Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Oct 26, 2020 Zani i Nalte Gjuhë-letërsi, Studime 0
(Në kuadrin e 100-Vjetorit të Kongresit të Lushnjës)*
nga Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi
Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, Universiteti Bedër
Abstrakt
Më i riu nga 40 firmëtarët e Aktit të Pavarësisë Kombëtare, vetëm 25-vjeçar. Do të mjaftonte vetëm ky fakt domethënës që Ferit Vokopola të zinte vendin e tij të nderit në historinë dhe letrat tona kombëtare.
Ai ishte njeriu i grishjes për bashkim, për mirëkuptim mes veti, por dhe realizues i ideve të tilla.
Ndonëse i dënuar me heshtim, duke zotëruar disa gjuhë orientale, ai dha një ndihmesë të rëndësishme si bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Historisë, si përkthyes nga osmanishtja i dokumenteve historike.
Për Ferit Vokopolën është pyetur dhe kërkuar ose hulumtuar fare pak, po të kemi parasysh nevojën dhe pyetjet që lindin prej tyre, që stimulojnë dhe çelin hapësirë për studime të mirëfillta.
Ferit Mustafa Vokopola ka lindur më 18 gusht të vitit 1887 në lagjen Murat Çelepi të qytetit të Beratit, por i ardhur atje nga Vokopola së bashku me familjen në fillimet e shekullit XIX, ku duket ka qenë feudi i familjes dhe në të njëjtën kohë një qendër e vlerësuar për objektet e kultit islam dhe social-kulturore, duke qenë njëherazi një mjedis kalimtar, që ofronte lidhje mes krahinës së Berat-Skraparit dhe asaj të Përmetit.[1]
Ai ishte më i riu nga 40 firmëtarët e Aktit të Pavarësisë Kombëtare, vetëm 25-vjeçar. Do të mjaftonte vetëm ky fakt domethënës që Ferit Vokopola të zinte vendin e tij të nderit në historinë dhe letrat tona kombëtare. E megjithatë kemi një tjetër fakt. Ai nuk është përfshirë as në Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 2008-2009, në tri volume, me 3061 faqe, botim nga “Akademia e Shkencave e Shqipërisë”. E njëjta linjë editorial e para ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri, sepse Ferit Vokopola nuk ka qenë përfshirë as në Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë 1985. Veprimtaria e tij atdhetare në dobi të Atdheut nuk ndalet vetëm tek akti shtetformues. Ai do të jetë një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjës, ku u caktua ta çelte atë. Veç fjalës së hapjes, u zgjodh sekretar i Kongresit, duke hyrë në histori si autori i Himnit të Kongresit të Lushnjës, që edhe u muzikua nga dikush tjetër, që duhet saktësuar gjithashtu. Duhet të shtojmë dhe të tjera vlera të çmuara që u vunë në shërbim të shtetit shqiptar dhe Atdheut: deputet në disa legjislatura të Parlamentit Shqiptar, ku dha ndihmesë të vyer mes të tjerave për hartimin e Ligjit mbi Komunitetet Fetare, i përbërë nga 27 nene, që u miratua në vitin 1922. Në nenin 12-të të tij theksohet:
Neni 12. Kleri i gjithë feve, i math e i vogël, në ç’do shkallë që të jëtë lipset të ndodhet nënshtetas shqipëtar edhe pak së paku prej dy brezash nga kombësija Shqipëtare.
Duke pasur formim universitar, u bë bashkëthemelues i KMSH-së, si dhe një nga autorët më të dalluar në revistën e parë zyrtare të tij “Zani i Naltë”. Te revista e shquar botoi përkthime, ese, vjersha si dhe poemthin “Fluturimet e shpirtit”, që siç pohon vetë, e kishte shkruar qysh në vitin 1918, duket në përfundim të Luftës Botërore dhe që gjeti mundësi ta botonte te revista e këtij institucioni.
