Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Jun 14, 2023 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
nga Dorian Demetja
Haxhi është adhurimi i fundit i obliguar për besimtarët myslimanë në vitin e 9 të hixhretit me ajetin: “Vizita e Shtëpisë së Allahut, për këdo që ka mundësi, është e drejtë e Allahut ndaj tij.”[1] Ndërsa Profeti ynë (paqja qoftë mbi të) në një hadith na ka urdhëruar: “Pa dyshim, Allahu jua ka bërë detyrim haxhin, ndaj kryejeni atë.”[2]
Në një tjetër hadith Profeti (a.s.) thotë: “Islami ngrihet mbi pesë shtylla. Këto janë: të dëshmosh se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, të falësh namazin, të mbash agjërimin, të japësh zekatin dhe të kryesh haxhin.” Kështu, Profeti e ka cilësuar haxhin si një ndër pesë kushtet themelore të Islamit dhe ka treguar personalisht në mënyrë praktike se si duhet bërë ai.
Kur Profeti ynë (paqja qoftë mbi të) u bëri të ditur sahabëve fisnikë bërjen farz të haxhit, njëri prej tyre pyeti: “Çdo vit?” Profeti heshti. Kur kjo pyetje u përsërit tri herë dhe ai u përgjigj: “Nëse do të thosha po, haxhi do t’ju bëhej i detyruar për çdo vit dhe ju për këtë nuk do të kishit mundësi.”[3]
Çdo mysliman, qoftë burrë apo grua, që plotëson kushtet përkatëse, pra që ka mundësitë shëndetësore dhe financiare për të kryer haxhin, të paktën një herë në jetën e tij duhet ta çojë në vend këtë detyrim. Detyrimi i haxhit, sapo të krijohen mundësitë, duhet të përmbushet pa vonesë. Kryerja e haxhit pa u vonuar, krahas ajeteve përkatëse, që shërbejnë si argument, theksohet edhe prej këtyre haditheve: “Nxitoni të shkoni në haxh, sepse askush prej jush nuk mund ta dijë se kur do t’i vijë vdekja.”[4]
Rituali i haxhit, në formën e tij të njohur, është një adhurim që na mbërrin qysh nga koha e Ibrahimit (a.s.). Kur’ani fisnik, në ajetet 22/27–28 të sures “Haxh”, bën fjalë për haxhin e Ibrahimit, për thirrjen e drejtuar prej tij ndaj njerëzve për të marrë pjesë në haxh, për historinë e Qabesë e të riteve të haxhit.
Haxhi i parë në historinë islame u krye nën vëzhgimin e Ebu Bekrit, ndërsa Profeti (a.s.) e kreu detyrën e vet të haxhit një vit më pas, në vitin e 10 të hixhretit (632). Ky ishte haxhi i parë dhe i fundit i Profetit (a.s.), prandaj u quajt haxhi i lamtumirës.
Përshkrimi dhe rëndësia e haxhit
Haxhi është një bashkësi ritualesh që kryhen në Mekë dhe në disa vende të caktuara përreth saj, brenda një kohe të caktuar, sipas disa rregullave të caktuara. Ai fillon duke hyrë në ihram me nijetin e kryerjes së haxhit, me të ndalurit në Arafat dhe me të kryerit e tavafit në Qabe. Riteve që kryhen në haxh, me një shprehje të përgjithshme, u thuhet “Menasik”, ndërsa ai që e zbaton këtë ritual quhet “haxhi”.
Vizita e atyre vendeve të bekuara, që ndodhen në një pjesë të nxehtë të botës, e skenave të lindjes dhe përhapjes së Islamit, duke kaluar shumë vështirësi dhe duke bërë sakrifica fizike e materiale, është argument që tregon sinqeritetin e të qenët rob i Allahut.
Gjurmë të adhurimit të haxhit, mund të hasen në të gjitha kulturat religjioze. Gjatë historisë, njerëzit u kanë dhënë disa vendeve të caktuara shenjtëri dhe kanë ndjerë nevojën t’i vizitojnë ato qoftë edhe një herë të vetme. Në shumicën e feve, qendrat e shenjta të vizitave bartin pothuaj të njëjtat veçori. Krahas adhurimit, pelegrinit i jepet mundësia për të parë vende të ndryshme dhe për t’u takuar me njerëz të ndryshëm.
