Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Jul 02, 2024 Zani i Nalte Abstraktet 0
Editorial
Me rastin e 100 vjetorit të Medresesë së Tiranës
Ndriçim Gjimi
Drejtor i Medresesë Tiranë
Abstrakt
Pavarësisht sfidave dhe ndryshimeve në rrugën e saj 100-vjeçare, Medreseja e Tiranës ka mbetur një qendër e arsimit të lartë dhe e ndërgjegjshme për nevojat e shoqërisë së saj. Ajo sot funksionon si gjimnaz i përgjithshëm, aktualisht me 329 nxënës, nga të cilët 75 janë në ciklin e mesëm të ulët dhe pjesa tjetër janë në arsimin e mesëm të lartë. Meqenëse ofrohet akomodimi si shërbim, nxënësit vijnë nga të gjitha trevat e Shqipërisë, duke e bërë atë një vatër ku kultura të ndryshme shkrihen për të krijuar një kulturë të amalgamuar që karakterizon çdo medresist që e përvetëson atë. Shkolla ka një infrastrukturë moderne, me klasa digjitale, me të gjithë laboratorët përkatës, me salla sportive, salla multimediale dhe sallë konferencash. Nxënësit e diplomuar nga kjo shkollë, në fund të shkollimit të tyre, janë të aftë të konkurrojnë në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, brenda dhe jashtë vendit… Suksesi i kësaj shkolle është kthyer në traditë; duke e bërë atë ndër shkollat më të veçanta, si për nga cilësia e mësimdhënies dhe nga arritjet e nxënësve.
Ky 100-vjetor shënon një moment të rëndësishëm për të reflektuar mbi kontributin e madh të Medresesë së Tiranës në historinë dhe arsimin shqiptar, si dhe për të shprehur respektin dhe vlerësimin për të gjithë ata që kanë punuar dhe kontribuar në këtë institucion gjatë dekadave.
Filozofi
Në fillim ishte vetëdija
Seyyed Hossein Nasr
Abstrakt
Mënyra sesi e shohim realitetin ka një peshë të drejtpërdrejtë mbi atë sesi ne jetojmë si qenie njerëzore. Për mijëvjeçarë të tërë, njerëzit kanë jetuar në një univers të mbizotëruar nga ideja e parësisë së vetëdijes përmbi gjithçka që është trupore dhe materiale. Ata bënë luftëra dhe vuajtën nga sëmundje, por jetuan në një botë që kishte kuptim dhe bukuri. Krijuan arte tradicionale prej një bukurie të pashoqe dhe jetuan kryesisht në harmoni dhe paqe me mjedisin e tyre natyror. Ata e dinin se kush ishin, nga vinin dhe se ku po shkonin. Mohimi i epërsisë dhe parësisë së vetëdijes, dhe fronësimi i një reduksionizmi në vend të kësaj, u ka dhënë qenieve njerëzore sundim më të madh mbi natyrën dhe disa rehati tokësore, ndërsa, afërmendsh ka krijuar siklete të reja. Ka kuruar shumë sëmundje, duke u çelur derën lëngatave të panjohura më parë. Dhe kjo është justifikuar si një udhë drejt paqes, teksa, paralelisht ka mundësuar luftëra me një shkallë dhune dhe pasojash vdekjeprurëse të paimagjinueshme për paraardhësit tanë të lashtë. Por mbi të gjitha, ka shkatërruar marrëdhënien harmonike, jo vetëm ndërmjet njeriut dhe Zotit dhe botës shpirtërore, por edhe ndërmjet njeriut dhe natyrës, duke lejuar krijimin e një shkence që nuk mbështetet mbi urtësinë, por mbi pushtetin dhe zbatimet e tij si një teknologji e re që ka fuqinë të shkatërrojë vetë rendin e jetës në tokë. Në nivelin individual, i ka zhveshur qeniet njerëzore nga kuptimi themelor i jetës dhe ka rrënuar shtëpinë që ata e konsideronin si universin e tyre të premtuar, duke i bërë qeniet njerëzore alienë brenda një botëkuptimi të skicuar nga vetë mendjet njerëzore.
