Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Jan 23, 2019 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
nga Prof. Dr. Qazim Qazimi, Kosovë
Abstrakt
Njëra prej dukurive, që më së shumti vihet re në jetën shoqërore të myslimanëve, në mbarë Evropën sot, pa dyshim, është shprehja e lirë e vetëdijes fetare, e cila ishte aq e penguar në shtetet evropiane me regjim komunist dhe kjo shprehje e lirë e vetëdijes fetare është fryt i çmuar i zhvillimit të demokracisë në jetën tonë, pas shembjes së komunizmit.
Sot evropianët, masa dërmuese, e kanë të definuar identiteti e tyre fetar, kombëtar dhe shtetëror shumë qartë dhe bindshëm, ku barazia ndëretnike, toleranca ndërfetare dhe multikultura kanë qenë dhe mbeten të domosdoshme. Po ndodh dhe, nuk është aspak e vështirë që të vërehet, se nganjëherë shprehja e vetëdijes fetare, vende-vende e kohë pas kohe, po sendërtohet përmes tejshquarjes, tejtheksimit, tejvlerësimit të ndonjë besimi karshi besimeve të tjera. Përkatësia multifetare, përpos që e bën më të pasur dhe më të përbërë identitetin fetar, mund të ndodhë ndonjëherë, ta bëje edhe më të plogshëm, natyrisht, në qoftë se ndonjëra prej këtyre feve do të favorizohej, e posaçërisht prej institucioneve politike e shtetërore, siç po ndodh kohë pas kohe në disa vende evropiane. Islami nuk pranon dhe nuk duhet t’i nënshtrohet pikëpamjes së inferioritetit, duke humbur individualitetin e as identitetin e tij në asnjë shoqëri e asnjë shtet modern.
Duhet pasur parasysh se kjo botë është e krijuar në atë mënyrë sa që njeriu nuk mund të ekzistojnë krejtësisht më vete edhe pse ai ka identitetin dhe personalitetin e vetë. Ashtu siç njeriu është qeliza e parë e shoqërisë, ashtu është edhe krijesa më e bukur dhe më e përsosur.[1] Njeriu është një qenie dualiste e përbërë nga trupi dhe shpirti. Për trupin thamë që është krijuar në formën më të bukur, por kur mendojmë rreth shpirtit, përballemi me një botë tjetër. Shpirti i njeriut është si një fletë e bardhë, e cila pret që të shkruhet. Njeriu është një qenie tek i cili manifestohet gjendja e tij fizike, morale dhe shpirtërore. Pjesa trupore e njeriut bën jetë kalimtare, ndërsa shpirtit, i cili është pjesë e frymës së Shpirtit të Krijuesit të gjithësisë, është i amshueshëm.
Një parim thelbësor i sociologjisë islame është se Islami siguron një harmoni të përsosur mes individit dhe shoqërisë, duke mbajtur në harmoni njërin me tjetrin. Ai beson në personalitetin individual të njeriut dhe i mban të gjithë personalisht përgjegjës ndaj Allahut xh. sh. dhe, ju garanton të drejtat themelore të individit, madje nuk duhet të lejohet që dikush të abuzojë me të drejtat e tij njerëzore, duke insistuar në mënyrë qytetëruese, për ta ruajtur identitetin e tij fetar dhe kombëtar, pa marrë parasysh se në cilin sistem apo hapësirë gjeografike ndodhet, edhe në qoftë se jeton në të ashtuquajturat, shoqëri moderne.
Njëra prej dukurive, që më së shumti vihet re në jetën shoqërore të myslimanëve, në mbarë Evropën sot, pa dyshim, është shprehja e lirë e vetëdijes fetare, e cila ishte aq e penguar në shtetet evropiane me regjim komunist dhe kjo shprehje e lirë e vetëdijes fetare është fryt i çmuar i zhvillimit të demokracisë në jetën tonë, pas shembjes së komunizmit.
