Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
May 07, 2024 Zani i Nalte Retrospektivë 0
Haki Sharofi
Nisjativa për dhantin e “Dhantin e Ramazanit 1351” ka për qëllim me lëshue në dorë të lexuesve një mjet të dobishëm për t’u argëtue në natat e gjata e të ambla të Ramazanit. Por tue mendue se shum vetë në Ramazan sillen në nji mënyrë jo aqë të pajtueshme me shenjtërín e këtij muaji e, bile shkelin edhe mâ teper disa urdhna të Zotit, e shofim të nevojshme me dhânë pak dritë mbi sjelljet qi duhet të ketë njeriu, në qoftë se deshiron me u lumtrue mbrenda kufinit qi ka caktue i Nalti Kur-an.
Muslimani i vertetë beson dhe s’ka as pak dyshim se Perëndija (Xh.Xh.) ka fuqi me krijue çdo mjet të lumtrís së njeriut. Edhe, si shifet na i ka dhanë të gjith këta mjete. Por, veç mjeteve të panumërta e të pasosuna qi na ka falë i Madhi Zot, ka vendosë edhe ligjë të posaçme qi rregullojnë konditat me të cilat do të përdoren këta mjete.
Këta ligjë të hyjnueshme janë të patunduna e nuk përkulen mbas vullnetit t’onë. Prandaj ne duhet t’u shtrohemi atyne.
Veprimi qi bajmë ne, kur rrudhim ambicjet t’ona edhe shtrengojmë vullnetin me i u shtrue ligjeve të natyrë qi ka vendosë vetë Fuqija Hyjnore, quhet “Lufta e Jetës”.
“Misjoni i Njeriut” âsht me dalë fitues në “Luften e Jetës” tue realizue kërkesat legale qi formojnë lumtërin e tij.
Krijesat e gjalla të Krijuesit përmblidhen në dy grupe të mëdhej: Njerí e Shtâzë. Veç këtyne kemi edhe do krijesa të padukuna nën emnin Engjëll…
Engjejt janë të pajuem me fuqi arsyetuese; s’kanë epshe, ambicje dhe egoizëm, e prá, s’hanë, nuk pijnë, nuk flejne, s’lëjnë, s’pjellin, gjykojnë gjithmon drejt.
Shtazët, përkundrazi s’kanë fuqi arsyetuese, e pra, s’kanë cilësi shpirtnore e morale, ata kanë vetëm epshe e lakmi barku. Kanë disi nji dashurí për pjelljen e vet por kjo u fiket shum shpejt.
Njeriu âsht veshë me tê dy këta cilësi të kundërta, cilësi shtazore e cilësi shpirtnore qi përpiqen të venë poshtë njâna tjetrën. Njeriu duhet të jetë shum i fortë qi t’i pajtojë e t’i harmonizojë këto dy cilësi. Prandaj njeriu del mâ i naltë se kreatyrat tjera.
Njeriu âsht shtâzë; pra, ka epsh, ambicje e deshira, prandaj ka nevoj me ngrânë, me pí, me shijue e me u kënaqë. M’anë tjetër ka arsyen me të cilën gjykon edhe e shef se natyra i u përgjigjet deshirave të tija për nji kohë shum të shkurtë, e jo përgjithmonë. Han e pin, por mbas tri a katër orësh kërkon prapë me hangër e me pi. I ndizet lakmija për kënaqat seksuale, kënaqet; por mbas nji kohë kërkon prapë.
Mirpo, si thamë, njeriu ka edhe nji pajë tjetër, pajën shpirtnore me të cilën i përngján Engjëllit, e kur shef se kënaqet materjale fiken shpejtë, j’a liron frenat mendes, e cila gjykon dhe arsyeton edhe e shtyn njerin me kërkue vend në sferat e amshueme; por, për këto sfera s’ka mjet. Mpîhet e dishpërohet, por shpejton në ndihmë shpresa, i ep kurajo dhe j’a forcon Vullnetin. Del Feja m’atë anë edhe i thote se “Idealet e amshueme” do t’i realizoje njeriu nëpërmjet të veprave të mira qi të kryejë në ketë botë, qi kështu çdo gjâ t’a fitojë me djersen e ballit e jo gati. Njeriu nuk e dishiron gján e bame gati, por kërkon t’a fitojë vetë.
