Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Feb 10, 2020 Zani i Nalte Personalitete, Studime 0
nga Msc. Flogerta Doja, Kolegji Universitar Bedër
Abstrakt
Hoxhë Hasan Tahsini njihet si një nga personalitetet më të shquara të botës shqiptare. Ai ishte më i dituri dhe më i formuari ku ndihmoi në përhapjen e diturisë, në mbrojtjen e atdheut e çështjes kombëtare. Fitues i shumë titujve të ndryshëm. Hoxhë Hasan Tahsini i ka dhënë shumë rëndësi të drejtës që njeriu ka kundrejt vetes, shoqërisë dhe mbarë njerëzimit, duke theksuar se e drejta, jo vetëm që është në dobi të vetes, por edhe në dobi të të tjerëve. Gjithashtu hoxha i nderuar e përkufizon njeriun si qenien më të lartë, më të bukur nga çdo pikëpamje. Sipas tij, njeriu duhet të jetë i veshur me petkun e mëndafshtë të sjelljes së mirë, që ai të arrijë atë lartësinë e duhur. Hoxhë Hasan Tahsini ka shkruar edhe dy poezi mjaft të bukura, njërën prej tyre kushtuar Zotit. Rëndësi të madhe Hoxhë Hasan Tahsini i ka dhënë edhe këshillimit me të tjerët. Ai thekson se njeriu jo vetëm duhet të jetë këshillues i mirë, por edhe veprues i mirë që këshilla të ketë dobi. Të gjitha këto çështje ai i sqaron me versete nga Kur’ani Famëlartë dhe Hadithe të Profetit Muhamed a.s., të cilat disa prej tyre i ka përkthyer në gjuhën shqipe.
Hyrje
Qëllimi i studimit
Të identifikojë dhe analizojë artikujt e H. Hasan Tahsinit në kolanën “Zani i Naltë”.
Objektivat e studimit
Hasan Tahsini (Hasan Osman Rushiti) lindi në fshatin Ninat të Konispolit, më 7 prill të vitit 1811 (ndonëse ka edhe versione të tjera për lindjen një ose dy vjet më vonë). Shkollën e mesme e mbaroi në medresenë e Shkodrës, ndërsa të lartën në Stamboll. Në sajë të punës së gjithanshme, ai është ndër personalitetet më të rëndësishme shkencore e kulturore që ka nxjerrë bota shqiptare në shekullin XIX. Ai i bëri një shërbim të çmuar Atdheut, zgjimit dhe forcimit të ndërgjegjes kombëtare, mësimit të gjuhës shqipe, si dhe përhapjes së diturisë në masat e popullit. Sami Frashëri thotë: “Hasan Tahsini ishte nga njerëzit më të mëdhenj që shumë rrallë e me vështirësi i lindin shekujt dhe epokat”. U bë rektori i parë i Universitetit të Stambollit. Hasan Tahsini jo vetëm që nuk e harroi asnjëherë se ishte shqiptar, por meqë ishte ndër shqiptarët më i formuari, më i dituri, më i ngrituri, gjithnjë printe në çështjen shqiptare kombëtare. Ishte ndër të parët që hartoi një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe. Ishte ndër të parët nga nismëtarët për themelimin e Shoqërisë Kulturore Shqiptare të Stambollit. Dhe ishte nga të parët në themelimin e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881). Hasan Tahsini, përveçse ishte atdhetar, ishte edhe dijetar, mendimtar, përkthyes, poet, shkrimtar, letrar. Ishte një iluminist enciklopedist…! Sipas burimeve turke, Hasan Tahsini ishte njeriu më i ditur i kohës në Stamboll, jo vetëm në shkencat natyrore, por edhe në ato letrare, filologjike, filozofike, teologjike. Hoxhë Hasan Tahsini ka shkruar, botuar më shumë se 20 libra shkencorë për astronomi, psikologji, pedagogji. Studimet e tij fillimisht i botoi në revistën shkencore “Mexhmual-Ulum”, që ishte vetë themelues.
