Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Dec 23, 2019 Zani i Nalte Përkthime 0
Es-Sarahsi, Shemsul-eimmeh (Dielli i dijetarëve)* (vd. 483 h./1090)
nga Dr. Osman Taştan
Abstrakt
Shemsul-eimmeh Es-Sarahsi lindi rreth vitit 400 h./1010 në një familje tregtarësh, me gjasë në Sarahs, qytet në mes Meshhedit dhe Mervit (në Turkmenistanin e sotëm, afër kufirit me Iranin).
Shkrimet e Sarahsiut janë: El-Mebsut, El-Usul, Sherh es-Sijerul-kebir, En-Nukat: Sherh Zijadatiz-zijadat, Sherh Muhtesar et-Tahaui, dhe Eshratus-sa’a. Shumica e këtyre janë komentime sistematike mbi shkrime të mëhershme hanefite.
Sipas biografëve të tij, Sarahsiu i diktoi nxënësve të tij prej memories veprat Mebsut, Usul, dhe një pjesë të madhe të Sherh es-Sijeril-kebir, gjersa ai ishte i burgosur dhe pa qasje në referenca. Schacht e vë në dyshim këtë pikë, duke pohuar që (se) është e pakapshme që Sarahsiu të ketë mundur t’i diktojë veprat e tij gjatë katërmbëdhjetë viteve të burgosjes së tij prej memories. Për këtë arsye, Schacht sugjeron që (se) Sarahsiu duhet të ketë marrë asistencë të konsiderueshme nga nxënësit e tij, përfshirë qasje në burime. Kjo është e mundshme, pasi që ne dimë që nxënësit e tij kanë bashkëpunuar me të në kompozimin e veprave të tij.
Sarahsiu punoi në disa trajtesa njëkohësisht. Ai prodhoi disa pjesë të Mebsut para dhe disa pas punës së tij në Sherh es-Sijerul-kebir. Fakti që ai shpesh i referohet kapitujve të Mebsut në Usul-in e tij sugjeron që ai shkroi Usul-¬in pasi përfundoi Mebsut-in. Gjendja e tanishme e dijes tonë na e pamundëson që të vërtetojmë një kronologji ekzakte të veprave të tij.
Shemsul-eimmeh Es-Sarahsi[1] lindi rreth vitit 400 h./1010[2] në një familje tregtarësh[3], me gjasë në Sarahs,[4] qytet në mes Meshhedit dhe Mervit (në Turkmenistanin e sotëm, afër kufirit me Iranin).[5] Sarahsiu studioi në Buhara te Shemsul-eimmeh Abdul-aziz El-Haluani (vd. 448 h./1056), prej të cilit trashëgoi nofkën Shemsul-eimmeh[6]. Ai, po ashtu, studioi te Shejhul-islam Ali bin El-Husejn bin Muhammed El-Sugdi.[7] Pasi kompletoi studimet e tij, Sarahsiu shkoi në Uzxhend, afër Farghanes në Transoksani, e cila kontrollohej nga Karahanidët.[8] Nxënësit e Sarahsiut janë: Ebu Bekr Muhammed bin Ibrahim El-Hasiri;[9] Ebu Hafs Umer bin Habib, gjyshin nga ana e nënës e Merginanit, autorit të veprës së famshme El-Hidajeh: Sherh Bidajat el-Mubtedi;[10] Ebu Amr Uthman bin Ali bin Muhammed El-Bejkendi;[11] Burhanul-eimmeh Abdul-aziz Umer bin Mazeh; Mahmud ibn Abdul-aziz El-Uzxhendi;[12] dhe Ruknud-din Mes’ud bin El-Hasan.[13] Ndonëse burimet përmendin emrat e nxënësve të Sarahsiut ato nuk tregojnë për detajet e marrëdhënieve të tyre me të.
Pak paqartësi është shkaktuar rreth identitetit të Sarahsiut nga Ya’akov Meron, i cili shkruan:[14]
“Tre autorët e mëvonshëm klasikë hanefi Sarahsiu, Samerkandi dhe Kasani, nuk jetuan në Bagdad, por në vendin fqinj, në Siri.
Nuk është e çuditshme prandaj që të mësojmë që Sarahsiu ka dhënë mësim në Haleuijje në Alepo, dhe më vonë, gjatë fundit të jetës së tij e gjeti veten në vendin e tij Fergana, një provincë në Transoksani, në Azinë qendrore, ku ai për një kohë qëndroi në burg.
Dy breza më vonë, Kasani deri në vdekjen e tij (4) mbajti pozitën e njëjtë të profesorit në Haleuijje (5) në qytetin e njëjtë në Alepo, ku Sarahsiu kishte dhënë mësim më parë. Përveç lidhjes gjeografike në mes të autorit të madh klasik të dytë dhe të katërt, ka një lidhje familjare në mes të tretit – pra Samerkandit, dhe të katërtit, dhëndrit të tij Kasanit.”[15]
Sipas Meron, periudha klasike hanefite fillon me El-Kuduriun (vd. 428 h./1037). Ai identifikon Sarahsiun (vd. 483 h./1090) si të dytin, Samerkandin (vd. 539 h./1144) si të tretin, dhe Kasanin (vd. 587 h./1191) si juristin e katërt të periudhës klasike hanefite. Në një përpjekje për të vërtetuar lidhje të forta në mes juristëve, ai trajton Alepon si lidhje gjeografike në mes Sarahsiut dhe Kasanit.[16] Mirëpo, interpretimi i Meronit është në informata jokorrekte. Ai përzien dy Sarahsijtë: Shemsul-eimma, i cili jetoi në shekullin 5 h./11 dhe Radied-din Es-Sarahsi, i cili jetoi në shekullin 6 h./12. Ky i fundit ka dhënë mësim në medresenë Haleuijje në Alepo.[17] Gabimi i Meronit nuk kufizohet në përzierjen e dy Sarahsitëve të ndryshëm që jetuan në dy vende dhe kohë të ndryshme. Ai i shton gabimit duke i atribuuar fakte në lidhje me Sarahsiun e fundit atij të mëhershmit. Kini parasysh pikat në vijim:
Pasi Sarahsiu u vendos në Uzxhand, Khani, Shemsul-Mulk e arrestoi atë, dhe ishte në burg për katërmbëdhjetë vite, prej 466 h./1074 deri rreth vitit 480 h./1088.[20] Biografët përmendin një numër arsyesh për burgosjen e Sarahsiut.
1) Disa thonë që ai është burgosur për shkak të kritikës së tij të hapur të Hanit (bi-sebeb kelime nesaha biha ose bi-sebeb kelime kane fiha minen-nasihin),[21] i cili lejoi oficerët e tij të martojnë Ummul-Ueled-et e tij para se periudha e tyre e pritjes (iddet) të skadojë[22] (ndonëse disa burime thonë që Sarahsiu nuk kritikoi ligjin e Hanit mbi këtë deri pasi është liruar nga burgu).[23]
2) Disa thonë që Karahanidët vunë taksa të rënda mbi nënshtetasit e tyre dhe Sarahsiu i inkurajoi ata që të refuzojnë të paguajnë këto taksa.[24] Mirëpo, ky pohim nuk ka mbështetje.