Kështu e bânë Prindërit e parë të njerzís, Ademi me Havan. Perëndija në krye të herës i u fali këtyne lumtërin e Xhennetin, por këta nuk dijshin me e çmue sa e naltë ishte “Dhantia Hyjnore”. Ishte nevoja t’a vdirshin nji herë këte lumtëri e pastaj të perpiqeshin me e fitue me djersë të vet e me e meritue të mirën. U desht të bâhen mëkatar qi t’a fitojnë mëshirën e Zotit. Pra rreshqiten e me të shpejtë u përjashtuen nga Parajsa, zbritën lakuriq në faqe të tokës.
Tash njeriu duhet të këthehet prap në Parajs. Ky âsht misjoni i njeriut. Këte, njeriu do t’a fitojë me “Luftën e Jetës” qi përmendëm sipër. Le të flasim pra për “Luftën e Jetës” pse kështu urdhënon Kur-ani.
“Mos e harro pjesen qi të përket nga Dunjaja”.
Jeta e njeriut në këte botë munt të jetë e ambël ase e idhët e lumtun ase e mjerueshme. Gjith veprimet t’ona qi i drejtohen kësaj jete kanë për t’u shpërblye në kete jetë veprimet qi bân njeriu për hir të krijuesit do të shperblehen në jetën e pasosun. Veprat e nderlikueme me të dy jetët çmohen dhe shperblehen në të dy jetët.
Duhet ditur se shperblimi i veprimevet t’ona ka dy anë: ana qi na lumtëron dhe ana qi na mjeron. Prandaj duhet me besue se ç’do fazë të lumnueshme ase të mjerueshme të jetës s’onë e kemi pregatitë ne vetë me dorë t’onë. Mbassi çashtja qendron kështu, duhet të parashikojmë dhe të parashofim jetën t’onë t’ardhëshme. Le t’a pregatisim pra në mënyrë qi të na sigurojë nji lumtëri e jo të na sjellë mjerim.
Cili âsht i lumtun në botë?
Përgjegja e kësaj âsht shum e shkurtë: “i lumtun âsht aj qi plotson qëllimin, për të cilin âsht destinue”.
Piksëparit pra, na duhet t’a studjojmë vêhten dhe t’a kuptojmë “për çka jemi premë e përse jemi thirrë në ketë botë”.
Mbassi t’a kemi caktue ketë pikë duhet t’i këthehemi përsëri vetvehtes dhe t’a veshtrojmë palè “a e kemi pregatitë për qellimin e caktuem a po jo?”
Si shifet, njeriu nuk u krijue kot më kot, por, për nji qellim të shenjtë e të lartë: Si mbas besimit të gjith dijetarëve “ky qellim paraveshtron dobin publike”. Si mbas këtij parimi, gjithsecili detyrohet me bâ nji punë qi të interesojë shoqërin njerzore, e cila pastaj ja shpërblen ketë vepër në proporsion me kujdesin qi âsht derdhë më tê.
“Mâ i miri njeri âsht aj qi i siguron mâ tepër dobi njerzis.” Urdhënon Hazreti Muhammed (A. S.)
Si cili duhet t’a dijë destinacjonin e vet; ketë gjâ s’mund t’a çmojë tjetri. Pedagogët deri diku mund të japin mendim mbi ketë çashtje, por shum herë edhe këta gabohen. Prandaj edhe ne këtu po e lamë ketë problemë e po dalim n’anën tjetër:
“Si duhet me u pregatitë për qellimin e caktuem?”
I vetmi objekt qi kemi në dorë e qi duhet t’a pregatisimi, asht “trupi i jonë”, ku qenrojnë tri farë fuqish: Fuqit fizike, fuqit mendore edhe fuqit morale. Të trija këta farë fuqish kërkojnë forcime e zhvillime të paralelta. Po të teprohet njana lagjë bijen poshtë dy tjerat.
Le të shofim herën e parë në ç’mënyrë kujdesemi për fuqit fizike.
Higjijena, shkenca e shëndetit sod ka bâ mjaft përparime dhe na e ka caktue mënyrën e preme se si duhet t’a ruajmë shëndetin. Ajo na lajmëron si duhet e ç’duhet me ngranën e me pi, kur, ku e sa duhet me flejtë; kur e si duhet me punue; kur e si duhet me pushue.