Duke vlerësuar veprimtarinë e tij krijuese dhe patriotike shteti shqiptar i ka dhënë titullin “Mësues i Popullit”(1961) dhe Urdhrat “Për veprimtari patriotike” të kl. II (1962), dhe “Naim Frashëri”, kl. I (1995). Së fundi u botua monografia “Profesor Hasan Tahsini”, në tri vëllime (Tiranë, 2009) e autorit Laurant Biçaj, që është botimi më i gjerë që është bërë deri tani për Hasan Tahsinin.[1]
a. E Drejta
Njeriu ka shumë detyra kundrejt Zotit, kundrejt vetes dhe kundrejt mbarë njerëzisë që është i ngarkuar t’i kryejë. Besnikërinë, drejtësinë, bujarinë dhe të gjitha veprat e mira, një person sado që i kryen për të mirën e tij janë edhe për të mirën e të tjerëve. Dhe anasjelltas, gënjeshtra, tradhtia e shumë vese të tjera të këqija, siç janë dëm për veten e tij janë dëm edhe për të tjerët. Për të qenë i drejtë në çdo gjë është një punë e vështirë, siç ka urdhëruar edhe Allahu në Kur’an: “Drejtohu (vepro) siç je urdhëruar!” (Hud, 112). Gjithashtu edhe Profeti Muhamed (s.a.s) në një hadith na është drejtuar duke na këshilluar: “Thuaj besova Zotin pastaj drejtohu” domethënë kap drejtimin, bëhu i drejtë përherë në çdo gjë e në çdo pikëpamje. Ky hadith i dalë nga goja e shenjtë e Dritësisë së madhe, na tregon se çfarë është Islami, se si arrihet lumturia e të dyja botëve dhe që Islami nuk është gjë tjetër veçse të besosh Zotin, të jesh i drejtë në mendime, në fjalë dhe në punë. E drejta për njeriun është si një kurorë e ndritshme në kokën e tij, një dekret lumturie dhe shkalla më e fundit e lartësimit të tij. I drejti nuk vepron për të fituar simpati dhe nuk interesohet për t’u lartësuar nga njerëzit, por vepron për të mbajtur dhe për të ruajtur besën që ka kundrejt të madhit Zot.[2]
Hoxhë Hasan Tahsini i jep shumë rëndësi të drejtës. Ai thekson se, nëse gjendet drejtësi te një popull patjetër që edhe e ardhmja e atij populli do të ketë lumturi. Njeriu me të drejtë duhet të punojë për familjen, shoqërinë dhe popullin. Hoxhë Tahsini na tregon se ka shumë padrejtësi që u bëhet popujve. Një e padrejtë që i bën njeriu një apo dy personave është pesëfish më e lehtë se ajo që i bëhet popullit. Me një numër të madh hadithesh na ka urdhëruar e na ka këshilluar dielli i gjithësisë, Hazreti Muhamed a.s.: “Dëshiro për të tjerët atë çfarë dëshiron për vete”, “Mos i bëj kujt atë gjë që nuk dëshiron të ta bëjë kush ty”. Pas këtyre haditheve gjithkush mund ta dijë të mirën dhe të keqen.
Shkurtimisht, H. Hasan Tahsini thekson se ai që dëshiron të jetojë me nder për t’u lartësuar, për të siguruar të ardhmen dhe për të pasur si qëllim lumturinë, domethënë për t’u quajtur “njeri” me kuptimin e plotë të fjalës, duhet të cilësohet me drejtësi, bamirësi, burrëri, trimëri, mëshirë, durim, thjeshtësi e të tjera, gjithashtu duke larguar edhe veset e këqija si: smira, shpifja, tradhtia, gënjeshtra, e shumë të tjera.
Nga të gjitha krijesat që ka krijuar Zoti, më i bukuri dhe më i hijshmi në çdo pikëpamje është njeriu, sepse nga ai njeri, që është i stolisur me të gjitha cilësitë e bukura, nuk del tjetër veçse mirësi, sinqeritet dhe mirësjellje në kërkimin e së drejtës. Pra, ky person zotëron në vetvete kuptimin e plotë të fjalës “njeri”, duke qenë i lartë në të gjitha.