3) Të tjera burime tregojnë për një mospajtim teologjik në mes Sarahsiut dhe udhëheqësit në lidhje me “herezinë” dhe “ortodoksinë” në mes ulemave dhe qeverisë.[25] Kjo pikë është po ashtu pa mbështetje. Mirëpo, Schacht shënon se Sarahsiu i referohet armiqve të tij si zindik (heretikë) dhe es-sejji et-tedbir (persona të keq-menaxhimit), telasheve të tij si Ejjam el-Mihna (ditët e sprovës), për ata që ndihmuan daljen e tij nga burgu si Ehlul-Hakk ue’l-Jekin (njerëzit e të vërtetës dhe bindjes), dhe vetës së tij si El-Mutekel-lim bi’l-hakkil-munir (folësi i së vërtetës përndritëse).[26] Kjo gjuhë, sipas Shachit, sugjeron që Sarahsiu është burgosur për arsye teologjike. Mirëpo, ky qëndrim nuk ka mbështetje nga burimet.[27]
Ndonëse biografët e Sarahsiut përdorin termin Xhubb[28] ose burg i nëndheshëm për të përshkruar vendin ku ai ishte i burgosur, vetë Sarahsiu nuk thotë asgjë në veprat e tij rreth ndonjë burgu nëntokësor.[29] Ai ankohet për izolim nga familja e tij, i biri dhe librat,[30] por ai nuk përshkruan në detaje vendin në të cilin është mbajtur, përveç konfirmimit që ishte në burgim dhe përjetonte vështirësi.
Nuk ka informacion rreth vendndodhjes se ku është mbajtur Sarahsiu në mes vitit 466 h./1074 dhe 479 h./1087. Mirëpo, në parathënien e tij të Usul, shkruar në vitin 479 h./1087, ai përmend se është mbajtur në kështjellë në Uzxhand.[31] Në vitin 480 h./1088, në moshën afër 80 vjeçare, ai është liruar pas katërmbëdhjetë viteve burgimi.[32] Ai pastaj vazhdoi ose për Merginan ose për Fargana. Me arritjen e tij, Imam Sejfud-din (ose El-Emir Hasan)[33] i ofroi atij mikpritje, duke i mundësuar që të përfundojë shkrimin e Sherh es-Sijerul-kebir (e cila ishte shkruar pjesërisht por është lënë e papërfunduar gjatë burgimit të tij).[34] Pas tri viteve liri në Merginan (ose Fergana), Sarahsiu ndërroi jetë në vitin 483 h/1090.[35]
Veprat
Shkrimet e Sarahsiut janë: El-Mebsut,[36] El-Usul,[37] Sherh es-Sijeril-kebir,[38] En-Nukat: Sherh Zijadatiz-zijadat,[39] Sherh Muhtesar et-Tahaui,[40] dhe Eshratus-sa’a.[41] Shumica e këtyre janë komentime sistematike mbi shkrime të mëhershme hanefite.[42]
Sipas biografëve të tij, Sarahsiu i diktoi nxënësve të tij prej memories veprat Mebsut,[43] Usul,[44] dhe një pjesë të madhe të Sherh es-Sijerul-kebir,[45] gjersa ai ishte i burgosur dhe pa qasje në referenca. Schacht e vë në dyshim këtë pikë, duke pohuar se është e pakapshme që Sarahsiu të ketë mundur t’i diktojë veprat e tij gjatë katërmbëdhjetë viteve të burgosjes së tij prej memories. Për këtë arsye, Schacht sugjeron se Sarahsiu duhet të ketë marrë asistencë të konsiderueshme nga nxënësit e tij, përfshirë qasje në burime. Kjo është e mundshme, pasi ne dimë që nxënësit e tij kanë bashkëpunuar me të në kompozimin e veprave të tij.[46]
Sarahsiu punoi në disa trajtesa njëkohësisht. Ai prodhoi disa pjesë të Mebsut para dhe disa pas punës së tij në Sherh es-Sijerul-kebir. Fakti që ai shpesh i referohet kapitujve të Mebsut në Usul-in e tij sugjeron që ai shkroi Usul-in pasi përfundoi Mebsut-in. Gjendja e tanishme e dijes tonë na e pamundëson që të vërtetojmë një kronologji ekzakte të veprave të tij.
El-Mebsut
Me gjasë, vepra më e rëndësishme[47] e Sarahsiut, Mebsut, është njëri prej teksteve ligjore hanefite më të plota. Është e bazuar kryesisht në veprat e Muhammed ibn Hasan Esh-Shejbaniut (vd. 189 h./805).
Një tjetër dijetar hanefi, El-Hakim Esh-Shahid El-Meruazi (vd. 334 h./946), i shkurtoi veprat e Shejbaniut për t’i bërë ato më të lehta për nxënësit për t’i studiuar, ndaj edhe shkurtimi i tij quhet Muhtesar.[48] Afër 150 vite më vonë, Sarahsiu ndjeu që nxënësit po i shmangen fikhut dhe ai vendosi se ishte koha për të hartuar një formulim tërësor të jurisprudencës. Ai u përkushtua në përpilimin e veprës Mebsut që të justifikonte dhe shtjellonte fikhun në Muhtesarin[49] e El-Meruazit. Sarahsiu ofroi tre arsye kryesore pse nxënësit nuk ishin duke mësuar fikh:
1) Mungesa e entuziazmit,
2) pedagogjia sterile e mësuesve të cilët përdornin argumentime të gjata dhe të parëndësishme (el-nikat el-tardijjeh) që nuk kishin rëndësi ligjore dhe,
3) fakti që disa dijetarë i kishin bërë studimet ligjore shumë komplekse, duke futur terma filozofike në definime ligjore.[50] Pasi jep vlerësimin e tij të problemit, Sarahsiu thekson përgjigjen e tij si në vijim:
E pashë që gjëja më e mirë në këtë rast është të shkruaj një komentim mbi Muhtesarin dhe të mos shkoj përtej kuptimit që ka efektin kryesor (në fikh) për të shpjeguar çdo çështje, duke u mjaftuar me tregimin se çka është vendimi i mbështetur (mu’temed) në çdo kapitull. Më pas kur, përveç qëllimit tim (për të shkruar një komentim), disa miq të mi të cilët më ngushëlluan me shoqërinë e tyre gjatë burgimit tim, më kërkuan që t’ua diktoj një vepër të tillë atyre, unë pranova. I lutem Zotit që të më japë sukses në të vërtetën dhe të më mbrojë nga gabimi dhe prej çdo gjë që mund të shkaktojë ndëshkimin tim në botën tjetër. Zoti pranoftë atë që kam synuar në shkrim si arsye për lirim në këtë botë dhe lumturi në botën e përtejme.[51]
Renditja e tanishme e kapitujve në Mebsut me gjasë nuk është renditja e vendosur nga autori.[52] Fillimi i Kitabul-Me’akil (vëll. 27) daton 14 Rabi’uth-thani 466,[53] dhe fillimi i Kitabur-Reda (vëll. 30) daton 12 Xhumade’th-thani 477. Siç ka observuar Schacht, është e pagjasë që Sarahsiu të ketë kaluar njëmbëdhjetë vite për të përfunduar një të dhjetën e veprës së tij masive.[54] Ai me gjasë ka shkruar pjesë të ndryshme të Mebsutit, pa ndjekur rendin e tanishëm të kapitujve, dhe pastaj i ka vendosur kapitujt në radhitjen e tashme pasi shkrimi i librit ka përfunduar.
