Perditësimi i fundit July 2nd, 2024 8:55 AM
May 07, 2024 Zani i Nalte Histori 0
Hamid Alaj
Ndërtimi i xhamisë së Qyrjanit – Xhamisë Plakë
Xhamia e Qyrjanit, apo siç e quajnë disa Xhamia Plakë, si xhamia më e vjetër dhe institucioni i parë Islam në trevën Krajë-Shestan, është njëra ndër më të mëdhatë, më e rëndësishmja si dhe një vepër me një vlerë të çmuar.
Ajo është një nga shembujt më me vlerë të arkitekturës osmane. Krahas kësaj bëjnë pjesë edhe xhamitë e tjera të ndërtuara gjatë periudhës osmane në këtë trevë. Xhamia ndodhet në hyrje të lagjes së Qyrjanit, prej nga ka marrë edhe emrin e saj, dhe në përbërjen e vet përfshin pjesëtarët (xhematin) e fshatit Martiq, gjegjësisht lagjet e këtij fshati, si ato të lagjes së Qyrjanit, Sjerçit, Kacejve dhe të lagjes së Ramushejve.
Xhamia nuk është punë e një periudhe të vetme ndërtimi, pasi në hyrje të saj ka pasë të ndërtuar hajatin e saj, kurse me kalimin e kohës, ajo pjesë është mbyllur dhe është shtuar një kthinë tjetër në pjesën e brendshme të saj, ku është ndërtuar mejtepi i xhamisë. Stili i ndërtesës, gjërësia e mureve, lloji i materialit ndërtimor, vendodhja e saj, jep të dhëna të mjaftueshme për të përcaktuar vjetërsinë e saj. Përsa i përket ndërtuesit të xhamisë së Qyrjanit mund të ngrihen vetëm supozime, sepse nuk është ruajtur asnjë mbishkrim për të vërtetuar këtë me saktësi.
Ndërtimi i xhamisë patjetër duhej t’u përmbahej disa kritereve. Kriteri i parë ishte ndërtimi i murit të përparmë të harimit (vendi kryesor i adhurimit-faljes) në drejtim të Mekes. Ndërkaq, zemra e xhamisë ishte vendi kryesor i lutjeve që quhej harim. Madje, emërtimi i këtij muri të përparmë të harimit si mur i Kibles vjen pikërisht prej kësaj.1 Roli kryesor i këtij muri është, sepse gjatë kohës së lutjes së namazit besimtarët formojnë rreshtat (safet) njërin pas tjetrit paralel me këtë mur të Kibles. Kështu, fytyrat e tyre kthehen drejt qytetit të shenjtë të Mekës.
Në mes të murit të Kibles gjendet mihrabi. Gjatë kohës së lutjes së imamit kjo pjesë, nga e cila imami drejton xhematin, pra nga ku drejtohet falja e namazit, simbolizon derën e parajsës (Xhenetit) dhe hyrjen në parajsë (Xhenet).2
Xhamia e Qyrjanit karakterizohet me oborrin rreth saj, ku gjinden shumë varreza, si një ndër varrezat më të hershme, të dekoruara me simbole të ndryshme. Brenda xhamisë një përshtypje të madhe të lë një sallë e madhe, ku falet namazi me xhemat (namazi kolektiv).
Xhamia është e gjatë 15.30 m. (në dy anë) dhe e gjerë 9.57 m. (në dy anë) edhe pse në shikim të parë duket një ndërtesë në formë katrore. Trupi kubik i xhamisë është i ndërtuar në një mënyrë, që është shumë e përhapur në trevën e Krajës. Katër qoshet e kubit janë pak të pjerrëta dhe kështu hapësirat trekëndore të formuara, janë të mbuluara me tjegulla.
Xhamia e Qyrjanit është ndërtesa më e vjetër dhe e vetmja ndërtesë osmane e ruajtur në këtpë lagje dhe njiherit ajo njihet si një ndër më të mirat në tërë trevën e Krajës. Ajo ndodhet buzë një kodre në hyrje të lagjes së Qyrjanit, në pjesën përendimore të saj. Aty ku është ndërtuar xhamia, mu buzë saj, dikur kalonte rruga kryesore e cila të çonte në lagjen e Sjerçit dhe njëkohësisht e njëjta rrugë të çonte edhe për në Vaun e Sjerçit ku ishin të përqëndruara shitoret dhe kooperativa e peshkut në trevën e Krajës.
Xhamia e Qyrjanit, është xhamia e parë e ndërtuar në trevën e Krajës. Po e të njëjtit vit është e ndërtuar edhe Xhamia në Muriq Nalt në trevën e Shestanit. Nuk ekziston ndonjë gjurmë tjetër e sigurt rreth datës së ndërtimit të kësaj xhamie, por në bazë të disa dokumentave mendohet se u ndërtua diku rreth vitit 1602.3
Thuhet se islamizimi i popullsisë së Krajës dhe të Shestanit depërtoi nga qytetet përreth kësaj treve, e sidomos nga Shkodra. Menjëherë me depërtimin e Islamit në këtë trevë filloi edhe ndërtimi i objekteve fetare-xhamive. Kështu që në këtë periudhë të depërtimit të fesë Islame në këtë trevë u ndërtua xhamia e parë, e mbiquajtur Xhamia e Qyrjanit. Shembullin e ndërtimit të objektit të parë fetar në trevën e Krajës, por edhe të asaj të trevës së Shestanit e ndjekin edhe fshatrat e tjera të kësaj treve Krajë-Shestan, gjë që bëri që për një kohë të shkurtër kjo trevë të islamizohet në masë, ku bëri të mundur që popullsia e saj gradualisht të braktisë kishat dhe varrezat e të parëve, të cilat me kalimin e kohës u zhdukën.
