Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Oct 22, 2019 Zani i Nalte Studime 0
nga Fatos A. Kopliku, Washington DC, SHBA
Abstrakt
Figurat madhore shpirtërore të njerëzimit si Moisiu, Lao Tze-ja, Krishti e Muhamedi nuk morën përsipër të themelonin akademi arti, shkencash, apo ushtarake. Përparësia dhe përgjegjësia e tyre ishte shndërrimi i shpirtrave nga bakri në ar, nëse përdorim fjalorin e alkimisë, pasi ashtu si pastrohet bakri e përftohet ar i kulluar, ashtu edhe shpirtrat kur dëliren, bëhen “të bukur”, “të përsosur”. Pastaj çfarëdo del nga të tillë njerëz është në të vërtetë “në shëmbëlltyrën e Qiellit”, qoftë art, arkitekturë, artizanat, shkencë… e shërben si përkujtim i Zotit. Artet islame mund të ndahen në dy: ato të penës e të fyellit. Të parat zgjojnë mallin e njeriut drejt Botës së Ideve, siç shkruante Platoni, ose botës së përfytyrimit, ʿalem el-khajāl-in e kozmologjisë islame. Të dytat janë reagimi i njeriut ndaj manifestimeve që i zgjojnë vetëdijen. Të parat janë shkëndija drite, të dytat janë prush zjarri. Një art i tillë i kujton njeriut shtëpinë e vërtetë që la pas e ku do të kthehet, Parajsën, e sjell një aromë prej trojeve të saj që koha s’mund t’i prekë duke i lehtësuar barrën e mërgimit. Arti është i vërtetë për sa kohë përkrah përsiatjen e ndihmon shpirtin të çlirohet nga çakordimi që e ka pllakosur qysh se ra syrgjyn në këtë botë e të ujdiset sipas harmonisë së qëmotshme, jehonë e harmonisë së vetë Parajsës.
Zoti është i Bukur dhe e do të bukurën.[1]
A mund ta shohim një këmishë hajmali që vishej nën parzmore – si ato të sulltanëve osmanë, safavidë, moghulë, apo magribinë – si objekt me vlerë të lartë artistike, ndërsa i mohojmë vlefshmërinë; në këtë rast mbrojtjen në fushë të betejës?[2] (Fig. 1) A mundet një vepër të jetë e zbrazur nga domethënia ndërsa bart vlerë artistike? Pavarësisht nëse anashkalohet apo jo, kjo është dilemë[3] e vërtetë për çdo muze, qoftë edhe në rastin e ish-muzeut ateist në Shqipëri, pasi vetë përzgjedhja e artefakteve, dëshmon se ato janë të denja për ekspozitë.
Eruditi i pashoq indian, Ananda K. Coomaraswamy[4], me të drejtë shtronte pyetjen se, me ç’arsye ekspozojmë vepra arti nëpër muze.[5] Nuk bëhet fjalë për ekspozita artistësh që jetojnë; kjo e fundit do të ishte thjesht reklamë për t’i gjetur treg artistit. Atëherë, pse marrim mundimin të shfaqim punime artizanati apo të lashtësisë, të paprekshme pas xhamave, që u krijuan për të përmbushur nevoja ndryshe nga tonat? Pse të shohim objekte ritualesh të cilave u dyshojmë vlefshmërinë ndërsa ua lartësojmë vlerën artistike?
Arsyeja për këtë të fundit na thuhet se është edukimi. Por, nëse duam të jemi të sinqertë se ky është qëllimi ynë, pikësëpari duhet të rrokim qasjen e këtyre autorëve ndaj artit, domethënien që bart për ta. Kësisoj, nëse duam të kuptojmë se për çka bëhet fjalë në këto vepra s’mund t’i drejtohemi mendësisë, shijeve e hamendjeve moderne, sipas të cilave “arti bëhet për hatër të artit,” për të “ngacmuar shqisat”, apo për të “shprehur vetveten.”
Platoni, shkrimet e të cilit dijetarët e urtarët myslimanë i konsideronin të frymëzuara aq sa shpesh i referoheshin si Eflaṭun el-ilahi (“i hyjnishmi” Platon)[6], e pat përmbledhur gjithë teorinë e artit pre-modern me një fjali: Bukuria është shkëlqim i të Vërtetit! Një botëvështrim platonik është më se i përshtatshëm për qasjen ndaj artit islam, sepse sipas formulës së tewhīd-it, Nuk ka zot përveç Zotit (lā ilāhe il-lā Allāh), çka nënkupton mes të tjerash se gjithashtu nuk ka bukuri përveç Bukurisë. Pra, Bukuria është shkëlqim i të Vërtetit, me terma islame do të thotë, të sjellësh ndërmend Realitetin ose të Vërtetin (Ḥakk), pasi ajo është shpalosje (texhel-lī) e Tij. Në këtë shkrim përqendrohemi te tradita islame, e kësisoj, termat islame janë më të pranishme, por parimet për të cilat flasim janë të aplikueshme në çdo religjion tradicional.[7]
Një art e ka hak emrin vetëm kur bëhet sipas modeleve arketipore të Botës së Ideve, siç thotë Platoni, apo me ‘alem el-khajāl ose ‘alem el-mithāl (botën e përfytyrimit) të kozmologjisë islame.[8] Një art i tillë i kujton njeriut shtëpinë e vërtetë që la pas e ku do të kthehet, vetë Parajsën, e sjell një aromë prej trojeve të saj, që koha s’mund t’i prekë duke i lehtësuar barrën e mërgimit. Arti është i vërtetë vetëm nëse përkrah përsiatjen, duke ndihmuar kështu shpirtin të çlirohet nga çakordimi që e ka pllakosur qysh se ra syrgjyn në këtë botë e të ujdiset sipas harmonisë së qëmotshme, jehonë e harmonisë së vetë Parajsës.
Arti si rikujtim është qasje shumë e lashtë, në fakt është akohore. Hermes Trismesgistus-i (tre herë i nalti Hermes) që tekstet klasike islame e identifikojnë me Profetin Idris[9] e autor të teksteve të njohura si Corpus Hermeticum, na tregon: “A nuk e di ti Asklep se Egjipti është sipas shëmbëlltyrës së Qiellit, në fakt, e thënë më shkoqazi, është pasqyrimi këtu poshtë i çdo rregulli që sundon Qiellin?”[10] Me një fjalë, në një qytetërim tradicional, si ai i Egjiptit të lashtë, jo veç arti, por arkitektura, orenditë, veshjet, gjestet – çdo gjë – është sipas modeleve hyjnore, të cilat për nga vetë natyra e tyre na kujtojnë Autorin e tyre. Kësisoj, në një shoqëri të tillë doemos çdo vepër arti e saj është e njomur nga hiri e bereqeti hyjnor. Sipas Platonit arti i qytetërimit grek, në kohën e tij, kishte pësuar degradim intelektual, pasi nuk bëhej më sipas modeleve arketipore dhe ai nuk e fsheh admirimin për artin e Egjiptit pikërisht për këtë.[11]
Për Hinduizmin, për shembull, është e qartë se çdo art ka origjinë hyjnore, pasi në thelb është imitim i artit të deva-ve[12] qoftë në krijimin e një “elefanti terakote, orendi bronzi, petk, stolie të artë, apo karrocë mushke.”[13] Devat nuk janë tjetër, por engjëjt në fjalorin e feve Abrahamike. Ndërsa në Krishterim Zoti krijoi njeriun “sipas shëmbëlltyrës së Tij” (Zanafilla 1:27), e pa dyshim imazhi kryesor është ai i Krishtit, Fjalës Hyjnore që zbriti e “u bë mish” (Gjoni 1:14) dhe i Virgjëreshës së Shenjtë. Zanafilla e ikonave është e rrënjosur në legjenda, si ajo e shëmbëlltyrës së Krishtit të vulosur në shaminë e Mbretit Abgar të Edesës[14] (v. 40), prototipi i imazhit akeiropoetos (“jo i bërë nga duar njerëzore”; shih fig. 2). Këto nuk janë portrete natyraliste, por imazhe të njeriut të transformuar e të mbështjellë nga hiri hyjnor. Për t’i qëndruar besnik këtij modeli, artistët tradicionalë të krishterë, përveç rregullave e kanoneve artistike, praktikonin agjërim, përkorje, e lutje të vazhdueshme për t’u zbrazur nga çdo gjurmë e egos së tyre e të ktheheshin në penel të frymëzimit hyjnor. Është synimi i artit të krishterë ta kthejë e ngrejë njeriun drejt Zotit, duke pasur Krishtin si model.
