Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Dec 26, 2018 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
nga Msc. Adnan Merja, SHBA
Abstrakt
Njeriu merr vlerë falë asaj që njeh, fiton virtyte aq sa arsyeton dhe fisnikërohet me atë që shoqëron. Meqenëse Kur’ani është libri më i madh i zbritur, atëherë njeriu që i është zbritur ai libër është Profeti më i nderuar ndër të dërguarit, bashkësia e tij është më e mira ndër tërë bashkësitë, bartësit e këtij libri janë më fisnikët e saj, si dhe lexuesit dhe mësuesit e tij janë njerëzit më me vlerë të këtij populli.
Shkenca e Kiraetit është më e veçanta ndër disiplinat fetare. Në të nuk ka ndërhyrë mundi, apo dora e njeriut, sepse është shpallur nga Zoti i Gjithësisë dhe është ruajtur nga po vetë Ai. Tematikë e këtij shkrimi do të jenë çështjet si: shtatë shkronjat e Kur’anit, shkaku i zbritjes, objektivi, kuptimi dhe disa specifika rreth tyre.
Shkaku i zbritjes së Kur’anit në shtatë shkronja është që të jetë lehtësim për bashkësinë e tij si shenjë fleksibiliteti, mëshire dhe veçorie për vlerat, që ato bartin. Krahas këtij shkaku mund të aludohet edhe si dhënie përgjigje ndaj lutjes së Profetit a.s në kohën kur i erdhi engjëlli i shpalljes[1] dhe i tha:
إِنَّ اللهَ يَأْمُرُكَ أَنْ تَقْرَأَ أُمَّتُكَ الْقُرْآنَ عَلَى حَرْفٍ، فَقَالَ: أَسْأَلُ اللهَ مُعَافَاتَهُ وَمَغْفِرَتَهُ، وَإِنَّ أُمَّتِي لَا تُطِيقُ ذَلِكَ، ثُمَّ أَتَاهُ الثَّانِيَةَ، فَقَالَ: إِنَّ اللهَ يَأْمُرُكَ أَنْ تَقْرَأَ أُمَّتُكَ الْقُرْآنَ عَلَى حَرْفَيْنِ، فَقَالَ: أَسْأَلُ اللهَ مُعَافَاتَهُ وَمَغْفِرَتَهُ، وَإِنَّ أُمَّتِي لَا تُطِيقُ ذَلِكَ، ثُمَّ جَاءَهُ الثَّالِثَةَ، فَقَالَ: إِنَّ اللهَ يَأْمُرُكَ أَنْ تَقْرَأَ أُمَّتُكَ الْقُرْآنَ عَلَى ثَلَاثَةِ أَحْرُفٍ، فَقَالَ: أَسْأَلُ اللهَ مُعَافَاتَهُ وَمَغْفِرَتَهُ، وَإِنَّ أُمَّتِي لَا تُطِيقُ ذَلِكَ، ثُمَّ جَاءَهُ الرَّابِعَةَ، فَقَالَ: إِنَّ اللهَ يَأْمُرُكَ أَنْ تَقْرَأَ أُمَّتُكَ الْقُرْآنَ عَلَى سَبْعَةِ أَحْرُفٍ، فَأَيُّمَا حَرْفٍ قَرَءُوا عَلَيْهِ فَقَدْ أَصَابُوا.
“Allahu të ka urdhëruar ty që t’ia lexosh Kur’anin bashkësisë tënde sipas një shkronje. Ai a.s. tha: Kërkoj faljen e Zotit për atë që nuk di dhe ndihmën e Tij për atë që kërkoj, bashkësia ime nuk mundet ta përballojë dot këtë.” … Vazhdoi edhe më tej ta përsërisë të njëjtën gjë derisa arriti në shtatë shkronja.”[2]
Kur’ani u zbrit në gjuhën arabe, e cila përmban dialekte dhe thekse të ndryshme. Për këtë arsye, disave u vështirësohej përdorimi i fjalëve, duke kaluar nga një dialekt në tjetrin, apo nga një shkronjë në tjetrën. Veçanërisht të moshuarit, gratë dhe ata që nuk dinin të lexonin nuk mundeshin të bënin kalime të tilla qoftë edhe nëpërmjet metodës së nxënies. Nëse do t’u kushtëzohej të braktisnin dialektin dhe theksin e tyre, kjo do të ishte një peshë që s’do ta përballonin dot.
