Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Aug 10, 2023 Zani i Nalte Retrospektivë 0
Abstrakt
Kur-ani âsht nji vepër e denjë për ç’do respekt. Kur-ani i ka njoftue njerzís tagrin e Zotit; ja shkoqitë qartaz njeriut marëdhaniet që ka me Perëndín dhe ç’duhet të pres prej Tij. Kur-ani mbështiell krejt bazat morale e filozofike. Virtuti e vesi, e mira dhe e keqja, e vërteta dhe ngjyra e vërtetë e ç’do sendi âsht spjegue në Kur-an…
Kur-ani âsht ai qi disa thërmija grindavecësh të bastardhuëm e të degjeneruem i lidhi ngusht dhe i bashkoj në nji tansi Kombëtare që kishte të bâjë me fatin e botës. Themelet e urtís e të filosofis, drejtsija e barasija, janë spjegue në Kur-an.
Kur-ani këshillon e porosit kursim dhe shpenxime me masë; Aj nxjerr në dritë njerin që ka humbë rrugën. Aj shpëton moralin. Kur-ani të mêtat dhe gabimet e njeriut i ndryshon dhe i këmben në vërtyte të larta e të përsoruna.
Kanë qenë të marrë ata që Islamizmës i kanë thanë fè barbare. Këta njerëz i kanë mbyllë sytë përpara Kur-anit, dhe s’kan dasht të kuptojnë se si ky libër i naltë qysh prej shumë shekujsh po shkul e po resitë nga zemrat e njerzvet veset e liga.
Po të shfletojmë historinë botnore, kemi me konstatuer se asnji popull a komb nuk ka jetue mbi sypërfaqe të tokës pas pasur besim ndaj nji Hyjnije. Ndjenjat shpirtnore dhe rrethanat dhe rrethanat e kohës i shyjshin dhe, bile, i detyrojshin popujt e ndryshëm me besue në diçka.
Pra, popujt primitivë tue u përpjekë nër errsina të shekujve, u shtërnguën të shpikin besime të kota. Këto besime, ose së paku nji pjesë e tyne ekzistojnë edhe sot e bile, kanë për ndjeksa jo nji numur të pakët; P. sh. Paganizma.
Me pak fjalë, që njeriu duhet të jetë fetar dhe qi duhet të besojë ndaj nji Hyjnije âsht nji nga principet mâ kryesore që pohon fare qartë shpirti i tij: “Tuj shëtitë botën, mundeni me gjetë popuj pa kështjellë, pa shpija, pa ligjë, pa qarkullim parje… por nji popull pa Zot, pa uratë, pa ceremoní fetare, kurkush s’e pau kund” ka thanë Plutarku.
Për me’e spjegue subjektin e sipërmë, due të flas pakë se si âsht rregullue dërgimi i Profetënve ndër njerz dhe do të tjera, të cilat, ju, të dashtun lexues, besoj se s’keni m’u merzitë për me këndue.
Si âsht rregullue dërgimi i Profetënve.
Si kur dihet, njerzija kur u krijua mâ parë ish ignorante dhe primitive. Mësuesit, mâ parë, i mësojnë foshnjes së vogël, si mbas metodave moderne të Pedagogjís, Abetaren, dhe kufizohen vetëm me aq për vjetin e parë. Po kjo ngjet edhe në krijesën e parë: Zoti – krijuesi i gjathshkafjes – kur krijoj njerín e parë, domodo ky (njeriu) ish ignorant; dhe kështu Perëndija, pra, si mësuës i plotditshëm qi âsht, i mësoj këtij elementa mâ të para dhe mâ të nevojshme, të cilat i duheshin atij dhe që mund t’i vente në përdorim, apo mâ mirë me thanë në veprim.
Mirë po njerëzija vinte dita ditës tuj u shtue, dhe, pra, njerinë e parë e mësoj vetë Zoti (xh. xh.); por të tjerët duhej të mësoheshin, natyrisht, prej njij njeriu…
Për këtë qellim, u dërguë me mission profetik Ademi, krijesa mâ e parë njerzore, qi i mësoj bashkëshekullarve të tij, ç’ka u duheshin dhe u nevojiteshin atyne.
Rrjedh prej vedit se, njeriu, dita ditës, me kalim kohe, vjen e zhvillohet, dhe mendja e tij don të mësojë edhe nji gjâ të re, ç’ka s’e ka dijtë ditën e kalueme. Ay nuk mund të rrijë gjithmonë âshtu si âsht. Foshnja del nga barku i nanës tue qenë e vogël nga trupi dhe ignorant; d. m. th. e vogël nga trupi, dhe krejt e vogël kah mendja. Por, me kalim kohe, trupi i saj rritet, dhe mendja e saj o shkon paralel me trupin, që kjo âsht mënyra mâ e preferueshme, o shkon mâ para, ose, disa herë, rrin mâ mbrapa, a shumë mâ mbrapa; koha, pra rritë trupin, dhe këshillet e pësimet rrisin mendjen. Shi po kështu edhe njeriu primitiv; këtij me pësimet që i ngjajshin mendja i zhvillohej mâ tepër. Prandaj, për këtë qëllim, mbas profetit, mësuesit të parë u dërguë një i dytë me program pak mâ të naltë. Mbas këtij të dytit një i tretë me program pak mâ të gjanë; dhe mbas këtyre të tjerë, me programin e lypun prej kohës.
Krishti dhe Muham-medi
Jahudít nuk duen t’a pranojnë si të vërtetë profetsín e Krishtit, të cilin e munduen aqë tepër; po kështu edhe Kristjant nuk duën m’e besue se Muhamedi ka kenë Profet.