Me një fjalë, veprat e artit që i shohim pas kutive të xhamit në muze nuk janë bërë për atë qëllim. Një ikonë bizantine, një maskë afrikane rituali, një çini e ravijëzuar me proverba të shkruara në kaligrafi kufi… u krijuan që t’i shërbejnë njeriut në jetën e përditshme, si nga ana praktike po ashtu dhe shpirtërore; kjo e fundit e lidhur ngushtë me rikujtimin e burimit të këtij arti, e përfundimisht me zgjimin e njeriut nga topitja e jetës mondane. Vepra të tilla përfundimisht kthjellojnë mendjen e lejojnë sytë e zemrës të shohin botën si pasqyrë e realiteteve shpirtërore; ato nuk u krijuan për sallat e muzeumeve.
Duhet të shtojmë dy fjalë për arkitekturën në veçanti. Ajo ka rëndësi të madhe meqë, si një petk mbi trup, ajo mbështjell njeriun e shoqërinë e ka fuqinë të krijojë kontekstin e duhur ku rikujtimi (dhikr) i Zotit është i natyrshëm e spontan. Arkitektura tradicionale e Beratit apo Prizrenit, ose e lagjeve akoma të ruajtura në qytete si Stambolli në Turqi, Sana’a në Jemen,[15] Isfahani në Iran, apo Fezi në Marok[16] sjellin akoma jehonë të një “shëmbëlltyre të Qiellit” me gjuhën e Islamit. Qytete si Siena në Itali apo Benares në Indi në mënyrë të ngjashme sjellin shëmbëlltyra qiellore me gjuhën e Krishterimit dhe Hinduizmit, përkatësisht. Si pasojë e mësymjes së modernitetit, e betonarmesë bashkë me të, për fat të keq shumica e qyteteve në botë sot nuk mund të thuhet se janë në shëmbëlltyrë të Qiellit, pasqyra të arketipeve hyjnore. Madje, edhe në qytetin e shenjtë të Islamit, Mekë, në dekadat e fundit arkitektura tradicionale është pothuajse rrafshuar në emër të progresit, modernitetit, e biznesit, dhe vendin e saj e kanë zënë godinat shumëkatëshe. Nga këndvështrimi tradicional religjioz kjo do të thotë se është krijuar një hapësirë urbane ku është kollaj të harrohet Zoti, diçka me pasoja serioze për ata që banojnë në të, si në këtë botë edhe në tjetrën.
Arti islam si shpalosje e tewḥīd-it e përkujtues i tij
Shumë është shkruar për burimin e artit të Islamit, por të gjitha qasjet mund të ndahen në dy grupe. Në të parin janë ata që për shekuj me radhë e shohin artin islam si kanal vaditës të hirit hyjnor, të krijuar me frymëzim e me rol providencial udhëzues në traditën e Islamit. Në të dytin janë orientalistët, myslimanët e reformuar, dhe të ashtuquajturit “fundamentalistë”. Orientalistët, edhe pse kanë ofruar shpjegime të ndryshme, në parim bien dakord (me disa përjashtime)[17] se arti i Islamit është thjesht një konglomerat huazimesh nga Persia, Bizanti, India, e të tjera vende. Në thelb, argumenti vazhdon, Islami s’mund të ketë lindur ndonjë art, pasi ajo është fé e thjeshtë e arabëve nomadë e gjysmë-nomadë, kështu që arti i saj mund të ishte veç i importuar, bashkë me finesën, sofistikimin, e domethënien e vet. Myslimanët e reformuar e modernizuar zakonisht përsërisin të njëjtat argumente, ndërsa për fundamentalistët, që deklarojnë se po kthejnë Islamin në origjinën e vet arti s’ka vend në Islam, është thjesht një risi (bid’at), që duhet çrrënjosur nëse duam t’i kthehemi Islamit të pastër e burimor.
Mirëpo, ajo çka dëshmojmë bie në kundërshtim me tezat e orientalistëve e puritanëve të vetëshpallur, pasi është kthjelltësisht e qartë se, pavarësisht nga epoka e gjeografia, ky art bart vulën e kryeparimit të Islamit, atë të tewḥīd-it, Njëshmërisë Absolute të Zotit. Qoftë në intimitetin e ngrohtësinë e Xhamisë së Et’hem Beut, qoftë në prehjen solemne të asaj Blu në Stamboll, qoftë para Taxh Mahalit në Agra të Indisë, e cila rri si një vegim hyjnor i trupëzuar në mermer të bardhë, është e vështirë të dëshmohet më qartë një ide si ajo e Unitetit Hyjnor. Shumësia e larmishme e arabeskave e shpalosja e formave gjeometrike, bashkë me vetë hapësirën brenda xhamive të tilla kanë një pikë, një burim prej nga rrjedhin; majën e kubesë. Ashtu si një mal që, sado madhështor e vigan, ka vetëm një majë, një pikë të vetme që puqet me qiellin e paanë, ashtu edhe maja e kubesë është pika prej nga të gjitha format gufojnë e përfundimisht kthehen. Shejh Ahmed Alawīu (v. 1934), një figurë madhore shpirtërore në Afrikën e Veriut,[18] na kujton se vetë Kur’ani, Fjala e Zotit në Islam, fillon me një pikë nën germën bā (ب):
Gjithë çka është në Librat e shpallur është në Kur’an, dhe gjithë çka është në Kur’an është në Fātiḥa, dhe gjithë çka është në Fātiḥa është në Bismi ‘Lāhi ‘Rraḥmāni ‘Rraḥīm” dhe “Gjithë çka është në Bismi ‘Lāhi ‘Rraḥmāni ‘Rraḥīm është në germën Bā’, e cila përmbahet në pikën nën te.[19]
Tewḥīd-i është ide e thjeshtë e njëkohësisht abstrakte – si pasojë vështirë të preket a shihet – por arti i Islamit, duke përjashtuar çdo lloj ikone apo imazhi[20], krijon një heshtje vizuale dhe një zbrazëti të ravijëzuar nga stolisjet gjeometrike, duke e bërë atë të ndjeshme si një puhizë që sjell një aromë myshku, së cilës nuk ia dyshojmë praninë edhe pse nuk e shohim. Këtu duhet të theksohet se abstraksioni modern është krejtësisht në antitezë me atë islam, pasi kanë burime krejtësisht të ndryshme, diçka që pasqyrohet qartë te frytet që japin. I pari buron nga racionaliteti njerëzor krejtësisht i shkëputur nga drita e shpalljes e krijon parafabrikatet, betonarmetë, e godinat shumëkatëshe të veshura në xham, ndërsa i dyti buron nga soditja e arketipave të botëve shpirtërore e pasqyrohet në krijimin e Taxh Mahalëve, Xhamive Blu, apo Oborreve të Alhambrës[21] (fig. 3). Ndërkohë kujtojmë se shembujt që morëm nga arkitektura kanë paralelet e tyre në letërsi, kaligrafi, muzikë, veshje[22]… arti islam nuk është i pranishëm vetëm në xhamitë madhështore, përkundrazi haset në sfera të ndryshme të jetës.