Versioni i shtypur i Mebsutit është në tridhjetë vëllime, përmban më shumë se pesëdhjetë kapituj kryesorë, secili me një numër të madh nënndarjesh. Fillon me Kitabus-Salat dhe vazhdon në tema që kanë të bëjnë me adhurimin (ibadat) deri te çështjet ligjore më përmbajtjesore. Vëllimi i dhjetë përmban Kitabus-Sijer, e cila merret me ligjet e luftës dhe paqes, ndërkombëtare dhe kombëtare dhe Kitabul-istihsan, e cila koncentrohet në çështjet që kanë të bëjnë me femrat. Vëllimi i tridhjetë përfshin Kitab Ihtilaf Ebi Hanife ue Ibn Ebi Lejla dhe Kitabul-Kesb. Secili prej këtyre kapitujve, me përjashtim të Kitabul-Istihsan, është ekuivalent i një trajtese në vete. Kitabul-kesb është unik në atë që, gati tërësisht, merret me asketizmin, në vend të çështjeve ligjore standarde.
Në Mebsut, Sarahsiu shpesh thotë se metoda e tij në interpretimin e ligjit është të gjej Asl-in, kauzën ose kuptimin kryesor, në një çështje.[55] Në hyrjen e tij në Usul, ai thotë se ai synon qartësi dhe koncizitet në veprat e tij.[56] Mirëpo, qëllimi kryesor i Sarahsiut është të vendosë një justifikim koherent mbi doktrinën ligjore hanefite.[57] Schacht e përshkruan Mebsut-in e Sarahsiut si në vijim:
“Mebsut-i është, në fakt, e para e atyre trajtesave të mëdha që janë të preokupuara, jo me vendosjen e doktrinës së pranuar të shkollës dhe të vërtetojnë që është “e duhura (e vërteta)”, por që me paanësi të analizojnë implikimin sistematik të secilit opinion. Me fjalë tjera, qasja e tyre është, sikur të jetë “filozofike”, dhe Sarahsiu është shpikës i kësaj qasjeje në shkollën hanefite.”[58]
Sherh es-Sijeril-Kebir
Sherh es-Sijeril-Kebir është komentimi i Sarahsiut të veprës El-Sijerul-Kebir, vepër elaborimi e Shejbaniut në ligjin internacional islam.[59] Sherhi i përkushtohet gati tërësisht temave të luftës, paqes dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Sarahsiu shkroi komentimin e tij pak para dhe pak pas daljes nga burgu në vitin 480 h./1088.[60] Teksti është përkthyer në turqisht nga Muhamed Munib Ajntabi (vd. 1238 h./1822)[61] dhe botuar në vitin 1241 h./1825.[62] Versioni origjinal arabisht është botuar gati një shekull më vonë në vitin 1916-1917 në katër vëllime në Hyderabad.[63] Botimi më i përdorur arabisht është ai i Salahud-din El-Munexhidit dhe Abdul-aziz Ahmedit, botuar në Kajro në vitin 1971-1972.[64] Ky botim ka pesë vëllime, 218 seksione, 4573 paragrafë dhe 2312 faqe.[65] Versioni i fundit i botuar në arabisht është ai i Ebu Abdallah Muhammed Hasan Muhammed Hasan Isma’il Esh-Shafi’ij, botuar në Bejrut, në pesë vëllime.[66] Një përkthim në gjuhën frënge nga Muhammed Hamidullah, i titulluar Le grand livre de la conduite de l’etat, është botuar nga Türkiye Diyanet Vakfi në Ankara në mes 1989 dhe 1991.[67] Në këtë artikull, të gjitha referencat janë nga botimi i Kajros i Munexhidit dhe Ahmedit.
Vëllimi i parë [1971-1972 botimi i Kajros], përkushtuar ligjit të luftës, përmban material në lidhje me përgatitjet për luftë, legjitimitetin e saj dhe përdorimin e forcave të armatosura. Temat e mbuluara përfshijnë një varg prej përgatitjes së kuajve për luftë deri te armatimi i luftës, me një theks mbi legjitimitetin e luftës, e cila, në mënyrë të parashikueshme, rezulton në fitore në emër të Islamit. Vëmendje po ashtu i jepet organizimit dhe udhëheqjes së forcave të armatosura, dhe për detajet e eman (sigurisë), e cila është çështje e ligjit të paqes. Vëllimi dytë zhvillon ligjin e eman në detaje, ndonëse fokusi kryesor është në ligjet në lidhje me plaçkat (enfal) e marra nga forcat myslimane. Vëllimi i tretë i përkushtohet tërësisht ligjeve të plaçkave dhe presë (el-ghanima) të marra nga forcat myslimane. Vëllimi i katërt po ashtu merret me robërit e luftës dhe, përveç kësaj, me dispozitat ligjore në lidhje me marrëveshjet e mbrojtjes dhe bashkëpunimet ushtarake, si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me ligjin e luftës dhe paqes. Vëllimi i pestë fokusohet në traktatet e paqes dhe çështjet e ndërlidhura me bashkekzistencën në mes myslimanëve dhe jo-myslimanëve, përfshirë formulimet e traktateve të paqes. Po ashtu merret me problemet në lidhje me murtedd-ët (renegatët), dhimmij (banor i përhershëm jo-mysliman në territor mysliman), muste’min (banor i përkohshëm jo-mysliman në territor mysliman) dhe harbij (banor i përhershëm jo-mysliman në territor jo-mysliman).
Marrëdhënia ekzakte në mes Es-Sijerul-kebir të Shejbaniut dhe komentimit të Sarahsiut nuk është e qartë.[68] Është tepër e vështirë për të veçuar tekstin e Shejbaniut nga komentimi i Sarahsiut dhe të dallohen opinionet e Shejbaniut nga deklarimet e Sarahsiut, përveç nëse vetë Sarahsiu i atribuon ndonjë opinion, direkt ose indirekt, Shejbaniut.
