Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Dec 06, 2020 Zani i Nalte Sociologji, Studime 0
nga Dok. Klodjan Shaqiri[1]
Dr. Matilda Likaj Shaqiri[2]
Abstrakt
Fluksi i të rinjve si një forcë pune jashtë Shqipërisë reflekton me mungesat e dinamizmit të popullsisë dhe anomitë në strukturën socio-kulturore të shoqërisë. Anomitë sociale reflektojnë enë kohezionin social edhe në zhvillimin e shoqërisë. Gjithashtu, në strukturën sociale mund të formohen disbalance, si shkak i emigrimit të disa personave të familjes, në familjen si institucion social formohen kompleksitete në rolet e çdo pjesëtari. Por një tjetër mundësi dinamike, që reflekton në mënyrë pozitive, është rritja ekonomike dhe prosperiteti nga dërgesat e emigrantëve. Kjo bën të mundur zhvillimin e vendit dhe gjithashtu paraqet ndikimet në strukturën sociale, kulturore dhe ekonomike. Këto ndikime rimbëkëmbin ekonominë dhe ndikojnë në stabilitetin politik. Për këtë arsye, është e rëndësishme të theksohet se këta faktorë të emigrimit shqiptar, kanë ndikuar në mënyrë dinamike në vetë strukturën e shoqërisë shqiptare, në transfromimet socio-kulturore, në rikonstruksionin e identitetit të emigrantëve shqiptarë, si dhe në strukturën e familjes në shoqërinë tonë.
Qëllimi i këtij studimi është të analizojë dinamikën e emgirimit, transformimet që ky fenomen sjellë në një shoqëri si dhe ndikimet e tij në institucionet kryesore sociale.
Fjalët Kyç: Dinamika e Emigrimit; Transformimet Socio-Kulturore; Rikonstruksioni i Identitetit të Emigrantëve; Transformime të Strukturës së Familjes; Fenomeni i Emigrimit në Shoqërinë Shqiptare Postkomuniste.
Hyrje
Emigrimi është një fenomen tepër kompleks kur e analizon në perspektivën socio-kulturore dhe atë ekonomike. Emigrimi shqiptar paraqitet si një oaz mundësish dhe sfidash jo vetëm për individin që emigron, por edhe për shoqërinë shqiptare e atë pritëse. Përzgjedhja e destinacionit për të emigruar është e lidhur ngusht me faktorët ‘tërheqës’ dhe ‘shtytës’ në situatën aktuale në shoqërinë ku individët jetojnë. Të tillë faktorë janë mungesa e punës në vendin e origjinës, pagat e mira në vendet e tjera, lehtësia e gjetjes së punës në vendin ku emigrojnë, reklamimi i vendit nga emigrantët që kanë shkuar më parë, etj. Të gjithë këta faktorë jo vetëm që janë mundësi të reja për individët, por formojnë edhe sfida për shoqëritë pritëse dhe ato të origjinës. Kjo ndodh për arsye se, në vendin e origjinës largimi i individëve formon një ‘hapsirë’ të madhe midis grupmoshave të ndryshme dhe formojnë mungesën e forcës së punës si dhe formojnë disbalance sociale në strukturën sociale të shoqërisë së origjinës. Fluksi i të rinjve si një forcë pune jashtë Shqipërisë formon mungesën e dinamizmit të popullsisë dhe anomive në strukturën socio-kulturore të Shqipërisë. Anomitë sociale reflektojnë në kohezionin social si dhe në zhvillimin e shoqërisë. Gjithashtu, në strukturën sociale dhe institucionet kyresore sociale mund të formohen disbalance, sepse emigrimi i disa personave të së njëjtës familje, në strukturën e saj si institucion social formohen kompleksitete të roleve të pjesëtarëve.
Në këtë studim, do të analizohen dinamika e fenomenit të emigrimit në shoqërinë tonë, transformimet kulturore dhe sociale të shoqërisë, si shkak i fenomenit të emigrimit, si dhe ndikimi i këtij fenomeni në indetitetin personal dhe social të aktorëve social në shoqërinë tonë.
Dinamika e fenomenit të emigrimit në shoqërinë tonë
Gjatë periudhës së regjimit komunist, por edhe në periudhën post komuniste (periudhë kjo që vazhdon ende deri në ditët e sotme), Evropa perëndimore perceptohej/t si një model uptik, e cila vlerësohej jo vetëm si një model politik ideal (liberal dhe demokratik) por edhe si një model kulturor modern dhe bashkëkohor. Sipas Elias, idealet nuk i përkasin epokës ku individët jetojnë, ato i përkasin së ardhmes, për të formuar transformimet shoqërore për të arritur një përparim shoqëror[3]. Ky perceptim stimulonte akoma edhe më tepër zhvillimin e fenomenit të emigrimit, braktisjen e vlerave shoqërore, traditave, zakoneve, etj., të cilat formuan një arratisje prej etnocentrizmi shqiptar, por edhe një arratisje prej vetë Shqipërisë. ‘Shtresa të gjera të popullsisë gjenden në situatë çrregullimi përsa i përket lidhjeve të ndryshme shoqërore të dikurshme dhe përballë dukurish sociologjike siç janë ç’rrënjosja kulturore dhe distancimi i individit prej opinionit të grupit të tij parësor të përkatësisë shoqërore (Reich), përballë gjendjesh vetmie të karakterizuara nga ekzistenca e individëve të izoluar në vetvete dhe të pazotë për ta konsideruar veten e tyre si anëtarë solidë të një lloj grupi tjetër të çfarëdoshëm shoqëror (Arendt)[4].
