Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Sep 18, 2022 Zani i Nalte Abstraktet 0
1. Marrëdhëniet sociale nga perspektiva e Sunetit
Prof. Dr. Faredin Ebibi, Fakulteti i Shkencave Islame, Shkup
Interesimi për çështje sociale dhe studimi i fenomeneve shoqërore, siç është sociologjia, është shkencë më vete e cila zanafillën dhe burimet e veta i ka që me zhvillimin e vazhdueshëm të jetës shoqërore.
Ndërtimi i familjes mbi baza edukative të shëndosha, të kuptuarit e problemeve me të cilat çiftet bashkëshortore ballafaqohen në fazën e formimit, problemet e edukimit pas ardhjes së fëmijëve në këtë botë, studimi i dukurive të sjelljeve, i manifestimeve fetare, i kulturave të besimeve dhe të ideve, të klasave sociale dhe etnike, siç kërkon vetëdije, përkushtim dhe njohuri se si duhen menaxhuar proceset, po ashtu kërkon njohje të segmenteve delikate.
Shumica e studimeve sociale konfirmojnë faktin se njeriu, nga vetë natyra, është shoqëror dhe instinktivisht tenton të integrohet me anëtarët e llojit të tij. Nevoja vetë kushtëzon që ai të merret me njerëzit dhe të bashkëpunojë me ta, për arritjen e interesave e synimeve të tij si dhe për t’i përmbushur nevojat e veta nga ata dhe anasjelltas.
Sociologjia si shkencë merret me studimin e marrëdhënieve shoqërore në nivel të individëve, të grupeve apo të institucioneve vetëm nga këndvështrimi ose nga aspekti i arritjes ose ngopjes së interesave të kësaj bote.
Sa i përket ligjit (sheriatit) islam, ai bën dallim, sepse bën lidhjen e marrëdhënieve shoqërore të kësaj bote me shpërblimin ose ndëshkimin e botës së përtejme, duke vendosur një sërë kontrollesh dhe kornizash që kontribuojnë në ndërtimin e duhur të këtyre raporteve. Respektimi i këtyre kontrolleve i forcon radhët e besimtarëve dhe e mbron shoqërinë nga përçarja dhe copëtimi. Ky tekst përpiqet t’i hedhë një vështrim rëndësisë së marrëdhënieve ose të raporteve të mira shoqërore në Islam dhe pasojat si rezultat i mos përmbushjes së detyrave.
2. XHAMIA – Vendi më meritor për adhurimin e Allahut të Lartësuar
Resul Rexhepi, Prishtinë
Në Islam, xhamitë kanë një vend veçanërisht të spikatur. Vetë emri, i cili në burimet dhe traditën islame, përdoret si sinonim i një xhamie, “Bejtullah”, që do të thotë “Shtëpi e Allahut”, flet shumë për rolin dhe rëndësinë e xhamisë në jetën e besimtarëve myslimanë. Myslimani është i lidhur ngushtë me xhaminë që nga fëmijëria e tij e hershme, kur shkon në xhami, në mejtep, për mësime e udhëzime fetare dhe për të marrë njohuritë e para të fesë, moralit dhe mirësjelljes. Kjo lidhje do të duhej të ngelte e përhershme, edhe kur ai të rritet si personalitet, sepse Islami i rekomandon pasuesve të tij që të shkojnë në xhami vazhdimisht çdo ditë gjatë gjithë jetës së tyre për të kryer ibadete (adhurime) në xhemat, pasi namazet e falura në xhemat janë shumë më të vlefshme nga ato të kryera individualisht.
Gjithashtu, tubimet më të mëdha myslimane, siç është falja e namazeve të Xhumasë dhe Bajrameve, kryhen në xhami, madje, edhe disa ngjarje shumë të rëndësishme në jetën e myslimanëve, janë të lidhura ngushtë me xhaminë; aty lexohet Kur’an, bëhet mevlud, tregohet vazi-nasihat (ligjëratë, këshillë), shënohen netët e mira dhe festat tjera islame, etj. Dhe kur një mysliman vdes, ai përsëri është i lidhur me xhaminë, sepse, kryesisht, në haremin e xhamisë ose para xhamisë, bëhet falja e namazit të xhenazes, e cila është kalimi me dinjitet i njeriut nga kjo botë. Me një fjalë, myslimani e organizon jetën e tij në mënyrë të tillë që të jetë në kontakt të ngushtë me xhaminë.