Marrëdhënia në mes tekstit të Shejbaniut dhe komentimit të Sarahsiut ka shkaktuar pak paqartësi në mesin e dijetarëve. Në vitin 1827, Joseph Hammer von Purgstall studioi përkthimin në gjuhën turke të Sarahsiut Sherh Sijeril-Kebir (vetëm dy vite pasi u botua së pari) dhe deklaroi Shejbaniun (jo Sarahsiun) si Hugo Groutious i Islamit’.[69] Më pas, në vitin 1955, Hans Kruse provoi të sigurojë vendin e Shejbaniut si Hugo Grotius i Islamit, duke themeluar Shaybani Society of International Law’ (Shoqëria e Ligjit Internacional Shejbaniu’).[70] Kruse komenton mbi komentimin e Sarahsiut si në vijim:
“… Është gati e pamundshme që të ndërmarrësh një ndarje të pakontestueshme të tekstit bazë (metn), me origjinë nga Shejbaniu, nga shtesat komentuese të Sarahsiut. Kllapat e shtuara në tekst nga botuesit duket se japin një shenjë se cilat pjesë të tekstit duhen atribuuar Shejbaniut sipas mendimit të tyre.”[71]
Mexhid Khadduri vjen në një përfundim të ngjashëm:
“Komentimi i Sarahsiut përbën gati një libër të ri; ai nuk arriti të riprodhojë tekstin origjinal të Shejbaniut, qasja ndaj të cilit i është ndaluar në burg, ndonëse mund të konsiderohet si ekspozim i doktrinave të Shejbaniut në sijer siç ai i kishte kuptuar ato. Teksti i Shejbaniut, edhe përkundër përpjekjeve nga botuesit për ta dalluar atë prej komentimit, mund të konsiderohet si i humbur. Komentimi i Sarahsiut paraqet doktrinat hanefite siç janë kuptuar në shekullin e pestë të epokës islame (shekulli njëmbëdhjetë gregorian) dhe jo në shekullin e dytë (tetë gregorian) kur Shejbaniu ishte gjallë.”[72]
Në War and Peace in the Law of Islam, Khadduri ia atribuon disa pjesë të Sherh es-Sijeril-kebir Shejbaniut,[73] dhe shton paqartësinë në bibliografitë e tij: në War and Peace in the Law of Islam, ai paraqet Sherh es-Sijeril-kebir të Sarahsiut nën emrin e Shejbaniut;[74] në The Islamic Law of Nations, ai e paraqet të njëjtën vepër nën emrin e Sarahsiut.[75]
Sarahsiu na tregon se ai ka studiuar Es-Sijerul-kebir nën mësuesin e tij El-Haluanin.[76] Sidoqoftë, duhet pasur parasysh, se teksti i Shejbaniut është kopjuar dhe ri-kopjuar shumë herë gjatë dy shekujve e gjysmë para se të ketë qenë e qasshme për Sarahsiun,[77] dhe që mund të ketë pësuar ndryshime në redaktimet e shumta të tij para se Sarahsiu ta pranojë nga El-Haluani. Prej kësaj mund të nxjerrim dy konkluzione:
1) Asnjë deklarim në Sherh es-Sijeril-kebir nuk mund t’i atribuohet me siguri Shejbaniut përveç nëse konfirmohet nga ndonjë burim tjetër ose nga vetë Sarahsiu.
2) Ndonëse Sherh es-Sijeril-kebir është bazuar në veprën e Shejbaniut Es-Sijerul-kebir, ky Sherh mund të konsiderohet vepër në vete e Sarahsiut.[78]
Joseph Hammer von Purgstall, Hans Kruse dhe Mexhid Khadduri janë të justifikuar në theksimin e kontributit madhështor të Shejbaniut në teorinë e ligjit islam, pasi Sarahsiu nuk mund ta kishte përpiluar Sherh es-Sijeril-kebir po të mos kishte pranuar tekstin e Shejbaniut nga Haluani. Mirëpo, ata janë gabim kur atribuojnë disa pjesë të Sherh es-Sijeril-kebir ndaj Shejbaniut, pasi pjesët në fjalë janë vënë në kllapa ose janë theksuar me ngjyrë të zezë nga botuesit, bazuar në supozime. Vërtetë, njëri prej botuesve, Salahud-din El-Munexhid thotë: “Ne dalluam atë që duket si fjalë e Shejbaniut prej fjalëve të Sarahsiut. Fjalët e të parit i vumë në shkronja të mëdha dhe të dytit në shkronja të vogla. Në botimin indian të veprës, fjalët e Shejbaniut janë vendosur në kllapa.”[79]
El-Usul
Siç është theksuar, Sarahsiu filloi ta shkruaj Usul-in në Uzxhand në vitin 479 h./1087,[80] ndonëse ne nuk e dimë kur e ka përfunduar atë. Botimi më i përdorur i Usul-it është ai i Ebul-Uefa El-Afganit, botuar në Hyderabad[81], në dy vëllime, prej 416 dhe 387 faqesh, respektivisht. Mirëpo, botimi më i ri i Usul-it është ai i Rafik el-Axhem, botuar në Bejrut[82] në dy vëllime prej 393 dhe 327 faqesh, respektivisht.[83]
Sarahsiu përshkruan Usul-in si justifikim të metodave ose procedurave të aplikuara në interpretimin e tij të ligjit praktik:
1) Interpretimi i tij i ligjit praktik në formë të komentimit mbi jurisprudencën hanefite prej teksteve të Shejbaniut, dhe
2) Usul-i i tij është mbrojtja sistematike e mëvonshme e metodës së përdorur në komentimet ligjore.[84] Në hyrjen e tij, Sarahsiu shpjegon se është e rëndësishme që të kuptohet metodologjia e fikhut hanefi dhe si dhe vetë ligjit praktik. Çështjet e fikhut, sugjeron ai, janë shumë, por parimet (usul) janë të pakta në numër. Nuk është qëllimi i tij, thotë ai, që të shtojë asgjë të re në fikh, pasi juristë të mëhershëm hanefi tashmë kishin përpiluar libra të shumta (mexhmu’at). Por, – vazhdon ai, – ai preferon që të jetë prej atyre që ndjekin (muktedin) [shtegun e krijuar nga paraardhësit].[85] Me përmbajtjen e pasur dhe justifikimin racional të interpretimeve ligjore, Usul-i është një kontribut i rëndësishëm i jurisprudencës hanefite.
