Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
May 28, 2024 Zani i Nalte Personalitete 0
Haki Sharofi, “Mësuesi i Popullit”, është një personalitet i shquar i kombit tonë. Ai lindi në Dibër të Madhe më 1894 dhe vdiq në Tiranë më 1977. Veprimtarinë e tij si mësues, publicist dhe përkthyes e zhvilloi larg lindjes, në Gjyrash të Manastirit (1912), në Peshkopi (1914), ku hapi shkollën e parë shqipe, në Trujak dhe në Sllovë të Dibrës (1916 dhe 1920), në Kastriot (1923), në Krumë (1928), në Vlorë (1929). Pas viteve 1930, ai vendoset përfundimisht në Tiranë ku zhvillon një veprimtari të dendur, si drejtor i Medresesë së Tiranës, si drejtor i revistës “Zani i Naltë”, etj. Ai studioi në normalen e Elbasanit si dhe kishte ndjekur shkollën pedagogjike “Darul-Mualiminë” të Dibrës.
Për 63 vjet me radhë Haki Sharofi kontribuoi në disa fusha të jetës shqiptare. Hulumtuesit e paktë të veprimtarisë së gjerë dhe shumëplanëshe të tij, që, deri më sot, kanë arritur të prekin vetëm një pjesë të vogël të saj, janë mrekulluar nga vlerat e mëdha që ajo përmban. Dijet dhe energjia e tij më të shumta Hakiu i derdhi në fushën e mësuesisë, sepse mendonte ai, populli dhe vendi kishin shumë nevojë për t’u arsimuar. Misionin e mësuesit-edukator ai e nisi qysh në rininë e hershme, duke u mësuar gjuhën amtare bashkëqytetarëve dibranë dhe vazhdoi gjer në pleqëri, duke u mësuar osmanisht punonjësve shkencorë të Arkivit Qendror të Shtetit. Për shumë vite ai qe pedagog dhe drejtor i Medresesë së përgjithshme në Tiranë, ku u shqua si organizator i punëve të shkollës, si mësimdhënës dhe si edukator i talentuar. Si teolog islam me kulturë të gjerë dhe i emancipuar, Hakiu dha ndihmesë të madhe nëpërmjet shkrimeve të shumta, për formimin me dituri kur’anore-shkencore të besimtarëve myslimanë shqiptarë, duke luftuar njëherësh përmes këtyre shkrimeve origjinale apo përkthimeve çrrënjosjen e fanatizmit dhe të paragjykimeve, që kishin zënë vend në mendjet e shumë njerëzve, për t’i bërë të qëndrueshme parimet dhe të vërtetat e fesë islame te besimtarët, ai kërkonte që Kur’ani të përkthehej shqip në mënyrë që lexuesit ta kuptonin, ta ndjenin dhe ta besonin me ndërgjegje. Hakiu dhe ndihmesë me fjalë e shkrime që në Shqipëri të lulëzonte sa më shumë harmonia ndërfetare.
Për dhjetë vjet radhazi, 1930-1939, ai kreu me shumë sukses detyrën e rëndësishme të drejtorit përgjegjës të revistës “Zani i Naltë”, organi i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Kjo revistë dinjitoze u dallua gjithmonë në shtypin e kohës si një tribunë e rëndësishme ku shpaloseshin jo vetëm dituria dhe kultura islame, por edhe probleme nga më të ndryshmet për të gjitha fushat që shqetësonin shoqërinë shqiptare. Në faqet e saj shkruan dhe diskutuan pena të shquara të mendimit dhe të kulturës shqiptare të atyre viteve dhe për këtë Haki Sharofi ka një meritë të veçantë.
Gjatë punës së tij në fushën e botimeve u dallua për trajtime serioze të temave me karakter fetar, social, etik dhe filozofik. Shkroi edhe shumë poezi. Në mënyrë të veçantë ka meritën për hartimin e serisë së librave “Edukatë fetare e morale”, tekste mësimore këto që u shfrytëzuan për mësimin e besimit në shkolla shtetërore, ku jepej dhe mësimi i fesë. Te librat “Edukata fetare e morale” spikasin disa kërkesa të moralit islam në kushtet tona, ku zënë vend disa parime themelore të këtij morali, të shpjeguara thjeshtë e për masat e të gjitha moshave të asaj periudhe me shtrirje të kufizuar të arsimit laik. Këto tekste kanë një ndërtim dhe strukturë delikate shumë të përshtatshme për kohën që u botuan. Duke u nisur nga këto vlera, biblioteka myslimane shqiptare e Miçiganit (SHBA) i ka ribotuar ato kohët e fundit.
Krahas veprave të mësipërme, duhet shënuar se edhe “Kalendari mysliman”, që u botua për disa vite me radhë është vepër e tij.