Në të njëjtën kohë, sipas Tushit, të gjitha vlerat shoqërore tradicionale u emërtuar si vlera komuniste, dhe u vlerësuan si vlera të pa nevojshme për shoqërinë e re shqiptare demokratike[5]. Vlerat sociale që duhet të formoheshin ishin ato idealet, të cilat duhet të përshtateshin në formë imitimi sipas shoqërive perëndimore. Aplikimi i menjëhershëm i këtyre vlerave, jo vetëm që reflektoi në kundërshtim me ato perceptime të formuara për rreth 50 vite, por formuan një anomi sociale, e cila pjesërisht reflekton edhe në ditët e sotme. ‘Shqipëria paskomuniste ndodhet në procesin e një ndryshimi shoqëror ku mjaft elemente tradicionalë, që kanë qenë mbizotrues në të kaluarën, po zhduken në atë masë që shoqëria hapet drejt Perëndimit. Sikurse do të shihet më tej, ky proces nuk është as i menjëhershëm dhe as një linear (drejtëvizor). Në mënyrë paradoksale, veçanërisht gjatë këtyre viteve të para të tranzicionit, hapja e vendit dhe modernizimi i tij nuk kanë shkuar së bashku ose paralele. Ideja se hapja e vendit ndaj procesit të globalizimit do të kishte si pasoja të menjëhershme modernizimin, standardizimin dhe homogjenizimin e modelit shoqëror shqiptar, në përputhje me modelin shoqëror perëndimor, nuk është provuar, së paku përsa i përket viteve të para të tranzicionit postkomunist[6]. Fuga, me hapjen e vendit, nënkupton jo vetëm lëvizjen e lirë të individëve, por edhe marrjen e informacionit se çfarë ndodhë në botën përreth. Pikërisht këto informacione shtonin akoma më tepër kuriozitetin e të emigruarit jashtë Shqipërisë.
Ndryshimet shoqërore në Shqipëri nuk mund të kuptohen pa mbajtur parasysh edhe disa të dhëna demografike kryesore. Megjithëse, zyrtarisht popullsia e ka arritur numrin e tre milionë banorëve, përsëri, siç do të shihet më tej, emigracioni jashtë kufijve e ka zbrazur një pjesë të territorit të vendit prej popullsisë që banonte atje jo më larg se përpara një dekade. Po kështu kanë ndikuar fuqishëm edhe lëvizjet demografike brenda vendit[7]. Gjatë kësaj periudhe, por edhe në vijim, do të vihet re se rrymat emigratore kanë qenë të mëdha në numër si dhe kanë formuar një disbalancim në numrin e popullsisë, në shtresëzimet shoqërore si dhe ndryshimet socio-kulturore në shoqërinë tonë. ‘Emigranti shqiptar, shihet si një qënie e rrezikshme, një keqbërës potencial, në rastin më të mirë një lloj krahu pune, që duhet mbajtur nën kontroll. Emigranti e dërgon një pjesë të madhe të të ardhurave monetare (remitancat monetare) në Shqipëri, shpenzimin e një pjesë prej të ardhruave kur vijnë në Shqipëri nga emigracioni, domethënë si para që shpenzon vetë si emigrant në kohën e kalimit të pushimeve të tij në vendlindje apo si kontribut financiar që ai sjell për familjen e vet dhe si investim që emigranti nuk mungon të bëjë në biznese të vegjël[8]. Emigrimi si fenomen ka ndikuar dukshëm në strukturën socio-kutlurore të shoqërisë shqiptare postkomuniste.
Për të kuptuar më qartë këto ndryshime, në kapitullin në vijim do të analizohen më në detaje transformimet kulturore dhe sociale në shoqërinë tonë, si dhe rindërtimi i identitetit social të emigrantëve shqiptarë.