Këto porosi të higjijenes, a pajtojnë me dispozitta e Islamizmës? Le t’i krahasojmë:
Këto dispozita të Islamizmës të përmbledhuna në pesë pikat e sipërme ç’kundërshtim kanë me higjijenë?
Mbassi këta dispozita kanë të bajnë drejt për drejt me jetën t’onë fizike, a s’âsht për t’u çuditë për se nuk i respektojmë?
Këjo mungesë a nuk provon se ne s’jemi të zotët me triumfue në “luftën e jetës” mbassi s’jemi të zotët me ndalue rrezikun e shëndetit t’onë?
Tani le të shofim, në ç’mënyrë kujdesohemi me forcue fuqit mendore:
Sa âsht numri i shkollave qi përhapin dituri në popull e sa âsht numri i veprave letrare qi ushqejnë menden e popullit?
Si do t’i kuptojë mejtimet e larta të njerzvet të medhej, populli i jonë i edukuem me nji arsim kaqë të ngushtë?
Si do të mundemi me udhtue paralel me popujt e përparuem kurse na mungon arsimi?
“A janë baraz ata qi dijnë me ata si s’dijnë”, urdhënon Kur-ani.
Po për fuqit morale ç’rrugë ndjekim?
Morali mbështetet në virtyt, prej të cilit burojnë detyrat t’ona qi janë të shumta e shum farësh.
Kemi thanë mâ sipër se “me u lumtërue” don me thânë “me plotsue qëllimin, për të cilin jemi destinue”.
Tansija njerzore për të jetue në paq e në qetsi ka nevojë për nji punim të përbashkët të krejt pjestarëve të saj. Askush s’mund të rrin dorë jashtë nga ky bashkëpunim. Ç’do njeri duhet të merret me nji punë, me të cilën i sjell nji dobi Shoqeris njerzore e nepër tê siguron jetën e tij. Në qoftë se puna e jonë i sjell nji dam shoqëris njerzore ase nji pjesë të saj, atëherë duhet të hekim dorë prej saj se na damton, na dënon e na mjeron.
Ç’do punë qi të kapim, e vogël a e madhe qoftë, ka dy përfundime të dobishme: a) e mira qi i bâhet tjetrit dhe b) e mira qi i bâjmë vehtes.
Për shëmbull këpuctari i nep tjetrit këpucët e ky j’a paguën shpenzimet dhe ja shperblen mundin. Me kët mënyrë blesi siguron kambët e tij e shitsi jetesën. Po të falsifikojë këpuctari do t’a humbë blesin e kështu do t’a damtojë vehten. Kështu âsht edhe tregtari e çdo zejtar tjetër. Aj qi spekulon, abuzon detyrën e vete edhe mjerohet.
Nëpunsi, të cilit i âsht besue nji detyrë e madhe nuk duhet t’a mendojë rrogën e tij, por shërbimin qi pritet nga zyra e tij.
Duhet të marrim për sipër até detyrë për të cilën jemi destinue e jemi pregatitë ose për ndryshe ndërlikohen punët dhe në vent të dobis shkaktojmë damin e Shoqëris, e cila herë herë kërkon edhe sakrifica të mëdha, sakrifica mundi, sakrifica kapitali, sakrifica jete e shpirti.
Për të bâ gjith këta sakrifica, qi shkojnë e prekin deri ke shpirti, nuk âsht punë e lehtë por tepër e vështirë. Për ketë punë duhet [me pasë] nji karakter e nji virtyt shum të naltë e të fortë, me të cilët të vemë poshtë egoizmin dhe ambicjet t’ona. Me luftue me egoizmin e me ambicjet! A s’âsht nji luftë shum e madhe këjo?
Pastaj me ja gjetë vendin e rasën, se ku e kur duhen bâ këta sakrifica âsht nji punë tjetër me rândësi. Kot më kot nuk bâhen disa sakrifica të mëdha. Këta bâhen kur sjellin nji dobi të madhe e të vazhdueshme.
Pra jeta e njeriut âsht nji luftë qi s’pran kurrë. Do të luftojë me mjerimet e veta, do të luftojmë me mjerimet e Shoqëris, do të luftojë me konkurentët qi ja pengojnë misjonin e tij të kulluar, do të luftojë me natyrë qi ja prish lumtërin, do të luftojë me pleqërinë, do të luftojë me vdekjen prej së cilës nuk ka shpëtim!