Çka synon arti i Islamit? Për një çast le të imagjinojmë njerëz që ngrenë shtëpi në tre vende me klimë të ndryshme: në Arktik shtëpinë e ngrenë me blloqe akulli, në shkretëtirë do të ngrenë çadër me mure shajaku të leshtë, e nëse banojnë në mal do të ngrejë kullë të gurtë. Synimi, në këtë rast ndërtimi i shtëpisë, është i njëjti pavarësisht se rrethanat e lënda e përdorur janë të ndryshme. Gjithmonë duke marrë parasysh larminë e mjedisit etnik e gjeografik, në mënyrë të ngjashme arti i Islamit – qoftë pamor, zanor, artizanal apo arkitekturor – me gjuhën e vet të veçantë e gjithmonë synon të shprehë tewḥīd-in. Arti i Islamit në Arabi, Spanjë apo në Ballkan mund të ketë përdorur lëndë e teknika të ndryshme, por synimi ka qenë gjithmonë i njëjti; shpalosja e Unitetit Hyjnor në larmi e kthimi i larmisë në Unitet.
Qasjet moderniste, e në veçanti ato të historianëve të ndikuar nga marksizmi, e reduktojnë lindjen e artit islam (e jo vetëm) në varësi të kushteve shoqërore, politike, e ekonomike të një kohe të caktuar. Nëse i kthehemi analogjisë së mësipërme, një qasje e tillë e shpjegon lindjen e dëshirës (apo nevojës) për të ndërtuar shtëpi në bazë të klimës, blloqeve të akullit, thatësirës së shkretëtirës, e bollëkut të gurëve në mal; mos të kishte akull apo gurë askush nuk do të mundte të dëshironte një shtëpi. Kjo është përmbysje e katër arsyeve të Aristotelit, sipas të cilit qëllimi mbetet arsyeja finale pse diçka bëhet apo krijohet.[23] Sipas tij, për kuptuar pse bëjmë një tryezë, p.sh., ka katër shpjegime: ai material, lloji i drurit, pastaj ai formal, skica e tryezës, pastaj vepruesi, marangozi, e në fund është qëllimi, në këtë rast drekimi ose darkimi. Shkaku final lihet në heshtje, ose edhe mohohet, sot në arsimin modern pasi merret si e qenë se bota, shoqëritë, e njeriu janë produkt i rastësive; qoftë nga përzierja e molekulave dhe segmentet e gjeneve, qoftë nga forca të papërvetshme shoqërore e politike. Me një fjalë, shpjegimet reduktohen kryesisht te shkaku i parë i Aristotelit, ai material.
Nga këndvështrimi islam shpjegimi që tewḥīd-i buroi nga rrethana e shkaqe të caktuara është i papranueshëm, pasi Zoti është Origjina e çdo gjëje, jo kushtet historike. Janë këto të fundit ato që latohen në bazë të Idesë Eprane nëpërmjet së cilës Zoti manifeston Veten e rreth së Cilës një qytetërim tradicional lind e zhvillohet për sa kohë i qëndron besnik kësaj Ideje. Për Islamin, që e sheh veten si shpalljen e fundit, kjo ide është tewḥīd-i, e si rrjedhojë çdo gjë islame, përfshirë artet, buron nga ajo, e jo ideja e tewḥīd-it nga kushtet shoqërore, politike, e ekonomike të një periudhe të caktuar. Arti tradicional i Islamit, duke shpalosur tewḥīd-in shërben si përkujtim (dhikr), sepse, sipas doktrinës islame, njeriu, nga vetë natyra, është i prirë ndaj harresës (ghafleh), e duke përkujtuar Zotin ai njëkohësisht zgjon brenda vetes natyrën e tij të qëmotshme (fitrah), pasi njeriu harron se kush është kur harron Zotin.[24]
Pena e Fyelli
Zoti do të t’japë çfarë të kërkosh.
Çfarëdo qoftë aspirata jote, ajo do të bëhesh,
se ‘zogu fluturon me krahë, kurse besimtari me aspiratë’[25]
Artet islame mund të ndahen në dy llojesh: ato të penës e ato të fyellit. Të parat e ndihmojnë njeriun të kujtojë Realitetin prej nga vjen, të dytat janë mjete të udhëtimit në rrugën e kthimit (me’ad) drejt Tij, dhe i korrespondojnë intelektit e mallit të dashurisë, harkut e zbritjes (el-kews en-nūzūlī) e të ngjitjes (el-kews es-sū’ūdī), përkatësisht. Po pse zgjimi i mallit qenka kaq i rëndësishëm, e pse u dashka të kenë mall njerëzit për Parajsën e Zotin?
Sipas doktrinës islame, Zoti e krijoi njeriun, i dha trajtë e i fryu në të nga Shpirti i Tij (Kur’an, 32:9), ose siç thotë Profeti Muhamed, “Zoti e krijoi njeriun në shëmbëlltyrën e Tij.”[26] Kjo shkëndijë hyjnore që e ka vatrën në zemrën e njeriut është natyra e qëmotshme (fitra)[27], e cila ekziston që para ardhjes së njeriut në botë. Po zemra është ajo që bart Besën e Elestit, dëshmia që çdo njeri dha kur Zoti i pyeti, “A nuk jam Zoti juaj? (elestu bi-rabbikum)” Ata u përgjigjën: “Po, me të vërtetë e dëshmojmë.” (Kur’an, 7: 172). Zemra e bart këtë besë, këtë amanet: Ia ofruam amanetin qiejve, Tokës, e maleve, por ato s’e pranuan dhe e patën frikë, kurse njeriu e pranoi. Me të vërtetë, njeriu u tregua i padrejtë dhe i paditur. (Kur’ani, 33:72). Fjalët në fund të vargut kur’anor i referohen njeriut, që shpesh egoja e veset i krijojnë perde pas perdesh, i verbojnë zemrën, dhe e shtyjnë të harrojë besën e Zotin.[28]
Sa më e pranishme të jetë egoja aq më e verbër dhe e ngurtësuar është zemra. Sipas Kur’anit melhemi i të dyjave është përkujtimi (dhikr); Vërtet, në përkujtimin e Zotit zemrat gjejnë prehje (13:28). Përkujtimi është prehje ngaqë qëron ndryshkun nga pasqyra e zemrës,[29] e cila kur pastrohet kujton se ç’bart me vete, amanetin që toka e qiejt s’mund ta mbanin, vulën e frymës së shëmbëlltyrës së Tij. Meqë Zoti është i Bukur dhe e do bukurinë, një art që na e kujton Atë bëhet përkujtim, e zgjon mall në zemër. Ky është në fakt misioni i artit të vërtetë.