Mirë po, po t’a vështrojmë punën me pa-ansí kemi me konstatue se do e mos mbas Krishtit duhej të vinte nji profet edhe arsyet janë këto:
I.- Se e gjith bota kish humbë udhën e drejtë ose kish ra mbas supërstisioneve dhe idolatrís;
II.- Se Krishti ish dërgue me mission profetik vetëm mbi Israelitët (Beni Israilt), dhe detyra e tij kje me tërhjekë kët popull në udhë të drejtë; dhe
III.- Se libri i tij, Ungjillli nuk përmbante të tana konditat dhe nj’ato gjâna qi lypsen njij personi si kolektivisht dhe individualisht në këtë botë. Ay predikon vetëm mëshirë dhe jetën tjetër… Due me thanë se Perëndija jo vetëm nuk e dërgoi Atë profet të përgjithshëm, por edhe atij populli që j’a dërgoj nuk j’a përmbushi të tana konditat që i duheshin në këtë botë për kohën e ardhëshme.
Pra ish e arësyeshme dhe e domosdoshme ardhja e nji profeti mbas Jesu-it, dhe ky profet kje Muham-medi.
Qe paralajmue ardhja e Muhammedit ndër libra të shënjta?
Kështu na paraqitet nji pyetje, të cilës po të dinte gjith kush me i dhanë përgjegje, do të mjaftojshin vetëm me nji “po”. Mirë po, për fat të keq, shumica a nuk e dinë të vërtetën, a nuk donë m’e dijtë, apo e dinë dhe rrinë indiferent kështu që detyrohemi m’u spjegue pak mâ gjanë. Po të hapim librat e shenjta, dhe t’i vështrojmë me kujdes, kemi me hasë, aty këtu nër versete që flasin drejt për së drejti ose në formë alegorike për ardhjen e nji profeti mbas Krishtit; P.sh: — që të mos zgjatemi më tutje n’Ungjill të “Joanit” – gjejmë shumë kësi versetesh: “Në më doni, ruani porosit’ e mija” (faqe 56 krej 14 verseti 15) dhe më tutje, në faqen 57 k. 14 v. 16-17 thotë: “Edhe unë do t’i lutem Atit, dhe do t’u japë juve një tjatër ngushullimtar, që të mbetet bashkë me ju për gjithë jetën.” Verseti 15 tregon që t’i binden urdhënit të Krishtit tue veprue si mbas urdhnave të tij; dhe dy të fundit shpjegojnë ardhjen e nji profeti mbas Tij. Prap në faqen 57 k. 14 e verseti 24, 26 thotë: “Ay që s’më do fjalët e mija nuk i ruan, edhe fjala që dëgjoni nuk ësht e imja, po e Atit që më dërgoj”. “Po ngushëllimtari, Frymë e shënjtëruarë, të cilën Ati do t’a dërgonjë mb’emërit t’im, ay do t’u mësonjë juve të gjitha edhe do t’u bierë juve ndër mënt gjithë sa u kam thënë juve.” Edhe në këta dy versete Krishti ka thanë mâ parë, për të treguar se duhet të besojnë doemos në profetin e mbas Tij ardhun (e ardhun mbas Tij): “Ay që s’më do, fjalët e mija nuk i ruan…”
Më poshtë në kryen 15 faqe 60 verset 22, 23, për të tregue se mbassi ay i u tregoj të drejtën atyne dhe ata duhet që t’a besojnë pse në mos e besofshin bëjnë faj; thotë: “Të mos kishnjam ardhur e të mos u kishnjam folur atyre, nuk do të kishin faj; po ndashti nuk kanë ç’të thonë për fajin e tyre.” Prap po n’at faqe e krye verseti 26 e 27 tuj tregue ardhjen e nji profeti thotë tekstualisht kështu: “Po kur të vinjë Ngushullimtari, të cilinë do t’u a dërgoj unë juve prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ata, ay do të dëshmonjë për mua. Po edhe ju dëshmoni, sepse që në krye jeni bashkë me mua. “Gjithashtu në kryen 16 faqe 61 verseti 12 e 13 thotë: “Edhe shumë u kam për të thënë juve, po ndashti nuk mund t’i mbani; po kur të vinjë ay Frym’ e së vërtetësë, do t’u heqnjë juve udhën mbë gjithë të vërtetënë; sepse nuk do të flasë prej vetiu…”
Të gjitha këto versete që përshkruam nalt na apin të kuptojmë fare qartë se ardhja e nji profeti mbas Krishtit ish e lajmueme edhe e ditun; e gjithë bota ishte ka priste lindjen e Tij. Dhe ky profet nuk vonoj me ardhë. Më 12 të Rebiul-evvelit, në nji natë të bukur e të kthjellët, kur hana hudhte dritën e saj ledhatare mbi syprinë të tokës, dhe yjtë e bukur xixillojshin me gëzim në qiell, lindi Muhammedi, Profeti i ardhshëm dhe i përgjithshëm. Ç’do gjâ t’epte me kuptue se nji mrekulli po ndodhte. Dhe me të vërtetë; a nuk qe nji çudi ardhja e Muhammedit në këtë botë, dhe kur akoma ish fmí i lutej Zotit vetëm e vetëm për pshtimin e popullit mbarë?…
Karakteristikat që zotnonte Muhammedi, dhe lajmi i dhanun prej Ungjillit për ardhjen e nji Profeti mbas Krishtit, banë që Ay të njihej prej Behira-it…
Të mo zgjatemi që ardhja e Muhammedit ka kjenë e paralajmueme flet çiltas “Testamenti i ri”; dhe jo vetëm ky, po por edhe “Testamenti i vjetër”.[1]
[1]. Marrë nga revista “Zani i Naltë”, nr. 8-9, viti 11, gusht-shtator 1936, f. 240-251.
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...