Gjuhësisht fjala harf ka kuptimin anë, aspekt, brinjë, kufi, zonë dhe pjesë. Shkronja gjithashtu është pjesë e rrokjeve në kontekstin e të qenët pjesë e fjalës.[3]
“Ebu Amr ed’Dani thotë se kuptimi i shkronjave të aluduara nga Profeti a.s. mund të shpjegohet në dy pika: 1- Kur’ani u zbrit në shtatë dialekte të gjuhës arabe. Fjala “ahruf” është shumësi i fjalës “harf” dhe prej saj nënkuptohet fjala “formë ose mënyrë” bazuar te ajeti يَعْبُدُ اللَّهَ عَلَى حَرْفٍ i cili në thelb përmban mënyrën e adhurimit ndaj mirësisë së shëndetit dhe përgjigjes së lutjes. Andaj, edhe Resulullahi i quajti dialektet e ndryshme të kiraetit “shkronja” në kuptimin se për çdo dialekt ndodhet një formë ose mënyrë leximi. 2- Resulullahi i ka emërtuar “shkronja”, si një shenjë fleksibiliteti, sepse edhe arabët e kishin për zakon t’i emërtonin sendet me një emër të ngjashëm apo të përafërt me emrin e vetë sendit. Arsyeja e emërtimit dhe e lidhjes në këtë formë është një shembull se si ata e emërtonin fjalinë me emrin e disa pjesëve të saj. Prandaj, Resulullahi e quajti kiraetin “shkronjë”, edhe nëse kjo është fjali e gjatë për faktin se në të ndodhen shkronja të cilave mund t’u ndryshojë radha, zanorja, forma, ose mund të lexohet me imale[4], mund t’i shtohet apo t’i pakësohet një shkronjë bazuar në llojshmërinë e kiraeteve. Kjo ishte arsyeja që Profeti ynë a.s. e quajti kiraetin “shkronjë” sipas zakonit të arabëve dhe si shenjë mirëbesimi ndaj përdorimit të kësaj fjale prej tyre.”[5]
Ndonëse dijetarët kanë mendime të ndryshme për sa i përket synimit të tyre, ata kanë rënë në konsensus për dy konkluzione:
1) Qëllimi prej këtyre shtatë shkronjave nuk është që njëra prej tyre të lexohet në shtatë dialekte, sepse kjo veçori është e kufizuar vetëm me disa fjalë të thjeshta si أُفٍّ, جِبْرِيلُ, أَرْجِهْ, ،هَيْهَاتَ dhe هَيْتَ.
2) Nuk lejohet të synohen prej këtyre shkronjave shtatë imamët e shquar të kiraetit, në kundërshtim me atë që mendon një pjesë e njerëzve. Shtatë imamët e shquar kanë jetuar shumë kohë më vonë, pasi është zbritur Kur’ani.
Ndaj, shumica e dijetarëve janë të mendimit se ato janë dialekte. Natyrisht që edhe në këtë temë ka opinione të ndryshme. Ebû ‘Ubejd thotë se këto dialekte janë dialekti: kurejsh, hudhejl, thekîf, heuâzin, kenâne, temîm dhe jemen. Një tjetër thotë se ato janë pesë dialekte të krahinës heuâzin: sa’d, thekîf, kenâne, temîm dhe jemen, si dhe dy dialekte të përbashkëta në të gjitha dialektet arabe. Ebû ‘Ubejd Ahmed b. Muhammed b. Muhammed el’Herauî thotë se këto shtatë dialekte janë nga dialektet e gjuhës arabe dhe janë të shpërndara në Kur’an, duke u shprehur se një pjesë e tij është në dialektin kurejsh, një pjesë në dialektin hudhejl, një pjesë në dialektin heuâzin dhe një pjesë në dialektin jemen. Ibnu’l Xhezerî thotë se të gjitha këto opinione janë të sakta. Edhe pse Hz. Omeri dhe Hishâm b. Hakîm r.a. ishin të dy kurejshitë, nga i njëjti fis dhe flisnin të njëjtin dialekt, ata ndryshonin në çështjen e leximit të sures “El’furkân”.