Transformimet kulturore dhe sociale në vendin tonë:
Rikonstruksioni i identitetit social te emigrantët shqiptarë
Ndryshimet socio-kulturore të një shoqërie ndodhin prej faktorëve të shumtë ndikues të fenomenit emigrator. ‘Disa prej këtyre faktorëve mund të përmenden si lëvizjet demografike (migrimet brenda dhe jashtë vendit; rritjet ose uljet e numrit të popullsisë; etj), kushtet gjeografike (përmbytjet; tërmetet; vullkanet etj.), fatkeqësitë sociale (luftrat; revolucionet; regjimet totalitare etj.), zhvillimet ose problemet ekonomike, zhvillimet teknologjike, etj’.[9]
Në këtë pjesë të këtij studimi do të analizohet ndryshimet socio-kulturore që vetë fenomeni i emigrimit formon në shoqërinë shqiptare të pas viteve 1990. Praktikat e emigrimit në strukturën socio-kulturore të shoqërisë sonë karakterizohet në forma të ndryshme institucionalizimi. Një ndër këto ndryshime është dinamika e prurjeve të elementeve të kulturave të ndryshëm nga emigrantët (remitancat sociale). Këto ndryshime e kanë zanafillën gjatë përshtatjes me jetën sociale të shoqërisë ku kanë emigruar. Përshtatja me jetën sociale të shoqërisë ku kanë emigruar ka një lidhje të ngushtë me pjesëmarrjen në atë shoqëri. Duke u bërë pjesëmarrës në shoqërinë ku ata kanë emigruar, emigrant fillojnë të gëzojnë rolin e aktorit social të kësaj shoqërie. Ata socializohet me kulturën, vlerat, traditën, zakonet, etj., të strukturës sociale ku ata jetojnë. Përtej jetës private të çdo emigranti, fillon socializimi i jetës sociale, duke u bërë pjesë e shoqërisë ku ata kanë emigruar. ‘Përveç praktikave emigratore, emigrantët formojnë marrëdhënie sociale me individët e vendit pritës si dhe ruajnë vazhdimësinë e lidhjeve sociale me individidët në vendin e origjinës. Kjo formon një ‘lidhje transnacionale’ midis emigrantëve dhe individëve të vendit të origjinës dhe asaj pritëse’.[10]. Këto marrëdhënie ndikojnë në strukturën e shoqërisë ku kanë dërguar këta emigrantë. Në rastin e këtij studimi, në praktikat e shoqërisë shqiptare si fokus ka qenë pranimi i prurjeve të reja kutlurore ose i vlerave socio-kulturore, të cilat mund të përcaktohen dhe si remitanca socio-kulturore. Duke u bazuar në përmbajtjen e këtyre remitancave sociale, ato janë analizuar si positive por shpeshherë edhe si negative.
Disa studjues të emigracionit në Shqipëri, kanë qasje tepër pesimiste gjatë analizimit të emigrimit shqiptar. Sipas Fugës plagët klasike të emigracionit shqiptar mund të radhiten si plakja artificiale e popullsisë, humbja e specialistëve më të mirë në zanatet praktike, boshatisja e zonave rurale të vendit, dekulturizimi i pjesës së popullsisë që emigron, ngritja artificiale e çmimit të fuqisë punëtore në vend, shpërbërja e familjes, etj.[11] Duke marrë në konsideratë fokusin e këtij studimi, emigrimi analizohet si proces dekulturizimi i emigrantëve dhe një kompozimi të vlerave socio-kulturore të vendit ku kanë emigruar (ndonjëherë kalon edhe në falcitet, që në sociologjinë e emigrimit përcaktohet si integrim i segmetuar asimilimi ose dekulturizim). Shpeshherë këto vlera janë tepër të ndryshme prej asaj që emigrantët kanë mësuar gjatë procesit të emigrimit, por që ata dëshirojnë ti përvetësojnë si rezultat për tu përshtatur sa më shumë me shoqërinë ku ata kanë emigruar. Kjo paraqet kompleksitetin e fenomenit të emigrimit shqiptar, i cili mund të përcaktohet edhe si një laborator studimi në shkencat sociale. Një tjetër çështje e rëndësishme e procesit të dekulturizimit dhe përvetësimit të vlerave socio-kulturore të vendit është edhe transmetimi i tyre në shoqërinë e origjinës, nëpërmjet emigrantëve, të cilët, edhe pse qëndrojnë për një periudhë të shkurtër kohore, kanë pasur një ndikim efikas (sidomos në shoqërinë tonë). Ky transmetimi është përcaktuar si ‘transmetim i remitancave sociale’. Zakonisht, studimet kërkimore mbi fenomenin e emigrimit janë foksuar te transferimet e remitancave financiare. Ndërsa në këtë studim analizohet transferimet sociale dhe kulturore të shoqërisë pritëse kundrejt vendit të origjinës së emigrantëve. Transferimet e elementëve socialë dhe kulturorë të një shoqërie drejt një shoqërie tjetër janë emërtuar me termin ‘remitanca sociale’. Sipas Levvit emigrimi përmban shpërndarjen kulturore, e cila është e strukturuar në termin ‘remitanca sociale’. Remitancat sociale janë idetë, sjelljet, identitetet dhe kapitali social, të cilat transferohen ose shkëmbehen midis vendit pritës dhe atij të origjinës, nëpërmjet aktorëve social. Transferimi i këtyre elementeve ndodh si shkak kur emigrantët ndërveprojnë me vendin pritës.[12]
Faist, Fauser dhe Reinesenauer kanë përcaktuar tre tipa të remitancave sociale:
1-Strukturat Normative (normative structures)[13]:
Struktura normative, si remitancë sociale ka të bëjë me pjesëmarrjen në shkëmbimin (exchange) e ideve, vlerave dhe besimeve.
2-Sistemet e praktikave (systems of practices)[14]:
Sistemet e praktikave, si remitancë sociale kanë të bëjnë me mënyrën se si veprimet formohen dhe marrin forma sipas praktikave të vendit pritës. Kjo ndodh shumë shpesh te emigrantët e rinjë në moshë por edhe te femrat e të gjitha grupmoshave. Emigrantet femra mësojnë prej shoqërisë së vendit pritës vlera dhe sjellje të ndryshme gjinore krahasuar me ato të vendit të origjinës, si dhe mësojnë mënyrën e aplikimit të këtyre sjelljeve. Këto sjellje emërtohen si sistemet e praktikave.
