Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
May 02, 2022 Zani i Nalte Studime 0
nga Msc. Ada Qama, Medreseja e Tiranës “H. Mahmud Dashi”
Abstrakt
Sociologjia, si një nga shkencat më të rëndësishme humane, ka në fokus të studimeve të saj njeriun si një qenie sociale, si dhe shoqërinë në të cilën ai bën pjesë. Kështu, ajo e analizon njeriun në të gjitha episodet e ndërveprimit të tij social dhe domosdoshmërisht formon kësisoj një lidhje të ngushtë me të gjitha shkencat e tjera humane, si psikologjia sociale, antropologjia, filozofia, folklori, historia, teologjia, etj.
Një ndër nënllojet e sociologjisë është edhe sociologjia e fesë, e cila shqyrton ndërlidhjet që ekzistojnë midis strukturave shoqërore dhe feve të ndryshme, duke identifikuar aspektet e tyre besimore, praktikat dhe format e organizimit të besimeve fetare përmes metodave dhe disiplinave sociologjike.
Librat hyjnorë janë një burim i pashtershëm i tablove të shoqërisë së njerëzimit përgjatë periudhave të ndryshme historike, prandaj, parë nga ky këndvështrim, ato janë ndër pikat kyçe që tërheqin interesin e studiuesve të sociologjisë së fesë.
Në këtë punim, në formë të shkurtuar dhe përmbledhëse, do të paraqesim disa nga aspektet sociologjike që përmbahen në xhuzin e njëzet e pestë të librit të shenjtë të fesë islame, Kur’anit.
Fjalët kyçe: sociologji e fesë, aspekt sociologjik, individ.
Hyrje
Kur’ani është një libër hyjnor i zbritur për t’u treguar njerëzve rrugëtimin më të drejtë e më të dobishëm drejt lumturisë së të dyja botëve. Nga fillimi, deri në fund, ai përmban shëmbëllimet dhe përshkrimet më të sakta rreth veçorive të qenies njerëzore dhe shoqërisë në të cilën ajo vepron. Është e pamundur të tregosh një ajet të Kur’anit që nuk i drejtohet njeriut, apo që nuk i dedikohet zgjidhjes së problemeve që e mundojnë atë nga lindja deri në vdekje. Duke qenë se ai është i gjithi një Libër për njeriun, atëherë në cilindo xhuz të tijin, të marrë në hulumtim, do të vëresh se si përvijohen çështje me interes të gjerë studimi për sociologët e fesë.
Megjithëse, ekziston një përshtypje e përgjithshme sipas së cilës xhuzet e para të Kur’anit, apo xhuzet që përmbajnë sure medinase, shpalosin më tepër tema sociologjike, kjo nuk do të thotë se është e vështirë të nxjerrësh në pah çështje sociologjike që u përkasin sureve të shpallura në periudhën mekase të profetësisë. Stili i thukët i Kur’anit është i tillë që mundëson reflektimin e shumë kuptimeve brenda një numri të kufizuar fjalësh.
Xhuzi i 25-të, që do të marrim në shqyrtim, fillon nga ajeti i 47-të i sures Fusilet, deri te ajeti i fundit i sures Xhathije. Suret që përfshihen në këtë pjesë të Kur’anit janë: Fusilet, Shura, Zuhruf, Duhan dhe Xhathije.
Në punimin tonë nuk do t’i përmendim me detaje të gjitha tematikat sociologjike të xhuzit, por do të ndalemi në interpretimin e vetëm disa më të spikaturave. Do të përfshijmë kështu hapjen e disa ajeteve, që flasin mbi konstruktin social të unit, lirinë e besimit, etikën e të punuarit në bashkëpunim, menaxhimin e konflikteve, ndjekjen në mënyrë të verbër të paraardhësve, etj.
