Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Jun 27, 2021 Zani i Nalte Abstraktet 0
1. 30 vjet nga rithemelimi i KMSH-së
Msc. Dorian Demetja
Drejtoria e Kulturës, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë
Diktatura me tërë egërsinë e vet, hoqi mësimin e besimit nga shkolla, mbylli të gjitha shkollat për përgatitjen e kuadrit fetar, pezulloi shtypin fetar dhe botimet, sekuestroi të gjitha bibliotekat personale me literaturë fetare, ndaloi funksionimin e objekteve fetare, pengoi zhvillimin e riteve fetare, xhamitë i shndërroi në magazina e stalla dhe sigurisht shumicën e tyre i shkatërroi dhe i rrafshoi. Nga 1127 xhami që ishin në vitin 1967, vit kur Shqipëria u shpall vendi i parë ateist në botë, në vitin 1990 numëroheshin vetëm disa. Hoxhallarët më të shquar i burgosi dhe i pushkatoi, kurse disa prej tyre i dëboi nga qyteti, i la pa punë, u bëri presione që të hiqnin petkun fetar e të mohonin pikëpamjet e tyre, shkurt, u përpoq me çdo mjet që të mos linte asgjë nga feja dhe ndjenjat e popullit për të.
Megjithatë ishte e kaluara islame e këtij populli, që zbuti shthurjen totale të shoqërisë sonë prej furtunës komuniste, dhe shumë besimtarë e ruajtën identitetin e tyre, duke kryer edhe një pjesë të riteve fshehurazi. Në mënyrë të kujdesur, pa marrë parasysh pasojat e rënda vetjake e familjare që rridhnin nga zbulimi i tyre, ata mbanin ramazan, faleshin, bënin lutje e bamirësi dhe mbanin gjallë në shpirtin e tyre dashurinë për Zotin, Profetin e fenë islame, kishin besim në mëshirën e ndihmën e Zotit, duke shpresuar ditë më të mira.
2. Një këndvështrim sociologjik i familjes në Islam
Dr. Genti Kruja, Departamenti i Shkencave Islame, Universiteti Bedër
Msc. Mehmet Disha, Drejtoria e Kulturës, KMSH
Familja është bërthama e shoqërisë. Edukimi dhe arsimimi i një individi dhe sidomos i femrës, sjell ndërtimin e institucionit të familjes së shëndoshë, të cilat përbëjnë edhe shoqërinë ideale. Por a ekziston një shoqëri ideale? Sipas Islamit po. Dhe kjo tashmë po vërtetohet edhe me anë të studimeve shkencore, të cilat së fundmi, kanë vërtetuar se familjet që janë të brumosura me besimin islam, kanë një nivel minimal të problemeve familjare dhe sidomos të konfliktit familjar, prindër-fëmijë, marrëdhënie midis motrash dhe vëllezërish, apo më pak përplasje brezash.
Nga dita kur njeriu vjen në ekzistencë, si një qenie ende e vogël, zhvillohet vazhdimisht si një barrë në supet e prindërve. Lidhur me këtë, është krejt e pamundur të përcaktohet e vlerësohet thellësia e dhembshurisë së prindit ndaj fëmijës, kufiri i shqetësimeve që heqin ata.
Kështu, përsosmëria e një kombi dhe një shoqërie nis nga familja, nga foleja familjare e ngritur nga bashkëshortët. Nisur nga kjo, edukimi duhet filluar nga familja. Po qe se familja nuk është ngritur mbi parime edukative, as shoqëria nuk mund të mendohet të jetë me edukatë. Familja është institucioni ku individi merr jetë. Duke qenë e tillë, ajo ka forcën e saj të edukimit, arsimimit dhe krijimit të kushteve materiale për jetën. Por veçoritë e edukatës familjare varen edhe nga përbërja e familjes, organizimi i brendshëm, niveli arsimor, kultura e saj, si dhe nga tradita e edukatës së saj familjare.