Me ndërtimin e xhamisë së Qyrjanit filloi edhe aktiviteti dhe praktikimi haptas i riteve fetare islame në këtë trevë. Me hapjen dhe funksionimin e kësaj xhamie, vinin njerëz nga të gjitha anët e trevës së Krajës mbase edhe më gjerë për të kryer ritet fetare islame. Në atë kohë, kjo xhami kishte grumbullimin më të madh të njerëzve për të kryer ritet fetare islame. “Besimi i vërtetë skalitet thellë në zemër. Atë besim më pas e vërtetojnë veprat.”4
Kjo xhami, ishte edhe xhamia më e rëndësishme e kohës, duke pasur parasysh se ishte xhamia e parë e çelur në këtë trevë, duket se ka patur një popullaritet të madh. Padyshim, kjo xhami është projektuar nga arkiteti i kohës, për të qenë tipar dominues arkitekturor i kësaj treve. Nuk dihet dhe nuk kemi gojëdhëna të sakta se nga kush është ndërtuar kjo xhami, nga ndonjë bamirës apo nga ndonjë sundimtar i kohës në këtë trevë, por dihet dhe ka të dhëna se ndërtimi i kësaj xhamie është bërë me depërtimin e turqve dhe me përqafimin e fesë islame të popullsisë së kësaj treve. Në fakt nuk kemi ndonjë dokument në dispozicion apo ndonjë mbishkrim, me anën e të cilit mund të konfirmohet një gjë e tillë, por mund të supozohet se dikush nga sundimtarët turq, (mbase Sulltani – H.A.) ka udhëruar ndërtimin e kësaj xhamie.
Muret e saja ndërtuese janë të ruajtura thuajse plotësisht nga origjinali i tyre, “që janë një pasqyrë e së kaluarës së gjatë dhe të pasur”5 të kësaj treve, e në veçanti të lagjes ku është ndërtuar kjo xhami. Trashësia e mureve të kësaj xhamie është 70 cm, të ndërtuara nga gurët e marrë në afërsi të xhamisë, përreth kodrës ku edhe është ndërtuar.
Kornizat e dritareve janë të punuara nga gurë mesatar të punuar mirë, të cilëve u është dhënë një sipërfaqe e lëmuar, kryesisht nga ana e jashtme e vendosjes së gurit në vendin e duhur në dritare. Me vendosjen e këtyre gurëve në dritare, dritarja ka marrë pamjen e një punimi të vërtetë të kohës. Punimi i këtyre gurëve nga mjeshtri punues ka qenë shumë i rregullt dhe i saktë. Gurët e dritareve janë të vendosur në atë mënyrë që të formonin kornizën e dritares. Në këtë mënyrë janë të ndërtuara kornizat e të gjitha dritareve të kësaj xhamie, me përjashtim të dy dritareve të rumbullakëta të vendosura në murin e mihrabit, në të dy anët e tij.
Të gjitha dritaret ishin të një madhësie të njëjtë, me përjashtim të dy dritareve në formë të rrumbullakët, të ndërtuara prej materialit të drurit. Gjatë meretimemeve të herëpashershme, edhe dritaret kanë pësuar ndryshime, disa prej tyre (3 dritare në sallën e faljes-H.A.) janë zmadhuar e shumica prej tyre janë origjinale.
Muret rrethuese të xhamisë janë të gjëra, sipas mënyrës së ndërtimit të kohës. Kjo mund të na çojë në përfundimin se forma e xhamisë nuk ka ndryshuar në themel, që nga ndërtimi i saj.
Në fillim kjo xhami nuk kishte oborr të përcaktuar në mënyrë të veçantë kurse me kalimin e kohës në një mënyrë a një tjetër u përcaktua, pra u rrethua edhe oborri i saj, punë e cila u bë në bazë të ndihmave dhe punës vullnetare të pjesëmarrësve (xhematit) të saj. Minarja e xhamisë nuk ishte e ndërtuar, pra e ngjitur për faqen e murit të xhamisë, por ishte e ndërtuar mbi një kodër, në anën e derës hyrëse të xhamisë, prej ku shihen të gjitha lagjet, me përjashtim të lagjes së Sjerçit, që i përkasin kësaj xhamie, por edhe mëhallët e tjera të trevës së Krajës. Ajo kishte formë të rrumbullakët, me një murë të thatë, prej ku muezini lajmëronte kohët e faljes së namazit dhe rastet e vdekjes. Në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, kësaj xhamie iu ndërtua edhe minarja e re në anën përendimore të saj, përkatësisht në anën e majtë të derës hyrëse të xhamisë, minare e cila e hijeshoi edhe më shumë.
