Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Oct 09, 2019 Zani i Nalte Personalitete 0
nga Prof. dr. Njazi Kazazi, Didakt i Gjuhës Shqipe
1. Hyrje:
Prof. dr. Vehbi Hoti është një figurë e shquar e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, të cilëve) u ka kushtuar një jetë të tërë. Që nga viti 1965 e gjer më 2018, plot 53 vjet pa ndërprerje i është përkushtuar arsimit në përgjithësi, posaçërisht arsimit të lartë për 49 vjet si pedagog i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Prof. dr. Vehbi Hoti, 1966
Pak nga jeta:
Lindi në Shkodër më 06.04.1942. Arsimin parauniversitar e kreu në vendlindje. Me 1965 u diplomua në Universitetin e Tiranës në degët Biologji – Kimi dhe Pedagogji.
Është nga një familje qytetare me tradita dhe kontribute në fusha të ndryshme të veprimtarisë, veçanërisht në atë arsimore.
Disa muaj para përfundimit të studimeve universitare, nga ministri i Arsimit, Thoma Deliana, iu komunikua emërimi në Tiranë ku me 1 gusht 1965 fillon punën në Sektorin e Pedagogjisë në Institutin e Studimeve dhe Botimeve Shkollore në Tiranë. Në shkurt të vitit 1966 u transferua si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik (ILP) Shkodër (sot Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”).
Nga 1977-1981, në kuadrin e asaj që emërtohej “qarkullim”, që në thelb ishte arsye biografike pasi burri i tezes së tij, Hafiz Salih Myftia, ish-Kryemyfti i Shkodrës, me të birin ishin të arratisur politik, largohet nga ILP-ja si mësues në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Shejnaze Juka” dhe emërohet metodist në Kabinetin Pedagogjik të Rrethit Shkodër. Në shtator 1981 rikthehet në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ku edhe qëndron deri në daljen në pension në vitin 2013, duke vazhduar si pedagog i jashtëm gjer në vitin akademik 2018.
3. Kontribute në fushën e punës mësimore dhe shkencore:
Ka dhënë një ndihmesë të rëndësishme në organizimin dhe drejtimin e punës mësimore dhe shkencore të Universitetit të Shkodrës. Për 15 vjet ka qenë anëtar dhe sekretar i Këshillit Shkencor të Institutit të Lartë Pedagogjik, si dhe sekretar i redaksisë së organit shkencor të Institutit “Buletini Shkencor”. Nga viti 1991–2002 anëtar i Senatit të Universitetit të Shkodrës dhe që nga viti 2004 e gjer më 2018 ka qenë kryeredaktor i organit të Universitetit “Buletin Shkencor. Seria e Shkencave të Edukimit.”
Një kontribut të veçantë ka dhënë për themelimin, organizimin dhe drejtimin e Fakultetit të Shkencave të Edukimit. Për disa vite ka qenë Përgjegjës i Departamentit të Psikologji – Pedagogjisë dhe për 13 vjet (1991-2003) Dekan i Fakultetit të Shkencave të Edukimit. Ka qenë për kualifikime dhe marrje përvoje në disa shtete: Itali, Austri, Angli, Rusi, Danimarkë, etj.
Ka qenë anëtar i Komisionit të Ministrisë së Arsimit e të Kulturës (MAK) për problemet e arsimit në ciklin ulët (1981-1990), koordinator i Universitetit të Shkodrës për disa projekte si: për ngritjen e Qendrës së trajnimit profesional të mësuesve (1998-1999), për iniciativën universitare për zbatimin e filozofisë “Hap pas Hapi” (1997-2001) si dhe për përgatitjen e studentëve/mësuesve për edukimin e të drejtave të fëmijëve në ciklin e ulët (2000-2008) të drejtuara nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës, si dhe Qendra Shqiptare e të Drejtave të Njeriut.
4. Kontribute në fushën e botimeve:
Krahas veprimtarisë mësimdhënëse, shumë shpejt ai iu përkushtua me pasion punës studimore, duke u bërë modeli i pedagogut që ka harmonizuar dhe ndërlidhur si diçka të pandarë trinomin: mësimin – kërkimin shkencor – botimin.
Ka botuar më se 50 punime në organe të ndryshme shtypi dhe ka marrë pjesë në më shumë se 60 sesione dhe konferenca shkencore.
Drejtimi themelor i punës studimore – shkencore – botuese kanë qenë problemet e historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik e psikologjik shqiptar, me studimin e kontributeve arsimore e pedagogjike të disa personaliteteve të shquara si: Naim Frashëri, Zef Jubani, Ismail Qemali, Fan Noli, Aleksandër Xhuvani, Gaspër Beltoja, Sheuqet Muka, Et’hem Osmani, e Halim Shpuza, etj..
Punime me interes janë shkrimet për kontributet e disa kolegëve të shquar të Universitetit të Shkodrës si: Mihal Prifti, Prof. Vehbi Bala, Prof. dr. Jup Kastrati, Prof. dr. Nuri Abdiu, studiuesit e mirënjohur Islam Dizdari e Faik Luli.
