Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Nov 11, 2019 Zani i Nalte Studime 0
Nga Msc. Xhorxhina Seferi, Departamenti i Shkencave Islame, Universiteti “Bedër”
Abstrakt
Hafiz Ali Kraja njihet si një nga personalitetet e shquara të botës shqiptare. Ai ishte mjaft i ditur dhe kishte një formim jo vetëm teologjik, por edhe si intelektual erudit. Kontribuoi në predikimin e fesë në raport me nevojat dhe problematikat e kohës. Ndihmoi në përhapjen e diturisë, në mbrojtjen e atdheut e në interes të çështjes kombëtare. Oratoria dhe atdhedashuria që ai kishte, bëri që fjalimet e tij të kishin mjaft ndikim në popull. Hafiz Ali Kraja i ka dhënë shumë rëndësi bashkimit kombëtar, duke shpjeguar se feja nuk është pengesë për unitetin kombëtar. Ai thekson se njeriu ka nevojë për fe në pikëpamjen shpirtërore, morale, juridike e shoqërore. Hafizi i ka dhënë një rëndësi mjaft të madhe moralit, duke thënë se baza e moralit duhet të jetë feja. Rëndësi të veçantë i ka dhënë edhe shpjegimit të Islamit në raport me fanatizmin, ateizmin dhe laicizmin. Gjithashtu ka shkruar për qytetërimin e vjetër, i cili nuk mund të ndahet prej fesë dhe ka trajtuar problematikat e botës pas luftës së përgjithshme. Çështjet e trajtuara i shpjegon me versete nga Kur’ani Famëlartë dhe hadithe të Profetit Muhammed (a.s.).
Hafiz Ali Kraja (1900-1973)
Hafiz Ali Kraja lindi në Shkodër në vitin 1900. Ai është ndër personalitetet më të rëndësishëm që ka nxjerrë bota shqiptare në shekullin XX. Edukimin fillestar dhe shkollën e mesme i përfundoi në Shkodër, ndërsa studimet universitare i kreu në Kajro, në universitetin El-Ez’her, një nga qendrat universitare më të njohura të botës. Falë natyrës së tij kërkuese dhe kushteve që i ofroi mjedisi në të cilin përfundoi studimet e larta, arriti të formohej jo vetëm si prijës fetar e teolog, por edhe si intelektual erudit. Pas diplomimit në shkencat islame në vitin 1924, ai u kthye në atdhe për të kontribuar në predikimin e fesë islame.
Ai i bëri një shërbim të çmuar atdheut, duke bërë thirrje për unitet kombëtar, duke u përpjekur për zgjimin dhe forcimin e ndërgjegjes kombëtare, si dhe për përhapjen e diturisë në masat e popullit. Thirrjet për unitet kombëtar, krahas oratorisë dhe atdhedashurisë, vihen re edhe në fjalimin e mbajtur në varrimin e poetit At Gjergj Fishta: “Vepra jote, o poet, ka për të formue një faqe të shkëlqyeshme në historinë politike të kombit! Te jesh i bindun, o poet i madh, se shqiptari me ‘Lahutën e Malcisë’ ka për të qenë gjithmonë kryenaltë, siç janë grekët me ‘Iliadën’ dhe persianët me ‘Shahnamenë’… Sot djelmnia intelektuale me Lahutën Tande në dorë të nep besën shqiptare, tue t’u betue se idealin tand te naltë, që shprehe për kombësinë shqiptare do ta ruajë e do ta mbajë si gja të shenjtë morale.”