Ka dijetarë, që thonë se prej shtatë shkronjave synohen kuptimet e gjykimeve, si hallall, haram, muhkem, muteshâbih, etj. Sipas Ibnu’l Xhezerî ky mendim është i pasaktë, sepse sahabet nuk patën kontradikta në komentin dhe gjykimet e Kur’anit, por në leximin e germave të tij.[6]
Mendime të ndryshme gjithashtu janë paraqitur edhe në lidhje me temën se përse nuk janë më shumë apo më pak, por janë shtatë shkronja. Shumica e dijetarëve mbështesin mendimin se rrënjët e fiseve arabe përfundonin në numrin shtatë, ose dialektet e pastra janë shtatë, mirëpo të dyja këto nuk janë tjetër vetëm se pretendime. Një tjetër mendim thotë se nuk synohet numri i vërtetë prej shtatës me idenë e shtimit, apo pakësimit, por qëllimi është fleksibiliteti dhe lehtësimi; dialektet arabe nuk përbëjnë pengesë në leximin e kiraetit për arsyen se Allahu ua ka lejuar atyre. Arabët e përdorin fjalën “shtatë” edhe në vend të shtatëdhjetës, apo shtatëqindës dhe nuk kanë për qëllim numrin e saktë, por synojnë sasinë e shumtë dhe hiperbolën pa ndonjë limit. Imami Ibnu’l Xhezerî bën një përmbledhje rreth pikave ku dallojnë dhe ndryshojnë të shtatë aspektet në këtë formë:
1) Varieteti në zanore pa ndryshuar kuptimin dhe pamjen e fjalës, si p.sh.: البُخْلُ – që mund të lexohet në katër mënyra- dhe يَحْسَبُ – që mund të lexohet në dy mënyra.
2) Ndryshimi vetëm i kuptimit, si p.sh: فَتَلَقَّى آدَمُ مِنْ رَبِّهِ كَلِمَاتٍ dhe وَادَّكَرَ بَعْدَ أُمَّةٍ، وَ (أَمَهٍ)
3) Ndryshimi i shkronjës, që ndikon në kuptim, mirëpo nuk ndryshon pamjen e fjalës, si p.sh.: تَبْلُو dhe تَتْلٌو, (نُنَحِّيكَ بِبَدَنِكَ لِتَكُونَ لِمَنْ خَلْفَكَ) dhe نُنَجِّيكَ بِبَدَنِكَ
4) E kundërta e pikës së tretë, si p.sh: بَسْطَةً dhe بَصْطَةً, السِّرَاطَ dhe الصِّرَاطَ.
5) Ndryshimi i të dyjave, i kuptimit dhe i formës, si p.sh: أَشَدَّ مِنْكُمْ dhe أَشَدَّ مِنْهُمْ apo يَأْتَلِ dhe يَتَأَلَّ, si dhe فَامْضُوا إِلَى ذِكْرِ اللَّهِ
6) Takdîm (avancim para) dhe te’hîr (tërheqje prapa), si p.sh: فيُقتَلُونَ dhe يَقْتُلٌونَ, apoوَجَاءَتْ سَكْرَتُ الْحَقِّ بِالْمَوْتِ
7) Shtimi dhe pakësimi i shkronjës, si p.sh.: أَوْصَى dhe وَصَّى
Këto janë shtatë aspekte prej të cilave kanë lindur variacionet. Ndërsa opinionet e ndryshme rreth rregullave të texhvidit[7],si idh’hâr (الْإِظْهَارُ), idgâm (الْإِدْغَامُ), roum (الرَّوْمُ) ishmâm (الْإِشْمَامُ), tefkhîm (التَّفْخِيمُ), terkîk (التَّرْقِيقُ), medd (الْمَدُّ), kasr (الْقَصْرُ), imâle (الْإِمَالَةُ), fet’h (الْفَتْحُ), tahkîk (التَّحْقِيقُ), tes’hîl (التَّسْهِيلُ), ibdâl (الْإِبْدَالُ), (nakl) (النَّقْلُ)[8], të cilat cilësohen, si baza (usul) apo metoda, nuk përbëjnë shkak dallimi ose ndryshimi në fjalë dhe kuptimin e saj, sepse këto janë cilësi të ndryshme, që dalin në pah gjatë zbatimit[9].