Ç’asht kjo jetë e mbulueme me mistere? As gjâ…! Gjithmon luftë me rreziqet qi na kërcënojnë jetën, lufta e jetës, por as jeta s’âsht në dorët t’onë, edhe ajo vjen nji ditë e fiket si kandili. Atëherë ç’asht lumtërija e kësaj jete?
Shum e permbledhun: Nji shëndet i plotë, nji rregullim familje, nji qetsi shtetnore, nji punë e vazhdueshme, nji ngushullim shpirtnuer me qenë kondend me të mirën qi kemi e me u falë Zotit për ketë të mirë, me pregatitë diçka për jetën e amshueme.
Jeta e Amshueme âsht ideali mâ i naltë e kjo fitohet kur rregullohen veprimet si mbas ndërgjegjës morale e urdhënave të amshuem të Kur-anit.
Këtu poshtë po sjellim disa nga këta urdhna për të mbyllë themën t’onë:
“Sa të kemi takàt shtrojuni dhe bindjuni Zotit, për të mirën e lumtërin e vehtes s’Uaj nepni diçka nga pasurija e juajë; ata qi nuk kursehen për ket qellim, nj’ata kanë shpetue.” 64-16
“Ata qi i napin vorfëris natën, ditën, tinëz, sheshaz, ata do t’a marrin çmimin e tyne prej vet Zotit. Ata s’kanë me parë kurr frigë e mjerim.” 2-274
“Po dhatë lëmoshen sheshit âsht gjâ e mirë; po po t’a epni tinëz, âsht mâ e dobishme për ju; Perëndia ka dijeni të plotë për çka qi të punoni.” 2-271
“Po t’i nepni uha Perëndis, d.m.th. po të shpenzoni pasurin t’Uajë në virtut të Urdhrit Hyjnuer – Perëndija ju a shpërblen dy fish edhe ju fal ndjesë.” 64-17
“Njerëzve të Xhennetit ua shkepëm nga zemra mënin e lakmin; nën banesat e tyne rrjedhin lumejt, ata thonë: ‘Lavdërojmë All-llahun qi na e fali ketë vend plot me të mira e me lumtëri. Si kur mos të na e kishte diftue Zoti ketë rrugë, ne s’kishim për t’a gjetë vetiut; Pejgamberët e Zotit me të vërtetë qenë në të drejt; Do t’u thohet këtyne të lumturve në Xhennet: Ky âsht Xhenneti, me të cilin ju shpërblehen veprat t’uaja.” 7-43
“Uroni ata qi ju besuen se do t’u nepet Xhennete, ndër të cilat rrjedhin lumj; kur të shijojnë pemët e atyhit, kanë me thanë, këta qenkan tëpki si ata qi kemi pasë hangër në dynja; sepse do t’i u përgjajnë atyne; Këta do të kenë edhe shoqe të ndershme e aty kanë me qenë gjithmonë…” 2-24
“All-llahu âsht Aj qi ndërtoi qiellnat pa mbështetje si e shifni; mbasëndej zû Arshin; rregulloi Diellin e Hanën, të cilët i shtrohen këtij rregulli deri në kohën e paracaktueme; Perendija rregullon ç’do gjâ; çfaq shenjat e veta, deri sa të ju mbushet mendja qi t’a besoni se keni për t’u takue me Té.” 13-2
“All-llahu âsht Aj, veç të cilit s’ka tjetër Zot; âsht i Amshuem; zotnon edhe përmban gjithsin; as nuk dremit, as nuk flen; ç’do gjâ në qiell e në tokë âsht e Tija; Cili âsht aj qi mundet me bâ shefaát pa pasë lejen e Zotit, Aj din ç’do gjâ e diturin e Tij s’e kap dot askush, veç ndonji qi ka fitue hirin e Zotit mund të dije çka i ka përmetue Vullneti Hyjnuer. Diturija e Zotit âsht shtri dhe ka mbulue krej qiellnat e Dheun, mbrojtja e të cilave nuk formon barë të rândë për Té; i Naltë e i Madhnueshëm asht vetëm Madhnija e Tij.” 2-255