Në Krishterim Fjala e Zotit bëhet mish, d.m.th. është vetë Krishti. Si rrjedhojë është e natyrshme që arti i ikonave të Fjalës së Tij është suprem në traditën e arteve të krishtera.[30] Kurse në Islam Fjala e Zotit zbret si libër kështu që kaligrafia është, pas këndimit të Kur’anit, arti suprem i Islamit. Në zemër të këtij arti është pena, një nga simbolet më të rëndësishme kur’anore, përmendur që në pesë vargjet e para të Shpalljes që thonë se Zoti e mësoi njeriun nëpërmjet penës (kalem), I mësoi atë që nuk e dinte (Kur’an, 96: 3-4). ‘Abdul Kerim Xhiliu (v. 1424), autor i një prej kryeveprave klasike të Islamit, El-Insanu’l-Kamil (Njeriu i Përsosur), tregon se sipas Pejgamberit, ““[g]jëja e parë që Zoti krijoi ishte Pena,” si edhe “[g]jëja e Parë që Zoti krijoi ishte Intelekti.” Kështu, Pena është Intelekti i Parë…”[31]
Kalemi në dorën e kaligrafit është simbol i Intelektit Universal (‘Akli Kul-li), i asaj Pene Qiellore që shkruan në Rrasën e Ruajtur (Lewḥ ul-Maḥfūẓ) realitetet shpirtërore (el-ḥāka’ik), e kjo botë është teatri mbi të cilin hijet e tyre pasqyrohen pafundësisht. Mësimi i kaligrafisë fillon me pikën e transformimin e saj në të tjera germa (shih fig. 4 & 5). Kaligrafia buron dhe është tejzgjatje e një pike (nukta), ashtu siç i gjithë kozmosi është tejzgjatje e një fjale: “Bëhu” (Kun).[32] Kjo fjalë simbolizon pikën e parë të bojës që pikon nga Pena, nga Intelekti Universal,[33] e po kësaj pike Imam Aliu i referohet kur thotë se e gjithë dituria është një.[34] Është me vend të vërehet se, mes të tjerash, kaligrafia si art e gjurmon zanafillën e vet tek Imam Aliu, i katërti nga kalifët e drejtudhëzuar (el-khulefāʾu rāshidūn), e simbol i fisnikërisë shpirtërore islame;[35] pra natyrshëm e paralel me zanafillën e arteve në traditat e religjioneve të botës, edhe në Islam, origjina e arteve është e përshpirtshme.
Doemos, jo të gjitha artet islame shpalosin kaq direkt e kthjelltazi Unitetin Hyjnor si kaligrafia, por, sidoqoftë parimi i arteve islame buron nga kjo pikë e mistershme, nga kjo perlë e paçmueshme, nga kjo vezë e artë, që bart farën e thesareve të panumërta hyjnore. Ato janë të panumërta, sepse Zoti nuk e përsërit kurrë Veten në veprimtarinë e Tij krijuese pasi është i Pafundëm në Urtësinë e Fuqinë e Tij. Kur’ani thotë: Sikur të gjithë pemët të ishin kalemë, e deti bojë, shtuar nga shtatë të tjera dete, prapë Fjalët e Zotit nuk do të shterroheshin (31:27). “Nuk ka përsëritje në Vetë-shpalosje [Hyjnore]” (lā tekrār fi’t-texhelī) thotë shpesh Ibn ‘Arabiu (v. 1240)[36] – një nga figurat madhore intelektuale e shpirtërore të qytetërimit islam – diçka që pikat, vijat, e harqet e kaligrafisë islame e pasqyrojnë në larminë e tyre të pafundme.
Në shqip fjala “këndim” sjell vërtet ndërmend tinguj e melodi, por njëkohësisht akoma ruan edhe kuptimin e “leximit” si në shprehjen “shkrim e këndim”. Kështu që shprehja “këndim i Kur’anit” rrok edhe leximin prej njeriut se çka i mëson Pena Hyjnore e njëkohësisht melodinë me të cilën ai ose ajo reagon ndaj saj. Kur’ani përdor fjalën ājet (shenjë) për vargjet e njëkohësisht edhe për fenomenet e natyrës; ajo është plot me ājet-e që i ftojnë njerëzit t’i “këndojnë.” Te një shpirt sadopak i ndjeshëm, si Fjala Hyjnore, si natyra, kur “këndohen” zgjojnë diçka. Si arti par excellence islam kaligrafia ka po ashtu këtë detyrë. Ajo është hark zbritës (el-kews el-nūzūlī),[37] litar i mëshirës hyjnore që njerëzit të zgjohen e të kenë mall për Shtëpinë e tyre të vërtetë, Parajsën, brí së cilës kanë komshi vetë Zotin. Mirëpo, si zgjohet ky mall?
Kur Pena i mëson njeriut se asgjë, veç Zotit, nuk ka Bukuri (Xhemāl), asgjë veç Zotit nuk ka Madhni (Xhelāl), asgjë veç Zotit nuk është Realitet (Ḥakk), zemra e njeriut zbrazet nga dritëhijet e iluzionet e egos, simbolizuar në letërsinë klasike të Islamit me enën ose kupën bosh, në të cilën Zoti derdh eliksirin e dijes e dashurisë. Ahmed Sam’aniu (v. 1140), pinjoll i një familje dijetarësh shafi’i të Mervit (në Turkmenistanin e sotëm), në veprën e tij Prehje e Shpirtrave (Rewh el-erwah), mes të tjerash shkruan: “Prijësi i Besimtarëve, ‘Aliu r.a., thotë: “Zoti ka enë në tokën e Tij, e me të vërtetë ato janë zemrat.” … Zemra është si një enë, por një enë plot me ujë s’ka ajër. Po ashtu edhe zemra kur është e zënë me tjetër gjë veç Hakk-ut, fjalët e të Padukshmes nuk hyjnë në të.”[38] E Padukshmja këtu i referohet botëve shpirtërore. Nga një tjetër këndvështrim zemra-kupë-e-zbrazët bëhet zemra-fyell simbolizuar nga kallami i zbrazët. Një e tillë zemër është fyelli, të cilit Fyelltari, Zoti vetë, i bie. “Kur pashë Gjykimin e Tij gjykimin tim të shtrembët tej e flaka. U bëra fyell i Tij e vaj në buzët e Tij” thotë Rumīu, ose “nëse jam plot me frymë është ngaqë jam një fyell e Ti je Fyelltari”[39] (fig. 6).