Usul-i i Sarahsiut ofron shpjegim koherent të marrëdhënies në mes metodës së interpretimit ligjor dhe ligjeve praktike (furu). Kjo pikë është sqaruar qartë nga Uael b. Hallaq:
“Një ekzaminim i afërt i Usulit të tij (Sarahsiut) zbulon vëmendjen e kujdesshme dhe konstante të ligjit praktik dhe praktikës ligjore. Libri është pothuajse njëmendësisht ligjor dhe referencë e vazhdueshme ndaj çështjeve furu’ tradhton afinitetin në mes ligjeve praktike të Sarahsiut dhe metodologjisë së tij dhe teorisë së interpretimit ligjor.”[86]
Në këtë drejtim, Usul-i i Sarahsiut, siç ka observuar U. Hallaq,[87] është i krahasueshëm me bashkëkohësin e tij Pezdeuiun. Edhe Sarahsiu edhe Pezdeuiu i referohen parimisht Ebu Hanifes, Ebu Jusufit dhe Shejbaniut për të vërtetuar metodologjinë hanefite të interpretimit ligjor. Dhe ata i referohen Shafi’ut për ta dalluar qasjen e tij prej asaj të juristëve të hershëm hanefi. Mirëpo, për dallim nga Pezdeuiu, Sarahsiu më shpesh i referohet ligjeve praktike (furu’) për të vërtetuar metodologjinë e fikhut. Është meritë e Sarahsiut, që referencat e tij ndaj ligjit praktik në Usul-in e tij, shpesh mund të përcillen në veprat e tij të kaluara mbi ligjin praktik.[88]
Përktheu: Fatih Ibrahimi
Burimi:
“Islamic Legal Thought: A Compendium of Muslim Jurists”, edituar nga: Oussama Arabi, David S. Powers dhe Susan A. Spectorsky, f. 239-251.
Rreth autorit
Osman Taştan është profesor në Departamentin e Fikhut Islam në Fakultetin e Shkencave Fetare në Universitetin e Ankarasë. Ai shkroi disertacionin e tij të doktoraturës mbi Sarahsiun. Publikimet e tij përfshijnë një kapitull ‘Feja dhe minoritetet fetare’ në Turqi dhe artikujt mbi teorinë dhe historinë ligjore islame. Kërkimi i tij po ashtu përfshin ligjin e popullimit dhe luftën e paqen në ligjin islam. (Burimi: Islamic Legal Thought,” f. XV).
Rreth anës teknike të përkthimit
Të gjitha shënimet në kllapa dhe fusnota janë të autorit dhe/ose të edituesve, dhe jo të përkthyesit. Gjatë përkthimit jemi munduar t’i qëndrojmë besnik tekstit në maksimum, përveç rasteve kur përkthimi i fjalëpërfjalshëm do të rezultonte absurd në gjuhën shqipe. Në mungesë të një terminologjie të unifikuar në shqip, termat në vijim, i kemi përkthyer kështu: Fikh – Jurisprudencë, Usul el-Fikh – Teoria (ose Metodologjia) ligjore, Furu el-Fikh – ligji praktik, ndonëse autori përdor fjalët “Law” për Fikh dhe “Positive Law” për Furu el-Fikh. Përkthimi tekstual i këtyre termeve, sipas mendimit tonë, nuk do të ishte në pajtim me kuptimin terminologjik të fjalëve. Variante të tjera të përkthimit të Furu el-Fikh mund të jenë ligj aplikativ, ligj sekondar/degësor (për kontrast me ligjin bazik/rrënjësor’, d.m.th. Usul el-Fikh).
* Kjo ese është bazuar mbi kapitullin e parë (Jeta dhe Vepra e Sarahsiut) të punimit tim të doktoraturës (The Jurisprudence of Sarakhsī uith particular reference to uar and peace: a comparative study in Islamic lau), mbikëqyrur nga Aziz El-Azmeh dhe Ian R. Netton, University of Exeter, 1993. I jam mirënjohës Akademisë Turke të Shkencave/Türkiye Bilimler Akademisi, për financimin e studimeve të mia në Departamentin e Studimeve të Lindjes së Afërt në Cornell University si vizitor në gjysmën e parë të vitit 2004, kur e shkrova këtë ese.
[1]. Emri i tij i plotë është Muhammed bin Ahmed ibn Ebi Sehl, Ebu Bekr Shemsul-eimme Es-Sarahsi.
[2]. M. Hamidullah, “Serahsinin Devletler Umumi Hukukundaki Hissesi,” 15-25, tek 16.
[3]. M. Hamidullah, “Serahsinin Devletler Umumi Hukukundaki Hissesi,” 16; Idem, “Avant-Propos Du Traducteur,” vëll. 1, f. XXXII. Marrëdhënia ekzakte në mes Es-Sijarul-kebir të Shejbaniut dhe komentimit të Sarahsiut, e cila është problematike, do të analizohet më poshtë.
[4]. Encyclopedia of Islam, 1st Edition (Tutje: EI1), s.v. “al-Sarakhsī, Shams al-a’imma Abū Bakr Muhammad b. Ahmad b. Abī Sahl” (Heffening).
[5]. Shih EI1, s.v. “Sarakhsi” (Heffening); M. Hamidullah, “Serahsinin Devletler,” 16; Salahad-Din al-Munexhid, “El-Mukaddimeh (Hyrje),” në Sherh Es-Sijerul-Kebir të Sarahsiut, 1:5-29, tek 15-18; Ebul-Uefa El-Afgani, [“El-Mukaddimeh”], në Usul të Sarahsiut (Hyderabad, 1372H), 1:3-8 tek 4-8.
[6]. El-Kureshi, El-Xheuahirul-mudijjeti fi tabakatil-hanefijje (Kajro, 1398-99/1978-79), 3:78; ibn Kutlubugha, Taxhul-teraxhim fi tabakatil-hanefijje, 35, 52; J. Schacht, “Notes on Sarakhsi’s Life and Uorks,” 1-6, tek 1; M. Hamidullah, “Serahsi’nin Devletler,” 16; EI1, s.v. “Al-Sarakhsi”; Salahad-Din al-Munexhid, “El-Mukaddimeh,” 15-8; Ebu el-Uafa el-Afgani [“El-Mukaddimeh”], 4-8; Idem, “Mukaddimet el-Kitab” në En-Nukat: Sherh zijadat el-zijadat të Sarahsiut, 1-12, tek 10-12. Mbi studimin e Sarahsiut nën Haluanin, shih po ashtu Abdul-Haj El-Lekneuij, El-Feua’idul-bahijjeti fi taraxhimil-hanefijje (Bejrut, n.d.), 158; Tashkuprizadeh, Tabakat el-fukaha, 76; idem, Meusu’at mustalahat miftah es-sa’adeh ue misbah el-sijadeh fi meudu’at el-ulum, 235, 645.
[7]. Ibn Kutlubugha, Taxh et-teraxhim, 43; J. Schacht, “Notes,” 1.
[8]. Salahad-Din al-Munexhid, “El-Mukaddimeh,” 15-18; EI1, s.v. “Al-Sarakhsi”.
[9]. El-Kureshi, El-Xheuahir (Kajro, 1398-99/1978-79), 3:81; J. Schacht, “Notes,” 1; Salahad-Din al-Munexhid, “El-Mukaddimeh,” 15-18; Ebu el-Uafa el-Afgani, “Mukaddimet el-Kitab,” 10-12; idem, [“El-Mukaddimeh”], 4-8.
[10]. El-Kureshi, El-Xheuahir (Kajro, 1398-99/1978-79), 3:81; J. Schacht, “Notes,” 1; Ebu el-Uefa, “Mukaddimet el-Kitab,” 10-12; idem, [“El-Mukaddimeh”], 4-8.
