Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Jul 02, 2024 Zani i Nalte Jurisprudencë 0
Dr. Denald Prifti
Shqipëria, për afro gjysmë shekulli, përjetoi një formë komunizmi të ndryshëm nga ai i pjesës tjetër të Evropës Lindore. Kjo ishte “një përzierje fatale e diktaturës dhe izolimit, që e mbajti këtë vend të vogël ballkanik në gjendjen e më të varfrit dhe më të shtypurit në të gjithë Evropën. Gjatë mbretërimit të tij 40 vjeçar, udhëheqësi shqiptar Enver Hoxha ndaloi fenë,…dhe e shpalli të paligjshme pronën private. Çdo lloj forme rezistence ndaj sundimit të tij u ndesh me shtypje të egra, që nga internimet, burgimet e gjata e deri tek ekzekutimet ”.
Aktet juridike të nxjerra gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ishin: “Rezoluta e Konferencës së Pezës (16 shtator 1942)”, me të cilën Këshillat Nacionalçlirimtare autorizoheshin të mbanin rregullin dhe qetësinë dhe t’i dënonin tradhtarët, elementët e kolonës së pestë dhe në përgjithësi të luftonin kriminalitetin; “Rregullorja e Këshillave Nacionalçlirimtare”, e miratuar në Labinot (5 shtator 1943), që në fakt ishte një lloj ligji penal, ku u parashikuan llojet më të rëndësishme të veprave penale si dhe dënimet ndaj atyre që i kryejnë ato. Lidhur me këtë, në një urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Brigadës së I të Ushtrisë Nacionalçlirimtare (5.09.1943), jepej nocioni i krimit politik .
Mbledhja e dytë e Këshillit Nacionalçlirimtar, në datat 20-30 tetor 1944, e mbajtur në Berat, vendosi për miratimin e një deklarate të të drejtave të qytetarëve, në të cilën garantohej mbrojtja e lirisë, të drejtave të përgjithshme, liria e besimit dhe e ndërgjegjes, dhe iu njohën të drejta të barabarta të gjitha besimeve fetare .
Por përpara se të miratohej kjo deklaratë, në kohën e “Republikës I-rë Shqiptare, në vitin 1925, ishin sanksionuar parimet e laicitetit të shtetit dhe të lirisë së ndërgjegjes e të besimit fetar, parime këto, që gjetën riafirmim edhe në Statutin e Mbretërisë Shqiptare (përkatësisht artikujt 5,5). ”.
Pas vitit 1944 pushteti nuk vlerësoi siç duhej, madje filloi ta shkelë edhe më tej parimin e vendosur në vitin 1922, ku thuhej se: “Shteti s’ka fe zyrtare. Të gjitha fetë janë të nderueme dhe liria e ushtrimit dhe e praktikimit të jashtëm të tyre asht e sigurueme. Ndryshimi i fesë nuk formon ndalim ose pazotësi juridike për pasjen ose ushtrimin e të drejtave civile e politike. ”.
Partia Komuniste krijoi një situatë krejt tjetër për komunitetet fetare dhe në vitet e para të qeverisjes dha përshtypjen e një regjimi që respektonte e garantonte zbatimin e standardeve demokratike në fushën e besimit dhe të lirisë së ndërgjegjes. “Këtë përshtypje ai – pushteti – e krijoi duke u mbështetur në dy faktorë: Së pari, ai u bazua në dy dokumente të rëndësishme ligjore, në deklaratën e të drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit, të miratuar në Mbledhjen II të KANÇ-it në Berat (tetor 1944) dhe, më kryesorja, në Kushtetutën e Republikës Popullore të Shqipërisë të vitit 1946…” .
Politikat ligjore të ndjekura nga shteti shqiptar në vitet 1944-1990 nuk ishin të njëjtat me politikat e mëparshme të ndjekura nga Ahmet Zogu në periudhën 1925-1939. Pushteti shtetëror synonte realizimin e objektivave të vendosura nga ai vetë. Është i njohur fakti se në këtë kohë nuk ishte në nivelet e duhura liria e fesë dhe e besimit. Raportin midis institucioneve fetare dhe atyre të shtetit filloi ta dominonte pushteti politik. Marrëdhëniet vinin gjithnjë e më shumë duke u vështirësuar, si ‘de jure’ ashtu edhe ‘de facto’. Pushteti, gjithnjë e më shumë, e shtriu ndikimin dhe dominimin e tij, duke mos lejuar ndarjen e fesë nga ndikimi i pushtetit. Për sa i përket lirisë së ndërgjegjes dhe asaj të besimit, si dhe e ushtrimit të fesë, në shumë raste vërehen shkelje të rënda.