Pamja e sotme e xhamisë së Qyrjanit është një version i rikonstruktuar i ndërtimit të bërë që në kohën e ndërtimit të saj. Kjo xhami së bashku me disa ndërtesa tjera të vjetra në trevën Krajë-Shestan nuk njihen si monumente kulture, megjithëse domosdoshmëria e lyp që të jenë të tilla.
Xhamia e Qyrjanit së bashku me xhamitë e tjera në trevën Krajë-Shestan, që nga viti 1982 janë të organizuara dhe veprojnë si Këshill i Bashkësisë Islame në Krajë me seli në Ostros. Para vitit 1982 të gjitha xhamitë e trevës në fjalë ishin pjesë përbërëse e Bashkësisë Islame të Tivarit, trevë e cila i përket kësaj komune, kuptohet që me aneksimin e saj nga Mali i Zi, ndërsa para kësaj periudhe të gjitha xhamitë e trevës Krajë-Shestan ishin pjesë përbërse e Myftinisë së Shkodrës.
Xhamia origjinale e Qyrjanit nuk është e ruajtur plotësisht, pasi ajo do të ketë pasur ndryshime të njëpasnjëshme, si në riparim, suvatim apo të shtimit të ndonjë kthine, mbase edhe mbyllja e përparme e hajatit të saj, por në përgjithësi mund të thuhet se pjesa më e madhe e saj është origjinale.
Pra nga sa u tha më sipër, shihet se xhamia sot është një produkt i një restaurimi të plotë në periudha të ndryshme kohore, sidomos gjatë dekadave të fundit të shekullit XX. Kështu, vlera e saj për historinë e arkitekturës osmane të asaj kohe është e papërfillshme, ndërsa për historinë e kësaj treve, për një studim të veçantë, ajo është e një rëndësie të veçantë. Si një vepër e veçantë arkitekturore e kohës së vet, xhamia e Qyrjanit ka qenë më e rëndësishmja në trevën Krajë-Shestan. Ajo është i vetmi monument osman dhe një nga shembujt më me vlerë të arkitekturës osmane, gjer më sot, i ruajtur në trevën Krajë-Shestan.
Ndonëse humbja e origjinalitetit të ndërtimit të xhamisë së Qyrjanit ka lënë pasoja negative në ruajtjen e objektit ashtu siç është ndërtuar, objekt i cili dëshmon qartë për kultivimin e traditës, kulturës e jetës shoqërore të banorëve të trevës së Krajës, ajo gjithsesi ka mundur të pasqyrojë gjurmët e thella të zhvillimit shpirtëror dhe thellimit të besimit në fenë islame të popullit të kësaj treve. Ndikimi i saj në praktikimin e fesë islame të popullit të trevës së Krajës ka qenë i konsiderueshëm.
Përshkrimi i brendshëm i Xhamisë së Qyrjanit
Kur bëjmë përshkrimin e brendshëm të xhamisë theksojmë dimensionet dhe pjesët ndarëse të saj, duke e paraqitur në mënyrë kronologjike brendësinë e saj. Hapësira e brendshme e xhamisë përfshin një hapsirë prej 85m².[1] Mirëpo, kjo hapsirë prej 85m² nuk është e qartë dhe shumë e kuptueshme se cilës ndarje i përket, sallës së faljes apo tërë hapësirës së brendshme të xhamisë, pasi nuk është e mundur që të jetë hapësira e brendshme e xhamisë (85m²), duke pasur parasysh se hapësira e saj e brendshme është shumë më e madhe. Mirëpo, gjithsesi, pjesën më të madhe të hapsirës së brendshme të xhamisë e zë salla e faljes me 56 m²., pra me një gjatësi prej 8 m. dhe një gjërësi prej 7 m. Sallën e lutjeve e ka të projektuar në formë katrore.
Përballë mihrabit, është i ndërtuar një vend tjetër lutjesh që ngrihet mbi kolona, në formën e një kati të dytë, dhe është vendi ku rrinë gratë.
Xhamia ka dy mbajtëse-shtylla, me lartësi prej 2.5 m., me një distancë prej 2 m. nga njëra-tjetra, kurse shtyllat janë të gjëra 23×23 cm. Ato kanë një funksion të dyfishtë sepse mbajnë tavanin dhe shënojnë fundin e hajatit të gjerë të grave, i vendosur mbi këto dy shtylla, dhe prej hajatit e deri në tavan ka një lartësi prej 3 metrash.
Hajati i grave, apo siç njihet në popull “vendi ku falen gratë” në mes të hapsirës së saj është pak i dalë mbi sallën kryesore të faljes, që formon një ballkon me dimensione 110×110 cm. dhe është i ndërtuar prej druri.
Në hajatin e grave (sallën e grave) shtyllat (kangjellat) mbrojtëse të hajatit janë prej hekuri (më parë ato kanë qenë të ndërtuara prej druri, me një dekor të posaçëm) dhe gjatësia e tyre, duke përfshirë edhe pjesën e ballkonit është 10 m., edhe këto të dekoruara në formë të veçantë.