Surja Fusilet: Konstrukti social i “Vetvetes/Unit” dhe Teoritë e Atribuimit
“E nëse pas të këqijave që e goditën, Ne i japim të mira nga ana Jonë, ai me këmbëngulje do të thotë: ‘Këtë e kam arritur vetë (këtë do ta kem gjithnjë), e nuk mendoj se do të bëhet kiameti, po, edhe nëse do të kthehem te Zoti im, unë tek Ai do ta kem edhe më mirë!”[1]
Në Kur’an dhe në literaturën islame, dukuria e përshkruar nga ky ajet i sures Fusilet ilustrohet me shembuj konkretë të ndryshëm. Tregimi rreth Karunit, i cili jetonte në kohën e profetit Musa dhe zotëronte në mënyrë të përsosur dijet e Teuratit, është njëri prej tyre. Ndërsa përshkruhet tejet i pasur, i fuqishëm dhe i ditur, Karuni ua dedikon aftësive të veta gjithçka që posedon dhe kjo e shtyn atë në një qëndrim arrogant dhe shpërfillës ndaj bashkëkohësve të vet derisa meriton ndëshkimin hyjnor.
Ajeti i mësipërm paraqet gjithashtu një fenomen social që është lehtësisht i dallueshëm në çdo kohë dhe në çdo shoqëri. Shpeshherë njeriu priret drejt qëndrimeve individualiste dhe i ushqen vetes idenë se është i meritueshëm në mënyrë të mëvetësishme kur vjen fjala te sukseset që mund të arrijë. Sociologët dhe psikologët socialë kanë konstatuar disa aspekte interesante të çështjes dhe thonë se njeriu ka tendencën t’ia atribuojë karakteristikave të veta personale arritjet, ndërsa dështimet që pëson i lidh gjithnjë me faktorë të jashtëm, që nuk janë në dorën e tij.
Përkundrazi, kur bëhet fjalë për të tjerët, ai nuk ngurron t’i minimizojë shkaqet e jashtme ndikuese dhe të paragjykojë drejtpërsëdrejti individin që ka përballë për mangësitë e tij të mundshme, apo për humbjet e grupit.
Ç’e do se në të vërtetë ka një sërë faktorësh, që ndikojnë në arritjet personale, apo kolektive të një individi, apo një grupi shoqëror. Shnajder e përkufizon shoqërizimin si procesin e të mësuarit se si të sillesh në mënyrë efektive në grup dhe se si të përshtatesh me një kulturë të caktuar.[2] Prej këtej, bëhet e qartë se individi i përfshirë në shoqëri nuk mund të konsiderohet më gjatë si një strukturë individualiste: ai ndërvepron me njerëzit që e rrethojnë dhe ndan me ta rezultatet e përvojave të përbashkëta.
Surja Shura: Liria e mendimit, besimit dhe ndërgjegjes
“Po sikur të kishte dashur Allahu, do t’i bënte ata (njerëzit) një popull (të një feje), por Ai shtie në mëshirën e Vet atë që do (atë që me vullnetin e vet pranon rrugën e drejtë).”[3]
Thelbi i çështjes islame për lirinë fetare është vizioni i Kur’anit për qenien njeri. Antropologjia e Kur’anit e shikon çdo qenie njerëzore si një krijim të Zotit, të bekuar me intelekt dhe vullnet të lirë. Zoti i krijoi njerëzit “në formën më të mirë” (95:4) dhe duke vepruar kështu e nderoi njerëzimin dhe i dha atij favore të veçanta (17:70). Kur’ani thekson se qeniet njerëzore kanë vlerë dhe dinjitet të qenësishëm. Për më tepër, deklarohet se Zoti i dha njerëzimit intelektin dhe aftësinë për të dalluar midis së mirës dhe së gabuarës (17:15; 6:104).[4]
Është pikërisht liria e mendimit, e cila është pjesë e natyrshmërisë së krijimit të njeriut, që shpall të drejtën e tij për të besuar atë që i duket më e pranueshme dhe përmbushëse e nevojave të veta shpirtërore.