Motivi i fyellit haset edhe në tradita të tjera, si në Greqinë e Lashtë[40] apo Indi, dhe ia vlen të përmendim këtu një histori të Krishna-s, avatarit të tetë në Hinduizëm, i cili paraqitet shpesh me një fyell në dorë. Kur Radha, gruaja e tij, e pyet se pse e do këtë fyell të gdhendur nga një kallam bambuje më shumë se atë, ai i thotë se “këtë fyell e kam shumë për zemër. Ka bërë shumë vepra (karma) të mira sa ka arritur te buzët e mija. Është zbrazur nga egoja e vet, nga brenda bosh e prandaj mund të krijoj prej tij çdo tingull. Nëse e zbraz dhe ti egon tënde si ky fyell, atëherë edhe unë do të dua ashtu si atë.”
Me një fjalë, ashtu si tingujt e vërtetë dalin nga një kallam i zbrazët malli i vërtetë del nga një zemër e dëlirë. Ky mall, kjo melodi vaji, kjo muzikë është harku ngjitës (el-kews el-ṣū’ūdī) që e çon njeriun aty ku synon. Çdo të thotë se burimi i saj është në zemër?
Siç tregohet në hadithin e njohur të Xhibrilit, feja (dīn) ka tre dimensione: islam (dorëzim), iman (besim), dhe ihsān (virtyt). I pari udhëzon besimtarin a besimtaren se çka duhet të bëjnë (namaz, agjërim, etj.), i dyti se çka duhet të besojnë (Zotin, engjëjt, profetët…), i treti se çka duhet të jenë; ose mund të themi se i pari i drejtohet nevojave të trupit, i dyti të mendjes, e i treti të zemrës.[41] Ndërsa fjala ihsan bart shumë nuanca – të vërehet se ndan të njëjtën rrënjë me hasan, husejn, hasanat, muhsin… – ajo do të thotë “të bësh diçka bukur” ose “të përsosur.” Për të arritur këtë zbrazja nga egoja është parakusht, dhe përfundimisht dëlirja e shpirtit (tezkiyet en-nefs) është suksesi vetë sipas Kur’anit (91:7-9). Për myslimanët qasja për arritjen e këtij suksesi ka qenë e mbetet ajo e Profetit Muhamed, modeli i njeriut të përsosur (el-insānu’l-kāmil) nga i cili virtyti ose përsosuria (ihsān) gufon natyrshëm. Nga shpirtrat e dëlirësuar çdo veprim është i bukur, vetvetiu, pasi ata janë bërë tashmë objekt i vargut Zoti i do ata (5:54) e kur Zoti i do Ai bëhet të Dëgjuarit me të cilin ata dëgjojnë, të Pamurit me të cilin shikojnë, Dora me të cilën rrokin, e Këmba me të cilën ecin.[42]
Hadithi i mirënjohur na lejon të kuptojmë se arti i mirëfilltë islam lind dhe buron nga ihsani, se arti i zemërdëlirëve në thelb ka autor Zotin, ata janë thjesht penë në Dorën, e Fyell në Buzët e Tij. Ibn ‘Arabiu thotë se kur njeriu “e zbraz zemrën nga mendimet shpërhapëse dhe ulet si i varfri te dera e Zotit të vet, me asgjë, atëherë Zoti do t’i dhurojë e do t’i japë nga dija e Tij, misteret hyjnore, dhe shkencat e hyjnishme.”[43] Nuk është vështirë të vërehet ngjashmëria me vargun biblik “lum të varfrit në shpirt se e tyre do të jetë mbretëria e qiejve” (Mateu, 5:3). Në këtë kontekst duhet të shihet lindja e shkencave e arteve në Islam, përfshirë muzikën; ato janë dhurata hyjnore për njerëzimin, që zbritën nëpërmjet zemrave të dëlira. Një muzikë e tillë është hark i ngjitjes (el-kews el-ṣū’ūdī), është muzikë malli që është zgjuar falë dëlirjes.
Për muzikën në Islam nuk ka pasur asnjëherë një konsensus të plotë – providencialisht – pasi muzika, tingulli, është një thikë me dy presa falë fuqisë së saj të jashtëzakonshme. Vëllezërit e Dëlirësisë (Ikhwān el-Safā’),[44] një grup dijetarësh në Basra (Irak), që në shekullin e 10të lanë një përmbledhje madhore enciklopedike mbi shkencën, filozofinë, e artin me ndikim të pamasë në shekujt në vijim të titulluar Ligjëratat e Vëllezërve të Dëlirësisë (Resā’il Ikhwān al-Safā’), shkruajnë se “zërat e tingujt ritmikë kanë fuqi të frymëzojnë njerëzit të ndërmarrin punë të rënda e vepra të vështira…” Të tjera përdoren “për të nxitur popuj të tërë në luftë” ose “zgjojnë mllefe të fjetura e trazojnë gjakftohtët duke i ndezur me zemëratë”. Por ka gjithashtu “ritme (elḥān) e melodi (naghamāt) që paqësojnë furinë e zemëratës, shkrijnë armiqësi, sjellin paqe, e krijojnë mirëdashësi.”[45]
Që tinguj të ndryshëm kanë efekte të ndryshme ka dëshmi plot. Foshnjat magjepsen e bien në gjumë, jo me marshe luftarake, por me ninulla, ndërsa ushtarët janë përgatitur historikisht për betejë nën tingujt e daulleve e trumbetave e jo harpave e violinave. Vlen të përmenden jeniçerët, të cilët formuan bandat e para muzikore ushtarake në histori të njohura me emrin Mehter.[46] Ose vërejmë se filmat kanë gjithmonë muzikën e përshtatshme në sfond; një skenë romantike humbet vlerën, ose kthehet në qesharake nëse i vihet një sfond muzike nga një skenë dueli e një filmi me kauboj apo një muzikë funerali.
Vëllezërit e Dëlirësisë shtojnë se artet, përfshirë muzikën, u krijuan nga “urtarët përmes urtisë së tyre”.[47] Këta “urtarë të hyjnishëm” e përdorën “muzikën në tempuj e shtëpi adhurimi për të zbutur zemra e zgjuar shpirtrat e shkujdesur nga gjumi mospërfillës e dremitjet përtace…e t’i shpëtonin nga fundosja në detin e dynjasë.”[48] Por njeriu duhet të jetë i matur, theksojnë ata, sepse kur dëgjon muzikë me një shpirt ku janë zgjuar orekset epshore ajo “do ta tërheqë poshtë”, por nëse dëgjon me shpirt “të lirë nga dëshirat” e “të paprekur nga rëndomësia”, atëherë do të rikujtosh me mall “botën e lartë e fisnike shpirtërore.”[49] Sufiu i hershëm Dhū’l-Nun Misriu (Egjiptiani) po ashtu tërheq vëmendjen për rrezikun e qasjes së gabuar ndaj muzikës: “Dëgjimi (semā’) është ndikim hyjnor që e gjallon zemrën të shohë kah Allahu; kushdo që dëgjon shpirtërisht arrin tek Allahu, ata që dëgjojnë sensualisht bien në herezi.”[50] Arsyeja pse muzika është “ndaluar në disa ligje profetike është ngaqë njerëzit e kanë përdorur ndryshe nga të urtët, në fakt për dëfrime boshe e për të nxitur dëshira për kënaqësitë e kësaj bote e argëtimet e saj çoroditëse,”[51] vërejnë Vëllezërit e Dëlirësisë.