Pavarësisht propozimeve që pati nga personalitete të njohura të prijësve myslimanë, ai kryesisht shërbeu në qytetin e tij të lindjes. Më shumë se një e katërtën e jetës e kaloi nëpër burgje, për arsye të qëndrimit të tij antizogist, angazhimit kundër ideologjisë marksiste dhe qëndrimit të tij antikomunist. Hafiz Ali Kraja është dekoruar nga Këshilli Bashkiak- Shkodër; “Krenaria e Qytetit”.[1]
1. Vepra “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”
Për të ndriçuar sadopak historinë e lëvizjeve të mëdha kombëtare për liri, për arsimim dhe me aspiratën e ndërtimit të identitetit kombëtar, një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe rilindësit e mëdhenj shqiptarë. Në shumë raste ata ishin prijës myslimanë, ku në rrethana shpeshherë mjaft të vështira, punuan për krijimin dhe ngritjen e shtetit shqiptar. Ata gjithashtu kontribuuan në konsolidimin e këtij shteti, duke dhënë një ndihmesë të çmuar në formësimin e vetëdijes kombëtare dhe fetare të popullit tonë. Për të arritur bashkëpunimin ndërmjet fesë dhe kombit një rol mjaft të rëndësishëm kanë luajtur personalitetet shqiptare të kulturës islame. Një ndër këto figura, për të cilin mund të themi se përbën një “pasuri kombëtare”, është Hafiz Ali Kraja me librin “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”.
Kjo vepër u botua për herë të parë në vitin 1934, për të njohur më pas disa botime, si në Kosovë, Maqedoni dhe SHBA. Ajo që e shtyu autorin për të shkruar këtë vepër ishin mendimet e disa intelektualëve shumë të formuar, por skeptikë për rolin që religjionet kishin luajtur në historinë e civilizimit botëror dhe, në rastin konkret, në Shqipëri. Mendime të tilla aludonin dhe akuzonin fenë si një faktor që, midis të tjerave, pengonte bashkimin dhe unitetin kombëtar. Kjo akuzë gjente interpretim në çdo tekst të historiografisë zyrtare edhe në vitet e diktaturës komuniste. Por, kjo akuzë hidhet poshtë nga autori, i cili, me këtë vepër, pa frikë, mund të thuhet se është një nga themeluesit e mendimit sociologjik shqiptar.[2]
Temat e trajtuara nga Hafiz Ali Kraja
a. Nevoja për fe në pikëpamje shpirtërore, morale, juridike e shoqërore
Në çdo periudhë të historisë njerëzit kanë qenë të ushqyer nga ndjenjat fetare. “Filozofët e shpjegojnë nevojën e besimit për shpirtin e njeriut me këto fjalë: Shpirti është një rruzullim i padukshëm. Kurse ky rruzullim, të cilin e shohin sytë tanë, është i dobët dhe në një pjesë të këtij rruzullimi hyn edhe trupi ynë.”[3] Hafiz Ali Kraja e shpjegon këtë duke krahasuar gjendjen e shpirtit në trup me gjendjen e zogut në kafaz. Ashtu siç është kafazi një banesë e mërzitshme dhe zogu kërkon të largohet sa më parë nga ai, ashtu edhe ky rruzullim material, nga i cili shpirti ynë rënkon për t’u larguar dhe kërkon të lartësohet në lumturinë e amshueshme, paraqet një banesë të mërzitshme. Mjeti me anë të të cilit shpirti arrin lartësimin dhe qetësinë e vërtetë është pikërisht besimi. Nëse njeriu e zhvesh shpirtin për disa çaste nga mburoja e trupit, do arrijë ta kuptojë mjaft mirë atë që shpirti ka nevojë, pra besimin.