Ferit Vokopola, linjës së letërsisë artistike nuk iu nda tërë jetën. Në vitin 1920 kishte botuar përmbledhjen poetike “Symbyllazi me ëndërrimet”, kurse vëllimin poetik “Gjëmimet e Tomorrit” e boton në vitin 1942.
Në vitin 1942, në korrik, mesa duket, kishte zënë vendin e përkthyesit të vlerësuar, aq sa Ali Korça i dërgon Khajamin e përkthyer nga origjinali dhe të cilit i shkruan përshtypjet, që gjenden te botimi Rubaijjati Ymer Khajamit, i cili është botimi i tretë i këtyre përkthimeve, pas atij të parit të vitit 1930 në Tiranë dhe të dytit, po në Tiranë, në vitin 1942, nga Ali Korça:
“Librat që keni botuar si autor dhe ato që keni përkthyer në gjuhën amtare janë dëshmi të gjalla për sa unë po përmend sot shkurtimisht. Por, si për çudi, njerëzit e mëdhenj nuk çmohen në kohën e tyre, nuk kuptohen si duhet prej botës inferior që ata jetojnë. Sa bukur ka thënë Hafiz Shirazi: Që të marri vesh mysterin e zemrës seme lajka e plotë / Njeri s’pashë as nga masa, as elita në kët’ botë.”[2]
Më tepër se përshtypje dashamirëse, te kjo recensë e specializuar, sepse është shkruar nga një poet i cili e njeh jo vetëm teorikisht kodin e tesavvufit, por edhe sepse elitën poetike perse e ka lexuar në origjinal. Duke pranuar poezinë mistike si këshillë e diçkaje që mund të ndodhë guxon të shkruajë:
“Pse? Vjershat e veprat e atyre poetëve kanë kënduar këngët e kohërave të tyre, kanë pasqyruar jetën aktuale e historike, fetaro-mistike, kanë lavdëruar mbretërit dhe të parët e vendit, kurse Omar Khajjami në Rubairat e tij ka kaluar shumë larg kohërat që jetonte, ku përshkruan filozofinë e shekullit XX, qysh atëherë është bërë interpretues i shpirtit të qytetërimit oksidental (perëndimor) që ka për devizë: të jetosh mirë!…”
E vlerëson shqipërimin e Fan Nolit të vitit 1927, që e nënshkroi me një prej pseudonimeve të tij të shumta: ‘të cilat me një mjeshtëri të rrallë janë përkthyer edhe në gjuhën shqipe nga i mirënjohuri Bilbil Rushit Gramshi’, që i solli në shqip këto vargje duke marrë si tekst përkthimin e tyre nga Fitz Geraldi në anglisht.
Në fund të shkrimit i vihet në krah Ali Korçës, që iu fut kësaj pune të vështirë, për të ndihmuar rininë shqiptare, që të mos lexonte literalisht, aq më tepër poezi të tesavvufit, kuptimi i fjalëve kyçe si: Saki, gotë, pije, jetë lëndore etj., duhet marrë si alegori e jo si kuptim semantik:
“Disa rubaira janë përkthyer në një mënyrë ku Khajjami paraqitet si dinsiz (i pafe- pa besim), ku duket se tallet me Zotin dhe me profetët e Tij. Nga ky shkak më detyroi ndërgjegjja që t’i gjej rubaijjatet e Umer Khajjamit dhe t’i përkthej, që në këtë mënyrë brezi i ri shqiptar ta kuptojë bukur burrin e famshëm, Khajjamin, se cili është!”