Prandaj, me të drejtë është vlerësuar se xhamitë janë faltoret më të mëdha myslimane po njëkohësisht edhe mësonjëtoret e para dhe më të vjetra islame dhe qendrat më të rëndësishme kulturo-arsimore.
Ky punim synon të kujtojë lexuesit e nderuar për rëndësinë dhe rolin e xhamive dhe xhematëve në jetën e myslimanëve, elementeve që përbëjnë xhaminë, qëndrimin tonë ndaj tyre, etj.
3. Mrekullia e Kur’anit Famëlartë në dritën e njohurive të reja shkencore
Prim. dr. med. sc. Ali F. Iljazi
Para 14 shekujve, Kur’ani Famëmadh, i shpallur nga Allahu i Madhërishëm nëpërmjet të Dërguarit, Muhamedit a.s., i cili jetoi në Gadishullin Arabik në kohën kur arabët, për të njehsuar kohën, përdornin kalendarin hënor, u drejtohet në gjuhën që ata kuptonin:
“Ai e bëri diellin shndritës, e hënën dritë dhe asaj (hënës) ia caktoi fazat, që ta dini numrin e viteve dhe llogarinë. Allahu nuk krijoi këtë për tjetër, pos me qëllim të caktuar Ai ia sqaron argumentet një populli që kupton.” Junus, 5.
Allahu i Gjithëdijshëm, në diturinë e Tij të përhershme, e ka ditur se do të vijë koha kur shkencëtarët do t’i zbulojnë këto fakte dhe atëherë do të kuptojnë se Kur’ani është prijatar i shkencës, ndërsa Muhamedi (a.s.) është vula e profetëve të Tij.
Prandaj saktësia dhe vërtetësia e Kur’anit Famëmadh është garantuar nga Allahu i Gjithëdijshëm për çdo vend, për çdo kohë, epokë dhe brez:
“Ne do t’u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre derisa t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?!” Fussilet, 53.
4. Vakëfi midis së shkuarës dhe së ardhmes
Edison Hoti, Drejtoria e Vakfit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë
Vakëfi luan një rol shumë të rëndësishëm në shoqëritë myslimane. Ai ka qenë burimi kryesor për shërbimet e ndryshme publike të ofruara për komunitetet besimtare por edhe më gjerë.
Tradicionalisht, krijimi i vakëfeve është ngulitur në kulturën e myslimanëve dhe është e përfshirë në të gjitha sferat e jetës. Vakëfi gjithashtu ka kontribuar në shërbim të njeriut në fusha të ndryshme të zhvillimit, siç ishin ndërtimi i objekteve të kultit, formimi i institucioneve arsimore, infrastrukturë, mjekësi, etj. Megjithatë, në kohët moderne, vakëfi ka parë një rol në rënie, pothuajse në të gjitha vendet myslimane. Fenomen i cili ngre një numër pyetjesh se çfarë faktorësh çuan në këtë rënie, duke theksuar kështu njëkohësisht arsyet e rënies së tij dhe nevojën për reformim.
Studimet konstatojnë se, transparenca me fondet është elementi kryesor në shtimin vakëfeve të reja. Është dinamika më jetësore e vakëfit. Nëse kjo mungon nuk mund të presim ndonjë rezultat domethënës, sado të mëdha qofshin përpjekjet.
Riformulimi i mënyrës së menaxhimit të vakëfeve dhe hartimi i një rrjeti të integruar, që studion problemet që hasen në praktikën e kohëve moderne në të cilat jemi, është gjithashtu element kryesor në zhvillimin e vakëfeve.
Planifikimi dhe udhëzimi legjislativ i vakëfit, padyshim është dinamika kryesore që tregon perspektivën dhe horizontin e zhvillimit të vakëfit, në varësi të natyrës së tij dhe kushteve me të cilat përbëhet ai vakëf.