3. Sfidat e myslimanëve në aspektin e integrimit social në kulturat perëndimore dhe aksiologjia islame referuar këtij procesi
Hasije Erduran (Uka)
Sfidat kryesore me të cilat përballen myslimanët aktualisht në vendet perëndimore, zanafillën e kanë nga keqinterpretimi i Islamit, sidomos i vlerave të tij, të cilat pretendohen të jenë të papërputhshme me ato perëndimore. Në të vërtetë kultura islame është një pasuri tepër e çmuar për Perëndimin. Por fatkeqësisht, shumëllojshmëria e kulturave duket, në shikim të parë, të jetë një faktor i konfliktit shoqëror për disa. Keqinterpretimi dhe keqinformimi ka shkaktuar situatën kaotike aktuale, ku si aktor kryesor shihet Islami.
Këto sfida, me të cilat përballen myslimanët, kryesisht në vendet perëndimore, në fakt janë produkt i keqinterpretimit të Islamit për qëllime të ndryshme. Pavarësisht faktit se besimet, ideologjitë dhe simbolet fetare nuk përbëjnë një njësi matëse të integrimit, sepse integrimi nuk vlerësohet mbi këto aspekte, në Perëndim shihet nga njëra anë një “keqpërdorim i fesë” dhe nga ana tjetër një “diskriminim fetar”, duke fajësuar Islamin si përgjegjësin kryesor të “mosintegrimit” të myslimanëve në vendet e tyre. Keqinterpretimi i teksteve islame është shkaktari më i madh i krijimit të situatës aktuale, ku myslimanët ndihen të paragjykuar, të alienizuar, të përjashtuar socialë, të margjinalizuar si dhe të privuar nga shumë të drejta, me justifikimin se ideologjia e tyre fetare është pengesa themelore për “integrim”.
Ekzistojnë dëshmi të qarta se, në kundërshtim me besimin popullor, njerëzit që janë tërhequr nga ekstremizmi i dhunshëm ka të ngjarë të jenë ata që nuk kanë një bazë të mirë në fe dhe se myslimanët shumë fetarë janë në fakt më rezistentë ndaj radikalizimit.
Pretendohet të ketë një hendek mes vlerave islame e perëndimore, por vlerat thelbësore të Islamit nuk janë të ndryshme nga vlerat evropiane. Kjo është një frakturë imagjinare e cila është intensifikuar nga fjalimet e disa politikanëve dhe të medias. Traditat dhe vlerat islame nuk janë të pajtueshme vetëm me hapësirën publike sekulare të sotme, por disa prej dinamikave më progresive ishin në fakt pjesë integrale të modelit të qeverisjes së komunitetit të themeluar nga Profeti Muhamed në Medinë.
4. Arsimi Fetar Islam në Shqipëri
Dr. Adil Kutlu, Irlandë
Mund të flitet rreth një periudhe historike, nëpër të cilën kanë kaluar shoqëritë e sotme në formimin e vlerave kombëtare dhe shpirtërore që sot zotërojnë, si: gjuha, feja, kultura dhe arsimi. Shoqëritë përpiqen që t’u përçojnë brezave të rinj kulturat e përbashkëta me anë të rrugës së edukimit ku nga njëra anë u mësojnë atyre gjuhën, besimin, zakonet dhe letërsinë e tyre dhe nga ana tjetër përpiqen t’i edukojnë ata edhe në aspektin fizik, shpirtëror, social dhe profesional. Institucionet e edukimit vazhdimisht kanë pasur një funksion të rëndësishëm në realizimin e kësaj detyre.
Medresetë si institucione edukimi, zanafilla e të cilave daton 1000 vjet më parë, kanë filluar të hapen në trojet shqiptare paralelisht me përhapjen e Islamit te këto të fundit. Në këto medrese u formuan kuadro të cilët plotësuan nevojat e shoqërisë dhe qeverisë në fushën fetare, gjyqësore, organizative, të dijes, etj.
Në këtë punim janë trajtuar medresetë në Shqipëri dhe forma e aplikimit të edukimit fetar islam përgjatë historisë. Tema është trajtuar në tre kapituj të ndryshëm. Fillimisht trajtohen “Institucionet fetare islame në Shqipëri dhe edukimi fetar në kohën e Perandorisë Osmane”, duke vijuar me “Edukimi fetar islam në Shqipëri përgjatë viteve 1912-1964”, dhe “Edukimi fetar islam në Shqipëri pas viteve 1990”.