Qasja ndaj muzikës në Islam e ka ruajtur ambivalencën e vet, e pikërisht kjo e fundit ka luajtur një rol të rëndësishëm, duke shërbyer si paralajmërues i vazhdueshëm se sa kollaj muzika mund të rrëshqasë e humbasë kthjelltësinë e rolin e vet. Në Perëndim është më vështirë të gjesh muzikë tradicionale të krishterë, por në sajë të kësaj ambivalence muzika tradicionale islame akoma është më se e pranishme dhe e gjallë. Ndërsa të ndërgjegjshëm për këtë veçori të muzikës popujt myslimanë kanë zhvilluar një traditë të stërpasur muzikore: muzika andaluziane e sjellë nga myslimanët e dëbuar nga Spanja e që akoma mbijeton, muzika klasike arabe me qendrën e saj në Kajro, muzika klasike perse me lirikën e saj të papërsëritshme falë vargjeve të poetëve si Rumīu e Ḥāfeẓ-i (v. 1390), muzika klasike turke ku spikasin kompozimet e shehut mevlevi Ismail Dede Efendisë (v. 1846), e patjetër muzika klasike e Indisë së Veriut me mjeshtër si Ustadh Bismilah Khan (v. 2006) që e gjurmojnë traditën e tyre te Amīr Khusrevi (v. 1325), muzikanti e poeti shenjtor i Delhit. Në Shqipëri shumë këngë të Isuf Myzyrit (v. 1956) meritojnë vend të veçantë pasi kanë temë shpirtërore, megjithëse ai nuk është i vetmi që krijoi muzikë të tillë.[52]
Përfundime
Figurat madhore shpirtërore të njerëzimit si Moisiu, Lao Tze-ja, Krishti, e Muhamedi nuk morën përsipër të themelonin akademi arti, shkencash apo ushtarake. Përparësia dhe përgjegjësia e tyre ishte shndërrimi i shpirtrave nga bakri në ar, nëse përdorim fjalorin e alkimisë,[53] pasi ashtu si pastrohet bakri e përftohet ar i kulluar, ashtu edhe shpirtrat kur dëliren bëhen ihsān, “të bukur,” “të përsosur.” Pastaj, çfarëdo del nga të tillë njerëz është në të vërtetë “në shëmbëlltyrën e Qiellit,” qoftë art, arkitekturë, artizanat, shkencë… e shërben si rikujtim i Zotit.
Neglizhimi ndaj këtyre arteve tradicionale të vaditura nga hiri hyjnor rrezikon shndërrimin e arkitekturës, muzikës, letërsisë, çdo gjëje që na rrethon, në një kakofoni zanore, pamore, e psikologjike, në një shëmbëlltyrë të përmbysur të Qiellit ku shpirti e Zoti s’kanë vend. Kur një vepër arti buron e latohet nga dëshirat e trillet e egos ajo e ngacmon shpirtin drejt hutimit e jo drejt Parajsës e Lumturisë. Në vend të aspiratës për lart shpirtrat e mendjet degdisen në labirinte të nëndheshme, nga një kthesë në tjetrën, pa mundur të gjejnë dalje e dritë. Nuk mbaron me kaq: një bishë legjendash, Minotauri, na rrëfen mitologjia greke, rri në pritë e shumica e njerëzve bien pré pasi nuk janë heronj të lindur si Tezeu e të pajisur me ndihmë të hyjnishme si filli i artë i Ariadnës që i mundësojnë të gjurmojë daljen.[54] Nga pikëpamja tradicionale, e cila ka përparësi njohjen e Zotit e shpëtimin e shpirtrave, një dije, veprimtari, apo art i tillë e ka humbur rolin e vet, e kësisoj edhe legjitimitetin për të ekzistuar.
Fig. 1: Këmishë hajmali moghule, Indi, shek 16të, Muzeu Metropolitan i New York-ut
Fig. 2: Një model ikone akeiropoietos nga piktori rus i ikonave Simon Ushakov (1658).
Fig. 3: Oborri i Luanëve në Alhambra, Spanjë
Fig. 4: Diagrame kaligrafike të gërmave elif dhe ‘ajn bazuar mbi raportet e pikes dhe si tejzgjatje e saj.
Fig. 5: Sureja e parë, Fātiha-ja, në stil kaligrafik muhakkak (titujt në kufi), Kairo, Egjipt, shek. XIV.
Fig. 6: Dervish mevlevi me nej (fyell)
[1]. Hadith, Muslim, 91.
[2]. Shih p.sh., Behnaz Atighi Moghadam, A Warrior’s Magic Shirt, Victoria and Albert Museum, 2015. https://www.vam.ac.uk/blog/projects/guest-post-a-warriors-magic-shirt. Këmishat hajmali (talisman) e gjurmojnë origjinën te këmisha që Jusufi (Josef) i Egjiptit mbante në shtat dhe e mbronte nga të ligat e vështirësitë. Po ashtu besohet se kishte fuqi shëruese siç është rasti i kthimit të dritës së syve të Ja’kubit (Jakob): “Merreni këmishën time e fshini sytë e tim eti me të: atij do t’i vijë shikimi” (Kur’an, 12:93).
[3]. Në fakt, kjo është dilemë tipike e kohëve moderne, e nuk kufizohet vetëm në muze: një poezi, libër, këngë… a mund të ketë vlerë artistike pa tejçuar ndonjë të vërtetë?
[4]. Studiuesi tjetër erudit gjerman Heinrich Zimmer, emrin e të cilit bart katedra e Indologjisë në Universitetin e Heidelbergut në Gjermani, shprehej për Coomaraswamy-n se “është i vetmi që më fut vërtetë në një kompleks inferioriteti sa herë i lexoj një artikull.”
[5]. Ananda K. Coomaraswamy, “Why Exhibit Works of Art?,” Studies in Comparative Religion, Vol. 5, nr. 3, 1971.
[6]. Për shembull, mendimtari dhe filozofi i njohur Fārābīu (v. 950) titullon një nga veprat e tij Kitāb el-xhemʿ bejne reʾjej el-hakimejn Eflatūn el-ilāhī we Aristū (Pajtim i opinioneve të dy urtarëve, të “hyjnishmit” Platon dhe Aristotelit).
[7]. “Traditë” ose “tradicional” i referohet tërësisë së parimeve me origjinë hyjnore, të cilat thurin cohën e një qytetërimi, duke e kthyer të tërin në një përkujtim të paprerë të asaj Origjine, temë që autorë si René Guénon (ʿAbdul Wāhid Jahjá) e kanë trajtuar thellësisht e kthjelltësisht; Shih René Guénon, Introduction to the Study of the Hindu Doctrines, trans. Marco Pallis (London: Luzac & Co., 1945), Kreu 3, “What is Meant by Tradition?” pp. 87-91; Seyyed Hossain Nasr, Knowledge and the Sacred (Albany, NY: State University of New York Press, 1989), kreu 2, “What is Tradition?”