Studimi arrin në përfundimin se kur myslimanët përkushtohen më tepër në praktikat vakëfnore, duke ecur me transparencë në organizmin e vakëfeve dhe fondeve që kanë të bëjnë me praktikat vakëfnore, njëkohësisht duke rritur interesimin në formimin e vakëfeve të reja, atëherë vërtetë mund të flasim për një ringjallje reale të praktikës së vakëfit. Vakëfi fiton vlerën e tij të munguar në shoqërinë myslimane, duke iu kthyer shërbimin e duhur atyre zërave të cilët përfitojnë nga vakëfi, duke u bërë kështu një magnet tërheqës i Mëshirës së Zotit mes njerëzve.
5. Bediuzzaman Said Nursi
Mrekullia e kohës I
Dorian Demetja, Drejtoria e Kulturës – Komuniteti Mysliman i Shqipërisë
Bediuzzaman Said Nursi ishte dijetar i një kalibri të lartë me origjinë kurde, lindur më 1878 në Turqinë Lindore. Ai jetoi në dekadat e fundit të Perandorisë Osmane, përjetoi rrëzimin dhe copëtimin e saj pas Luftës së Parë Botërore, si dhe jetoi edhe 37 vjet pas formimit të Republikës Turke më 1923. Të qenët gjatë gjithë jetës dhe misionit të tij si një person me gradë të lartë shpirtërore, ishte rezultat i të vepruarit në përputhje me Kur’anin e Sunetin, si dhe të respektimit të arsyes e logjikës. Ai i qëndroi besnik kauzës së tij me aq fisnikëri, saqë nuk kërkonte asgjë tjetër, përveç mundësisë për të plotësuar nevojat minimale për mbijetesë. Shumë botime dhe konferenca i janë kushtuar cilësive të dallueshme të Bediuzzamanit, si devotshmëria ndaj idealeve të larta, perceptimi i tij i thellë për botën e sotme, thjeshtësia, humanizmi gjithëpërfshirës, besnikëria ndaj shokëve të tij, dëlirësia, modestia, përulësia dhe mjaftueshmëria me pak.
Bediuzzaman Said Nursi gjatë gjithë jetës është ndeshur me sprova nga më të vështirat, kjo për arsye se ai u ballafaqua dhe u përpoq të ndeshej me anarkinë, e cila bazohej në mosbesim dhe ateizëm, duke e përkufizuar atë si problemin më domethënës që kishte nevojë të zgjidhej urgjentisht. Ai jetoi në një kohë, kur një pjesë e mirë e njerëzimit ishte zhytur në ateizëm, për shkak të abuzimit me shkencën e filozofinë, dhe kur truri shpëlahej me komunizëm. Ai urrente mosbesimin, tiraninë dhe largimin nga feja, ndaj edhe luftoi fort kundër despotizmit. Ai thotë: “Para meje është një zjarr i madh. Flakët e tij po arrijnë në kupë të qiellit. Në atë zjarr po më digjet fëmija im, besimi më ka marrë flakë. Po vrapoj që ta shuaj atë zjarr dhe të shpëtoj besimin. Dikush ma pengon këmbën në rrugë, ç’rëndeësi ka? Përballë këtij zjarri të madh, a ka vlerë kjo ngjarje e vogël?! Mendime të cunguara! Pikëpamje të ngushta!…”
Bediuzzamani analizoi tre faktorë madhorë që kishin të bënin me thelbin e problemeve të atëhershme, por që mbetën të tillë edhe në kohën tonë: Injoranca në sensin e indiferencës ndaj Zotit dhe Profetit, varfëria dhe përçarja shoqërore. Bediuzzaman ia kushtoi jetën luftës ndaj këtij virusi fatal. Në syrin e tij, shpresa e shpëtimit për umetin do të ishte e kotë, përderisa ideologjitë e rreme e të devijuara do të mbizotëronin dhe derisa shoqëria të mos ndriçohej me dritën e të mësuarit, dijes dhe mendimit sistematik. Ai i frymëzoi brezat e rinj me sihariqin e rilindjes dhe i udhëhoqi ata drejt shtigjeve që të shpinin te mendimi islam. Ai gjithmonë i referohej dijes dhe aktivizimit të mendjes, punonte shumë për lindjen e një shoqërie të përsosur e të shëndoshë. Për arritjen e një ideali të tillë, Bediuzzamani mendonte se edukimi përbënte udhërrëfyesin kryesor, tek i cili do të përfshiheshin xhamitë, shkollat, garnizonet, rrugët, këndet e lojërave, madje edhe burgjet.
