Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 30, 2022 Zani i Nalte Sociologji 0
nga Ledian Cikalleshi
Në periudhën moderne dhe post-moderne bashkëkohore familja myslimane përballet me mjaft sfida, të cilat ia vështirësojnë jetesën e fesë me këshillat klasike, duke e kthyer jetesën si myslimanë në një sfidë. Zhvillimi i teknologjisë, shkencës dhe ndryshimit të kushteve të jetesës në krahasim me 50 apo 100 vite me parë, madje edhe të 10 viteve më parë, vazhdimisht ngre pikëpyetje dhe diskutime se si duhet të jetë qëndrimi i Islamit dhe si do përshtatemi me kushtet e reja, pa cenuar principet e fesë. Në familje sfida kryesore mbetet formimi i saj, që nga gjetja e bashkëshortit dhe bashkëshortes, martesa, mbajtja e mbulesës nëpër shkolla, vende pune dhe institucione, edukimi fetar nëpër shkolla, shkollat me edukim të përzierë djem dhe vajza, televizioni dhe edukimi i fëmijëve, ushqimet hallall dhe konsumimi i produkteve sipas kritereve islame, komunikimi nëpërmjet rrjeteve sociale, etj. Këto janë disa nga sfidat, me të cilat përballet një familje myslimane për të ruajtur besimin dhe balancat e fesë. Për këto probleme janë dhënë disa zgjidhje apo fetva, por që mbeten të pamjaftueshme për të zgjidhur problemet, pasi dinamizmi i jetës post-moderne bën që disa fenomene të mos njihen që në fillim për pasojat negative që mund të përmbajnë. Synimi i këtij studimi është të identifikojë dhe të hedhë dritë mbi këto sfida, me të cilat përballet familja myslimane në shoqërinë bashkëkohore, në botë në përgjithësi dhe në Shqipëri në veçanti.
Familja myslimane tradicionale konsiderohet një strukturë komplekse ekonomike, sociale, shpirtërore, etike, morale, reproduktive, edukative; me role, funksione e marrëdhënie personale e kolektive të rregulluara brenda brezave, me kohezion e solidaritet familjar, me hierarki, autoritet të pakontestueshëm dhe disiplinë të fortë. Megjithëse Kur’ani nuk rekomandon ndonjë lloj të veçantë të organizimit familjar, nuk ka dyshim se struktura tradicionale e familjes myslimane aktualisht ka qenë më afër llojit të zgjeruar sesa asaj bërthamë. Kjo me siguri është rezultat i vazhdimësisë, e jo rezultat i ndonjë risie nga myslimanët. Nëse ka ngjarë që organizimi familjar në shoqërinë myslimane e ka pranuar, apo më mirë e ka vazhduar këtë formë të zgjeruar, nuk ekziston ndonjë klauzolë që atij t’i jep japë një miratim apo mospëlqim universal. Mirëpo, pavarësisht se a ishte gjerësia e strukturës së familjes myslimane funksion i vazhdimësisë historike apo i kushteve të tjera shoqërore, Islami, në dukje, e pranoi këtë formë dhe nuk mori ndonjë qëndrim tjetër për të, ndryshe nga qëndrimi i tij për aspekte të tjera të ndryshme të familjes.[1]
Tranzicioni që ka ndodhur në shoqërinë tonë, me kushtet e rrethanat e reja të krijuara në të gjitha segmentet e jetës ekonomike e shoqërore, me presionet e vrazhda transformuese të realitetit, ka bërë që familja si formacion themelor, të pësojë në strukturë, në përbërje, në koncept dhe në funksione, duke krijuar fizionomi, tipologji, funksione, moral e (pa)përgjegjësi të tjera brenda familjes.