Sikundër gjithë evropianët, po ashtu edhe shqiptarët, në masë të madhe, e kanë të definuar identitetin e tyre fetar, kombëtar dhe shtetëror shumë qartë dhe bindshëm. Synimi i tyre i përhershëm ishte barazia ndëretnike, toleranca ndërfetare e multikultura; këto kanë qenë dhe mbeten të domosdoshme. Ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë që, në emër të tolerancës fetare, etnike dhe kulturore, të aplikohet i ashtuquajturi diskriminim pozitiv. Assesi, mendoj unë, nuk mund të lejohet e as të pranohet, në emër të tolerancës; tjetërsimi, inferioriteti, përbuzja, nënçmimi, fyerja e shumicës apo, siç e heton dhe quan, pak më butë, një Akademik i joni si tejshquarje e njërës vetëdije fetare[2]. Shoqëria Islame, e cila përbëhet nga shumë kombe dhe kultura të ndryshme, ka pasur një qytetërim të përbashkët dhe një identitet të përbashkët, në një farë mase, pavarësisht nga ekzistenca e dallimeve-diversiteteve midis anëtarëve të saj. Mendoj se edhe është e mundur të specifikohen burimet e këtyre ngjashmërive kulturore, të cilat duken jashtëzakonisht të dukshme në një shkallë globale.
Sot evropianët, masa dërmuese, e kanë të definuar identiteti e tyre fetar, kombëtar dhe shtetëror shumë qartë dhe bindshëm, ku barazia ndëretnike, toleranca ndërfetare dhe multikultura kanë qenë dhe mbeten të domosdoshme. Po ndodh dhe, nuk është aspak e vështirë që të vërehet, se nganjëherë shprehja e vetëdijes fetare, vende-vende e kohë pas kohe, po sendërtohet përmes tejshquarjes, tejtheksimit, tejvlerësimit të ndonjë besimi karshi besimeve të tjera. Përkatësia multifetare, përpos që e bën më të pasur dhe më të përbërë identitetin fetar, mund të ndodhë ndonjëherë, ta bëje edhe më të plogshëm, natyrisht, në qoftë se ndonjëra prej këtyre feve do të favorizohej, e posaçërisht prej institucioneve politike e shtetërore, siç po ndodh kohë pas kohe në disa vende evropiane. Islami nuk pranon dhe nuk duhet t’i nënshtrohet pikëpamjes së inferioritetit, duke humbur individualitetin e as identitetin e tij në asnjë shoqëri e asnjë shtet modern.
Nuk ka dyshim se Qytetërimi islam dhe normat morale juridike islame, janë të përbashkëta dhe unike për gjithë besimtarët myslimanë anekënd botës, pa kufizim kohe apo hapësire. Do theksuar edhe këtu se një nga burimet dytësore të Sheriatit Islam është “Urfi”– Traditat e një populli, për deri sa ato nuk janë në kundërshtim me parimet burimore islame, kjo edhe për t’u ruajtur identiteti dhe përkatësia, qoftë edhe përmes traditës dhe zakoneve, duke pasur parasysh ndryshimin e pozitave dhe shkallën e veprimit sipas këtyre normave e mësimeve. Islami pranon dallimet dhe diversitetet e qytetërimeve lokale dhe specifikat vendore, kur merren parasysh ndryshimet e natyrave të popujve që i përkasin Islamit, natyrat e vendeve të ndryshme, natyrat e sistemimeve qeverisëse si dhe pozitave gjeografike, përkatësive kombëtare, dokeve, traditave etj.
Edhe pse struktura politike dhe ekonomike e qytetërimit islam, në nivel global, herë pas here ka përjetuar tronditje; edhe pse myslimanët brendapërbrenda lëkundjeve, që i ka sjellë rendi i ri botëror, herë-herë, duke rënë në pozitë të injorimit të fesë së vet, duke rendur pas lakmive, që janë të largëta nga thelbi i fesë së tyre, fuqia e Islamit për të ndikuar te besimtarët, vazhdon të jetë shumë e madhe edhe në kohën aktuale.
Problemet dhe sfidat me të cilat përballen myslimanët emigrantë në Perëndim, janë të shumta dhe të llojllojshme dhe nisin e shfaqen në forma të ndryshme, që nga ato personale, individuale, familjare, kombëtare, racore, e deri në nivel komuniteti e shoqërie. Myslimanët emigrantë, brezi i dytë e në vazhdim, që po adaptohet në Evropë, janë në një rrezik në mes të asimilimit, ku ata mund plotësisht të shkrihen në mesin-shoqërinë në të cilën ata ndodhen, dhe, nga ana tjetër, të izolimit në bashkësinë vetanake, në grupime pa ndonjë integrim të rëndësishëm, në shoqërinë në të cilën jetojnë.