Te ky shkrim vlerësues për Ali Korçën përkthyes, gjendet një detaj i cili zbulon se Ferit Vokopola e njeh aq mirë persishten, sa mund të vjershërojë në të, kur thotë se kishte sprovuar të përshtaste disa rubai të Omar Khajjamit, të cilave iu nxjerr në pah kuptimin alegorik:
“Arifët, ata burrat e mëdhenj që i kanë zbuluar të fshehtat hyjnore dhe me verën e dashurisë së Hakkut (të së Vërtetës) i janë dehur kësaj nuseje të botës (Arusi Dehr), kurorën ia kanë paguar, ia kanë falur edhe me tre lëshime të prera dhe e kanë lëshuar përpjetë… Edhe Hafiz Shirazi me poetët e tjerë kupën e verës e shpjegon kësisoj: Ma ep o Saki! Atë gotë mbretnore, / Që për shpirt e zemër ajo ësht’ gazmore, / Qëllimi i kësaj gote ësht’ pija Hyjnore, / Me këtë largohemi nga jeta lëndore.”
Ai dha kontribut të spikatur edhe në çeljen e Medresesë së Lartë, si një shkollë fetare myslimane me fizionomi bashkëkohore, duke iu bashkëngjitur nismëtarëve Haxhi Vehbi Dibra, senatorit Sali Vuçiterni dhe intelektualit të shquar Qamil Bala. Ferit Vokopola e kishte menduar atë si medrese të përgjithshme (universitet) të Komunitetit Mysliman. Shkollimi në medresenë e Tiranës do të vijonte 12 vjet, i ndarë në 3 shkallë: e para në 3 vjet; e dyta në 5 vjet; e treta në 4 vjet. Në ciklin e tretë (shkallën), bashkë me lëndët e mirëcaktuara, do të përfshinte edhe historinë e feve me gjithë filozofinë e tyre “pikrisht njashtu si mësohen në seksionin theologji t’universitetit, dhe perkrahsimi (mykaesë) i këtyne mësimeve me parimet Myslimane.” Nuk ishte harruar të theksohej edhe për metodat që do të përdoreshin:
“Mëndyra e mësimit asht fare modern sim bas rregullave të petagogjis ma të reja. Sa të jetë e mundun administrate e medreses do të përpiqet t’aplikoj mëthoden opservative (mushahede). Gjuhnat do të mësohen sim bas nevojës “intuitit” më këtë mëndyrë mësimi studentët do të jenë të zotët të mësohen fort lehtë e për pak kohë do të këndojn e do të flasin arabisht e frengjisht.”[3]
Në medresenë e përgjithshme mund të regjistrohej çdo nxënës pasi të kishte kryer filloren (qytetsen) dhe të kishte mbushur moshën 12 vjeç.
Ai u rreshtua në anën e reformatorëve, si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së dhe deputet i Parlamentit prej vitit 1920 deri në vitin 1939, duke përfaqësuar atje Vlorën për periudhën 1920-1928 e pastaj për periudhën tjetër Beratin. Aty u bë mbështetës i projekt-ligjit të Qeverisë Mbretërore mbi zbulimin e fytyrës së gruas (1937). Në argumentimin që i bën ligjit thekson:
“Në periudhën e Tabi-inve ka pasun sa e sa zonja dijetare qi veprat e tyne janë vlera e Islamizmës dhe nderi i kësaj feje; në mes të këtyne ka qënë Rabiatyl-Ydvijeja të cilën kur e pyetën: – Ç’asht e vërteta e Imanit? Iu përgjegj: – Nuk jam falun Zotit përse frykohem prej skëterës dhe as qi përse dëshironj Paradisin, se kësodore nuk do të kisha dallim nga një shërbëtore e keqe. Por falem pse unë ndjenj tërheqje shpirtnore kundrejt madhështisë së Tij.
Le të shpresojmë se me ngritjen e mbulesës dhe si konsekuencë me marrjen pjesë të gruas në lamën e aktivitetit njerzuër, atdheu i jonë do të përparojë me hapat gjikante drejt sferave të lumtënis landore e shpirtënore.”[4]
Për këtë bashkëpunim të KMSH-së me qeverinë e kohës, që vijoi rreth një dekadë, në interes të emancipimit të gruas, lypset të jepen disa sqarime.
