Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
May 28, 2020 Zani i Nalte Histori, Studime 0
nga Prof. Dr. Selman Sheme, Departamenti i Gjeografisë, Universiteti i Tiranës
Abstrakt
Sipas regjistrimit të vitit 1991 të bërë nga Shoqëria Patriotike “Çamëria”, popullsia me origjinë çame e vendosur në Republikën e Shqipërisë arrin në 204.255 banorë.
Duke u mbështetur në ritmet e shtimit natyror të popullsisë në vendin tonë në 28 vjetët e fundit, llogaritur sipas teorive demografike të riprodhimit të popullsisë, rezulton se numri i popullsisë çame në Republikën e Shqipërisë në ditët tona duhet të jetë mbi 300.000 banorë, ose rreth 11 për qind e popullsisë së regjistruar të vendit në vitin 2011.
Shqiptarët e Çamërisë që jetojnë në shtetin amë, ruajnë traditat, të drejtën zakonore të kultivuar në shekuj (kanunin e adeteve), dialektin e tyre të lashtë, këngët, vallet, veshjet e tyre karakteristike, kulinarinë unike, folklorin dhe, mbi të gjitha, vendosmërinë për t’u kthyer në trojet e veta.
Spastrimi etnik i Çamërisë krijoi precedentin e rrezikshëm të spastrimeve etnike në Ballkan. Ai ndryshoi dukshëm balancat etnike në raportet greko-shqiptare në favor të grekëve dhe krijoi një problem që do të ndikonte për një kohë të gjatë në ndërgjegjen e popullit shqiptar. Spastrimi etnik i Çamërisë nxiti dhe fuqizoi presionet e shtetit grek ndaj kombit dhe shtetit shqiptar, duke avancuar planet dhe aktivitetet për aneksimin e Shqipërisë së Jugut.
Bazuar në Konventën Evropiane dhe Deklaratën Universale, shteti grek duhet të kryejë detyrimet ligjore e kushtetuese për trajtimin e popullsisë çame dhe arvanitase në Greqi si pakicë etnike. Njëkohësisht riatdhesimi i popullsisë çame që banon në shtetin amë, në trojet e veta në Çamëri dhe kthimi i pronave të tyre do të përmirësonte situatën demografike dhe ekonomike në këtë krahinë. Vetëm në këtë mënyrë mund të mëtohet për integrim dhe demokratizim të Rajonit të Ballkanit.
Migracionet zënë një vend të veçantë dhe me peshë në popullimin human të krahinës së Çamërisë dhe zhvillimin e saj në shekuj. Zhvillimet ekonomike dhe politiko-shoqërore, por sidomos faktorët shkatërrues të jetës shoqërore, si pushtimet koloniale, luftërat civile dhe spastrimet etnike me dhunë, shpronësimet dhe diskriminimi social, etj., kanë diktuar lëvizjet migruese të popullsisë shqiptare të Çamërisë në shekuj.
Shpërnguljet e mëdha dhe të imponuara kanë qenë ato që lidhen me pushtimin serb të shek. XIV. Pushtimi serb shkaktoi një emigracion të vazhdueshëm dhe masiv të popullsisë edhe nga krahina e Çamërisë.[1]
Ky emigracion u orientua drejt pjesës jugore të Greqisë dhe të Italisë. Arbëreshët që jetojnë në Voshe të Korintit, sipas F. Pouqeville, janë me prejardhje nga Çamëria. Studiuesi italian K. Taliavini, duke u nisur nga mbaresat e trajtave të emrave të banorëve të kolonive arbëreshe të Italisë, ka shfaqur mendimin për prejardhjen e këtyre kolonive nga Çamëria.
Studimet e fundit për disa shënues gjenetikë dhe të biologjisë molekulare (eritrocitet, serumi, hemoglobina) në shqiptarët e Italisë (arbëreshët), krahasuar me të dhënat e popullsisë italiane dhe të shqiptarëve të trojeve etnike, dëshmojnë për origjinën e arbëreshëve nga trevat shqiptare që shtrihen nga Vlora në Prevezë.[2]
– Shpërnguljet e dhunshme dhe me pasoja shkatërruese për strukturën demografike të krahinës së Çamërisë janë ato të 100 vjetëve të fundit. Gjurmët e dëbimit me forcë të popullsisë shqiptare nga trojet e tyre i ndeshim që në gjysmën e shek. XIX. Por kjo dukuri bëhet më e dukshme dhe në mënyrë të organizuar pas luftës ruso-turke të viteve (1877-1878) dhe Kongresit të Berlinit 1878). Synimet ishin të qarta: zgjerimi i kufijve shtetërorë tradicional të Greqisë dhe grabitja e tokës dhe e pasurive të paluajtshme të shqiptarëve.
– Shpërnguljet me dhunë dhe kolonizimi helen i krahinës u zhvillua nën parullën e spastrimit etnik të saj nga popullsia shqiptare e fesë islame. Me islamizimin e krahinës, në shek. XVIII, një pjesë e mirë e popullsisë së Çamërisë u kthye në fenë islame. Ata kishin pasuri të tilla si: toka, pyje, kullota, etj. Me shpërnguljen e popullsisë shqiptare, synohej që në këto toka të vendoseshin kolonë grekë dhe në këtë rrugë të realizohej helenizimi i krahinës.
Shpërngulja me forcë e në rrethana të përdhunshme e popullsive shqiptare të Çamërisë nga trojet e veta nuk u bë në të njëjtën kohë e në mënyrë të pandërprerë. Këto procese janë zhvilluar në momentet historike më kritike për fatet e popullit shqiptar, kryesisht në viset periferike të trungut etnik, siç është Çamëria.
Vala e parë e shpërnguljes i përket viteve ‘80 të shek. XIX, kur Greqia e ndihmuar nga Fuqitë e Mëdha, në bazë të vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit (1878) mori nga Turqia rrethet e Artës dhe shpërnguli me forcë popullsinë shqiptare nga këto troje.[3]
Faktet tregojnë se në fillim të shek. XX shpërngulja e popullsisë shqiptare nga Krahina e Çamërisë bëhet më intensive e masive dhe është e orientuar gjeografikisht në mjediset qendrore të trojeve shqiptare, në Turqi, në SHBA, etj.[4]
Një fazë e re dhe me pasoja tragjike për popullsinë shqiptare të Çamërisë dhe të viseve të Konicës, Kosturit, Follorinës, etj., fillon me Luftërat Ballkanike dhe copëtimin e Shqipërisë nga vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913. Me këto vendime pjesa më e madhe e sipërfaqes dhe shumica e qyteteve dhe fshatrave të Çamërisë mbeten jashtë kufijve të shtetit të sapoformuar shqiptar, duke rënë nën sundimin grek. Diplomati i shquar shqiptar Rasih Dino i deklaroi konferencës së Londrës, se paqja dhe qetësia e Gadishullit do të arrihej vetëm në qoftë se Shqipërisë së ardhshme, do t’i jepej një strukturë homogjene dhe kufijtë e saj të ndiqnin vijën e kufirit të atëhershëm me Malin e Zi, të përfshinin bashkë me hinterlandin e tyre përkatës, qytetet e Ipekut, Mitrovicës, Prishtinës, Shkupit e Manastirit, deri në Meçovë dhe të ruanin kufijtë ekzistues me Greqinë deri në Prevezë.[5]
Duke kundërshtuar pretendimet e Greqisë në Aneksin e Memorandumit të paraqitur më 2 janar 1913, para Konferencës së Ambasadorëve në Londër, nga përfaqësuesit shqiptarë jepen këto të dhëna demografike për sanxhakun e Çamërisë:
– Sanxhaku i Çamërisë kishte një popullsi prej 75000 banorësh nga të cilët 18.000 ishin shqiptarë të krishterë. Sanxhaku ndahej në disa kaza si vijon:
– Qyteti është i banuar krejt nga shqiptarët. Në këtë Kaza shtatë fshatra që përbëjnë Llakan e Lehovës dhe pesë fshatra që formojnë Llakan e Sulit janë populluar nga shqiptarë. Në Kazanë e Llurosit banonte edhe një popullsi endacake kucovllahe dhe disa familje çifute. Këto pakica popullsie nuk kishin prona. Ata banonin dhe punonin në tokat dhe banesat e shqiptarëve.
– Kazaja e Prevezës banohej nga popullsi heterogjene (e përzier). Krahas popullsisë shqiptare në këtë Kaza jetonin edhe pakica familjesh greke, vllahe dhe çifute. Gjithashtu edhe qyteti i Janinës, ishte me popullsi të përzier.[6]
Çamëria shtrihet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë së Poshtme, nga Liqeni i Butrintit e lumi i Pavllës, në gjirin e Prevezës, me rrethet e Filatit, të Gumenicës, të Margëlliçit, të Parmithisë, të Pargës, të Prevezës e të Filipjadhës, me një sipërfaqe prej 5000 km2, me një vijë bregdetare prej 100 km dhe popullsi shqiptare myslimane e ortodokse prej më shumë se 75.000 frymë (viti 1913).[7] Përveç regjionit te Çamërisë, u shkëputën edhe vise të tjera, ku kishte një numër të madh të popullsisë Shqiptare, si Janina, që kishte qenë kryeqendra e Shqipërisë së Poshtme, Voshtina, Konica, rrethet e Kosturit e të Follorinës dhe fshatra të tyre në jug të Gramozit, ku kishte gjithashtu popullsi shqiptare. Duke llogaritur edhe numrin e këtyre kazave, numri i popullsisë shqiptare në trojet që iu dhanë Greqisë arrinte në më shumë se 120.000 frymë.
Brenda kufijve shqiptarë mbeten vetëm një pjesë e vogël e Çamërisë, gjeohapësira e Konispolit me fshatrat: Markat, Ninat, Janjar, Shals, Dishat, Vervë, Ciflik, Mursi, Xarrë, Vrinë, Shkallë, Sopik e Pandelejman (13 fshatra).
– Për të nënshtruar përfundimisht viset shqiptare, administrata greke ndërmori aksionin e mbledhjes së armëve, vendosi gjendjen e shtetrrethimit dhe ndalimin e qarkullimit të shqiptarëve jashtë juridiksionit të fshatit apo qytetit të tyre. Autoritetet ushtarake e administrata civile filluan të shpronësojnë popullsinë myslimane shqiptare dhe të ushtrojnë dhunë mbi ta për ta detyruar të shpërngulej, ndërsa popullsinë e krishterë e shtrëngonin të mohonte përkatësinë kombëtare dhe të pranonte etnitetin helen e të shpallej greke. Për të shtypur qëndresën e shqiptarëve u ndërmorën masa të egra terrori dhe u shkatërruan qindra shtëpi në fshatrat e Çamërisë. Në vitin 1913-1914 në kazanë e Paramithisë u shkatërruan fshatrat Gardhiq me 300 shtëpi, Dhragomia me 200 shtëpi, Petrovica me 75 shtëpi, Minina me 65 shtëpi. Në kazanë e Filatit u shkatërruan ndër të tjerë: Ninati me 120 shtëpi, Markati me 12 shtëpi, Janjari me 150 shtëpi, etj.
– “Fati i shqiptarëve të provincës së Çamërisë, – shkruan F . S. Noli, – provincë e aneksuar prej Greqisë nuk ndryshon nga ai i kosovarëve. S’është veçse një ribotim i tragjedisë në tre akte: ç’pasurim, ç’përngulje, ç’farosje”.[8]
Në rrethanat e Luftërave Ballkanike dhe të pushtimit të Çamërisë fillon etapa e parë e shpërnguljes së dhunshme masive e popullsisë së krahinës për në Turqi, Shqipëri e vende të tjera të Ballkanit, në SHBA, etj.