3–Remitancat sociale si kapital social (social capital as social remittances)[15]:
Me që kapitali social mund të transferohet lehtë nëpërmjet individëve në vendin e tyre të origjinës, shpeshherë evidentohet dhe përcaktohet si remitancë sociale. Së bashku me gjithë elementet kulturorë dhe socialë, vlerat, zakonet, mënyrat e sjelljes, traditat, gjuha, mentaliteti, etj., të kapitalit social, realizohet ndikimi i këtyre elementeve prej emigrantëve te pjesëtarët e tjerë të familjeve të tyre, të afërmit ose edhe te grupi shoqëror në vendin e origjinës. Këto janë disa elemente, të cilat kanë ndikuar edhe në shoqërinë shqiptare, e cila është e prekur prej fenomenit të emigrimit.
Remitancat sociale janë shkëmbimet (exchanges) midis komunikimit, vizitave të emigrantëve ose edhe kthimit të tyre në vendin e origjinës, ku ata bëhen aktorë kryesorë të prurjes së elementeve kulturore dhe sociale, si dhe ndryshimeve socio-kulturore. Sipas Faist, Fauser dhe Reinesenauer, është shumë e pranueshme që emigrantët të formojnë shkëmbime ideshë, vlerash, besimesh, etj., me vendasit. Në këtë rast, emigrantët janë fokusuar më tepër në përvetësimin e këtyre vlerave dhe eleminimin e vlerave të shoqërisë shqiptare. Kjo situatë vihet re, te shprehjet e emigrantëve ‘se ne nuk kemi kulturë’ ‘ne nuk jemi asgjë para atyre’, ‘ne jemi shumë mbrapa’, etj. Këto qëndrime (attitudes) të emigrantëve shqiptarë reflektohen te praktikat e tyre për përvetësimin e sjelljeve dhe mënyrën e të sjellurit, duke u bazuar te kultura e vendit që ata kanë emigruar. Faist, Fauser dhe Reinesenauer shprehen se nëpërmjet këtij procesi emigrantët realizojnë sistemet e praktikave gjatë emigimit. Këto sisteme praktikash vazhdojnë dhe reflektojnë nëpërmjet kthimit të tyre në Shqipëri, si për pushime ashtu edhe për një periudhë më të gjatë kohore. Sjelljet e tyre ndikojnë në mënyrën e të perceptuarit të individëve që ata presin. ‘Përralla madhështore’ e shoqërisë ku emigrantët shqiptarë jetojnë tregohet dhe transmetohet në shoqërinë tonë. Këtë proces Faist, Fauser dhe Reinesenauer e identifikojnë si remitanca sociale të kapitalit social. Remitancat sociale, nuk ndikojnë vetëm sjelljet personale të emigrantëve dhe të individëve të vendit pritës, por edhe në konceptimin e roleve gjinore, ideve politike, të drejtave njerëzore/humane, formimin e lidhjeve sociale, konceptimin mbi të ardhmen, idetë rreth lirisë së individit (siç ndodh në shoqërinë tonë), etj., të cilat shpeshherë kanë pasur ndikime sa pozitive aq dhe negative.
Deri këtu u analizua fenomeni i emigrimit dhe ndikimin e tij në shoqërinë tonë, por për një realizim sa më të plotë të këtij fenomeni është shumë e rëndësishme të analizohet edhe perspektiva e ndikimit të identitetit social të emigrantëve prej shoqërisë së vendit ku kanë emigruar. Nëpërmjet këtij procesi, realizohet një analizim sociologjik nga prespektiva makro në atë mikro të fenomenit të emgrimit shqiptar dhe ndikimit të tij në shoqëri, si dhe te vetë individët. Një aspekt i rëndësishëm i dimensionit ndërkombëtar të emigrimit, lidhur me analizimin e perspektivës socio-kulturore, është edhe çështja e ndryshimit të identitetit social të emigrantëve. Reflektimet e shoqërisë sonë post komuniste, dëshira për tu arratisur prej çdo elementi të kulturës shqiptare, shpeshherë ka reflektuar me anomitë e identitetit personal dhe social të emigrantëve. Këto anomi ose patologji sociale kanë shtyrë formimin e identiteve nga qëndrimet/sjelljet ksonofobike ose etnofobike.
Ndonjëherë, indetitetet e emigrantëve në shoqëritë pritëse mund të përcaktohen si rikonstruktim prej procesit të emigrimit, të cilin Faist e përcakton si procesin transnacionalizëm. ‘Identiteti i emigrantit, nuk mund të karakterizohet me përkatësinë vetëm në një shoqëri, përkundrazi emigranti formon një model përkatësie të dyfishtë’[16]. Kjo tregon se emigrantët nuk e kanë të nevojshme të humbasin një pjesë të identitetit gjatë kohës që kanë emigruar në vende të tjera. Ata mund të formojnë një formë mjaft komode, e cila quhet ‘identitet i shumëfishtë’ (multiple identities). ‘Sipas një qasjeje transnacionale, gjatë analizimit të procesit të emigrimit dhe të identitetit të emigrantëve duhen marrë në konsideratë lidhjet simbolike por edhe ato sociale, dimensionet objektive dhe subjektive të praktikave të emigrimit, si dhe mënyrat të përkatësisë së emigrantëve të procesit të emigrimit.’[17]
Shumë prej shqiptarëve kanë emigruar në shtete fqinje si Italia dhe Greqia. Bazuar në observimet sociologjike në terren, vërehet se emigrantët shqiptarë kanë probleme me identitetin social. Gjithashtu, rikonstruksioni ose anomitë e identitetit social të emigrantëve kanë lidhje të drejtëpërdrejt me integrimin e tyre në shoqëritë pritëse. Në këtë kapitull të studimit, do të analizohen emigrimet shqiptare në Itali, Greqi dhe Turqi. Për shkak të numrit të madh të emigrantëve shqiptarë në vendet fqinje, dhe një krahasim të grupit të emigrantëve në Turqi, mundëson hapsirën për analizimin e rikonstuksionit të identitetit social duke u fokusuar te mënyra e tyre e integritetit në këto shoqëri.