Si një problem i theksuar, këtu nuk përjashtohet edhe përgjegjësia jonë. Dhe, mendoj që e vetmja gjë, në rastin konkret, që mund të ruajë dhe të shpëtojë identitetin myslimanëve dhe përkatësinë e tyre, qoftë fetare apo kombëtare, posaçërisht ndaj brezave të ardhshëm që po lindin, zhvillohen, shkollohen, edukohen në Evropë, duhet të jetë integrimi i mirëfilltë në shoqërinë ku jetojnë dhe mësimi e jetësimi i identitetit të tij dhe të përkatësisë. Të gjithë emigrantët në vend të huaj, që kanë fituar statusin e qëndrimit në atë vend, e kanë për detyrë dhe duhet të mësojnë gjuhën e vendit ku ata jetojnë, duhet të respektojnë ligjet e të drejtat e vendit në të cilin ata jetojnë dhe punojnë, por, gjithsesi, duhet të ruajnë e jetojnë fenë dhe kulturën e vet autoktone, gjithnjë në frymën e dialogut, tolerancës dhe bashkëjetesës me të tjerët.
Në mars 2018, Kancelarja Gjermane-Merkel, pas takimit me kryeministrin e Suedisë, Stefan Löfven, mbajti një konferencë për media ku iu përgjigj pyetjes së një gazetari lidhur me atë se çfarë mendon për deklaratën e ministrit të Brendshëm, Horst Seehofer, se “Islami nuk i përket Gjermanisë”, ku ajo tha:
“Shtetin tonë në masë të madhe e ka formësuar krishterimi. Edhe judaizmi ka lënë gjurmë. Por, në ditët tona tanimë në Gjermani jetojnë 4 milionë myslimanë. Pra, edhe myslimanët i përkasin Gjermanisë si dhe feja e tyre Islami. Ne kërkojmë një Islam në bazë të kushtetutës dhe që i përshtatet kushtetutës…”, theksoi Merkel.
Sipas fakteve të mirënjohura, komuniteti mysliman në Evropë përbën komunitetin me moshën më të re në kontinent. Megjithatë ky komunitet ka problemet e veta. Një numër i madh i të rinjve myslimanë përballen me kriza identiteti, i cili endet ndërmjet kulturës së prindërve të tyre dhe të ambientit ku ata rriten. Si rrjedhojë, ngjallja dhe qëndrueshmëria e Islamit në Evropë duhet të ngrihet mbi këtë kontekst.
Është edhe një realitet që duhet cekur dhe duhet ta ketë në mendje çdo mysliman se, përkatësia dhe qytetërimi islam nuk mund ta kryejë rolin e ndikimit në qytetërimin njerëzor-botëror, nëse bëhet imitues, vjedhës apo viktimë e qytetërimeve të tjera. Ai duhet të ketë një shkallë të lartë të zhvillimit shpirtëror, shoqëror, kulturor e material e jo imitues i verbër i të tjerëve, sepse, siç ka thënë Muhammedi a.s.:
“من تشبه بقوم فهو منهم”
“Kushdo që e imiton një popull ai është prej tyre”[3](ai llogaritet si i tjetërsuar dhe lehtë mund të asimilohet). Imituesi i të tjerëve nuk mund ta ruajë identitetin dhe përkatësinë e vet, e lëre më t’i joshë popujt e tjerë ta përvetësojnë atë! Ndikimi mund të arrihet vetëm nëse myslimani beson bindshëm se qytetërimi i tij është i pavarur, me identitet dhe përkatësi të posaçme, hyjnor, qiellor, i vlefshëm për çdo kohë e vend, i ngritur mbi baza të forta, i mbështetur në Kur’anin dhe hadithet e Pejgamberit a.s.
Është imperativ i kohës që Islami sot të interpretohet, në atë mënyrë që t’i përshtatet kohës dhe vendit në të cilin jetojmë, njëkohësisht, duke mos kapërcyer principet dhe parimet themelore te fesë, por gjithnjë duke u mbështetur mbi bazën e normave ligjore, të dala nga burimet themelore, dhe të mësimeve morale islame. Thënë ndryshe, është e domosdoshme që të lexojmë, të mësojmë, të studiojmë në vazhdimësi Kur’anin dhe Synetin e Pejgamberit, por edhe të lirohemi nga mendimet e ngurta që janë grumbulluar gjatë shekujve të kaluar.