Sfidat me të cilat përballet familja myslimane janë të pranishme edhe në Shqipëri, ndonëse njihet si një hapësirë më tradicionale ose më pak e modernizuar, krahasuar me Evropën Perëndimore. Ndryshimet rrënjësore të sistemit, specifikisht rrënimi i sistemit komunist, ka prodhuar ndryshime edhe në sferën e strukturës familjare.
Fokusi i studimit është familja myslimane e përballur me sfidat globale dhe rajonale, në përpjekje për të ruajtur vlerat fetare islame dhe përpjekjet e saj për të qenë në koherencë me këto vlera. Sfida bazë mbetet gjetja e një zgjidhjeje fetare (me fetva) dhe dinamizmi i jetës, i cili vazhdimisht prodhon problematika të reja, që kërkojnë zgjidhje.
Në kushtet që jetojnë dhe rrethohen familjet myslimane, sidoqoftë, ndikimi nga modernizmi dhe problematikat që ai mbart janë të pashmangshme. Në tërësi kjo është një krizë globale dhe të gjithë ndikohen nga pasojat e saj. Epoka e globalizimit ka bërë që kriza dhe pasojat e saj të ndjehet në çdo anë të globit, pasi prezenca e fenomeneve të përbashkëta e shkaktojnë dhe përcjellin krizën. Prezenca e teknologjisë, televizionit, telefonave inteligjentë dhe internetit, udhëtimi me makina, avionë, etj., është e pranishme pothuajse në çdo cep të globit. Myslimanët jetojnë kryesisht në Lindjen e Mesme, Afrikën veriore, Azinë Qendrore, pjesën ishullore si Indonezia, Malajzia, etj., në Ballkan dhe nëpërmjet emigrimit tashmë në çdo vend Perëndimor, deri në Australi.
Problemet familjare janë të vjetra, shënohen në çdo periudhë të historisë njerëzore, por sot me përmasa më të mëdha. Disa prej problemeve specifike, me të cilat përballet shoqëria globale dhe familjet myslimane, janë:
Shthurja thellësisht e familjes së kohës sonë, mes të tjerash është pasojë e modernizmit dhe materializmit radikal.
Modernizmi ka sjellë jetesën e pavarur paramartesore, shtyrjen e martesës dhe bum në numrin e njerëzve në moshë.
Mediatizimi i seksualitetit dhe serialet e ndryshme plot intriga, tradhti bashkëshortore e dëmtojnë rëndë familjen.
Zbehja e ndjenjave fetare është në proporcion të zhdrejtë me shëndetin e familjes, sa më shumë që dobësohet fetaria aq më tepër cenohet familja.[2]
Çdo rajon ka specifikat, problemet dhe sfidat e veta, me të cilat myslimanët përballen në ato zona. Ne nuk do të mund të analizojmë të gjitha problematikat dhe sfidat e familjeve myslimane, por do të përmendim disa fenomene të përbashkëta dhe do të përqendrohemi në problematikat konkrete të familjes myslimane që hasen në Ballkan dhe Shqipëri në veçanti.
Islami i jep rëndësi dhe shqetësohet për familjen, mbajtjen e saj të shëndoshë dhe të fortë, kështu themelet e saj janë të forta. Ajo përbëhet nga një bashkëshort dhe një bashkëshorte fisnike, ku fëmijët gjejnë një ambient të përshtatshëm dhe të dashur, në të cilin ata do të mësojnë edukatën dhe sjelljet e mira dhe do të rriten në një atmosferë të shëndoshë, me plot mundësi për të fituar dituri dhe edukatë, për t’u angazhuar në aktivitete shoqërore, intelektuale, shpirtërore dhe fizike.
Duke u nisur nga roli që familja ka për edukimin e individit dhe shoqërisë, duhet që familja myslimane të ndërtohet mbi baza të shëndosha, e cila në krye të radhës qëndron besimi.