Në vjeshtën e vitit 1931 kryesia e KMSH-së i dërgon një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë ku mes të tjerash shkruhet:
“… në bazë të shkresës Nr. 353 d. 10.8.1929 të kësaj Kryesi, janë tue lëvizun të mbulueme me nji manto të zakonshme (ferexhe) tue lanë jasht vetëm nji sy; vepër kjo që siç e kemi spjegue edhe në të mësipërmen asht me konsekuenca jo të mira, për moralitetin publik. Pra lutemi t’urdhnoni ku duhet qi nji veshje e tillë të mos lejohet më,…”[5]
Telegrami sqaron se nevoja për heqjen e ferexhesë ishte analizuar e vendosur së pari në Kryesinë e KMSH-së, që kishte kërkuar ndihmën e qeverisë për zbatimin e saj, sepse edhe pas sqarimeve të kryera nga levat e këtij institucioni nëpër rrethe, kishte ende shkelje të porosive të saj. Fakti se Ministria kthen menjëherë përgjigje, dëshmon për rëndësinë që qeveria e kohës i kushton kësaj çështjeje.[6]
Meqenëse ecuria e procesit vijonte të ishte e ulët, Kryesia e KMSH-së, nëpërmjet Kryetarit, Dr. Bexhet Shapati, detyrohet t’i përcjellë shkresë zyrtare Ministrisë së Drejtësisë, ku parashtrohet kërkesa e saj mbështetur mbi vendimin e Kryesisë së KMSH-së për ndalimin e veshjes së ferexhesë. Nga ana e vet kjo Ministri ia përcjell shkresën Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila menjëherë shpërndan një qarkore për prefekturat e Mbretërisë, ku udhëzohej:
“Ju njoftojmë se Këshilli i Përgjithshëm i KMSH tue u bazue n’interpretimet e Kuranit ka dhënë Fetva, edhe ka marrë vendim për zbulimin e fytyrës dhe duarve t’grave myslimane. Nji lajm i tillë natyrisht asht përhape dhe n’at qytet, edhe komentohet në mënyra të ndryshme. Dyshohet se tue marrë për bazë faktin e mësipërm, pakënaqësis së vogël qi mund të shkaktojnë ne elementet fanatike mund t’i ndihmojnë edhe propaganda jugosllave ose e ndokujt tjetër. Prandaj ajo prefekturë në këtë rast duhet me kenë shum prudente për mos me i lanë shteg përhapjes të nji propaganda të tillë edhe po sa të konstatojnë se zhvillohet ndoj propagandë, të na njoftohet me nji herë mënyra e veprimit. Ministri, M. J.”[7]
Komuniteti Mysliman Shqiptar i komunikoi Ministrisë së Drejtësisë Fetvanë[8] e lëshuar nga Kryetari, i cili argumentoi se ishte e lejueshme fetarisht dalja me fytyrë e duar zbuluar e gruas myslimane. Në shkresë janë emrat e personaliteteve që morën pjesë në mbledhjen historike, mes tyre bien në sy emrat e personaliteteve: ‘Ferid Vokopola, Salih Vuçiterni, Hafiz Xhaferri’ etj.[9]
Korrespondenca e dendur gjatë gjithë asaj periudhe e titullarit të KMSH-së me Ministritë gjegjëse të Qeverive Mbretërore, dëshmon për kujdesin dhe përkushtimin për ecurinë e kësaj reforme, e cila në kohën e duhur u bë ligj dhe u zbatua si i tillë.
Veç ndihmesës së vyer kombëtare, letrare, juridike dhe sociale, Ferit Vokopola ka një ndihmesë të spikatur fetare, edhe kjo e vënë në shërbim të përparimit kombëtar e shoqëror, që vuri në themelet e veta binomin Fe-Atdhe.