Për pasojë, vetëm gjatë Luftës së Parë Botërore u dëbuan nga trojet e tyre stërgjyshore rreth 10.000 Shqiptarë të Çamërisë, të cilët u dërguan në Turqi. Gjatë shpërnguljes pati shumë të vrarë e të masakruar.[9]
Në vitet 1913-1914, duke kaluar kufijtë e porsacaktuar të Shqipërisë, ushtria greke vrau, dogji e shkatërroi mjaft vendbanime rurale e urbane në rrethet e Korçës, Kolonjës, Përmetit, Skraparit e Tepelenës, duke përfshirë edhe Kurveleshin. Këtyre masakrave të grekëve iu nënshtrua në mënyrë të veçantë popullsia myslimane. U shkatërruan 190 fshatra dhe dy qytete, u dogjën 6831 shtëpi dhe mbetën pa strehë 43.296 banorë.[10] Një pjesë e popullsisë u vra. Vetëm në fshatin Kodër të Tepelenës, më 2 maj 1914, u therën nga oficeri grek Saqillari 217 hormovitas. Në fshatrat e djegura u grabitën bagëti e pasuri të tjera. Popullsia që u detyrua të largohej prej andej, erdhi e u vendos në ullishtat e Vlorës, ku, nga vuajtjet, sëmundjet dhe uria, vdiq një numër i madh refugjatësh. Mis. E. Durham, që shkoi t’u jepte ndihmë mjekësore e ushqime, thotë se brenda dhe jashtë Vlorës bëheshin së bashku së paku nja 70.000 frymë, përveç atyre që kishin zënë vend në mes të Beratit e Vlorës dhe në tokat malore.[11]
– Midis këtyre mijëra refugjatëve nga Shqipëria e Jugut, që qenë të detyruar nga dhuna e bandave “Vorioepirote” të vendoseshin në ullishtat e Vlorës, kishte edhe rreth 20.000 shqiptarë Janinas, Vashtinjarë, Konicarë, etj.[12]
Gjatë Luftës së Parë Botërore shqiptarët e Çamërisë dhe të krahinave të tjera shqiptare në Greqi, mbështetën programin e Lëvizjes Kombëtare për të krijuar një Shqipëri në kufijtë e saj etnik. Me përfundimin e Luftës dhe me thirrjen e Konferencës së Paqes në Versajë (Paris), lëvizja për bashkimin e Çamërisë me Shtetin Shqiptar u zgjerua. U krijuan shoqëritë e para të mirëfillta çame, në Shqipëri, SHBA, etj., në të cilat u aktivizuan shqiptarë nga Çamëria dhe emigrantë nga trojet e tjera shqiptare.
Me gjithë shpresat që ushqenin shqiptarët te Konferenca e Paqes e Versajës, kjo konferencë nuk solli asnjë ndryshim në gjendjen e popullsisë shqiptare, që kishte mbetur nën qeverisjen greke. Keqtrajtimi i popullsisë së pafajshme do të vijojë në vitet 1919-1921, e më pas, në Shqipërinë Jugore e Juglindore, në të dy anët e kufirit. Viset kufitare greko-shqiptare qenë objekt i një dhune të egër, prandaj edhe largimet e popullsive qenë më të shumta. Si rrjedhim, numri i popullsisë shqiptare në krahinë erdhi vazhdimisht duke rënë.
Në vitin 1921, në Memorandumin e Përfaqësuesve të Komiteteve të Bashkuara të shqiptarëve irrident drejtuar Bonin Longarit, ambasador i Italisë dhe anëtari i Konferencës së Paqes, vërtetuar nga Prof. Bedri Pejani, ndër të tjera kërkohet që t’i kthehen Shqipërisë Çamëria dhe trojet e tjera jug-shqiptare të aneksuara nga Greqia, duke u mbështetur në disa argumente si më poshtë:
Popullsia e Çamërisë sipas Memorandumit të vitit 1921
Nr. | Rajoni | Shqiptarë | Grekë |
1 | Filat | 22.348 | 5125 |
2 | Gumenicë | 10.126 | – |
3 | Ajdonat | 13.780 | 2575 |
4 | Margëlliç | 15.723 | – |
5 | Pargë | 800 | 500 |
Gjithsej | 62.777 | 9200 |
Në këtë tabelë mungojnë të dhënat statistikore për numrin e popullsisë shqiptare në rrethet e Prevezës, Lurosit, Artës, Voshtinës, Konicës, Kosturit, Follorinës, etj.
Siç shihet, megjithëse popullsia e Çamërisë dallohej për një koeficient të lartë të shtimit natyror, në dy dhjetëvjeçarët e parë të shek. XX, si rrjedhim i shpërnguljeve masive, numri i popullsisë ka ardhur duke rënë.
2. Etapa e dytë : Spastrimi etnik pas Traktatit të Lozanës (1923-1926)
Në verën e vitit 1922, pas disfatës greke në luftë me Turqinë, dështoi projekti grek i Megali-Ides për aneksimin e Azisë së Vogël dhe sundimin e Greqisë në ish-territoret e Perandorisë Bizantine. Për rrjedhojë, në vitet 1921-1922, filloi një periudhë e re tensioni politik në Greqi, që u shoqërua me aksione agresive ushtarake kundër shqiptarëve etnikë.
Nën monitorimin e Fuqive të Mëdha e të Lidhjes së Kombeve, më 30 janar 1923, u nënshkrua Traktati i Lozanës. Në një nga nenet e tij përcaktohej shkëmbimi i popullsisë turke në Greqi me atë greke në Turqi. U vendos që të ngrihej një komision i Lidhjes së Kombeve për të ndjekur zbatimin e dispozitave të shkëmbimit, së bashku me disa nënkomisione.
Komisioni Mikst, i ngarkuar nga Lidhja e Kombeve për zbatimin e shkëmbimit, vendosi të “përjashtohej popullsia shqiptare e besimit mysliman të Çamërisë”. Këtë fakt e kishin pranuar edhe qeveritarët e Athinës. Përfaqësuesi grek në Lidhjen Kombëtare, Caclamanos, deklaroi se “Qeveria greke nuk ka për qëllim të shkëmbejë myslimanët me origjinë shqiptare: “Se shqiptarët banojnë në një krahinë të përcaktuar mirë, në EPIR. Në qoftë se ata janë të një besimi me Turqit, nuk janë kurrsesi të një kombësie.” Po ashtu Kryeministri i Greqisë E. Venizellos në një letër që i ka dërguar sekretarit të Lidhjes së Kombeve shkruan:
“I kam telefonuar Qeverisë sime për t’i tërhequr vëmendjen për gjendjen e shtetasve grekë myslimanë të racës shqiptare, të cilët nuk duhet të njësohen me turqit për sa i përket ekzekutimit të Konventës së këmbimit të popullsive. Unë jam i bindur se Qeveria greke e ka fort mirë parasysh këtë gjendje”.[14]
Autoritetet greke në kundërshtim me deklaratat e tyre, duke shfrytëzuar rrethanat e krijuara, ndërmorën masa të gjithanshme për pastrimin etnik të popullsisë shqiptare duke i etiketuar si Turq.
Masat qeveritare ndaj shqiptarëve myslimanë, që padrejtësisht iu nënshtruan “andallaisë” (shkëmbimit), u zbatuan me egërsi të madhe. Çeta kriminelësh masakruan popullsinë, e grabitën dhe e shpronësuan për ta detyruar të largohej në Turqi:
Me “andallaian” (shkëmbimin) filloi etapa e dytë dhe e madhe e spastrimit etnik që iu bë popullit çam.
Në takime me komisionin e Lidhjes së Kombeve përfaqësuesit e Çamërisë mbrojnë me vendosmëri identitetin e tyre shqiptar. Ata deklarojnë në mënyrë kategorike se janë shqiptarë dhe nuk i lidh asgjë me Turqinë, duke u shprehur me këmbëngulje e vendosmëri kundër shkëmbimit dhe dhunës.
Musa Demi, përfaqësuesi i Filatit, Gumenicës dhe Margëlliçit në letrën që i drejton Kryetarit të Komisionit Mikst në Athinë, më 13 maj 1924, shkruan:
“Myslimanët e Çamërisë përfshirë këtu edhe Paramithinë, janë shqiptarë të njohur si të tillë gjithmonë nga të gjithë historianet e sidomos nga ata të fundit të shekullit XVIII dhe të fillimit të shekullit XIX. Këta historianë dhe udhëtarë janë anglezë, francezë dhe grekë, mjafton të përmendim Lik, Pukevil, Gervinus, Finle, Arvantinos. Të gjithë kanë thënë: Çamët, ashtu edhe suliatët, janë shqiptarë nga raca, gjuha dhe zakonet. Edhe sot gjendet në fshatin Guardhiq një lagje e quajtur KOPOLATE, të gjithë myslimanë, që janë kushërinj të heroit të famshëm suliot, Xhavella.
Në fakt ajo çka dallon një racë nga një tjetër, që i bën çamët të jenë shqiptarë, janë gjuha e tyre, gjuha shqipe e folur në familje, zakonet e tyre, që ndryshojnë kryekëput nga ato të turqve, doket dhe zakonet shtëpiake, ato që lidhen me martesën, me varrimet, me lindjen e një fëmije, me vallet, me këngët…
Kostumi i çamëve është krejtësisht i veçantë, madje vjen prej kohës së pellazgëve dhe është i përbashkët për të gjithë shqiptarët, si për të tjerët ashtu edhe për çamët.
Për sa i përket atyre që mbështesin idenë se çamët kanë ardhur nga Damasku, këtu kemi të bëjmë me fjalë të pakuptimta njerëzish, që nuk dinë asgjë nga historia dhe nxiten nga interesa personale.
Disa hoxhallarë, gjithashtu, kanë pretenduar se janë turq dhe se dëshironin të shkonin në Anadoll, duke shprehur pa dyshim gjetjen, ende, të Kalifit, atje.
Ne do t’u ishim jashtëzakonisht mirënjohës po të merrej, sa më shpejt që të jetë e mundur, një vendim në favorin tonë, duke na deklaruar jashtë këmbimit, si dhe të merreshin masa që kufizimet e vendosura për elementin shqiptar mysliman të hiqeshin e, për pasojë, ne të jemi të lirë të disponojmë pasuritë tona, njerëzit tanë, duke gëzuar të drejtat tona qytetare, me qëllim që të rikthehemi në një gjendje normale, gjë që ne dëshirojmë qysh prej pesëmbëdhjetë muajsh.”[15]
Në këtë letër patrioti Musa Demi me kulturën e një intelektuali erudit, i bëri prezent Kryetarit të Komisionit Mikst tiparet e identitetit etnokulturor të popullit çam, si gjuhën, racën, doket, zakonet etj., që janë krejt të ndryshme nga tiparet etnokulturorë të popullit turk. Duke konfirmuar origjinën pellazge të popullit shqiptar të Çamërisë, Musa Demi, në mënyrë koncize, përjashton edhe pikëpamjet e historiografëve grekë për prezencën e qytetërimit helen në Çamëri. Ai ishte një ithtar i fuqishëm i mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut në Çamëri, të cilat, në mënyrë permanente, kanë qenë dhe janë të dhunuara nga nacionalistët grekë.
Një tjetër intelektual çam, që ngriti zërin e protestës për të penguar shpërnguljen e shqiptarëve të Çamërisë për në Turqi, ishte Ali Dino, një nga pinjollët e shquar të dinastisë së Dinenjeve, ish-deputet në parlamentin grek. Në një letër drejtuar Kryetarit të Komisionit Mikst, Karl Marius Widding, në Athinë, më 7 qershor 1924, Ali Dino, duke analizuar kriteret shkencore për të vërtetuar kombësinë e banorëve të Çamërisë i shkruan:
“… sipas të gjitha veprave të së drejtës ndërkombëtare, kriteret për të njohur kombësinë e një populli janë: Raca, feja, ndërgjegjja kombëtare, gjuha, doket dhe zakonet ose, i quajtur ndryshe, qytetërimi…
Le të analizojmë çdonjërën nga këto kritere, për sa u përket banorëve të Çamërisë, për të mundësuar tregimin e radhës së rëndësisë sipas së cilës ato duhet të merren parasysh dhe të mënjanohen disa prej tyre, nëse kjo është e nevojshme, për të pasur një bazë ekspertize objektive, jashtë çdo sentimentalizmi e ca më pak interesi.
RACA – Të gjitha veprat asnjanëse, që u morën me çamët, pohojnë prerazi se ato janë shqiptarë dhe i njësojnë me suliotët.
Këto vepra janë shkruar nga studiuesit: Leake, Pouqueville, Hanges Smart, Ibrahim Manzour, Hobhouse, Ami Boué, Bopp, etj.