Duke mohuar parësinë e vetëdijes, materializmi modern ka hedhur dyshim edhe mbi realitetin e pavdekësisë së shpirtit njerëzor dhe mbi jetën e përtejme… Përveç pasojave më tragjike për shpirtin njerëzor që i mohon realitete të tilla, dobësimi i besimit te jeta e përjetshme ka një pasojë të drejtpërdrejtë edhe në mënyrën sesi jetojmë në këtë botë, dhe në veçanti, në shkatërrimin e mjedisit natyror. Nëse jeta në këtë tokë është e vetmja që kemi, atëherë duhet të bëjmë gjithçka kemi në dorë për ta jetuar ekzistencën e kësaj bote në mënyrën më të plotë që mundemi…
Sikur ta pranonim të vërtetën që “në fillim ishte vetëdija” dhe që “kjo është tani siç ishte në fillim”, nuk do të ndiheshim më si alienë në një kozmos të vdekur dhe armiqësor, si aksidente në një univers të pajetë… Marrëdhënia jonë me kafshët, bimët, madje edhe me botën e pafrymë, do të ndryshonte nga një realitet i mosmarrëveshjes dhe konfliktit, dhe i nevojës për kontroll dhe sundim, në një tjetër të karakterizuar nga harmonia dhe ekuilibri, me mundësi tejet më të larta të njohjes së ndërsjellë me më shumë qenie njerëzore nga sa mendësia e tanishme lejon.
Studime
100 vjet Medreseja e Tiranës
(1924 – 2024)
Dorian Demetja
Abstrakt
Ideja e hapjes së medresesë shtronte nevojën e rishikimit të metodave, hartimit të programeve mësimore dhe përcaktimit të objektivave për edukimin e nxënësve me ndjenja fetare e kombëtare. Medreseja nuk u hap brenda një dite; u desh shumë mund, shumë bisedime, duheshin zgjidhur shumë çështje e nën çështje financiare, duhej siguruar personeli pedagogjik, ambienti i mësimit, literatura mësimore didaktike, etj. Ideatorët, flamurtarët e pastaj nismëtarët e kësaj lëvizjeje për ta çuar përpara problemin, u bënë ata që kishin marrë mësim në shkolla të përparuara të botës islame ose që kishin dhënë leksione ndër kësi shkollash si mësues e pedagogë. Autorë të veçantë prezantonin përvojën personale se si mund të themelohej një medrese në shërbim të Islamit, në shërbim të Atdheut.
Medreseja e Naltë në Tiranë u hap më 01.03.1924 me vendim të Kongresit të Parë të Myslimanëve Shqiptarë dhe me lejen e Ministrisë së Arsimit N. 105/1, datë 25.02.1924, për të plotësuar nevojat për kuadro fetarë. Kjo shkollë islame u hap me një personel tërësisht shqiptarë dhe shpenzimet për ecurinë e saj u përballuan nga të ardhurat e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Brenda disa vitesh, Medreseja e Përgjithshme e Tiranës formoi fizionominë e vet si një institucion serioz, ku merrej një formim i shëndoshë fetar dhe kombëtar. Ajo që në fillim punoi në bazë të një plani mësimor të nivelit bashkëkohor.
Nga regjimi komunist, ashtu si feja e besimi në përgjithësi, edhe Medreseja e Tiranës pati goditje me ashpërsi në rritje, duke nisur me reformën arsimore të vitit 1946, e cila ia kufizoi ndjeshëm lëndët fetare. Pushteti komunist i imponoi me vendim të veçantë një plan-program mësimor, që prekte thellë fizionominë dhe përmbajtjen e saj. Ministria e Arsimit gradualisht u përpoq që programi i shkollës të shkojë drejt laicizmit.