Shumëllojshmëria e këtyre shtatë shkronjave u referohet aspekteve dhe mënyrave të pandikuara nga ndryshimi apo dallueshmëria. Ndër vetitë, që mund të përmendet, është se kjo larmi shërben për të qartësuar gjykimin e unifikuar, si p.sh:
Pamja e jashtme e kiraetitإِلَى ذِكْرِ اللَّهِ فَاسْعَوْا të lë të kuptosh nxitimin. Mirëpo kjo gjë nuk është kështu dhe kiraeti tjetër فَامْضُوا إِلَى ذِكْرِ اللَّهِ e shpjegon më së miri gjykimin, prej të cilit derivohet kuptimi i të ecurit me qetësi. Madje sipas Hasan El-Basriut besimtari duhet të shkojë në xhami ditën e xhuma duke ecur me zemër, qëllim (nijet) dhe dëshirë për të përkujtuar Allahun xh.xh.[10]
Kuptimi i shtatë shkronjave lidhet me realizimin, përsëritjen e të qenët shâdhdh[11], ose të saktë të tyre dhe konsolidohet për nga ana e sasisë.
Këto shtatë shkronja janë në vende të ndryshme të Kur’anit. Për këtë nuk ka asnjë dyshim, madje ato ndodhen te çdo transmetim dhe kiraet në nocionin, që pohuam në lidhje me të qenët shtatë shkronja dhe se ato nuk janë të kufizuara me leximin nga fillimi deri në fund të një kiraeti, apo këndimin e një rivajeti. Ai që lexon Kur’anin me një kiraet të caktuar, konsiderohet, se e ka lexuar atë me një nga shkronjat e përmendura, por nuk mund të thuhet se ai e ka lexuar me të shtata shkronjat.
Një grup prej tyre janë të mendimit se mus’hafet osmanije i përfshijnë të shtatë shkronjat. Në bazë të këtij përfundimi ata thonë se nuk lejohet neglizhimi në transmetim qoftë edhe i një diçkaje të vogël në lidhje me shtatë shkronjat. Ata gjithashtu janë në konsensus për braktisjen e çdo gjëje tjetër përveç shtatë shkronjave, duke thënë: nuk lejohet ndalimi i leximit me disa prej shtatë shkronjave dhe nuk lejohet braktisja e diçkaje, që është prej Kur’anit.
Ndërsa shumica e dijetarëve të parë, të mëvonshëm dhe e imamëve të tjerë janë të mendimit se mus’hafet osmanije përfshijnë vetëm atë që përmban pamja, resmja, fotoja e tyre prej shtatë shkronjave. Nisur nga prezantimi ballë për ballë[14] dhe i fundit i Kur’anit ndërmjet Profetit dhe engjëllit të shpalljes, mus’hafet osmanije janë përmbledhëse dhe përfshirëse të të shtatë shkronjave pa çuar dëm as edhe një germë. Në ndryshim nga herët e tjera, Profeti a.s. në vitin që shtegtoi në botën e përtejme, e këndoi Kur’anin me Xhibrilin a.s., engjëllin e shpalljes, dy herë, pra një herë këndonte Profeti dhe dëgjonte Xhibrili, pastaj këndonte engjëlli, Xhibrili a.s. dhe dëgjonte Profeti, dhe herën e dytë këndonte Profeti e dëgjonte engjëlli, më pas këndonte engjëlli dhe dëgjonte Profeti. Në total, vitin e fundit Kur’ani është kënduar katër herë me nga dy seanca.[15] Ibnu’l Xhezerî e mbështet këtë mendim dhe thotë se hadithet e sakta të transmetuara dhe veprat e famshme janë argumentuese të këtij mendimi.
Leximi sipas shtatë shkronjave nuk është vaxhib por është i lejuar, si lehtësi për ymetin. Secili është i lirë të lexojë me cilën shkronjë ka lexuar më parë. Një mendim është se lejimi rreth shtatë shkronjave ishte i posaçëm për kohët e para të Islamit në mënyrë, që të ruhej në një shkronjë të vetme, sepse njerëzit vështirësoheshin në leximin me të shtatë shkronjat. Në kohën që gjuhët u mësuan me artikulimin e tyre arritën në unanimitetin e leximit me një shkronjë të vetme, si një shenjë lehtësimi për njerëzit. Ky është mendimi më i përshtatshëm. Në fund ata ranë në konsensusin e leximit sipas shkronjës me të cilën u lexua në prezantimin e fundit të Kur’anit.