Materialet e përdorur në punim janë përftuar nëpërmjet ekzaminimit të librave dhe shkrimeve të ndryshme lidhur me temën. Krahas kësaj, nëpërmjet intervistimit të zyrtarëve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është mbledhur informacion rreth statusit zyrtar të medreseve.
Ky punim kontribuon në informimin rreth edukimit fetar islam në Shqipëri dhe të dhënat e arritura do të ndriçojnë rreth aktualitetit të vazhdueshëm mbi temën “Edukimi fetar në shkollat publike”.
5. Zemër e Harruar – Xhamia e Sulejman Pashë Bargjinit
Fatos A. Kopliku
Washington D.C., SHBA
Qyteti është shëmbëlltyrë e ndërtuesve dhe këta të fundit ndërtojnë sipas botëkuptimit që kanë. Urbanistika tradicionale që shohim në disa qytete si, Carcasonne-i në Francë, Fez-i në Marok, Safranbolu në Turqi ose Berati në Shqipëri, është ruajtur mirë, por këto janë përjashtime. Kurse sot, urbanistika, arkitektura dhe shtrirja e shumicës së qyteteve, përfshirë ato që mund të kenë histori shekullore, janë shndërruar e vijojnë të shndërrohen përmes parimeve rrënjësisht të ndryshme nga ato të themeluesve të tyre.
Në këtë shkrim do të trajtojmë këtë zhvendosje të botëkuptimit dhe pasojat, që ajo kishte e vazhdon të ketë për qytetet ku jetojmë. Në pamje të parë ndoshta duket qasje e thjeshtë, sepse lë në plan të dytë ngjarjet e faktorët historikë, shoqërorë dhe politikë në ndërtimin e zhvillimin e qyteteve. Mirëpo, ndërlikimi nuk është domosdoshmëri e të vërtetës dhe ka arsye që na shtyjnë të besojmë se një qasje e tillë ndihmon për të kuptuar më qartë edhe se ç’ka ndodhur me Tiranën si qendër urbane e kryeqytet i Shqipërisë.
6. Nëse doni lavdinë e Shqipërisë, kërkoni në çdo bibliotekë të botës
Vepror Hasani
Instituti Albanologjik i Lumo Skendos, shkëlqimi i atdhetarisë së tij
Mit’hat Frashëri (1880-1949), biri i Abdylit, nipi i Naimit dhe Shemsedin Sami Frashërit, ishte zgjedhur kryetar i Kongresit të Manastirit për hartimin e alfabetit, kryetar i Komisionit ishte at Gjergj Fishta. Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua ministër i Botores, në qeverinë e Princ Vidit ndihmoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme; kreu detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë nga 1923-1925. Në vitin 1927 botoi sërish në Tiranë, revistën “Diturija”, themeluar në Selanik më 1909 e më vonë në Bukuresht gjatë qëndrimit të tij atje. Mbeti kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në nëntor 1944 u largua nga Shqipëria. Pas 5 vjetësh në Itali, shkoi në SHBA. Në vitin 1949, disa muaj pas mbërritjes atje gjatë një udhëtimi për në Nju Jork, ora 9.25 minuta, në hotelin “Winthrop” ndërroi jetë si pasojë e një ataku kardiak(?). 25 kurora iu dërguan nga njerëzit që e vlerësonin. Në orën 14.00 nisi ceremonia e varrimit. Lutjet u bënë nga Imam Vehbi Ismaili, ardhur nga Detroiti. Kishte qenë amanet i vetë frashëlliut të shquar. Arkivoli i tij u mbulua me flamurin kombëtar. Sot prehet në atdhe, deri para pak kohe ndodhej në varrezat Ferncliff të Nju Jorkut, mes figurave të shquara si Nikola Tesla, etj. Eshtrat e tij u kthyen në javën përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 14-22 nëntor 2018, me vendim të qeverisë shqiptare.