Politikat e emigrimit dhe të integrimit në këto vende kanë forma të ndryshme krejt të ndryshme prej njëri-tjetrit. Greqia aplikon politikat e emigrimit sipas Modelit Robert Park për integrimin e emigrantëve. Ky model i integrimit është i bazuar në asimilimin dhe homogjenizimin e emigrantëve sipas strukturës sociale të shoqërisë greke. Politikat e integrimit për emigrantët në Greqi janë përqëndruar në ndryshimin e normave, vlerave, kulturës, gjuhës dhe identitetit (veçanërisht në identitetin fetar). Ky model është formuar si rezultati i reflektimit të politikave nacionaliste të Francës, me qëllim asimilimin kulturor të të ardhurve. Këto politika janë në favor vetëm për stabilizimin e shoqërisë pritëse nga emigrantët dhe janë në disfavor të emigrantëve, sepse u parashtron vështirësi në përshtatje dhe mundëson alienizim e identiteteve socialë të tyre. Kjo ndodh me emigrantët shqiptarë në Greqi. Gjithashtu, proceset ndikojnë në stigmatizimin e identitetit të brezit të dytë të emigrantëve, të cilët nuk ndihen përkatësisht anëtarë të shoqërisë pritëse dhe as asaj të origjinës. Midis emigrantëve shqiptarë dhe aktorëve socialë grekë kanë ndodhur fenomene të shpeshta të diskrimininit, keqkuptimit, konflikteve sociale, etj. Këto fenomene shkaktojnë situata anomike gjatë integrimit dhe në identitetet sociale të emigrantëve shqiptarë në Greqi. ‘Situatat anomike në një shoqëri ndikojnë në minimizimin e integritetit ose ‘gjithëpërfshirjen’ e individëve, te mënyra e të sjellurit, të vepruarit dhe të menduarit të individëve, si dhe te perceptimet e individëve se ku e kanë vendin në shoqëri[18]. Ky fenomen sipas Merton’it analizohet si faktori kryesor i formimit të përplasjeve midis strukturës sociale dhe asaj kulturore, e cila reflekton në perceptimin e identiteteve sociale të individëve. Sipas Turhan, një model separatist për ndryshimin e kulturës reflekton edhe në psikologjinë e individit[19]. Mënyra se si imponohen individët/emigrantët të ndryshojnë sipas shoqërisë pritëse, bazohet te kulturalizimi psikologjik, që në rastin tonë përmban elemente jo shumë tolerante. Ndryshimet e detyruara si në këtë rasti shpeshherë formojnë destabilitetin e statusit të individit në shoqëri (pritëse dhe të origjinës), margjinalizimin e individit (margjinalizimi këtu nënkupton individin që gjendet në një situatë midis dy kulturave por që nuk i përket plotësisht asnjërit prej këtyre shoqërive) si dhe përplasjen e shpeshtë të statuseve.
Një tjetër vend ku numri i emigrantëve shqiptarë është i lartë, është Italia. Emigrantët shqiptarë në Itali integrohen më lehtë dhe më shumë se emigrantëve shqiptarë në Greqi. Kjo situatë ndodh për shkak se politikat e emigrimit në Itali janë bazuar në ‘Modelin Pluralist Kulturor’. Ky model reflekton nëpërmjet aplikimit të tolerancës të kulturës së vendeve të origjinës të emigrantëve, duke u mëndësuar pranim diversiteteve të ndryshme kulturore. Ky model nuk ka si qëllim aplikimin e ideve seperatiste, bazuar në kulturë apo racë. Politikat e integrimit të këtij modeli inkurajojnë mësimin e gjuhës së vendit pritës por pa i obliguar emigrantët të përdorin gjuhën e vendit të origjinës (për emigrantët shqiptarë, e folura e një gjuhe të huaj nuk ka qenë kurrë një element që pengon integrimin, sepse emigrantët shqiptarë mësojnë gjuhën e vendeve pritëse në një periudhë kohore të shkurtër), në kulturë dhe fetë e tyre. Këto politika mundësojnë integrimin e emigrantëve shqiptarë në Itali.
