Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Apr 24, 2022 Zani i Nalte Studime 0
nga Refik Gerbeshi, Kosovë
Biografi e autorit
Mr. Qemajl Morina lindi në vitin 1951 në fshatin Hodonovc të Kamenicës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në “Medresenë Alaudin” në Prishtinë. Studimet i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin “Umduruman” në Sudan (1976), ndërkaq studimet pasuniversitare i mbaroi në Universitetin e Kajros (1979).
Gjatë viteve 1980 – 1989) ka punuar në Bengazi në detyrën e sekretarit dhe përkthyesit në Ministrinë e Shëndetësisë së Libisë. Më 1990 u zgjodh kryeredaktor i revistës “Dituria Islame”, post në të cilin qëndroi deri në vitin 1996. Pastaj, nga viti 2001 deri më 2016, ishte kryeredaktor i revistës “Edukata Islame”. Ka Ligjëruar gjuhën arabe në Katedrën e Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë (1990-1992), si dhe Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë (1992 -2016); përveç kësaj ishte edhe prodekan në FSI (1992-2011). Mirëpo ajo që e dallon profesor Qemajlin është publicistika, shkrimet e tij bënin bujë. Me shkrime merret që nga viti 1970-të, ka bashkëpunuar me një numër të konsiderueshëm të revistave shkencore, brenda dhe jashtë vendit, si “Edukata Islame”, “Takvim-Kalendar”, “Rilindja”, “Jeta e Re”, “Përparimi”, “Hëna e Re”, “Dituria Islame”, “El-Muxhtema”, “Et-Talib”, “Err-Rrisaletu” (Sudan), Al-Arab” (Bejrut), “Gllasnik”, “Preporod” (Sarajevë), “Drita islame” (Tiranë), Zëri, etj. Ka të botuara këto libra: Lidhja shqiptare e Prizrenit në shtypin egjiptian (1878-1881), (2007), Glosari i nocioneve fetare (islame, ortodokse, katolike dhe çifute)(2010), etj. Profesori Qemajl Morina është mjeshtri i penës islame shqiptare në publicistikën bashkëkohore. Vdiq në vitin 2019.
Kush ishte Hoxhë Kadri Prishtina
Lindi në vitin 1878 në Prishtinë. Ishte një nga nëntë fëmijët e Lutfullah Halimit. Mësimet fillore i kreu në Prishtinë, ndërsa ato të mesme në Shkup, në shkollën e njohur “Dar ul-Mualimin”. Studimet i vazhdoi në Stamboll, në shkollën e Lartë Pedagogjike. Më pas kreu Medresenë e famshme “Fatih”. Gjatë kohës që vazhdonte studimet në Turqi, ai u fut në klubet patriotike, që qenë krijuar atje, dhe formoi lidhje të ngushta me atdhetarët shqiptarë.[1]
Në vitin1904, në moshën 26 vjeçare, ka fituar titullin Myderriz (Dijetar-Profesor), por ende vijonte studimet në shkollën e lartë të së drejtës fetare. Në këtë vit u arrestua për arsye se nuk pranoi të tregonte autorin e dorëshkrimit “Fitret ul-Islâm” – dorëshkrim i Syrja bej Vlorës – një dorëshkrim në lëmë të fesë Islame dhe të drejtës fetare. Sa ishte në burg në Jedikule, ku vuanin dënimin edhe të burgosur të tjerë politikë, Hoxha Kadriu u sëmur dhe iu desh të bënte prerjen e këmbës mbi gju. Kthehet në atdhe dhe në vitin 1915 në Shkodër ku themeloi një komitet me emrin “Komiteti i Fshehtë”, ndërsa pas tri vitesh, me një grup atdhetarësh e intelektualësh, kryesisht nga Kosova, themeloi organizatën politike që do të organizonte popullin shqiptar në luftë për çlirim e bashkim kombëtar.