Njeriu në pikëpamje të diturisë është dy llojesh: i ditur ose i paditur. Dijetari është më i lartë se i padituri. Për të zotëruar lartësinë që ai meriton, duhet të jetë i sjellshëm që t’i çmohet dija, nderi dhe personaliteti i tij. Siç e thotë edhe një poet arab: “Nderi (lartësimi) e njeriut është me dije e sjellje e jo me pasuri e farefisni”. Atij njeriu që nuk e zotëron dijen, dija që është dritë i kthehet në errësirë, dija që është mik për të i kthehet në armik. Injorantit në shumicën e rasteve i falet faji e gabimi që mund të bëjnë, e dijetarit jo. Pra, sjellja është shumë e nevojshme për dijetarin. Siç mund të thuhet se dija është kurorë edhe sjellja është petk mëndafshi, ku njeriu duhet të jetë gjithmonë i veshur me këtë petk të bekuar.[3]
Hoxhë Tahsini i jep shumë rëndësi sjelljes së njeriut. Ai e përkufizon sjelljen si gjënë më të vlefshme për njeriun në të gjitha periudhat e jetës, i vetmi thesar, që siguron lumturi në të dyja botët. Sipas tij, njeriu më shumë vlerësohet nga puna sesa nga fjala. Nuk është e nevojshme që njeriu të thotë kam bërë këtë e kam bërë atë, sepse e gjithë ajo punë që ka bërë nuk ka aspak vlerë kur ai e tregon. Gjithashtu, Hoxhë Tahsini përveç sjelljes, i jep rëndësi të madhe edhe dijes, ku çdo njeri duhet ta zotërojë dijen në mënyrën më të mirë. Ai thekson se të paditurit mund t’i falet gabimi, ndërsa të diturit nuk i falet.
ZOTI
“Zot’ i em i naltë, je i madhnueshëm,
T’gjitha sendet Ti i ke krijue,
Tanë t’mirat na i ke mbushun,
Ty me t’njoftun ke urdhnue!
T’gjitha sendet e kësajë bote,
Madhnin t’ande po vërtetojnë,
Fëtyrat e njerzve sipër toke,
Njinin për Ty qartas dishmojnë.
Ndryshim’ i gjuhve qi fliten,
E i fëtyrve t’racave të njerzis
Janë fakte t’gjalla e dihen,
Si vërtetuese t’qenmenis.
Perëndi, Ti qi na ke ba,
Prej dy sekseve njerëzuer,
N’fise, n’kombe na ke da,
Qi t’jem t’njoftun e t’dalluer!
Por, me gjith qi kështu na ke nda,
Prap se prap po Ti ke urdhnue;
Ndryshim fare te Un nuk ka,
Veç mir-vepruesi asht nderue!”[4]
HYELLIT
“O hyell hyell i naltë,
Qi n’errsi rreze lëshon,
Të vegoj ty un për natë,
Si me më lujtë synin dritë më ban.
Ç’asht qëllimi qi ti përherë,
Dritën fare s’e mungon,
Ajo në ty ka nji vlerë,
Për të diftue krijuesin t’and.
Oh! Të dishe une mirë,
Ata rreze si i lëshon,
Dhe syt e zemrës me m’u çilë,
Në vehten t’ande ti ç’difton.
Jo gabova, un e dij,
Se si gjende e çka je,
A kujtohet se s’kan mrrij,
Të kuptojnë ty se në çë mënyrë je.
A kujton se vetë rrezet i ke
Jo, Ai t’i ep pa da,
A kallxue në ty e ma tepër në ne,
Por i mjerë ai qi s’di me pa.”[5]
Hoxhë Hasan Tahsini ka shkruar dy poezi, njërën kushtuar Zotit dhe tjetrën kushtuar Hyellit, duke treguar madhështinë e Krijuesit dhe duke shprehur falënderime për çdo gjë që Ai ka krijuar.
Njeriu është qenia më e përsosur që ka krijuar Zoti. I ka dhënë atij mendje që di të gjykojë dhe të veprojë. Zoti nuk u ka dhënë njerëzve të njëjtën gradë për të dalluar të mirën nga e keqja dhe anasjelltas. Njeriu duke gjykuar gjen dhe beson Zotin, çmon detyrat që ka kundrejt Tij, kundrejt vetes, shoqërisë, rrethit ku jeton, atdheut dhe kundrejt mbarë njerëzisë. Ai me mendjen e tij mund t’i çmojë gjërat deri në një qark të kufizuar, pastaj ka nevojë për studime më të mëdha, gjithashtu ka nevojë të domosdoshme për mendimet e njerëzve të tjerë në punim e në bashkëveprim. Një person nuk ja del dot mbanë i vetëm pa ndihmën e të tjerëve. Thuhet: “gur gur bëhet mur” dhe jo “ një gurë bëhet mur”.