[11]. El-Kureshi, El-Xheuahir (Kajro, 1398-99/1978-79), 3:81; El-Leknevij, El-Feua’id (Bejrut, n.d.), 158; J. Schacht, “Notes,” 1; Ebu el-Uefa, “Mukaddimet el-Kitab,” 10-12; idem, [“El-Mukaddimeh”], 4-8; EI1, s.v. “Al-Sarakhsi”.
[12]. El-Lekneuij, El-Feua’id (Bejrut, n.d.), 158; J. Schacht, “Notes,” 1; Ebu el-Uefa, “Mukaddimet el-Kitab,” 10-12.
[13]. El-Lekneuij, El-Feua’id (Bejrut, n.d.), 158; Ebu el-Uefa, “Mukaddimet el-Kitab,” 10-12
[14]. Ya’akov Meron, “The Development of Legal Thought in Hanafi Texts,” Studia Islamica XXX (1969), 73-118.
[15]. Numrat (4) dhe (5) në pasazhin e cituar sipër i referohen fusnotave në artikullin e Meronit, të cilat janë si në vijim: “(4) Ibn Kutlubugha, Taxhut-teraxhimi fi tabakatil-hanefijje, 84-5. (5) C. Brockelmann, GAL, I, 375.” Për citatin dhe referencat, shih Meron, “Development,” 86-87.
[16]. Meron, “Development,” 78, 86-87
[17]. Shih El-Kureshi, El-Xheuahir (Kajro, 1398-99/1978-79), 3:357; Shih po ashtu Dominique Sourdel, “Les professeurs de Madrasa a Alep aux XIIe-XIIIe Siécles d’Après Ibn Šaddād,” 85-115, tek 93.
[18]. Nikita Elisséeff, Nur ad-Din un grand prince musulman de Syrie au temps des roisades (611-569H./1118-1174), 2:429-30, 3:756-7.
[19]. Shih Ibn Kutlubugha, Taxhut-teraxhim, 84-85; C. Brockelman, Geschichte der arabischen Litteratur 2 (Tutje: GAL), 1:463, 465.
[20]. M. Hamidullah, “Serahsinin Devletler,” 16; J. Schacht, “Notes,” 3; EI1, s.v. “Al-Sarakhsi”; Salahad-Din al-Munexhid, “El-Mukaddimeh,” 15-18; Ebu el-Uafa, “Mukaddimet el-Kitab,” 10-12.
[21]. El-Kureshi, El-Xheuahir (Kajro, 1398-99/1978-79), 3:78-9; Ibn Kutlubugha, Taxh el-Teraxhim, 52-3; El-Leknevij, El-Feua’id (Bejrut, n.d.), 158; Tashkaprizadeh, Tabakat el-Fukaha, 75; idem, Meusu’at mustalahat miftah el-sa’adeh, 235; Salahad-Din al-Munexhid, “El-Mukaddimeh,” 15-18; Ebu el-Uefa, “Mukaddimet el-Kitab,” 10-12; idem, “El-Mukaddimeh”, 4-8. Shih po ashtu Salih Tuğ, “Eserlerinde Raslanan İfadelerine Göre İmam Serahsi’nin Hapis Hayatı,” 43-60, tek 43-5.
[22]. Ibn Kutlubugha, Taxh el-Teraxhim, 52-3; Tashkaprizadeh, Tabakat el-Fukaha, 76; Salahad-Din al-Munexhid, “El-Mukaddimeh,” 15-18; EI1, s.v. “Sarakhsi”; J. Schacht, “Notes,” 3;
[23]. Ebu el-Uafa, “El-Mukaddimeh,” 4-8; Schacht, “Notes,” 3;
[24]. M. Hamidullah, “Serahsi’nin Devletler,” 16; shih po ashtu Salih Tuğ, “Eserlerinde Raslanan,” 43-5.
[25]. J. Schacht, “Notes,” 3-4; shih po ashtu Salih Tuğ, “Eserlerinde Raslanan,” 43-5.
[26]. J. Schacht, “Notes,” 3-4.
[27]. Citimi bibliografik i Schahtit në lidhje me burgimin e Sarahsiut është i pasaktë. Ai e bazon interpretimin e tij mbi një citim të një teksti arabisht të cilin ai e identifikon si shënimet përmbyllëse të Sarahsiut në Sherh es-Sijer el-Kebir. Mirëpo, Schacht, nuk identifikon vëllimin, faqen ose botimin e Sherh-it në citimin e tij. Pasazhi që Schacht citon nuk gjendet në botimin 1971-1972 të Kajros së këtij Sherhi të përdorur në studimin para jush. Mirëpo, disa fjalë të ngjashme me pasazhin e cituar nga Schacht gjenden në Keshf edh-dhunun të Haxhi Halifes dhe identifikohen si shënime përmbyllëse të Sarahsiut rreth veprës së tij Sherh es-Sijer el-Kebir. Shih Haxhi Halifa, Keshf edh-dhunun (Tehran, 1947), 2:1014. Përveç kësaj, një tjetër fjalë cituar nga Schacht prej Mebsut-it (Kajro, 1324H), 10:50, të Sarahsiut në lidhje me çështjen nën diskutim nuk gjendet në vendin e treguar. Fjala gjendet në Mebsut (Kajro, 1324H) 7:59. Tjerat referenca nga Schacht për Mebsut (Kajro, 1324H, 10:144 dhe 12:108) në lidhje me çështjet në fjalë gjenden në vendet e treguara (Shih J. Schacht, “Notes,” 3-4).
[28]. Ibn Kutlubugha, Taxh et-Teraxhim, 52-3; El-Lekneuij, El-Feua’id (Bejrut, n.d.), 158; Tashkuprizadeh, Meusu’at mustalahat miftah el-sa’adeh, 235; Ebu el-Uafa, “El-Mukaddimeh,” 4-8;
[29]. J. Schacht, “Notes,” 4;
[30]. Sarahsi, Mebsut (Kajro, 1324H), 12:108; Salih Tuğ, “Eserlerinde Raslanan,” 54-5.
[31]. Sarahsi, Usul (Hyderabad, 1372H), 1:9.
[32]. Salahad-Din al-Munexhid, “El-Mukaddimeh,” 15-18; Ebu el-Uafa “Mukaddimet el-Kitab,” 10-12; J. Schacht, “Notes,” 5; EI1, s.v. “Sarakhsi”; Salih Tuğ, “Eserlerinde Raslanan,” 46.
[33]. Për Farghanda dhe Emir Hasan, shih Tashkaprizadeh, Tabakat el-Fukaha,75-6.
[34]. Ibn Kutlubugha, Taxh et-Teraxhim, 52-3; Ebu el-Uafa “Mukaddimet el-Kitab,” 10-12; J. Schacht, “Notes,” 5-6; EI1, s.v. “Sarakhsi”; Salih Tuğ, “Eserlerinde Raslanan,” 49.