Më 1 maj 1918, u themelua Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në përbërje të tij kishte Këshillin Qendror, ku bënin pjesë shtatë anëtarë, të cilët kryetar zgjodhën Hoxhën Kadri Prishtinën.[2]
Komiteti kishte organin e vet, gazetën “Populli”, e cila botohej në Shkodër. Hoxhë Kadriu, përgatiti Programin e përgjithshëm të kryengritjes së Kosovës me këtë përmbajtje:
III. Plaçka është jasak (e ndaluar) e kryengritjes.
Ndër pikat e këtij programi kishte edhe citatin: Kot e pa nevojë, as gjaku i popullit tonë as gjaku i popullit të armikut, s’ka pse të derdhet. Dhe pikën ku thuhej: “Të vrarët shqiptarë s’kanë për t’u shti në dhe derisa të vijë një komision i huaj. Mizoritë e bëra prej armikut kanë për t’u shënuar dhe për t’iu dëftuar Evropës e Amerikës.”
Më 24 prill 1919, filluan të shpërndahen thirrjet për kryengritje. Dita e fillimit të kryengritjes u caktua më 6 maj 1919. Kjo njihet si Kryengritja e Llapushës, ku luftuan Azem dhe Shotë Galica. Edhe në qendrat e tjera të Kosovës kishte filluar kryengritja në të njëjtën kohë. Numri i kryengritësve arriti në rreth 10.000 veta. Ai është zgjedhur disa herë përfaqësues i popullit (deputet) në parlamentin shqiptar në Tiranë dhe më 1921 zgjidhet nënkryetar i Parlamentit të parë Shqiptar.[3]
Hoxhë Kadriu është shquar si imam, dijetar, atdhetar, politikan, diplomat, publicist dhe jurist. Urrente diplomacinë evropiane, e cila me hipokrizinë e saj merrte nëpër këmbë të drejtat e popujve të vegjël.[4] Hoxhë Kadriu ishte anëtar i qeverisë së Sylejman Delvinës formuar në Kongresin e Lushnjës më 1 janar 1920[5]. Ndërroi jetë më 20 janar 1925, në moshën 47 vjeçare.
Historia u ka borxh plejadës së hoxhallarëve
Nuk ka dyshim se rolin kyç për ruajtjen e traditës islame e kishin prijësit fetarë islamë, hoxhallarët, të cilët gëzonin autoritetin në popull dhe kishin njohuri të mjaftueshme për zgjerimin e mësimeve të Zotit. Në dritën e shkencës të shihet edhe roli i Islamit si faktor integrues i njësisë etno-kulturore dhe gjeopolitike të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar deri në fillet e rilindjes.[6] Autoriteti i tyre ishte i madh në popull dhe kjo ndikonte që edhe ndikimi i tyre të jetë i gjerë te masa. Patriotizmi e besimi që i vuri ata (hoxhallarët) në krye të ngjarjeve të mëdha të kombit, me të cilat jo vetëm që hynë në histori, por edhe e bënë historinë.[7] Sistemi komunist, në luftën e ashpër kundër fesë, përdori metoda e forma të ndryshme. Nga ana tjetër historiografia komuniste dhe ajo postkomuniste, nën trysnitë e propagandave ateiste sllave, ngurroi të paraqiste kontributin real të imamëve. Në këto periudha vërehet tendenca për fshehjen e titullit fetar islam të kontribuuesve për shkollat e para shqipe, pra edukim, arsim pajtimet e gjaqeve dhe aktivitetin e luftën për liri. Ndërkohë që populli përpiqej për liri, hoxhallarët ishin figura të rëndësishme në këto përpjekje. Në fund të vitit 1918 në Shkodër ishte formuar Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, kryetar i të cilit u zgjodh Hoxhë Kadri Prishtina.[8] Pak përmendet në histori si figurë kyçe e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës 1918”. Komiteti kryesohej nga Hoxhë Kadri Prishtina. Komiteti i Kosovës shtroi si detyrë të përpiqej për lirimin kombëtar të vendit, për rimëkëmbjen e shtetit të pavarur shqiptar dhe për bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar.[9]
Nuk ka dyshim se historia kombëtare, ajo komuniste si edhe post komuniste, u ka borxh figurave të tilla, ngase i anashkalon apo i përmend sipërfaqësisht. Për shkak të ndikimit të ideologjisë moniste në veprimtarinë shkencore dhe kulturore, kjo figurë aq e respektuar dhe e merituar, është zhveshur tërësisht nga ndjenjat e tij islame. Këto ndjenja ai më së miri i kishte shprehur revistën mujore me titullin; ”Udha e s’Vërtetës”, në vitin 1923.[10] Qëllimi i kësaj reviste, siç e cekë vetë Hoxha, ishte demaskimi i propagandave anti islame, që bëhej në qarqet shqiptare, ku thekson: “Dami ma i madh i këtyne pseudo intelektualëve asht të bamit e tyre mjet e vegël me përhapë e me predikua mendimet kundra besimit mysliman, mendime qi janë t’adoptueme nga Evropianët e nga armiqt e myslimanve.”