Në praktikën reale, sidoqoftë, regjimi i ri shqiptar kërkoi të shkatërronte rolin dhe ndikimin e fesë dhe të organizatave fetare kombëtare. Gjatë viteve 1945 dhe 1946 shteti nxori jashtë ligjit shkollimin fetar, si dhe mbylli shkollat fetare private që kishin mbetur; institucionet fetare humbën të drejtën e mbajtjes së tokës nga Ligji i Reformës Agrare të vitit 1946; të gjitha botimet dhe komunikimet fetare, duke përshirë edhe predikimet, duheshin shqyrtuar dhe miratuar nga autoritetet shtetërore, përpara se ato të jepeshin në publik; si dhe të rinjtë e kombit u nxitën të mos marrin pjesë në shërbimet dhe veprimtarinë fetare.
Më 17 mars 1945 qeveria shqiptare, me anë të një qarkoreje, njoftonte që mësimet e fesë do të zhvilloheshin në shkollat publike, duke lënë në dispozicion për këtë lëndë vetëm disa orë mësimi në muaj.
Në vitin 1945 e në vazhdim, shteti shqiptar i asaj kohe do të krijonte një Komitet për çështjet fetare, ku do të kontrollonte projektstatutet dhe projekt rregulloret e komuniteteve fetare, do të kontrollonte përbërjen e këtyre komuniteteve, buxhetin dhe veprimtarinë e tyre. Pra shteti, pak nga pak, po e vinte nën kontroll aktivitetin e komuniteteve fetare dhe politikat e komuniteteve tashmë nuk ishin si më parë, pasi kontrolloheshin nga pushteti.
Liria e besimit u zëvendësua gradualisht me politika që do të shpinin në mohimin e plotë të fesë, edhe pse në aktet e para ligjore e kushtetuese njihej de jure kjo liri. Që në Kushtetutën e parë komuniste, atë të vitit 1946, ishte sanksionuar liria e ndërgjegjes dhe e besimit, liria e ushtrimit dhe e praktikimit të besimeve fetare, ndërsa shteti, ashtu si më parë, ishte asnjanës dhe laik. Por, në këtë Kushtetutë, në paragrafin e katërt të nenit 18, thuhej se “ndalohej që kisha dhe feja të shpërdoreshin për qëllime politike, [dhe kjo] shërbeu si bazë për persekutimin e dhjetëra klerikëve, të cilët u akuzuan për pjesëmarrje politike, me qëllim rrëzimin e regjimit. ”.
Që në fillim, në vitet 1947 dhe 1949, shteti filloi të ushtrojë ndikim te komunitetet fetare, për shkak të rezistencës që ata bënin, por edhe për faktin se një pjesë e tyre kishin bashkëpunuar dhe i kishin shërbyer regjimeve të cilët kishin qenë aleatë me Boshtin, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Më poshtë do të shohim më gjerë se si ka ndikuar pushteti i asaj kohe, pas vitit 1944 e në vazhdim, në marrëdhëniet midis bashkësive fetare dhe shtetit, te liritë dhe të drejtat njeriut, për sa i përket besimit, si dhe mohimit gradual i tyre.
Legjislacioni i Komunitetit Mysliman
Qysh në vitin 1923, bashkësia myslimane shqiptare kishte shpallur Autoqefalinë e Xhamisë Shqiptare. Vitet ‘20-‘30 ishin vitet e fillimit të reformave edhe në këtë bashkësi. “Me Kodin e ri Civil shqiptar, statusi fetar u zëvendësua me statusin personal laik… Duke zbatuar ligjin për komunitetet fetare të vitit 1929, sunitët shqiptarë, në Kongresin e tyre, morën një varg masash radikale, si: përdorimin ekskluziv të gjuhës shqipe për lutjet dhe predikimin; administrimin e centralizuar të gjithë pasurive të vakëfeve;…Bektashinjtë,…gjetën mbështetje të veçantë nga qeveria shqiptare e kohës .