[8]. Për ta shpjeguar këtë term të rëndësishëm në kozmologjinë islame, iranologu i njohur frëng Henry Corbin përdori termin mundus imaginalis (botë imagjinale) për ta dalluar nga trilli apo diçka pa substancë realiteti, siç kuptohet fjala ‘imagjinatë’ sot. Shih H. Corbin, Alone with the Alone: Creative Imagination in the Sufism of Ibn ‛Arabī, përk. R. Mannheim (Princeton: Princeton University Press, 1997), William C. Chittick, The Sufi Path of Knowledge: Ibn Al-Arabi’s Metaphysics of Imagination (NY: SUNY Press, 1989), ff. 112pp.
[9]. Shih “Hermes and Hermetic Writings in the Islamic World” në Seyyed Hossein Nasr, Islamic Life and Thought (IL: ABC International Group, 2001), ff. 102-119.
[10]. Corpus Hermeticum, Asklepi III, 24b.
[11]. Shih Ligjet, 657ab, 665c, 700c.
[12]. Fjala sanskrite dev është rrënja e fjalëve si divus, deus, apo theos në gjuhët Indo-Evropiane, dhe i referohet “qiellores, hyjnores, të përndriturës,” siç edhe në shqip “yll” (ose “hyll”) dhe “hyj” ndajnë të njëjtën rrënjë.
[13]. Aitareya Brâhmana, V. 27.
[14]. Emri i sotëm i qytetit të Edesës është Urfa, që gjendet në Turqinë juglindore.
[15]. Fatkeqësisht bombardimi i vazhdueshëm nga Arabia Saudite ka dëmtuar jashtë mase arkitekturën islame të Sana’asë, vlerat e së cilës janë njohur edhe nga UNESCO-ja si trashëgimi e vyer e njerëzimit.
[16]. Ndoshta shembulli më i qartë i një qyteti thelbësisht islam nga ana arkitekturore është Fezi në Marok. Vepra nga Titus Burckhardt Fez: City of Islam (Islamic Texts Society, 1992) jep një portret arkitekturor, psikologjik, e shpirtëror të këtij qyteti, ku çdo rrugicë, dritare, e oborr shpalos me anë të një arti të pakrahasueshëm arketipat hyjnore.
[17]. Studjues si Titus Burckhardt, Jean-Louis Michon, ose Annemarie Schimmel kanë argumentuar se arti i Islamit buron dhe vaditet prore nga Kur’ani dhe Tradita Profetike.
[18]. Shih Martin Lings, A Sufi Saint of the 20th Century: Shaikh Ahmad al-’Alawī, His Spiritual Heritage and Legacy, 2nd ed. (CA: University of California Press, 1971).
[19]. Cit. nga Martin Lings, Symbol and Archetype: A Study of the Meaning of Existence (KY: Fons Vitae, 1991), f. 125. Po aty, Lings shton se “Këto hadithe i citon ‘Abdul-Kerim el-Xhiliu në fillimin e komentimit të tyre el-Kahf we’r-rakim, që përbën thuajse me siguri pikënisjen e trajtesës së Shejh ‘Alawīut.”
[20]. Islami nuk ndalon imazhet kategorikisht, siç e dëshmon prania e artit të miniaturës, por tradicionalisht ato nuk kanë qenë asnjëherë stolisje në xhami, medrese apo teqe. Gjithashtu, miniaturat nuk janë art pararendës i pikturës siç kuptohet në Perëndim, por kryesisht paraqesin botët e ndërmjetme imagjinare (mundus imaginalis), ose ‘alem al-khajal-in e filozofëve myslimanë, të cilat kanë status ontologjik e nuk janë sajesa fantazie. Shih, “The World of Imagination and the Concept of Space in Persian Miniature” në Seyyed Hossain Nasr, Islamic Art and Spirituality (NY: SUNY Press, 1987).
[21]. Shih parathënien nga S. H. Nasr të librit Titus Burckhardt, Arti i Islamit: Gjuha dhe Kuptimet (Shkup: Logos A, 2012).
[22]. Shih Fatos A. Kopliku, ‘Petk i Trupit, Petk i Shpirtit,’ Zani i Naltë (2018), nr. 22.
[23]. Shih Fizika II, 3 dhe Metafizika V, 2 të Aristotelit.
[24]. Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten! (Kur’an, 59:19).
[25]. Mewlānā Xhelāl ed-Dīn Rumīu, Fihi ma fihi, 77-89.
[26]. Buhari 6227; Muslim 2612, 2841.
[27]. “Çdo fëmijë lind me fitrën e vet. Më vonë prindërit e kthejnë në të krishterë, çifut, ose zoroastrian.” Hadith, Buhari 1292; Muslim, 2659.
[28]. Kur’ani i referohet shpesh verbimit ose ngurtësimit të zemrës si pararendëse të harrimit të Zotit. Shih p.sh. ajetet: 2:74, 9:87, 16:22, 59:19. Ajetet kur’anore në këtë shkrim janë shqipëruar nga anglishtja nga autori pas konsultimit me disa përkthime, mes të tjerëve atij të Pickthall-it, Arberry-t, dhe Asad-it. Përkthimet në shqip kanë akoma mjaft hapësirë për përmirësim, për mendimin tonë.
[29]. Profeti Muhamed thotë: “Për çdo gjë ka pastrim, e pastrimi i zemrës është përkujtimi (dhikr) i Zotit”, Hadith, Ahmedi, 4:352.
[30]. Edhe pas sekularizimit masiv të artit në Perëndim, piktura akoma mbetet arti më i njohur e i vlerësuar. Zanafilla e kësaj përparësie të pikturës në artet perëndimore gjendet te përparësia e artit të ikonës në Krishterim.
[31]. Cit. nga Lings, Symbol and Archetype, f. 130, sh3. “Gjëja e parë që Zoti krijoi ishte pena. Ai krijoi rrasën dhe i tha penës ‘Shkruaj!’ Pena u përgjigj: ‘Çka të shkruaj?’ Ai tha: ‘Shkruaj dijen Time për krijimin Tim deri në ringjallje!’ Atëherë, pena përvijoi çfarë ishte urdhëruar.” Hadith, Abu Daud, 4700; Tirmidhiu 2155.
[32]. Po! Ai është Krijuesi i çdo gjëje dhe i Gjithëdijshmi! Vërtet, urdhri i Tij, kur Ai dëshiron diçka, është që t’i thotë asaj “Bëhu!” – dhe ajo bëhet. (Kur’an, 36:81-82).
[33]. Shih kreun VII, ‘Simbolizmi i Germave të Alfabetit’ në Lings, A Sufi Saint, 1971.
[34]. “E gjithë dituria është një, por të paditurit e shumësuan” (el ‘ilmu nuktatun keththereha-l xhahilun), cit. nga Mahmud Erol Kılıç, Tasavvufa Giriş (Istanbul: Sufi Kitap, 2012), f. 175. Shumësimi i referohet dijes që i kujton degët të shkëputura nga trungu, germat të pavarura nga pika, botës së veçuar nga Zoti.