“Gjith ç’ka në qiellna e në dhé lavderojnë dhe lartësojnë të Madhin All-llah, i cili âsht i plot pushtetshem dhe i çdoditur; zotnon dhe sundon qiellnat; ep e merr jetë; ç’do gjâ âsht në kompetencën e Tij; âsht i mbrapmi, âsht i çfaquni; âsht i mbrendëshmi; âsht i pari ‘Aj din çdo gjâ; Aj krijoi qiellnat e dheun për gjashtë ditë e mbasëndej rregulloi Arshin, prej kah sundon çdo gjâ. Aj din çdo gjâ qi hyn në tokë, çdo gjâ qi zbret prej qiellit e çdo gjâ qi ngrihet në qiell. Ku do qi të jeni Aj âsht bashkë me ju; brumi i gjithësis qiellore e toksore âsht krejt i Tij; të krejt ju keni për t’u këthye tek Ay. Aj pru diten mbas natës e natë mbas ditës; Aj i din krej idét e mshefta qi ka çdo njeri…” 57-16
“Lavderimet e miradijet janë të posaçme vetëm për All-llahun, qi âsht Zoti i gjith botave; Aj âsht Bâmirës e Mëshiurës; Zotnuesi i Ditës së Fesë. Vetëm Ty – O Perendi – Të falemi! Vetëm ty të lutemi me na ndihmue. Falna rrugën e drejtë, ate rrugë qi u a falë të mirëve e jo rrugën e atyne qi i more mëni, as rrugën e të prapëve. Amin.” 1-1…7
“Thuaj, Aj All-llahu âsht nji; Asht All-llahu tek i cili gjejnë strehë të gjit; nuk ka pjellë edhe nuk ka lé; edhe nuk ka ndonji shembull.” 112-1…4
“Aj qi ka nën urdhen të vet pronin e gjithësis âsht shum i Naltë, edhe Aj âsht i zoti për çdo gjâ. Aj krijoi gjallnin edhe vdekjen qi të Jua provojë se cili prej jush do të veprojmë mâ mirë; Aj âsht madhështor e Përdëllimtar. Aj krijoi shtatë qiellnat palë palë e në krijimin e Tij s’mund të gjeni ndonji të mêtë, ktheni syt kah qielli naltë a mund të shifni ndonji mungesë të vogël? Përsëritnije ketë veshtrim; prapë se prapë syt t’uajë ju rrotullohen pa gjetë kùnd nji të metë e nji mungesë.” 67-1…4
“Aj All-llahu ka në dorë çelësat e të mësheftës (gajb); atë vetem Aj e din; Aj din të ramit e gjethëvet nga drût; Kokrrat në errsinën e dheut, të njoma a të thata qofshin, janë të përfshime në Kur-anë.” 6-59
“Të shtatë qiellnat edhe toka si edhe gjith çka në to lavdërojnë e naltësojnë Madhnin e Hyjnueshme edhe nuk ka gjâ qi mos t’a naltësojë Perëndin. Por ju nuk e kuptoni si e kryejnë ata këte lavdërim e naltësim.” 17-44
“Gjith ç’jan në qiellna e në tokë janë të Zotit; për çdo qi kemi në vehte, çfaqkeni ase e mshefkeni All-llahu do të ju kërkojë llogari.” 2-284
“Po të keni për qëllim të mirën edhe hirin e Zotit e paqin e njerzis, mos e bâni bén pengim; Perëndija ndigjon edhe di çdo gjâ.” 2-224
“All-llahu nuk ju qorton pse bâni bé të rrejshme por ju qorton për çka zemrat t’uaja kundërshtojnë fjalën; Perëndija âsht përdëllimtár dhe i butë.” 2-225
“Betohme për natën qi mbulon botën me errsinë, edhe betohem për ditën qi bijë dritë dhe çduk errsinën e natës; betohem edhe për Atë qi krijoi mashkullin e femnën, se veprimi i juajë ka qëllime të ndryshëm. Ndër ju, ata qi njofin dhe napin të drejten e tjetrit, ata qi largohen nga çdo e ligë edhe ata qi ndjekin e vërtetojnë punë mâ të mirë, kanë me u lehtësue në mbarimin mâ të mirë. E ata qi janë neqesa, ata qi nuk shofin nevojë për Zotin, edhe ata qi mohojnë të vertetën e i thonë rrenë gjâs mâ të mirë, kanë me u lehtësue në nji mbarim shum të vështirë.” 92-1…10
“Bâj bé për ata kuaj të luftarëve qi msyjnë me krahnuer të hapët, për ata qi nxjerrin xixakur përpjekin kambët nëpër gurët e fushë së luftës, për ata qi mësyjnë armikun në mëngjez, për ata qi ngrenë fluturimin perpjetë, për ata luftarë qi çajnë rrjeshtat e armikut edhe futën mbrënda, për krjet këta bâj bé – se njeriu âsht bukëshkalë edhe nuk njef të mirën e Zotit; ketë gjâ e dishmon edhe aj vetë; njeriu âsht i dhanun tepër mbas interesit të dynjasë; A nuk e din se ç’bâhet, po të duken gjith ç’ka mbrenda nëpër vorre e po të çfaqen krejt të msheftat e zemrave? Pa dyshim All-llahu di ç’do gjâ dhe e ndeshkon.” 100-1…11