Për sa i përket nevojës për fe, në pikëpamjen morale, Hafizi fillimisht tregon se shoqëria është një bashkësi njerëzish me interesa të përbashkëta dhe shtylla e kësaj bashkësie është ligji i moralit. Ky ligj i moralit, të cilit shoqëria duhet t’i nënshtrohet, është pikërisht besimi, i cili siguron stabilitet e harmoni. Ai hedh poshtë mendimet e atyre që pretendojnë se shoqëria mund të përparojë dhe të zhvillojë një jetë të harmonishme edhe pa besim, duke shpjeguar këto tri fuqi (ndërgjegjja, natyra dhe shoqëria), të cilat e dënojnë ose e shpërblejnë njeriun kur vepron në bazë të ligjeve të moralit, ose kur i kundërshton ato. Për të qenë ndërgjegjja një argument i fortë është e domosdoshme të qëndrojë nën ndikimin e besimit. Gëzimi ose pendesa që ndjen njeriu janë pasojë e ligjit të moralit. Për sa i përket natyrës, që është argumenti i dytë i ligjeve të moralit, është e vërtetë që nuk i lë pa dënuar veprat që bien ndesh me të, por, sërish, nuk mund të sjellë dobi i vetëm si argument, sepse natyra qëndron indiferente kundër atyre që i dënojnë ligjet e saj të moralit. Për argumentin e tretë të ligjit të moralit, që është shoqëria, mund të thuhet se as kjo e fundit nuk e jep dënimin ose shpërblimin e merituar, sepse ligjet e shoqërisë dënojnë vetëm fajet e dukshme. Ligjet morale nuk zënë vendin e duhur në mendimin botëror, për arsye se mendimi botëror mund të gënjehet dhe automatikisht nuk mund të jetë një shtyllë për qëndrueshmërinë e moralit. Duke parë këto arrihet në përfundimin se feja është mjeti më i fuqishëm për harmoninë e shoqërisë dhe zbatimin e saj të ligjeve morale.
Shkurtimisht, Hafiz Ali Kraja shpjegon që besimi është nevojë për shoqërinë njerëzore, sepse është ai që e siguron rregullin, harmoninë dhe është i vetmi faktor për shpëtimin e saj. Besimi është burim i lumturisë dhe i shpresës që ia bën të këndshme jetën njeriut. Në një mjedis afetar nuk mund të sigurohet në asnjë mënyrë një harmoni shoqërore, sepse individi afetar është njeri i epsheve, jeta e tij nuk udhëhiqet nga modestia në të cilën mbështetet qëndresa e shoqërisë dhe lavdërimi i afetarëve me njohjen e ligjeve të natyrës thjesht e përforcon më shumë faktin se këta individë bëhen mjerim edhe për veten, edhe për shoqërinë ku jetojnë.
b. Çka është Islami
“Ajo dituri, pa kurrfarë lajthitje, ato urdhra e porosi të pakundërshtueshme, të cilat më i madhi i gjithë njerëzisë që mban mend historia, i dalluari ndër të gjithë pejgamberët, Muhamedi (a.s.), që e mësoi dhe vuri në praktikë, përmblidhet në fjalën Islam.”[4] Hafiz Ali Kraja shpjegon se besimet qiellore të vërteta kanë mbetur të njëjta në thelb përpos ndryshimeve në detaje, të cilat janë fryt i ndryshimeve kohore. Ajo që bëri Muhamedi (a.s.) ishte ringjallja dhe tërheqja drejt origjinalitetit të humbur, besimit, që e kishin praktikuar profetët para tij. Zoti e përmend këtë në Kur’an duke thënë: “Ai ka urdhëruar për ju atë Fe, të cilën ta zbuloi ty (o Muhamed) dhe që pati urdhëruar për Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, duke thënë: ‘Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të!’.”[5]
Besimi islam është besim i amshueshëm. Ai nuk humbi asnjëherë, por, ashtu si shkencat që e humbin vlerën nga padituria e njerëzve, ashtu edhe besimi islam e humbi vlerën e tij. Ka edhe nga ata që e mohojnë pejgamberinë e Muhamedit (a.s.), duke pretenduar se ai ishte një gjeni që e shpiku këtë besim, por ajo që ai bëri ishte kumtimi dhe e fuqizoi këtë besim me të gjitha detajet, me të vetmin qëllim që njerëzimi të ketë dobi prej tij.
