Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Jun 16, 2021 Zani i Nalte Aktivitete 0
1.200 dijetarë dhe studiues myslimanë nga 139 vende të ndryshme të botës nga 27 shkolla juridike miratuan “Kartën e Mekës”, pas një konference ndërkombëtare të mbajtur në Mekë në maj 2019, gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.
Këtë deklaratë e mbështetën dhe e miratuan disa organizma të rëndësishëm ndërkombëtarë, ndër ta dhe shtetet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam, si dhe Sekretariati i Përgjithshëm i Këshillit të Dijetarëve të Lartë, i cili ky i fundit ka shprehur dhe mirënjohjen e tij për përmbajtjen e dokumentit, i cili udhëhiqet nga parimet e “Kartës së Medinës”, hartuar nga i Dërguari i Allahut Muhamedi (a.s.), dokument, i cili mbrojti të drejtat, respektoi marrëveshjet, përcaktoi detyrimet dhe shërbeu si bazë solide për një shoqëri bashkëpunuese në ditë të mira e të vështira.
“Karta e Mekës” thekson rëndësinë e parimeve të tolerancës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis popujve të kulturave dhe besimeve të ndryshme fetare, të cilat janë në përputhje me parimet dhe objektivat e përcaktuara edhe në Kartën e Organizatës së Bashkëpunimit Islam, anëtare e së cilës është edhe Shqipëria.
Ky dokument u miratua nga studiuesit dhe dijetarët myslimanë gjatë konferencës së Ligës Botërore Myslimane nën titullin “Vlerat e Mesatarizmit dhe Moderimi në Tekstet e Kur’anit dhe Sunetit”, mbajtur në Mekë në datat 27-29 maj 2019.
Dokumenti i plotë:
Në emër të Zotit Mëshirues e Mëshirëplotë!
Falënderimi i takon Zotit të Vetëm! Paqja, lutjet dhe bekimet qofshin me të Dërguarin e Zotit, Profetin tonë Muhamed, familjen dhe mbarë shokët e tij!
Nga oborri i Shtëpisë së Shenjtë dhe nga hija e Qabesë së Nderuar mbahet konferenca “Karta e Mekës” me pjesëmarrjen e dijetarëve më të mëdhenj të umetit islam nën udhëheqjen e myftinjve më të shquar.
Ky Dokument i rëndësishëm paraqitet si një jehonë e fuqishme nën ndikimin e “Kartës së Medinës”, hartuar nga Profeti Muhamed (a.s.) katërmbëdhjetë shekuj më parë në vendosjen e marrëdhënieve me komponentët e ndryshëm fetarë, kulturorë dhe etnikë në shoqërinë e atëhershme të Medinës. Ai ishte një dokument kushtetues që shërbeu si referencë në vendosjen e vlerave të bashkëjetesës dhe përmbushjes së paqes ndërmjet elementëve të shoqërisë njerëzore. “Karta e Mekës” është një udhëzues islam që e merr shkëlqimin nga tiparet e vetë këtij dokumenti të përjetshëm, nxjerrë nga studiuesit e mëdhenj të umetit islam pikërisht nga kibla e tyre përbashkuese në botën e shekullit të pesëmbëdhjetë hixhri apo shekullit njëzet e një të erës sonë. Lëshimi i këtij dokumenti pranë Shtëpisë Antike në Mekë, vatrës së zemrave të myslimanëve, thekson rëndësinë e referimit shpirtëror në botën islame nga kibla e Islamit dhe myslimanëve, si burim i rrezatimit për botën nga hapësira e pastër e Mekës së Ndershme në Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe si shprehje e meritës domethënëse të udhëheqjes së saj politike dhe shërbimeve të mëdha që ka bërë për Islamin, myslimanët dhe njerëzimin në tërësi.