Në të gjitha fetë, pelegrinazhi ka një sërë funksionesh. Por në asnjë fe, pelegrinazhi nuk është aq ndikues dhe veprues sa haxhi në Islam, ku njerëz nga të katër anët e botës, të pasur e të varfër, pa dallim ngjyre, gjuhe, race, kombësie, kulture dhe pozite shoqërore, vishen njëlloj, ndjekin të njëjtat rregulla duke lëvizur në të njëjtat kushte; mblidhen në të njëjtin vend e në të njëjtën kohë duke krijuar një unitet ndjenjash. Në këtë drejtim, jemi të bindur se kuptimin më të plotë e të përsosur në të gjitha aspektet, haxhi e ka gjetur në fenë islame.
Mirësitë e haxhit
Kur viziton ato vende të shenjta, një pelegrin bëhet dëshmitar i faktit se cilësitë tokësore si raca, prejardhja, statusi, bukuria dhe rinia, nuk janë asgjë tjetër përveçse emërtime të përkohshëm, të destinuara të humbasin. Ai përjeton në ato momente një episod nga shfaqja e madhe e ditës së ringjalljes, ditë në të cilën atij do t’i duhet të japë llogari përpara Zotit për gjithçka ka bërë në jetë.
Zbatimi i ritualeve të haxhit është përgjigjja e duhur ndaj kërkesës, të cilën njeriu e kërkon gjatë gjithë jetës së tij. Kjo kërkesë është të fituarit e kuptimit. Njerëzit e kohës sonë po vuajnë mungesën e dhënies së një kuptim mendimeve dhe sjelljeve të tyre. Ndërkohë, haxhi posedon fuqinë dhe kapacitetin që t’i japë kuptim të gjitha veprave dhe mendimeve të njeriut. Shumë dijetarë janë të mendimit se udhëtimi për në haxh, është një nga mënyrat më të mira për përparimin shpirtëror të njeriut. Sipas tyre, problemet si depresioni dhe sëmundjet shpirtërore si urrejtja, xhelozia, hipokrizia, gënjeshtra dhe shumë ndjenja të tjera negative, pengojnë udhëtimin shpirtëror të njeriut dhe një gjë e tillë mund të largohet gjatë ritualeve të haxhit. Prania në vendet e shenjta dhe kryerja e ritualeve fetare bashkërisht, ndihmojnë në paqtimin fizik dhe shpirtëror të njeriut.
Islami sot është i përhapur në të gjithë botën, në qindra vende të ndryshme, në etni dhe grupe racore të ndryshme. Myslimanët, si asnjëherë tjetër, të bashkuar, e mirëpresin njëri-tjetrin si pjesëtarë të së njëjtës familje. Pavarësisht aderimit në disa kultura të ndryshme, ata mbeten thelbësisht të lidhur nëpërmjet të njëjtit sistem besimi e të njëjtave vlera. Dhe kjo vihet re më së miri në haxh, ku duket qartë një solidaritet mes gjithë myslimanëve. Haxhi bashkon në një qëllim të vetëm miliona myslimanë, duke u bërë shkak për krijimin e një tabloje të gjallë të barazisë dhe të vëllazërisë.
Haxhi, si një nga shtyllat e Islamit, që lartëson e shpalos bashkimin shoqëror mes myslimanëve, është aq madhështor e gjithëpërfshirës, saqë gjerësia dhe hapësira e tij nuk është e mundur të vërehet në asnjë vend tjetër apo bashkësi në faqe të dheut. Në një kohë kur bota në të cilën jetojmë është e mbushur me ngatërresa, përçarje dhe konflikte, haxhi duhet të konsiderohet si një rast i volitshëm për vendosjen e paqes dhe qetësisë nëpër vende të ndryshme të botës. Në haxh, largimi e përçarja shndërrohet në unitet e bashkim dhe haxhiu e shijon tolerancën e mirëkuptimin në kulmin e saj.
