Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
May 07, 2024 Zani i Nalte Personalitete 0
Një nga figurat e shquara të teologëve tiranas është edhe Hafiz Mustafa Doraci, i cili me aktivitetin e tij si mësues e teolog, ka lënë emër në historinë e arsimit në Medresenë e Tiranës dhe si imam xhamie.
Hafiz Mustafa Doraci lindi në Tiranë në vitin 1894 dhe vinte nga një familje me tradita patriotike e fetare. Ai e kaloi fëmijërinë e tij pranë familjes në Tiranë, por aksidentalisht, në moshën 7 vjeçare, pësoi një dëmtim në shtyllën kurrizore dhe i ati e dërgoi në Stamboll për ta kuruar, pranë të vëllait më të madh, Beqirit, që ndodhej aty për studime. Pas shërbimeve mjekësore të kujdesshme, shërohet plotësisht dhe i ati e lë pranë të vëllait, për të kryer studimet që nga cikli fillor deri në të lartin. Malli për familjen dhe atdheun nuk iu shua kurrë. Në moshën e rinisë, jeta e tij bëhet më e gjallë.
Vitet që kaloi në Stamboll ishin nga më të rëndësishmet për formimin e tij kulturor, të përgjithshëm e fetar, shoqëruar dhe me dashurinë për atdheun. Mustafai vazhdonte studimet e larta për teologji, si dhe mësimin e Kur’anit përmendësh për Hafiz, së bashku me Hafiz Musa Bashën nga Elbasani, i cili do të tregonte më vonë, kur erdhi në krye të Komunitetit Mysliman Shqiptar, se Hafiz Mustafa Doraci ka qenë nxënës i shkëlqyer. Të dy diplomohen për teologji dhe morën titullin e lartë “Hafiz”. Hafiz Musa Basha kthehet në atdhe, ndërsa Hafiz Mustafai ushtroi detyrën e Hafizit në xhami të ndryshme me emër në Turqi si: Xhaminë e Sulltan Fatihut, të Sulltan Selimit, të Mahmut Pashës e Haxhi Pashës.
Kongresi i Parë Mysliman i mbajtur në vitin 1923, realizoi krijimin e mëvetësisë së Komunitetit Mysliman Shqiptar, që përfaqëson një ngjarje të shënuar jo vetëm për jetën fetare e shoqërore, por edhe për jetën politike kombëtare.[1]
Hafiz Mustafa Doraci njihet me ngjarjet e reja të ndodhura në vendlindjen e tij dhe kthehet në atdhe pranë familjes me vullnetin dhe pasionin që kishte për t’i shërbyer Fesë islame në vendin e tij. Menjëherë paraqet dokumentet e shkollimit në Komunitetin Mysliman Shqiptar dhe më datë 10.01.1925 emërohet imam në xhaminë e Met Fires (sot shkolla Sami Frashëri).
Në detyrën e imamit fitoi zemrat e besimtarëve, me sjelljen e diturinë dhe përkushtimin ndaj kësaj detyre, veçanërisht në këndimin e Kur’anit përmendësh, me ndjenjë të thellë, bukur e saktë, prekte thellë shpirtrat e dëgjuesve. Ditët e premte dhe muajt e Ramazanit besimtarët mbushnin plot xhaminë për të ndjekur imamin e tyre, “Hafizin e vogël”, siç filluan ta quajnë (sepse kishte trup të vogël).
Siç thonë vajzat e tij, që nga viti 1927 ai është emëruar mësues i Kur’anit në Medresenë e Tiranës, e kështu Hafiz Mustafait iu plotësua dëshira që të ishte njëkohësisht edhe mësues që të formonte një grup nxënësish, të cilët do të mësonin Kur’anin përmendësh e të bëheshin hafiza.
Formulimi i qartë i kërkesave dhe organizimi i mirë i orës së mësimit solli rezultate në mësimin e Kur’anit.
Mësuesi Hafiz Doraci gëzonte autoritet e respekt te nxënësit në atë mënyrë që, sapo hynte në klasë nxënësit ishin të përgatitur nga ana psikologjike për mësim. Me diturinë, me kulturën dhe me zotërimin e gjithë Kur’anit përmendësh, ai të magjepste me memorien e saktë të çdo ajeti (fragmenti) kur’anor të çdo kapitulli. Ai punonte në mënyrë sistematike për ta mbajtur të freskët memorizimin e tij, Kur’anin Famëlartë.
Krijimi i një atmosfere të shëndoshë bashkëpunimi mësues-nxënës, angazhimi i tyre në këtë proces dhe niveli cilësor i arritjes së nxënësve në Kur’an tregonin autoritetin pedagogjik të Hafizit. Ai dallohej për figurën e pastër morale, shembull në punë, familje e jetë, që nuk e ndan fjalën nga veprat.
Shteti komunist, gradualisht, i shkurtoi fondet për financimin e Medresesë derisa në vitin 1964 e mbylli si institucion fetar. Hafizi e përjetoi me dhimbje të madhe këtë ngjarje pasi kishte një periudhë mbi 35 vjeçare si mësues i kësaj shkolle. Ai mbeti në detyrën e dytë si imam në xhaminë e Met Fires, por edhe për këto institucione kishin filluar goditjet në opinionin e gjerë, me ofendimet nga më të ulëtat të kuadrove fetarë dhe besimtarëve myslimanë që frekuentonin xhamitë. Në vitin 1967 filloi lufta radikale kundër fesë, që çoi deri në shkatërrimin e institucioneve dhe objekteve të kultit.
Hafiz Doraci mbeti i mbyllur në shtëpi, i brengosur thellë në shpirt, sepse e zhveshën nga petku fetar, me të cilin kishte lidhur jetën. Të gjithë jetën ai ia kushtoi Fesë islame.
Siç tregojnë vajzat e tij, ato nuk ia ndanin sytë babait të tyre, i cili sa vinte po rëndohej dhe herë pas here ndjente dhimbje therëse në zemër. Zemra e tij lëngonte çdo ditë, por ai nuk ankohej asnjëherë. Trupi i tij mbeti pa jetë më 1974 dhe shkëputi lidhjet nga kjo botë provizore lëndore.[2]
[1]. Shpuza, Gazmend, gazeta “Drita Islame”, nr. 4 (135), shkurt-mars 1998: 2.
[2]. Për më tepër, Xhemal Balla, “Hafiz Mustafa Doraci”, Tiranë, 2011: 17-42.
May 28, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Jul 14, 2021 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...