Për veprimtarinë atdhetare të tij janë shkruar shumë artikuj, punime, studime, janë organizuar sesione shkencore. Ky erudit dhe kjo figurë kombëtare është përmendur në Historinë e Shqipërisë, në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Gjithashtu për të është botuar edhe një monografi nga Eqber Skëndi me titull: “Hoxhë Kadriu (Kadri Prishtina)”, 1992.
Në asnjërën prej këtyre shkrimeve nuk është shkruar për veprimtarinë e tij fetare, përveç nga mjeshtri i pendës islame shqiptare Mr. Qemajl Morina, i cili, që në vitin 1997, në revistën “Dituria Islame”, ka shkruar studimin me titull: “Idetë Islame të Hoxhë Kadriut në revistën ‘Udha e s’Vërtetës’”, si dhe libri për të cilin po shkruajmë këtu.
Shkurtimisht rreth librit
Libri monografi: Hoxhë Kadri Prishtina – mendimtar islam, Prishtinë (2000), është një qasje shkencore hulumtuese e argumentuese që paraqet figurën e Hoxhë Kadri Prishtinës, figurë kjo jo e ndriçuar sa duhet në qarqet shkencore tek ne. Duke filluar me një biografi të shkurtër përgatitjen shkollore, profesionalizmin në Stamboll dhe studimet për jurisprudencë-drejtësi më 1904, duke marrë gradën shkencore profesor,[11] libri është i mjaftueshëm për të ditur gjërat elementare të këtij eruditi.
Ngritjen e vetëdijes patriotike e bëri kur takonte figurat e mëdha shqiptare me kthimin në Shqipëri. Kishte oferta që ia bënin austriakët por ky nuk lëkundej nga identiteti i tij dhe ideja për shqiptari.
Autori Qemajl Morina kishte hulumtuar gjerë e gjatë për të sjellë te lexuesi një libër modest por me shumë vlerë. Këtu i qaset elementit islam të Hoxhë Kadriut, gjë për të cilën historia u ka hak shumë prej figurave islame shqiptare, sepse atyre iu fsheh titulli islam hoxhë, imam, etj., duke vënë në pah që në fillim se kjo figurë ishte e zhveshur tërësisht nga ndjenjat e tij islame. Me argumentin e kontributit të tij në revistën “Udha e së vërtetës”, të cilën e botonte në Shkodër në vitin 1923, ai demanton demaskone sulmon tentimet e atyre që duan të fshehin elementin islam te hoxha. Gjatë hulumtimit të revistës në fjalë, argumentet e interesit që hoxhë Kadriu kishte për Islamin ishin të shumta siç ishte prapambetja dhe përçarja e myslimanëve, mashtrimi i një pjese intelektualësh myslimanë pas civilizimit evropian dhe mbështjellja e fesë me zakonet, ku ndër të tjera shprehet “si populli ashtu edhe hoxhallarët kanë humbur hapin e kohës”.[12]