Sipas antropologëve shumica e madhe e banorëve të Epirit janë MBIBRAKICEFALË (kokë gjerë) ashtu si gjithë shqiptarët dhe dallojnë tërësisht nga turqit dhe grekët që janë DOLICEFALË (kokë gjatë). Vepra që merret posaçërisht dhe imtësisht me këtë çështje, “Popujt e Ballkanit” e profesorit E. Pitard e dëshmon këtë…
FEJA – Çamët, si të gjithë shqiptarët, para pesë shekujsh, ishin të krishterë. Kjo dëshmohet nga historia dhe nuk të habit fakti që, në Çamëri, myslimanët kanë të afërm të krishterë…
Gjatë sundimit osman, çamët, si shumica e shqiptarëve përqafuan fenë islame, por kjo nuk e ndryshoi racën e tyre.
GJUHA – Të gjithë banorët e Çamërisë flasin shqip. Nëse hasen disa burra nja 10% që e dinë, dhe shumë pasaktësisht, turqishten ose greqishten, kjo ka ardhur nga nevoja që kanë pasur këta çamë për të mundësuar komunikimin me autoritetet, ose edhe me oficerët gjatë shërbimit ushtarak, për të ditur që të shqiptojnë disa fjalë të këtyre dy gjuhëve. Përkundrazi, e pohoj në mënyrën më të prerë që gratë dhe fëmijët (përveç atyre të qytetit të Paramithisë, që njohin greqishten) flasin dhe njohin vetëm shqipen e asnjë fjalë turqisht ose greqisht.
DOKET DHE ZAKONET – Ekzistenca e klasave shoqërore te çamët, martesat e tyre, trashëgimia, zia, gjakmarrja, vallet, veshjet e ushqimi, nuk ndryshojnë fare nga ato të shqiptarëve dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me ato të turqve.”[16]
Si konkluzion Ali Dino i sugjeron Kryetarit të Komisionit Mikst që në përcaktimin e përkatësive etnike të Çamërisë të merren në konsideratë komponentët e njohur të identitetit etnik, si raca, gjuha, doket e zakonet e tyre, të cilat janë lehtësisht të verifikueshme (kontrollueshme).
Përballë rrezikut të dëbimit nga tokat e veta në Greqi, popullsia myslimane shqiptare reagoi duke dërguar peticione pranë qeverisë greke, në të cilat shprehte përkatësinë e saj shqiptare dhe dëshirën për të qëndruar në tokat dhe pronat e veta.
Një peticion i nënshkruar nga 130 banorë nga Filati u dërgua në korrik të vitit 1923 në Athinë, në të cilën deklarohej se nuk donin të iknin nga vendi i tyre si turq. Po kështu, 173 banorë nga Paramithia kishin shkuar në Athinë për të takuar Komisionin Mikst.
Në mars 1924 Mit’hat Frashëri, Ministri fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë (1923-1926), njoftonte Tiranën zyrtare se deri në këtë kohë kishin ardhur në Athinë gjashtë përfaqësi nga Çamëria për t’u interesuar për problemin e tyre. Me dhjetëra telegrame të tjerë ishin dërguar në emër të popullit të Filatit, Mergëlliçit, Paramithisë, etj.
Një përfaqësi kishte ardhur nga Selaniku në Athinë, ku kishte ndenjur katër muaj me radhë për t’u interesuar për fatin e tyre, “në emër të shqiptarëve të Maqedonisë”.[17]
Komisioni i Lidhjes së Kombeve pasi konstatoi kombësinë shqiptare dhe vullnetin e popullit ndaloi shkëmbimin, por qeveritarët e Athinës nuk hoqën dorë nga përpjekja për dëbimin e popullit shqiptar. Banda të mëdha komitësh qarkullonin fshatrave të Çamërisë dhe terrorizonin popullin. Autoritetet greke konfiskuan pronat e shqiptarëve të tërë fshatrave, duke e konsideruar popullsinë e tyre si popullsi turke.
“Kur qeveria greke (nën presionin e Lidhjes së Kombeve), urdhëroi të deklarojmë zyrtarisht racën tonë, – thoshin përfaqësuesit e Çamërisë, – çamët vrapuan të deklarojnë racën e tyre të vërtetë (shqiptare – S. Sh.).”[18]
Në këtë situatë të pasigurt për jetën, masave shtrënguese dhe poshtëruese të marra nga qeveria, rekrutimit dhe përvetësimit me forcë të pasurive dhe të ardhurave, filloi shpërngulja e dhunshme dhe boshatisja e trevave të tëra me popullsi shqiptare, si trevat e Konicës, Follorinës, Kosturit, Janinës, Prevezës, etj.
Jeta e popullsisë shqiptare të Çamërisë u vështirësua edhe më shumë me vendosjen në vendbanimet shqiptare të refugjatëve grekë nga Azia e Vogël. Që në tetor – nëntor të vitit 1922 rreth 12.500 refugjatë nga rrethet e Izmirit (Turqi) me vendim të qeverisë greke u vendosën në Gumenicë, në Paramithi, në Kastri, në Kardhiq, në Varfanj, në Arpice, etj. Në Margëlliç ishin vendosur 3500 muhaxhirë grekë, në Pargë 3000, në Gumenicë 1800, në Filat 1700, etj.[19]
Familjet çame u shtrënguan të strehojnë dhe ushqejnë për disa muaj refugjatët. Nga fundi i vitit 1924 pjesa më e madhe e këtyre refugjatëve u vendosën në Maqedoni, ndërsa më shumë se 4000 të tjerë mbetën në shtëpitë e çamëve duke u bërë zotë të shtëpive dhe arave të tyre. Autoritetet qeveritare greke i lanë dorë të lirë refugjatëve që të bastisnin shtëpitë e çamëve në mënyrë që të shtrëngonte popullin që të largohej nga Çamëria.[20]
Ata filluan t’i shfrytëzojnë për llogari të tyre prodhimet bujqësore si valanidhin, ullinjtë, fiqtë, zarzavatet, pyjet, kullotat ndërsa pronarët e tyre mbetën pa asnjë prodhim e të ardhura.[21]
Politikën e ndjekur nga qeveria greke ndaj popullsisë shqiptare në Greqi, dëbimin e saj në Turqi dhe rrëmbimet e pasurive, e përshkruan në mënyrë të sintezës Mit’hat Frashëri në një relacion drejtuar Ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë, më 8 shtator 1925.
“Politika helene për dëbimin e elementit mysliman nga Epiri dhe Maqedonia, – shkruante Mit’hati, – kish nisur ‘që të nesërmen e Luftës ballkanike’. Ajo kishte filluar të zbatohej ‘me anë të çetave të hajdutëve dhe të sjelljeve të autoriteteve civile dhe militare’. Sipas tij, kjo politikë mori një ngjyrë të re, pas motit 1920, ku qeveria greke mori masa të forta dhe të rënda ndaj popullsisë shqiptare. Lidhur me këto masa, ai shkruan:
A- Të tërë shqiptarët e Prevezës.
B- Një pjesë e madhe e shqiptarëve të Konicës.
C- Të tërë shqiptarët e Pargës.
D- Një shumicë e shqiptarëve të vetë Çamërisë.
…
Më 17 tetor 1925, Mit’hat Frashëri, i paautorizuar nga qeveria, i kishte deklaruar Kryeministrit Grek Pangallos se “në qoftë se Greqia ka qëllim të përzërë çamët, ose t’i shtrëngojnë derisa të ikin, atëherë më mirë të marrin masa që tani, për të bërë edhe ne si Turqia, domethënë për të këmbyer grekofonët tanë me çamët e Greqisë.[23]
Në vitet 1920-1926, gjatë shpërnguljeve me dhunë u dërguan me forcë në Turqi 35.000 shqiptarë, banorë të 24 krahinave të Kosturit dhe të 14 fshatrave të Follorinës, si dhe 55.000 shqiptarë myslimanë të Epirit (Çamërisë), pjesa më e madhe nga rrethet e Janinës, Prevezës dhe të Pargës.[24] Këto qytete, që deri në atë kohë kishin mbajtur të gjallë frymën kombëtare, me largimin (shpërnguljen) e popullsisë shqiptare myslimane për në Anadoll, filluan të asimilohen.
Të përzënë prej trojeve të tyre me forcë, shqiptarët myslimanë u degdisën në Anadoll, ku nuk duruan dot as klimën dhe as kushtet e jetesës. Për pasojë vdiqën në masë pleq, fëmijë e gra. Një pjesë fare e vogël mundi të kthehej në Shqipëri, ndërsa të tjerët iu nënshtruan vuajtjeve dhe mjerimit në tokat e shkreta të Anadollit.
Vetëm në zonën e Izmirit e qytetet përreth, si Meneme, Saqe, Çeshme, Menisa, etj., u vendosën mbi 2000 familje çame.[25] Sot Izmiri konsiderohet kryeqendra e shqiptarëve të Çamërisë në Turqi. Popullsia e dëbuar me forcë u vendos kryesisht në rajonin e Stambollit, të Izmirit, të Bursës, të Kaiserit, të Konjës, të Ankarasë, të Samsunit, të Zonguldakut, etj.
Si rezultat i shpërnguljes së dhunshme qytete dhe fshatra të tëra u boshatisën nga popullsia shqiptare. Kështu Gardhiqi nga 400 shtëpi që kishte më 1913, në vitin 1925 mbetën 80, Dragomia nga 160 shtëpi në 18, Karbunari nga 300 shtëpi në 120, Parga nga 300 shtëpi në 40, ndërsa në disa fshatra si në Petrovicë nuk mbeti asnjë shtëpi.[26]
Në shtëpitë e shqiptarëve myslimanë u vendosën me dhunë refugjatët grekë të Azisë së Vogël, ndërsa shtëpitë e banuara nga të krishterët dhe grekët nuk u prekën. Padrejtësia ishte e hapur, mizore dhe çnjerëzore. Nuk mbeti një shtëpi shqiptare e pa okupuar prej refugjatëve. Jo vetëm elementët myslimanë, por edhe shqiptarët e krishterë që mbetën në viset përtej kufirit u gjendën para trysnisë së shkombëtarizimit. Atyre u ndalohej çdo shfaqje e shpirtit kombëtar, tradicional, e shprehur në doke, zakone, në gjuhë e në kulturë. Në një gjendje të tillë, të papranueshme për ta, një pjesë u dyndën në shtetin amë, ose ndonjë vend tjetër, ku do të ishin më të lirë për konfirmimin e vlerave të tyre kombëtare.
Lista e shtëpive myslimane të Çamërisë, të zëna nga refugjatet grekë. (qytete e fshatra)[27]
Lokaliteti | Shtëpi
myslimane |
Shtëpi të
krishtera |
Refugjatë të vendosur te myslimanët | Refugjatë të vendosur te grekët |
Margëlliç | 400 | 80 | Familje 60 | Familje asnjë |
Arpica | 400 | – | 400 | 0 |
Mazrek | 300 | 40 | 240 | 0 |
Luarat | 100 | – | 110 | 0 |
Gumenicë | 600 | 50 | 10 | 0 |
Grikohor | 200 | 100 | 35 | 0 |
Salice | 120 | – | 35 | 0 |
Shulash | 50 | – | 10 | 0 |
Reçat | 10 | – | 5 | 0 |
Varfanj | 200 | – | 100 | 0 |
Rezanj | 50 | – | 30 | 0 |
Drames | 90 | – | 90 | 0 |
Koriqan | 8 | 25 | 6 | 0 |
Vratil | 15 | – | 10 | 0 |
Platarje | 5 | 45 | 5 | 0 |
Niste | 90 | – | 90 | 0 |
Scopionë | 60 | – | 60 | 0 |
Koder | 20 | – | 12 | 0 |
Kushe | 60 | – | 30 | 0 |
Arvenice | 80 | 30 | 30 | 0 |
Vris | 15 | – | 15 | 0 |
Volje | 300 | – | 150 | 0 |
Sharat | 70 | – | 10 | 0 |
Filat | 300 | – | 50 | 0 |
Spatar | 70 | – | 90 | 0 |
Galbaq | 90 | – | 90 | 0 |
Versele | 120 | – | 100 | 0 |
Piadhul | 20 | 40 | 10 | 0 |
Dolan | 60 | – | 25 | 0 |
Picar | 100 | – | 30 | 0 |
Gurez | 10 | 25 | 5 | 0 |
3419 | 535 | 1943 | 0 |
Në vitin 1926, pas shumë memorandumesh proteste nga Shteti Shqiptar dhe nga popullsia çame, procesi i shpërnguljes së popullit shqiptar në Turqi u ndërpre. Në këtë kohë kryetari i Shtetit Grek, arvanitasi Theodoros Pangallos, mbajti një qëndrim korrekt ndaj Shqipërisë dhe Çamërisë. Ai deklaroi zyrtarisht përpara lidhjes së kombeve në Gjenevë se:
“Republika Greke njihte minoritetin shqiptar që jetonte në Greqi dhe nuk i konsideronte më shqiptarët myslimanë si popullsi turke.
