Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 24, 2021 Zani i Nalte Histori 0
nga H. Resul Rexhepi
Abstrakt
Njëra prej karakteristikave më thelbësore të Medresesë, ka qenë edhe fakti se në bankat e kësaj çerdheje të kulturës dhe arsimit, përgjatë dekadave të veprimtarisë së saj, kanë qenë të përfshirë nxënës nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Sanxhaku. Vetëm dy nxënës nga Bosnja dhe Hercegovina e kanë mbaruar Medresenë. Duhet përmendur edhe fakti se pas luftës së fundit në Kosovë, në gjirin e kësaj Medreseje ka pasur një numër të admirueshëm nxënësish edhe nga Republika e Shqipërisë.
Prandaj, nuk është aspak e çuditshme që edhe sot janë pikërisht nxënësit e kësaj Medreseje ata që bartin barrën kryesore dhe përgjegjësinë e organizimit fetar islam në vendet e përmendura më sipër.
Hapja dhe ngritja e Medresesë së Prishtinës, në vitin 1951, nuk ishte një gjë e rastit, por nevojë e kohës dhe e hapësirës, vazhdimësi e traditës shekullore të arsimit islam ndër ne. Medreseja e Prishtinës filloi punën në godinën e ndërtuar në haremin e xhamisë “Alaudin”, prandaj edhe Medreseja, më pas, u bë e njohur me këtë emër, të cilin e bart edhe sot.
Natyrisht, hapja e medresesë së Prishtinës nuk ishte një punë e lehtë, sidomos kur kemi parasysh rrethanat shoqërore-politike që sundonin në atë kohë. Medreseja lindi si rrjedhim i vizionit, këmbënguljes, urtësisë dhe angazhimit të udhëheqësve të Bashkësisë Islame të kohës me Hafëz Bajram ef. Aganin në krye dhe për nga kontributi që ka dhënë kjo shkollë më pas, lirisht mund të konsiderohet si një ndër punët më të mira dhe ndër arritjet më të mëdha të Bashkësisë Islame.
Tri vite më parë, përkatësisht më 1948, pushteti i asaj kohe kishte mbyllur të gjitha medresetë klasike që kishin vepruar në Kosovë, përfshirë edhe çerdhen e arsimit fetar e kombëtar Medresenë “Mehmet Pasha” në Prizren. Prandaj, para prijësve islamë, para së gjithash, po edhe besimtarëve myslimanë, u shtrua detyra dhe u rrit nevoja për të hapur një shkollë, e cila, në përputhje me kërkesat e kohës, do të përgatiste kuadrin, i cili me nivelin profesional dhe me shkallën e arritur të kulturës dhe arsimit islam do t’i përgjigjej kërkesës përkatëse të shkollës sonë në përgjithësi. Medresetë klasike të kohës, me gjithë traditën e begatë të tyre, dorën në zemër, nuk i plotësonin këto kërkesa të kohës. Ato kishin mbetur të pareformuara, aq më tepër që tani, pas Luftës së Dytë në Kosovë, u krijuan rrethana të reja.
Po ashtu, hapjen e një shkolle, të një medreseje, ku do të përgatiteshin kuadrot islamë, Bashkësisë Islame ia lejonte, njihte dhe ia kërkonte edhe Statusi i saj, i vitit 1948, ku në Art. 44, thuhej: “Bashkësia islame mund të ketë shkolla të veta fetare: Shkollat e ulëta, të mesme dhe shkollën e naltë fetare”.
Prandaj, zgjidhja e këtij problemi u gjet në hapjen e Medresesë së Ulët Shqiptare, ku do të mësoheshin edhe lëndët fetare edhe ato botore.
Por sigurisht Medreseja e Ulët Shqiptare e Prishtinës në fillimet e saj, madje edhe pasi ishte ngritur në nivelin e shkollës së mesme, në kryerjen dhe përmbushjen e detyrave dhe realizimin e qëllimeve, ishte mbështetur pikërisht në përvojën e studentëve që kishin dalë nga medresetë e mëhershme, por që kishin dëshmuar aftësi në mësimdhënie, kurse më vonë edhe në përvojën e studentëve të kthyer nga medreseja e Sarajevës dhe në përvojën e mësuesve nga shkollat e tjera publike që vepronin në Prishtinë, e më vonë edhe nga studentë që ishin diplomuar në Universitetin e Prishtinës dhe të universiteteve të botës islame, si në Tripoli, Kajro, Bagdad dhe në qendra të tjera.