Teksa myslimanët nxjerrin këtë dokument si përfaqësues të referencës fetare, kjo punë e mbarë përkoi me kohën dhe vendin më të volitshëm, pasi me tubimin e tyre historik, ata janë fqinjë të Shtëpisë Antike pikërisht në dhjetëditëshin e fundit të muajit të bekuar Ramazanit. Ata pohojnë se janë pjesë e kësaj bote përmes bashkëveprimit me të dhe ndërveprimit kulturor, duke synuar të komunikojnë me të gjithë komponentët e saj në interes të mbarë njerëzimit, duke promovuar vlerat fisnike, duke ndërtuar ura dashamirësie dhe harmonie njerëzore dhe duke u përballur me praktikat e padrejtësisë, përplasjes civilizuese dhe anët e dobëta të urrejtjes.
Pjesëmarrësit në këtë konferencë miratojnë gjithashtu përmbajtjen e këtij dokumenti historik, duke përfshirë bazat dhe parimet e mëposhtme:
1. Njerëzit, pavarësisht dallimeve të tyre, i përkasin të njëjtës origjinë dhe janë të barabartë si qenie humane.
Zoti i Madhërishëm thotë: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju. (Sure Nisa, 1).
Po ashtu, të gjithë njerëzit i përfshin bekimi dhe nderimi hyjnor.
Zoti i Madhëruar në një tjetër varg kuranor thotë: ”Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar”. (Sure Isra’a, 70).
2. Refuzimi i shprehjeve e parullave raciste dhe denoncimi i pretendimeve të urrejtjes së arrogancës zbukuruar me iluzione artificiale mbi të qenurit të preferuar. Njerëzit më të nderuar janë më të devotshmit.
Ndaj dhe Zoti i Plotfuqishëm thotë: ”Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i druhet më shumë Atij“. (Huxhurat 13).
Njerëzit më të mirë janë ata që janë më të dobishëm për të tjerët.
Në një hadith të Profetit (a.s.) thuhet: “Njerëzit më të mirë janë ata që janë më të dobishëm për të tjerët.” (Mua’xhem Al-Tabarani).
3. Dallimi midis kombeve në besimet, kulturat, natyrën dhe mënyrat e tyre të të menduarit është një caktim hyjnor nga urtësia e pashoqe e Zotit. Pranimi i këtij rregulli universal dhe trajtimi i tij me logjikën e arsyes dhe mençurisë, në një mënyrë që të çon për harmoni dhe paqe njerëzore, është më mirë se arroganca dhe konfrontimi.
Zoti i Madhërishëm thotë: ”Sikur të kishte dashur Zoti yt, të gjithë njerëzit do t’i bashkonte në një bashkësi të vetme, por ata vazhdojnë të jenë të përçarë, përveç atyre që i ka mëshiruar Zoti yt. Për këtë qëllim Ai i krijoi ata”. (Sure Hud, 118- 119).
Kushdo që i përmbahet së vërtetës, duhet t’ia bëjë të qartë njerëzve.
4. Diversiteti fetar dhe kulturor në shoqëritë njerëzore nuk justifikon konfliktin dhe përplasjen, por përkundrazi kërkon krijimin e një partneriteti pozitiv të civilizuar dhe një komunikim efektiv që e bën diversitetin një urë për dialog, mirëkuptim dhe bashkëpunim për të mirën e të gjithëve. Në këtë mënyrë stimulohet konkurrenca në shërbimin dhe lumturinë e njeriut, kërkohen nyje të përbashkëta për të investuar në to për ndërtimin e një shteti me qytetari gjithëpërfshirëse, bazuar në vlera, drejtësi, liri të ligjshme, respekt të ndërsjellë dhe dashuri për të mirën e të gjithëve.
5. Origjina e feve monoteiste është një, i cili është besimi në një Zot të Vetëm, ndërkohë që ligjet dhe metodat e religjioneve janë të shumta. Nuk është e lejueshme të lidhësh fenë me praktikat e gabuara politike të ndonjërit prej ithtarëve të këtyre feve.