c. Islami dhe fanatizmi
Fjala “Islam” në fjalor mbart kuptimin e bindjes, bindje ndaj një të vërtete, në Hyjni.[6] Pra, çdo mysliman duhet të pranojë vetëm ato gjëra që janë të vërteta para Zotit. Ai që i është bindur Zotit i gjykon gjërat dhe u jep atyre vlerë vetëm sipas këndvështrimit hyjnor. Një njeri i tillë quhet njeri me ndërgjegje të formuar dhe që adhuron të vërtetën (Zotin). Hafizi shpjegon duke u bazuar në ajete kur’anore se fanatizmi nuk pajtohet me Islamin. Disa nga ajetet që e tregojnë këtë: “O ithtarët e Librit! Përse e pështjelloni të vërtetën me të pavërtetën dhe përse e fshihni të vërtetën me qëllim?”[7], “Thuaj: ‘O ithtarët e Librit! Mos i shkelni kufijtë e së vërtetës në besimin tuaj…’”[8] Pra, Kur’ani na tregon që duhet të jemi këmbëngulës vetëm në të drejtën dhe të vërtetën, sepse feja islame të mirën e gjen vetëm në njohjen dhe adhurimin e së drejtës.
d. Islami dhe ateizmi
Besimi në një Zot të vetëm është shtylla e parë e besimit islam. Gjithësia dhe çdo qenie e gjallë, që gjendet në të, ka një Krijues të vetëm, i Cili është larg çdo cilësie të mangët dhe nuk ka shëmbëlltyrë. Nga ana tjetër, janë edhe disa kundërshtime të parashtruara nga mohuesit, të cilave Hafiz Ali Kraja i jep përgjigje në mënyrë bindëse dhe në formën më të bukur, duke përdorur argumente shkencore dhe logjikën e thjeshtë. Fillimisht na tregon këtë ajet kur’anor, në të cilin thuhet: “Ata thonë: ‘Nuk ka tjetër veç jetës së kësaj bote, vdesim e jetojmë dhe vetëm koha na shkatërron’. Ata nuk kanë kurrfarë dijenie për këtë, ata vetëm hamendësojnë ashtu.”[9] Mohuesit e një krijuesi të vetëm çdo të qenë e gjykojnë për mosqenie dhe kjo për faktin se nuk i shohin argumentet e së vërtetës. Këta janë ai grup njerëzish, që nuk ia kanë ndjerë as aromën diturisë, nuk kanë një zemër të thjeshtë dhe, për rrjedhojë, as rrezet e diturisë nuk kanë depërtuar në zemrat e tyre. Ka disa zemra që arrijnë të zbulojnë një ligj të madh, por ka edhe nga ato që notojnë nëpër fushat e eksperiencës dhe nuk arrijnë të marrin mësim.
Hafizi tregon se dyshimi dhe mohimi shfaqen tek ata njerëz që zemrat i kanë të prishura dhe organet e të kuptuarit të shkatërruara, sepse nuk mund të bëhen të qarta gjërat të cilat shihen me syze me xham të thyer. Nëse do ta shihnim njeriun në pikëpamje mekanike dhe fizike brenda këtij rruzullimi do dukej si një insekt, ose si një mikrob në përpjesëtim me lëmshin e dheut. Por kur vetë mohuesit shtrojnë tezën se mbi njeriun nuk ekziston një Krijues, ata bien në kundërshtim me vetveten, sepse, sipas tyre, njeriu që duket si një thërrmijë në raport me rruzullin i bie të jetë një krijesë e fuqishme.
Njeriut, privilegjin për të qenë më i lartë se të gjitha krijesat ia mundëson prania e mendjes dhe aftësia për të gjykuar. Gjërat të cilave mohuesit ua japin emrin lëvizje mekanike dhe fizike janë vetëm dhuntitë e vetëdijes dhe arsyes. Vetëdija e çdo njeriu është e fshehur dhe nuk mund të kuptohet nga të tjerët. Pra, njeriu ka ndjenja, vetëdije dhe shpirt e më pas, nëpërmjet fuqisë së kësaj vetëdijeje, shfaqet i gjithë mekanizmi dhe jeta trupore. Njeriu është një kompozim i përbërë nga shpirti e trupi dhe është vetëm një krijesë, sepse më parë nuk ka ekzistuar. Pra, njeriu e ka një Krijues, i Cili ka pushtet të bashkojë trupin dhe shpirtin e prej tyre të formojë njeriun. Zoti është fillim i të gjitha cilësive njerëzore dhe është fillimi i të gjitha fuqive.