Plan-programi i medresesë do të pësonte ndryshime në varësi të kërkesave e nevojave të kohës dhe në varësi të ndryshimit të nivelit dhe rangut të medresesë. Në fillimet e saj, u mësuan këto lëndë: Kur’an, gjuhë shqipe, matematikë, akaid (apologjetikë), fikh (jurisprudencë islame), ahlak (etikë), histori islame, gjeografi, botanikë, vizatim, bukurshkrim, gramatikë arabe, edukatë fizike, gjuhë serbe, imamat, fizikë, higjienë, paraushtarak, ndërsa me kalimin e kohës u bënë ndryshime dhe reforma në plan-programin e medresesë, sidomos pasi ajo u kthye nga e ulët në të mesme. Kështu që u shtuan edhe lëndët: tefsir (ekzegjeza kur’anore), hadith (Tradita islame), pedagogji, husnihat (kaligrafi), retorikë, etj.
Në rrethana të reja, edhe plan-programi mësimor do të pësonte ndryshime, gjithnjë duke iu përshtatur nivelit të mesëm. Plan-programi i lëndëve jo fetare kryesisht ka qenë i njëjtë me atë të shkollave tjera të mesme e në veçanti me atë të gjimnazit, që është një veçori e medresesë, sepse krahas lëndëve fetare mësoheshin edhe lëndët e gjimnazit.
Nga viti 1961 e deri më 1983, mësimi në Medrese ka zgjatur pesë vite, kurse nga viti 1983 do të ulët në katër vite shkollore. Me rastin e këtij ndryshimi, në veçanti gjatë ndryshimeve në plan-programin mësimor, pedagogët e medresesë bënë përpjekje që programin e mëparshëm të medresesë pesëvjeçare, ta harmonizonin dhe ta përfshinin gjatë katër viteve mësimore, natyrisht me pak ndryshime që tashmë ishin të nevojshme.
Kur jemi te plan-programi i Medresesë, nuk mund e të mos e përmendim edhe ndryshimin tjetër që ka pësuar kjo vatër arsimore, kur mësimin e ka bërë tre vjeçar. Kjo për faktin se Medreseja duke qenë se krahas kujdesit të themeluesit (Bashkësisë Islame), u përfshi në gjirin e shkollave tjera të mesme të kryeqytetit në kuadër të Ministrisë së Arsimit, natyrisht përmes Drejtorisë së Arsimit të Komunës (DAK) së Prishtinës.
Njëra prej karakteristikave më thelbësore të Medresesë, ka qenë edhe fakti se në bankat e kësaj çerdheje të kulturës dhe arsimit, përgjatë dekadave të veprimtarisë së saj, kanë qenë të përfshirë nxënës nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Sanxhaku. Vetëm dy nxënës nga Bosnja dhe Hercegovina e kanë mbaruar Medresenë. Duhet përmendur edhe fakti se pas luftës së fundit në Kosovë, në gjirin e kësaj Medreseje ka pasur një numër të admirueshëm nxënësish edhe nga Republika e Shqipërisë.
Prandaj, nuk është aspak e çuditshme që edhe sot janë pikërisht nxënësit e kësaj Medreseje ata që bartin barrën kryesore dhe përgjegjësinë e organizimit fetar islam në vendet e përmendura më sipër.
Për më tepër, ishte Medreseja e Prishtinës dhe suksesi i treguar i medresistëve nga Maqedonia dhe Sanxhaku, që bëri që në këto dy qendra të hapeshin medrese, përkatësisht Medreseja “Isa begu” në Shkup dhe Medreseja e Novi Pazarit. Prandaj, kjo tregon për një aspekt tjetër të Medresesë së Prishtinës në formimin e inteligjencies islame edhe përtej kufijve të Kosovës.
II.
Medreseja “Alaudin” e kishte nisur punën në një periudhë në të cilën as që ka mund të flitej për tekste shkollore. Për më tepër, problem më vete paraqiste edhe mungesa e përpunimit të terminologjisë islame në gjuhën shqipe. Prandaj para mësimdhënësve të medresesë doli si detyrë që krahas përdorimit të terminologjisë islame në gjuhën shqipe, t’u jepnin shënime nxënësve përmes metodës së diktimit, kjo për shkak të mungesës së teksteve, por edhe për arsye praktike.