Ndërsa përsa i përket emigrantëve shqiptarë të pas viteve 1990 deri në ditët e sotme në shoqërinë turke, vihet re se vetë politikat e emigrimit, stimulojnë formimin dhe aplikimin e Modelit Pluralist Kulturor. Politikat emigratore të Turqisë, kanë si qëllim mbështetjen e emigrantëve që kanë origjinë turke ose janë prej vendeve të afërta (kushërinjë) të Turqisë. Njëra prej këtyre vendeve është edhe Shqipëria. Në këtë vend, emigrantë shqiptarët janë të pranuar jo vetëm nga politikat emigratore por edhe prej shoqërisë vendase. Ky proces mundëson ruajtjen e identitetit ose asimilimin me vlerat sociale dhe kulturore me dëshirë prej emigrantëve. Ky model i ka dhënë mundësi emigrantëve shqiptarë, mos të ndihen të detyruar të largohen prej vlerave të shoqërisë shqiptare, as të ndryshojnë emrat dhe mbiemrat, si dhe as të ndryshojnë besimin fetar. Pavarësisht politikave të integrimit, që janë në favor të emigrantëve, politikat e punësimit të emigrantëve kanë qenë jo shumë të favorizueshme, Modelin Pluralist Kulturor’ që aplikohet në këtë shoqëri i ka shtyrë emigrantët shqiptarë të qëndrojnë në Turqi.
Transformimet e strukturës së familjes në vendin tonë
Proceset e emigrimit, detyrimisht jo gjithmonë janë të bazuar në vendimet individuale. Shpeshherë, duhet të vlerësohet edhe si një vendim i marrë ose i influencuar prej familjes[20]. Dërgimi i pjesëtarëve të familjes jashtë vendit, është një investim për mirëqënien e gjithë familjes. Kështu që, fenomeni i emigrimit mund të përcaktohet si një strategji shpesh e formuar prej ‘një vendimi të logjikshëm për ruajtjen dhe ndihmuar familjen, një burim për rritjen e ekonomisë si dhe një mënyrë elastike për forcimin e ekonomisë. Prej këtij vendimi, familjet zgjedhin që të jenë së bashku në më shumë se një vend[21]. Sipas teorisë së Chan mund të thuhet se pjesëtarët e familjes jo gjithmonë ndihen të detyruar të emigrojnë. Në rastin kur individët emigrojnë për të gjetur punë në një vend tjetër (vendi pritës), shpesh ata nuk emigrojnë së bashku me familjen. Në disa raste kohëzgjatja për bashkimin familjar mund të jetë e gjatë, jo vetëm për arsyet personale, por edhe ato të pasjes një vend pune të rregullt, dekumentacionit si dhe çdo kushti tjetër të vendit pritës. Kufizimet për bashkimin familjar ndodhin shumë shpesh. Gjithashtu, familjet që jetojnë të ndara për shkak të emigrimit paraqesin problematika, të cilat do ti analizojmë duke marrë në konsideratë shembullin e familjes shqiptare.
Sipas Faist, këto familje emërtohen me termin si familje transnacionale (transnational family). ‘Termi ‘familje transnacionale’ paraqet familjet, që kanë pjesëtarët e tyre emigrantë por që vazhdojnë organizimin e jetës së tyre sociale në shoqërinë ku ata jetojnë. Pjesëtarët që kanë emigruar formojnë një vazhdimësi të jetës së tyre sociale në vendin pritës[22]. Megjithatë, ndryshimet dhe transformimet në strukturën e familjes shfaqen pas emigrimit të një ose disa individëve. Gjatë procesit të emigrimit, familja i nënshtrohet ndryshimeve, sepse i duhet të përballet me ndryshimet drastike të kontekstit të familjes dhe roleve të individëve kundrejt nevojave që formohen. Duhet theksuar se transnacionaliteti kontribon në sferën private, te përgjegjësit dhe obligimet të cilat nuk ndalojnë pasi formohet procesi i emigrimit. Përkundrazi, këto obligime forcohen më tepër mbi idenë e mundësimit (të) një jetesë materialisht më të mirë se më parë. Emigrantët janë të detyruar të organizojnë jetën e tyre të përditëshme në vendin që kanë emigruar si dhe të organizojnë jetën e tyre private dhe familjare në vendin e origjinës. Pavarësisht pamundësisë për të qenë prezent në këtë jetë familjare ata performojnë rolet sociale dhe të përkujdesjes materiale (duke dërguar të ardhura monetare) dhe emocionale (duke formuar kontakte telefonike ose vizituar vendin). Siç u theksua më parë, duke u referuar te kjo praktikë emigruese, ashtu si ka ndodhur edhe me shumë emigrantë shqiptarë, emigrimi shpeshherë formon ndarjen e prindërve nga fëmijët, ndarjen e njërit prind nga fëmijët, ose ndarjen e fëmijëve (qoftë këta dhe në moshë të herëshme). Shumë prindër, të cilët vendosin të emigrojnë për të pasur avantazhe për mundësi punësimi më të mirë, largohen nga fëmijët duke i lenë ata në vendin e tyre të origjinës. Këta prindër ndihen moralisht të obliguar të ofrojnë mundësi më të mira ekonomike për nuk mund të realizojnë përkujdesjen dhe rolet prindërore në jetën e përditëshme të fëmijëve. Përkujdesja në distancë nuk mund të jetë e njëjtë dhe ndikuese, siç është ajo ballë përballë (face to face). Familjet shqiptare, ku një ose dy pjestarë të saj kanë emigruar, shfaqin problematika të ndryshme sociale në shoqërinë tonë. Nën efektin e këtyre problematikave sociale, në disa raste mund të përcaktohet edhe një situatë ‘depresive’ të familjes shqiptare.