6. Dialogu i civilizuar është mënyra më e mirë për një mirëkuptim normal me tjetrin, njohjen e të përbashkëtave me të, tejkalimi i pengesave për bashkëjetesë dhe kapërcimi i problemeve. Ky lloj dialogu është i dobishëm në njohjen efektive të tjetrit, të drejtën e tij për të ekzistuar dhe të gjitha të drejtat e tij legjitime, duke përmbushur drejtësinë dhe mirëkuptimin midis palëve. Në këtë mënyrë forcohet respekti për privatësinë e tjetrit, duke tejkaluar paragjykimet e ngarkuara me armiqësitë e historisë që kanë përshkallëzuar rreziqet e urrejtjes, teoritë e komplotit dhe përgjithësimin e gabuar të qëndrimeve dhe sjelljeve anormale. Përmes këtij dialogu konstruktiv theksohet se historia është përgjegjësi e aktorëve të saj dhe askush nuk mund të ngarkohet me barrën e tjetrit, pa marrë parasysh kapitujt e historisë së pretenduar për çdo fe, mendim, politikë apo nacionalizëm.
Zoti i Plotfuqishëm thotë: ”Ata njerëz tashmë kanë kaluar. Ata do të kenë çfarë kanë merituar dhe ju do të keni atë që meritoni e nuk do të pyeteni për veprat e tyre”. (Sure El-Bakare, 134). Po ashtu, në lidhje me historinë e Musait (a.s.), në Kuran thuhet: “Si është gjendja e brezave të mëparshëm?” (Musai) tha: “Dijenia lidhur me ta gjendet te Zoti im, në Libër. Zoti im nuk gabon dhe nuk harron!” (Sure Taha, 51-52).
7. Pafajësia e feve dhe filozofive nga rreziqet e ithtarëve dhe pretenduesve të tyre, pasi ato nuk shprehin asgjë përveç veprimeve të tyre. Ligjet e ndryshme në thelb ftojnë vetëm në adhurimin e Krijuesit dhe në afrimin tek Zoti nëpërmjet dobisë së krijesave të Tij , duke ruajtur dinjitetin e tyre, duke forcuar vlerat dhe duke ruajtur marrëdhëniet e tyre pozitive familjare dhe komunitare.
Profeti (a.s.) ka thënë: “Unë jam dërguar për të përsosur moralin fisnik”. (Musnedi i Ahmedit).
8. Sinergjia për të ndaluar shkatërrimin e qenieve njerëzore dhe infrastukturës, bashkëpunimin për të mirën e njerëzimit në dobi të tij duke realizuar një aleancë globale efektive që shkon përtej teorive dhe parullave abstrakte, në mënyrë që të rregullohet çekuilibri i civilizimit që e konsideron terrorizmin si një nga degët e tij që vjen si rezultat i këtij çekuilibri.
9. Miratimi i legjislacionit parandalues për nxitësit e urrejtjes, dhunës, terrorizmit, konfliktit dhe përplasjes së civilizimeve, i cili do të garantojë shuarjen e shkaqeve të konflikteve fetare dhe etnike.
10. Myslimanët kanë pasuruar civilizimin njerëzor me një përvojë unike dhe të pasur dhe sot ata janë në gjendje të ofrojnë shumë kontribute pozitive që njerëzimi ka nevojë, sidomos në krizat morale, sociale dhe mjedisore, nga të cilat vuan për mungesë të vlerave për shkak të aspekteve negative të globalizimit.
11. Luftimi i terrorizmit, padrejtësisë, shtypjes, refuzimi i shfrytëzimit të aftësive njerëzore dhe shkeljes së të drejtave të njeriut, janë detyrë e të gjithëve duke mos lejuar diskriminim apo favorizimin. Të gjithë e kanë detyrë morale të jenë pro vlerave e kundër ndasive dhe padrejtësisë, duke mbështetur kauza të drejta e duke formuar një opinion publik global që mbështet këto vlera pa mëdyshje e pa neglizhencë.