Sipas vendimit nr. 1 dt. 22.08.1964 të Këshillit të Përgjithshëm, Medreseja e Tiranës hëpërhë mbyllet për arsye të forta buxhetore dhe se tani për tani ka kuadro të bollshëm. Një goditje e fortë iu dha Komunitetit Mysliman, kur më 27 dhjetor 1965 konfiskohet nga shteti pa asnjë shpjegim godina e Medresesë së Tiranës, duke iu kaluar në dispozicion Fakultetit të Mjekësisë, dega Stomatologji, gjendje e cila vazhdoi edhe pasi vendi kaloi në një regjim demokratik. Kjo frymë ateiste vazhdoi deri në vitin 1990.
Në shkresën e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë të datës 10.10.1991, me numër 1 të protokollit, drejtuar Myftinisë Tiranë, H. Sabri Koçi citon: “Me vendimin e marrum nga ky Komunitet, është vendosur që në qytetin e Tiranës do të ngrihet shkolla e mesme MEDREZE e emërtueme ‘Haxhi Mahmud Dashi’. Personeli që do të japi mësim në kulturën e përgjithshme, do i sigurohet paga nga ana e këtij Komuniteti simbas orëve dhe normave në fuqi për arsimin e përgjithshëm.”
Roli i mektebeve në zhvillimin e arsimit shqip
Mr. Habib Ebibi
Abstrakt
Mektebet (mejtepet) gjatë periudhave historike, kishin një rol shumë të rëndësishëm, ishin në kategorinë ose në nivelin e shkollave të sotme fillore. Pas rënies së Perandorisë Osmane, dhe formimit të shteteve në republika, shkollat publike të ciklit të ulët, në shumë vende islame, i zëvendësuan mejtepet. Në mejtepe fëmijët e myslimanëve kanë mësuar leximin e Kur’anit, kanë mësuar parimet themelore të fesë Islame; kushtet e fesë Islame, kushtet e besimit, mënyrën e marrjes së abdesit, mënyrën si falet namazi, etj.
Këto ente edukative dhe arsimore zakonisht janë ndërtuar afër xhamive. Në to mësuesi fetar ka qenë i angazhuar që t’ua mësojë fëmijëve leximin e Kur’anit dhe gjërat më elementare të Fesë Islame.
Sociologji
Trajtimi i çështjeve të familjes në gazetën
“Drita Islame” (1992-2011) në aspektin edukativ
Msc. Migena Jani
Abstrakt
Viteve të fundit vihet re një shtim i numrit të divorceve, i fëmijëve të braktisur, i shtimit të dhunës në familje, rritje të shkallës së konflikteve ndërmjet anëtarëve të familjes, dobësim të rolit shoqërizues të familjes, mungesë të edukimit të vlerave dhe virtyteve te fëmijët. Shihet një lëkundje e themeleve të ‘shtetit të vogël’, i cili vazhdon të humbasë qëllimin dhe funksionet e tij kryesore.
Ky shkatërrim dhe dëmtim i familjes, ndikohet nga dy faktorë kryesorë: mungesa e edukimit të fëmijëve në familje me vlerat moralo-fetare në institucionin e familjes dhe nga ndikimi i madh i mjedisit shoqëror mbi familjen.
Qëllimi i kërkimit është të provojë se do të merremi me influencën, që ka një thesar i çmuar siç është gazeta dhe revista “Drita Islame”, e cila ka luajtur dhe po luan rol misionar ndriçues në trajtimin e çështjeve të familjes. Pyetjet e ngritura sesi edukimi fetar e forcon familjen dhe se sa i madh mbetet roli që ka familja në edukimin e fëmijëve morën përgjigjet e duhura. Hipoteza se periodiku “Drita Islame” ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në trajtimin e çështjeve të familjes edhe në aspektin edukativ, psikologjik, social etj., u provua me shumë saktësi.
Punimi shkencor-kërkimor ka përdorur metodologji cilësore, duke u bazuar në trajtimin e çështjeve të familjes nën dritën e ajeteve kur’anore, traditën profetike të trajtuara te “Drita Islame” (1992-2017), rubrika të cilat janë udhërrëfyes për një familje të fortë, e cila bazohet në vlera e virtyte morale dhe fetare tradicionale, që përforcohen edhe tani.