Duhet vënë theksi në atë se nevojat elementare të arsimit fetar, në kuptimin më të ngushtë, nisin me edukimin fetar të fëmijës në familje. Mësimi fetar në shkollë do t’u ndihmojë fëmijëve dhe rinisë që sa më lehtë dhe sa më bukur të shoqërohen me moshatarët e vet, të kuptojnë më mirë dhe të respektojnë prindërit e vet, të mësojnë për sjellje të bukur e qytetëruese, të kuptojnë rëndësinë e familjes, miqësisë, humanizmit dhe dashurisë. Dashuria prindërore, kushtet për zhvillim normal, gjuha e nënës, prejardhja gjenealogjike, identiteti dhe përkatësia fetare e kombëtare, janë detyrimet e para që çdo prind duhet t’i jetësojë në rrethin e ngushtë familjar te brezi i ri. Sa më e fortë të jetë lidhja familjare, aq më e madhe dhe më e fuqishme është lumturia e saj, po aq shtohen, në kohën e sotme, edhe detyrimet, obligimet e problematikat e saj. Sot duhet të ofrojmë përgjigje për çështjet bashkëkohore që kanë nevojë apo i mundojnë myslimanët, e posaçërisht brezin e ri.
Pejgamberi a.s. në lidhje më këtë është prononcuar: “Në çdo brez që do vijë njerëzit e drejtë do ta transmetojnë këtë dije me radhë….”, “Kjo dije është feja, prandaj, kini kujdes nga kush e merrni atë…”
Ndërsa mesazhi i Aliu r. a. për edukimin e fëmijëve ishte:
رَبُّوا اَوْلادَكُمْ على غير ما درجتم عليه لأنهم مخلوقون الى زمان غير زمانكم.
“Edukoni fëmijët tuaj përtej asaj që jeni edukuar ju, ngase ata janë krijuar në një kohë përtej kohës tuaj.”[4] Apo siç shprehej Haxhi Vehbi Dibra, para tetëdhjetë e sa vjetësh, “…me ndërrimin e kohës ndërrojnë edhe gjykimet.”[5]
Por edhe praktika e zakonshme e modernistëve, duhej të ndërtohej mbi respektin e mos akuzimin e fesë, aq më tepër Islamit, por ta drejtojnë kritikën drejt fanatikëve. Është fanatizmi tek autoritetet fetare që i ka zënë frymën lëvizjes shkencore islame, dikur shumë madhështore, e sidomos lirisë së mendimit e të fjalës së lirë.
Pejgamberi a.s., në një rast tha: “Njeriu që merret me njerëz dhe nuk u bën padrejtësi atyre; dhe bisedon me ta dhe nuk i gënjen; dhe bëri një besëlidhje me ta dhe nuk e thyen atë, një person i tillë është një zotëri i përsosur; dhe ndershmëria e tij dihet (dhe pranohet) dhe vëllazëria e tij vlen të kërkohet.”[6]
Ndarja e popujve, feve apo kulturave në aziatikë e evropianë, ka konotacione të racizmit, qoftë racizmit nacional apo religjioz. Tani, duket sikur dikush po harron se pozita gjeostrategjike e tokave tona në Evropë, në të cilat kemi jetuar e do të jetojmë, dhe përbërja multifetare e popujve në këto troje, duhet të na bëjnë të mendojmë se fati ynë historik është i paracaktuar për të sendërtuar zbutjen e kundërshtimeve mes Lindjes e Perëndimit.
Duhet hequr etiketimi se Islami na qenkësh fe antievropiane dhe antiperëndimore, kur dihet se trualli i të tri feve monoteiste është i njëjti (Orienti) dhe vetë shpalljet hyjnore janë unike. Mesazhi kur’anor porosit:
قُلْ يَا أَهْلَ الْكِتَابِ تَعَالَوْا إِلَىٰ كَلِمَةٍ سَوَاءٍ بَيْنَنَا وَبَيْنَكُمْ أَلَّا نَعْبُدَ إِلَّا اللَّـهَ وَلَا نُشْرِكَ بِهِ شَيْئًا وَلَا يَتَّخِذَ بَعْضُنَا بَعْضًا أَرْبَابًا مِّن دُونِ اللَّـهِ*
“Thuaju (o Muhamed): “O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: të mos adhurojmë tjetër pos All-llahut, të mos i shoqërojmë Atij asnjë shok, të mos konsiderojmë njëri – tjetrin zotër pos All-llahut!”[7](Kur’an, 3:64)
Rrjedhimisht, edhe Islami i shqiptarëve duhet të pranohet ashtu siç është në të vërtetë: përqafim i Shpalljes Hyjnore, e cila askujt nuk i imponohet me dhunë, por e cila vërtet nuk mund të mposhtet nga asnjë ideologji dhe nga asnjë luftë që i bëhet. Duhet kuptuar se ka ardhur koha të mos injorohet identiteti aktual fetar i shqiptarëve. Në pajtim me këtë, duhet të pranohet edhe kontributi vendimtar i dhënë nga shqiptarët myslimanë në krijimin dhe zhvillimin e identitetit shqiptar dhe në zhvillimin e gjithmbarshëm shqiptar në këta shtatë shekujt e fundit.