Këshilli Drejtues i rinisë myslimane aktivizohet fuqishëm për rikthimin e statutit të vitit 1929 të këtij komuniteti, por më “22 dhjetor 1945 qeveria miratoi statutin e ri të komunitetit mysliman shqiptar, i cili edhe pse mbështetej në atë të 1929-s, kishte në përbërjen e tij një parathënie dhe 10 kapituj, si dhe, aty këtu, kishte disa ndërhyrje dhe modifikime në krahasim me atë të kohës së Zogut ”.
Vazhdimësinë legjislative e ndërpriste teoria socialiste pasi, për sa: “i përket anës së brendshme, teoria socialiste e së drejtës i është përmbajtur parimit se revolucioni ndërpret çdo vazhdimësi midis shtetit të vjetër dhe shtetit të ri dhe se tipi i ri i shtetit, veçanërisht ai socialist, nuk ka asnjë vazhdimësi ligjore me shtetin e vjetër të përmbysur. Në bazë të këtij parimi, pas çlirimit të vendit, me ligjin Nr. 61, dt.17 maj 1945 të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar u shfuqizuan dhe u shpallën si të paqena të gjitha normat juridike të nxjerra gjatë kohës së pushtimit italian dhe gjerman… ”.
Edhe parimi i unitetit të pushtetit, i cili në fillim u përfytyrua si një parim që nëpërmjet epërsisë së organit më të lartë përfaqësues do të siguronte zbatimin e vullnetit të popullit, u shndërrua në praktikë në një fasadë prapa së cilës Asambleja Përfaqësuese (në Shqipëri Kuvendi Popullor) votonte mekanikisht projektligjet që i paraqiteshin dhe që kishin marrë paraprakisht pëlqimin e organeve të larta partiake.
Në vitin 1947 nisi ndikimi kundër klerit mysliman. “Me dekretin Nr. 392, të janarit 1947, të Presidiumit të Kuvendit Popullor, sqarohej se: dispozitat që ekzistonin përpara 7 prillit 1939 nuk mund të shërbenin në asnjë rast si dispozita në fuqi, se ato mund të shërbenin si rregulla ndihmëse, kur nuk ishin në kundërshtim me rendin e ri dhe përkohësisht, derisa të viheshin norma pozitive të reja. ”.
Por liria e ndërgjegjes dhe e fesë është një liri thelbësore, e brendshme e çdo individi dhe që s’duhet kufizuar e shmangur. Secili duhet të zgjedhë ose të ndryshojë bindjet ose fenë, si dhe t’i shfaqte bindjet fetare individualisht ose kolektivisht, në publik ose privatisht. E drejta dhe liria e fesë përfshin manifestimin e saj të jashtëm nëpërmjet riteve dhe praktikave.
Në nenin 18 të Deklaratës Universale të vitit 1948, thuhet se: “Çdo person ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose bindjet si dhe lirinë për të manifestuar fenë ose bindjet, vetëm për vetëm apo bashkërisht, si në publik ashtu edhe privatisht, nëpërmjet arsimit, praktikave, kultit dhe kryerjes së riteve. ”.
Por a ekzistonin në Shqipëri liria për të mbajtur institucione bamirësie, liria për të praktikuar kultin, për të blerë e për të shitur, liria për të shtypur, shkruar e shpërndarë botime në fushën fetare, për të mësuar një fe, për të kërkuar e për të marrë ndihma vullnetare financiare, liria për të përgatitur, emëruar, zgjedhur ose caktuar sipas radhës drejtues të përshtatshëm në përputhje me normat e fesë e të besimit, liria për të pasur mundësi komunikimi me individë, liria për të pasur ditë pushimi, për të shënuar festat fetare, etj.? Përgjigjen do ta shohim më poshtë më gjerësisht.
Me miratimin e ligjit të ri për komunitetet fetare më 1949, nuk u shtuan më shumë të drejtat dhe liritë e komuniteteve fetare, por u pakësuan më shumë se ç’ishin më parë. Ligji i ri hynte në mënyrën e organizimit të komuniteteve fetare dhe në modifikimin e vullnetit të këtyre komuniteteve. Ai prekte lirinë e komuniteteve fetare në shumë aspekte. Nëpërmjet tij pushteti gjithnjë e më shumë do të fillonte të zgjeronte kontrollin mbi bashkësitë fetare. Jo vetëm që do t’u cenohej pavarësia e këtyre komuniteteve, por kjo pavarësi me kalimin e kohës do të zhdukej pothuajse tërësisht. Nëpërmjet ndërhyrjeve pushteti do të ndikonte te komunitetet fetare por edhe tek ai mysliman që të ndryshonin statutet, rregulloret, mendimet dhe qëndrimet e tyre, si dhe çdo aspekt tjetër që binte ndesh me politikën e ndjekur nga pushteti i asaj kohe.