Bediuzzamani shkroi shumë libra, por në fokus ishin veprat e titulluara “Risale-i Nur” (Mesazhet e Dritës). Ato janë fryt i përpjekjeve serioze, të cilat shpjegojnë dhe i paraqesin njeriut të sotëm parimet bazë të besimit dhe të vërtetat e Kur’anit. Vetë Bediuzzamani në një ligjëratë u shpreh: “Tani unë e shoh qartë se pjesa më e madhe e jetës sime është komanduar e drejtuar jashtë aftësisë së perceptimit tim, që do të nxirrte këto mesazhe për t’i shërbyer çështjes së Kur’anit, thua se e gjithë jeta ime si studiues, të kishte kaluar në parapërgatitjen për këto shkrime, të cilat demonstrojnë mrekullinë e Kur’anit.”
Në shekujt e XIX-të dhe XX-të, sulmet ndaj themeleve të besimit të ndërmarra nga materialistët, ateistët e të tjerët, në emër të shkencës e progresit, e bënë Bediuzzamanin që të kuptonte nevojën urgjente e themelore, e cila konsistonte në ruajtjen dhe forcimin e besimit. Metoda e tij analizon besimin e mosbesimin dhe demonstron përmes argumenteve të qarta logjike se, duke ndjekur metodën e Kur’anit, jo vetëm që është e mundur t’i provosh në mënyrë të arsyeshme të gjitha të vërtetat e besimit, por demonstron gjithashtu, se këto të vërteta kanë të vetmin shpjegim racional për ekzistencën, njeriun dhe universin. Me këtë metodë që zhvilloi, Bediuzzamani i shpjegoi të vërtetat e besimit me një gjuhë që mund të kuptohet nga njerëzit e të gjitha shtresave, duke paraqitur unitetin e mendjes, zemrës dhe ndjenjave. Kështu, duke ndërthurur teologjinë, misticizmin dhe shkencat pozitive, ai paraqiti një perspektivë krejt të re dhe synoi të eliminonte ndarjen e shkollës, medresesë dhe teqesë. Veprat e tij janë lexuar vazhdimisht me mjaft kujdes, me ndjenja të sinqerta vlerësimi dhe do të vazhdojnë të jenë të një rëndësie të veçantë sa më shumë që kalon koha.
Bediuzzamani besoi se burimi, shkaku i problemeve të njeriut në kohën e sotme me të cilat përballej bota islame, do të mund të kurohej, në mënyrë të veçantë, vetëm nëpërmjet përtëritjes së besimit. Kështu, Bediuzzamani u ktheu shpinën politikave të kohës dhe ia kushtoi të gjithë përpjekjen e tij këtij qëllimi. Me njohjen e thellë të shkencave fetare dhe moderne, rruga e re për tek e vërteta, që Bediuzzamani hapi me veprat e “Risale-i Nurit”, ishte aq e suksesshme në ruajtjen dhe forcimin e besimit, saqë ai u pranua nga shumë personalitete të ishte ripërtëritësi i fesë, premtuar nga Profeti Muhamed (a.s.) se do të vinte në çdo shekull në hadithin e mirënjohur: “Pa dyshim që Allahu do t’i dërgojë këtij umeti në çdo fillim shekulli një muxheddid, i cili do të ripërtërijë çështjet e fesë.”