“Kur do të lëkundet toka nga termeti e kur do t’i njerrë përjashta të rândat e veta, edhe kur do të thotë njeriu ‘Ç’âsht këjo punë?’; atë ditë dheu do të flasë e do lajmërojë çdo gjâ, me qenë se yt Zot ja inspiron këto lajme. Atë ditë njerzija vijnë të shpërdamë për me pá veprat e veta; kush të ketë punue nji grimë mirsi, atë ka për t’a pá; e kush të ketë punue nji grimë ligësi, ate ka për t’a pa.” 99-1…8
“Kur të shkallmohet qielli; kur të derdhen e të shrregullohen yjt; kur të marrin valë detete e të bashkohen midis tyne; edhe kur të perzihen vorret e të qesin jashtë atë qi kanë mbrenda; nj’atëherë çdo njeri do të kuptojë fije për fjie ç’të ketë punue në krye e në fund.” 82-1…5
“Kur të mbështillet e të rrokulliset Dielli; kur të errtohen yjt e të bijen në tokë si shi; kur të shkepen e të grimcohen malet; kur të mbeten shterpá shtâzët, kur të vëlojnë e të përzihen detnat; kur të këthehen shpirtnat nëpër trupa; kur të pyetet mëkati i atyne q’u varrosen për së gjalli; kur të shpallosen fletët e librit; kur të rripen qiellnat si rripet lëkura; kur të këndellet Xhehennemi e kur të afërohet Xhenneti, njatëherë ka për t’a marre vesht gjithsecili të mirën e të keqen qi ka punue.” 81-1…14
“Asht shum i naltë Aj qi j’a çoj rrobit të vet Kur-anin qi dán të drejtën prej së shtremtës, për të përfriksue gjith kombet; proni i qiellnave dhe i tokës janë të Tijat; Aj nuk ka bir (djal); s’ka shok në begati; ç’do gjâ e krijoi sa lypset dhe e caktoi sa duhet.” 25- 1 e 2
“Betohem në yjt qi perëndojnë, se shoku i juaji Muhammeti kurrë nuk ka dalë prej rruge e kurrë nuk ka bâ gabim, nuk ka folë kurrë prej mendes së vet; kuptimet fetare qi ka bâ janë zbulime Hyjnore; këta zbulime Hyjnore j’a mbsoi i Fort-fuqishmi.” 53-1…5
“A e shifni zjarmin qi ndizni; drunin e tij a ju e goditët, a po Ne? Ne kete zjar e bâm nji shenjë të mrekullueshme qi të çuditeni; kush veshtron me kujdes e çmon fuqin e Zotit edhe gjith njerzit shofin dobi prej zjarit; mbassi puna âsht kështu, atëherë lavdero dhe naltësò emnin e madh të All-llahut. Nuk betohem për pozitat e yjvet, – ky betim âsht shum i madh! – se me të vërtetë ky âsht Kur-ani i bekue; âsht libri i garantuem në ‘Pllakën e sigurtë, Levhi mahfudh’. Atë mund t’a prekin vetëm duert e pastra; Ky libër âsht ulë nga Zoti i Gjithësis.” 56-71…80
“Mjer ata qi masin mêtë, mjer ata qi peshojnë mangut; të cilët kur blejnë masin e peshojnë drejt e kur shesin masin e peshojnë me mungesë. A nuk e dijnë se do të ringjallen për nji ditë shumë të madhe në të cilën krejt njerzit do të qendrojnë para Zotit të gjithësis.” 83-1…6
“Zoti mëshirëmadh j’a mësoj Kur-anin Muhamedit; E krijoi njerin edhe j’a mësoi mënyrën e çfaqjes së mendimit; Dielli e Hana në rrugët e tyne udhtojnë mbas rregullit të paracaktuem; Ylli e druni i bâjnë sexhde Zotit. All-llahu naltësoi qiellin edhe i vûpeshën; qi edhe ju mos t’a teproni peshën; peshoni me drejtësi të madhe e mos e mundoni të drejtën e njerzvet.” 55-1…9