Profeti Muhamed (a.s.) sqaron se: “Gruaja martohet për katër gjëra: për pasurinë e saj, për pozitën e saj shoqërore, për bukurinë e saj dhe për fenë e saj. Zgjidh pra gruan fetare që të kesh begati.”[3]
Zgjedhja e një bashkëshorti apo bashkëshorteje fetare, në shoqërinë bashkëkohore, është bërë më e vështirë, qoftë në realitetin ballkanik, atë evropian, por edhe më gjerë. Nëse mendohet për Shqipërinë post-komuniste vështirësia është shumë më e madhe. Ambientet e shkollimit, të punës, në shoqëri nuk favorizojnë shfaqjen dhe praktikimin e besimit. Familja, që dikur ishte në ndihmë të gjetjes së një bashkëshorti apo bashkëshorteje mbi baza fetare, duke drejtpeshuar edhe aspektet sociale, tashmë është zbehur. Individualizimi dhe ndryshimi i dinamikave të shoqërisë ka bërë që të rinjtë të shkëputen nga ndikimi i familjes dhe daljes “jashtë mode” të martesës me mblesëri në zonat urbane.
Maksimizimi i individualizmit ka sjellë degradime të shumta familjare, nga relativizimi i kurorës, bashkëjetesa dhe shoqërimi pa kurorë, shtyrja e moshës së martesës dhe duke mos qenë të gatshëm për të marrë përgjegjësitë e martesës.
Në këto kushte është bërë e vështirë gjetja e një bashkëshorti/je mbi vlera fetare, por edhe ruajtja e martesës pasi është realizuar. Sot një problem madhor, që kërcënon shoqërinë në mbarë botën, është numri i madh i divorceve, i cili po rritet në nivele alarmante. Prandaj mbetet sfidë krijimi i një familje, por edhe ruajtja e saj, pasi realiteti i divorcit, fatkeqësisht, nuk përjashton familjet myslimane.
Familja bashkëkohore, apo ajo e epokës së globalizimit, ka ndryshuar rrënjësisht. Rolet e anëtarëve dhe perceptimi për familjen, gjithashtu kanë ndryshuar. Format stereotipike si “burri fitues i bukës” dhe “gruaja kujdestare e shtëpisë dhe e fëmijëve” gjithnjë e më tepër po rrallohen; shumica e shtëpive kërkojnë të ardhura nga të dy bashkëshortët me qëllim të “mbijetesës”.[4]
Shpenzimet për të mbajtur familjen janë shtuar ndjeshëm për shkak të kushteve sociale dhe komoditeteve brenda familjes. Njëkohësisht janë shtuar edhe kostot për rritjen, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve. Blerja e një shtëpie/qiraja, blerja e një makine, orenditë shtëpiake, njëkohësisht edhe pagesa të ndryshme për të qenë në koherencë me pjesën tjetër të shoqërisë, si telefonat inteligjentë, interneti, televizioni, etj., kanë krijuar kosto shtesë për buxhetin familjar. Kjo ka bërë që të mos mjaftojë vetëm paga e burrit, por edhe gruaja të dalë për të kontribuar në ekonominë familjare.
Gruaja është sensibilizuar për të ndjekur një shkollim dhe të ketë një profesion ku të punojë jashtë shtëpisë, ndoshta edhe përkrah burrave të tjerë. Në fushën e arsimimit ka lindur sfida e mbajtjes së shamisë, pasi edhe presioni shoqëror është më i madh, por ka pasur raste kur shamia nuk është lejuar të mbahet nëpër ambientet shkollore dhe janë privuar nga shkollimi, nëse nuk e kanë hequr. Po kështu janë privuar nga punësimi nëpër institucionet publike dhe shtetërore për shkak të shamisë. Këtu janë vënë në dilemë për të mbajtur shaminë apo humbur vendin e punës.