Haki Sharofi në vitet e fundit të jetës së tij ka bashkëpunuar me Arkivin Qendror të Shtetit dhe Arkivin e Institutit të Historisë, duke dhënë një kontribut të vyer në përkthimin e dokumenteve me rëndësi historike, që ishin në gjuhët e lindjes: arabe, turke dhe perse. Ai ka lënë një trashëgimi të pasur me përkthime, siç janë: “Tefsiri shqip”, “Parimet e nalta të Islamit”, “Ajete të Kur’anit” etj.[1]
Hakiu ka shprehur mendim mjaft interesante për detyrat dhe rolin e shtypit, të cilat i ruajnë vlerat dhe sot. Në gazetën “Besa”, 5 korrik 1931, ndër të tjera ai shkruan: “Shtypi është si syri i mjekut. Ai sheh shumë larg, sheh plagët e popullit më të izoluar nga shoqëria dhe nga mjetet e lumturisë, sheh mjerimin e kombit… I kontrollon këto plagë e pastaj studion mënyrën e shërimit të tyre, të cilën nga një anë ua parashtron kompetencave për të marrë masat, në anën tjetër, ia vë përpara opinionit publik për ta gjykuar ashtu siç bëjnë mjekët kur konsultojnë ndonjë të sëmurë. Shtypi, pra, është pasqyra në të cilën populli sheh nevojat e veta, ashtu siç ‘sheh i sëmuri organet e veta në rëntgen’”. Më tej ai skicon figurën e njeriut të popullit që do t’i bëjë këto punë, gazetarit: “Gazetar d.m.th. luftëtar i hedhur në një fushë të rrezikshme, që do të luftojë injorancën, do të luftojë me idetë e gabuara, do të luftojë me veset e rrezikshme. Ai do t’i gjykojë ngjarjet ashtu siç janë e jo siç duken, do t’i japë dritë popullit që të dallojë të drejtën nga e shtrembra, ai do të flasë shumë herë edhe kundër miqve të tij të ngushtë, do të sakrifikojë shpeshherë edhe rivalët e tij e kështu mund t’i rrëshqasë ndonjë gabim, që mund ta përcjellë në postat e gjykatores e ta prezantojë përpara ligjit.
Gazetaria ka këto përfundime, por gazetari nuk duhet të tronditet, shpirti i tij do të jetë i gjallë, i pa vyshkur, aktiv dhe i patundur; ai do të ndjekë vetëm idealin që i ka vënë vetes, të transformojë një popull të mbetur prapa në një popull të qytetëruar e të përparuar.
Këtë karakter duhet ta ketë çdo gazetar. Interesi publik është më i shenjtë se interesi privat.”
Haki Sharofi qe një orientalist i mbaruar dhe jo vetëm një përkthyes i thjeshtë nga osmanishtja. Ai dha ndihmesë të madhe në fushën e hulumtimeve dhe të studimeve të krijimtarisë letrare të autorëve shqiptarë të shek. XVIII-XIX, që shkruan me alfabet turk-arab.
Kontributi i tij në orientalistikë është një thesar i vërtetë që duhet bërë i njohur. Në revistën “Zani i Naltë” u botuan herë pas here vjersha e krijime letrare të panjohura të këtyre autorëve si dhe analiza e vlerësime të Hakiut për ta.
Në arsenalin e veprimtarisë së tij si studiues duhet nënvizuar fakti se ai i qëndroi besnik gjithnjë parimit të paanshmërisë dhe objektivitetit shkencor të vlerësimit të proceseve historike apo letrare, ngjarjeve dhe veprimtarive, pjesëmarrësve në to, etj.
Në sajë të punës së tij ngulmuese për hulumtimin dhe studimin e shkrimeve të ndryshme, u bë e mundur të hidhej më shumë dritë mbi jetën dhe veprën e Nesim Berati (Frakullës), Hasan Zyko Kamberit, Ismail Floqit dhe shumë shkrimtarëve të tjerë të këtij grupimi, tek të cilët spikasin përveç vlerave islame edhe ato laike, si vargjet kundër padrejtësisë shoqërore, vargjet për natyrën, për dashurinë, etj.
Jeta e këtij njeriu qe e mbushur çdo ditë me punë. Ai kaloi një jetë private të thjeshtë dhe lidhi marrëdhënie të pastra me të gjithë njerëzit me të cilët iu desh të jetonte e të punonte.
Mjerisht gjatë viteve të sistemit komunist puna e tij prej dijetari atdhetar nuk u vlerësua, madje shihej shtrembër si intelektual mysliman që ishte.[2]
[1]. Për më tepër shih: gazeta “Drita Islame”, nr. 7, 1992: 5.
[2]. Marrë nga “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Tiranë, 2015, f. 54; “Haki Sharofi – Njeriu dhe njerëzimi”, biblioteka “Haki Sharofi”, Tiranë, 2018, f. 10-12.
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Jul 14, 2021 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...