Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Mar 16, 2020 Zani i Nalte Editoriale 0
PhD. Cand. Hysni Skura
Departamenti i Shkencave Islame, KU Bedër
Njeriu, kjo qenie me shumë komplekse e cila jeton në një lumë ndjenjash që e bën atë të shëtisë njëkohësisht në disa dimensione, kjo natyrë e shthurur e vënë nën komandën e ndjenjave dhe të imagjinatës shumë herë shfrenohet dhe synon të arrijë në pafundësi. Komanda të cilat, frerët e tyre i merr në dorë ajo qenie e cila vesh dhe mbulon trupin tonë, që gjithmonë ekziston brenda nesh, që rri urtë e qetë sikur të mos ekzistonte, por që përkundrazi prezenca e saj është shumë reale, aq reale dhe e vërtetë sa çështë dhe vetë ekzistenca jonë. Është pikërisht shpirti, i ngjizur nga fryma hyjnore[1] ai që vazhdimisht e valëvit njeriun nëpër dallgët e pafundësisë, ja turbullon shikimin, ja zbeh konceptin e kohës dhe të hapësirës dhe sërish e kthen atë tek vendi i origjinës, aty ku i takon të jetë, në sipërfaqen e tokës.
Allahu (xh.xh) në Kuranin Famëlartë thotë: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën/trajtën më të bukur. Pastaj e zbritëm atë në më të ulëtin e të ultëve.[2]” Këto dy ajete tregojnë më së miri luhatjen e ndjenjave të njeriut i cili mund ti kalojë dhe engjëjt në çështjen e adhurimit dhe të lartësimit shpirtëror por gjithashtu nëse bie pre e ndjenjave epshore mund të bjerë dhe më poshtë se kafshët, ose siç e thotë Kurani “më i ulëti i të ultëve”.
Në këndvështrimin e kënaqësive të jetës, njeriu bie njëqind herë më poshtë se niveli i kafshëve. Por është mendja ajo që e bën atë të ndryshëm nga kafshët, që i lejon atij të bëjë dallimin mes të bukurës dhe të shëmtuarës, të hijshmes dhe të pa hijshmes, të mirës dhe të keqes. Dukë vënë në punë mendjen dhe intelektin ai arrin të kujtojë të shkuarën, të jetojë të tashmen dhe të mendojë për planifikimin e të ardhmes, gjë e cila do ti jepte atij një atribut njerëzor. E thënë ndryshe këtë person e bën të jetojë me këmbë në tokë, duke kuptuar aspektin e tij human si dhe privilegjin e të qenurit mëkëmbës i Zotit[3] mbi sipërfaqen e tokës.
Për sa kohë që njeriu nuk e edukon egon / nefsin e tij me frymën e besimit, edhe pse zgjohet gjithmonë me synimin për të bërë diçka që do të ishte ndryshe nga dje, për të arritur synime sa më të larta, ekziston mundësia që si synim të tij të bëjë plotësimin e dëshirave të egos duke ngrënë me të dyja duart si i babëzitur e duke pirë i pangopur ujin e kripur për të shuar etjen e tij që asnjëherë nuk shuhet.
Duke gjetur mbështetje tek ajeti Kuranor: “Njeriu është krijuar i dobët”[4] kuptojmë fare mirë përbërjen, thelbin dhe karakterin e tij. Është normale që njeriu gjatë jetës të ketë luhatje në performancën e tij lidhur me përkushtimin ndaj hyjnores, të ketë ulje-ngritje në aspektin shpirtëror, të ndjejë frikë dhe drojë për të panjohurën por kurrsesi nuk mund të jetë e justifikueshme shmangia dhe indiferentizmi i plotë nga zbulesa hyjnore dhe rruga profetike.
Pikërisht është besimi ai që i përfton njeriut një botëkuptim ndryshe për jetën i cili i mundëson kuptimin deri në detajet më të pazbuluara të saj, i ofron atij një vizion që ndërthur në vetvete mësimet fetare me shkencat ekzakte duke studiuar si gjithësinë, e bën atë më të ndjeshëm, më të kujdesshëm dhe më human me gjithë krijesat që e rrethojnë dhe veçanërisht me më të përsosurin e tyre, njeriun.
Me përjashtim të disa individëve, çdo njeri ka në esencën e tij ndjenjën e keqardhjes ndaj padrejtësisë, vuajtjeve, mundimeve e mizorive. Përballë një situate të dhimbshme besimtari është i ndjeshëm, zemra e tij është si qelqi, e bukur në pamjen e jashtme dhe njëkohësisht shumë delikate, shpirti i tij është si trëndafili, i brishtë si një gonxhe e sapoçelur dhe i freskët si vesa e mëngjesit.
Shprehja “të jesh një njeri mes njerëzve” e cila i atribuohet Hz. Aliut (r.a), në një farë mënyre trajton thelbin e njeriut dobi bërës, atij njeriu që më së shumti sot ja ndiejmë mungesën.
Të qenët njeri mes njerëzve në vetvete mbart një ëmbëlsi të papërshkrueshme me fjalë. Ti mendon për të tjerët ashtu siç mendon për veten, kënaqesh me sukseset që arrijnë ata që të rrethojnë ashtu sikurse kënaqesh me sukseset personale, merr ëmbëlsinë e të jetuarit në harmoni e vëllazëri me të tjerët, merr kënaqësi nga jeta dhe kështu i jep jetës jetë, i jep asaj një kuptim se përse ekziston, i ngjan trëndafilit, i cili pa bërë dallim mes atij që e ujit dhe atij që e këput ju shpërndan aromë dhe ju jep kënaqësi të njëjtë.
Gjithashtu “të jesh njeri mes njerëzve” nuk do të thotë qe vetëm të marrësh kënaqësi nga jeta por, edhe të vuash me vuajtjet dhe problemet e shoqërisë ku jeton. Natën mos të të zërë gjumi duke menduar se si mund ti japësh një zgjidhje atyre problemeve, se si padrejtësitë të marrin fund dhe shoqëria të jetojë në paqe. Por mbi të gjitha do të të duhet të përballesh me shumë lloj sfidash e një ndër to është që jo çdo njeri të vlerëson për atë çfarë je dhe çfarë ke dhënë për shoqërinë, gjë e cila nuk duhet të të pengojë së treguari vlerat e tua dhe shpirtin e idealeve të larta, s’do të jesh i mirë për ata që nuk e besojnë pafundësinë pavarësisht arritjeve të tua, por kjo do të jetë një shtysë më e fortë për të arritur qëllimin sublim që i ke vendosur vetes.
Nëse ti je i mirë e gjithë shoqëria do të të shohin si të rëndësishëm por nëse ti je i rëndësishëm jo për të gjithë je i mirë, por kjo për ty nuk do të ketë asnjë ndryshim sepse ti ke vendosur shërbimin ndaj të tjerëve përpara vetes, ti jeton për tua bërë të mundur zemrave të jetojnë. Sigurisht që është mirë të jesh i rëndësishëm, por më e rëndësishme është të jesh i dobishëm për shoqërinë në të cilën gjendesh, pikërisht ashtu siç thotë Krenaria e Njerëzimit (s.a.s): “Më i miri prej jush (besimtarëve) është ai që i bën dobi njerëzve”.[5]
[1] Kuran, surja Hixhr, ajeti 29
[2] Kuran, surja Tin, ajeti 4-5.
[3] Kuran, surja Bekare, ajeti 30
[4] Kuran, surja Nisa, ajeti 28.
[5] Buhari, Megazi, 35.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 29, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...