Në sallën e grave, në murin ndarës nga korridori, janë të ndërtuar dy rafte të gjëra 80 cm. dhe të larta 150 cm., me tri ndarje për mbajtjen e sendeve.
Dera hyrëse në sallën e grave është 71 cm. e gjerë, dhe 195 cm e lartë. Kurse, salla e grave është e gjatë 7 m., dhe e gjerë 2.80 m. Ka një dritare në anën e lindjes me dimensione 56 me 100 cm.
Salla kryesore e xhamisë është e ndriçuar mirë nga një sërë dritaresh. Në hyrje të sallës, në krahun e djathtë të saj është një dritare dhe në murin anësor ku gjendet mihrabi, në të dy anët e tij janë dy dritare, kurse mbi mihrab, po në të dyja anët e tij, pak nën tavanin kryesor të xhamisë, janë të vendosura dy dritare të vogla, që të dyja në formë të rrumbullakët. Ato nuk janë dritare origjinale, sepse origjinalet ishin me përmasa më të vogla, të njëjta me përmasat e dritareve të tjera të kësaj xhamie, kurse dy të rumbullakëtat mbi mihrab janë dritare origjinale, pra që nga ndërtimi i xhamisë. Themelet e xhamisë nuk janë të dukshme dhe nuk dihet sa janë të thella dhe të gjëra sepse nuk mund të shihen, mirëpo ato janë të mbuluara nga një shtresë e trashë llaçi, duke lënë përshtypjen e një muri të ndërtuar me gurë të rregullt dhe të mëdhej të mbushur me llaç.
Dritaret e xhamisë në formën e tyre origjinale janë të rregulluara sipas ritmit të caktuar. Ajo në hyrje të sallës, në krahun e djathtë të saj, dhe dy të tjerat në të dy krahët e mihrabit, pra në murin e mihrabit, nuk janë origjinale. Ato janë zmadhuar dhe janë bërë me përmasa më të mëdha se ato të mëparshmet, ku dimensionet e tyre janë 120 me 130 cm., kurse dy dritaret e tjera në formë të rrumbullakët në dy anët e mihrabit, janë origjinale. Dy dritaret në anën e mihrabit dhe dy të rrumbullakëtat në sallën e faljes janë në anën e rrugës së asfalltuar që të çon për në mahallën e Qyrjanit, gjegjësisht për në mëhallën e Sjerçit dhe Vaut të Sjerçit, kurse dritarja tjetër në anën e djathtë të hyrjes në sallën e faljes është e vendosur në anën e ish-rrugës së vjetër (kalldrëm) për në mëhallën e Sjerçit dhe Vaun e Sjerçit. Muri i anës së majtë në sallën e faljes është pa dritare. Në dritare janë vendosur disa shufra hekuri në mënyrë zig-zage, për siguri.
Siç shihet sot xhamia në brendësinë e saj është e ndarë në disa pjesë të cilat janë vendi i faljes apo salla e faljes, hajati i grave ose vendi i grave, dhoma e mejtepit, një dhomë në anën e majtë të hyrjes në xhami, korridori dhe minarja.
Mihrabi dhe minberi i xhamisë
Në sallën e faljes është mihrabi dhe në të djathtë të tij është i vendosur minberi. Këtu bëhet predikimi i ditës së xhuma.
Vendi ku gjendet sot mihrabi i xhamisë është origjinal, mirëpo mund të ketë ndryshime të vogla nga suvatimi dhe renovimi i disa hershëm i mureve të brendshme të xhamisë, kurse mimberit i është ndërruar vendi dhe është bartur në këndin e djathtë të sallës së faljes, prej ku imami mban hytben e rasteve. Mimberi dikur ishte i vendosur në krahun e majtë të mihrabit, mu pranë tij, gjë që e mban në kujtesë edhe autori i këtyre rreshtave, mirëpo me zgjerimin e një dritareje në anën e majtë të mihrabit, minberi është bartur aty ku gjendet sot, në këndin e djathtë të sallës së faljes.
Mihrabi është 100 cm. i gjerë dhe 265 cm i lartë. Para mihrabit është një dysheme e ngritur pak më tepër se dyshemeja e zakonshme e sallës së faljes, ku rrin imami gjatë kryerjes së faljes dhe mbajtjes së ligjëratave islame. Kjo dysheme ka formë katërkëndore dhe është e gjerë 105 cm. me një gjatësi prej 165 cm., duke filluar nga fundi i mihrabit.
Në anën e majtë në drejtim të faljes (në drejtim të murit të Kibles) në brendësi të murit është i ndërtuar (i futur në murë) një lloj sirtari me dimensione 23×30 cm. që përdoret nga imami i xhamisë për mbajtjen e librave kryesisht atyre fetarë. Po në të njëjtën anë të murit të Kibles, gjendet një ulëse prej betoni në formë shkalle me një gjatësi prej 350 cm. dhe me një lartësi prej 30 cm. mbi dyshemenë e xhamisë.