Ishte njeriu i grishjes për bashkim, për mirëkuptim mes veti, por dhe realizues i ideve të tilla. Mundi të bashkojë në vitin 1938 në organizatën “Drita Hyjnore” katër degë (tarikate): Sa’adi, Rifa’i, Kadiri dhe Tixhani, që vepronin të ndara në Tiranë. Madje, në numrin e nëntorit të vitit 1934 të “Zanit të(i) Naltë”, ai botoi vjershën “Prëndimi i Shejh Shaban Tixhanisë”, si shenjë nderimi për veprën e çmuar të drejtuesit të degës Tixhani:
S’mund të shuhet Drit’ e Zotit,
Mbretëron fuqi’ e tij;
Në ndryshon jeta e motit,
Ngjallet tjetra përsëri;
Nga vdekja ka lindun jeta,
Pra të gjallët nuk jesin;
Çdo gjë kthen te e vërteta;
Mbesimtarët nuk vdesin…
Bashkimi i këtyre degëve nuk do të thotë se ato detyrimisht u shkrinë në një të tillë, që do të thotë se u prek tradita, e cila mbrohej me ligj të veçantë për sa i përket organizimit të brendshëm të tarikateve të besimit islam, për të cilat u zbatua gjendja e trashëguar, tradicionale dhe ku për herë të parë tarikatet kishin kryetarin e administratën e vet.
Kur revista e vetme e KMSH-së u mbyll, ai filloi përgatitjet për çeljen e një tjetre të tillë, që do të shohë dritën e botimit në korrik të vitit 1942. Revista e titulluar “Njeriu” vijoi të publikohej deri në shtator të vitit 1944, duke mbetur gjithnjë organ i organizatës “Drita Hyjnore”. Misioni i saj mbeti tesavvufi (sufizmi) apo misticizmi, që ka si mision përmirësimin e botës shpirtërore të njeriut.
Në këtë revistë, redaksia shpall kodin teorik të misticizmit një vit më pas çeljes, kod që dëshmohej me tiparet gjegjëse:
“Në fillim misticizmi kishte mërritjë[10] shkallën e divotshmenisë e të pastërtisë dhe ma vonë u pajos me virtyte tjera shpirtrore si përulje, dorëzim, dashtuni, mirë-dashje etj. Ma në fund hyni vetë-mohimi dhe kushtimi plotsisht Zotit. Kështu misticizmi u ba thesar virtytesh fisnike.”[11]
Në numrin e shtatorit të revistës Njeriu ai përpiqet të gjejë burimin e forcës së madhërishme, që sajoi njeriun me pamjen e hijshme trupore dhe me shpirt të mrekullueshëm.[12]
Ferit Vokopola, si sufi, besonte fuqishëm në transformimin e njeriut, prandaj e përkufizoi asisoj tesavvufin, që mbështetej në brendinë e ajeteve të Kuranit, të Haditheve profetike dhe të traditës së ulemave[13], brendi dhe traditë e përvetësuar deri në palcë prej Prijsit (Shejhut), i cili mjeshtërisht stërvit ndjekësit:
“T’urtit e atyre korave thoshin se për të fituar fuqin e supermacin mbi vehten epshore (nefs), njeriu duhet të ndryshohet truprisht, moralisht e menderisht, duhet të bëhet si floriri dhe argjendi që duke u tretur e kulluar shumë herë, veçohen prej elementeve të tjerë të pavlefshëm.”[14]
Në numrin 7 të janarit 1943, ai rreket të argumentojë tharmin e kodit filozofik të tesavvufit, që e quan pikë, si esencë e perceptimit sufist dhe burimi i çështjeve themelore. Duke qenë se tesavvufi synon të jetë vijim i traditës së ngritur nga Aliu, dhëndri dhe kushëriri i profetit Muhamed (a.s.), ai e citon Hazretin, te ky kryeartikull i revistës:
“Dituria është një pikë, të paditurit e bënë një mijë.”