[35]. Ebu el-Uafa, “El-Mukaddimeh,” 4-8; M. Hamidullah, “Serahsi’nin Devletler,” 16; J. Schacht, “Notes,” 1; disa biografë përmendin që ai vdiq rreth 490H/1097 (shih el-Kureshi, El-Xheuahir (Kajro, 1398-99/1978-79), 3:82; Ebu el-Uafa “Mukaddimet el-Kitab,” 10-12; Salahad-Din al-Munexhid, “El-Mukaddimeh,” 15-18;
[36]. El-Kureshi, El-Xheuahir (Kajro, 1398-99/1978-79), 3:82; Ibn Kutlubugha, Taxh el-Teraxhim, 52-3; Haxhi Khalifa, Keshf el-Zunun (Tehran, 1947), 2:1580; Tashkaprizadeh, Tabakat el-Fukaha, 75-6; idem, Meusu’at mustalahat miftah el-sa’adeh, 235; Ebu el-Uafa “Mukaddimet el-Kitab,” 10-12; Salahad-Din al-Munexhid, “El-Mukaddimeh,” 15-18; EI1, s.v. “Sarakhsi”. Titulli i shtypur i botimit të Mebsut që përdorim për këtë studim (Kajro, 1324H) është Kitab el-Mebsut li Shems el-Din el-Sarakhsi; mirëpo, llagapin “Shems el-Din” nuk e përdor asnjëri nga biografët e Sarahsiut përveç Tashkuprizades, i cili i referohet Sarahsiut edhe si Shems el-Din edhe si Shems el-A’imma. Shih Tashkaprizadeh, Tabakat el-Fukaha, 75.
[37]. Ibn Kutlubugha, Taxh el-Teraxhim, 52-3; Tashkuprizadeh, Tabakat el-Fukaha, 75-6; idem, Meusu’at mustalahat miftah el-sa’adeh, 235; Ebu el-Uafa “Mukaddimet el-Kitab,” 10-12; J. Schacht, “Notes,” 1; EI1, s.v. “Sarakhsi”;
[38]. Ibn Kutlubugha, Taxh el-Teraxhim, 52-3; Haxhi Khalifa, Keshf el-Zunun (Tehran, 1947), 2:1014; Tashkaprizadeh, Tabakat el-Fukaha, 75-6; idem, Meusu’at mustalahat miftah el-sa’adeh, 235; Ebu el-Uafa “Mukaddimet el-Kitab,” 10-12; J. Schacht, “Notes,” 1; Salahad-Din al-Munexhid, “El-Mukaddimeh,” 15-8; EI1, s.v. “Sarakhsi”. Norman Calder identifikon veprat Mebsut, Sherh Sijar el-Kebir dhe Usul si tre veprat më të rëndësishme të Sarahsiut. Shih EI2, s.v. “Al-Sarakhsi” (Calder)
[39]. Ebu el-Uafa “Mukaddimet el-Kitab,” 10-12; J. Schacht, “Notes,” 1;
[40]. Ibn Kutlubugha, Taxh el-Teraxhim, 52-3; Haxhi Khalifa, Keshf el-Zunun (Tehran, 1947), 2:1628; Tashkaprizadeh, Meusu’at mustalahat miftah el-sa’adeh, 235; Shih po ashtu Brockelmann, GAL, S1, 1:294. Sipas Brockelmann, Sulejmania ka një kopje të Sherh Mukthesar et-Tahaui (Suleym. 595). Kjo është e pasaktë, siç demonstron Fuat Sezgin në Geschichte des Arabischen Schrifttums 1 (Tutje: GAS), 1:441. Dorëshkrimi i Sherh Muhtesar et-Tahaui, siç sugjeron edhe Ibn Kutlubugha (Taxh el-Teraxhim, 52-3), nuk gjendet në tërësi. Vëllimi i dytë i dorëshkrimit është në bibliotekën Chester Beatty. Detajet e saj citohen nga Arberry si në vijim: “Foll. 339. 25.7 x 16.5 cm. Clear scholar’s naskh. E padatuar, shekulli 7të/13të. Brockelmann suppl, 1, 294”. Shih Aruthr J. Arberry, A Handlist of the Arabic Manustripts, vëll. 4, mss. 3751 deri 4000, fq. 60, tema nr. 3923; Ebu el-Uafa “Mukaddimet el-Kitab,” 10-12; J. Schacht, “Notes,” 1;
[41]. Bibliothèque Nationale, Arabe/2800; shih de Slane, Catalogue des manuscripts Arabes de la Bibliothèque Nationale, 2:504; shih po ashtu Brockelman, GAL, 1:460-1; T. Okic, “Önsöz,”; Ebu el-Uafa “Mukaddimet el-Kitab,” 10-12.
[42]. Sarahsi, Usul (Hyderabad, 1372H), 1:10.
[43]. Salahad-Din al-Munexhid, “El-Mukaddimeh,” 15-18; Ebu el-Uafa “Mukaddimet el-Kitab,” 10-12; EI1, s.v. “Sarakhsi”.
[44]. Ebu el-Uafa “Mukaddimet el-Kitab,” 10-12; EI1, s.v. “Sarakhsi”.
[45]. Salahad-Din al-Munexhid, “El-Mukaddimeh,” 15-18; Ebu el-Uafa “Mukaddimet el-Kitab,” 10-12; EI1, s.v. “Sarakhsi”.
[46]. J. Schacht, “Notes,” 5.
[47]. EI1, s.v. “Sarakhsi”.
[48]. Muhtesari (përmbledhja) e Meruazit është po ashtu e njohur si El-Kafi (shih J. Schacht, “Notes,” 2; Chafik Chehata, Études de droit musulman, 22. Sipas Meron, vepra e Meruazit është komentim, jo përmbledhje, mbi veprat e Shejbaniut. Në këtë pikë, Meroni dallon nga J. Schacht dhe Chafik Chehata, dhe, në fakt, me vetë Sarahsiun, i cili e identifikon trajtesën e Meruazit si përmbledhje. Kredit në pikë duhet dhënë për Schacht dhe Chehata, të cilët janë në pajtim me Sarahsiun. Cf. Sarahsi, Mebsut (Kajro, 1324 H), 1:2-4; J. Schacht, “Notes,” 2; Chafik Chehata, Études, 22; Meron, “Zhvillimi i mendimit ligjor në tekstet hanefite,” 80.
[49]. El-Muhtesar është kanali përmes së cilit Sarahsiu kërkonte lidhjet mes ligjit të tij dhe atij të juristëve të hershëm hanefij.
[50]. Sarahsi, Mebsut (Kajro, 1324H), 1:2-4; J. Schacht, “Notes,” 1-2.
[51]. Sarahsi, Mebsut (Kajro, 1324H), 1:4.
[52]. J. Schacht, “Notes,” 1;
[53]. Sarahsi, Mebsut (Kajro, 1324H), 17:124; J. Schacht, “Notes,” 1;
[54]. J. Schacht, “Notes,” 1;
[55]. Sarahsi, Mebsut (Kajro, 1324H), 1:4, 7:59, 10:144, 12:108, dhe 30:244.