Mimberi është 80 cm. i gjerë, me lartësi duke filluar nga 15 cm., dhe duke mbaruar me 180 cm. si pika më e lartë e tij, kurse kangjellat janë të larta 70 cm. nga shkallët e mimberit. Pjesa e naltë e minberit është 120 cm. e gjerë, kurse lartësia e mimberit nga dyshemeja e sallës së faljes deri në dyshemenë e sipërme të minberit është 220 cm.
Korridori i xhamisë së Qyrjanit është 5 m. i gjerë dhe 4.50 m. i gjatë, me një lartësi prej 2.20 m. Në korridorin e xhamisë ka dy shkallë, njëra është te dera hyrëse e xhamisë dhe tjetra përafërsisht 1 m. nga ajo e para.
Korridori i xhamisë përbëhet nga një dhomë në anën e majtë të derës hyrëse në xhami dhe nga ana e djathtë janë të vendosura shkallët për në katin e dytë. Shkallët janë dy katëshe të vendosura në anën e djathtë, të mbështetura në mur, ku secili kat përbëhet prej 6 shkallësh, pra gjithsejt janë 12 shkallë për në katin e dytë. Përmasat e shkallëve janë 132 cm. gjatësi me 28 cm. gjerësi dhe 20 cm. lartësi. Korridori i katit të dytë është i gjërë 3 m. Kur kalon në korridorin e katit të dytë, hasim në ndarje të tjera që i përkasin këtij kati. Në pjesën e përparme, përballë shkallëve, është dera e cila të çon në hajatin e grave, që përbën një ndarëse të katit të dytë dhe ndarja tjetër në këtë kat është dhoma e mejtepit. Po ashtu në korridorin e katit të dytë, me të mbaruar shkallët, në anën e majtë, është dera që të çon për në minaren e xhamisë.
Në anën e majtë, në korridorin e katit të parë të xhamisë, është një dhomë që është ndërtuar më vonë dhe shërben për nevojat e xhamisë, ku janë të sistemuara tavolina, stola prej druri e gjëra të tjera.
Një tipar shumë karakteristik madje edhe antik i xhamisë së Qyrjanit është lartësia 7 m. e tavanit të saj nga dyshemeja. Ky element tavani të lartë mund t’i ketë fillesat në periudhat më të hershme. Magjithatë, tavani i sotëm i përket një restaurimi që i është bërë ambientit të brendshëm të xhamisë, pas viteve ‘80 të shekullit XX.
Tavani i xhamisë ka qenë i ndërtuar prej druri mesatarisht të gjerë në formë dërrasash, me një dekorim të zakonshëm për kohën, kurse gjatë restaurimit ai u zëvendësua me një tavan më modern, me dërrasa të holla dhe të ngjyrosura me një ngjyrë të shndritshme. Në tavanin e xhamisë, në sallën e faljes, janë të vendosura 11 llamba (7 prej të cilave janë shumë të vjetra) apo siç quheshin në popull kandilë të xhamisë, me anë të të cilave bëhej ndriçimi i saj. Ato janë të përqendruara në një rreth të ndërtuar prej metali me një dekorim të bukur dhe janë të kapura nëpërmjet një teli në tavanin e xhamisë. Janë në një lartësi 3 m. mbi dysheme. Thuhet se ato llamba-kandilë kanë qenë të përcaktuar për secilin fis, për mbajtjen e tyre për ndriçimin e sallës së faljes gjatë faljes së namazit. Janë përcaktuar në këtë mënyrë për arsye se një njeri në atë kohë nuk ka pasur mundësi t’i mbajë të gjithë ato llamba-kandilë me shpenzimet e veta për blerjen e fitilit dhe vaj-gurit.[2]
Pamja e jashtme e xhamisë
Siç kemi cekur edhe më parë, se xhamia është e ndërtuar rrëzë një kodre në hyrje të lagjes së Qyrjanit, me pamjen e saj të lë të mendosh se ajo zë një vend të përshtatshëm për rolin dhe funksionin që ka. Ajo ka një stil të thjeshtë të arkitekturës së vjetër osmane dhe ka një bukuri të veçantë në vendodhjen e saj.
Çatia, apo kulmi i xhamisë siç e quajnë vendasit, është e ndërtuar në formën e zakonshme duke ju përshtatë arkitekturës vendase, e thjeshtë me lëndë drurore. Çdo anë e çatisë ka formën e trekëndëshit. Është e mbuluar me tjegulla në formë gjysëmrrethore.
Në anën e përparme, në hyrje të xhamisë, mbi derën hyrëse është e ndërtuar një gjysëm hark në mënyrë që dera hyrëse të mbrohet nga shirat.
Mes derës prej hekuri dhe derës hyrëse të xhamisë është një korridor me gjatësi 2 m. dhe gjerësi 1.80 m. Po në të njëjtën anë të murit të përparmë të xhamisë janë të vendosura edhe pesë dritare me dimensione 65×95 cm.
Në anën lindore të xhamisë, mu buzë saj është e ndërtuar saranxha e cila është pronë e xhamisë, uji i së cilës grumbullohet nga çatia. Uji i saj kryesisht përdorej për nevojat e xhamisë, si për pije dhe për marrjen abdes të xhematit të kësaj xhamie. Kohëve të fundit, pranë kësaj saranxhe është ndërtuar edhe një kthinë e vogël ku është ndërtuar tualeti dhe vendet për marrjen abdes.