Kur i shikojmë fletorët e ish-nxënësve të kësaj medreseje sot, përveç vlerës së tyre dokumentare, ato tregojnë edhe për nivelin e nxënësve në përvetësimin e gjuhës shqipe dhe drejtshkrimin e saj, kurse bukurshkrimi, të cilit i kushtohej mjaft kujdes, tregon se pedagogët e medresesë kanë qenë të vetëdijshëm se janë duke përgatitur shërbyesit e ardhshëm në administratën e Bashkësisë Islame. Prandaj, ndonëse metoda e diktimit, nga këndvështrimi i sotshëm, nuk duket e rëndësishme, për kohën kur po flasim kishte edhe domethënie të tjera që e ngre në një shkallë më të lartë. Dhe kjo dha rezultatet dhe frytet e veta, sepse pikërisht nga këta nxënës, do të fillojë nxjerrja e fletushkës së medresesë “Nurul Kur’an”, dhe më vonë, po nga këta, por tani në cilësinë e pedagogëve, do të botohen edhe dispensat dhe tekstet shkollore të medresesë, që njëherësh për një kohë të gjatë ishin edhe literatura e vetme dhe e rrallë islame në gjuhën shqipe. Këtu duhet të theksojmë edhe faktin se ish-nxënësit e medresesë do të bëheshin edhe bartës kryesor të literaturës islame, periodikëve, deri në nivel akademik islam dhe jo vetëm, do të bëheshin përkthyes të Kur’anit Famëlartë dhe haditheve të Pejgamberit a.s. dhe literaturës tjetër doktrinare në gjuhën shqipe në përputhje me medhhebin tradicional hanefi.
Duke lexuar tekstet e medresesë (fletoret, dispensat dhe tekstet) ndër vite, vërejmë se ato ishin të konceptuara asisoj që nga ato të mësohej jo vetëm shkrim e lexim, por njëherësh ato duhej të ishin edhe bartëse të njohurive fetare e shkencore, të vlerave morale etike, të ndjenjave atdhedashëse dhe të ideve kombëtare, edukatës së përgjithshme, dashurisë ndaj atdheut, prindërve, farefisit, kujdesit ndaj kafshëve, natyrës, mjedisit, etj.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i medresesë në formimin e inteligjencies islame, është edhe fakti se pranë medresesë organizoheshin provimet për imamë, për të gjithë ata imamë që kishin kryer më pakë se tetë vjet të medreseve klasike, kurse për ata që nuk mund t’i përgatisnin vetë këto provime, qenë organizuar edhe kurset tre mujore për imamë. Qëllimi i këtyre provimeve dhe kurseve ishte që përmes shkollimit të shkurtuar dhe mësimeve plotësuese të sigurohej kuadri i Bashkësisë Islame në përputhje me zhvillimet e reja shoqërore dhe kërkesat e kohës, që ishte domosdoshmëri, si dhe të bëhej verifikimi dhe licencimi i disa imamëve që tashmë ishin duke e kryer këtë shërbim. Ky ishte një rezultat tjetër i medresesë që kërkon vëmendje të veçantë.
Kur shikojmë veprimtarinë e medresesë nëpër këto gjashtë dekada e gjysmë, shohim se ajo u themelua, e nisi rrugëtimin, u reformua, avancoi në rrethana e kushte jashtëzakonisht të vështira, duke filluar prej atyre të kohës së ashtuquajtur të Rankoviqit, trazirave politike, propagandës së kohës, kontrollit që u bëhej nxënësve dhe shkollës, e duke përfunduar tek okupimi klasik i Kosovës në fillimin e viteve ‘90 dhe luftës së fundit në Kosovë. Secila nga këto periudha ka qenë më e vështirë se tjetra, që kanë lënë pasoja edhe te medreseja. Kurse nxënësit e medresesë nuk ishin pa pjesëmarrje, deri edhe në rënien dëshmorë të tyre për kauzën kombëtare. Kjo tregon se medreseja nuk mbeti e izoluar nga rrjedhat shoqërore dhe politike të kohës, përkundrazi, ajo u bë pjesë e pandashme e fatit të popullit dhe vendit të saj. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Ajo ishte e popullit, prandaj dhe me popullin bashkëjetoi dhe bashkë ndau të mirën dhe të keqën.