6. Gjumi si argument
Blerim Lazimi
Nga argumentet e besimit, që Allahu i sjell dhe ia numëron njeriut në tekstin e Fjalës së Tij të Lartë, është edhe gjumi. Meqë gjumi është përmendur në Kur’an si argument (nën hijen e termit “ajet”), atëherë besimtari dhe kushdo tjetër, pa mospërfillje e indiferencë, mund të nxjerrë mësimet e duhura, shumë të rëndësishme për jetën. Në këtë kontekst është mjaft i qartë Allahu në Kur’an: “Allahu nuk ngurron që të marrë çfarëdo shembulli, qoftë mushkonjë a diçka edhe më e imët se ajo. Për sa u përket atyre që besuan, ata e dinë se ai (shembull) është i vërtetë nga Zoti i tyre, ndërsa ata të cilët mohuan do të thonë: “Ç’deshi Allahu me këtë si shembull?” Ai me të humb shumë, e po me të udhëzon në rrugën e drejtë shumë, po me përjashtim të atyre që janë jashtë rrugës, Ai me të nuk humb tjetër.” Kur’an (2/26) Ndërsa, Bediuzaman Said Nursi, falë urtësisë së dhuruar nga Krijuesi, na orienton si ta lexojmë krijimin e Allahut dhe si t’i drejtkuptojmë ajetet e Kur’anit. Si një mësues i shkëlqyer, Bediuzamani na shpjegon në formën e një parimi se çdo gjë e krijuar nga Allahu shfaqet në tri fytyra. Njëra nga fytyrat shikon dhe të përcjell tek Emrat e Bukur Hyjnorë. Tjetra fytyrë të fton në zbulimin e së vërtetës së përjetësisë. Dhe fytyra e tretë, e cila shikon me sytë e nefsit (ego-s), të shoqëron në përkohshmërinë, pasigurinë, dyzimet dhe tekat e jetës tokësore. Ashtu si për çdo krijesë të Allahut, ky parim i Bediuzamanit na mëson se nëpërmjet dritës kur’anore t’ia shikojmë edhe “gjumit” tri fytyrat. Dhe, më tej, të lexojmë në to mesazhin e besimit në Allahun dhe në Ahiret (Botën Tjetër). Kjo është metodika e të kuptuarit të gjuhës së krijimit, me të cilën na udhëzon Allahu që në ajetin e parë të shpallur nga Kur’ani “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë)!” Kur’an (96/1)
7. “Prodhimi i fëmijëve”
Perspektiva biologjike, ekonomike, psikologjike, sociale dhe islame
Skënder Mustafi – Jusuf Zimeri
Shoqëria njerëzore po përballet me një rrjedhë të zhvillimeve të reja mjekësore, të cilat kanë zënë rrënjë në shoqërinë moderne dekadën e kaluar, por që tani kanë marrë hov në zhvillim. Ndër më të diskutuarat dhe më kontradiktoret nga ato është ajo e “nënës barrëmbajtëse” ose “nënës zëvendësuese”. Është fjala për mbjelljen e vezores së fekonduar te një nënë e cila mban barrën e shtatzënisë në këmbim të të mirave materiale ose si një akt human e vullnetar për të gëzuar të tjerët me fëmijë. Kjo çështje është e diskutueshme në nivel shoqëror, etiko-moral, së drejtës dhe ekonomik. Gjithashtu është vlerësuar dhe klasifikuar edhe sipas parimeve të ndryshme fetare.
Ky hulumtim merr për bazë kryesisht burimet dytësore të informacioneve, që është literatura dhe hulumtimet e dorës së parë, si dhe publikimet e përvojave të nënave barrëmbajtëse. Nga këto dy lloj faktesh bëhet një analizë shkencore dhe arrihen konkluzione në të pesta perspektivat.
Nga hulumtimi mund të shihet qartë se kemi të bëjmë me një trend të ri në shoqërinë moderne, i cili tanimë ka marr hapat e parë dhe është duke u zhvilluar me hov të madh. Tanimë kanë zënë fill format e para të modeleve të biznesit ku ka filluar formimi i formave të para të ndërlidhjes së konsumatorëve me prodhueset dhe ndërmjetësuesit. Gjithashtu kuptohet se shtresa e pasur dhe së fundi shtresa e mesme shoqërore janë konsumues, ndërsa ajo e varfër është prodhuese. Së fundmi, nëpërmjet hulumtimit mund të shihen edhe pasojat e para në nivel psikologjik të nënave barrëmbajtëse dhe atë social të grupeve të ndryshme shoqërore. Me fjalë të tjera, zhvillimi i termit të familjes ka kaluar edhe një hap më para. Duhet theksuar gjithashtu se hulumtimi nuk merr parasysh vlerësimet etiko-morale për shkak të përmasave dhe kornizave hulumtuese. Megjithatë është bërë hulumtim dhe vlerësim në bazë të parimeve islame, meqë jurisprudenca islame ndalon rolin e nënës barrëmbajtëse dhe shumicën e llojeve të fekondimeve artificiale.