I vetmi njeri në botë, personaliteti më i lartë në faqet e historisë, reformatori më me famë e më i plotë, veprat e të cilit janë baza të shëndosha e që qëndrojnë e nuk vjetrohen, është Hazreti Muhamed a.s. Duke qenë kaq i lartë, për hatrin e të cilit është krijuar gjithësia, për hatër të Tij bën mëshirë Zoti e me të lumturohet njerëzia; është porositur nga i Madhi e i Plotpushtetshmi Allah në Kur’an me versetin e lartë e plot edukues: “Të ishe Ti o Muhamed i vrazhdë, fjalërëndë, zemërfortë; kishin për t’u larguar, duke të kthyer shpinën e nuk kishin për t’u afruar”, por je i ëmbël, i qeshur, i butë, i sjellshëm, i arsyeshëm, i pa mërzitur, i drejtë e i plotësuar në moral, e prandaj të afrohen; “dhe pse kanë gabuar fali Ti ata, kërko falje dhe këshillo me ta në punë”. (Al ‘Imran, 159)[6] Duke menduar rreth këtij verseti kuptojmë sesa lumturi e madhe u sigurohet vepruesve, që ndjekin porositë e Tij.
Hoxhë Tahsini na tregon shembullin më perfekt të Hazreti Muhamedit a.s., i cili nuk ka punuar vetëm në punë të rëndësishme, por Ai ka marrë edhe mendimet e besnikëve; ku disa herë është pajtuar me mendimet e tyre edhe pse vetë nuk ishte në atë mendim dhe duke ditur se nuk do t’i japë një rezultat të mirë. Sipas hoxhë Tahsinit, një person që edhe pse është mjaft i ditur nëse nuk këshillohet, jo vetëm që nuk nxjerr gjë në krye, por shkakton dëme dhe çrregullime për veten e tij, për familjen, shoqërinë dhe për atdheun. Nuk është e thënë se nëse këshillohesh nuk gabon, patjetër gabon. Por ai thekson se, duke qenë me sinqeritet, shpëton nga ajo përgjegjësia morale e materiale dhe prapë se prapë ai sinqeritet e korrigjon shpejt atë gabim. Gjithmonë kryetari duhet të këshillohet me drejtësi e sinqeritet me anëtarët e tij, siç është edhe shprehja: “Këshillimi me shokë të sjell dobi”.
Njeriu gjithmonë duhet të flasë dhe të veprojë mirë, sepse i ka hije. Njeriut i takon që t’i thotë tjetrit fjalën e mirë dhe kjo është një punë e lehtë për të. Më poshtë kemi një bisedim mes dy shokëve, njëri si këshillues i tjetrit.
Këshilluesi i thotë: Vëlla i dashur, shpeshherë të kam parë dhe kam dëgjuar se bën punë të papëlqyeshme. Duke qenë se këto gjëra nuk të sjellin ndonjë rezultat të mirë, të këshilloj të heqësh dorë e të largosh veten nga këto punë të këqija.
I këshilluari thotë: Faleminderit për këshillat vëllazërore që më dhe. Me të vërtetë duhet që t’i lë, por të tilla gjëra po shikoj, që po i bën edhe ti. Përse nuk e këshillon veten para se të më këshillosh mua? Më duket një gjë e padobishme megjithëse fjalët janë me vend.
Këshilluesi: Ke të drejtë që po më thua këto fjalë por duhet të bazohesh këtu: “bëj çfarë të them unë e mos bëj çfarë bëj unë”.
I këshilluari: Kjo është e vërtetë, por për të bërë efekt këshilla duhet që t’i zbatosh vetë përpara.