Edhe meshkujt kanë si sfidë punësimin, sidomos në vendet ku shërbehet alkoli. Të rinjtë, të cilët janë në kërkim të një pune të përkohshme si kamerier, apo vende të tjera që kanë të bëjnë me shërbimin e alkolit, që fetarisht është e ndaluar, janë në dilemë mes punësimit dhe mbajtjes së principeve fetare. Por edhe pasi diplomohen, përballen me sfida të tjera si punësimi nëpër banka dhe institucione, ku fetarisht përbën problem serioz.
Feja Islame ua ka shpjeguar myslimanëve hallallin dhe haramin në ushqime. Ndaj, myslimanët janë të detyruar të shfrytëzojnë prodhimet hallall, e kanë të ndaluar përdorimin e prodhimeve haram dhe e kanë për detyrim t’u shmangen prodhimeve të dyshimta. Kur’ani Famëlartë thotë:
“…do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat…”.[5]
Që një prodhim ushqimor të jetë hallall, të gjithë përbërësit e tij dhe çdo gjë që vjen në kontakt me të, gjatë procesit të prodhimit, duhet të jetë hallall dhe e pastër. Problematike paraqiten ushqimet e mëposhtme:
Blerja nga konsumatorët myslimanë e produkteve të mësipërme, brenda kornizës hallall, mbetet e vështirë. Kjo pasi në vendet me shumicë jo-myslimane apo me industri të pazhvilluar nuk prodhohen ushqime hallall. Alternativat janë të pakta dhe kushtojnë. Një pjesë e mirë e besimtarëve nuk dinë t’i dallojnë nëse janë hallall, duke u nisur nga përbërësit e tyre. Etiketat e certifikimit “Hallall” mungojnë. Prandaj ushqyerja me ushqime hallall mbetet sfidë për familjet myslimane.
Sipas Islamit, feja është një institucion hyjnor që e edukon njeriun dhe një disiplinë që e bën atë një individ të përsosur. Gjithmonë ekziston një lidhje mes Krijuesit dhe krijesave dhe kjo lidhje është më e veçantë me njerëzit. Ngaqë njeriu jeton gjithmonë në shoqëri, feja e vazhdon aktivitetin e saj po mes njerëzve.
Përcjellja e besimit fetar, i cili është një realitet historik dhe ka arritur deri në ditët tona me anë të edukimit, është një çështje e rëndësishme. Feja, e cila zotëron një fuqi të madhe informimi dhe drejtimi në përgatitjen e njeriut për jetën, ka qenë në marrëdhënie të ngushtë me jetën e tij. Meqë feja i përfton njeriut njohuri dhe veçori të pasura dhe të shumëllojshme, gjatë gjithë historisë asaj i është dhënë vend në arsim dhe nevoja për mbështetjen e saj është ndjerë kurdoherë. Arsimimi fetar, i cili është përgjegjës për edukimin e individit në pikëpamjen fetare, gjatë përgatitjes së tij për jetën nis nga bazat fetare dhe nga njohuritë teorike rreth tyre.[8]
Edukimi fetar realizohet fillimisht në familje, më pas në shkollë, universitet, shoqëri, kurse fetare, xhami, etj. Edukimi fetar nuk është i kufizuar me moshë, mirëpo baza mbetet familja dhe vitet e para në të cilat zhvillohet edukimi dhe karakteri i njeriut.
Sfida e shumë familjeve myslimane mbetet edukimi fetar, mbi baza të shëndosha fetare, pedagogjike, morale dhe, më e rëndësishmja, në harmoni me shkencën, nevojat e kohës si dhe larg ekstremizmave. Edukimi fetar mbi bazat e mësipërme nuk është i lehtë dhe ka kosto.