Ka pasur kontestime të ndryshme për sa u përket kiraeteve, të cilat, përbri tyre, kanë pastur të shënuara edhe disa pjesë komentuese. Abdullah b. Mes’udi nuk e pëlqente një gjë të tillë dhe madje thonte: “Veçojeni Kur’anin dhe mos e përzieni atë me gjëra që nuk janë nga Kur’ani!”[16] Sahabet e nderuar i shkruan këto mus’hafe në bazë të verifikimeve, memorizimeve dhe në bazë të asaj, që u konsolidua gjatë prezantimit ballë për ballë me leximin e fundit të Kur’anit. Nëse këto përputheshin me njëra-tjetrën, ato regjistroheshin në mus’hafet osmanije. Më pas, sahabet e nderuar mus’hafet i shkruan pa pika dhe forma, që mënyra argumentuese e të dyja fjalëve të transmetuara, të dëgjuara dhe të kënduara të jetë e ngjashme me mënyrën argumentuese të një fjale të vetme sipas të dyja kuptimeve, arsyetimeve dhe koncepteve. Shkenca që merret me çështjen e pikave, zanoreve dhe formës së shkronjës quhet ‘ilmu resmi’l mus’hafi ue dabtuh (عِلـْمُ رَسْمِ الْمُصْحَفِ وَ ضَبْطُهُ).
Një pjesë e mirë e njerëzve mendojnë se shtatë shkronjat e përmendura në hadith janë shtatë kiraetet. Për këtë arsye, shumica e dijetarëve nuk e kanë pëlqyer shkurtimin e bërë nga Ibn Muxhahidi në shtatë imamë. Dijetari Ibn Tejmije thotë se “shtatë shkronjat e përmendura në hadith nuk janë shtatë kiraetet, apo shtatë imamët.” Hadithi i Profetit a.s. kurrsesi nuk duhet të mendohet i kufizuar në shtatë kiraete. Thelbi është se kiraeti merret nga një imam i besueshëm fjalë për fjalë, derisa zinxhiri i transmetimit të arrijë te Profeti a.s.
Në fakt, kiraetet nuk kanë kontradiktë, apo mospërputhje me njëra-tjetrën. Ato dallojnë për nga variacioni dhe larmia e llojeve të leximit. Nuk mund të mendohet që mospërputhja të jetë veçoria e kiraeteve, sepse Allahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë thotë:
أَفَلَا يَتَدَبَّرُونَ الْقُرْآنَ وَلَوْ كَانَ مِنْ عِنْدِ غَيْرِ اللَّهِ لَوَجَدُوا فِيهِ اخْتِلَافًا كَثِيرً
“A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.”[17]
Çdo gjë e transmetuar në mënyrë të saktë nga Profeti a.s. është obligim të pranohet. Nuk mund të pranohet refuzimi i tij dhe automatikisht kërkohet t’i besohet atij transmetimi, sepse ai është zbritur prej Allahut xh.xh. Pozita e çdo kiraeti në krahasim me kiraetin tjetër është e ngjashme me pozitën e ajeteve me njëra-tjetrën, ku është obligim besimi ndaj tyre dhe ndjekja e thelbit si nga ana kuptimore, ashtu edhe nga ajo e vënies në praktikë. Nuk lejohet braktisja e njërit prej tyre me idenë se në mes tyre mund të ketë ndryshime. Sahabiu i nderuar Abdullah b. Mes’udi shprehet tekstualisht:
“Mos u konfliktoni dhe mos bëni polemikë në çështjen e Kur’anit, sepse në të nuk ka ndonjë gjë për konflikt, apo për t’u ngatërruar. A nuk e shikoni që ligji i Islamit, kufijtë e vendosur nga ai, leximi i tij (ligjit të Islamit) dhe urdhëresat e Allahut janë të njëjta, pra nuk ndryshojnë? Nëse njëra nga shkronjat e zbritura të Kur’anit do të urdhëronte për diçka, e shkronja tjetër do të ishte penguese për të, atëherë këtij mund t’i thuhet kontradiktë. Mirëpo Kur’ani i përfshin të gjitha llojet e leximeve. Ai që lexon sipas një kiraeti të mos e braktisë atë me idenë se kiraeti tjetër është më i mirë. Ai që mohon njërën nga shtatë shkronjat ka mohuar të tërë Kur’anin.”[18]
Larmia që bie në sy në mes lexuesve të kiraeteve është e ndryshme nga ajo në mes juristëve. Llojshmëria e lexuesve të kiraeteve është e saktë dhe e drejtë, sepse Kur’ani ka zbritur prej Allahut, është fjalë e Tij dhe në këto dy pika nuk ka kurrfarë dyshimi. Ndërsa ajo në mes juristëve është dallim dhe ndryshim ixhtihadi.