Nën hijen e titullit “Nevoja e fesë” profesor Qemajli bën një analizë të thukët rreth interpretimit që hoxhë Kadriu i bën lindjes, zhvillimit dhe rëndësisë së fesë për ngritjen individit dhe shoqërisë; siç ishte imitimi i verbër që autori e quan sëmundje. Ngaqë nevoja për fenë, e cila është prehje e vetme shpirtërore për njeriun, është e vërtetë e përhershme dhe mjeti më i mirë për ruajtjen nga e keqja, më tutje sqaron se njeriu pa fe nuk mund të jetë i sinqertë dhe arsyeja e ngecjes mbrapa është pikërisht lënia anash e mësimeve fetare pra braktisja e fesë. Pastaj sjell edhe tematikën për femrën ruajtjen e nderit e moralit dhe martesën me kurorë dhe ngre hipotezat çfarë dëmi shkaktojnë ata që nuk martohen, apo si përfundojnë ata. Çka nënkuptojmë me emancipimin e femrës dhe si duhet të lidhet kurora. Titulli “Burimi i mendimit të besimit në njerëzi” është i shoqëruar me mendimet e filozofëve e dijetarëve evropianë, të cilat i sjell përmes nëntitujve “Historia nuk njeh popull pa fe”, “Besimi është instinkt i lindur me njeriun”. Kurse te titulli “Profesioni më i keq” sjell analogjinë e kthjellët filozofike se si njeriu ul vetveten duke urryer e luftuar mes vete, duke u shthurur moralisht dhe duke spiunuar njëri-tjetrin në shërbim të armiqve dhe në dëm të shoqërisë.[13]
Me debatin që bën me revistën “Lajmëtari”, e cila u bën thirrje shqiptarëve për t’u kthyer në fenë e krishterë, propagandë kjo shekullore ndër trojet tona, e cila elhamdulilah nuk ka pasur as nuk do të ketë efekt, as në përçarje. Siç e ilustron profesor Qemajli: “Pluralizmi fetar është realitet i shqiptarëve.” Në Përmbyllje fokusohet te qëllimi i këtij libri, duke besuar se i ka bërë një shërbim të mirë hoxhë Kadriut si mendimtar i kalibrit të El-Afganit, Abduhus, etj.[14]
Gjithashtu profesor Qemajli bën thirrje për hulumtime e studime të mëtejme, duke ndriçuar te bëmat e kalibrit të Hoxhë Kadriut, që janë të shumta, duke përfunduar me dua, andaj edhe unë po e përfundoj me dua për Hoxhë Kadriun hoxhallarët e tjerë që na ruajtën identitetin islam, si edhe për Profesor Qemajl Morinën Allahu e shpërbleftë me xhenetet e larta.
[1]. Eqber Skëndi, Hoxhë Kadriu (Kadri Prishtina) Prishtinë 1992, f. 10-13.
[2]. E. Skëndi, Hoxhë Kadriu, cit., f. 37.
[3]. Po aty, f. 218.
[4]. Q. Morina, Hoxhë Kadri Prishtina Mendimtar Islam, Prishtinë 2000, f. 15.
[5]. Grup Autorësh, A. Sh. Sh., Historia e Popullit Shqiptarë vol III, Tiranë 2007, f. 147.
[6]. Dr. Muhamet Pirraku, në Feja ,kultura dhe tradita islame ndër Shqiptarët, Prishtinë 1995, f. 43.
[7]. Naim ef. Tërnava, Ligjërime për Fe e Atdhe – 2, Prishtinë 2015, f. 148.
[8]. Selatin Novosella, Kosova ’64, Renesanca, Prishtinë 1994, f. 20.
[9]. Grup Autorësh, A. Sh. Sh, Historia e Popullit Shqiptar vol III, Tiranë 2007, f. 125.
[10]. Qemajl Morina, Hoxha Kadri Prishtina, Mendimtar Islam, cit., f. 6.
[11] Po aty. f. 9
[12]. Po aty. f. 22.
[13]. Po aty. f. 62.
[14]. Q. Morina, Hoxhë Kadri Prishtina, Mendimtar Islam, Prishtinë 2000, f. 98.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...