Disa parime mbi zgjedhjet dhe procesin e vendimmarrjes në shoqëri
Ky ajet mendohet se ka zbritur rreth Uelid bin Mugires dhe Shejbe bin Rabias. Ata i patën kërkuar Profetit (a.s.) që të hiqte dorë nga ftesa për në Islam dhe të kthehej në fenë e të parëve, ndërsa në këmbim i patën propozuar gjysmën e pasurisë së Uelidit dhe martesën me vajzën e Shejbes.[6] Ndërkohë, Allahu e urdhëron Profetin që të mos u përshtatet dëshirave të tyre dhe të përqendrohet në atë çka i është urdhëruar.
Nëse do ta shihnim këtë ajet në aspektin e vet sociologjik, ia vlen të përmendim se sociologët dallojnë dy arsye kryesore pse njerëzit rezultojnë në sjellje konformiste, që i shtyjnë të ndryshojnë vendimet e marra. Të dyja kanë lidhje me influencën, apo presionin shoqëror që individi ndjen të ushtrohet mbi të.
Influenca sociale normative përshkruhet si dëshira e personit për ta bërë veten të pranueshëm tek të tjerët. Në këtë rast, individi synon miratimin e një grupi të caktuar, nuk do të duket qesharak përpara tyre dhe kërkon të arrijë një identitet të vetin. Ekziston dhe influenca sociale informative, e cila në ndryshim nga e para vjen pas një procesi të logjikshëm të të menduarit. Tashmë, konformizmi ndodh i motivuar nga fakte bindëse, që i parashtrohen personit: ndryshimi i sjelljes së tij premton një përmirësim të vendimit, apo gjykimit fillestar.[7]
Përmes shembullit të Profetit islam dhe qëndrimit të tij dinjitoz karshi alternativave që i parashtroheshin për të ndryshuar objektivat e tij, njeriu i ditëve të sotme mëson mbi një etikë të vendimmarrjes. Sipas kësaj etike, zgjedhjet e gjithsecilit duhet të kenë një argument më të vlefshëm sesa tekat e një grupi të caktuar njerëzish; ato janë më të rëndësishme sesa një trend i çastit dhe nuk ndryshohen pa qenë nevoja. Po ashtu, së bashku me planifikimin e punëve llogariten dhe përgjegjësit, që lindin syresh, prandaj edhe hapat, që do të hidhen më tej duhet të jenë të mirëmenduara.
Konsultimi përpara marrjes së një vendimi është një praktikë që sa vjen dhe po merr një trajtë të zyrtarizuar në shumë vende pune, në shtete të ndryshme të botës. I njohur si konsultimi etik[9], ai konsiderohet i domosdoshëm për të mbërritur në zgjidhje efikase të problemeve dhe në produktivitet të lartë të punëve. Ky lloj konsultimi zhvillohet me njerëz të fushave të ndryshme, por të tillë, që mund të kontribuojnë përmes përvojave të tyre dhe dhënies së mendimeve. Gjithashtu, ata duhet të jenë dëgjues të mirë, ndërsa vendimi final i takon gjithnjë personit që zgjedh të këshillohet.
Këshillimi në Islam është praktikë e lavdëruar në Kur’an (ensarët janë përgëzuar për shkak të kësaj veçorie në ajetin e mësipërm) dhe metodikë e të gjitha veprimtarive të Profetit dhe shokëve të tij.
Rreth formave dhe kufijve të ndëshkimit, menaxhimi i konflikteve
“Ndëshkimi i së keqes bëhet me një të keqe në të njëjtën masë, e kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është tek All-llahu.”[10]
Në fenë islame, konfliktet janë parë si ngjarje të paevitueshme, përderisa janë pjesë e natyrës njerëzore, por duhet nënvizuar se vëmendja është përqendruar kurdoherë te mendimi se menaxhimi i tyre në një mënyrë të përshtatshme u jep konflikteve një karakter pozitiv. Falë ekzistencës së konfliktit lehtësohet gjetja e zgjidhjes së shumë problemeve, ndërsa nxitet pasurimi me ide dhe debati konstruktiv. Modeli proaktiv në menaxhimin e konflikteve është ndër modelet më të spikatura për zgjidhjen dhe stabilizimin e situatave problematike.[11]
Sipas këtij modeli synohet mënjanimi i përplasjeve të mundshme nëpërmjet një qëndrimi proaktiv. Qasja është e tillë që konsiston në vlerësimin e detajuar të situatës, diagnostikimin e problemit, planifikimin e zgjidhjes dhe veprimin në një mënyrë të institucionalizuar.