Hafizi thotë se nga asgjëja nuk del asgjë, ose e thënë ndryshe, asgjëja nuk mund të jetë motiv për qenien. Edhe kuptimi shkencor i ligjit të evolucionit nuk është që ta konsiderojmë atë fillimin absolut, por, në botën e kafshëve, është ligj proporcional i Hyjnisë. Revolucioni francez hutoi njerëzit, sepse hodhi një ide të zmbrapsjes së njeriut në periudhat primitive të filozofisë, sipas të cilit, njeriu ishte imagjinuar si një makinë trupore. Por, Monteskieu u ishte përgjigjur duke u thënë se, një fuqi e verbër nuk mund t’i ketë krijuar këta njerëz që dinë të arsyetojnë. Ata nuk kishin arritur ta njihnin fuqinë e mendjes dhe ta ndanin objektin nga subjekti.
Në përfundim, Hafiz Ali Kraja thotë se nëse njeriu nuk njeh mendjen dhe ndërgjegjen nuk duhet të ngrihet e ta kërkojë Krijuesin përmes teleskopëve. Qielli është krijuar për ne për ta njohur Krijuesin dhe, për ta arritur këtë, duhet të kemi një zemër dhe kujdes mbi veprat e krijuara nga Ai. Bukuria hyjnore kuptohet në këtë botë, por shihet në jetën tjetër.
e. Feja dhe morali
Baza e moralit duhet të jetë feja, sepse besimi është themeli dhe shtylla e rregullimit të njerëzimit. Disiplina është ajo që kufizon veprat e këqija e i mban ato nën kontroll dhe kjo disiplinë është feja. Feja është më e fortë se të gjitha ligjet dhe rregulloret, sepse burimi i saj është i lartë. Disiplina fetare nuk ndahet asnjëherë nga njeriu dhe e mban këtë të fundit gjithmonë nën kontroll. Meqenëse njeriu nga natyra është narcizist asnjë rregullore apo ligj nuk mund ta mbrojë atë më shumë se feja. Feja e bën njeriun që të jetojë me vetëdijen e ihsanit (kudo që ndodhet Allahu e sheh njeriun, çdo moment, edhe pse njeriu nuk e sheh dot).
Hafiz Ali Kraja thotë se morali është i nevojshëm për çdo shoqëri dhe si rrjedhojë vërtetohet edhe nevoja për fe. Gjithashtu shton se ka edhe nga ata njerëz që pretendojnë se feja nuk është e nevojshme dhe themelet e moralit ia ngarkojnë ndërgjegjes. Por, këtë e hedh poshtë duke thënë se ndërgjegjja ka nevojë për një prijës të ndritshëm që të mund të jetë e fuqishme. “Ky prijës i ndërgjegjes mund të jetë vetëm Feja dhe se një moral i ndërtuar vetëm mbi ndërgjegje personale, pa pasur si prijës Fenë, nuk mund ta ketë vulën-përulëse.”[10]
f. Islami dhe bashkimi kombëtar
Disa intelektualë i sulmojnë besimet fetare në Shqipëri me pretendimin se nuk mund të formohet një unitet kombëtar, për shkak se anëtarët e besimeve të ndryshme janë kundërshtarë me njëri-tjetrin. Hafiz Ali Kraja e kundërshton duke thënë se kjo nuk pajtohet me besimin islam. Ky ajet kur’anor është vërtetues se Islami nuk i njeh kundërshtarë ndjekësit e Krishtit, “…miqtë më të afërt të tyre janë ata që thonë: “Ne jemi të krishterë”…”[11] Pra, në pikëpamjen e dashurisë dhe dhembshurisë, të krishterët i njohim më afër. Kjo vihet re në dëshpërimin që shkaktoi te Profeti (a.s.) dhe te shokët e tij disfata e bizantinëve të krishterë ndaj persëve.