Çdo shkollë juridike në krahasim me tjetrën është e saktë, mirëpo nuk përjashtohet mundësia e gabimit. Ndërsa çdo kiraet, që plotëson kushtet e pranimit në krahasim me tjetrin është edhe i drejtë, edhe i saktë dhe besimi jonë është në këtë vijë. Gjithashtu ne besojmë se bashkëngjitja e çdo shkronje prej shkronjave të larmisë te sahabet është sepse ata e memorizuan, lexuan, u kapën fort pas tij dhe u orientuan drejt tij më mirë dhe më shumë se të tjerët. Po kështu edhe bashkëngjitja e shkronjave dhe e kiraeteve te imamët dhe transmetuesit e kiraetit. Çdo lexues, apo imam zgjedh një kiraet me një mënyrë leximi në një dialekt në bazë të kiraetit që lexon, e përthith, e vazhdon atë lloj leximi, kapet fort pas tij, derisa bëhet i famshëm me mënyrën e leximit dhe shndërrohet në referencë për të tjerë, që vijnë dhe marrin mësim prej tij. Kjo lloj bashkëngjitjeje lidhet me zgjedhjen, vazhdimësinë dhe domosdoshmërinë e jo me mendimin apo ixhtihadin.
2) Ndër argumentet e mëdha dhe evidente është se, ndonëse ka kaq shumë variante dhe llojshmëri në kiraete, ata nuk bien në kundërshti dhe kontradiktë me njëri-tjetrin. Përkundrazi, ata vërtetojnë, shpjegojnë dhe dëshmojnë për njëri-tjetrin sipas një metode dhe stili të njëjtë.
3) Lehtësia e memorizimit dhe e transmetimit te bashkësia.
4) Shpërblimi i madh për bashkësinë. Ata shpenzojnë energji në mënyrë që të arrijnë objektivin e tyre në kërkimin e kuptimeve, apo në deduktimin e urtësive dhe gjykimeve nisur nga aludimi i çdo fjale.
5) Virtyti dhe vlera e kësaj bashkësie në krahasim me bashkësitë e tjera për sa i përket pranimit, orientimit kah libri, kërkimit fjalë për fjalë, zbulimit shprehje për shprehje, kumtimit të saktësisë dhe korrektësisë së tij, perfeksionimit të rregullave të texhvidit. Ruajtja nga deformimet dhe shtrembërimet, mosneglizhenca qoftë edhe e një zanoreje, apo sukuni, një tefkhîmi, apo terkîki derisa konsoliduan kohën e zgjatjes së meddeve, dallimet ndërmjet imaleve dhe bënë ndarjen në mes shkronjave dhe cilësive të tyre.
6) Ndër karakteristikat e tjera dalluese është edhe lartësimi i gradës së personit tek Allahu, si pasojë e transmetimit me saktësi të çdo shkronje të Kur’anit, duke mos lënë hapësira dyshimi. Nëse nuk do të shquheshin tiparet e tjera, kjo karakteristikë do të mjaftonte si një veçori e vetme.
Referenca:
Buhâri, Husûmât 3, Bed’u’l halk 6, Fedâilu’l Kur’ân 5, 27, Istitâbetu’l Murteddîn 9, Teuhîd 53; Muslim, Salâtu’l Musâfirîn.
El’Hâkim En’Nejsâbûrî, El’Mustedrak Ala’s-Sahîhajn 1/183; Ahmed b. Hanbel, Musned 1/132; Et’Tahâuî, Sherhu Mushkili’l Âthâr.
Fahru’d-dîn Er’Râzî, Mefâtîhu’l Gajb.
Ibn Mandhûr, Lisânu’l Arab 9/41; Zebîdî, Tâxhu’l Arûs Min Xheuâhiri’l Kâmûs 23/128; Komisioni i Gjuhës Arabe në Kajro, El’Mu’xhemu’l Uasît.