12. Natyra në të cilën jetojmë është dhuratë e Krijuesit për njeriun, sepse Ai e ka nënshtruar për njeriun çka në qiej e në tokë. Sulmi, shkatërrimi dhe ndotja e burimeve natyrore konsiderohen shkelje të së drejtës dhe sulm mbi të drejtat e brezave të ardhshëm.
13. Teza e konfliktit të civilizimeve dhe thirrja për përplasje dhe frikësim të tjetrit është manifestim i izolimit, epërsisë së gjeneruar nga tendencat raciste, dominimit kulturor negativ dhe mbylljes së vetvetes. Në rastin më të mirë kjo dukuri është një devijim nga thelbi, një cektësi intelektuale ose një ndjenjë dobësie mbi elementët e ndërtimit civilizues, që pason me përpjekje për të shtyrë konfliktin drejt ballafaqimit në vend që të dominojë natyrshmëria e shëndetshme kur zotërohet forca e brendshme.
14. Konflikti dhe përplasja ushqejnë rrënjosjen e urrejtjes dhe armiqësisë midis kombeve dhe popujve dhe pengojnë kërkesën për bashkëjetesë dhe integrimin pozitiv kombëtar, veçanërisht në vendet me diversitet fetar dhe etnik. Ky lloj konflikti përmban lëndët e para për prodhimin e dhunës dhe terrorizmit.
15. Fenomeni i “Islamofobisë” është rezultat i mungesës së njohurisë për të vërtetën e Islamit, kreativitetin e tij civilizues dhe objektivat e të tij të larta.
Njohja e vërtetë e Islamit kërkon një vizion objektiv që heq qafe idetë e paramenduara, për ta kuptuar atë duke reflektuar mbi origjinën dhe parimet dhe jo duke u kapur pas anomalive të kryera nga personat që përdorin emrin e Islamit dhe rreziqet që ata i atribuojnë në mënyrë të gabuar ligjeve të tij.
16. Konsolidimi i vlerave fisnike morale dhe inkurajimi i praktikave të larta shoqërore është detyra e të gjithëve, si dhe bashkëpunimi në adresimin e lirive morale, mjedisore dhe familjare në përputhje me konceptet e përbashkëta islame dhe njerëzore.
17. Liria personale nuk justifikon sulmin ndaj vlerave njerëzore, as shkatërrimin e sistemeve shoqërore. Ekziston një ndryshim midis lirisë dhe kaosit dhe çdo liri duhet të ndalet në kufijtë e vlerave dhe lirive të të tjerëve e në kufijtë e kushtetutës dhe rendit, duke marrë parasysh ndërgjegjen publike dhe qetësinë shoqërore.
18. Ndërhyrja në punët e brendshme të shteteve është një depërtim i papranueshëm, veçanërisht metodat e hegjemonisë politike me ambiciet e tyre ekonomike dhe ambiciet e tjera. E papranueshme konsiderohet edhe përcjellja e ideve sektare ose përpjekja për të imponuar fetva në kushtet të veçanta vendore dhe zakonore. Këto ndërhyrje, pavarësisht preteksteve të lavdërueshme, nuk janë të justifikuara pa qenë në përputhje me një legjislacion që i lejon ato përmes një kërkese zyrtare për një interes mbizotërues në përballje me ndonjë agresor, rebel, prishës ose për lehtësim, kujdes, zhvillim ose çështje të ngjashme.
19. Përvojat e suksesshme të zhvillimit në rang global janë një model për të parandaluar të gjitha format e shthurjes dhe korrupsionit, duke zbatuar parimin e përgjegjësisë me një qartësi të plotë dhe duke punuar për të ndryshuar modelet e konsumizmit që pengojnë programet e zhvillimit, zbrazin aftësitë dhe shterojnë pasuritë.