Një tjetër tregues është edhe fakti se në pallatet e mbretërve myslimanë jetonin të lumtur dhe ishin gjithmonë të mirëpritur dijetarët e krishterë, sidomos në periudhën e dinastisë së Abasidëve. Sipas H. Ali Krajës, një dijetar amerikan në librin e tij “History of the Conflicts”, ka thënë: “Këta lloj dijetarësh, që punonin në oborrin mbretëror të Abasidëve në Bagdad, jo vetëm që nuk u merrej parasysh vendlindja, kombësia dhe besimi, por, përkundrazi, si shpërblim për dituritë që posedonin, emëroheshin edhe në shkallë të larta shtetërore dhe me dhuratat që u jepeshin siguronin jetën e tyre.”[12] Duke treguar këta shembuj Hafizi argumenton qartë atë të vërtetë që është në themelet e parimeve të Islamit, pra që myslimanët, jo vetëm që nuk i shohin si kundërshtarë anëtarët e besimeve të tjera, por duke qenë së bashku, ruajnë dashurinë kombëtare dhe çojnë një jetë të lumtur.
g. Drejtimi i botës së qytetëruar pas luftës së përgjithshme (botërore)
Hafiz Ali Kraja bën një analizë të përmbledhur të gjendjeve që ka kaluar bota, duke treguar edhe rëndësinë që i është dhënë shpirtërores. Ai thotë se bota është larguar nga qetësia dhe gjendja e saj është ashtu si barka që e ka zënë furtuna e detit. Para luftës së përgjithshme (botërore) bota kishte arritur një qetësi të dukshme por, kur popujt filluan të bëjnë konkurrencë ndërmjet tyre në jetën e tyre filloi të sundojë vetëm materialja. Në këtë periudhë feja konsiderohej si pengesë për zhvillimin dhe përparimin njerëzor, por, sërish, edhe në ato kushte, u arrit që të ruhej një baraspeshë e përgjithshme.
Me fillimin e luftës së botërore gjendja u përkeqësua, duke sjellë kriza ekonomike, shumë humbje jetësh dhe çrregullime, aq sa rrezikuan zhdukjen e shpirtit të qytetërimit. Hafizi thotë se Gustav Le Bon, kur ka folur për këtë temë, ka shpjeguar se kjo gjendje tërhoqi vëmendjen e udhëheqësve të botës dhe të mendimtarëve, duke bërë që këta të fundit të arrijnë në përfundimin se shpëtimi i vërtetë bëhet vetëm me anë të rikthimit kah ndjenjat fetare e shpirtërore. Tregon se fashistët fillimisht u përpoqën për zgjimin e çështjeve shpirtërore. Në Angli, gjithashtu, më 1924 u mblodh një kongres fetar, i cili pati një rëndësi të madhe dhe ndaj të cilit zgjoi interes e gjithë bota. Hafizi thotë se nga të gjitha këto arrijmë në përfundimin se, bota e qytetëruar e ka kuptuar që nga çrregullimet mund të shpëtohet vetëm me ringjalljen e ndjenjave shpirtërore dhe të besimit.
h. Qytetërimi i vjetër nuk ndahet prej fesë
Hafiz Ali Kraja vëren: “Qytetërimi (civilizimi) është i themeluar mbi një grumbull të drejtash e detyrash të ndërsjella dhe çdo formulim i tij, që përbëhet nga parimet kryesore, është si një gur themeltar mbi të cilin është ndërtuar dogma e ndërtesës së qytetërimit. Por, në rast se prishet një nga ato parime, natyrisht baraspesha e qytetërimit tronditet dhe ai qytetërim nuk mund të qëndrojë edhe shumë kohë.”[13]
Revolucionet përgjatë shekujve e kanë burimin në tronditjen e ndërtesës besimore e morale, por këtë kuptim filozofët ua atribuojnë revolucioneve. Qytetërimi përfitohet, mbahet dhe ruhet prej një fuqie besimtare, pra është një përmbledhje besimesh. Hafizi thekson se nuk është kundër zhvillimeve teknologjike e shkencore, por këto përparime shkencore nuk mjaftojnë për plotësimin e ndërtesës së civilizimit. Këto zhvillime duhet të shkojnë paralel me parimet morale dhe me kuptimet dogmatike. Kjo na bën të mendojmë se shkaqet e rënies së të një qytetërimi duhen kërkuar në lëkundjet dogmatike. Hafizi kishte një horizont të gjerë dhe një formim mjaft të mirë. Këtë e tregon edhe kur thotë se këto janë fryt i ngjarjeve historike dhe dëshmi e filozofëve me famë botërore, jo mendime fetare të një hoxhe.