Haxhi është rasti më ideal që myslimani të pastrohet nga gjynahet dhe gabimet e tij. Transmetohet nga Ebu Hurejra se i dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Kushdo që për hir të Allahut bën haxh dhe u shmanget fjalëve dhe sjelljeve të pahijshme e nuk i kapërcen kufijtë e sheriatit, kthehet i pastruar prej mëkateve sikur të ketë lindur prej nënës.”[5]
Pyetjes “Cila nga veprat është më e mira?”, Profeti ynë i është përgjigjur: “Besimi tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij.” I pyetur: “Po më pas?”, është përgjigjur: “Xhihadi në rrugën e Allahut”. I pyetur sërish: “Po më pas?”, ka urdhëruar e ka thënë: “Haxhi i pranuar.”[6]
Vlerat e besimtarëve që kryejnë haxhin, në vështrimin e Allahut janë shumë të larta. Profeti ynë i nderuar e ka shprehur këtë të vërtetë duke pohuar: “Ata që kryejnë haxhin dhe umren janë mysafirët e Allahut. Nëse i drejtohen Allahut me lutje, ai ua pranon. Në iu drejtofshin me pendesë, ai i fal.”[7]
Në një tjetër hadith, që thotë: “Kryejini njërën pas tjetrës haxhin dhe umren, sepse haxhi dhe umreja i asgjësojnë varfërinë (për shkak të tregtisë që mund të bëhet) dhe gjynahet siç pastron kaceku hekurin, arin dhe argjendin prej ndryshkut”[8], na jepet sihariqi se haxhi, krahas pastrimit prej mëkateve, bëhet shkak që njeriu të shpëtojë edhe prej varfërisë.
Kuptimi i ritualeve të Haxhit
Qabja, e cila cilësohet si bejtullah, shtëpia e Allahut, është një faltore e shenjtë, e tillë qysh në kohën e profetit Adem (a.s.). Zoti e cilëson në Kuran në këtë mënyrë: “Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt”[9].
Qabja, me atë domethënie e shenjtëri të thellë, është një vatër e pashoqe monoteizmi, e tillë që, prej veçantive që mbart, nuk mund të gjëndet një ndërtesë e dytë që barabart me të, të mund t’i thuhet shtëpi e Allahut. Ajo dhe rrethinat e saj përbëjnë një vend plot magjepsje e joshje që nuk gjendet kurrkund tjetër në botë.
Në tavaf (rrotullimin rreth Qabes) gjithsecili e ndjen veten si një fëmijë i dobët që, i kapur fort për dore, vrapon në siguri plot ngazëllim. Njeriu rend sikur të jetë duke ecur vërtet drejt Allahut dhe nuk vetkontrollohet më. Me trupat gjysmë të zhveshur, me rrobën në supe, përjetojmë emocionin e të rendurit përpara në një rrugë sa të lodhshme e të trazuar, po aq edhe shpresdhënëse e të sigurt.
Arafati është një pozitë faljeje e përgjërimi. Arafati na kujton ngritjen nga varret ditën e gjykimit dhe mbledhjen grumbuj-grumbuj në sheshin e grumbullimit. Ai është një shesh mahsheri i mbushur me shqetësimin e llogaridhënies, ku mëshira e Zotit zbrazet plot bujari në shpirtrat tanë. Të gjithë robtë presin para Allahut të dobët, të pafuqishëm, nevojtarë e me shpresë. Zemrat dhe sytë njomen me lotët e pendimit, lutje përgjërimi të panumërta që i drejtohen Zotit. Të zhveshur dhe të larguar prej gjithçkaje të kësaj bote, me shqetësimin e peshores e të llogaridhënies dhe me shpresën e mëshirës, njerëzit këtë ditë të vetme e vlerësojnë sikur të duan të nxjerrin prej saj fitimin e viteve të tëra. Në librin e jetës hapen faqe të pastërta dhe Zotit i jepet besa se pjesa e mbetur e jetës do të jetohet me bindje ndaj Tij. Këta mysafirë të Zotit vihen në pritje me dëshirën për një mundësi e fillim të ri, për një epokë të re.
Nga ana tjetër, Arafati na çon edhe në kujtime të vjetra kur Ademi (a.s.) dhe nëna jonë Havaja u zbritën në tokë larg njëri-tjetrit. Dhe Zoti pasi pranoi lutjen e tyre i bashkoi në Arafat, të cilët qanë dhe u penduan përsëri.