Pra, të bëhemi pjesë e familjes evropiane dhe botërore, që synon ndërtimin e një qytetërimi të bazuar në këto vlera, jo e Evropës egoiste, e as e Lindjes së prapambetur tani, por e asaj Evrope, që nuk vuan nga fobia prej një bashkëjetese multikulturore dhe multireligjioze, dhe së cilës nuk i pengon që edhe Islami të jetë pjesë e rëndësishme e jetës dhe zhvillimit të ardhshëm dhe që të mësohet edhe në shkollat shtetërore të Evropës. Ta jetësojmë thënien e Volfgang Petriç në New York Times: “edhe Islami është pjesë e traditës evropiane”.
Kjo do të thotë, sikurse në të kaluarën edhe sot, por edhe në të ardhmen, myslimanët do ta kenë rolin e tyre në formësimin e së ardhmes së Evropës. Islami është edhe grupi i dytë më i madh fetar në Evropë.[8] Në Evropë tanimë jetojnë afër 45 milion myslimanë, popullatë e cila përbën gjashtë për qind të popullsisë së përgjithshme.
“Nuk ka paqe mes kombeve pa paqe mes feve. Nuk ka paqe mes feve pa dialog midis feve. Nuk ka dialog ndërmjet feve pa një studim themelor të feve”.(Hans Küng)[9]
Por tani, njerëzve të këtyre trojeve, e jo vetëm, por edhe botës në përgjithësi, po ju kanoset, sipas meje, një e keqe tjetër, jo më pak e rrezikshme se ideologjia komuniste. Është kjo një ideologji, që në emër të qytetërimit modern, njerëzve po ju ofrohet, e në njëfarë mënyre, po ju imponohet që të jetojnë gjithnjë më ngjashëm, të shkollohen e edukohen gjithnjë e më njësoj, të mendojnë e flasin për gjëra gjithnjë e më të përbashkëta, të vishen e të ç’vishen ngjashëm, të argëtohen e të festojnë ngjashëm, për mos të thënë njësoj, duke i anashkaluar, qëllimisht, specifikat që i dallojnë një popull nga tjetri, duke mos veçuar një qytetërim nga tjetri, duke abuzuar një kulturë karshi tjetrës, duke anashkaluar një qytetërim karshi tjetrit, duke favorizuar një fe karshi tjetrës, dhe të gjitha këto bëhen në emër të qytetërimit modern-bashkëkohor e që po e emërtojnë globalizëm.
Çështja e ruajtjes së identitetit dhe përkatësisë fetare, kombëtare e kulturore të myslimanëve në Perëndim është një çështje substanciale, dhe posaçërisht e rëndësishme, siç u tha më lart, për gjeneratën e dytë dhe të tjerët në vijim të myslimanëve në Evropë. E vërteta është se, nga të gjitha komunitetet emigrante, një pjesë e tyre, herët a vonë, është në rrezik për tu asimiluar. Për këtë realitet duhet të jemi të gatshëm edhe ne shqiptarët. Asimilimi i fëmijëve tanë në Perëndim është një proces që tashmë është duke ndodhur. Tani brezi i dytë dhe i tretë i emigrantëve, lidhja e të cilëve me familjen dhe me atdheun nuk është aq e fortë, kanë probleme me identitetin, përkatësinë fetare, por edhe me gjuhën amtare, e të cilët gjithnjë e më shumë po identifikohen dhe personifikohen me vlerat e vendit në të cilin kanë lindur, po shkollohen dhe jetojnë.
Duhet theksuar edhe kjo se, ne shqiptarët, që kemi dy fe (Islamin dhe Krishterimin) me disa konfesione fetare, paraqesim një shembull karakteristik dhe shumë të avancuar në botën e qytetëruar për tolerancë fetare dhe mirëkuptim ndërfetar.