7. Kriza e familjes shqiptare në vitet e regjimit komunist: Divorcet në vitet 60-të
Dr. Hasan Bello
Instituti i Historisë, Qendra e Studimeve Albanologjike
Vendosja e regjimit komunist në nëntor të vitit 1945-së do të shoqërohet me ndryshime rrënjësore, jo vetëm në fushën social-ekonomike dhe politike, por edhe në ndryshimin e strukturës familjare të shoqërisë shqiptare. Përpjekjet e shtetit komunist për emancipimin e gruas, arsimimin, indoktrinimin ideologjik marksist-leninist dhe duke e angazhuar atë në procesin e industrializimit të vendit do të shoqërohen me rritjen progresive të numrit të divorceve.
Kjo situatë ishte rrjedhojë e disa faktorëve objektivë. Kështu, sapo erdhi në pushtet Partia Komuniste Shqiptare, i vuri vetes si qëllim të luftonte “zakonet prapanike” dhe një sërë traditash që kishin ndikuar pozitivisht për konservimin e vlerave familjare të shoqërisë shqiptare. Në radhë të parë këtu vinin ato tradita që e kishin burimin nga besimet fetare siç Islami dhe Krishterimi, të cilat luanin një rol pozitiv për stabilitetin social të familjes dhe shoqërisë.
Erozioni moral që shoqëria pësoi nga politikat indoktrinuese të regjimit komunist u pasqyruan në goditjen që mori familja dhe në rritjen e shpejtë të numrit të divorceve krahasuar kjo me periudhën para vitit 1945-së. Prandaj studimi i këtij fenomeni nga historianët dhe sociologët përbën një fushë me interes dhe të pastudiuar ende sot e kësaj dite ashtu siç duhet.
Në këtë kumtesë do të përpiqemi të analizojmë dhe pasqyrojmë disa aspekte kryesore të divorcit, duke u mbështetur në burimet arkivore të kohës.
8. Medreseja “Alaudin” e Prishtinës dhe kontributi i saj në formimin e inteligjencies fetare islame
Resul Rexhepi, Kosovë
Njëra prej karakteristikave më thelbësore të Medresesë, ka qenë edhe fakti se në bankat e kësaj çerdheje të kulturës dhe arsimit, përgjatë dekadave të veprimtarisë së saj, kanë qenë të përfshirë nxënës nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Sanxhaku. Vetëm dy nxënës nga Bosnja dhe Hercegovina e kanë mbaruar Medresenë. Duhet përmendur edhe fakti se pas luftës së fundit në Kosovë, në gjirin e kësaj Medreseje ka pasur një numër të admirueshëm nxënësish edhe nga Republika e Shqipërisë.
Prandaj, nuk është aspak e çuditshme që edhe sot janë pikërisht nxënësit e kësaj Medreseje ata që bartin barrën kryesore dhe përgjegjësinë e organizimit fetar islam në vendet e përmendura më sipër.
9. Traktati i Shën Stefanit dhe pasojat e tij për shqiptarët
Prof. Asoc. Dr. Alban Dobruna
Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, Kosovë
Në periudhën e zhvillimeve të Krizës Lindore (1875-1881) në Perandorinë Osmane, Fuqitë e Mëdha arritën të kryejnë ndryshime në hartën politike të Gadishullit Ballkanik, veçanërisht në hartën e trevave shqiptare. Pasojat e këtyre ndryshimeve ishin të lidhura me Luftën Ruso-Osmane (1877-1878) dhe nënshkrimin e paqes së saj në Shën Stefan, më 3 mars 1878. Qëllimi kryesor i këtij punimi është të pasqyrojmë pasojat e politikës pan-sllaviste, ekspansioniste e hegjemoniste që ndoqi Rusia cariste në atë kohë në dëm të tokave shqiptare. Në këtë punim do të pasqyrojmë situatën e krijuar në Ballkan, të cilën e shfrytëzuan shtetet ballkanike, si: Serbia, Mali i Zi, Bullgaria e më vonë edhe Greqia, qarqet sunduese të të cilave synonin zgjerimin tyre nëpërmjet pushtimit të tokave shqiptare. Meqenëse ky traktat i nëpërkëmbi interesat e popullit shqiptar, hasi në rezistencën e tij, ku u organizua një qëndresë e fuqishme kundër zbatimit të tij. Shqiptarët bënë lëvizje të ngritura mbi një bazë të shëndoshë, të mbështetur nga një mendim i formuar politik, siç e tregojnë memorandumet e shqiptarëve drejtuar Fuqive të Mëdha, apo edhe mendimet e shprehura nga ideologët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ishin këta ideologë dhe patriotë të popullit shqiptar që themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, një organizatë bashkuese dhe udhëheqëse gjithëkombëtare, e cila u bë faktor i organizimit dhe i zhvillimit politik, ushtarak dhe kulturor të shqiptarëve.