20. Imunizimi i shoqërive myslimane është përgjegjësi e institucioneve arsimore me programet e tyre mësimore, mësuesit dhe mjetet e lidhura me to. Po ashtu kjo përgjegjësi bie mbi platformat publike të ndikimit, veçanërisht foltoret e Xhumasë, drejt koncepteve të moderimit, mesatarizmit dhe kujdesit ndaj tërheqjes negative që të shpie tek përshkallëzimi i teorive të konspiracionit, përplasja fetare dhe kulturore. Fenomene të tilla mbjellin zhgënjim në umet e paragjykime e mosbesim tek të tjerët.
21. Arritja e balancës së bashkëjetesës së sigurt midis të gjithë elementëve fetarë, etnikë dhe kulturorë mbi gjithë rrethin njerëzor kërkon një bashkëpunim të liderëve globalë dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare. Në këtë kuadër nuk duhen bërë diferencime për njerëzit mbi baza fetare, etnike ose të tjera, kur ofrohen ndihma politike, ekonomike ose humanitare.
22. Qytetaria universale është një e drejtë që diktohet nga parimet e drejtësisë islame për të gjithë diversitetin kombëtar, në të cilën respektohet kushtetueshmëria dhe rendi që shpreh ndërgjegjen kombëtare me unanimitetin dhe shumicën e saj. Nëse kjo është detyrë e shtetit, qytetarët e kanë për detyrë besnikërinë e sinqertë, ruajtjen e sigurisë dhe paqes shoqërore dhe kujdesin për shenjtëritë në përputhje me parimin e së drejtës së ndërsjellë dhe të drejtat e tjera me të gjithë, përfshirë pakicat fetare dhe ato etnike.
23. Sulmimi i vendeve të adhurimit është një veprim kriminal që kërkon një qëndrim të fortë legjislativ kundër tij dhe garanci të forta politike e sigurie me reagimin e nevojshëm ndaj ideve ekstremiste që e motivojnë atë.
24. Forcimi i iniciativave dhe programeve për të luftuar urinë, varfërinë, sëmundjet, injorancën, diskriminimin racor dhe shkatërrimin e mjedisit. Kjo duhet realizuar përmes solidaritetit të të gjitha autoriteteve përgjegjëse, qeveritare, ndërkombëtare, civile, aktivistëve dhe organeve në shërbim të punës humanitare, ruajtjes së dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të njeriut.
25. Fuqizimi i ligjshëm i grave në përputhje me një kornizë që ruan kufijtë e Zotit të Plotfuqishëm është një nga të drejtat e saj dhe nuk është e lejueshme ekzagjerimi duke margjinalizuar rolin e gruas, duke fyer dinjitetin e saj, duke e nënçmuar atë ose duke penguar mundësitë e saj në çështje fetare, shkencore, politike, shoqërore ose çështje të tjera. Nuk duhet të bëhet diskriminim kundër gruas, por duhet të ketë barazi në paga dhe mundësi sipas natyrës së saj dhe standardeve të efikasitetit. Parandalimi i përmbushjes së këtyre të drejtave është një krim kundër grave në veçanti dhe shoqërisë në përgjithësi.
26. Kujdesi për shëndetin, arsimin dhe edukimin e fëmijës është në krye të përgjegjësive të shteteve, institucioneve ndërkombëtare, civile dhe organeve përkatëse, ashtu sikurse është përgjegjësi e familjes veçanërisht duke punuar për të formuluar mendimet e fëmijës në mënyrë që të zgjerojë horizontet, të zhvillojë aftësitë, duke i mundësuar rritjen e kapaciteteve të krijimtarisë dhe aftësive të tij komunikuese e për ta imunizuar atë nga devijimi.