Fjalët kyçe: familja shqiptare, prindërimi, moralo-fetar, ajetet kur’anore, tradita profetike, “shteti i vogël”
Ndikimi i gjuhës së fesë në ndryshimet shoqërore
Prof. dr. Muhamed Mustafi
Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup
Abstrakt
Ndryshimet shoqërore janë pasojë e faktorëve të ndryshëm, që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në kahet e ndryshme.
Një ndër faktorët e rëndësishëm, që ndryshojnë mendimet dhe botëkuptimet, është feja, nëpërmes gjuhës së saj.
Gjuha e fesë mund të formojë hapësirë të volitshme dhe të përshtatshme për njerëzit, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre, ose ndikon negativisht dhe krijon opinionin e urrejtjes se ndërsjellë mes njerëzve, etnive apo popujve të ndryshëm.
Gjuha e fesë konsiderohet pjesë e rëndësishme e formimit të lidhjeve të ngushta ndërshoqërore, nëse praktikohet me mençuri dhe kujdes të veçantë, nëse nuk ofendon asnjë dhe nëse nuk mbështetet në parimin e mbivlerësimit.
Pra, gjuha pozitive e fesë hap dyert e një komunikimi më të gjerë shoqëror në nivele të ndryshme lokale dhe botërore. Përdorimi i gjuhës negative do të ngushtojë jetën dhe do të ofrojë një kooperim të vështirë dhe të kufizuar.
Ky lloj gjuhe ndikon në ndryshimet vitale shoqërore, të cilat mund të kenë fund të çlirët shoqëror dhe mirëkuptim të përgjithshëm në të gjitha sferat e jetës, pa marrë parasysh frymën politike që ekziston në shoqëri, ngase këto lidhje do të jenë rezultat i një botëkuptimi më të gjerë dhe universal.
Fjalët kyqe: Gjuhë, fe, ndikim, shoqëri, ndryshime.
Jurisprudencë
Legjislacioni Shqiptar në lidhje me Komunitetin Mysliman, në vitet 1944-1967
Dr. Denald Prifti
Abstrakt
Partia Komuniste krijoi një situatë krejt tjetër për komunitetet fetare, dhe në vitet e para të qeverisjes dha përshtypjen e një regjimi që respektonte dhe garantonte zbatimin e standardeve demokratike në fushën e besimit dhe të lirisë së ndërgjegjes. “Këtë përshtypje ai – pushteti – e krijoi duke u mbështetur në dy faktorë: Së pari, ai u bazua në dy dokumente të rëndësishme ligjore, në deklaratën e të drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit, të miratuar në Mbledhjen II të KANÇ-it në Berat (tetor 1944) dhe, më kryesorja, në Kushtetutën e Republikës Popullore të Shqipërisë të vitit 1946…”.
Politikat ligjore të ndjekura nga shteti shqiptar në vitet 1944-1990 nuk ishin të njëjtat me politikat e mëparshme të ndjekura nga Ahmet Zogu në periudhën 1925-1939. Pushteti shtetëror synonte realizimin e objektivave të vendosura nga ai vetë. Është i njohur fakti se në këtë kohë nuk ishte në nivelet e duhura liria e fesë dhe e besimit. Raportin midis institucioneve fetare dhe atyre të shtetit filloi ta dominonte pushteti politik. Marrëdhëniet vinin gjithnjë e më shumë duke u vështirësuar, si ‘de jure’ ashtu edhe ‘de facto’. Pushteti, gjithnjë e më shumë, e shtriu ndikimin dhe dominimin e tij, duke mos lënë ndarjen e fesë nga ndikimi i pushtetit. Për sa i përket lirisë së ndërgjegjes dhe asaj të besimit, si dhe e ushtrimit të fesë, në shumë raste vërehen shkelje të rënda.
