive të jetuara në histori, ka lidhje të ngushtë me këtë nevojë.[12]
Dëshira e njeriut, i cili në kohë kur është i pafuqishëm e i dobët ndjen nevojë për siguri, për të mbrojtur veten dhe vazhduar ekzistencën e tij, është një nevojë e domosdoshme. Kjo është një gjendje që realizohet jashtë vetëdijes së njeriut dhe është e pamundur të shmanget.[13]
Besimi fetar, i cili ndodhet në çdo fazë të jetës së njeriut dhe është nga nevojat shpirtërore që duhen plotësuar, i ofron njeriut, që ka dëshirën e madhe për përjetësi të bëhet i përjetshëm.[14] Feja, e cila zotëron një pozitë të domosdoshme edhe për individin edhe për shoqërinë, do të vazhdojë ta ruajë rëndësinë e saj si dje ashtu edhe në të ardhmen si një realitet i njerëzimit.
Në botën e globalizuar të ditëve të sotme shoqëritë po marrin një trajtë më heterogjene dhe rëndësia e çështjeve si kultura e bashkëjetesës, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, dashuria, respekti, vëllazëria etj., është më e madhe në krahasim me të shkuarën. Është një nevojë e madhe trajtimi i këtyre çështjeve në mënyrë të detajuar duke i dhënë përparësi atyre dhe duke marrë parasysh kushtet aktuale.[15]
Është e qartë se zgjidhjet e kërkuara për të parandaluar dhunën dhe për të siguruar paqen e qetësinë, nëse nuk marrin në konsideratë elementin “njeri”, nuk do të jenë të vetëmjaftueshme për të arritur rezultatin e synuar. Për sa kohë që njeriu nuk ka arritur të jetojë në harmoni me shoqërinë, probabiliteti i realizimit të sjelljeve të pritura prej tij është shumë i vogël. Themelimi i gjykatave dhe hapja e burgjeve nuk është një rrugë mjaftueshëm efektive për të zgjidhur problematikat që kanë në qendër njeriun. Përvoja njerëzore tregon se përpjekja më e rëndësishme dhe më efikase për sigurimin dhe mbrojtjen e paqes dhe qetësisë është edukimi, sepse edukimi synon ta trajnojë njeriun, i cili mund ta sigurojë paqen e kërkuar dhe mund të marrë nën kontroll tendencat e tij të dhunshme, kësisoj edukimi fetar është ndihmësi më i fuqishëm i edukimit.[16]
Edukimi fetar i cili ushqehet nga feja, është një disiplinë e fuqishme, që zotëron përmbajtjen e mjaftueshme për sigurimin e paqes dhe qetësisë. Në periudhat kur feja studiohej drejt dhe përcillej me mjetet e duhura arrinte të realizonte harmoninë midis njerëzve dhe ishte kthyer në garancinë e paqes shoqërore dhe të unitetit e bashkimit. Përkrah mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore, edukimi fetar luan një rol të rëndësishëm edhe në mbizotërimin në shoqëri të vlerave si drejtësia, dialogu dhe toleranca. Përcjellja e këtyre idealeve tek individët me anë të edukimit fetar në mënyrë të drejtë, kontribuon shumë në frenimin e prirjeve negative, që burojnë nga arsye si turbullira sociale, padrejtësia dhe rrënimi moral.[17]
Edukimi fetar nevojitet gjithashtu në përcjelljen e vlerave fetare, që zotëron shoqëria dhe në kulturën që formohet nga këto vlera te brezat e rinj.
Përcjellja e besimit fetar, i cili është një realitet historik dhe ka arritur deri në ditët tona me anë të edukimit, është një çështje e rëndësishme. Feja, e cila zotëron një fuqi të madhe informimi dhe drejtimi në përgatitjen e njeriut për jetën, ka qenë në marrëdhënie të ngushtë me jetën e tij. Meqë feja i përfton njeriut njohuri dhe veçori të pasura dhe të shumëllojshme, gjatë gjithë historisë asaj i është dhënë vend në arsim dhe nevoja për mbështetjen e saj është ndjerë kurdoherë.[18] Masat ndëshkimore të fesë kanë një forcë efektive në realizimin e përgjegjësive sociale të individëve që përbëjnë shoqërinë. Ajo që ka rëndësi këtu është që njeriu ta mësojë dhe kuptojë drejt fenë dhe ta zbatojë atë në jetën e tij. Ky rezultat mund të arrihet vetëm me anë të një arsimimi fetar të shëndetshëm dhe të ekuilibruar.