[35]. “[E]dhe nëse roli i tij themelues në zhvillimin e një sërë vargu shkencash është i diskutueshëm — si jurisprudenca (fikh), teologjia (kelām), komentimi i Kurʾanor (tefsīr), retorika (belāgha), gramatika (neḥw) and kaligrafia (khaṭṭ), dija mistike e lidhur ngushtë me Sufizmin, po ashtu edhe të shkencave sekrete si numerologjia (xhafr) dhe alkimia (al-kīmijāʾ) — fakti që ai konsiderohet nga autoritetet e mëvonshme në ato fusha si dhënësi i shkëndijës së parë të atyre shkencave tregon për ndikimin depërtues e të gjerë të mësimeve dhe rrezatimit të tij shpirtëror.” Reza Shah-Kazemi, Justice and Remembrance: Introducing the Spirituality of Imam ‘Ali(London: I.B. Tauris, 2006), f. 12.
[36]. Kjo aksiomë është qendrore për Ibn ‘Arabiun e në përgjithësi shumicën e teologjisë islame. Shih William C. Chittick, Ibn ‘Arabiu Trashëgues i Profetëve, shqip. parath. & shën. Edin Q. Lohja (Tiranë: Zemra e Traditës, 2012).
[37]. Shih “The Spiritual Message of the Islamic Calligraphy” në Nasr, Islamic Art and Spirituality, f. 24.
[38]. Cit. nga William C. Chittick, Divine Love: Islamic Literature and the Path to God (New Haven: Yale University Press, 2013), f. 125.
[39]. Diwāni Shems, 17044 dhe 16830, përkatësisht. Cit. nga William C. Chittick, The Sufi Path of Love: The Spiritual Teachings of Rumi (NY: SUNY Press, 1989), f. 272. Po me këtë simbol Mewlānā e fillon Mesnevinë: “dëgjo nejin si rënkon, rrëfenjën e ndarjes duke treguar.” Vlen të përmendet se hyrja e Mesnevi-së ka 18 vargje, duke simbolizuar gjithashtu 18 germat në arabisht të Bismilahi Rrahmani Rrahim. Neji është një lloj fyelli i gjatë, i gdhendur nga kallami, me origjinë tepër të lashtë e që përdoret akoma sot.
[40]. Kujtojmë Orfeun, muzikant legjendar i lashtësisë që e mësoi këtë art nga vetë Apoloni, i cili “për priftërinjtë e priftëreshat e lashtë të Delfit, … nuk është zot i dritës por Drita e Zotit.” Martin Lings, The Sacred Art of Shakespeare: To Take Upon Us the Mystery of Things (Vermont: Inner Traditions, 1998), hyrje.
[41]. I referohet ngjarjes kur kryeengjëlli Xhibril (Gabriel) vjen si një udhëtar e takon Profetin Muhamed mes shokëve të tij, i bën disa pyetje e bisedon me të, e më vonë ikën. Profeti më vonë u thotë shokëve të tij të hutuar se udhëtari ishte Xhibrili, që erdh t’u mësojë fenë. Për një studim të detajuar të Islamit si shpalosje e këtij hadithi shih William C. Chittick & Sachiko Murata, Vizioni i Islamit (Tiranë: Fondacioni Rumi, 2008). Praktika e besimit është specialitet i juristëve, të menduarit në suazën e besimit i teologjisë (jo vetëm kelam-it por edhe formave të tjera të saj), ndërsa zemra e vetëdija në harmoni me besimin ka qenë historikisht specialiteti i sufive.
[42]. “Nuk ka gjë më kënaqëse për Mua, si mjet që robi Im të Më afrohet, sesa adhurimi që ia kam bërë të detyrueshëm; dhe robi Im nuk resht së Mu afruari me adhurime të shtuara vullnetarisht prej tij gjersa ta dua; dhe kur e dua, Unë jam të Dëgjuarit me të cilin dëgjon, të Pamurit me të cilin shikon, Dora me të cilën rrok dhe Këmba me të cilën ecën.” Hadith, Buhari, Rikak 37.
[43]. Futuhat al-Mekkijeh, I 31.4, cit. nga Chittick, Ibn ‘Arabiu, f. 48. Termi kyç këtu është “i varfër” (fakir) marrë nga vargu kur’anor Zoti është i Pasuri e ju jeni të varfrit (47:38).
[44]. Arsyen e kësaj organizate apo vëllazërie ato e tregojnë me këto fjalë: “Arsyeja pse Vëllezërit e Dëlirësisë mblidhen është ngaqë secili e sheh dhe e di që vetëm nuk mund të arrijë mirëqenien në këtë botë e suksesin e shpëtimin në tjetrën pa bashkëpunimin me shokun e vet.” Rasa’il, Cairo, 1928, IV, 218. Cit. nga Seyyed Hossain Nasr, Introduction to Islamic Cosmological Doctrines, rev. ed (Thames & Hudson, 1978), f. 30.
[45]. Epistles of the Brethren of Purity: On Music, An Arabic Critical Edition and English Translation of Epistle 5, ed. & trans. Owen Wright (Oxford University Press, 2010), ff. 78-79.
[46]. Marshi Turk i Mozartit ose ai i Bethovenit dëshmojnë për ndikimin e kësaj muzike në kontinentin evropian.
[47]. Po aty, f. 80. Mes të tjerëve ata përmendin edhe Pitagorën (v. 475 p.e.s) e lashtësisë.
[48]. Po aty, f. 123.
[49]. Po aty, f. 167.
[50]. Cit. nga Jean-Louis Michon, Introduction to Traditional Islam: Foundations, Art, and Spirituality (IN: World Wisdom, 2008), f. 92. Michon, njohës i shkëlqyer i traditës islame, i kushton një kapitull të veçantë temës së muzikës në qytetërimin islam.
[51]. Po aty, ff. 124-125.
[52]. Për shembull, Ashikët e Xërxës në Kosovë janë një grup folklorik që këndojnë ilahi me çifteli, kurse një nga artistët e rinj të ndikuar nga temat shpirtërore islame është Petrit Çarkaxhiu (grupi Jericho); vlen të përmendet “Kanga e Ashikëve.” Gjithashtu edhe shumë këngë folklorike, e në veçanti disa të eposit të kreshnikëve, bartin mesazhe me përmbajtje të thellë shpirtërore, një temë që shpresojmë ta shtjellojmë në të ardhmen.
[53]. Shpesh shkruhet se alkimia ka pasur qëllimin shndërrimin e metalit bakër në ar. Mirëpo kjo është diçka që alkimistët e vërtetë e përbuznin dhe i quanin “qymyrdjegës” ata që kërkonin të studjonin alkemi me këtë qëllim. Bakri i papastër simbolizon shpirtin e trazuar nga pasionet e egos, e ari gjëndjen e tij pasi dëliret. Për më shumë shih Titus Burckhardt, Alchemy: Science of the Cosmos, Science of the Soul, rev. ed (Fons Vitae, 1997) ku mes të tjerash flet edhe për ndikimin e alkimisë islame në atë perëndimore.
[54]. Armët e artefaktet e magjishme që u dhurohen heronjve në legjenda nuk janë tjetër por simbole të Emrave Hyjnorë që heronjtë u bëjnë thirrje, e fitorja ndaj përbindshave është kthimi me ngadhnjim nga Xhihadi i Madh, lufta ndaj egos, siç thotë Profeti Muhammed. Shih Martin Lings, Symbol and Archetype, kreu 9. Tezeu hyri në labirintet e Minosit e vrau Minotaurin e mundi të gjejë daljen falë fillit të artë që i dha Ariadna, bija e mbretit.
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...