8. Sfidat me të cilat përballen familjet myslimane në shoqërinë bashkëkohore
Msc. Ledian Cikalleshi, Myftinia Korçë
Në periudhën moderne dhe post-moderne bashkëkohore familja myslimane përballet me mjaft sfida, të cilat ia vështirësojnë jetesën e fesë me këshillat klasike, duke e kthyer jetesën si myslimanë në një sfidë. Zhvillimi i teknologjisë, shkencës dhe ndryshimit të kushteve të jetesës në krahasim me 50 apo 100 vite me parë, madje edhe të 10 viteve më parë, vazhdimisht ngre pikëpyetje dhe diskutime se si duhet të jetë qëndrimi i Islamit dhe si do përshtatemi me kushtet e reja, pa cenuar principet e fesë. Në familje sfida kryesore mbetet formimi i saj, që nga gjetja e bashkëshortit dhe bashkëshortes, martesa, mbajtja e mbulesës nëpër shkolla, vende pune dhe institucione, edukimi fetar nëpër shkolla, shkollat me edukim të përzierë djem dhe vajza, televizioni dhe edukimi i fëmijëve, ushqimet hallall dhe konsumimi i produkteve sipas kritereve islame, komunikimi nëpërmjet rrjeteve sociale, etj. Këto janë disa nga sfidat, me të cilat përballet një familje myslimane për të ruajtur besimin dhe balancat e fesë. Për këto probleme janë dhënë disa zgjidhje apo fetva, por që mbeten të pamjaftueshme për të zgjidhur problemet, pasi dinamizmi i jetës post-moderne bën që disa fenomene të mos njihen që në fillim për pasojat negative që mund të përmbajnë. Synimi i këtij studimi është të identifikojë dhe të hedhë dritë mbi këto sfida, me të cilat përballet familja myslimane në shoqërinë bashkëkohore, në botë në përgjithësi dhe në Shqipëri në veçanti.
Fjalët kyçe: modernizmi, teknologjia, familja, edukimi fetar, ushqimi hallall, mbulesa.
9- Vdekja e bardhë: Ibn ‘Arabiu rreth sprovave e virtyteve të urisë dhe agjërimit
Atif Khalil, Universiteti i Lethbridge, Kanada
Ky artikull paraqet një analizë të trajtimit të agjërimit dhe urisë nga Ibn ‘Arabiu (vd. 1240) në krerët 106 e 107 të kryeveprës së tij El-Futuhatu ‘l-mekkijje (“Hapjet mekase”). Në shqyrtimin e kësaj pjese të shkurtër të tekstit enciklopedik, sprova nxjerr në pah domethënien e thellë teologjike të urisë dhe agjërimit, duke theksuar virtytet dhe takëmet e mundit shpirtëror në mendimin e mistikut andaluzian. Gjithashtu, bëhet përpjekje për t’i venduar disa ide të Ibn ‘Arabiut në kontekstin e gjerë të traditës sufiste të hershme, të cilën ai e trashëgoi.