i. Islami dhe laicizmi
Në lidhje me këtë temë, Hafizi ka shpjeguar vlerën shkencore e logjike të shkaqeve që laikët kanë shprehur për nevojën e një edukimi laik. Laikët synonjë që edukata e të rinjve të jetë e mbështetur mbi parimet laike, duke u bazuar në këto shkaqe:
Hafizi e komenton këtë duke thënë se feja ka në themel detyrimin, pra të marrësh mbi vete përgjegjësi ndaj të drejtës së përgjithshme dhe private. Në rastin kur nuk merret përgjegjësi ndaj çdo të drejte nuk mund të themelohet liria e së drejtës. E drejta duhet studiuar vetëm në pikëpamjen e lirisë dhe jo të detyrës, sepse në detyrë nuk ka liri. Ata që nuk duan ta njohin ndjenjën e detyrës nuk duhet të pretendojnë për lirinë e së drejtës. Kombi tregon për ndihmën vëllazërore, themel i së cilës është të kryerit me drejtësi të detyrës së marrë mbi vete. Meqenëse feja e shëmbëllen këtë detyrim nuk është kundër evolucionit, por shpirti i tij.
Hafizi shpjegon se çdo mjedis shoqëror pasqyron ndërgjegjen e asaj shoqërie dhe feja nuk mund të mendohet se ekziston pa liri të ndërgjegjes. Sheriati i myslimanëve ishte ai që ia bëri botës të njohur lirinë e ndërgjegjes, duke e bërë pjesë të besimit pranimin e pejgamberëve të tjerë dhe duke treguar përmbledhjen e të gjitha besimeve dhe ndërgjegjeve. Që një shoqëri të veprojë sipas parimeve të ndërgjegjes duhet që, fillimisht, të jetë poseduese e një ndërgjegjeje të plotë.
Sipas botëkuptimit të Hafiz Ali Krajës kjo konsiderohet injorancë, sepse në praninë hyjnore nuk ka ndarje mes demokratit dhe aristokratit. Kjo tregon barazinë e njerëzve në rrugën e drejtësisë dhe më pas na urdhëron të ecim në këtë rrugë duke çmuar të drejtën e çdokujt. Kjo rrugë e drejtë, që fillon me barazinë e përgjithshme, në hadith përshkruhet si shembulli i dhëmbëve të një krehri, që është i njëjtë edhe me ajetin Kur’anor: “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” Kur’ani, Huxhurat, 49/13) pra, përcaktohet aristokracia morale, ndërsa ajo intelektuale shpjegohet në këtë ajet: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?!”[14].
Hafiz Ali Kraja e shpjegon në mënyrë të përmbledhur këtë pretendim të laikëve, duke thënë se si dituria, ashtu edhe feja kanë si qëllim t’i shpëtojnë njerëzit nga dyshimet, duke i orientuar kah e drejta, lumturia dhe realiteti. Që të dyja thonë realitet, por ndryshimi qëndron në faktin se ajo që thotë feja konsiderohet si punë e mirë. Allahu thotë në Kur’an: “Thirr (fto) në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë, Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij, e i di më së miri ata, që janë në rrugë të drejtë”[15]. Popullin intelektual binde me arsyetime kategorike, kurse masës mbushja mendjen me predikime, këshilla dhe me shembuj të dobishëm; inatçinjve kur qëndrojnë në mendimin e vet, parashtroju çështjen me butësi e me arsyetime bindëse. Me këtë shihet se feja islame është gjithmonë e gatshme t’i pranojë polemikat që bëhen me qëllim të mirë. Sado që dyshimi me dijen nuk përkon e as dyshimi me besimin, nuk do të thotë se feja mbyll shtegun e polemikave[16].