Zakonisht, gratë në rolin e nënave përballen me sfida të ndryshme në përkujdesjen e fëmijëve. Kjo ndodh për arsye se gratë, janë aktoret sociale të cilat qëndrojnë për tu përkujdesur për familjen e tyre, dhe u bashkangjiten rolit sociale të tyre si nëna edhe rolin e babait, kundrejt fëmijëve të tyre. Kur një prind emigron, dhe prindi tjetër (i cili/e cila mund ta takoi partnerin pas një periudhe shumë të gjatë kohore, që nuk është një anëtar aktiv në jetën familjare) ka për të luajtur të dy rolet prindërore të babai edhe nënës. Kjo situatë ka ndikim anomik social te fëmijët dhe madje edhe te vetë prindërit. Gjithashtu, kjo situatë përcaktohet si shkaktare e anomive në identitetin sociale dhe personale të fëmijëve. Por nga ana tjetër, është e rëndësishme të theksohet se remitancat financiare të dërguara nga emigrantët të ndihmojë për të ruajtur jetën ekonomike e familjes dhe të rrisë të ardhurat në ekonominë shqiptare në tërësi.
Si përfundim është e rëndësishme të theksohet se emigrimi ka qenë një ndër karakteristikat më dinamike dhe fenomene shumë komplekse për tranzicionin shqiptar si dhe për vetë strukturën dhe institucionin social kryesore të shoqërisë siç është familja. Prandaj, emigrantët shpesh e kanë të pamundur për të realizuar rolin e tyre të prindërimit.
Përfundim
Siç u lartë përmendë, analizimi i fenomenit të emigrimit nga perspektiva sociologjike nxjerrë në pah një larshmëri të madhe të elementeve që ndikon dinamikën e tij. Në këtë studim u analizuan transformimet socio-kulturore, të cilat u formuan si shkak i fenomenit të emigrimit në strukturën e shoqërisë sonë. Remitancat sociale janë shkëmbimet (exchanges) midis komunikimit, vizitave të emigrantëve ose kthimit të tyre në vendin e origjinës, ku ata bëhen aktorë kryesorë të prurjes së elementeve kulturore dhe sociale, si dhe të ndryshimeve socio-kulturore.
Sipas Faist, Fauser dhe Reinesenauer është shumë e pranueshme që emigrantët të formojnë shkëmbime ideshë, vlerash, besimesh, etj., me vendasit. Por në këtë studim, emigrantët janë fokusuar më tepër në përvetësimin e këtyre vlerave dhe eleminimin e vlerave të shoqërisë shqiptare. Kjo situatë vihet re te shprehjet e emigrantëve ‘se ne nuk kemi kulturë’ ‘ne nuk jemi asgjë para ‘atyre’’, ‘ne jemi shumë mbrapa’, etj. Qëndrimet (attitudes) e emigrantëve shqiptarë reflektohen te praktikat e tyre për përvetësimin e sjelljeve dhe mënyrën e sjelljeve duke u bazuar te kultura e vendit që ata kanë emigruar. Shkëmbimet emërtohen edhe si remitanca sociale në literaturën e sociologjisë së emigrimit. Remitancat sociale, nuk ndikojnë vetëm sjelljet personale të emigrantëve dhe të individëve të vendit pritës, por edhe në konceptimin e roleve gjinore, ideve politike, të drejtave njerëzore/humane, formimit të lidhjeve sociale, konceptimin mbi të ardhmen, idetë rreth lirisë së individit (siç ndodh në shoqërinë tone), etj., të cilat shpeshherë kanë pasur ndikime jo shumë pozitive.
Deri këtu u analizua fenomeni i emigrimit dhe ndikimin e tij në shoqërinë tone. Për një realizim sa më të plotë të këtij fenomeni ishte shumë e rëndësishme të analizohej edhe perspektiva se emigrantët ndikohen në identitetin e tyre social prej shoqërisë së vendit që kanë emigruar. Duke kombinuar këto procese, u realizua një analizim sociologjik nga prespektiva makro në atë mikro të fenomenit të emgrimit shqiptar dhe ndikimit të tij në shoqëri dhe te vetë individët. Një aspekt i rëndësishëm i dimensionit ndërkombëtar të emigrimit lidhur me analizimin e perspektivës socio-kulturore është edhe çështja e ndryshimit të identitetit social të emigrantëve. Ku vetë reflektimet e shoqërisë sonë post komuniste, dëshirën për tu arratisur prej çdo elementi që ka të bëjë me kulturën shqiptare shpeshherë ka reflektuar edhe me anomitë e identitetit personal dhe social të emigrantëve. Këto anomi ose kaos kanë shtyrë formimin e identiteve nga qëndrimet/sjelljet ksonofobike ose etnofobike. Kjo situatë ka reflektuar në strukturën e familjeve shqiptare, ku shumë prindër, të cilët vendosin të emigrojnë për të pasur avantazhe përmundësi punësimi më të mirë, largohen nga fëmijët dhe i lenë në vendin e tyre të origjinës. Këta prindër mund të ofrojnë mundësi më të mira ekonomike por nuk mund të kenë përkujdesjen prindërore në jetën e përditëshme të fëmijëve. Përkujdesja në distancë nuk mund të jetë e njëjtë dhe ndikuese siç është ajo ballë përballë. Zakonisht, gratë në rolin e nënave përballen me sfida të ndryshme në përkujdesjen e fëmijëve. Kur një prind emigron, dhe prindi tjetër merrë përsipër realizimin e të dy roleve prindërore të babait edhe të nënës. Kjo situatë ka ndikim anomik social te fëmijët dhe madje edhe te vetë prindërit. Gjithashtu, ajo mund të identifikohet si një situatë që shkakton anomi në identitetin sociale dhe personale të fëmijëve. Analizimi i institucionit social më të rëndësishëm në strukturën e një shoqërie, siç është familja, si shkak i fenomenit të emigrimi ka pësuar një ndikim shumë të fortë në strukturën e saj, si dhe është mundësuar një riorganizim dhe rikonstruktim të elementeve kryesore të shoqërisë sonë.