Në praktikën reale, sidoqoftë, regjimi i ri shqiptar kërkoi të shkatërronte rolin dhe ndikimin e fesë dhe të organizatave fetare kombëtare. Gjatë viteve 1945 dhe 1946 shteti nxori jashtë ligjit shkollimin fetar, si dhe mbylli shkollat fetare private që kishin mbetur; institucionet fetare humbën të drejtën e mbajtjes së tokës nga Ligji i Reformës Agrare të vitit 1946; të gjitha botimet dhe komunikimet fetare, duke përshirë edhe predikimet, duheshin shqyrtuar dhe miratuar nga autoritetet shtetërore, përpara se ato të jepeshin në publik; si dhe të rinjtë e kombit u nxitën të mos marrin pjesë në shërbimet dhe veprimtarinë fetare.
Jurisprudencë islame
Poligamia në histori dhe në perspektivën islame
Prof. dr. Bekir Topaloglu
Abstrakt
Martesa me më tepër se një grua, dy, tri apo katër, në Islam, nuk është ndonjë detyrim farz apo urdhër vaxhib, por është një leje që njerëzit të largohen nga imoraliteti. Por edhe kjo leje është kushtëzuar me mundësitë dhe drejtësinë. Ajeti kur’anor (Nisa’, 4:3) na shpjegon se në bashkëshortësi është kryesore të mjaftohesh me një grua, duke theksuar se martesa me një grua është më afër plotësimit të të drejtave.
Të përkujtojmë se në të drejtën islame, gruaja ka të drejtë të kërkojë që burri të mos i martohet me një grua tjetër, për aq kohë sa është e lidhur në kurorë me të. Pas aktit që do të kryhet në mënyrë ligjore, marrëveshja që do të bëhet do të aktive, dhe nëse ajo e ndalon burrin të martohet rishtas, e ndërkohë ai martohet, gruas së parë i lind e drejta e shkurorëzimit. Në një hadith thuhet: “Kushti që më së shumti meriton ta plotësoni është ai që e keni pranuar gjatë kurorëzimit.”
Në këtë rast, gruaja, në poligami do të ketë të drejtë vote. Do të eliminohen dëmet shpirtërore që i takojnë. Në shumë vende të botës zyrtarisht nuk ekziston poligamia. Por, faktikisht ajo vazhdon të përhapet. Për këtë arsye, kohë pas kohe sillen ligje të ndryshme që të përcaktohet origjina e fëmijëve sipas sistemit juridik.
Në fund, mund të thuhet se Feja Islame e ka aprovuar poligaminë për shkak të disa domosdoshmërive. Nëse njerëzia ende nuk e di dobinë e poligamisë dhe nuk e aprovon atë, s’mund të thuhet se një ditë, pas përvojave të ndryshme, nuk do ta aprovojë.
Histori
Ndikimi i reformizmit dhe iluminizmit te Hafiz Ali Korça
Dr. Azmir Jusufi
Abstrakt
Rrethana të caktuara janë një faktor vendimtar në formimin e personaliteteve të shquara, roli dhe rëndësia e të cilëve është e pamohueshme dhe puna e tyre është universale. Elemente të tilla gjenden në librat e historisë së të gjitha kombeve, faqet e të cilëve janë plot me figura të rëndësishme që shënojnë një epokë të caktuar si: patriotë, heronj, kolosë dhe reformatorë.
Fryma reformiste dhe ndryshimi i ndërgjegjes fillon me revolucionin mendor të një individi apo një grupi që përpiqet të ngrejë vetëdijen e shoqërisë së tij. I njëjti mendim duhet të frymëzohet, sepse frymëzimi është shtytësi shpirtëror i njeriut, ndërsa shpirti reformues ushqehet me bindje ideologjike, artistike dhe fetare.
Hafiz Ali Korça, aktivitetin e tij intelektual e zgjeroi, përveç atij në fushën e alfabetit shqip, edhe në një fushë tjetër, kur emërua anëtar i “Komisisë Letrare” ku së bashku me veteranët: Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci e Sali Nivica, veproi me përkushtim në fushën e gjuhësisë. Në këtë Komision, kontributi i Hafiz Aliut për pastërtinë e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja, është i pamohueshëm.