Duke i besuar triumfit human mbi tiparet shtazore që reflekton bota njerëzore, te shkrimi Ku shkon njerzimi, ai i rikujton lexuesit se njeriu ka dy faktorë që do ta mbështesin: mendjen dhe shpirtin, që po bëhen fuqi e pathyeshme ‘në sheshin e zhvillimeve civilizuese’.[15]
Nëpërmjet gjuhës alegorike, arrin të zbresë prej lartësive logjikën e dëshmuar në sistemet e kapitalizmit, racionalizmit dhe liberalizmit, duke e vendosur aty zemrën e njeriut që mbështet dituritë ezoterike dhe ekzoterike, si trashëgimi e qytetërimeve orientale. Autori e përfundon artikullin e numrit 12-të[16], me grishjen për të themeluar një epokë të së drejtës, që sjell paqe të sinqertë, ide e hedhur edhe te poemthi Fluturimet e shpirtit, ku vend të rëndësishëm zë shpërfaqja dhe dënimi i Luftës së Parë Botërore, që u zhvillua kryesisht në Evropë:
Ti je krye mbi të tjera,
Ti të mpronje dashuninë;
Oh, ç’u çmënde, të zu vera,
Se ç’po ha njeriu njerinë.
– Evrop! O Evropa plakë,
U shkatrrove me zembrimë,
Shkëlqimin e bëre flakë,
Humbe shpirtin me lakminë!
Lufta e Parë Botërore e ngjizur nga shtetet evropiane, përfshiu edhe Shqipërinë, që porsa ishte bërë shesh lufte edhe për betejat e luftërave ballkanike. Pasojat e rënda kishin shkaktuar vuajtje, që vetëm zëri i shpëtimit mund t’u kthente shpresën e besimin e humbur. Për Ferit Vokopolën, me ndërmjetësinë e shpirtit, që mund të ndriçohej prej rrezeve të përcjella prej shkëlqimit të Tij hyjnor, do mbërrinte shpëtimi sipas shembujve të sjellë më herët: se tek Ademi u shfaq në pamjen humane, te Moisiu u dëshmua në fuqi, te Jezusi në frymë, kurse te Muhamedi (a.s.) me të tria cilësitë, si siguri e plotësimit të urdhrave hyjnore.[17]
Në artikullin e fundit të këtij autori botuar te revista Njeriu, mbrohet ideja se besimi është në natyrën e njeriut, sepse pa të nuk do të ishte qenie humane. Për t’u bërë më i besueshëm u qaset pohimeve të dijetarëve, të cilët kanë provuar se feja është praktikuar prej njeriut qysh në lashtësi, që është përcjellë deri në kohët tona si një kategori ndjenjash themelore.[18]
U rreshtua me Hafiz Ali Korçën dhe Haxhi Vehbi Dibrën, duke formuar me ta bashkësinë e bekuar të studiuesve më të spikatur të Kuranit, në fund të shekullit XIX dhe fillimet e shekullit XX. Ndihmesës në këtë lëmi të veçantë, ai i kushtoi 10 vjet punë të përkushtuar intelektuale.
Ndonëse i dënuar me heshtim, duke zotëruar disa gjuhë orientale, ai dha një ndihmesë të rëndësishme si bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Historisë, si përkthyes nga osmanishtja i dokumenteve historike.
Megjithatë sistemi totalitar stalinist nuk ia kurseu burgun. Duke pasur mundësi t’i mundonin trupin, ai pati aleat shpirtin e ndritur dhe zemrën e dlirë. Nuk ra në dëshpërim as atje, madje atyre që e vlerësonin në mirëbesim u thoshte sa herë: “Unë nuk jam as pesimist dhe as optimist, por mundësist.”