Kurse në anën përendimore të xhamisë janë të ndërtuara dy bunarë 7-8 m të thellë. Ato janë ndërtuar me donacione dhe thirren nga banorët e lagjes me emrin “ublat nelt”. Edhe uji i këtyre ublave është përdorur për nevojat e xhamisë. Ato janë përdorur edhe për nevojat e popullsisë së lagjes së Qyrjanit, zakonisht kur mungonte uji në familjet e kësaj lagjeje.
Minarja e xhamisë
Minarja si pjesë e xhamisë, në fillim të periudhës islame nuk ka ekzistuar. Në disa xhami të njohura minaret kanë qenë të ndërtuara në atë mënyrë që kanë shërbyer edhe si kulla vrojtuese, prej nga janë ruajtur xhemati në xhami deri sa kanë kryer ritet (faljet) fetare islame. Me kalimin e kohës ato lloj minaresh-kulla, nga arsyeja se kanë qenë të ndërtuara në një lartësi mesatare, kanë shërbyer për muezinët e xhamisë gjatë thirjes së ezanit, në mënyrë që zëri të dëgjohej sa më larg.
Minarja gjithmonë ka qenë një punë e mundimshme e arkitektëve për arsye se në minare ato nuk kanë parë vetëm anën funksionale të saj, që muezini të bëjë thirjen në falje, por gjithherë janë munduar që të projektojnë simbolikën e qëndrimit të saj, estetikën e saj, lartësinë e duhur të saj, etj. Andaj, minarja për këtë arsye ka mbetur pjesë e pandashme e xhamisë dhe njiherazi edhe si shenjë e arkitekturës islame.
Ndërtimi i minares përbëhet nga tri pjesë, të cilat janë:
Minarja nuk është ndërtuar në të njëjtën kohë me xhaminë e Qyrjanit. Ajo ishte në anën hyrëse të xhamisë, përballë saj, mbi një kodër, përafërsisht 50 m. larg xhamisë. Ajo ishte e vendosur mbi atë kodër disa metra lartësi (mbase 4-5 m.) mbi rrugën e vjetër që të çonte për në mëhallën dhe Vaun e Sjerçit. Është e rrethuar me një murë të thatë, me gurë mesatarë ku në qendër të saj është i vendosur një gurë i madh, çka lë të kuptohet se ai gur ishte ekzistues dhe rreth tij është bërë muri i thatë me gurë dhe i është dhënë forma e një minareje të thjeshtë të ngritur mbi atë kodër. Lartësia e minares në fjalë sillet prej 1.5-2 metra, pasi që nuk është e njëjtë në të gjitha anët, kurse gjërësia e saj është 2 metra. Guri në mes të minares është i lartë 70 cm, kurse gjërësia dhe gjatësia e tij vijnë në formë të thyer, dhe mund të jenë disa cm.
Pozita e kësaj minare ishte në një vend shumë të përshtatshëm, pasi sa herë që muezini thirrte ezanin dëgjohej në shumë fshatra të Krajës. Se kur është ndërtuar saktësisht ajo nuk dihet dhe nuk kemi dokumentacion përkatës rreth saj, por në kujtesë të të moshuarve dihet se ajo u ndërtua vonë nga njerëz bamirës, duke menduar se do të ishte më praktike që ezani të thirrej nga një kodër, pasi para saj ezani thirrej prej vendit të quajtur tani “te bagremi”. Kjo minare ka shërbyer si çdo minare tjetër, për thirrjen e ezanit prej ku muezini lajmëronte kohët e namazit dhe rastet e vdekjeve. Sot kjo minare nuk përdoret nga muezinët e xhamisë, megjithate ajo duket shumë piktoreske dhe interesante. Ajo tani pothuajse ka mbetur si vend muze i lagjes së Qyrjanit. Me ndërtimin e minares së re të xhamisë së Qyrjanit, minarja në fjalë doli pothuajse plotësisht jashtë përdorimi.
Minarja e re, u ndërtua në vitet ‘80 (1983/84)[3] të shekullit të kaluar (XX). Minarja e re nuk është ndërtuar në brendësi të xhamisë siç ndërtohen disa minare moderne të kohës, por ajo u ndërtua mbi një bazë disa këndore të ngritur përafërsisht 1m larg nga muri i jashtëm i xhamisë. Minarja e re është ndërtuar nga fondet bamirëse me origjinë nga Arabia Saudite. Ajo është e gjatë 18 m. dhe e gjerë 2 m. Nuk ka formën të rrumbullakët por ka formën këndore. Minarja e re gjithashtu ka edhe ballkonin që është në formë të rrumbullakët prej ku muezini thërret ezanin.
Për në minare hyhet nga brenda xhamisë. Brendësia e minares është një hapësirë e zbrazët me një diametër prej 1 m., ku janë të vendosura shkallët e saj prej ku dilet në ballkonin e minares. Ato janë në formë spirale me një shtyllë hekuri në mes. Dera hyrëse e minares që gjendet në korridorin e katit të dytë të xhamisë është 62 cm. e gjerë dhe 195 cm. e lartë.