“Dita qi therr e zharrit zemrat, ç’âsht këjo ditë e ti si e more vesht? Ajo âsht ditë shum e veshtirë! Asht dita, veshtirsija e tmeri i së cilës do t’a bâjë njerzin të perzihen si fluturat; malet do të shpërdahen e do të fluturojnë si fijet e pambukut, atë ditë ata qi kanë të mirat mâ të randa do të jenë në jeten e lumtun e të kënaqun; e at qi do t’i kenë të mirat mâ të lehta se të ligat vendin kanë me e pasë në pellgun e thellë të Xhehennemit. A e dini ç’asht ky vend? Asht zjarri mâ përvëlues.” 101-1…11
“Táhá – O Muhammed! – Nuk t’a kemi dërgue Kur-anin për me të mundue, por ta kemi dërgue qi të predikoni e të këshilloni ata qi kanë zemrën e urtë e të butë; Kur-ani âsht dërgue prej Atij qi krijoi Dheun edhe qiellnat e naltë; All-llahu Plot mëshirë mbulon Selin e Sundimit të Hyjnueshëm. Janë të Tijat se ç’kanë në qiellna, në tokë, midis tyne edhe nën tokë. Në dash me folë ashiqare, fol; por Aj All-llahu e din edhe tinzin edhe të msheftën edhe çka të shkojë nëpër mend. All-llahu asht Aj, veç të cilit s’ka mâ Zot tjetër; Emnat e Bukura janë të Tijat.” 20-1…8
“Bâj bé në kohën e sillës, bâj bé edhe në natën qi mbulon nën errsinën e vet ç’do gjâ; baj be në kta se yt Zot nuk ka heqë dorë prej teje, as nuk të ka harrue. Dije sigurisht se e Ardhëshmeja do të jetë mâ e dobishme për ty se e Shkuemja. Yt Zot ka me të dhanë e me të kënaqë – deri sa të bâhesh ràzi – yt Zot a nuk të gjeti të vorfun e a nuk të dha strehë? A s’të gjeti në gabim ea së të drejtoi? A së të gjeti të vobegët e a së të pasuroi? Ruju fort e mos mundo të vorfnin, mos e perzê pa gjâ lypsin, edhe lavdëro e falenderò t’and Zot për të mirat qi të ka dhanë.” 93-1…11
“Këndò në emën të t’yt Zot qi ka krijue – çdo gjâ – All-llahu e krijoi njerin nga nji copë gjak të nxámë; Këndo, yt Zot, asht mâ zemërbardhi i zemërbardhëve; i cili j’a mësoi me pendë, j’a mësoi njeriut atë qi s’dinte…” 96-1…5
“Betohem në kohën e Iqendís, se me të vërtetë njeriu – qi mendon vetëm dunján – ndodhet në dâm e në mjerim; përjashtohen ata qi besuen e punuën të mira edhe këshilluen shoqishoqit – të drejtën e durimin.” 103 -1…3
“Mos ju qasni Zináës, pse ajo âsht punë e ndytë edhe sjellja ma e ligë.” 17-32
“Mos ec mbi tokë tue lëshue hapin me madhështi se t’i kurrë s’ké për t’a ça tokën, as s’mund të matesh me malet.” 17-37
“Durò bashkë me ata qi i luten Zotit mëngjez e mramje dhe kërkojnë hirin e Zotit, e mos i tërhiq syt nga këta e mos u ep kah ata qi lakmjnë luksin e jetës së dunjasë; mos j’u bind atij qi j’a kemi nxi zemren dhe s’kujton Zotin, por i shtrohet yryshit të vet; puna e njeriut të këtillë shkon kot na – si kot.” 18-28
“Thuaju, ejani t’u diftoj çka ju ka bâ haram Zoti i juajë: Mos i shoqnoni Atij kurgjâ; bâni-u mirë prindëve; mos i mbytni fëmit t’uajë nga friga e ushqimit; se Na ju ushqejmë ju edhe ata; mos ju qasni ligsive, të dukuna ase tinëz qofshin; Mos vritni ate frymë qi ju a ka ndalue Perëndija, veç në ju lejoftë e drejta; të këtilla gjâna ju këshilloj; abolla qi të bini në mend.” 6-151
“O ju qi keni besue All-llahu! Pija, panto, statujat qi adhurohen edhe shigjetat qi hidhen n’emën të tyne janë nxitje të liga të veprës së Shejtanit; rujuni nga këta punë të këqija, në daçi me shpëtue.