Referencat
Akkayan, T. Goç ve Degisme; Istanbul Universitesi edebiyat fakultesi yayinari; Edebiyat Fakultesi Basmevi; Istanbul, 1979.
Aydin, M. Degisim Sosyolojisi; Ders Notlari; Konya, 2004.
Chan.K.B, A family affair: migration, dispersal and the emergent identity of the Chinese cosmopolitan, Diaspora. A Journal of transnational Studies, 6 (2): 195- 213, 1997.
Elias, N., Uygarluk süreci 1, Çev: E.Ateşman, İletişim Yayınları, İstanbul, 2002.
Faist, T., Migrants as transnational development agents: an inquiry into the newest round of the migration-development nexus; Population, Space and Place, 21-42, 2008.
Faist, Th., Fauser, M. & Reinsenauer, E. Transnational Migration; Polity Press, UK, 2013.
Fuga, A. Shoqëria Periferike, Botimet Ora, Tiranë, 2000.
Levitt, P & Glick Schiller, N. Conceptualizing simultaneity: a transnational social fields perspective on society, International Migration Review, 38 (3):1002-39, 2004.
Levitt, P. Social remittances: migration driven local-level forms of cultural diffusion, International Migration Reviwe: 32 (4): 926-948, 1998.
Stark, O. Migration in LDC’s: Risk, Remittances and the Family, Finance and Development, 28 (4): 39-41, 1991.
Turhan, M. Kultur Degismeleri, Marmara Universitesi Ilhayat fakultesi Vakfi yayinlari, Istanbul, 1987.
Tushi, G., Probleme Dhe Dilema Sociale, Shtëpia Botuese Dudaj, Tiranë, 2006.
[1]. Universiti i Tiranës, e-mail: klodjanshaqiri@gmail.com
[2]. Universiti i Durrësit “Aleksandër Moisiu”, e-mail: matildalikaj@gmail.com
[3]. Elias, N., Uygarluk süreci 1, Çev: E.Ateşman (İstanbul: İletişim Yayınları: 2002), 64.
[4]. Fuga, A., Shoqëria Periferike, (Tiranë: Botimet Ora: 2000), 35.
[5]. Tushi, G., Probleme dhe Dilema Sociale, Tiranë: Shtëpia Botuese Dudaj 2006), 352.
[6]. Fuga, A., Shoqëria Periferike, (Tiranë: Botimet Ora: 2000), 47.
[7]. Po aty, 49.
[8]. Po aty, 200.
[9]. Akkayan, T. Goç ve Degisme, (Istanbul: Istanbul Universitesi edebiyat fakultesi yayinari; Edebiyat Fakultesi Basmevi: 1979), 19.
[10]. Faist, T. Migrants as transnational development agents: an inquiry into the newest round of the migration-development nexus; Population, Space and Place, (2008), 33.
[11]. Fuga, A Shoqëria Periferike, (Tiranë: Botimet Ora: 2000), 175.
[12]. Levitt, P. Social remittances: migration driven local-level forms of cultural diffusion, International Migration Reviwe: 32 (4): 926-948, (1998), 927.
[13]. Faist, Th., Fauser, M. & Reinsenauer, E., Transnational Migration; (UK: Polity Press, 2013), 34.
[14]. Po aty, 34.
[15]. Po aty.
[16]. Po aty.
[17]. Levitt, P & Glick Schiller, N. Conceptualizing simultaneity: a transnational social fields perspective on society, International Migration Review, 38 (3):1002-39 (2004), 11.
[18]. Aydin, M. Degisim Sosyolojisi; Konya: Ders Notlari; (2004), 55.
[19]. Turhan, M. Kultur Degismeleri, (Istanbul: Marmara Universitesi Ilhayat fakultesi Vakfi yayinlari, 1987), 120.
[20]. Stark, O. Migration in LDC’s: Risk, Remittances and the Family, Finance and Development, 28 (4): 39-41 (1991), 39.
[21]. Chan. K. B, A family affair: migration, dispersal and the emergent identity of the Chinese cosmopolitan, Diaspora. A Journal of transnational Studies, 6 (2): 195- 213 (1997), 195.
[22]. Faist, Th., Fauser, M. & Reinsenauer, E., Transnational Migration; (UK: Polity Press, 2013), 30.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...