Në bisedim e sipër vjen një person i tretë dhe pasi dëgjon bisedën u thotë: Të dy keni të drejtë, por keni edhe të meta. Ti si këshillues duhet ta porositësh shokun të largohet nga punët e këqija, por për të bërë efekt këshilla duhet që të jesh vetë punues i së mirës se përkundrazi këshilla mbetet pa efekt. Zoti në Kur’an na urdhëron: “E këshilloni njerëzit me punë të mira dhe veten e keni harruar; kurse ju vetë jeni që e këndoni librin; a nuk meditoni?” Gjithashtu edhe Hazreti Muhamed a.s. në një hadith: “Këshillo veten para se të këshillosh botën”. Pastaj personi i tretë i drejtohet të këshilluarit, duke i thënë: Ti si i këshilluar ke të drejtë, por ke edhe gabime sepse duhet t’i marrësh këshillat si të dobishme pavarësisht se kush i jep këshillat.[7]
Duke dhënë si shembull bisedën mes shokëve H. Hasan Tahsini na porosit që përpara se të këshillojmë të tjerët të jemi vetë veprues të së mirës. Sipas tij, i madhi di të gjykojë dhe të veprojë, ndërsa i vogli është si një aparat fotografik që merr çdo gjë që i del përpara. Pra, ai na porosit që, edhe prindërit duhet të jenë veprues të së mirës dhe këshillues të mirë për fëmijët e tyre, duke siguruar kështu një brez të suksesshëm, me moral e sjellje të mirë.
Disa thënie profetike të përkthyera në gjuhën shqipe nga Hoxhë Hasan Tahsini:
Hoxhë Hasan Tahsini ishte një njeri me cilësi dhe virtyte të larta, që janë përcjellë deri në ditët e sotme. Duke i dhënë rëndësi të madhe të drejtës, që ka njeriu kundrejt vetes, rrethit shoqëror dhe mbarë njerëzisë ai na bën të ndërgjegjësohemi, që edhe ne të jemi të tillë, duke siguruar lumturinë në të dyja botët. Sjellja, gjithashtu ka një rol të rëndësishëm te çdo individ, pasi vetëm sjellja e bën njeriun me kuptimin e plotë të fjalës njeri. Ai na mëson se njeriu me sjelljen e tij arrin majat. Gjithashtu duke e vlerësuar këshillën si shumë të dobishme ai na shtyn neve të bëhemi veprues të mirë për vete dhe këshillues të mirë për të tjerët. Padyshim Hoxhë Hasan Tahsini është një shembull mjaft i mirë për t’u ndjekur nga të gjithë njerëzit pa dallim moshe, sepse populli shqiptar ka shumë nevojë për njerëz të tillë me vlera dhe virtyte siç ishte hoxha i nderuar.
“100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame”, Botimet KMSH, Botimi 3, Tiranë (2015).
Kolana “Zani i Naltë”, Vëllimi i tretë, nr. 3-4, mars-prill (1929), Botimet KMSH, BIK, BFIM; Tiranë, Prishtinë, Shkup (2015).
Kolana “Zani i Naltë”, Vëllimi i dhjetë, nr. 1, janar (1939).
Kolana “Zani i Naltë”, Vëllimi i gjashtë, nr. 2, shkurt (1935).
Kolana “Zani i Naltë”, Vëllimi i katërt, nr. 12, gusht (1933).
Kolana “Zani i Naltë”, Vëllimi i nëntë, nr. 10-11-12, tetor-nëntor-dhjetor (1938).
[1]. “100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame”, Botimet KMSH, Botimi 3, Tiranë, 2015, f. 74-76.
[2]. Kolana “Zani i Naltë”, Vëllimi i tretë, nr. 3, mars (1929), Botimet KMSH, BIK, BFIM; Tiranë, Prishtinë, Shkup, 2015, f. 807-811.
[3]. Po aty, vëllimi i dhjetë, nr. 1, janar , 1939, f. 12-14.
[4]. Po aty, vëllimi i gjashtë, nr. 2, shkurt, 1935, f. 43.
[5]. Po aty, vëllimi i tretë, nr. 4, prill, 1929, f. 854.
[6]. Po aty, vëllimi i katërt, nr. 12, gusht, 1933, f. 761-764.
[7]. Po aty, vëllimi i nëntë, nr. 10-11, tetor-nëntor, 1938, f. 318-322.
[8]. Po aty, f. 301.
[9]. Po aty, nr. 12, dhjetor, 1938, f. 369.
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 28, 2024 0
May 07, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...