Teza që ortodoksit shqiptarë janë grekë që është përhapur deri më sot është e gabuar dhe është hedhur poshtë nga të gjithë ne. Pasi ajo mori tatëpjetën dhe arriti pikën që nuk mbante më, mora masat e duhura dhe shpërndava të gjitha shoqëritë “voriepirotë” që mëshironin skajet më ekstreme të këtij mentaliteti të sëmurë.”[28]
Kur Pangallos ishte kryeministri i Greqisë u nënshkrua (më 25 qershor 1926) marrëveshja për shkëmbimin e kriminelëve dhe vjedhësve nga të dy vendet. Më 13 tetor 1926 u nënshkrua “Marrëveshja Konsullore”, e cila kishte të bënte me kryerjen e veprimeve administrative, mbajtje pasurish, shitje, blerje, lindje, vdekje si dhe lirinë e tregtisë mes shqiptarëve dhe grekëve, punësimin e lirë pa taksa dhe viza doganore për shtetasit me banim 15 km larg vijës kufitare nga dy anët e kufirit.
Në këtë periudhë u shpall amnisti për të gjithë çamët e dënuar, ose të pandehur, u premtua përdorimi i gjuhës shqipe në disa shkolla të Greqisë, etj.[29]
Kjo është periudha e vetme në historinë e Shtetit Grek ku respektohen disa të drejta të minoritetit shqiptar në Greqi.
Kush është Theodoros Pangallos (1878-1952)
“Theodor Pangallos ishte personalitet politik dhe ushtarak i Shtetit Grek. Lindi në Salaminë (Greqi), në një familje arvanitase.
Kreu shkollën e oficerëve dhe vazhdoi studimet në akademinë ushtarake në Paris (1914). Në 1918 u gradua gjeneral. Ka qenë komandant i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë greke; Ministër i Mbrojtjes (1922), Kryeministër (1925-1926) dhe President i Greqisë (1926-1930). Ndoqi politikën e fqinjësisë së mirë ndaj Shqipërisë. Gjatë qeverisjes së tij u shpreh kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga Çamëria dhe e konsideroi trajtimin e tyre në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar, si faktor të rëndësishëm të marrëdhënieve normale ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Ka pohuar me krenari në raste të ndryshme origjinën e tij shqiptare dhe ka vlerësuar meritat e Arvanitasve në historinë e Greqisë.”[30]
Pas kësaj periudhe të shkurtër të marrëdhënieve normale ndërmjet dy shteteve fqinje (Shqipërisë e Greqisë) do të vijonte e njëjta politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe do të zbatoheshin metoda nga më barbaret për spastrimin etnik, asimilimin dhe helenizimin e shqiptarëve të krishterë. Me marrëveshjen e Lozanës midis qeverisë Greke dhe asaj Turke, në vitet ‘20 të shekullit XX, u shpërngulën nga Epiri i Jugut (Çamëria – S. Sh.) dhe pjesë të tjera të Greqisë për në Turqi, Shqipëri, SHBA, etj., rreth 200.000 shqiptarë të fesë islame.[31]
Në vitet 1922-1927 rreth 1400 shqiptarë të Çamërisë emigruan në Shqipëri. Emigracioni në Shqipëri vijoi në mënyrë periodike gjatë gjithë gjysmës së parë të shek. XX. Që nga fillimi i vënies në jetë të Traktatit të Lozanës e deri në vitin 1937 kanë migruar në Shqipëri, e në Amerikë 27.000 shqiptarë myslimanë.
Në këto rrethana, Qeveria Shqiptare nxori “dekretin për vendosjen e emigrantëve”, të vitit 1931.
Neni 1 i këtij dekreti thotë:
“Gjithë ata persona, të lënë jashtë kufijve të Shqipërisë indipendente që janë shqiptarë prej gjaku dhe gjuhe, pa ndryshim feje dhe seksi, të cilët duke u shpërngul nga vendet e origjinës së tyre, vijnë në Shqipërinë e lirë me qëllim vendosje dhe mos kthyerje përsëri në vendet e tyre, kanë të drejta me u instalue si emigrant në Shqipëri, në konformitet me dispozitat e kësaj ligje.”[32]
Pas shumë memorandumesh dhe peticionesh proteste nga Shteti Shqiptar dhe popullsia çame, më datë 29 dhjetor 1927 organet e Lidhjes së Kombeve përgatitën dhe publikuan në Gjenevë komunikatën për Anëtarët e Këshillit për gjendjen e minoritetit shqiptar në Çamëri.
Në këtë komunikatë numërohen ankesat e popullit shqiptar si vijon:
Qeveria greke me nënshkrimin e “Traktatit të Minoriteteve” mori angazhimin para Lidhjes së Kombeve t’i sigurojë minoritetit shqiptar në Greqi të gjitha të drejtat civile, politike, ekonomike dhe kulturore që i përkasin. Në të vërtetë, situata e minoritetit shqiptar në Greqi jo vetëm që nuk ndryshoi por mbeti gjithmonë kritike dhe ekzistenca e tij e rrezikuar.
Shqiptarët e Çamërisë konsideroheshin dhe trajtoheshin si qytetarë të klasit të dytë. Ata nuk gëzonin të drejtën e pjesëmarrjes në administratën shtetërore. Fshatrave me popullsi shqiptare myslimane, iu mohohej e drejta për të pasur në Këshilla Komunale “Kryepleqësi” përfaqësuesit e tyre, duke ua dhënë këtë të drejtë fshatrave krishtere që kufizoheshin me ta. Në bazë të numrit të popullsisë Çamëria duhet të kishte më shumë se katër deputetë, përfaqësues të krahinës në Parlamentin Grek. Zonat elektorale ndaheshin në mënyrë të tillë që në zgjedhje të fitonin kandidatët grekë nga rrethet e Janinës, Prevezës, Artës, etj. Në Filat, megjithëse ishte një qytet i banuar nga popullsi homogjene shqiptare me shumicë myslimane, Kryetari i Bashkisë dhe Këshilltaret zgjidheshin të krishterë nga fshatrat e Qarkut të Filatit, të emëruar nga qeveria dhe jo të zgjedhur nga populli, në bazë të së drejtës konstitucionale, e drejtë e cila shqiptarëve në Greqi u ndalohej”.[34]
Ky kriter është aplikuar në të gjitha Qarqet.
Një mënyrë tjetër efikase për t’i detyruar shqiptarët e Çamërisë për të braktisur trojet e tyre ishte diskriminimi ekonomik dhe grabitje e pronave të tyre. Në rrethanat e Luftës Ballkanike dhe të pushtimit të Çamërisë filloi grabitja e pasurive të shqiptarëve dhe konfiskimi i pasurive nga shteti grek. Këto veprime binin ndesh me traktatin Greko-Turk të Paqes të 14 nëntorit 1913, sipas të cilit myslimanet turq, shqiptarët e Çamërisë e të trevave të tjera shqiptare në Greqi, ish-qytetarë të Perandorisë Osmane, do të trajtoheshin si shtetas grekë, me të gjitha të drejtat që u takonin.
Për të goditur më tej popullin shqiptar u shfrytëzua zbatimi i Reformës Agrare, që u shpall në vitin 1920. Sipas saj dhe akteve të mëvonshme ligjore do të prekeshin me shpërblim vetëm sipërfaqet prej mbi 30 hektarë tokë. Por në kundërshtim me legjislacionin grek, u urdhërua që në çifligjet e caktuara për shpronësim, sipas Reformës Agrare, të mos u jepej prodhimi pronarëve shqiptarë gjersa të vendoseshin komisionet përkatës të shpronësimeve. Në kundërshtim me ligjin agrar, u shpronësuan pronarët edhe kur kishin sipërfaqe më të vogla se 30 hektarë.
U zbatua gjithashtu forma e shpronësimit të “fshehtë” kur shteti grek merrte në duart e tij “tokat e braktisura”. Me këtë rrugë, fshatarë grekë, refugjatë e madje shqiptarë të krishterë shtinë në dorë shumicën e pronave bujqësore të popullit mysliman shqiptar.[35]
Urdhri për rekuizimin e prodhimeve të magazinuara, të shtëpive, të dyqaneve, të kafeneve, etj., çoi në varfërimin e mëtejshëm të pronarëve myslimanë shqiptarë, duke sjellë uri e deri vdekje në radhët e fshatarëve të vegjël. “Që nga marsi i vitit 1913 rreth 80 familje të fiseve (barqeve) ‘Demate’ dhe ‘Sejkate’ banorë të qytetit të Filatit humbën 24 çifligje dhe nuk arritën të marrin asgjë nga pasuria e tyre”. Me gjithë përpjekjet (demarshet) e pronarëve pranë Lidhjes së Kombeve, Qeveria Greke e manipuloi çështjen dhe ndaloi kategorikisht gjykimin e 24 katundeve të Filatit, pasi mendohej të projektohej një ligj i ri”.[36]
Reforma agrare u përdor si mjet për të privuar shqiptarët e fesë myslimane nga çdo bazë ekonomike. Sipas ligjit çamëve u ndalohej trashëgimia e tokës me tapi prej më shumë se 100 vjet, shitblerja dhe dhënia e tokës me qira. Hap pas hapi pronarët shqiptarë të shpronësuar u kthyen në argatë dhe pa mjete jetësore.
Në një letër ku Fejzi Lepenica i drejtohet Ministrisë Shqiptare të Punëve të Jashtme, në 14 janar 1928, thuhet:
“Pasuritë e rrëmbyera: katundet Gurrët, Pijadhul, Mininë, Nihorë, Skupicë, Nikolican, Karbunarë dhe qytetit Paramithi, u janë marrë gjithë pasuritë bujqësore që i punonin me krahët e tyre, si dhe gjithë ullinjtë, dhe u janë dhënë të krishterëve, duke i lënë të parët të punojnë argatë ndër të dytët. Pasuritë e banorëve shqiptarë të katundit Shulash, që mbetën në rajon të Gumenicës, u janë dhënë refugjatëve.
Myslimanëve të Filatit dhe Margëlliçit u janë marrë pasunira të mëdha bujqësore dhe kundër përmbajtjes së ligjit 119 të konstuticionit grek nuk u është lënë as nga një stremë që të mundin të rrojnë dhe këtë në qoftë se e kanë këtë të drejtë si njerëz”.[37]
Ardhja në fuqi e diktaturës fashiste të Metaksait e rëndon më shumë gjendjen. Rrethet intelektuale përparimtare, me letra, peticione dhe protesta kërkonin ndërhyrjen e shtetit grek për të ndihmuar në përmirësimin e gjendjes ekonomike e sociale të bashkatdhetarëve të tyre dhe i bënin thirrje edhe Qeverisë Shqiptare që të ishin më aktivë në çështjen Çame pasi rrezikohej gjymtimi i Kombit Shqiptar.
Politika diskriminuese e raciste e qeverisë greke ndaj popullit shqiptar të Çamërisë vërehet qartë edhe në fushën e arsimit.
Qeveria greke mbante pothuajse në të gjitha fshatrat e Çamërisë shkolla fillore, në qytetet e Filatit dhe Paramithisë shkolla të mesme si dhe shkolla normale për vajza. Në të gjitha këto shkolla, fëmijët e një popullsie pastërtish (homogjene) shqiptare, arsimohen vetëm në gjuhën greke pa u lejuar qoftë edhe arsimi fetar në gjuhën amtare. Neni 7 i traktatit të Sevrës, nënshkruar nga qeveria greke, i 19 gusht 1920, lidhur me mbrojtjen e pakicave në Greqi, parashikonte “ruajtjen e disa të drejtave, dhe posaçërisht mësimin e gjuhës së saj amtare”.[38]
Vetëm në vitin 1936 Qeveria Greke bën të ditur se planifikonte hapjen e disa shkollave shqipe për nxënësit shqiptarë të Çamërisë, por mësuesit do të ishin shqiptarë grekofonë. Mbas 18 vjetësh mohimesh e hezitimesh, në vitin shkollor 1937- 1938 qeveria greke lejoi funksionimin e dhjetë shkollave shqipe si vijon:
Me hapjen e këtyre shkollave në Çamëri filloi të mësohej Gjuha Shqipe dhe me këtë akt u krijua një precedent i favorshëm për popullsinë shqiptare. Në vitin mësimor 1937-1938 në shkollat e Çamërisë mësonin në gjuhën shqipe 387 nxënës.