10- Recencë romanit “Baladë muhaxhire” me autor Nimon Muçaj
Drejt një kuptimi
Ma. sc. Refik Gërbeshi
I shkruar për tri vite 2016-2019 i qaset me mjeshtri të rrallë periudhës Muhaxhire të viteve 1876 të periudhës së para Lidhjes së Prizrenit dhe asaj të viteve 1910, duke kthyer për afër gjysmë shekulli në kërkim të varrezave të të parëve. E veçanta e këtij romani është ngase ngjarjet, e personazhet i paraqet ashtu siç janë në realitet, pa fshehur elementin islam dhe ndikimin e hoxhës xhamisë dhe Islamit. Në detaje përshkruhen ato kohë të dëbimit të shqiptarëve me dhunë nga trojet e Prokuples, Nishit dhe Korshumlisë dhe përkujtimet e atyre ngjarjeve nëpër rrugët e Stambollit, Izmirit, Adanasë. Deri te dëshira për të gjetur të gjallë dikë nga të mbeturit në atdhe, sidomos nënën e verbër nga e cila e ndau llahtaria e Luftërave Ballkanike. Personazhi me identitet të përzier Elez Gërguri, një djalosh pa familje i quajtur Muhaxhiri, Arnauti, etj., i shoqëruar me shkrimin Osman me shkronja shqip të Alfabeteve të hoxhallarëve si Hoxha Hasan Tahsini, sikur na sinjalizon se shumë të vërteta fshihen në këto shkrime. Në këtë roman autori përmend figura të pushkës e penës, që është obligim i yni t’i ndriçojmë. Nën hijen e ngjarjes Muhaxhirije ecën nëpër kohët e vështira të migrimit të dhunshëm të shqiptarëve nga viset e Nishit të lashtë shqiptar drejt Luginës, Kosovës, Kumanovës e Shkupit deri në Stamboll, Izmir e Adana. Për të rikthyer në kujtesë identitetin, duke kërkuar varret e të parëve Ai vjen për të gjetur varrin dhe gjurmët e identitetit.
11- Vexhi Buharaja (1920-1987)
Vexhi Buharaja ishte një figurë e shquar në shumë fusha, një intelektual i veçantë në Shqipëri, atdhetar, njohës i dhjetë gjuhëve kryesore Lindore e Perëndimore.
Ai zotëronte në mënyrë të shkëlqyer gjuhët klasike të Lindjes islame: arabishten, persishten dhe osmanishten së bashku me turqishten e re. Zotëronte gjithashtu gjuhët kryesore të Perëndimit: anglishten, gjermanishten, frëngjishten dhe italishten. Pas vitit 1966, kur filloi punën në Institutin e Historisë si bashkëpunëtor shkencor, përvetësoi edhe rusishten.
Ky njeri i madh, poet, përkthyes, shkrimtar, historian, orientalist, studiues, hulumtues, u pranua në punë si mësues dhe u bëri ballë të gjitha vështirësive, meqenëse ishte një njeri i “padëshiruar” nga sistemi komunist. Në vitin 1965 e pranuan në Sektorin e Historisë së Mesjetës, pranë Institutit të Historisë në Tiranë. Vexhi Buharaja me punën e tij hulumtuese, kërkimore shkencore dha rezultate madhështore. Puna që bëri në Institutin e Historisë i zbuloi shumë fshehtësi Shqipërisë. Vexhi Buharaja me punën e tij këmbëngulëse, kërkimore, studiuese, hulumtuese, sistemuese, mblodhi, përktheu në shqip, transkriptoi rreth treqind mbishkrime turko-osmano-arabe, me vlerë të madhe.
12- Pse duhet te jemi fetar II
(vijon nga numri i kaluar)
Kur-ani âsht nji vepër e denjë për ç’do respekt. Kur-ani i ka njoftue njerzís tagrin e Zotit; ja shkoqitë qartaz njeriut marëdhaniet që ka me Perëndín dhe ç’duhet të pres prej Tij. Kur-ani mbështiell krejt bazat morale e filozofike. Virtuti e vesi, e mira dhe e keqja, e vërteta dhe ngjyra e vërtetë e ç’do sendi âsht spjegue në Kur-an…
Kur-ani âsht ai qi disa thërmija grindavecësh të bastardhuëm e të degjeneruem i lidhi ngusht dhe i bashkoj në nji tansi Kombëtare që kishte të bâjë me fatin e botës. Themelet e urtís e të filosofis, drejtsija e barasija, janë spjegue në Kur-an.
Kur-ani këshillon e porosit kursim dhe shpenxime me masë; Aj nxjerr në dritë njerin që ka humbë rrugën. Aj shpëton moralin. Kur-ani të mêtat dhe gabimet e njeriut i ndryshon dhe i këmben në vërtyte të larta e të përsoruna.
Kanë qenë të marrë ata që Islamizmës i kanë thanë fè barbare. Këta njerëz i kanë mbyllë sytë përpara Kur-anit, dhe s’kan dasht të kuptojnë se si ky libër i naltë qysh prej shumë shekujsh po shkul e po resitë nga zemrat e njerzvet veset e liga.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...