Dekret-ligji i Komuniteteve fetare i vitit 1949 parashikonte se: “Çdo komunitet fetar duhet të rishikojë statutin e vet për ta përshtatur me 37 nenet e dekretit e më pas t’ia paraqesë atë për miratim Këshillit të Ministrave. Në këtë mënyrë sheshohen veçoritë e kulteve të ndryshme… dekreti parashikon ta thjeshtojë përbërjen e organizatave fetare (neni 8)… Sipas Statutit të ri, zgjedhjet e drejtuesve të komunitetit fetar, të rregullores së tij, buxhetit, botimeve, të vulave dhe shenjave të tjera simbole, duhet të kenë miratimin e Këshillit të Ministrave… Duke e krahasuar këtë dekret me atë të kohës së Zogut, mund të thuhet se ai mbart ndryshime rrënjësore në statusin juridik të komuniteteve fetare, pasi u kufizon ndjeshëm lirinë e veprimit dhe ndërhyrjen në punët e brendshme. ”.
Ky Dekret-ligj kërkonte të dhëna biografike për personelin fetar, si dhe çdo veprim që do të bëhej, do të bëhej vetëm me miratimin e qeverisë. Gjithashtu duhej të dëshmohej besnikëri ndaj pushtetit në fuqi, të ushtrohej kontroll ekonomik mbi buxhetin e komunitetit, ndalohej ose kufizohej ndërtimi i institucioneve arsimore, kulturore e humanitare të këtyre komuniteteve.
Në nenin 12 të këtij dekret-ligji thuhej se: “Komunitetet fetare me aktivitetin e tyre duhet të zhvillojnë në besimtarët ndjenjën e besnikërisë ndaj pushtetit të popullit… ”. Ky nen shkelte lirinë e besimit, edhe pse liria e besimit: “është një ndër liritë mjaft të rëndësishme dhe e kushtëzuar nga roli i fesë në zhvillimin e personalitetit të njeriut. Në anën tjetër, kjo paraqet kusht dhe garanci të lirive dhe të drejtave personale e politike të tjera të njeriut. ”.
Statuti i 29 qershorit 1950, i Komunitetit Mysliman Shqiptar, në nenin 2 vinte kushte pasi në të thuhej se: “Komuniteti Mysliman Shqiptar ka për detyrë të ngjallë e të zhvillojë në besimtarët ndjenjat e dashurisë e të besnikërisë… ndaj pushtetit popullor… ”.
Ndikimi politik me anë të ligjeve e të urdhëresave do të vinte duke u rritur gjithnjë e më shumë me kalimin e viteve dhe konsolidimin e mëtejshëm të pushtetit popullor, të partisë. Botimet që duhej të bëheshin, mund të botoheshin vetëm pasi të ishin kontrolluar nga organet e pushtetit, dhe buxheti i bashkësisë myslimane varej nga shteti dhe të gjitha pasuritë e tyre ishin nën kontrollin dhe verifikimin e shtetit. Siç e shohim, komunitetet fetare, si dhe ai mysliman, nuk kishin autonomi në administrimin e tyre dhe ishin të kontrolluara.
Në nenin 52, po të Statutit të 1950, shihet më qartë kjo që shprehëm më sipër, pasi aty thuhej se: “Nuk mund të pranohen n’asnjë mënyrë, ose të dërgohen dhuratë ose subvencione nga shtetet e huaja përveç kur është pëlqyer nga Kryeministrija. ”. Pra “Komuniteti Mysliman shqiptar financohej nga shteti; të ardhurat e veta nga vakëfet dhe ndihma të ndryshme, duke u përjashtuar ndihmat nga jashtë. ”.