Funksionimi i këtyre shkollave qe larg rezultateve të parashikuara dhe të dëshiruara. Mungesa e teksteve, mungesa e mësuesve të specializuar dhe, mbi të gjitha, politika antishqiptare e qeverisë profashiste greke e gjeneralit Metaksa, bëri që këto shkolla të mbyllen shumë shpejt.
Me ardhjen në pushtet të qeverisë fashiste të Joanis Metaksait, më 1936, gjendja e popullit shqiptar në Çamëri u bë edhe më e vështirë. Kolonizimi i rajonit nga grekët u intensifikua, Shpronësimi i popullsisë çame nga pasuria e tyre u vazhdua dhe emrat e vendeve (toponimet) të banuara nga shqiptarët u zëvendësuan me emra grekë.[40]
Emrat shqiptare të fshatrave Spatar, Galbaq, Varfanj, Volë, Arpice, e të tjerë u zëvendësuan me emrat grekë, Trikorifo, Elea, Parapatamo, Sivota, Perdhika, etj. Ata u kolonizuan me grekë me qëllim që të ndryshonin raportet demografike në rajon.
Sipas statistikave greke të vitit 1937, Çamëria kishte 279 fshatra me një popullsi prej 112.619 banorë, nga të cilët vetëm 20.200 banorë ishin grekofonë dhe 92.419 ishin shqiptarë.
Numri i popullsisë shqiptare të Çamërisë, ndarë sipas nënprefekturave, ashtu siç e paraqet gjeografi Italian Aldo Sestini në librin e tij “La Ciamuria – 1941” paraqitet si vijon:
Duke u bazuar në dokumentet e ushtrisë gjermane të Luftës së Dytë Botërore: “Sipas ngjarjeve të viteve 1914-1940, rreth 40.000 shqiptarë janë vrarë nën tortura të policisë dhe popullsisë greke.”[42]
Njëkohësisht gjatë kësaj periudhe janë shpërngulur me dhunë në Turqi, shtetin amë Shqipëri, në Sh.B.A e vende të tjera, rreth 200.000 shqiptarë të Çamërisë dhe nga trojet e tjera shqiptare në Greqi.
Për rrjedhojë, me gjithë vitalitetin e lartë biologjik të popullit shqiptar (koeficientin e lartë të natalitetit), ritmet e shtimit vjetor të popullsisë kanë qenë graduale, e në periudha të caktuara (vitet 1914-1926), ka pasur saldo negative të shtimit të popullsisë.
Këto dukuri demografike vërehen qartë në tabelën statistikore që vijon:
Popullsia e katër N/prefekturave të Çamërisë në vitin 1913 dhe para ngjarjeve të vitit 1944.
N/Prefektura | Popullsia më 1913 | Popullsia para ngjarjeve 1944 | |||
Familje | Frymë | Familje | Frymë | ||
1 | Filati | 1809 | 9844 | 1712 | 9067 |
2 | Gumenica | 2124 | 11.625 | 2077 | 11.084 |
3 | Paramithia | 2275 | 11.512 | 2291 | 11.165 |
4 | Margëlliçi | 3430 | 18.129 | 2261 | 12.181. |
Gjithsej | 9638 | 51.110 | 8341 | 43.497 |
Etapa e tretë : Finalizimi i spastrimit etnik nëpërmjet gjenocidit (1939-1945)
Procesi i shpërnguljes së popullsisë çame nga trojet e veta dhe helenizimit të saj, u fut në një fazë të re gjatë luftës Italo-Greke (1940-1941) dhe arriti pikën më kulmore me ngjarjet tragjike të viteve 1944-1945.
Në prag të shpërthimit të luftës Italo-Greke, represioni i qeverisë greke ndaj popullit shqiptar të Çamërisë u rrit ndjeshëm. Qeveria armatosi banda paramilitarësh ushtarakë, të cilët filluan të terrorizojnë shqiptarët në të dy anët e kufirit. Rekrutët çamë në ushtrinë greke, megjithëse shfaqën dëshirën për të luftuar kundër italianëve, u trajtuan jo si ushtarë por si rob lufte. Në vend të pushkëve atyre ju dhanë kazma e lopata për të punuar e vepruar në prapavijë për ndërtime rrugësh. Në këtë mënyrë qeveria fashiste e Metaksait tregoi zyrtarisht mungesë besimi ndaj tyre, duke i poshtëruar e trajtuar jo si qytetarë grek, por si të huaj të dyshimtë. Ky qëndrim përbuzës u përsërit edhe në mobilizimin e përgjithshëm.
Tensioni politik në Çamëri u rrit në pikën kritike kur autoritetet greke, të ndërgjegjësuar për shtypjen e ushtruar kundër popullit shqiptar në Çamëri dhe të frikësuar nga ndonjë kundërveprim, urdhëruan internimin me dhunë të gjithë meshkujve mbi moshën 16 vjeç, të cilët i futën nëpër burgje të ndryshme në ishujt e Detit Egje (Chios, Medelin, Korynth, Lefkada, etj.). Numri i të burgosurve është llogaritur në mbi 5000 vetë prej të cilëve 550 u vranë ose vdiqën në tortura.[43]
“Burrat u internuan që nga dita që ushtria greke pësoi disfatë në Nistë. Kjo valë internimesh vazhdoi me një kontingjent të dytë më 12 nëntor, dhe një të tretë më 15 nëntor 1940.
Besohet se afro 1500 shqiptarë çamë u internuan vetëm në ishullin Lefkada. Prej tyre, 330 u vranë gjatë rrugës ndërsa 33 vdiqën në kampe”.[44]
“Në këtë mënyrë – shkruan historiani grek Jani Sharra – qeveria e vendosi elementin shqiptar mysliman haptazi në kampin e armikut”[45], duke e paragjykuar popullsinë çame si bashkëpunëtore të pushtuesve italianë. Ndërkohë në fshatrat e zbrazura të Çamërisë, ku kishin mbetur pleq, gra e fëmijë, të cilët ishin pa mbrojtje, filluan sulmet e hajdutëve grekë, që grabitën pasuritë dhe kryen mizori të shumta e të pashembullta.
Në këtë situatë Italia intensifikoi propagandën antigreke, duke premtuar dhe çlirimin e minoritetit shqiptar në Greqi. Popullsia çame mbajti një qëndrim neutral ndaj palëve në konflikt. “Edhe kur italianët pushtuan Gumenicën – shkruan Jani Sharra – rrallë ndonjë çam u bashkua me ta”.[46]
Një grup antifashistësh çamë i kryesuar nga Musa Demi iu kundërvu propagandës italiane para shpërthimit të luftës, por veprimtaria e tyre u ndërpre nga autoritetet greke. Gjatë muajve korrik-gusht 1940 krerët e Çamërisë u internuan. Pas thyerjes së ushtrisë italiane dhe tërheqjes së tyre nga Greqia, qeveria greke ndërmori një valë të re dhune e terrori mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë.
Të burgosurit dhe të internuarit u liruan vetëm pas pushtimit të Greqisë nga ushtritë gjermane, në një gjendje shëndetësore e shpirtërore të rëndë. Pas pushtimit të Greqisë nga gjermanët, qarqet shoviniste greke nxitën krijimin e bandave kriminale për të vrarë pjesëtarët e parisë së Çamërisë. Popullsia çame u ngrit mbi pasionet dhe urrejtjen nacionale dhe zgjodhi rrugën e bashkëjetesës e të bashkëpunimit me popullsinë e krishterë, për të përballuar bashkërisht gjendjen e rëndë që u krijua pas pushtimit gjerman. Për këtë qëllim, njerëz me ndikim në krahinë u përpoqën të krijonin atmosferën e mirëkuptimit midis dy komuniteteve, grekë e shqiptarë.
Por qarqet shoviniste nuk ishin të interesuar për bashkëjetesën paqësore e normale. Duke përfituar nga situata e turbullt e luftës dhe për të rindezur armiqësitë ata nxitën vrasjen e disa figurave me influencë në Çamëri. Në këto rrethana ngjarjet morën një drejtim të rrezikshëm.
Gjermanët u përpoqën që ta hidhnin minoritetin shqiptar në luftë kundër EAM-it dhe Frontit Nacionalçlirimtar grek. Këto përpjekje u shoqëruan me një propagandë me ngjyra të theksuara nacionaliste, por në disa raste edhe me masa represive.
Nacionalistët shqiptarë shpresonin se gjermanët do të ndihmonin në çlirimin e Çamërisë. Për këtë qëllim ata ngritën Këshillat Lokale Shqiptare në gjithë krahinën. Pjesëtarët e Këshillit Krahinor të Çamërisë ishin njerëz me influencë si: Vëllezërit Dino, Adem Muha, Hamza Rexhepi, Hizder Ahmeti, Mahmut Mala, Ramadan Sulo, Bido Taho, Haxhi Shehu, etj. Këshilli Krahinor kryente në një farë mënyre detyrat e qeverisjes lokale, siç ishte mbrojtja e rregullit dhe qetësisë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve, interesohej për hapjen e shkollave shqipe, etj. Kjo veprimtari i shqetësoi qeveritarët e Athinës dhe forcat e tyre të djathta, të cilat i kërkuan gjermanëve për rivendosjen e administratës greke në Thesproti. Autoritetet gjermane mbajtën një qëndrim të dyfishtë.
Ata nuk e njohën zyrtarisht veprimtarinë e Këshillit Krahinor Çam dhe nga ana tjetër nuk e përmbushën kërkesën e qeverisë kuislinge greke për vendosjen e administratës në Thesproti.
Realisht autoritetet gjermane, duke u nisur nga interesat e tyre ushtarake, e pranuan në heshtje punën e Këshillit Krahinor.
Ky qëndrim i luhatshëm i gjermanëve ndryshon në mënyrë dramatike në verën e vitit 1944 kur ata çarmatosën një pjesë të popullsisë shqiptare të Çamërisë dhe lejuan forcat nacionaliste të Napolon Zervës të sulmonte fshatrat e Çamërisë.
– Popullsia çame në përgjithësi nuk pranoi mobilizimin ushtarak dhe bashkëpunimin me gjermanët në luftë kundër popullit grek. Nacionalistët bënë përpjekje për t’u lidhur me Shtabin Aleat të Mesdheut me qëllim që të mënjanonin rrezikun zervist që i kanosej Çamërisë.
– Popullsia çame ka dhënë një kontribut të njohur në luftën antifashiste nacionalçlirimtare. Rezistenca antifashiste e kësaj popullsie fillon në dimrin e viteve 1942-1943. Grupi ilegal i përbërë nga Njazi e Kasem Demi, Mustafa Sulo (Kalbaqi), Dervish Dajaka, Muharrem Demi, Braho Karasani, Sami Alushi, Tahir Demi, Vehip Huso, etj., që në verën e vitit 1942, filluan punën për popullarizimin e ideve të Kartës së Atlantikut, e cila u garantonte popujve e pakicave etnike liri e barazi, si dhe të drejtën e vetëvendosjes pas fitores mbi fashizmin. Në shkurt të vitit 1943 u krijua çeta “Çamëria” dhe pak më vonë batalioni “Çamëria”, i cili zhvilloi në shtator 1943 betejën e famshme të Konispolit, kundër gjermanëve, që zgjati 55 ditë. Në këtë periudhë të trazuar, kur Napolon Zerva dhe bashkëpunëtorët e tij kërkonin të shuanin rezistencën antifashiste në Çamëri dhe luftën e popullit çam kundër fashizmit, në maj 1944 u formua batalioni i minoritetit çam, që mban emrin e heroit të LANÇ-it, birit të Filatit “Ali Demi”. Brenda disa muajve numri i partizanëve të batalionit “Ali Demi” arriti 500 e ca luftëtarë. Ky batalion ishte inkuadruar në divizionin XV-të të ELLAS-it.