Muzdelife është një mjedis i bekuar i mbushur plot me shfaqje mëshire, që mbart namin e të qënit më afër Allahut në nivelin që sexhdja është kundrejt rukusë. Ibn Abasi thotë se Profeti ynë i dashur arriti në Muzdelife për umetin e vet, të merrte një rrecetë ndihme e çlirimi që nuk e mori dot në Arafat. Muzdelifenë, sidomos pasi nata thellohet, çdo anë e mbulojnë mistere edhe më të fshehta. Ndërsa disa çlodhen për detyrat e vështira që i presin ditën e nesërme, ka njerëz që gjer në mëngjes mbeten të ulur me duar të hapura duke iu lutur Zotit. Këta shpirtra të gjërë, e tërheqin zërin e tyre në zemër dhe kushedi se ç’mendojnë e ç’u shkon ndër mend. Lutje papushim drejtuar Zotit jashtë namazit, dashuri e përkushtim shprehur brenda namazit…
Mina ka vlerën e një mjedisi nënshtrimi dhe dorëzimi, ku Profeti Ibrahim (a.s.) dhe djali i tij Ismaili (a.s.) e gjuajtën shejtanin me gurë dhe dolën fitues ndaj tij. Ajo është vërtetë si një koshere nënshtrimi e si një çerdhe përkushtimi të pakushtëzuar. Ky vend është aq i mistershëm, saqë çdo shpirt që nuk është krejtësisht i mbyllur ndaj botës së amshuar, ç’nuk ndien në atë vendpushim mes atyre maleve e luginave! Mina, me të gjitha anët e saj, na duket aq e njësuar në shpirtin tonë, saqë na bëhet sikur e ndjejmë se si ajo rreh në zemrën tonë, rrjedh në venat tona, gjallon në nervat tona.
Ndërkaq goditja e shejtanit me gurë është mallkimi i tij dhe orientimi i zemrës drejt Allahut, i zemrës së çliruar prej çdo lloj indiferentizmi, paqartësie, përgjumësie dhe lëkundjeje e dyshimi. Prandaj Profeti ynë thotë: “Synimi i goditjes me këta gurë s’është gjë tjetër veçse përmendja dhe pohimi i emrit të Zotit”[10].
Safa dhe Merve janë dy kodrat mes të cilave ndodhet burimi i Zemzemit. E shqetësuar për fëmijën e saj dhe veten nga etja e madhe dhe mungesa e ujit, nëna Haxherja pati vrapuar nga një kodër në tjetrën disa herë gjersa pati zbuluar burimin e Zemzemit. Tani ky vrapim, si pjesë e haxhit, e që emërtohet Sa’j (përpjekje) na kujton dobësinë njerëzore dhe nevojën e mbështetjes te Zoti. Rëndësinë e këtyre dy kodrave Zoti e shpreh kështu: “Pa dyshim Safa dhe Merva janë nga shenjat e Allahut.”[11]
Udhëtari i haxhit, që nga çasti që largohet nga shtëpia, gjatë rrugës, çlirohet hap pas hapi prej egos dhe unit, në drejtim të jetës së zemrës e të shpirtit. Njeriu në këtë udhëtim bëhet pjesë e të vërtetave të vjetra, por që nuk vjetërohen dhe mbeten kurdoherë të freskëta. Allahu në Kuran thotë: “Kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij”[12].
E ndërsa ditët shkasin drejt Bajramit, vendi i tavafit, zemzemi dhe vajtja e ardhja mes Safasë dhe Merves, shkojnë me ndjenjën e një kurbeti e përmallimi. Qabja nis të na i mbyllë dalëngadalë perdet e dritareve që na kishte çelë… dhe njeriu që në çdo ngjarje sheh që është i përkohshëm, siç kupton se po afron koha për t’u larguar nga këtu, mendon se një ditë do të ndahet edhe nga kjo botë kalimtare. Tashmë Haxhiu, i brengosur, por i përmbajtur, i shqetësuar, por plot shpresë, për kënaqësi të Zotit tendoset me zellin për t’i shërbyer të tjerëve.
[1]. Al’Imran, 3:97.
[2]. Muslim, Haxh, 412; Nesai, Menasik, 1.
[3]. Muslim, Haxh, 412; Nesai, Menasik, 1.
[4]. Ebu Davud, Menasik, 5; Ibn Maxhe, Menasik, 1.
[5]. Buhari, Haxh, 4.
[6]. Buhari, Haxh, 4, Nesai, Menasik, 4.
[7]. Ibn Maxhe, Menasik, 5.
[8]. Tirmidhi, Haxh, 2; Nesai, Menasik, 6.
[9]. Al’Imran, 3:96.
[10]. Tirmidhi.
[11]. Bekare, 2:158.
[12]. Haxh, 22:32.
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...