Në Shqipëri arsimi fetar islam nuk zhvillohet nëpër institucione publike. E gjithë hierarkia e arsimit nga kopshti, arsimi parauniversitar, universitar fetar bëhet nëpërmjet institucioneve jo-publike. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është përpjekur të shtrijë arsimin fetar nëpërmjet disa medreseve dhe Kolegjit Universitetar Bedër, mirëpo arsimi dhe edukimi fetar në këto institucione u jepet një numri të kufizuar, në raport me numrin e popullsisë myslimane dhe nevojave në vend. Pamjaftueshmëria e tyre ka bërë që edukimi fetar të merret në formë të pakontrolluar, jo zyrtare dhe nga individë që nuk e kanë përgatitjen e duhur pedagogjike dhe fetare. Rrjedhimisht kjo sjell një mori problemesh, si pamjaftueshmërinë e edukimit dhe ekstremizmin fetar.
Një tjetër sfidë në arsim mbetet edukimi i përzierë, djem dhe vajza në një klasë, i cili për pjesën e të gjitha feve tradicionale në Shqipëri konsiderohet problematik. Në Shqipërinë post-komuniste të diskutosh këtë standard të arsimit, ku djem dhe vajza, janë në klasa ose shkolla të veçanta, duket shumë larg. Në shkollat publike nuk ka një shkollë të tillë dhe nuk është temë diskutimi. Ndërsa në shkollat jo-publike si medresetë, në arsimin e mesëm, aplikohet si praktikë. Ndërsa në arsimin e lartë nuk aplikohet. Për shumë familje besimtare mbetet shqetësuese standardi edukativ dhe përzierja nëpër klasa në djem-vajza, pasi kjo ndikon në humbjen e vlerave fetare, të cilat përpiqen t’u japin në familje. Për këtë arsye, jo pak prindër nuk i kanë lejuar vajzat e tyre, të vazhdojnë studimet nga frika e shthurjes morale dhe fetare.
Teknologjia e telekomunikacionit hapi një faqe të re për mbarë njerëzimin në shekullin e kaluar. Fillimisht u shpik telefoni, radioja, televizioni duke vijuar më pas me kompjuterin, internetin, telefonat inteligjentë, etj. Veçoria e tyre është se përcjellin informacionin në kohë rekord në distanca të konsiderueshme gjatë komunikimit. Shpikja teknologjike, e cila ndikoi në përhapjen në masë të rrjeteve sociale, shtimin e varësisë, qëndrimin 24 orë online, është padyshim ajo e telefonave inteligjentë të gjeneratës së re.
Në konkluzionin e shumë studimeve është theksuar se, përdorimi i teknologjisë, rrjeteve sociale, ndikon jashtëzakonisht shumë në jetën e njerëzve, në formimin e opinioneve të tyre, rënien pre e propagandës, madje në shumë raste deformon vlerat fetare dhe dëmton opinionin për të. Në këtë kontekst, shumë studiues tërheqin vëmendjen se teknologjia shton shpërdorimin (israf) e kohës, energjive dhe parave. Pavarësisht zhvillimeve pozitive ajo ka arritur në situatën ku dëmton vlerat morale dhe fetare.
Përdorimi i teknologjisë së telekomunikacionit solli një problem të madh për popullatën fetare të të gjitha besimeve. Problemi kryesor i shfaqur në to është transmetimi i pamjeve, filmimeve me përmbajtje lakuriqësie, erotizmi dhe pornografie. Megjithëse transmetimi i materialeve pornografike është sanksionuar dhe kufizuar me ligj për publikun e përgjithshëm, dikush që kërkon mund t’i arrijë ato lehtësisht. Ndërsa pamjet, figurat, fotot e njerëzve me përmbajtje lakuriqësie dhe erotike shfaqen lehtësisht, sidomos në komunikimet e rrjeteve sociale, fetarisht janë konsideruar të ndaluara (haram) dhe vlerësuar si gjynah. Mirëpo kontrollimi për mosshfaqjen, vetë-kontrolli për të mos i parë, ende është problem i pazgjidhur, duke bërë që besimtarët të hyjnë në gjynah.