Ibnu’l Xhezerî, En’Neshr Fi’l Kirââti’l Ashr.
Kur’an, përkthim i Hasan Nahit, botim “Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam”, viti 2006.
Muhammed Zâhid El’Keutherî, Makâlâtu’l Keutherî, shtëpia botuese “Râtib Hakîmî”.
Zerkeshî, El’Burhân Fî ‘Ulûmi’l Kur’ân.
Zurkânî, Menâhilu’l ‘Irfân Fî ‘Ulûmi’l Kur’ân.
[1]. Ibnu’l Xhezerî, En’Neshr Fi’l Kirââti’l Ashr 1/22; Zurkânî, Menâhilu’l ‘Irfân Fî ‘Ulûmi’l Kur’ân 1/137, 142, 145, 152.
[2]. Buhâri, Husûmât 3, Bed’u’l halk 6, Fedâilu’l Kur’ân 5, 27, Istitâbetu’l Murteddîn 9, Teuhîd 53; Muslim, Salâtu’l Musâfirîn 270-274.
[3]. Ibn Mandhûr, Lisânu’l Arab 9/41; Zebîdî, Tâxhu’l Arûs Min Xheuâhiri’l Kâmûs 23/128; Komisioni i Gjuhës Arabe në Kajro, El’Mu’xhemu’l Uasît 1/167.
[4]. Fjala الإمالة, el-imale është një fjale arabe e formuar prej rrënjës ميل – mejl dhe kjo e fundit prej foljes مال – يميل. Kur folja مال – يميل vendoset në formën zgjedhuese إفعال – if’al merr kuptimin “t’i japësh prirje, ta drejtosh poshtë, ta përkulësh poshtë, ta përkulësh me drejtim poshtë dhe t’i ndryshosh drejtimin diçkaje”. Në terminologjinë e shkencës së kiraeteve fjala imale merr kuptimin “të shqiptuarit e shkronjës ‘ا – elif’”, duke e drejtuar nga shkronja ي – je ose të shqiptuarit e zanores fet’ha (e), duke e drejtuar atë kah zanorja kesre (i). Gjatë artikulimit të zanores “e, fet’ha” pjesa e mjekrës drejtohet për lart, ndërsa kur aplikojmë rregullin e imale-s e drejtojmë për poshtë. Kemi dy lloje imale: 1. Imale-ja e madhe (الإمالة الكبرى). Këtu bëhet fjalë për artikulim të imales në mes dy zanoreve, përkatësisht zanoreve fet’ha “e” dhe kesra “i”, por që anon më tepër drejt zanores kesra “i”. P.sh: كبرى, Kubrî. 2. Imale-ja e vogël (الإمالة الصغرى). Kjo lloj imale-je artikulohet në mes dy zanoreve, përkatësisht zanores fet’ha “e” dhe zanores kesra “i”, por që anon më tepër drejt zanores fet’ha “e”. P.sh: صغرى, Sugrê. Imale-ja e vogël emërtohet ndryshe “bejne ue bejne, bejne dhe taklîl” (بين و بين, بين dhe تقليل).
[5]. Ibnu’l Xhezerî, En’Neshr Fi’l Kirââti’l Ashr 1/26.
[6]. Ibnu’l Xhezerî, En’Neshr Fi’l Kirââti’l Ashr 1/25.
[7]. Shpjegimi i tyre, me lejen e Allahut, do të trajtohet në një artikull të veçantë.
[8]. Zerkeshî, El’Burhân Fî ‘Ulûmi’l Kur’ân 1/226-227.
[9]. Ibnu’l Xhezerî, En’Neshr Fi’l Kirââti’l Ashr 1/27-28; Zerkeshî, El’Burhân Fî ‘Ulûmi’l Kur’ân 1/217-218.
[10]. Fahru’d-dîn er’Râzî, Mefâtîhu’l Gajb 30/542.