Ndikimet e fesë është e mundur të vërehen në jetën e një njeriu, i cili e praktikon dhe zbaton fenë dhe urdhrat e saj me dëshirën e tij, sepse një besimtar vepron brenda kornizës së përcaktuar nga besimi dhe përpiqet ta rregullojë jetesën e tij sipas rregullave fetare dhe etike. Vlerat fetare, të cilat nuk e braktisin individin, sido që të jenë kushtet, do ta shoqërojnë atë kurdoherë, në gëzim dhe në hidhërim.[19] Individi, i cili fillon të ndjejë zërin e besimit në ndërgjegjen e tij, mundohet t’u shmanget veprave, që nuk përputhen me shpirtin e fesë. Feja, e cila zotëron një vend të rëndësishëm në jetën e individit, ngrihet me kalimin e kohës në një pozicion, që drejton sjelljet e tij. Fakti që të gjitha pikat e radhitura më sipër mund të realizohen me anë të edukimit fetar nxjerr në pah rëndësinë e edukimit fetar.
Një nga qëllimet e veprimtarisë së edukimit është pajisja e individit me një vullnet të fortë, duke i përftuar atij identitet dhe karakter. Edhe feja, gjithashtu, e cila është vlera më e madhe për njeriun, synon formimin e tij si një individ me vullnet të fortë, duke i përftuar atij identitet dhe karakter, duke filluar që në fëmijërinë e tij. Feja kryen një funksion të rëndësishëm në përftimin e këtyre veçorive të individit. Me anë të edukimit, fëmijët, pavarësisht natyrave të tyre të ndryshme, mund të fitojnë shprehi të dobishme për veten e tyre dhe për shoqërinë në të cilën jetojnë.[20]
Edukimi fetar, i cili është përgjegjës për edukimin e individit në pikëpamjen fetare, gjatë përgatitjes së tij për jetën nis nga bazat fetare dhe nga njohuritë teorike rreth tyre. Edukimi fetar, i cili zotëron një përmbajtje, që zgjerohet gradualisht brenda një plani dhe programi të përcaktuar, zë një vend të rëndësishëm në përgatitjen e fëmijëve dhe të rinjve në aspektin fetar dhe etik.[21] Si rrjedhojë, mësimi i përgjegjësive morale, të cilat janë të dobishme gjatë gjithë jetës, është një çështje, që nuk duhet neglizhuar, sepse “nxitja e së mirës dhe shmangia e së keqes” është një parim i pranuar gjerësisht edhe në aspektin fetar. Duke u nisur nga ky parim, pasi përcaktohen sjelljet etike, që sipas fesë duhen kryer ose duhen shmangur, pritet që personi t’i plotësojë ato. Kështu që, mësimi fëmijëve ç’është e drejta dhe e gabuara në mënyrën më të thjeshtë dhe arritja e dallimit midis tyre, është një detyrë e të rriturve dhe arsimtarëve. Duhet punuar për realizimin e përvetësimin nga ana e fëmijëve të njohjes të së mirës dhe së keqes dhe me ndihmën e ndërgjegjes, kthimit të saj në një dimension të natyrës së tyre.
Gjithashtu, gjendet një raport shumë i ngushtë midis besimit të individit fetar dhe jetesës etike të tij. Kështu që mund të themi se jetesa fetare dhe etike do të ketë pa dyshim ndikim pozitiv për një jetë më të rregullt, të shëndetshme dhe të lumtur personale e shoqërore.[22] Nxitja e edukimit fetar drejt sjelljeve etike mund të konsiderohet si një tregues i rëndësishëm, që feja i jep jetesës së individëve në unitet e harmoni brenda shoqërisë.