Shejtani, me pijen e bixhoyin, nuk don tjetër, veç se të ju përzije e të ju ngatrojë shoq me shoq, të ju shtjerë grindje, armiqsi e meni ndër ju, edhe ka për qëllim me ju bâ qi mos t’a kujtoni Zotin e mos t’a adhuroni. A nuk e shifni t’arsyeshme pra, qi të hiqni dorë nga këta vese?” 5-90…91
“O ju qi keni besue All-llahun! Bâhuni dishmitarë të drejtë e jo të rrejshëm, saherë qi të thirreni me dishmue në emen të Zotit, qoftë këjo dishmi edhe kundra vehtes t’uajë, ase kundra prindvet t’uajë, ase kundra far’ e fisit t’uaj, edhe në qofshin pasanik ase të vobegët; Perendija kujdesohet për këta dy palë mâ fort se ju. Pra mos ju shtroni passionit e moe shtrembnoni dishmin: e në qoftë se e këtheni ase i shtëmangeni, Perendija i di plotsisht punët qi bâni.” 4-135
“Mjerim i madh për ata qi hartojnë libra me duert e veta e pastaj, qi të fitojnë ndopak të holla, thonë se janë të zbritun prej Zotit; mjerim i madh per çka kanë shkrue duert e tyne e mjerim i madh për çka fitojnë.” 2-79
“O Muhammed! Janë kah të pyesin për jetimët; thuaju âsht punë e dobishme me u sjellë mirë me t’a e me ju bâ mirë; në qoftë se je qëllon qi të merrni përsipër kujdestarin e tyne, veni menden se mos bân ndonji gabim; pse ata i keni vëllazën; All-llahu i din shpërdoruesit e të drejtët…” 2-220
“All-llahu i yt të ka dhanë urdhën të premë qi mos t’i faleni tjetër kujt veç Atij edhe të ju bâni mirë prindve; në qoftë se njani ase të dy në pleqëri vijnë në nji shkallë qi të kenë nevojë për ndihmën t’ande kurrë mos u mërzit e ruju se ju thuesh ‘Of!’ e mos ju kërtil, por folu me fjalë të ambël. Pastaj tue pasë dhimë për to ul krahët teposhtë edhe qendro para tyne e lutu tue thanë ‘O Zot i em kij mëshirë për to, si kur paten edhe ata meshirë për mue qi më kanë rritë qysh në vogjëli.” 17-24
“Nuk âsht bindje të këthyemit e fytyrës kah Lindja a kah Perëndimi, por numrohet bindje vepra e atij njeriu qi beson All-llahun edhe ditën e fundit, edhe engjëllit, librat e pejgamberët, edhe u nep pasunin e ambël far’ e fisit, jetimëve, të vobegtve, atyne qi kanë mbetë rrugës, lypësve edhe skllavëve të luftës; pastaj kryen të falmen, lan zeqatin, nuk i luen fjalës e nuk e then besën; edhe duron ngushticat, shtrëngimet e fatkeqsit. Këto njerëz janë besnikë të vërtetë edhe këto kanë frigë Zotin.” 2-117
“Këndò ç’tu kumtue prej librit edhe vazhdo të falmen; se pa dyshim e falmeja të largon nga ligësinat e nga të këqijat. Me doemos të kujtuemit e Zotit âsht nji detyrë mâ e shenjtë e ma e madhe. All-llahu din çdo gjâ qi hartoni.” 29-45
“Mjer kush perbuz gjithkend dhe i ven shpifje.” 101-1
“Kush e kullon ndërgjegjen shpëton e kush e përlyen mjerohet.” 91-9…10
“Porositi muslimankat qi mos të kenë sy në të keqe, le të mbrojnë nderin edhe le të mos çfaqin stolit e veta.” 24-31[1]
[1]. Marrë nga revista “Zani i Naltë”, nr. 4-5, viti 8, janar-shkurt 1933, f. 531-547.
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Aug 10, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...