10. Mbrojtja e jetës sipas familjes ligjore islame
Prof. Asoc. Engjëll Likmeta
Qemal Likmeta
Ligjdhënësi Absolut epërsinë e njeriut mbi çdo krijesë tjetër e ka sanksionuar teksa i ka dedikuar shenjtërinë e jetës.
Qëllimi i këtij punimi është të nxjerrë në pah sesi familja ligjore islame, me anë të normave të saj me natyrë juridike – penale, vlerëson rëndësinë e së drejtës për të jetuar, si e drejtë themelore e njeriut, por edhe për të shpjeguar tagrin universal të unitetit absolut të Krijuesit të lavdëruar, si jetëdhënësi apo marrësi i parë dhe i vetëm i saj.
Në interes të studimit do të jenë rregullimet ligjore të parashikuara në legjislacionin e brendshëm shqiptar dhe atë ndërkombëtar, si dhe në ligjin islam lidhur me të drejtën për të jetuar.
Autorët gjatë trajtimit të këtij punimi do të përpiqen që jo vetëm të parashtrojnë por dhe t’u japin përgjigjen e merituar pyetjeve se cilat janë parashikimet ligjore ku bazohet mbrojtja e sё drejtës sё jetës sipas ligjit islam? Cili është kuptimi i përgjithshëm mbi krimet? Si i kualifikon e drejta islame krimet kundër jetës? Cilat janë kushtet për lindjen e përgjegjësisë penale për këtë grup të veprave penale sipas kësaj familje ligjore të së drejtës?
Qëllimi i këtij punimi është të lëvrojë llojet e krimeve kundër personit në të drejtën penale islame, masat ndëshkuese ndaj autorëve të tyre. Më konkretisht, synohet të jepet një panoramë e qartë e llojeve të veprave penale që cenojnë jetën e njeriut, sikurse janë vrasja me dashje, vrasja nga pakujdesia, apo vetëvrasja, apo plagosja e rëndë me pasojë vdekjen.
Fjalët kyçe: jetë, islam, e drejtë, penal, krim.
11. Recencë mbi librin “Kurora mbi krye të përunjur” me autor z. Fatos Kopliku
Prof. Asoc. Rahim Ombashi
Fakulteti i Shkencave Humane dhe Drejtësisë, Universiteti Bedër
Përsiatje mbi tekstin studimor “Kurora mbi krye të përunjur: përsiatje mbi fenë, folklorin dhe shkencën”, që këshillon gjithkënd ta dojë të vërtetën si më të madhen përparësi
Autori e saktëson në hyrje të librit se koha nuk mund të ndalet duke argumentuar me detaje se e kundërta e përulësisë fisnikëruese është skepticizmi vrastar, që pak nga pak po relativizohet gjithkund dhe po kështu pak nga pak ai po horizontalizon aspiratën vertikale për parajsën, duke lënë synime vetëm tokësore, pra nuk mbërrin të marrë kurorë. Kërkon pa u ndalur më thellë dhe shkakun e gjen te arsimi dhe edukimi, të cilët janë të nevojshëm, në mos të domosdoshëm, për banorin që jeton në botën moderne.