Dëmi e kësaj pjese është i qartë për këdo, mirëpo vetë përdorimi i teknologjisë sjell probleme të tjera si humbja e kohës, angazhimi me gjera të padobishme, varësia ndaj teknologjisë, humbja e vëmendjes, zbrazëtia e ndjenjave fetare dhe syfaqësia (rija), të cilat nuk hyjnë direkt në pjesën e haramit dhe të ketë një reaksion të menjëhershëm ndaj tyre.
Tashmë është konfirmuar zyrtarisht si shkak i divorcit nëpër gjykata, përdorimi dhe varësia nga rrjetet sociale. Nëpërmjet tyre ndodhin shumë fenomene negative si komunikimi me të panjohur, njohje dhe lidhje jashtë martesore, provokime, ngacmime, etj. Ende qëndron si koncept për përdorimin e teknologjisë se “nëse e përdor për qëllime të mira është e dobishme, nëse jo është e dëmshme”. Koha ka treguar se ky koncept nuk qëndron dot më mbi teknologjinë.
Familjet myslimane njëkohësisht janë të prekura, ekspozuara dhe vuajnë pasojat e përdorimit të medias, teknologjisë së komunikimit dhe të rrjeteve sociale. Sfida e familjeve myslimane bashkëkohore është se nuk po gjejnë dot një zgjidhje për të minimizuar dëmet që sjell përdorimi i teknologjisë te fëmijët dhe moshat e reja.
Konkluzione
Procesi i shekullarizimit apo i dobësimit të ndikimit të fesë, ka ndikuar në dobësimin e lidhjeve familjare. Mungesa e pjetarëve të moshës së trëtë në familjen bërthamë dhe tkurrja e familjes sjellin probleme që kanë të bëjnë me socializimin. Siç është shprehur një shkrimtar, kriza e “gjeneratës së i-phonave dhe smart-phonave” është edhe për shkak të mungesës së përrallave që mësoheshin në prehrin e më të vjetërve. Sot ka tendenca që disa funksione të familjes t’i kryejnë institucionet e reja: kopshti i fëmijëve, shkolla, konvikti, shtëpia e pleqve, shtëpitë e strehimit.
Studimet dhe kërkimet e shumta të bëra në botë për familjen, flasin për faktin se familja globalisht është në krizë, gjë që reflektohet edhe në kontekstin tonë shqiptar. Familja e periudhës së globalizimit shkon drejt shpërbërjes, në të nuk ka vend për tre breza.
Si rezultat sjellin i këtyre zhvillimeve, sfida për familjet myslimane bashkëkohore në jetesën e fesë, praktikimin, ruajtjen nga shumë të ndaluara, ushqyerjen me ushqime hallall, edukimin dhe përdorimin e teknologjisë. Disa sfida janë vetëm për familjet myslimane, ndërsa disa të tjera mbeten globale dhe duhet bashkëpunim edhe me faktorë të tjerë për të gjetur zgjidhjen e duhur për to.
[1]. Emine A. VEZAJ, “Familja e zgjeruar dhe sfidat bashkëkohore”, https://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=125, (29.02.2020).
[2]. Ali Pajaziti, “Familja e Shekullit XXI: Konteksti global, ballkanik dhe shqiptar”, International Scientific Journal “Centrum”, No. 8 – 2017, f. 50.
[3]. Transmeton Buhariu, Kitabu en-nikah, 1835.
[4] Ali Pajaziti, artikull i cituar, f. 41
[5]. El-A‘raf, 7:157.
[6]. Osman Kozliq, “Të jetojmë me hallall”, https://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=224 (29.02.2020)
[7]. Kur’ani, Maide 5:3.
[8]. Dr. Adil Kutlu, “Rëndësia e edukimit fetar”, http://zaninalte.al/2018/12/rendesia-e-edukimit-fetar/ (01.03.2020)
Feb 12, 2024 0
Jan 19, 2022 0
Sep 18, 2021 0
Dec 02, 2020 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Dec 16, 2021 0
Dec 06, 2020 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...