Th. Arnold për këtë problem thekson: “Ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve shqiptarë nuk ekziston kurrfarë antagonizmi edhe kjo ka vazhduar në breza të tërë. Faktori i besimit nuk ka qenë përçarës ndërmjet tyre.”[10]
Vlen të nxjerrim në pah dhe të theksojmë gjithashtu se, shqiptarët, në të kaluarën, nuk u tjetërsuan, por u bënë ballë përpjekjeve për t’u trajtuar si rum, grekë latinë, sllavë apo turq.[11]
Duhen nxjerrë mësime të dobishme nga përvojat e dy mijëvjeçarëve të shkuar, duke e ruajtur identitetin fetar e kombëtar. Ta zëmë, gjuha shqipe, e cila mbahet si argumenti më i fuqishëm i identitetit kulturor e kombëtar te ne shqiptarët, në të ardhmen mund të margjinalizohet edhe nga vetë shqiptarët, të cilët, nën presionin e globalizimit, integrimit dhe modernitetit, do të parapëlqejnë të flasin e të shkruajnë në gjuhë të tjera si: anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, greqisht, dhe krejt kjo, ndoshta në emër të modernes.
Këto do tё ishin pikat kryesore që nuk duhen pranuar nga qytetërimi bashkëkohor dhe në bazë të tyre ta ngrinim projektin tonë qytetërues islam të shpresuar.[12]
Në këtë pikëpamje sociologu francez dhe studiues i njohur mbi modernitetin, Alain Tourain, në veprën e tij “Kritika e modernitetit”, thotë:
“Shoqëria moderne nuk është ajo që shfuqizon të kaluarën dhe besimet, por ajo që transformon të vjetrën në moderne duke mos e shkatërruar atë…”
Në përfundim të themi edhe këtë se çdo shoqëri, patjetër, duhet të ketë kujtesë kolektive për identitetin fetar e kombëtar, që nënkupton historinë dhe kulturën kolektive, e kjo vlen edhe për Islamin. Humbja e kujtesës kolektive, apo shpërbërja e saj, do të ishte një rrezik i madh për mbijetesën e një shoqërie, ngase asnjë shoqëri nuk mund të ekzistojë dhe të ndërtojë të ardhme fatlume, pa pasur një kujtesë kolektive mbi të kaluarën.
[1]. Kur’ani, surja Et-Tijn, ajeti 4.
[2]. Rexhep Qosja, Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare, “Forumi Shqiptar”, 10 shkurt, 2006.
[3]. Sunen Ebi Davud, hadithi 3530 (Hadith Sahih).
[4]. Hadi Nasir Seid El-Bakir, “El-Hiuaru El-Mutemeddin”, nr. 2506,
[5]. Gazmend SHPUZA, “Rëndësia dhe Mesazhi i Kongresit Mysliman Shqiptar të vitit 1923”, PERLA –Revistë shkencore, Kulturore tremujore,Viti XI 2006, nr. 2 (41) Botuesi: Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” Tiranë
[6]. Biharu El-Enuari, vol. 75.
[7]. Kur’ani, surja Al ‘Imran, ajeti 64.
[8]. Sipas një studimi të Qendrës Kërkimore të vitit 2011, në botë ishin 49 shtetet në të cilat myslimanët ishin shumicë.
[9]. Dr. Hans Küng ishte presidenti i Fondacionit për Etikë Globale (Weltethos). Prej vitit 1960 deri në daljen e tij në pension, në vitin 1996, ai ishte profesor i Teologjisë dhe Drejtor i Institutit për Hulumtime të Përgjithshme në Universitetin e Tübingenit.
[10]. Shaqiri, Artan “Rritja e përgjegjësisë individuale dhe shoqërore nëpërmjet edukatës fetare”, “Edukata Islame”, nr. 70, f. 221, Prishtinë, 2003.
[11]. Gazmend Shpuza, “Rëndësia dhe Mesazhi i Kongresit Mysliman Shqiptar të vitit 1923”, PERLA –Revistë shkencore – Kulturore tremujore, Viti XI, 2006, nr. 2 (41) f. 102-117, Botuesi: Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” – Tiranë.
[12]. Marrë nga libri “Hyrje në projektin tonë civilizues” f. 43-49, nga autori Xhemal Sultani.
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...