Sipas leksikut abrahamik, njeriu e ka parë veten si shëmbëlltyrë hyjnore, por dhe ka menduar e vepruar brenda kësaj kornize, të cilën banori i tanishëm e ka lënë mënjanë, sepse i është dorëzuar materializmit si botëkuptim dhe filozofi, ku feja shihet pak a shumë si ritual. Pranohet gjerësisht që tradita fetare në Ballkan dhe kombin tonë vjen prej familjes monoteiste abrahamike, prandaj autori ka zgjedhur që shembujt t’i sjellë nga dy besimet, që praktikohen në Shqipëri: Krishterimi dhe Islami.
12. Hafiz Esat Myftia (1911-1975)
Esat Myftia ka qenë një drejtues i shquar arsimor, fetar, bamirës e kulturor në shkallë kombëtare, ka pasur merita të shumta dhe me veprimtarinë e tij të gjithanshme ka dhënë një ndihmesë të vyer e të efektshme në këto fusha.
Ai ishte vazhdues i denjë i familjes së njohur e të përmendur të Këlliçëve të Tabakëve e të Myftive të Shkodrës, që lidhet ngushtë me ngjarjet e lavdishme historike të këtij qyteti të Shqipërisë, me veprimtarinë atdhetare të Lidhjes së Prizrenit, me mbledhjet e gjera qytetare për të drejtat kombëtare e njerëzore e me komisionin humanitar për ndihmën e refugjatëve ulqinakë. Ajo kishte lidhje me zhvillimin arsimor e kulturor të Shkodrës e më gjerë nëpërmjet medresesë e funksionit të lartë të myftiut të vilajetit të Veriut të vendit e në qytete të tjera si familje tradicionale hoxhallarësh prej disa brezash. Ndër ta spikaste Jusuf Tabaku, si përfaqësuesi më në zë i kësaj familjeje.
Veprimtaria e Hafiz Esatit shtrihet në katër drejtime kryesore: në atë arsimore, fetare, humanitare e kulturore.
Atheizma e thiesht, e cila mohon Zotin, asht nji fenomen i rallë edhe gjithmon ka me qenë kështu. Porse atheisma e asaj lloje, e cila e len Zotin jashta mejtimit të saj per boten, âsht shum ma e zakonshme. Ka shum theorina per gjithesin (universin) q’e lanë jashta Zotin. Tashi un tue folum per atheizmen dhe theorin e saj per universin, due të them ate lloj atheizme, e cila në mënyren e mejtimit të saj len jasht edhe nuk njef nji Qenie sypreme e perfekte (e plotësueme), e cila asht pa kufi e ditsheme, shenjte edhe e mirë; ate lloj atheizmi, i cili nuk di ndonji gja per nji Zot personal i vehte-ditshem, i cili asht mbi të gjitha, neper të gjitha dhe në të gjitha, por se kujton nji gja (Zot) që nuk asht as arbitrar, gjakmares i keq, as indiferent më të miren e krijatyrave të Tija; por se don gjith të mirët e të keqijt; të shenjtet e fajtoret; të mençëmit e të marët.
Po le të pranojmë për hatër të argumentit, se në gjithësinë ka nji fuqi ose fuqina misterioze, të mshehuna në landën, që kanë shkaktue zhvillimin e gazit të zjartë në nji botë të banushme. Këto fuqina lypset të kenë eksistue gjithmonë; se në qoftë se qe nji kohe, ku nuk pat të këtillë fuqije në landë, me qenë se nuk qe ndonji fuqi me krijue ate, ajo lypset të ket krijue vet-vehten, gjâ qi asht e pa mundshme. Porse ajo nuk ka eksistue gjithmonë, se zhvillimi, tue vazhdue për gjith here, më së fundi do të prodhonte nji Qenje infinite e të plotësueme, d.m.th. nji Zot, gjá qi asht në kundërshtim me hipothezën e atheistit. Tashi Atheisti âsht i lidhun prej kësaj dileme d.m.th. ai a lypset me mohue që ky princip (fill) aktiv i zhvillimit gjendet brenda më gjithësin materjale; ose lypse të pranojë qi ka eksistue n’atë gjithnji. Në qoftë se thot ka qenë gjithmonë, ai duhet në kohë infinit të ket zhvillue nji qenie infinite dhe perfekt. Prandaj ai duhet të heqi dorë nga theorija e evolusionit so duhet të pranojë eksistencën e Zotit.
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...