Pikëpamjet e tij politike, arsimore-edukative janë rezultat i natyrshëm i Lëvizjes Kombëtare, që ndihej nga mesi i shek. XIX, dhe që mori përmasa më të mëdha në vitet ‘20-30 të shek. XX.
Personalitet
Haki Sharofi
Drejtor i Medresesë së Tiranës, Drejtor i Revistës “Zani i Naltë”
Abstrakt
Haki Sharofi lindi në Dibër të Madhe, por veprimtarinë e tij si mësues, publicist dhe përkthyes e zhvilloi larg lindjes. Pas viteve 1930, ai vendoset përfundimisht në Tiranë ku zhvillon një veprimtari të dendur, si drejtor i Medresesë së Tiranës, si drejtor i revistës “Zani i Naltë” (organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar), në krye të së cilës ai qëndroi në vitet 1930-1939.
Gjatë punës së tij në fushën e botimeve u dallua për trajtime serioze të temave me karakter fetar, social, etik dhe filozofik. Shkroi edhe shumë poezi. Në mënyrë të veçantë ka meritën për hartimin e serisë së librave “Edukatë fetare e morale”, tekste mësimore këto që u shfrytëzuan për mësimin e besimit në shkolla shtetërore, ku jepej dhe mësimi i fesë. Te librat “Edukata fetare e morale” spikasin disa kërkesa të moralit islam në kushtet tona, ku zënë vend disa parime themelore të këtij morali, të shpjeguara thjeshtë e për masat e të gjitha moshave të asaj periudhe me shtrirje të kufizuar të arsimit laik. Këto tekste kanë një ndërtim dhe strukturë delikate shumë të përshtatshme për kohën që u botuan. Duke u nisur nga këto vlera, biblioteka myslimane shqiptare e Miçiganit (SHBA) i ka ribotuar ato kohët e fundit.
Haki Sharofi në vitet e fundit të jetës së tij ka bashkëpunuar me Arkivin Qendror të Shtetit dhe Arkivin e Institutit të Historisë, duke dhënë një kontribut të vyer në përkthimin e dokumenteve me rëndësi historike, që ishin në gjuhët e lindjes: arabe, turke dhe perse. Ai ka lënë një trashëgimi të pasur me përkthime, siç janë: “Tefsiri shqip”, “Parimet e nalta të Islamit”, “Ajete të Kur’anit”, etj.
Retrospektivë
Randsi e marteses
Ferit Vokopola
Abstrakt
Ç’është pra martesa? A është vetëm një detyrë natyrale apo njerëzore dhe sociale? Mbasi njeriu, me ndërgjegjen që ka, është i ngarkuar me disa detyra që u përkasin edhe të tjerëve. Natyrisht martesa është një detyrë njerëzore edhe sociale; dashuria e Prindërve kundrejt pjellës së tyre në mënyrën më të dhimbshme ka qenë e rrënjosur në shpirtin e njeriut që ditën e krijimit. Kjo dashuri e dhembshuri ka krijuar bazën e bashkëjetesës, e mbrojtjen kundrejt egërsirave të Natyrës. Kafshët, meqenëse nuk e kanë ketë dhembshuri e dashuri kaq të theksuar sa njeriu, nuk janë të detyruara me ligje të vendosura për të mbajtur rregullimin e jetës së tyre.
Shoqëria, nuk mund të jetojë kurrë pa qenë jeta familjare, por kjo bazën e saj e ka të ngritur me kushtet e martesës… dhe me të vërtetë po të mendohemi pak me paanësi, arrijmë në përfundimin se nuk është e mundur që të mos e pohojmë se fatbardhësia e vërtetë dhe e qëndrueshme, nuk mund të gjendet kurrë për njeriun përveçse në Jetën Familjare, e cila i detyrohet kryekëput martesës.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
Sep 18, 2022 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...