Dhe burra si ai duhen besuar. E ka vlerësuar kësisoj edhe studiuesi që i jep të drejtë për pohimin:
“Dhe ai kishte të drejtë, mbasi mundësia vjen vetëm me punë dhe përkushtim të inteligjencës krijuese në krijimin e vlerave të shoqërisë dhe të kombit.”[19]
* * *
Fitorja e komunizmit lindor bolshevik në Shqipëri në nëntorin e vitit 1944 shënon një etapë tjetër të figurës poliedrike të Ferit Vokopolës. Ai thirret shpesh e më shpesh në hetuesi të dëshmojë për lidhjet e tij me Mbretin Zog dhe me shtetarë të tjerë të lartë të periudhës së Mbretërisë Shqiptare.
Ashtu si shumica e klerit shqiptar, ndonëse nuk punoi asnjëherë si klerik, u shpall kolaboracionist i fashizmit, njollë e rëndë për një at shtetformues dhe që duhet parë se a është e provuar me fakte e prova. Ndërkohë një nga bashkëpunëtorët e tij të afërt në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, Rexhep Mitrovica, u largua në emigracion e nuk mundën ta kapnin, ndërsa bashkëpunëtorin tjetër, Bedri Pejanin, ua kishin dorëzuar serbëve. Kështu vepruan dhe me Sali Vuçiternin e të tjerë bashkëpunëtorë të tij.
Provat ligjore pasi të nxirren nga dosja e tij personale, duhet të bëhen objekt jo vetëm i një studimi objektiv, për të mësuar të vërtetën dhe t’i jepet Hakku, Njeriut që e ngrysi jetën ‘duke e ndjekur nga pas si hije burrin që gjithë jetën mendoi dhe veproi në dobi të kombit të vet’. Ndërron jetë pasi ishte dënuar me heshtim shtetëror për gjithë kohën, në rrethinat e Durrësit, në vititn 1969. Për personalitete si ai, pati njerëz që gjetën guximin t’i kundërviheshin sistemit totalitar dhe mundën t’i hidhnin një grusht dheu, atij që luftoi pa u përkulur, si ‘mundësist’ me idenë përbashkuese se Shqipëria është vetëm e shqiptarëve.
I munduan dhe poshtëruan vetëm trupin e drobitur nga fyerjet dhe pesha e moshës, pa ia prekur dot devotshmërinë e pastërtinë e zemrës. I shoqëruar nga misticizmi, që iu bë thesar virtytesh fisnike, vetmohimi dhe kushtimi plotësisht Zotit, i mbetën miqtë e tij të vetëm, që nuk e lanë shkretë deri në fund.
Prandaj në postmortumin e idealistit poet që nuk jeton, ka zënë të flasë vepra për të, aq sa mund të themi me tërë energjinë e zemrës, e cila është energji e besimit, me energjinë e mendjes ku dëshmohet forca e arsyes dhe me forcën e dorës që është forca e moralit, se mesazhi që ajo jep është: “Nëse më shumë politikanë njohin poezinë dhe më shumë poetë njohin politikën, bota është vendi më i mirë për të jetuar.”
* * *
Për Ferit Vokopolën është pyetur dhe kërkuar ose hulumtuar fare pak, po të kemi parasysh nevojën dhe pyetjet që lindin prej tyre, që stimulojnë dhe çelin hapësirë për studime të mirëfillta. Për këtë shtetar të lartë, botues, kritik letrar, përkthyes, reformator, veprimtar dhe studiues deri tani ka vetëm këto materiale:
– Arkivi i Institutit të Historisë, Tiranë (më pas AIH); Fondi: Ferit Vokopola Mendime dhe studime historike Hurufitë shqiptarë, burimi dhe doktrina e tyre dos. A-III. 233. f.76.
– Mexhit Yvejsi, Ferid Mustafa Vokopola 1887-1969,
– Mr. Islam ISLAMI (2012). Kontributi i Ferit Vokopolës në aspektin fetar dhe kombëtar
Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë Simpozium Shkencor Kontributi i ulemave në ngritjen e çështjes kombëtare, Shkup, f. 215-224.