Gjithashtu, drejtuesit e institucioneve fetare duhet të kishin bekimin e Partisë dhe të pushtetit përpara se të zgjidheshin në krye të institucioneve të këtyre komuniteteve. Sipas dokumenteve të kohës del se, “nëse Partija dhe Qeverija e jonë demokratike e ka ngrit besimin ndaj personit tonë, lutemi me na njoftue që të hiqen nga ofiqet e Drejtorit të përgjithshëm të vakfve dhe nga ai i Kryesisë së Komunitetit Mysliman; tue ndej gjithmonë besnik i patundun i Partisë, i Qeveris dhe i principeve demokratike të regjimit t’onë popullor. ”. Sipas nenit 13 të dekret ligjit për komunitetet fetare të vitit 1949: “pasi të zgjidhen ose të emërohen nga organet fetare kompetente, duhet të aprovohen nga Këshilli Ministerial. ”.
Edhe në rregulloren e aprovuar në vitin 1951 të Komunitetit Mysliman Shqiptar, kishte ndikime të pushtetit. Në nenin 49 thuhej se: “I gjithë personeli i trupit mësimuer për t’u marrë në shërbim duhet të ketë këto kondita: – ku veç të tjerave, kërkohej edhe – c) të ketë sjellje morale e politike të mira, të vërtetuara nga organet kompetente të Shtetit. ”.
Po kështu, edhe në emërimin e vaizit, sipas nenit 91 të rregullores së mësipërme, dhe të funksionarëve të komunitetit, në nenet 107, 113, duhej patjetër të kishin dokumente mirësjellje, sjellje të mirë politike dhe të paraqisnin biografitë e tyre.
Më konkretisht në nenin 91 thuhej se: “Për emnimin e Vaizit, Imamit nevojiten konditat që vijojnë: b) të ketë dokumenta mirësjellje, morale dhe politike nga organet Shtetnore kompetente. c) Të paraqesin biografitë e tyre dhe dokumentet e studimeve që kanë bërë. Gjithashtu, në nenin 113 thuhej se: Fuksionarëve t’administratës së Komunitetit dhe të Drejtorisë Përgjithshme të vakfeve, kur nuk respektohen udhënimet e Statutit dhe të rregullores në të kryemit e detyrave të tyre, mirren masa disiplinore, sipas randësisë së rastit, të cilat janë: 1)Vërejtje e lehtë; 2)Vërejtje me shkrim dhe shënim në biografi… ”. Edhe Rregullorja e Medresesë së Përgjithshme të Komunitetit Mysliman Shqiptar, në nenin 3 të saj sanksiononte se: “në Medresenë e Pergjithshme pranohen ata studenta që kanë këto kondita … [ku ndër të tjera kërkohej edhe]… b)Të ketë sjellje të mira morale e politike ”.
Po kështu, edhe në nenin 52 të kësaj rregulloreje kërkohej që: “Kandidatët për bursë ose me pagesë duhet t’i paraqesin në Kryesi të Komunitetit Mysliman dokumentet e nevojshme. Këto dokumenta janë: [veç të tjerave edhe] … ç) certifikata e mirësjelljes së kandidatit ku të shënohet dhe gjendja shoqërore e politike e familjes së tij… ”.
Edhe rregullorja e sektit Halveti, që varej nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në nenet 18-19 të saj shprehej se: “Të gjithë Klerikët e sektit halveti duhet të jenë… përkrahës t’interesave të popullit dhe besnik të Pushtetit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë… – për kryerjen e detyrave duhet të kenë – konditë të mirë morale shoqnore e politike, duhet të jenë besnik të Pushtetit Popullor. ”.
Gjatë kësaj kohe, kur në Shqipëri u cenonin liritë dhe të drejtat, në vendet e zhvilluara perëndimore vepronte Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e vitit 1953, ku në nenin 9 të saj thuhej: “1. Secili ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose bindjet, si dhe lirinë për të shfaqur fenë e vet ose bindjet qoftë individualisht, qoftë së bashku me të tjerë, publikisht ose privatisht nëpërmjet kultit, arsimit, praktikave dhe kryerjes së riteve. 2. Liria e shfaqjes së fesë ose bindjeve mund t’i nënshtrohet vetëm atyre kufizimeve që janë të parashikuara me ligj dhe janë të domosdoshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurimit publik, për mbrojtjen e rendit, shëndetit dhe moralit publik, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve. .” Jo vetëm që s’u arritën kërkesat e nenit 9 të Konventës Evropiane, ku Shqipëria u bë pjesë më 1995, por nuk u respektuan as të drejtat më minimale lidhur me lirinë dhe të drejtat e besimit.