27. Forcimi i identitetit të të rinjve muslimanë në pesë principet kryesore që kanë të bëjnë me fenë, atdheun, kulturën, historinë dhe gjuhën. Ky identitet duhet mbrojtur nga tentativat e shpërbërjes së qëllimshme dhe të paqëllimshme, duke mbrojtur të rinjtë nga idetë e përplasjes së civilizimit dhe mobilizimit negativ kundër shkeljeve, ideve ekstremiste, të dhunshme dhe terrorizuese. Në të njëjtën kohë duhen forcuar aftësitë e komunikimit të të rinjve me të tjerët me vetëdije që buron nga horizonti i gjerë i Islamit dhe etika e tij në unifikimin e zemrave. Kjo realizohet nëpërmejt promovimit të vlerave të tolerancës dhe bashkëjetesës në paqe e harmoni, duke pranuar ekzistencën e tjetrit dhe duke ruajtur dinjitetin dhe të drejtat e tij. Një rëndësi e veçantë i kushtohet kujdesit për sistemet e vendeve në të cilat të tjerët banojnë, duke bashkëpunuar dhe ndarë eksperiencat e dobishme me ta, në përputhje me konceptet e familjes njerëzore, parimet e larta të të cilave vetë Islami i ka rrënjosur.
Hartuesit e këtij Dokumenti e shohin rëndësinë e krijimit të një forumi global (si iniciativë islame), që merret me çështjet e rinisë në përgjithësi. Ky forum, brenda programeve të tij, miraton komunikimin me anë të një dialogu konstruktiv të të rinjve me të gjithë brenda dhe jashtë botës islame. Me rëndësi të veçantë është trajtimi i të gjitha tezave të të rinjve dhe problematikat e tyre me qartësi dhe sinqeritet të plotë përmes kompetencave të karakterizuara nga shkenca dhe një sens edukativ, duke shkëmbyer dialog dhe diskutim me të rinjtë përmes një diskursi paralel që kupton fazën dhe ndjenjat e tyre. Në këtë mënyrë shmanget një e kaluar që ka krijuar vakume dhe ka prodhuar rezultate negative.
28. Kapërcimi i të gjitha vendimeve, iniciativave, programeve, propozimeve teorike, parrullave formale dhe kostove të padobishme duke i shndërruar në frymën efektive përmes një ndikimi pozitiv dhe të prekshëm. Ky impakt reflekton seriozitet, besueshmëri dhe forcë organizative, veçanërisht në lidhje me vendosjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke dënuar metodat e gjenocidit, spastrimit etnik, zhvendosjes së detyruar, trafikimit njerëzor dhe abortit të paligjshëm.
29. Në emër umetit islam, çështjeve fetare dhe çdo gjë që ka lidhje Islamin, mund të flasin vetëm dijetarët dhe studiuesit e mirëfilltë që tubohen si mbledhja e konferencës së këtij Dokumenti, mbledhje e cila u karakterizua nga bekimi i kibles së tyre përbashkuese.
Aksioni i përbashkët fetar dhe humanitar që synon përfitimin kolektiv kërkon pjesëmarrjen e të gjithëve pa përjashtim, larg racizmit dhe diskriminimit të pasuesve të një feje, race apo ngjyre të caktuar.
Së fundmi, lutemi që paqja dhe bekimet e Zotit qofshin me të Dërguarin e Zotit, Profetin tonë Muhamed, dhe mbi të gjithë familjen dhe shokët e tij!
Ky Dokument është shpallur në Mekën e Shenjtë pranë Qabesë së Nderuar pas Konferencës me temë “Karta e Mekës”, mbajtur në datat 22-24 të muajit të bekuar të Ramazanit 1440 Hixhri, që korrespondon me datat 27-29 maj 2019.[1]
[1] https://www.themwl.org/ar/chartermakkah
May 29, 2020 0
Apr 01, 2022 0
Sep 18, 2021 0
Jun 18, 2021 0
Mar 17, 2021 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...