– Ferit Vokopola (1887-1967). f.50
KMSH (2012). 100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame Shekulli XIX-XX Enciklopedi Tiranë.
– Hafiz Ali Korça, Rubaijjati Umer Khajjamit (2006), Tiranë.
Zotnisë së tij: Hafiz Ali Korça Zotnisë suaj Ferit Vokopola (1942), Tiranë. F.12
– Muzaljen Hoxha (2015). “Zani i Naltë”, Ferit Vokopola Rebeli i Lushnjës që përkthente Kuranin dhe dashuritë e Khajamit./10, Tiranë. (www.standard.al/indeks.php.kulturë)
[1]. AIH Tiranë, Fondi: Nexip Alpan, Shqipëria në aspektet që nuk i njohim, Dos. A-V. 13. f. 12.
[2]. Hafiz Ali Korça (2006) Rubaijjati Ymer Khajamit, Tiranë, f. 9.
[3]. Zani i Naltë (1924). f. 146 -148.
[4]. Zani i Naltë (1937). Zbulimi i fytyrës së gruas / 2, f. 77.
[5]. AQSH, F. Ministria e Drejtësisë, V. 1931, Dosja VIII-203, f. 1. Kërkesë e Kryetarit të Komunitetit Mysliman Z. B. Shapati, drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, Tiranë, 6.10.1931.
[6]. AQSH, F. Ministria e Drejtësisë, V. 1931, Dosja VIII-203, f. 2. Përgjigje e telegramit dërguar nga Ministri për Kryetarin e KMSH-së me numër rendor 22, Tiranë, 7.10.1931.
[7]. AQSH, F. Ministria e P. Të Brendshme, V. 1937, D. 157, f. 1. Korrespondencë me numër rendor 278 më 1 Mars 1937 dërguar M. P. të Brendshme nga KMSH në lidhje me vendimin për zbulimin e fytyrës dhe duarve të gruas myslimane. Përçimi i këtij vendimi për Prefekturën e Shkodrës.
[8]. Tahir N. Dizdari (2005). FJALOR i orientalizmave në gjuhën shqipe, Tiranë, f. 273. FETFA ~ ja, term fetar dhe gjyqësor: përgjigje e një konsultimi juridik në bazë të dispozitave të sheriatit. Sentencë juridike e dhanun prej Myftiut të vendit (ose Sheh Islamit në Stamboll).
[9]. AQSH, F. Ministria e Drejtësisë, V. 1937, D. 399. f. 4. Shpjegim i detajuar i Fetvasë nga Kryetari i KMSH, Dr. B. Shapati drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman.
[10]. synim
[11]. Njeriu (1943). Përcaktimi i Misticizmit n’Islam / 1, Tiranë, korrik, f. 7.
[12]. Njeriu (1942). Në prakun e Mystereve / 3-4, Tiranë, shtatuer-tetuer, f. 1.
[13]. dijetarët islamë
[14]. Po aty.
[15]. Njeriu (1943). Ku shkon njerzimi / 9, Tiranë, mars, f. 1.
[16]. Njeriu (1943). Përse përpiqen dy shpirtra / 12, Tiranë, qershuer, f. 1.
[17]. Njeriu (1943). Vuajtjet e jetës dhe zëri i shpëtimit / 14, Tiranë, gusht, f. 1.
[18]. Njeriu (1943). Qëllimi i njishëm i Feve/ 18, Tiranë, dhetuer, f. 3.
[19]. Islami, Islam. (2012). KONTRIBUTI I ULEMAVE NË NGRITJEN E ÇËSHTJES KOMBËTARE, Kontributi i Ferit Vokopolës në aspektin fetar dhe kombëtar.
*Artikull i botuar në numrin 29 të revistës “Zani i Naltë”, tetor, nëntor, dhjetor 2019.
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...