Në statutin e Komunitetit Mysliman Shqiptar të vitit 1964, në nenin 2 të tij thuhej se: “Komuniteti Mysliman Shqiptar ka për detyrë… të zhvillojë ndjenjat e dashurisë e të besnikërisë ndaj… Pushtetit të Popullit… ”. Po kështu edhe rregullorja e re e brendshme e Komunitetit Mysliman, e vitit 1964, në nenin 42/b sanksiononte se: “Në Medrese pranohen nxanës që kanë këto kondita: b)Të kenë sjellje të mira morale dhe politike. ”.
Po kështu kërkohej në nenet e tjera të kësaj rregulloreje lidhur me emërimin e Vaizit e të Imamit, dhe të nëpunësve të tjerë të administratës së Komunitetit Mysliman Shqiptar. Në relacionet mbi rregulloren e re thuhej se duhej të kërkohej më shumë lidhur me sjelljen shoqërore e politike të funksionarëve të komunitetit dhe ndaj besimtarëve.
Në përfundim duhet të theksojmë se: Goditja kundër klerit, mendoj se u bë sipas këshillës që Stalini i dha udhëheqësit shqiptar që klerikët nuk duhen akuzuar në rrafshin fetar, por në atë politik, pra që shkelin ligjet e shtetit, të cilët janë njësoj për të gjithë shtetasit, dhe nuk duhet lejuar që kleri të jetë shtet brenda shtetit. Dhe kështu pjesa më e madhe e klerikëve të goditur, kryesisht katolikë, u akuzuan si bashkëpunëtorë me pushtuesit, si agjentë të shërbimeve të huaja, tradhtarë të vendit, sabotatorë, etj., pra krime që konsideroheshin si krime kundër shtetit.
Propaganda antifetare zhvillohej në një front shumë të gjerë, me të gjitha mjetet që shteti kishte në dispozicion, për të mos e lënë klerin që të reagonte dhe të zhvillonte propagandën e tij. Prandaj, propaganda e klerit u kufizua vetëm në objektet e kultit dhe nuk lejohej jashtë tyre, duke nxjerrë pengesa të shumta për zhvillimin e ceremonive dhe festave fetare jashtë objekteve të kultit.
Regjimi komunist, duke e ditur se propaganda fetare mund të ishte shumë e suksesshme te nxënësit e shkollave, që në fillim e hoqi mësimin e fesë nga shkolla dhe këtë e shpalli laike, e në këtë mënyrë në shkolla organizoi propagandën e tij, e cila sulmonte besimet fetare si mbeturina të së kaluarës, që pengonin zhvillimin dhe ecjen përpara të vendit, që e mbanin femrën të ndrydhur, etj.
Në format e propagandës, regjimi komunist u mbështet në:
– Propagandën antifetare me anë të shtypit të përditshëm, me artikuj të shumtë në gazetat e përditshme, të cilët kishin orientim që të kritikonin besimet fetare, të nxirrnin në pah arritjet e shkencës dhe që “Zoti nuk dukej gjëkundi”, se “Zoti nuk ekziston, pasi ai deri më sot nuk ka ndëshkuar ata që bëjnë keq”, që të mos besonin te nuskat dhe hajmalitë por të shkonin te mjekët për t’u vizituar për sëmundje të ndryshme, etj.
– Propaganda me anë të shtypit periodik, sidomos revistat shkencore. Duhet thënë se këto botime përgjithësisht ishin përkthime të revistave sovjetike dhe të tjera antifetare që botoheshin jashtë vendit.
– Me anë të librave të ndryshëm që kishin objekt të tyre besimet fetare, të cilët ishin libra teorikë që hidhnin poshtë teoritë e ekzistencës së Zotit, që çdo gjë e vinin në balancë me shkencën, me zhvillimin e aviacionit, shkuarjen në hapësirë, etj. Këtu mund të përmendim librin Bibla për ata që besojnë dhe nuk besojnë, ku me argumente shkencore hidhen poshtë shumë teori të Biblës për lindjen e njeriut dhe të jetës në tokë. Por ka pasur edhe botime të tjera, siç i kemi përmendur në këtë studim, si ato të R. Beqajt, H. Hakos, etj.