Një pjesë tjetër e rëndësishme minares është edhe pjesa ku thirret ezani e që quhet “pjesa e sherefes”. Minarja nga sherefja lartësohet përafërsisht edhe 6 m., por shkallët e saja nuk vazhdojnë më tej. Ajo është e zbukuruar mirë, me një gjysmë hënë. Kjo majë e minares quhet “alem”. Alemi është një zbukurim i veçantë i kapur mirë pas pjesës tjetër të majës së minares.
Mejtepi i xhamisë
Me ardhjen e turqve në Shkodër e vende të tjera përreth Krajës, në fillim themelohen institutet fetare e pranë tyre edhe shkollat elementare, në qendrat e mëdha administrative, përreth Krajës, si në Ulqin, Shkodër, etj. Pra, shkollat elementare ishin mejtepet, të cilat kanë qenë të vendosura në xhami. Në ato shkolla (mejtepe) mësohej shkrimi dhe leximi elementar, pak aritmetikë e më së shumti besimi.
Në trevën e Krajës për herë të parë një shkollë (mejtep) e tillë u çel në Xhaminë e fshatin Qyrjan.[4]
Mësimi kryesisht bëhej në gjuhë turke, por si gjuhë mësimi (qoftë edhe ndihmëse) u përdor edhe gjuha amtare, gjuha që flisnin nxënësit dhe hoxhallarët vendas dhe kishte karakter fetar. Mësimin kryesisht e zhvillonin hoxhallarët. “Programi niste me mësimin e alfabetit arabisht, që do të shërbente për leximin e mësimin e Kur’anit, duke e shkruar atë në një fletore të veçantë. Mësimi zhvillohej rregullisht, nxënësit qëndronin të ulur në gjunjë para hoxhës kurse hoxha qëndronte në krye, i ulur në një post ose mbi ndonjë qilim të sjellur nga fshatarët në shenjë dhurate në xhami. Fëmijët rrinin të gjithë së bashku pasi mësimi zhvillohej në mënyrë kolektive…”[5]
Mejtepi në xhami është në katin e dytë, në anën e djathtë të hyrjes në sallën e grave. Mejtepi përfshin disa banka, karrige dhe një dërrasë të zezë. Tavani është i mbuluar me dërrasa të lëmuara me një llambë elektrike në mes. Dyshemeja është e shtruar me tapetë të dhuruar nga njerëzit bamirës dhe vullnetmirë. Pjesë e saj është edhe një dollap librash, pra përfshin edhe bibliotekën e xhamisë. Sipërfaqja është 15m².
Nuk kemi ndonjë të dhënë nëse para mejtepit të xhamisë së Qyrjanit ka ekzistuar ndonjë mejtep apo ndonjë institucion tjetër islam në trevën e Krajës, ku është mësuar apo predikuar diçka nga feja islame. Mund të ketë pasur mënyra të tjera të mësimit të pjesëve kur’anore por jo në mejtepe të hapura enkas për mësim të fesë islame. Po të mos merren parasysh mënyrat e tjera të të mësuarit të pjesëve kur’anore, atëherë mund të thuhet se mejtepi i hapur pranë xhamisë së Qyrjanit është shembulli i vetëm që dëshmon për një institucion islam të një niveli të lartë arsimi të kohës në trevën e Krajës.
Meremetimi i xhamisë së Qyrjanit
Xhamia e Qyrjanit ka parë meremetime të herëpashershme. Ato kanë qenë të niveleve të ndryshme, për të cila janë marrë vendime të ndryshme nga Këshilli i Xhamisë. Në bazë të dhurimeve të ndryshme, duke grumbulluar ndihma financiare prej njerëzve vullnet mirë është bërë e mundur që të kryhen disa meremetime si brenda edhe jashtë xhamisë.
Xhamia e Qyrjanit si objekti i parë Islam në trevën e Krajës, që nga ndërtimi i saj e deri më sot ka pësuar dëme të ndryshme. Gjatë meremetimit të vitit 2014/15, u rregulluan dhe meremetuan shumë prej dëmeve që kishte shkaktuar koha dhe vjetërsia e saj. Është suvatuar nga brenda dhe është bërë shtrimi i dyshemesë dhe janë zgjeruar dritaret nga ana e rrugës, pra në anën e mihrabit dhe dritarja në anën e djathtë të hyrjes në sallën e faljes. Pastaj është bërë meremetimi i pjesës së sipërme të sallës së grave-ballkonit, kështu që ajo është shtruar me beton dhe janë betonuar edhe shtyllat mbajtëse të ballkonit të përqendruara në sallën kryesore të faljes. Janë rregulluar shkallët për në katin e dytë dhe të gjitha dyert e xhamisë. Është bërë meremetimi dhe suvatimi i një dhome ndihmëse në të majtë të hyrjes në korridorin e xhamisë, dhomë e cila ka shërbyer si magazinë, ku janë mbajtur gjëra të nevojshme. Është bërë zëvendësimi i tavanit të xhamisë me një të ri, të punuar me një lloj druri të gdhendur mirë. Është bërë suvatimi i korridorit në të dy katet e saj, si dhe është bërë meremetimi i mejtepit të xhamisë po ashtu në katin e dytë. Të gjitha këto meremetime nuk janë bërë menjëherë, por ato kanë vazhduar të kryhen për një kohë të gjatë. Kjo ka ndodhur nga arsyeja se vetë xhamia nuk ka pasur fond të mjaftueshëm financiar, andaj pothuajse çdo meremetim është kryer nga financimi i njerëzve bamirës dhe vullnetmirë dhe nga grumbullimi i fondeve financiare.