Ekzistojnë një sërë sugjerimesh në kuadër të eliminimit të mosmarrëveshjeve në Islam. Duke anuar gjithnjë nga paqja, besimtari nxitet për sjellje të mira dhe etike si një formë parandaluese për keqkuptime dhe gërricje në shoqëri. Të treguarit i durueshëm dhe falës, këshillimi për çështjet që duhen trajtuar me kujdes, të porositurit të njëri-tjetrit veç për mirë[12], pranimi i një pale ndërmjetësuese përgjatë përplasjeve, etj.[13], janë disa kritere që merren në shqyrtim për kapërcimin e gjendjeve të tensionuara.
Nuk duhet lënë jashtë vëmendjes përcaktimi i caktuar, që Islami i bën shpagimit të së keqes. Në këtë pikë, rregulla të forta paralajmërojnë për moskalimin e kufijve, ndërsa është e ndalueshme të supozohet ndreqja e një dëmi nëpërmjet shkaktimit të një dëmi tjetër, qoftë ai i së njëjtës natyrë.[14] Ndëshkimi i së keqes në Islam duhet parë gjithnjë nën prizmin e çuarjes në vend të së drejtës së munguar që cenon harmoninë shoqërore.
Surja Zuhruf: Pasojat negative të mosshqyrtimit të disa zakoneve, apo praktikave
“Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fe dhe vazhdojmë gjurmëve të tyre.”[15]
Në shumë sure të Kur’anit përmendet se ndër arsyet kryesore, që popuj të ndryshëm kanë refuzuar t’i ndjekin profetët e dërguar nga Zoti është pretendimi se të parët e tyre u kanë lënë një rrugë nëpër të cilën të vazhdojnë. Kështu, ata refuzojnë të ndryshojnë diçka në mënyrën se si jetojnë, mendojnë dhe besojnë.
Faktikisht, është mëse e kuptueshme se një arsye e tillë është krejt e pabazë dhe bëhet pengesë për progresin vetjak të individit, po aq sa për zhvillimin e gjithë shoqërisë njerëzore. Nëse me kalimin e viteve nuk rishikohen planet e punës, mënyra e jetesës, apo funksionaliteti i ideologjive rrezikohet rënia në pasivitet e në paralizim të ideve. Njerëzit do të ktheheshin në makina automatike, që nuk gjenerojnë mendime, emocione dhe qëndrime të reja.
Krahas kësaj, duhet mbajtur parasysh se me kohën mund të lindë nevoja për korrigjimin e disa zbatimeve, që për arsye të caktuara janë vënë në jetë në të shkuarën e afërt ose të largët. Nga pikëpamja sociologjike, çdo periudhë dhe çdo shoqëri ka tiparet e veta sociale dhe strukturën e vet shoqërore, e cila ndryshon nga njëri brez në tjetrin, pasi shoqëria është pjesë e një zhvillimi të pandalshëm. Jo çdo gjë e vepruar në të shkuarën është korrekte e vëzhguar me tejqyrën e ditëve të mëvonshme.