Misioni britanik që kreu hetime në Çamëri pas luftës, pohon pjesëmarrjen e çamëve në radhët e EAM-it dhe jep një shifër prej 700 luftëtarësh. Edhe biografët e Zervës e kanë pranuar një gjë të tillë, duke dhënë një shifër prej 1000 luftëtarësh shqiptarë nga Çamëria që morën pjesë në formacionet e EAM-it.
– Në verën e vitit 1944 tensionet politike në Çamëri u rritën dhe pasiguria e popullsisë çame u shtua.
– Më 27 qershor ndodhi masakra e përbindshme e forcave të Napolon Zervës kundër popullsisë shqiptare të Paramithisë që është masakra më e egër ndaj shqiptarëve myslimanë. Në atë ditë forcat e Ligës Republikane Greke (EDES) të gjeneralit Zerva hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë myslimanë, burra, gra dhe fëmijë. Shumë prej tyre u përdhunuan dhe u torturuan para vdekjes.
Të nesërmen një batalion tjetër i EDES-it hyri në Pargë, ku vrau 52 shqiptarë të tjerë.[47] Masakrat vazhduan 3-4 ditë, jo vetëm në qytete por edhe nëpër fshatra.
Me këto ngjarje fillon eksodi çam që ndodhi në vitet 1944-1945.
Në vjeshtën e vitit 1944 situata politike në Çamëri ishte jashtëzakonisht kritike. Në këtë periudhë forcat zerviste iu afruan qytetit të Filatit në një kohë që forcat gjermane ende nuk ishin larguar. Në mëngjesin e 24 shtatorit Filati ra në duart e zervistëve, të cilët përsëritën krime të ngjashme me ato që kishin ndodhur në Paramithi. Përveç poshtërimeve, shkatërrimeve, grabitjeve dhe ç’nderimeve të grave, vetëm në dy ditët e para u therën dhe u vranë 259 banorë të Filatit dhe 157 banorë të fshatit Spatar.
– Reprezaljet e Paramithisë, Pargës, Karbunarit, Spatarit, Filatit, etj., ku u masakruan edhe fëmijët, nuk lanë më asnjë lloj iluzioni. Shumica e njerëzve u bindën për fatin që i priste. Filloi kështu eksodi biblik i popullsisë çame, i cili të kujton eksodin biblik të izraelitëve, ndodhur 3300 vjet më parë. Duke u larguar ata lanë pas shtëpi të djegura, kufomat e të afërmve të pavarrosur dhe të pushtuar nga tmerri. Largimin e tyre historiani Jani Shana e përshkruan me këto fjalë.
“Mijëra njerëz, burra gra e fëmijë, me dhimbje dhe keqardhje në fytyrat e tyre, niseshin me ç’mundnin të merrnin me vete, në rrugën e shpëtimit”.[48]
Në dhjetor të vitit 1944 kaluan kufirin shqiptar kolonat e fundit të refugjatëve shqiptarë çamë, të përbërë nga gratë dhe fëmijët që kishin mbetur në burgjet e Paramithisë, Filatit, Janinës, etj.
– Pas largimit të banorëve autoktonë situata në Çamëri u rëndua edhe më shumë si rezultat i ashpërsimit të konfliktit, që çoi në luftime të ashpra midis forcave te ELLAS-it (të majta) e të EDES-it (të djathta) të N. Zervasë.
Në dhjetor të vitit 1944 Fronti Nacionalçlirimtar i EAM-it dhe forcat e ushtrisë NÇG (ELLAS), çliruan Çamërinë dhe në fillim të janarit 1945 i detyruan forcat zerviste (EDES) të kalonin në Korfuz. Në luftimet për çlirimin e Çamërisë një ndihmesë të rëndësishme dhanë edhe djemtë çamë të inkuadruar në batalionin “Ali Demi” dhe në formacione të tjera. Në këtë situatë të re një pjesë e popullsisë çame (3000-5000 vetë) u rikthyen në shtëpitë e tyre, duke pësuar masakrën e dytë akoma më të pabesë. Refugjatët çamë kishin marrë sigurinë verbale edhe nga Misioni Britanik në Tiranë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së Varkizës (13 shkurt 1945) EAM-i pranonte që ELLAS-i të dorëzonte armët. Pas dorëzimit të armëve, luftëtarët çamë të batalionit të IV “Ali Demi” u nisën për në Shqipëri të çarmatosur. Shumë prej tyre u vranë gjatë rrugës nga forcat qeveritare të gjeneral Plastiras. Në mënyrë të pabesë garnizoni edeist në Korfuz shkeli marrëveshjen, duke kryer sulmin final kundër Çamërisë. Bandat edeiste pasi ripushtuan Çamërinë, iu drejtuan Filatit, duke realizuar një gjakderdhje të tmerrshme. Kjo qe fushata e fundit e masakrës së zervistëve kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë.
Spastrimi etnik i Çamërisë krijoi precedentin e rrezikshëm të spastrimeve etnike në Ballkan. Ai ndryshoi dukshëm balancën etnike në raportet greko-shqiptare, në favor të grekëve dhe krijoi një problem, që do të ndikonte për një kohë të gjatë në ndërgjegjen e popullit shqiptar. Spastrimi etnik i Çamërisë nxiti dhe fuqizoi presionet e shtetit grek ndaj kombit dhe shtetit shqiptar, duke avancuar planet dhe aktivitetet për aneksimin e Shqipërisë së Jugut.
Kush ishte Napolon Zerva
– Spastrimi etnik i Çamërisë nga banorët myslimanë autoktonë është vepër kombëtare, politike e fetare e shtetit grek, që e ka zanafillën që në vitin 1844 kur u shpall platformë politike e “Megali Idhes” dhe që u realizua hap pas hapi ndaj shqiptarëve, duke kulmuar në ngjarjet tragjike të viteve 1944-1945. Në këto ngjarje të fundit rol parësor ka luajtur gjenerali Napolon Zerva një figurë diabolike e kriminale e skenës politike greke.
Napolon Zerva (1891-1957) lindi në Artë nga një familje me prejardhje nga fshati Zervë e krahinës së Sulit (Çamëria Juglindore).
Suli historikisht është banuar nga një racë shqiptare dhe normat juridike që rregullojnë jetën ekonomiko-shoqërore udhëhiqeshin nga Kanuni i “Papa Zhulit” apo nga “nomet” (ligjet) e të parëve. Neni pesë i këtyre “nomeve” i cilëson suliatët as “turq” e as “grekë” por shqiptarë dhe për tradhti ndaj Atdheut jepej dënimi me vdekje. Pikërisht këtë duhet të zbatonte Suli në emër të të parëve të vet, ndaj bastardit Zerva.
Zerva vetë ka pohuar se rrjedh nga një familje me origjinë vllahe.
Napolon Zerva ka qenë i njohur si “venizelist”, oficer i ushtrisë greke me lidhje të ngushta me elementë pro-diktatorialë të tipit të gjeneralit Plastiras, diktatorit Pangalos dhe kriminelit, kolonel Dertilis, që nga vitet 1920, mbas disfatës greke në Azinë e Vogël.
Më 1925, Zerva ishte komandant i rojës private të diktatorit Pangalos dhe, më vonë, pjesëmarrës në shumë grushte shteti dhe aksione konspirative në Greqi gjatë viteve të para të Luftës së Dytë Botërore, me një urrejtje të theksuar për Monarkinë dhe “komunizmin”.
Eksperimenti demokratik në Greqi i zhgënjeu rëndë këta elementë venizelistë dhe shumë nga ata, duke përfshirë edhe oficerin N. Zerva, filluan të shihnin me admirim Musolinin dhe diktaturën e tij dhe më vonë Adolf Hitlerin dhe regjimin e tij nazist. Kjo mundësi u dha në prillin e vitit 1936, me ardhjen në fuqi të gjeneralit Metaksa si kryeministër.
Opozita demokratike greke ishte e dobët dhe e kufizuar.
Terreni ishte përgatitur për akte terroriste e racizëm, sidomos kundër popullsisë jogreke, siç ishin shqiptarët e Çamërisë. Siç duket, N. Zerva mori përsipër këtë aksion të ulët dhe fashist: spastrimin e Greqisë nga shqiptarët çamë. Këtë e tregon një letër dërguar në vitin 1956 një mikut të tij nga Parisi, Jani Popori, ku shkruhet: “Bëjua të qartë njerëzve se ne e kryem detyrën që na ishte ngarkuar për spastrimin e çamëve myslimanë nga atdheu ynë, të cilët kanë qenë 500 vjet në qafë të grekëve dhe ua bëmë të mundur malësorëve të zbresin në fusha.”[49]
Si venizelist, ai i takonte asaj pjese të politikanëve grekë që punonin për “Megali Idenë”, një mbretëri, që ishte projektuar të shtrihej deri në Kostandinopojë. Kur Greqia u thye ushtarakisht nga Turqia në Anadoll (1921-1922), ky brez i politikanëve grekë u trondit, sepse kishte humbur rastin të fitonte atë që kishte mësuar në bankat e shkollave greke, kishte luftuar për atë, dhe tashmë nuk mund të pranonte dështimin e ëndrrave shoviniste.
Pas formimit të EDES-it më 1941, Zerva vazhdoi të ushqente ëndrrën se fati e kishte zgjedhur të udhëhiqte Greqinë në rrugën drejtë të “Lavdisë së Madhe” të “Megali Idesë”.
Më 9 mars 1943, duke vlerësuar siç duhet mundësinë e një bashkëpunimi të ngushtë me Britanikët, për vete e për grupin e tij të vogël, Zerva hodhi poshtë “republikanizmin” e tij dhe i dërgoi një mesazh personal besnikërie mbretit në mërgim. Pastaj Zerva denoncoi EAM-ELAS-in si një organizatë komuniste. Këto dy akte i siguruan atij armë e municione britanike. Në këtë rrugë, ai u shndërrua në një instrument të thjeshtë në duart e britanikëve.
Në dhjetor 1943, kur britanikët u bindën se EAM-i në luftën e tij ishte më shumë komunist se antigjerman, hap pas hapi filluan të përkrahnin forcën më të vogël “demokratike” të gjeneralit Zerva.
Ndërkaq, Zerva, nga një republikan i bindur, u kthye në një përkrahës të Monarkisë në Greqi dhe u identifikua me forcat e së djathtës ekstreme.
Territori i kontrolluar nga Zerva në fillim të vitit 1944 shtrihej mbi Epirin, nga Preveza e në Veri. Kjo zonë veprimi iu njoh Zervës edhe me marrëveshjen e Libanit (22 maj 1944) dhe, më vonë, edhe me marrëveshjen e Kazertës (Itali) më 26 shtator 1944. Kështu që fati i shqiptarëve të Çamërisë mbeti plotësisht në duart e kriminelit Zerva.
Marrëveshja e Libanit përfshinte, mes të tjerash, edhe “dënimin e tradhtarëve dhe të atyre që kanë shfrytëzuar fatkeqësitë e popullit (grek) gjatë luftës” (Art. 4) si dhe “plotësimin e kërkesave (territoriale), kombëtare” (Art. 5). Gjenerali Zerva e shfrytëzoi këtë marrëveshje për të “denoncuar” çamët dhe për të “çliruar Çamërinë” nga shqiptarët, duke kryer me bandat e tij kriminale akte gjenocidi dhe spastrime etnike, vepra që, padyshim, përbëjnë një krim kundër njerëzimit.
Me marrëveshjen e Kazertës (Itali) u vendos që asnjë njësi (nën komandën e EDES-it dhe ELAS-it) të mos lejohej të merrte ligjin në duart e veta.[50]
Nuk mjafton që Zervën ta trajtosh si “shqiptaro-vrasës” për të mbyllur të vërtetën historike. Ai duhet të jetë simboli i krimit politik për shtetin grek. Mbas Zervës fshihet një shtet, një komb, një popull që gjyqit të historisë nuk do t’ia dalë, qoftë për falje dhe për dinjitet, por mbi të gjitha për të vërtetën dhe të drejtën.
Departamenti Amerikan i Shtetit më 1945 ngulte këmbë që për çdo ndihmë për Greqinë duhej të kushtëzohej me formimin e një qeverie koalicioni me baza të gjera, nga e cila duhet të përjashtoheshin personalitete të këtilla të së djathtës ekstreme si Zerva dhe Mahromikhalis. Megjithatë, asgjë nuk e pengoi Zervën të qëndronte në qeverisje derisa më 1947 u zbulua bashkëpunimi i tij me okupatorët gjermanë dhe ai u detyrua të largohej nga detyra.