Bibliografia
Aydın, Muhammed Şevki, Açık Toplumda Din Eğitimi (Yeni Paradigma İhtiyacı), Nobel Yayınları. Ankara, 2011.
Bartholomaus, Wolfgang, Einführung in die Religionspadagogik, Kösel Verlag, München, 1983 (përkth. A. Çelebi).
Hamann, Bruno, Religiöse Erziehung als Unterrichtsprinzip, Lahn-Verlag Limburg, 1970, (përkth. A. Çelebi).
Merkert, Rainald. & Klassen, Theodor F., Didaktik für praktische Theologen, Benziger
Verlag, Zürich, Köln, 1970, (përkth. A. Çelebi).
Nipkow, Karl Ernst, Grundfragen der Religionspädagogik I-II-III, Gütersloher
Verlagshaus, 1975, (përkth. A. Çelebi).
Schilling, Hans, Die Grndfunktion des Religionsunterrichts in der Schule von heute
und morgen, in : Religionsunterricht zwischen gestern und morgen, 11-83, Verlag Ludwig Auer, Donauwörth, 1972, (përkth. A. Çelebi).
Uplegger, Fritz, Religionsunterricht- Mißerfolg und Wiederherstellung, Gütersloher
Verlagshaus Gerd Monh, Gütersloh, 1971, (përkth. A. Çelebi)
Yavuz, Kerim, Günümüzde Din Eğitimi, Çukurova Üniversitesi, İlahiyat Fakültesi Yayınları, Adana, 1998.
Yılmaz, Hüseyin, Örgün ve Yaygın Eğitim Kurumlarında Barış Eğitimi, Mustafa Köylü (Ed.), Din Eğitiminde Çağdaş Konular, 225-246, Dem Yayınları, İstanbul, 2012
Referenca:
[1]. Yavuz, Kerim, Günümüzde Din Eğitimi, Çukurova Üniversitesi, İlahiyat Fakültesi Yayınları, Adana, 1998:71.
[2]. Bartholomaus, Wolfgang, Einführung in die Religionspadagogik, Kösel Verlag, München, 1983:63.
[3]. Yavuz, 1998: 71,72.
[4]. Nipkow, Karl Ernst, Grundfragen der Religionspädagogik II, Gütersloher Verlagshaus, 1975:10.
[5]. Yavuz, 1998: 146.
[6]. Nipkow, 1975: II/179.
[7]. Schilling, Hans, Die Grndfunktion des Religionsunterrichts in der Schule von heute und morgen, in: Religionsunterricht zwischen gestern und morgen, 11-83, Verlag Ludwig Auer, Donauwörth, 1972: 26
[8]. Yavuz, 1998:149.
[9]. Yavuz, 1998: 127, 128.
[10]. Hamann, Bruno, Religiöse Erziehung als Unterrichtsprinzip. Lahn-Verlag, Limburg, 1970:21-23
[11]. Uplegger, Fritz, Religionsunterricht- Mißerfolg und Wiederherstellung. Gütersloher Verlagshaus Gerd Monh, Gütersloh, 1971:18.
[12]. Nipkow, 1975: III/21.
[13]. Yavuz, 1998:130.
[14]. Yavuz, 1998:129.
[15]. Aydın, Muhammed Şevki, Açık Toplumda Din Eğitimi (Yeni Paradigma İhtiyacı), Nobel Yayınları. Ankara, 2011: VII.
[16]. Yılmaz, Hüseyin, Örgün ve Yaygın Eğitim Kurumlarında Barış Eğitimi. Mustafa Köylü (Ed.), Din Eğitiminde Çağdaş Konular, Dem Yayınları, İstanbul, 2012:226.
[17]. Yılmaz, 2012:226.
[18]. Yavuz, 1998:60, 61.
[19]. Merkert, Rainald & Klassen, Theodor F. Didaktik für praktische Theologen, Benziger Verlag, Zürich-Köln, 1970:22.
[20]. Yavuz, 1998:62.
[21]. Yavuz, 1998: 63.
[22]. Nipkow, 1975: III/131
May 25, 2022 0
Dec 08, 2020 0
Nov 20, 2019 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...