Si shembull, le të marrim specifikisht rastin e fshatit Mananxhari në Madagaskar. Në shekullin e XXI-të, falë një tabuje shumë shekullore, të lindurit binjakë konsiderohen ende si një mallkim dhe një fat i keq. Besëtytnia bazohet në një legjendë të transmetuar nga brezi në brez, e cila tregon se gjatë një sulmi të kryer mbi fisin në fjalë, banorët ishin larguar, por mbretëresha e tyre kishte harruar në fshat njërin nga binjakët. Ushtarët ishin kthyer ta gjenin fëmijën dhe ishin ekzekutuar që të gjithë. Që atëherë thuhet se pleqtë e fshatit i mallkuan binjakët dhe për këtë shkak nënat u ndaluan të rrisnin fëmijë të tillë. Ndërsa sot binjakët nuk janë më një mister për gjenetikën, në ishull respektohet tradita e të parëve: Ata nuk kanë vdekur dhe veç atyre u takon e drejta e ndryshimit të ligjit për binjakët(!) Kështu, banorët e zonës vazhdojnë t’i braktisin këta fëmijë në mëshirë të fatit dhe nuk reagojnë ndaj fushatave sensibilizuese.[16]
Realizimi i punëve në grup
“Përse të mos i ketë zbritur ky Kur’an një njeriu të madh nga dy qytete?… Ne kemi dalluar disa në shkallë më të lartë se të tjerët, që të shfrytëzojnë njëri-tjetrin për shërbime.”[17]
Transmetohet se për shpalljen e ajetit 31 shkak kanë qenë fjalët e disa liderëve të Mekës dhe Taifit që pretendonin se nëse profetësia do të ishte realitet, ajo do të ishte e paracaktuar për njërin prej tyre.[18] Përgjigja e dhënë nga Kur’ani për këtë logjikë hedh dritë edhe mbi pikat historike të ndryshimit shoqëror dhe moral që synon Islami: Allahu jep bekimet, që janë të vlefshme në botë si një provë; ndërsa profetësia është për ata që zgjedh për shkak të meritave të tyre superiore, dhe kjo përzgjedhje është shumë më e mirë se fisnikëria, pasuria dhe fuqia që zotërojnë paria mekase, apo thekifase.[19]
Në ajetin vijues, përforcohet kuptimi i ajetit të parë: Gradat, disnivelet në status social dhe ekonomik nuk shërbejnë veçse si një mënyrë për të bashkëpunuar në grup. Dikush vendoset në pozicionin e drejtuesit, kurse një tjetër në atë të nëpunësit. Mes të dyve nuk ka ndonjë dallim që nis së këndejmi, sepse primare është që të realizohen objektivat e paracaktuara dhe secili person është si një aktor dhe një komponent i pazëvendësueshëm i së tërës. Përshkallëzimi nuk është bërë që njerëzit të sillen eprorë ndaj njëri-tjetrit dhe kjo është një çështje e sqaruar mjaft mirë në ajetet kur’anore dhe në hadithet profetike.
Për këtë, në një hadith të regjistruar nga Buhariu, Profeti (a.s.) ka thënë: “Skllevërit tuaj janë vëllezërit tuaj mbi të cilët Allahu ju ka dhënë autorizim. Pra, nëse dikush ka vëllezërit e tij nën kontrollin e tij, duhet t’i ushqejë ata me atë që ha dhe t’i veshë me atë që vesh. Ju nuk duhet t’i mbingarkoni ata me ato që nuk mund të durojnë, dhe nëse e bëni këtë, ndihmojini ata (në punën e tyre të vështirë).”[20]
Edhe në marrëdhëniet e sotme punëdhënës-punëmarrës të dyja palët ofrojnë secila shërbimin e vet dhe në varësi të tij marrin përfitimet e tyre.
Mbyllje
Si përfundim, xhuzi i njëzet e pestë i Kur’anit shtjellon çështje sociologjike tepër të rëndësishme dhe hap dritare të reja në të kuptuarit e Islamit dhe të njeriut, si një qenie sociale, që i përket një shoqërie të cilën hera-herës e modelon dhe shumë herë të tjera modelohet prej saj. Ai ofron një dimension të veçantë të sjelljeve njerëzore, të cilat janë në kufijtë ku puqen me njëra-tjetrën sociologjia dhe psikologjia sociale.