Nuk kaloi shumë kohë dhe ai rikthehet sërish në politikë si ministër i Punëve Botore, vetëm për një vit (1950-1951). Ai i kaloi ditët e fundit të jetës i sëmurë dhe i harruar.
Disa autorë e trajtojnë figurën e Zervës si shkaktar e përgjegjës kryesor të ngjarjeve kriminale në Çamëri. Personalizimi i krimeve shtetërore është një mashtrim historik. Shteti grek e ka nderuar e shpallur N. Zervën heroin e luftës, duke i ngritur buste dhe muzeume, ndërkohë që Gjermania nuk i ka nderuar në histori “personalitetet” e Holokaustit të krimit si heronj.
Duke folur për valën e fundit të spastrimit etnik të Çamërisë, historiania ruse N. Smirnova dhe etnografia F. Ivanova arrijnë në këtë përfundim: “Dëbimi i çamëve nga trojet e tyre ka qenë një plan i hartuar që në vitet ’20 nga borgjezia shoviniste greke dhe për ta realizuar me sukses, më 1944, pranë forcave të Zervës, u krijua një repart i veçantë që quhej “Kompani e pavarur”, e cila përbëhej nga kriminelë profesionistë.[51]
3. Të dhëna demografike dhe ekonomike për krimet dhe grabitjen e pasurive të popullsisë çame
Gjatë fushatës greke të spastrimit etnik të Çamërisë, nga 27 qershori 1944 deri në mars 1945, numri i përgjithshëm i vrasjeve është si vijon[52]:
Data | Vendi | Burra | Gra e fëmijë | Gjithsej |
27 qershor 1944 | Paramithi, Margëlliç | 800 | 230 | 1030 |
Parga | 130 | – | 130 | |
Gusht 1944 | Filat e Katundë | 198 | 61 | 259 |
Mars 1945 | Filat e Katundë | 142 | 59 | 201 |
Të humbur: Paramithi, Pragë e Filat | – | – | 230 | |
Gjithsej | 1270 | 350 | 1850 |
Nga internimet dhe torturat e bëra gjatë regjimit diktatorial të gjeneralit Metaksa (1940-1941) u vranë dhe vdiqën nga torturat 450 të internuar.
Të vdekurit në radhët e refugjatëve gjatë eksodit për në Shqipëri, për mungesë ushqimesh dhe nga sëmundjet e ndryshme, llogariten në 2755 vetë.
– Në një raport të botuar në vitin 1945 arrihet në përfundimin se gjatë spastrimit etnik kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë, nga fillimi i Luftës Italo-Greke e deri në marsin e vitit 1945, kur u luajt akti i fundit i kësaj tragjedie, shuma e përgjithshme e të vdekurve dhe të humburve llogaritet në mbi 5000 vetë. Gjatë kësaj periudhe u dogjën dhe u shkatërruan 61 fshatra. Pothuajse në të gjitha fshatrat e banuara nga shqiptarët e Çamërisë, banesat u bënë të papërdorshme. Numri i shtëpive të shkatërruara dhe të djegura arrin në 5800.[53] Të pallogaritshme janë vlera e orendive shtëpiake, arturinave, stolive të veçanta, kostumeve popullore, etj., të cilat janë shumë të kushtueshme dhe që të gjitha u plaçkitën nga bandat e Zervës.
– Gazeta e së majtës (EAM) “Anagnosti” e datës 16 janar 1946 shkruante se “trimat” e Zervës vodhën dhe shkatërruan gjithçka që i kishte shpëtuar shkatërrimit të hordhive italo-gjermane, e shkaktuan një valë terrori në gjithë këtë krahinë (Çamërisë – S. SH.) Gjithë “trimat” e Zervës u bënë pronarë të mëdhenj tokash. Pasuritë e shqiptarëve, që janë detyruar me forcë të braktisin vatrat e tyre u plaçkitën dhe u shkatërruan. Në të gjithë Çamërinë u bë një shkatërrim i pashembullt.
Pronat e Çamërisë në Greqi, u grabitën me urdhrin mbretëror U. B. 2185/152 dhe Vendimin 2871/54. Pasuritë bujqësore dhe blegtorale u shpërndanë ndër grekët e pa tokë, ndërsa pasuritë e tyre nëpër qytete iu dhanë banorëve që nuk kishin banesa…[54]
Produkte bujqësore dhe blegtorale të grabitura.[55]
Nr. | Produkti | Sasia e grabitur
në okë |
1 | Drithëra | 4.949.000 |
2 | Tërshërë, elb | 2.217.000 |
3 | Duhan | 18.500 |
4 | Oriz | 26.800 |
5 | Vaj ulliri | 457.700 |
6 | Djath | 361.500 |
7 | Gjalp | 12.850 |
8 | Lesh | 26.750 |
9 | Bajame | 37.000 |
10 | Koshere bletësh | 5140 |
Në tabelën e mësipërme jepen të dhënat për produktet e grabitura në vendbanimet e Paramithisë, Gardhiqit, Dragome, Karbunarë, Filat, Galbaq dhe Spatar.
– Prodhimet bujqësore të lëna në shtëpi dhe të humbura në vitin bujqësor 1944-1945 paraqiten në tabelën që vijon (në okë):
Prodhime bujqësore të lëna në shtëpi dhe humbja e prodhimit në vitin 1944-1945 (në okë)[56]
Rajoni | Të lëna në shtëpi | Prodhimet e humbura
(1944-1945) |
||||
Drithëra | Misër | Vaj ulliri | Drithëra | Misër | Vaj ulliri | |
Paramithi | 80.000 | 25.000 | 70.000 | 200.000 | 200.000 | 250.000 |
Margëlliç | 150.000 | 100.000 | 200.000 | 800.000 | 800.000 | 400.000 |
Gumenicë | 700.000 | 30.000 | 300.000 | 2.000.000 | 2.000.000 | 2.000.000 |
Filat | 800.000 | 200.000 | 50.000 | 1.000.000 | 1.000.000 | 340.000 |
– Gjithsej prodhime bujqësore të lëna në shtëpi janë: drithëra 1.730.000 okë, misër 355.000 okë dhe vaj ulliri 620.000 okë. Humbja e prodhimit të vitit 1944-1945: drithëra 4.000.000 okë, misër 3.700.000 okë e vaj ulliri 2.990.000 okë.
– Aktiviteti i dytë dhe mjaft i rëndësishëm i ekonomisë në Çamëri ishte blegtoria. Me shpërnguljen e dhunshme popullsia humbi pjesën dërrmuese të fondit të blegtorisë.
Grabitja e gjësë së gjallë arrin në këta tregues[57]
Nr. | Rajoni | Bagëti e imët | Lopë, qe | Kuaj |
1 | Margëlliç | 3.000 | 200 | 100 |
2 | Paramithi | 6.000 | 300 | 200 |
3 | Gumenicë | 5.000 | 200 | 25 |
4 | Filat | 3.000 | 100 | 100 |
– Të humbura dhe të ngordhura gjatë rrugës së emigrimit: 110.000 bagëti të imta, 400 lopë e qe, 200 kuaj.
Shuma e përgjithshme e bagëtive të dëmtuara arrijnë: 127.000 krerë bagëti të imëta, 1200 krerë lopë e 645 kuaj.
Në vitin 1941 pasuritë rurale të popullsisë shqiptare në Çamëri arrinin në dy milionë e gjashtë qind mijë (2.600.000) strema, ose 260 mijë hektarë, që përfshinin: fusha (toka bujqësore), lëndina, kopshte, pyje dhe kullota. Pronat e paluajtshme përfshijnë gjithashtu shtëpi, punishte dhe fabrika, hotele dhe dyqane shërbimit, ndërtesa publike, shtëpi pushimesh, etj., një pjesë e të cilave janë djegur dhe shkatërruar. Këto pasuri vlerësoheshin në atë periudhë deri në 100 milionë franga ari.[58]
– Emigracioni i popullsisë çame drejt Shqipërisë filloi në gusht të vitit 1944 dhe vazhdoi deri në mars të vitit 1945. Qeveria shqiptare, në rrethanat e vështira të pasluftës nuk mundi t’u jepte emigrantëve çamë përkrahje politike, ushtarake e materiale. Në këto rrethana, popullsia çame u gjend përballë varfërisë dhe mjerimeve të shumta. Rreth 95 për qind e popullsisë vuante shumë për strehim dhe për sistemimin e jetës së saj.[59]
– Emigrantët çamë u vendosën gjeografikisht në mënyrë provizore në shtatë prefektura:
Numri i popullsisë çame sipas Prefekturave[60]
Nr. | Prefektura | Rrethi | Numri i popullsisë |
1 | Gjirokastër | Konispol | 1490 banorë |
Delvinë | 940 banorë | ||
Sarandë | 1050 banorë | ||
2 | Vlorë | Vlorë | 4700 banorë |
Fier | 1980 banorë | ||
3 | Berat | Berat | 1070 banorë |
Lushnjë | 1500 banorë | ||
4 | Durrës | Durrës | 1420 banorë |
Kavajë | 1450 banorë | ||
Shijak | 640 banorë | ||
Krujë | 770 banorë | ||
5 | Elbasan | Elbasan | 500 banorë |
Peqin | 450 banorë | ||
Dumre | 820 banorë | ||
6 | Tiranë | 900 banorë | |
7 | Shkodër | 75 banorë |
– Raportet e Komisionit të Minoritetit Shqiptar çam jepnin të dhëna rrëqethëse për zinë e bukës që kishte prekur refugjatët. Sistemi i ndihmës asistenciale ishte i kufizuar në 15 për qind të popullsisë, që ishin nën nivelin e varfërisë, asistencë që ishte fare e pamjaftueshme për të përballuar jetesën. Këta emigrantë merrnin një ndihmë prej 250 gram bukë në ditë.
Në vitet 1945-1947 emigrantët çamë morën ndihma nga UNRRA një shumë totale prej 1.450.000 USD. Përveç vuajtjeve dhe mjerimeve të emigrantëve shumë shpejt popullsia çame do të provonte persekutimet e diktaturës komuniste. Qeveria shqiptare u përpoq të mobilizonte popullsinë çame dhe ta angazhonte atë në luftën civile, që po zhvillohej në Greqi. Fushata për të mobilizuar popullsinë çame në radhët e Ushtrisë Demokratike Greke (UDG), nuk nisej nga qëllimi për të zgjidhur çështjen çame, përkundrazi, ajo ishte një aksion politik me motive ideologjike. Ajo synonte t’u vinte në ndihmë komunistëve grekë dhe të eliminonte rezistencën e forcave antikomuniste çame, si dhe problemet që krijonin refugjatët çamë për administratën komuniste në Shqipëri. Fushata shtrënguese për mobilizimin e popullsisë çame në UDG frikësoi aq shumë popullsinë, saqë një pjesë e emigrantëve u detyruan të kërkojnë nënshtetësinë shqiptare.
Megjithatë shterimi i burimeve asistenciale, papunësia, strehimi në çadra, uria, mungesa e shërbimeve shëndetësore dhe kushtet e këqija të jetesës në përgjithësi, shkaktuan vdekjen e rreth 2755 emigrantëve çamë.[61]
Në pranverën e vitit 1953, qeveria shqiptare mori vendimin për ndërrimin e shtetësisë së refugjatëve çamë, pa marrë parasysh dëshirën e tyre. Ky dekret kishte dy nene:[62]
Neni 1: Personat me kombësi shqiptare nga Çamëria, që banojnë në Republikën Popullore të Shqipërisë dhe që nuk fituan gjer më sot shtetësinë shqiptare, me hyrjen në fuqi të këtij dekreti, marrin shtetësinë shqiptare.
Neni 2: Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme të japë udhëzimet e duhura për regjistrimin në regjistrat e popullsisë të personave, që bëhet fjalë në nenin 1 të këtij dekreti.
Ky dekret ishte në kundërshtim flagrant me të drejtën ndërkombëtare dhe ishte një veprim i paprecedent, që vështirëson shumë problemin e kthimit të refugjatëve çamë në krahinën e tyre, në Çamëri.
– Përveç përpjekjeve të dy-tre viteve të para të pas luftës, në vitet që pasuan, gjatë gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë, qeveria shqiptare nuk e trajtoi më asnjëherë problemin çam me qeverinë greke, ose në organizmat ndërkombëtare.