E me gjithë këto vështirësi, këto ecejake, ndjekja e mësimeve në medrese asnjëherë nuk është ndërprerë, asnjëherë nuk ka pasur mungesë të të interesuarve dhe nxënësve, madje edhe nga trojet e tjera jashtë Kosovës, e madje edhe nga ata që shqipen nuk e kishin gjuhë amtare.
Nxënësit kanë shfaqur interesim të veçantë për këtë shkollë. Këtë e vërtetojnë të dhënat statistikore nga të cilat shihet se numri i nxënësve nga një vit shkollor në tjetrin jo vetëm që nuk zvogëlohej, por përkundrazi, rritej e shtohej vazhdimisht. Aq sa u ndie nevoja për hapjen e paraleleve në Prizren dhe në Gjilan. Dhe jo vetëm kaq, por u bë kërkesë e kohës edhe hapja e paraleleve të vajzave, që sigurisht është një rezultat tjetër shumë i rëndësishëm i Medresesë “Alaudin”.
Si rezultat i medresesë, pa diskutim është edhe Fakulteti i Studimeve Islame, jo vetëm se nxënësit e medresesë duhej të shkolloheshin në fakultete, por edhe sepse ish-nxënësit e medresesë u bënë pedagogë në këtë fakultet. Edhe ky është një rezultat tjetër i medresesë në formimin e inteligjencies islame ndër shqiptarët dhe në rajon.
Numri kaq i madh dhe i përgjithshëm i të diplomuarve në medrese, shumica me fakultet të kryer brenda dhe jashtë vendit, me një përqindje të madhe prej tyre të inkuadruar në shërbimet e Bashkësisë Islame, dhe në institucionet shtetërore në Kosovë dhe në vendet e rajonit, por edhe në Diasporën tonë, duke kontribuuar në zhvillimin e përgjithshëm fetar dhe shkencor, tregon për rolin, rëndësinë dhe sukseset e Medresesë “Alaudin”.
Këtu nuk mund të mos e përmend edhe një aspekt tjetër, për mua shumë me rëndësi, të medresesë i cili shpeshherë anashkalohet. Angazhimi i nxënësve të medresesë në terren për të kryer praktikën e tyre të imamit gjatë muajit të Ramazanit, i cili përveç se ka ndikuar në shpjegimin e fesë te besimtarët, ka bërë që të krijohet një lidhje e ngushtë dhe shumë e sigurt midis Medresesë dhe besimtarëve, midis Medresesë dhe xhemateve, midis Medresesë dhe trevave tona. Kjo ka ndikuar në masë të konsiderueshme që edhe besimtarët tanë të tregojnë solidaritet me medresenë dhe ta ndihmojnë atë, qoftë me dërgimin e fëmijëve të tyre në medrese, qoftë moralisht, qoftë materialisht.
Jeta e përbashkët e shumicës dërrmuese të nxënësve në konvikte, të organizuar në kushtet e konviktit, të gjitha me një pagesë minimale, me një ekip të edukatorëve dhe arsimtarëve kujdestarë në orët e studimit, krijimi i shprehive për punë dhe për higjienë, kultivimi i instinktit social, kultivimi i respektit dhe mirëkuptimit reciprok, pastaj puna praktike e aktivitetet dhe angazhimi i nxënësve përveç mësimit teorik, si në përfshirjen e tyre në aktivitete sportive, korit të mevludit dhe të ilahive, shoqatës së nxënësve, etj.; medreseja u bë një mjedis i rëndësishëm për zhvillimin e veprimtarëve të ardhshëm intelektualë të fushave të ndryshme.
III.
Nga sa u tha më sipër, mund të përfundojmë se Medreseja “Alaudin” sipas vëllimit të ndikimit dhe rezultateve të saj, pastaj si institucioni i parë dhe i vetëm i mesëm në gjuhën shqipe, ndikoi në formimin e inteligjencies islame në Kosovë dhe më gjerë, ndikoi në formimin e kuadrove të aftë, përparimtarë dhe të përgatitur për t’u përballur me nevojat e kohës dhe me arritjet shkencore. Për të gjitha këto, Medreseja “Alaudin” e Prishtinës, meriton një qasje shkencore, vlerësim të mirëfilltë dhe një mirënjohje adekuate shoqërore.
Literatura:
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Dec 21, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...