– Propaganda me anë të dokumentarëve të ndryshëm që shfaqeshin nëpër fshatra dhe zona të tjera të banuara, ku përsëri, me figurë jepej predikimi i fetarëve me nuska dhe hajmali, gjë e cila të çonte në vdekjen e foshnjave dhe personave të tjerë, të cilët refuzonin të merrnin ndihmën e mjekëve.
– Krijimi i grupeve të të rinjve, të udhëhequr nga mësues, të cilët propagandonin kudo kundër besëtytnive dhe mbeturinave të së kaluarës, për përfshirjen e të rinjve, po sidomos të të rejave në aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive, pasi shumë prej këtyre besëtytnive kishin origjinë fetare.
– Organizimi i rretheve të pionierëve dhe të rinjve ateistë, detyra kryesore e të cilëve ishte lufta kundër fesë.
– Krijimi i bibliotekave kudo, nëpër shkolla, qytete, lagje, edhe fshatra, ku përveç letërsisë artistike, një vend të rëndësishëm zinte edhe literatura me karakter shkencor, propagandistik, revolucionare e materialiste. Një vend të veçantë kishte dhe revista Shkenca dhe feja, që merrej vetëm me diskreditimin e besimeve fetare.
– Shtetëzimi i pronave të komuniteteve fetare, tatimi mbas luftës, taksat që u viheshin këtyre komuniteteve, bënë që fuqia ekonomike e tyre të dobësohej shumë dhe të mos arrinin që të mbanin veten. Megjithëse shteti përcaktonte një buxhet për këto komunitete, me kalimin e kohës ai u shkurtua aq shumë sa vetë komunitetet filluan të shkurtojnë organikat e tyre, pasi nuk kishin mundësi financiare për t’i mbajtur.
– Organizimi i konferencave të ndryshme me karakter antifetar, ku merrnin pjesë me detyrim, të rinj e të reja, banorë të lagjeve, të fshatrave, etj.
Duket, pas viteve 1960, kleri në Shqipëri kishte marrë goditje të rënda, pasi nuk po ftoheshin më nëpër aktivitete kombëtare, lidhjet me jashtë vendit pothuajse ishin ndërprerë përfundimisht, buxhetet kishin arritur në minimum, propaganda antifetare kishte bërë punën e vet, dhe regjimi mendoi se ndoshta kishte ardhur momenti që gradualisht të shkohej drejt zhdukjes së besimeve fetare në vend.
Bibliografi
1. AQSh, F. Kryeministria, nr. 490.
2. Arben Puto, Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut në përqasje me Kushtetutën e Shqipërisë, Albin, Tiranë 2002.
3. Aurela Anastasi, Historia e të Drejtës Kushtetuese në Shqipëri (1912-1939), PEGI, Tiranë, 2007.
4. Azem Qazimi, Komunitetet fetare në Shqipërinë komuniste (Dokumente), West Print, Tiranë 2014.
5. Giovanni Cimbalo, Pluralizmi i besimit dhe komunitetet fetare në Shqipëri, Naimi, Tiranë, 2013.
6. Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptar 1912-2005, 55, Tiranë, 2006.
7. Kurtesh Saliu, E Drejta Kushtetuese. Libri I (Botimi i katërt), Universiteti i Prishtinës, Prishtinë 2004.
8. Human Rights Watch/Helsinki. Të drejtat në Shqipërinë Post-Komuniste. New York, 10 maj 1996.
9. Luan Omari, Parime dhe Institucione të së Drejtës publike, “Elena Gjika”, Tiranë 2004.
10. Nicholas Pano, Feja në Shqipëri: Trashëgimia e epokës komuniste. Fetë dhe Qytetërimet në Mijëvjeçarin e Ri, Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut, Tiranë 2004.
11. Të drejtat e Njeriut. Përmbledhje aktesh ndërkombëtare. Botim i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Shtëpia botuese Enciklopedike TEKNOTRADE LTD, Tiranë 1993.
12. Shyqyri Hysi, Legjislacioni fetar në Shqipëri, në Studime Historike, Nr.1-2, Tiranë, 2006.
13. Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, Studime Juridike nr. 1, Luarasi, Tiranë, 2002.
14. “Gazeta Zyrtare”, 12 dhjetor 1949.
May 07, 2024 0
Jan 23, 2024 0
Jan 19, 2022 0
Jan 08, 2019 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...