Me gjykimin e elitës intelektuale çame (grupi i Admiralit Teme Sejko në vitin 1960) prezenca çame në jetën publike çame mori një karakter margjinal, që u pasua edhe me procesin e asimilimit të tyre në shoqërinë shqiptare.
Vendosja e popullsisë çame në Republikën e Shqipërisë sipas regjistrimit të vitit 1991.[63]
Nr. | Vendbanimi | Popullsia |
1 | Delvinë (rrethi) | 2900 |
2 | Sarandë (rrethi) | 12.100 |
3 | Vlorë (rrethi) | 42.300 |
4 | Fier-Patos (rrethi) | 39.800 |
5 | Berat – Kuçovë | 6.900 |
6 | Lushnjë, Zhamë-Dushk-Çermë | 8.300 |
7 | Elbasan-Cërrik | 12.650 |
8 | Peqin | 1400 |
9 | Kavajë-Golem-Gosë-Rrogozhinë | 10.500 |
10 | Durrës-Shijak-Sukth | 35.000 |
11 | Tiranë (rrethi) | 29.700 |
12 | Krujë-Fushë Krujë-Laç-Milot | 720 |
13 | Lezhë | 35 |
14 | Shkodër | 1150 |
Gjithsej | 204.255 |
Sipas regjistrimit të vitit 1991, të bërë nga Shoqëria Patriotike “Çamëria”, popullsia me origjinë çame e vendosur në Republikën e Shqipërisë arrin në 204.255 banorë.
Duke u mbështetur në ritmet e shtimit natyror të popullsisë në vendin tonë në 28 vjetët e fundit, llogaritur sipas teorive demografike të riprodhimit të popullsisë, rezulton se numri i popullsisë çame në Republikën e Shqipërisë në ditët tona duhet të jetë mbi 300.000 banorë, ose rreth 11 për qind e popullsisë së regjistruar të vendit në vitin 2011.
Shqiptarët e Çamërisë që jetojnë në shtetin amë, ruajnë traditat, të drejtën zakonore të kultivuar në shekuj (kanunin e adeteve), dialektin e tyre të lashtë, këngët, vallet, veshjet e tyre karakteristike, kulinarinë unike, folklorin dhe, mbi të gjitha, vendosmërinë për t’u kthyer në trojet e veta.
Bazuar në Konventën Evropiane dhe Deklaratën Universale, shteti grek duhet të kryejë detyrimet ligjore e kushtetuese për trajtimin e popullsisë çame dhe arvanitase në Greqi si pakicë etnike. Njëkohësisht riatdhesimi i popullsisë çame, që banon në shtetin amë, në trojet e veta në Çamëri dhe kthimi i pronave të tyre do të përmirësonte situatën demografike dhe ekonomike në këtë krahinë. Vetëm në këtë mënyrë mund të mëtohet për integrim dhe demokratizim të Rajonit të Ballkanit.
[1]. K. Tagliavini – “Gli etnici dei paesi albanese d’Italia”, Rasegna di studi albanesi, 1962, nr. 1, f. 88.
[2]. E. Gjeografia dhe Ekonomia” Tiranë 1996, f. 78-85 Boletini – “Gjaku dëshmues në histori”.
[3]. I. H. Sh., “Historia e Shqipërisë”, vëll. II, Tiranë, 1965, f. 185.
[4]. M. Tirta, “Migrime të shqiptarëve, Etnografia shqiptare”, 18, Tiranë 1999.
[5]. A. I. H., Arkivi politik i Vjenës për Shqipërinë, Dosje 23-36, dok. Nr. 3698).
[6]. A. Q. Sh, Fondi 245, viti 1913, Dosje 11-19, f. 11-14 Botuar në “Çështje Shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit’’ Arben Pula, Tiranë 1987, vëll. II, dok. 7 dhe “Dokumente për Çamërinë” 1912-1939, Tiranë 1999, f. 10.
[7]. A. Sh. Sh. “Histori e popullit shqiptare”. III, Tiranë 2007, f. 496.
[8]. F. S. Noli: “Një tragjedi në tre akte: “Ç’pasurim, ç’përngulje, çfarosje”. Liria Kombëtare, nr. 110, 10 prill 1929, Gjenevë. Shih gjithashtu në: F. S. Noli, Vepra 3, Rilindja, Prishtinë, 1988.
[9]. T. Selenica: “Shqipëria më 1927”, Tiranë 1928, f. 129-130.
[10]. S. Sheme, “Çamëria – vendi, popullsia dhe jeta ekonomike”, Tiranë 2005, f. 96.
[11]. M. E. Durham, “Njëzet vjet ngatërresë ballkanike”, Tiranë 1944, f. 274.
[12]. A. Sh. Sh, “Historia e Popullit Shqiptar”, III, Tiranë 2007, f. 496.
[13]. A. Q. Sh., Fondi 251, viti 1921, Dosja 44, f. 82-85.“Dokumente për Çamërinë” 1912-1939, Tiranë 1999 f. 69.
[14]. A. Q. Sh., F 251, V-1923 D. 97 F. 9-11, 166-179. “Dokumente për Çamërinë” 1912-1939, K. Naska, Tiranë 1999, f. 180-187.
[15]. A. Q. Sh., Fondi. 251, Viti. 1924, Dosja 84, f. 2-3, “Dokumente për Çamërinë” – 1912-1939, K. Naska ,Tiranë 1999, f. 286-287.
[16]. A. Q. Sh., Fondi 251, viti 1924, dosja 79, f. 273-280. “Dokumente për Çamërinë”, 1925-1939, K. Naska, T. 1999, f. 300-305.
[17]. L. Malltezi, Sh. Delvina “Mit’hat Frashëri – Çështja Çame”, Tiranë, 1913 f. XXV.
[18]. A. Q. Sh., Fondi 251, viti 1924, dosja 78, f. 190-196 “Dokumente për Çamërinë” 1912-1939, K. Nasko, Tirane. 1999, f, 278-282.
[19]. A. Q. Sh., Fondi 251, viti 1922, dosja 702, f. 287-288.
[20]. A. Q. Sh., Fondi 251, viti 1924, Dosja 79, fq. 13-17, “Dokumente për Çamërinë” 1912-1939, K. Naska, Tiranë 1999, f. 208-210.
[21]. A. Q. Sh., Fondi 251, viti 1924, Dosja 30, f. 15.
[22]. A. Q. Sh., Fondi 251, viti 1925, Dosja. 131/1, f. 63-65: “Mit’hat Frashëri – Ministër Fuqiplotë – Athinë (1923-1926) – Çështja Çame”, Tiranë 2013, f. 284-286.
[23]. A. Q. Sh., Fondi 251, viti 1925, Dosje 80, f. 27-29.
[24]. T. Selenica – “Shqipëria më 1927”, Tiranë, 1928, f. 25.
[25]. Shqipëria, “Kalendari Kombëtar” – Tiranë 1928, f. 42-44.
[26]. Hasan Minga, “Çamëria, vështrimi historik”. Tiranë 2006, f. 134; A. Q. SH., Fondi 251, Dosja 130, viti 1927, f. 220-224.
[27]. A. Q. Sh., Fondi 251, viti 1926, Dosja 119, f. 140-145. “Dokumente për Çamërinë” 1912-1939. K. Naska, Tirane, 1999, f. 496.
[28]. Th. Pangallos – vepra. Vëll. II, Athinë, 1974, f. 111-115.
[29]. E. Kushi, “Trashëgimia Pangallos dhe qëndrimi i sotëm i Greqisë ndaj Çamërisë”. Gazeta Shqip, 22.02.2014.
[30]. A. Sh. Sh., “ Fjalor enciklopedik Shqiptar”, Tiranë 2009, f. 1924-1925
[31]. Sh. Maliqi, “Nacionalizmima treba vaditi kvadratni Koren”, Thema7, Prishtinë, 1986 f. 44, sipas, H. Islami “Aspekti etnik i migrimeve”, Prishtinë 2012, f. 63.
[32]. Fletore zyrtare, 19 shtator 1931, Nr. 31, f. 1.
[33]. A. Q. Sh., Fondi 251, viti 1927, Dosja 130, f. 142-143, 145-147, D. p. Ç. 1912-1939, Tiranë 1999, f. 543-548.
[34]. A. Q. Sh., Fondi 251, viti 1928, Dosja 40, f. 20-31, D. p. Ç., 1912-1939, Tiranë 1999, f. 555-560.
[35]. A. Sh. Sh., “Historia e Popullit Shqiptar”, III, Tiranë 2007, f. 501.
[36]. A. Q. Sh., Fondi 251, viti 1928, Dosja 40, f. 20-31.
[37]. A. Q. Sh., Fondi 251, viti 1928, Dosja 40, f. 20-31. D. p. C. (1912-1939), Tiranë 1999, f. 556.
[38]. A. Q. Sh., Fondi 251, viti 1934, Dosja 143, f. 107-114, D. p. C. (1912-1939), Tiranë 1999, f. 648-651.
[39]. A. Q. Sh., Fondi 251, viti 1938, Dosja 106, f. 49-54, D. p. Ç., 1912-1939, Tiranë 1999, f. 709-711.
[40]. J. Petifer, “The blue guide to Albania and Kosovo”, botimi i tretë, Londër 2000, f. 57.
[41]. Aldo Sestini, “La Ciamuria”, Bolletino della R. Societa geografica Italiana, Roma, Ottobre – Novembre, 1941 f. 484.
[42]. A. Kotini, “Reprezaljet ndaj Çamërisë nuk i ka bërë vetëm Napolon Zerva”. Telegraf. 19.2.2016.
[43]. A. Sh. Sh., “Historia e popullit shqiptar”, IV. Tiranë 2008, f. 151.
[44]. Fletorja “Çamëria (Tiranë) 15-16 tetor 1991, f. 1, S. Repishti – Mbi Çamërinë”, Phoenix, Shkodër, 2002, f. 47.
[45]. Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme (AMPJ) Viti 1944, Dosja 42. Një kronikë e politikës greke në Çamëri.
[46]. Jani Sharra, “Istoriatis periohis Igumenicas 1500-1950”, Athinë 1985, f. 615.
[47]. K. Frashëri, “Historia e Çamërisë” Vështrim Historik. Tiranë 2015.
[48]. J. Sharra, “Istoriatis hiroes Igumenicas”, vepër e cituar, Athinë 1985.
[49]. A. Shehu, “Tragjedia Çame”, Rilindja (Zvicër), 4 korrik 1994, f. 13.
[50]. S. Repishti, “Mbi Çamërinë”, vepër e cituar, f. 56. A. Sh. Sh. Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 2009, f. 2987-2988.
[51]. A. Shehu, “Tragjedia çame”, Rilindja, (Zvicër). 6 korrik 1944, f. 12).
[52]. Kastriot Dervishi: “Masakra në Çamëri” (Përmbledhje dokumentesh), f. 74-75. Arkivi Qendror i Shtetit, Arkivi i Ministrisë së Brendshme, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
[53]. Një histori e shkurtër e Çamërisë martire. “Bashkimi”, 30 dhjetor 1945
[54]. Sh. Delvina, “E vërteta mbi Epirin”, Tiranë 1997, f. 72-73.
[55]. F. O., 371/48 094, Protesta e delegatëve të Kongresit të Minoritetit Shqiptar në Greqi, dërguar Këshillit të M. P. J., B. Meta. “Tragjedia Çame”, Tiranë, 2010, f. 77-78.
[56]. K. Dervishi , “Masakra në Çamëri” (përmbledhje dokumentesh), f. 77.
[57]. K. Dervishi, po aty, f. 75-76. “Zëri i Çamërisë”, Nr. 2, 22 gusht 1945.
[58]. M. Nazarko, “Lufta e fundit”, (pronat e shqiptarëve në Greqi), Tiranë 2007, f. 95.
[59]. A. M. P. J., viti 1946, dosja 140, Promemorie për Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit.
[60]. A. M. P. J., viti 1946, dosja 133, f. 110-112.
[61]. Kërkesë e qeverisë shqiptare drejtuar Konferencës së Ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe, SHBA dhe Francës në Paris, 3/6/1946. “Bashkimi”, 4/6.1946.
[62]. A. Q. Sh., Fondi 890, viti 1953, dosja 454, f. 8.
[63]. M. Vikers, “Çështja çame” (Mëtimet kombëtare dhe pronësore shqiptare në Greqi), Prishtinë 2002, f. 51.
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...