[11]. Fjala shâdhdh (شَاذٌّ) ka kuptimin i pazakontë, i çuditshëm, i parregullt, jokarakteristik, jo tipik, i braktisur, që nuk ka palë, ekscentrik etj. Është një term shumë i njohur në fushën e metodologjisë së hadithit. Përdoret në kontekstin e klasifikimit të gradës së vërtetësisë së transmetuesit. Specifikisht, grada shâdhdh është grada më e ulët e transmetimit në aspektin e cilësive dhe vërtetësisë së transmetuesit për shkak të tipareve goditëse (المَطَاعِنُ العَشَرَةُ) të marra nga njerëzit kompetentë të fushës së hadithit. Rrjedhimisht edhe përkufizimi është i tillë: shâdhdh quhet ai hadith të cilin një transmetues i besueshëm e përçon në kundërshtim me hadithin e përçuar nga një transmetues më i besueshëm se ai.
[12]. Me fjalën mus’haf nënkutohet Kur’ani Kerim. Si term ka kuptimin: tubimi i fletushkave në mes dy kapakëve të librit.
[13]. Emërtohen mus’hafet osmanije (الْمَصَاحِفُ الْعُثْمَانِيَّةُ) sepse u shkruajtën dhe u shumëfishuan në vitin 30-të hixhrî gjatë kohës së hilafetit të Hz. Osmanit r.a. Shkaku që Hz. Osmani r.a. mori një vendim të tillë ishte ekspedita e myslimanëve për ngadhënjimin e Armenisë dhe Azerbajxhanit në të cilën ranë dëshmorë shumë hafizë të Kur’anit. Për më tepër, Hz. Hudhejfe b. El-Jemân r.a. vuri re se njerëzit filluan të bënin polemika rreth mënyrës së leximit të Kur’anit, ku njëri thoshte leximi im është më i saktë dhe tjetri thoshte po të njëjtën gjë. Ky fenomen e frikësoi Hz. Hudhejfen, i cili erdhi te Hz. Osmani r.a. dhe i tha: “Nxito para se ymetin ta kaplojë mosmarrëveshja e mûseuî-ve (hebrenjve) dhe e îseuî-ve (të krishterëve)!” Halifeja Osman r.a. menjëherë lajmëroi, gruan e Profetit Hafsan r.a., që t’i dërgonte mus’hafin imam (bazë, themelor) të tubuar e mbledhur në kohën e halifit të parë Hz. Ebu Bekrit r.a., në mënyrë që ta shumëfishonin. Kështu që u ngrit një komision për verifikimin dhe kontrollimin, deri në imtësitë më të vogla të fjalëve, zanoreve dhe radhitjes së ajeteve, apo sureve, me në krye Zejd b. Thâbitin r.a., që pasohej nga Abdullâh b. Ez’Zubejr, Sa’d b. El’Âs dhe Abdurrahmân b. El’Hârith r.a. Në fund, mus’hafet u dërguan në qendrat kryesore si Mekke, Medine, Kufe, Sham, Basra, Jemen dhe Bahrejn, të cilat kishin nga një imam, që kishte zgjedhur një lloj leximi të kiraeteve dhe atë ua mësonte edhe njerëzve. Banorët e vendeve përkatëse filluan të lexonin sipas asaj që ndodhej në mus’hafin e tyre. Në këtë mënyrë, edhe mosmarrëveshja u largua, edhe Kur’ani u mbrojt nga çfarëdolloj shtrembërimesh.
[14]. Mukabele. Kjo është një nga format e foljes në gjuhën arabe, që nënkupton një veprim të kryer në mes dy a më shumë personave.
[15]. Muhammed Zâhid El’Keutherî, Makâlâtu’l Keutherî f.5.
[16]. El’Hâkim En’Nejsâbûrî, El’Mustedrak Ala’s-Sahîhajn 1/183; Ahmed b. Hanbel, Musned 1/132; Et’Tahâuî, Sherhu Mushkili’l Âthâr 15/316.
[17]. Kur’an, En’Nisâ 4/82.
[18]. Ibnu’l Xhezerî, En’Neshr Fi’l Kirââti’l Ashr 1/51; Zurkânî, Menâhilu’l ‘Irfân Fî ‘Ulûmi’l Kur’ân 1/186.
[19] Megjithëse në gjuhën shqipe përkthehet “mrekulli”, ky nuk është ekuivalenti i plotë i fjalës i’xhâz. Mbase përshtatja në formën “pamundësia dhe dobësia për të bërë një ajet, sure apo libër të ngjashëm me Kur’ânin, si dhe dalja i mposhtur nga kjo tentativë.” do të jepte një ide disi më të përafërt me kuptimin e kësaj fjale.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...