Me interes janë pritur punimet e tij për: politikën arsimore të Qeverisë së Vlorës (1912-1914), zhvillimet arsimore në zonën e pushtimit austro-hungarez (1916-1918), politika arsimore e Ataturkut në Turqinë e Re, idetë edukative të Kur’anit, roli i revistës “Zani i Naltë”, për problemet e edukimit 1923-1928 (me rastin e 75 vjetorit të daljes së saj), etj.
Shumë vite i ka kushtuar studimit të kontributit të Luigj Gurakuqit për shkollën shqipe e arsimin tonë kombëtar, zhvillimin e arsimit në Rrethin e Shkodrës gjatë viteve 1965-1980. Në këtë kuadër ka qenë bashkautor i historikut të arsimit në Shkodër që nga lashtësia e gjer më 1980, me dy vëllime, dërguar në Institutin e Studimeve e Botimeve Shkodër.
Është autor i monografive: “Luigj Gurakuqi, për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar” (2002), “Et’hem Osmani – Mësues i Popullit” (2012), si dhe i botimeve të veçanta: “Shkolla e mesme pedagogjike Shejnaze Juka, në 60 vjetorin e saj” (1978), “Përvojë të punës mësimore edukative të shkollave të rrethit të Shkodrës” (1980) dhe “Përvojë e shkollave të Shkodrës për kualifikimin dhe veprimtarinë shkencore” (1981).
Akademiku Prof. Bedri Dedja ka vlerësuar shumë kontributet e Prof. dr. Vehbi Hotit në fushën e studimit të historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar. Pasi u njoh me monografinë e tij kushtuar Lujigj Gurakuqit, shkruan se: “Për mua tanimë, nuk ka asnjë dyshim se Vehbi Hoti është ndër studiuesit më të shquar të historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar” (Nga parathënia e monografisë përmendur më sipër f. 9).
Si pedagog ai ka qenë titullar i shumë disiplinave psikologjike e pedagogjike, ka dhënë kontribute të rëndësishme në hartimin e programeve mësimore dhe botimin e teksteve.
Është bashkautor i teksteve të psikologjisë për shkollat e larta: “Hyrje në psikologji” (2016), “Didaktika për degët e mësuesisë të ciklit të ulët” (1990), “Psikologjia moshore për kursin pasuniversitar të psikologjisë së Universitetit të Tiranës” (1989) dhe “Psikologjia për shkollat e larta, në 2 vëllime” (Botim i Universitetit të Tiranës, 1984). Gjithashtu, bashkautor, në dy tekste të pedagogjisë për shkollat e mesme (1972, 1975).
Është një nga njohësit më të mirë të historikut të Universitetit të Shkodrës. Në këtë kuadër është bashkautor dhe redaktor i monografive: “Historiku i Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës – 30 vjetori” (1978), “Historiku i fakultetit të ciklit të ulët, 1981 – 2001” (2001), “Universiteti i Shkodrës ndër vite, 1957 – 2002” (2002), “Universiteti i Shkodrës në 50 vjetorin e tij” (2007), “Universiteti i Shkodrës në 100 vjetorin e pavarësisë” (2012).
Ka bashkëpunuar me disa universitete si: me Universitetin e Tiranës për udhëheqje e doktoraturave në fushën e psikologjisë dhe anëtar i Komisionit për Mbrojtjen e Doktoraturave në këtë fushë; me Universitetin e Tetovës në Maqedoni (2002 – 2006) si pedagog i lëndëve “Histori e Psikologjise” dhe “Psikologji e Përgjithshme” si dhe anëtar i Komisionit për pranimin e pedagogëve në degën e psikologjisë së këtij universiteti; me Universitetin e Podgoricës të Malit të Zi, për 14 vite nga 2004 e gjer në 2018 ka qenë pedagog i lëndës së psikologjisë në Programin e Përgatitjes së Mësuesve të Ciklit të Ulët, që nga viti 2007 ka qenë i ngarkuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Podgoricës, si vlerësues i teksteve për shkollat shqipe ku ka recensionuar 15 tekste shkollore për klasat I – IX.
Edhe pas daljes në pension është aktiv në punën studimore dhe atë kërkimore – shkencore, gjatë së cilës përveç teksteve të psikologjisë ka botuar 4 punime për kontributet arsimore pedagogjike për disa figura të shquara të kësaj fushe si: Prof, dr. Shefik Osmani, Prof. Palokë Berisha, Prof. Faik Luli, “Mësues i Popullit”, Prof. Islam Dizdari, etj. Ka marrë pjesë në disa sesione shkencore, si dhe në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare për 100- vjetorin e “Komisia Letrare Shqipe në Shkodër” (2016), etj.
5. Vlerësime
Për punën mësimore dhe atë shkencore ka marrë vlerësime të larta nga organe shkencore dhe shtetërore. Kështu Senati i Universitetit të Shkodrës në vitin 2013 i ka dhënë titullin “Profesor Emeritus”. Nga tre Presidentë të Republikës së Shqipërisë është dekoruar me: “Urdhri Naim Frashëri i Artë” (2001), me titullin “Mësues i Merituar” (1987) dhe “Medalja Naim Frashëri” (1977).
May 28, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...