Edhe nga ana e jashtme e xhamisë është bërë një punë meremetuese e mjaftueshme. Është suvatuar dhe lyer i tërë muri i jashtëm i saj.
Ndërhyrja e fundit është bërë në vitin 2014, pasi u grumbullua një shumë financiare nga mërgimtarët e katër mëhallëve (Qyrjan, Kacej, Sjerç, Ramushej) që i përkasin xhamisë së Qyrjanit dhe nga mërgimtarët e tjerë që dhanë ndihmën e tyre financiare për meremetimin e kësaj xhamie.
Një punë e madhe është bërë edhe në çatinë e xhamisë, në periudha të ndryshme kohore. Disa herë janë zëvendësuar tjegullat dhe ku ka pasur nevoje edhe lënda drusore e çatisë, ndërsa në vitin 2015 iu bë një meremetim i plotë. Po ashtu xhamisë i janë vendosur edhe ullukët kullues të përfshira në të katër anët e saj për të grumbulluar ujin e reshjeve nga çatia, kështu që një sasi e atij uji derdhet në bunarin (saranxhën) e xhamisë kurse sasia tjetër në oborrin e xhamisë.
Kohëve të fundit është bërë një ndërhyrje edhe në korridoret e xhamisë. Janë shtruar me pllaka qeramike të dy korridoret në katin e parë dhe të dytë, janë shtruar po ashtu edhe shkallët që çojnë për në katin e dytë me gurë mermeri, dhe njëkohësisht janë vendosur edhe parmakët (kangjellat) mbrojtës në shkallët e korridoreve.
Edhe në oborrin e xhamisë është bërë një punë e madhe. Në vitin 2004 është bërë rrethimi i oborrit të xhamisë me shtylla prej hekuri dhe me rrjetë me financimin e mërgimtarëve të katër mëhallëve (Qyrjan, Kacej, Sjerç, Ramushej) që i përkasin xhamisë së Qyrjanit por që jetojnë në SHBA. Me këtë rast u ndërtua edhe parkingu i xhamisë, i cili u zgjerua dhe u betonua me një sipërfaqe prej 337.50 m², pra me një gjatësi prej 22.50 m. dhe gjerësi prej 15m., ku përafërsisht mund të parkohen deri në 35 makina. Kurse oborri i xhamisë në total ka një sipërfaqe prej 1400 m², me një gjatësi prej 40 m. dhe një gjerësi prej 35 m.
Po ashtu në oborrin e xhamisë është bërë edhe ndërtimi i mureve në anën e rrugës kryesore që të çon për në mëhallën e Qyrjanit, pra në anën e pasme të xhamisë. Aty ka qenë vetëm një mur disa metra (5m.) larg themeleve të xhamisë Ky mur (muri i mëparshëm) ka një gjatësi prej 12 m., dhe lartësia e tij është 1.60m., kurse trashësia e murit është rreth 30 cm. Në këtë mur janë të vendosura llambat elektrike për ndriçimin e murit të xhamisë, nga rruga kryesore që të çon në mëhallën e Qyrjanit.
Me gjithë punën e madhe që është bërë gjatë meremetimeve të kësaj xhamie, forma origjinale e saj nuk është ndryshuar, kurse pamja e saj estetike ka ndryshuar çdo herë që janë kryer ndërhyrje në objekt.
LITERATURA
[1]. Bajro Agović, Džamije u Crnoj Gori, Podgorica, 2001, f. 216. (Arhiv Odbora Islamske zajendice Stari Bar, Spisak džamijskog imetka-džamija u barskom kadiluku – maj-juni 1916).
[2]. Nga biseda me Fadil Q. Hoxha (67 vjeç), New York, U.S.A. Datë: 15.02.2015.
[3]. Nga biseda me Gëzim Alaj (Aktualisht Myteveli i Xhamisë së Qyrjanit, Glendale, NY, 14.11.2016).
[4]. Dr. Hajrullah Koliqi, Kraja ndër mote, Prishtinë, 1993, f. 58.
[5]. Smajl Bala, Historiku i shkollave dhe mësuesit e Shkodrës (1662-1945), V. 1., Shkodër, 2011, f. 29.
Jul 02, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Dec 21, 2023 0
Mar 13, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Jul 02, 2024 0
Mr. Habib Ebibi Hyrje Për sa u përket shqiptarëve, në periudha të ndryshme historike, feja ka pasur rolin e vet konstruktiv, sidomos për t’i ikur asimilimit, sepse ajo ruan ndjenjat...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...