[56]. Sarahsi, Usul (Hyderabad, 1372H), 1:10;
[57]. Shih Sarahsi, Mebsut (Kajro, 1324H), 1:120, 122, 2:61, 64, 152, 3:83, 103, 10:146-7, 157, 161–2.
[58]. J. Schacht, “Notes,” 2;
[59]. M. Khadduri, “Translator’s Introduction” (Parathënia e përkthyesit), në The Islamic Law of nations: Shaybani’s Sijar, 42 të Shejbaniut.
[60]. M. Hamidullah, “Serahsi’nin Devletler,” 21-2; J. Schacht, “Notes,” 5.
[61]. Muhammed Munib Ajntabi përktheu këtë vepër në vitin 1796-97. Shih M. Hamidullah, “Serahsi’nin Devletler,” 20.
[62]. Tayyib Okic, “Şemsu’l-Eimme es-Serahsi’nin Şerhu’s-Siyeri’l-Kebir’inin Türkce Tercemesi ve Mütercim Muhammed Munib Ayintabi’nin Diğer Eserleri,” 27-42, tek 30; M. Hamidullah, “Avant-Propos,” LI; M. Khadduri, “Translator’s Introduction,” 56.
[63]. M. Hamidullah “Avant-Propos,” L; M. Khadduri, “Translator’s Introduction,” 56; T. Okic, “Şemsu’l-Eimme es-Serahsi’nin,” 27;
[64]. Vëllimi i parë, dytë dhe tretë janë edituar nga Salahad-Din al-Munexhid, i katërti dhe i pesti nga Abd el-Aziz Ahmed (Kajro: Metba’at Shirkat el-I’lanat el-Sharkijje, 1971-72).
[65]. M. Hamidullah “Avant-Propos,” L.
[66]. Dar el-Kutub el-Ilmijje, 1997.
[67]. Le grand livre de la conduite de l’État [text by] ach-Chaibani, commenté par as-Sarakhsi, traduit par M. Hamidullah, 4 vëll. (Ankara: Turkiye Diyanet Vakfi, 1989–91).
[68]. M. Khadduri, “Translator’s Introduction,” 43.
[69]. H. Kruse, “The Foundation of Islamic International Jurisprudence,” 231-67, tek 238; M. Khadduri, “Translator’s Introduction,” 56-7.
[70]. M. Khadduri, “Translator’s Introduction,” 56-7.
[71]. H. Kruse, “The Foundation,” 237. Për komente të ngjashme, shih idem, “Islamic Doctrine of International Treaties,” 152-8, tek 154.
[72]. M. Khadduri, “Translator’s Introduction,” 44.
[73]. M. Khadduri, “Uar and Peace in the Lau of Islam,” 56, 62, 82, 84-85, 104, 106-08, 113-15.
[74]. Ibid., 304.
[75]. M. Khadduri [ed], The Islamic Lau of Nations: Shaybani’is Sijar, 304
[76]. Sarahsi, Sherh el-Sijar el-Kebir, 1:5.
[77]. Për detaje, shih Sarahsi, Sherh el-Sijar el-Kebir, 1:4-5; H. Kruse, “The Foundation,” 238-9; M. Khadduri, “Translator’s Introduction,” 43.
[78]. Vepra e Sarahsiut, sidoqoftë, mund të përmbajë nocionet e Shejbaniut për ligjin ndërkombëtar ose, në disa raste, pjesë të tekstit të Shejbaniut që janë kamufluar nga komentimi.
[79]. Salahad-Din al-Munexhid, “El-Mukaddimeh,” 27;
[80]. Sarahsi, Usul (Hyderabad, 1372H), 1:9;
[81]. Metba’at Lexhnat el-Me’arif el-Nu’manijje, 1372 h.
[82]. Dar el-Ma’rife, 1998.
[83]. Vepra Usul e përdorur në këtë artikull është botimi Hyderabadit 1372H nga el-Afgani. Përveç këtij botimi dhe atij të Refik el-Axhem, është edhe një botim i Ebu Abd el-Rahman Salah ibn Muhammed Arida, botuar në vitin 1996 nga Dar el-Kutub el-Ilmijje, Bejrut, në dy vëllime (288 dhe 256 faqesh, respektivisht), me titullin El-Muharrer fi Usul el-Fikh. Ky titull nuk përmendet prej asnjë prej biografëve të Sarahsiut. Ebu Uefa el-Afgani, edituesi i botimit të Hyderabadit, thotë që titulli fillestar i Usul ishte Temhid el-Fusul fi el-Usul; më vonë, u bë e njohur si Usul el-Sarahsi. Shih Ebu el-Uefa el-Afgani [“El-Mukaddimeh”], në Sarahsi, Usul (Hyderabad, 1372H), 1:3-8 tek 4.
[84]. Sarahsi, Usul (Hyderabad, 1372H), 1:10;
[85]. Ibid.
[86]. Uael B. Hallaq, “Usul al-Fiqh: Beyond tradition,” 172-202, te 182.
[87]. Ibid., 82.
[88]. Për referencat e Pezdeuiut ndaj Ebu Hanifes, Ebu Jusufit dhe Shejbaniut, shih Pezdeuiu, Usul, në margjinat e Abd el-Aziz el-Bukhari, Keshf el-Esrar, 4 vëll. ([Instanbul]: Mekteb el-Sanaji, 1307H), 1:4-11, 2:336, 342, 377, 468, 559; 3:764-5, 866; 4:1472, 1483. Për referencat e Pezdeuiut ndaj Shafiut shih Pezdeuiu, Usul, 2:591, 623, 632; 3:963, 1013-14, 1098; 4:1270; për referencat e Sarahsiut ndaj Ebu Hanifes, Ebu Jusufit dhe Shejbaniut, shih Sarahsi, Usul (Hyderabad, 1372H), 1:36, 73, 125, 230, 2:113, 133, 213, 231, 295, 337, 348. Për referencat e Sarahsiut ndaj Shafiut, shih Sarahsi, Usul (Hyderabad, 1372H), 1:119, 315, 2:106, 207; Për ligjet praktike të përmendura nga Sarahsiu që tregojnë lidhje në mes interpretimit të tij të ligjit praktik (furu el-fikh) dhe metodologjisë së tij të interpretimit (usul el-fikh), shih Sarahsiu, Usul (Hyderabad, 1372H), 1:351; cf. Mebsut (Kajro, 1324H), 16:121; Usul, 2:48-9; cf. Mebsut, 11:169 ff.; Usul, 2:133; cf. Mebsut, 16:60-3 ff; Usul, 2:201; cf. Mebsut, 9:61-2; Usul, 2:201; cf. Mebsut, 9:147-8; Usul, 2:204; cf. Mebsut, 2:8; Usul, 2:205; cf. Mebsut, 12:161 ff.
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Nov 01, 2022 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...