Fillimisht mund të thuhet se asnjë faktor nuk mund ta zërë vendin e fesë dhe ta ruajë moralin më tepër se feja. Hafizi thotë se feja është një administrator që e prek njeriun deri në misterin më delikat dhe është një realitet që depërton deri në ndërgjegje. Duke qenë se (Meqenëse) feja i drejtohet njerëzve të ndershëm, shpirti i të pafeve lufton që të largohet prej ligjeve fetare, sepse dëshirojnë ta jetojnë këtë botë pa ndërgjegje.
Sekularistët e argumentojnë vjetërsinë fetare duke e parashtruar si arsye të mungesës së një morali fetar, apo ndonjë vlere të caktuar shkencore në këtë shekull. Por, Hafizi i kundërpërgjigjet me logjikë të thjeshtë, duke thënë se shumë ligje ekzistente nuk i përshtaten nevojave të popullit dhe në vend të tyre mund të gjenin zbatim mjaft mirë disa ligje të vjetra. Gjithashtu thotë se morali fetar islam është një burim filozofik, i cili kurrë nuk do ta humbë vlerën e vet të diturisë. Laikët, duke dashur ta zëvendësojnë faktorin moral me faktorin njeri, mohojnë të gjitha sendet që kanë lidhje morale me shpirtin, duke harruar se bota në të cilën jetojmë nuk është vepër njerëzore. Ata harrojnë se morali ofron paqe, ndërsa faktorët njerëzorë janë në kundërshtim me njëri-tjetrin.
Përfundim
Hafiz Ali Kraja me shkrimet e tij ka dhënë një kontribut të madh në kuptimin e mjaft temave aktuale. Me bindje të plotë mund të thuhet se Hafizi ishte një intelektual për t’u marrë shembull. Populli ynë ka shumë nevojë për njerëz si hafizi i nderuar me vlera e virtyte të larta dhe me një formim të gjithanshëm. Shpjegimet e bëra prej tij janë për t’u vlerësuar, sepse ndërthurin shkencën me fenë në mënyrë mjaft origjinale dhe të kuptueshme.
Duke i dhënë rëndësi të madhe fesë edhe atdheut, ai na bën të ndërgjegjësohemi dhe të kuptojmë se, si myslimanë, kemi një detyrë e cila peshon mbi supe dhe, për ta kryer në mënyrën më të mirë të mundshme, duhet të jemi të pajisur me dije të mjaftueshme. Ai na sqaron se shoqëria dhe mbarë njerëzimi mund të zhvillohet, si në aspektin moral, ashtu edhe në atë shkencor, vetëm nëse është e lidhur me moralin fetar. Në të njëjtën kohë, duke e vlerësuar Islamin si burim lumturie dhe motivim për zhvillim të mëtejshëm, ai na shtyn të mendojmë për kontributin që ne mund të japim në shoqërinë në të cilën jetojmë.
Bibliografia
“100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame”, Botimet KMSH, Botimi III-të, Tiranë (2015).
Kraja, H. Ali, “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”, Botimet KMSH, Tiranë (2010).
Prof. Nahi, Hasan, “Kurani i Madhërishëm”, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (2012). h
[1]. “100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame”, Botimet KMSH, Botimi 3, Tiranë, 2015, f. 28-29.
[2]. Po aty, f. 30.
[3]. Kraja, Ali, “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”, Botimet KMSH, Tiranë, 2010, f. 11.
[4]. Po aty, f. 23.
[5]. Kur’ani, Shura, 42/13.
[6]. Kraja, Ali, “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”, f. 27.
[7]. Kur’ani, Al ‘Imran, 3/71.
[8]. Kur’ani, Ma’ide, 5/77.
[9]. Kur’ani, Xhathije, 45/24.
[10]. Kraja, Ali, “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”, f. 46.
[11]. Kur’ani, Ma’ide, 5/82.
[12]. Kraja, Ali, “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”, f. 50.
[13]. Po aty, f. 57.
[14]. Kur’ani, Zumer, 39/9.
[15]. Kur’ani, Nahl, 16/125.
[16]. Kraja, Ali, “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”, f. 68.
[17]. Po aty, f. 61-62.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...