Ndërsa na tregon historitë e popujve të shkuar dhe ditëve të para të Islamit, në të njëjtën kohë Kur’ani duket sikur na flet për ditët e sotme dhe mënyrën se si funksionon shoqëria e shekullit të XXI-të. Aktualiteti i prezantuar përmes ajeteve kur’anore gjen vend vazhdimisht në botimet, konferencat, seminaret dhe kërkimet shkencore të organizuara në emër të sociologjisë.
Një punim më i detajuar do të zbulonte të tjera këndvështrime, të tjera lidhje mes ajeteve kur’anore dhe shkencave sociale që studiohen sot prej shumëkujt.
Referenca
Çetiner Prof. Dr. Bedreddin, (2002). Fatiha’dan Nas’a: Esbab-ı nüzul Kur’an Ayetlerinin İniş Sebepleri. Çağrı Yayıları. İstanbul.
Artikuj
Helmy, Sh., Labib, A., & AbouKahf, A., (2014). The Impact of Islamic values on interpersonal relationship conflict management in Egyptian business organizations “an applied study”. Procedia – Social and Behavioral Sciences 143 1090 – 1110.
Yeh, C. J., & Hunter, C. D. (2004). The socialization of self: Understanding shifting and multiple selves across cultures. In R. T. Carter (Ed.), Handbook of racial-cultural psychology (Vol. 1). John Wiley: New York.
Webliografi
https://www.abc.net.au.
https://www.Kur’an-index.com.
https://sunnah.com.
https://Kur’an.diyanet.gov.tr.
https://www.seckin.com.tr.
https://www.socialworker.com/feature-articles/ethics-articles.
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pmc/articles/PMC4718651.
[1]. https://www.Kur’an-index.com, (16.01.2021). Kur’an, Fussilet 41:50, përkthimi i Sherif Ahmetit.
[2]. Yeh, C. J., & Hunter, C. D. (2004). The socialization of self: Understanding shifting and multiple selves across cultures. In R. T. Carter (Ed.), Handbook of racial-cultural psychology (Vol. 1, pp. 78-93). John Wiley: New York.
[3]. https://www.Kur’an-index.com. Kur’an, Shura 42:8.
[4]. https://www.abc.net.au/religion/religious-freedom-in-islam/10419798 (23.01.2021).
[5]. Kur’an, Shura 42:15.
[6]. Çetiner Prof. Dr. Bedreddin, (2002). Fatiha’dan Nas’a: Esbab-ı nüzul Kur’an Ayetlerinin İniş Sebepleri (s.775). Çağrı Yayıları. İstanbul.
[7]. https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pmc/articles/PMC4718651 (20.01.2021).
[8]. Kur’an, Shura 42:38.
[9]. Për më tepër shih: https://www.socialworker.com/feature-articles/ethics-articles/ethics-alive-using-ethics-consultation-what-why-when-who-how.
[10]. Kur’an, Shura 42:40.
[11]. Helmy, Sh., Labib, A., & AbouKahf, A., (2014). The Impact of Islamic values on interpersonal relationship conflict management in Egyptian business organizations “an applied study”. Procedia – Social and Behavioral Sciences 143 1090 – 1110.
[12]. Kur’an, sure Asr.
[13]. Kur’an, sure Huxhurat.
[14]. Shih: Mecelle: 19 (https://www.seckin.com.tr/kitap/894775766) (21.01.2021).
[15]. Kur’an, Zuhruf 43:22.
[16]. https://politheor.net/the-devils-duplicates-the-trouble-twins-of-madagascar (17.01.2021)
[17]. Kur’an, Zuhruf 43:31-32.
[18]. Çetiner Prof. Dr. Bedreddin. (s.782).
[19]. https://Kur’an.diyanet.gov.tr/tefsir/Zuhruf-suresi/4354/29-32-ayet-tefsiri (22.01.2021.).
[20]. Sahih al-Bukhari 2545. https://sunnah.com/bukhari/49/29 (22.01.2021.).
Dec 23, 2015 0
Oct 20, 2015 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...