Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Jul 02, 2024 Zani i Nalte Histori 0
Dr. Azmir Jusufi
Hyrje
Rrethana të caktuara janë një faktor vendimtar në formimin e personaliteteve të shquara, roli dhe rëndësia e të cilëve është e pamohueshme dhe puna e tyre është universale. Elemente të tilla gjenden në librat e historisë së të gjitha kombeve, faqet e të cilëve janë plot me figura të rëndësishme që shënojnë një epokë të caktuar si: patriotë, heronj, kolosë dhe reformatorë.
Fryma reformiste dhe ndryshimi i ndërgjegjes fillon me revolucionin mendor të një individi apo një grupi që përpiqet të ngrejë vetëdijen e shoqërisë së tij. I njëjti mendim duhet të frymëzohet, sepse frymëzimi është shtytësi shpirtëror i njeriut, ndërsa shpirti reformues ushqehet me bindje ideologjike, artistike dhe fetare.
Jehona e mendimit fetar reformist që vinte nga Lindja Arabe, gjegjësisht nga Egjipti, kishte depërtuar në tërë botën islame, si p.sh., në Indi, Turqi, Rusi dhe veçanërisht në Kaukaz. Edhe fati i tokave shqiptare dhe atyre boshnjake nuk ishte më i vogël se sa ai i botës islame.
Meqë Universiteti i Ez’herit ishte qendër e mësimeve dhe edukimit në të gjitha fushat shkencore, të rinjtë shqiptarë drejtoheshin drejt tij për të mësuar shkenca të ndryshme, dhe në këtë mënyrë u formuan marrëdhënie vëllazërore fetare mes dijetarëve të Ez’herit dhe studentëve shqiptarë. Shumë studentë shqiptarë më vonë u bënë dijetarë të njohur, me autoritet dhe të suksesshëm për kohën.
Ashtu si natyra rilind në fillim të pranverës dhe sjell gjallëri e jetë, ashtu edhe Ali Korça lulëzoi me idetë e tij kur populli i tij kishte më shumë nevojë për një njeri të tillë, pikërisht në kohën e rilindjes shqiptare.
Reformizmi dhe përtëritja e mendimit islam
Nëse bëhet një rezyme e ideve dhe fjalëve të Hafiz Ismet Dibrës në lidhje me reformizmin dhe përtëritjet e mendimit islam, do të arrijmë te konkluzioni se ai mendonte se Islami nuk kundërshton progresin shkencor dhe sfidat e kohës si dhe pranon reformat në disa çështje për të cilat flasin edhe hadithet e Pejgamberit a.s., përkatësisht për çështje që kanë natyrë dhe karakteristikë specifike e të pranojnë të reformohen, ndërsa parimet fetare dhe bazat e besimit nuk mund të reformohen kurrë, ngase në këtë mënyrë shkatërrohet feja që nga themeli i saj.
Çështja e gruas myslimane dhe pozita e saj shoqërore
Ndër çështjet politike në të cilat ishin përqendruar reformistët, ishte edhe çështja e gruas myslimane dhe pozita e saj shoqërore , e cila, në krahasim me gruan perëndimore, ishte e prapambetur, regresive dhe jetonte e mbyllur në prangat e traditës. Asaj nuk i lejohej të merrej me aktivitete politike e as me ato shoqërore, etj. Ide të tilla reformiste ndikuan dukshëm në mendimet dhe idetë e shqiptarëve që mësonin dhe studionin në Egjipt, Turqi dhe Indi, që njëherazi konsideroheshin qendra ndërkombëtare të diturisë dhe kulturës, andaj, kur u kthyen në vendlindje, erdhën me idetë reformiste e ripërtëritëse.
Sipas disa burimeve historike është zhvilluar një debat i gjatë dhe i ashpër mes mendimtarit dhe studiuesit shqiptar, Mehdi Frashëri dhe Hafiz Ismet Dibrës. Mendimtari shqiptar Mehdi Frashëri kishte botuar një varg artikujsh në disa gazeta shqiptare rreth reformave që mund të zhvillohen në fenë islame. Këto artikuj bënë që Hafiz Ismet Dibra të reagojë në revistën islame mujore, “Zani i Naltë”. Kjo revistë përfshinte në vete artikuj dhe mendime të tilla, dhe për këtë shkak gëzonte autoritet dhe pozitë të lartë te myslimanët dhe njerëzit në përgjithësi.
Çështja e femrës kishte marrë jehonë të madhe mes dijetarëve dhe mendimtarëve shqiptarë, ashtu siç kishte marrë jehonë edhe në mesin e mendimtarëve dhe dijetarëve arabë, posaçërisht polemikat rreth emancipimit dhe mbulesës së fytyrës e të duarve të femrës. Arsyeja kryesore që i shtyu dijetarët myslimanë të diskutojnë rreth kësaj çështjeje, ishte fakti se disa shkrimtarë laikë shqiptarë kishin shkruar një artikull historik ku thuhej se perçja i takonte historisë shqiptare të krishterë, gjegjësisht periudhës së murgeshave të virgjëra e beqare të kohës së mbretëreshës së krishterë, Katerina de Medici, si dhe kohës së vejushave të krishtera, të cilat e mbulonin fytyrën për nder të burrave të tyre. Autori i artikullit më tej vazhdon e thotë se perçja apo mbulesa e fytyrës nuk ka ekzistuar për gratë myslimane në periudhën e parë të Islamit. Në Bagdad dhe në Kordobë kishte mësuese dhe dijetare femra që merreshin me arsim e që i kishin fytyrat e zbuluara.
Çështja e zëvendësimit të alfabetit shqiptar me shkronja latine
Çështja tjetër që kishte pësuar ndryshime ishte përpjekja e parlamentarëve për ta penguar alfabetin arab në shkrimet shqipe dhe zëvendësimin e tij me alfabetin latin. Në vitin 1929 u organizua një konferencë e madhe në Shqipëri, ku u takuan dijetarë të mëdhenj sunitë dhe morën disa vendime që ishin të vështira, por të pranuara nga mbretëria e Mbretit Ahmet Zogu. Në atë konferencë u vendos që arabishtja të përdoret vetëm në ligjërata, vaze, lutje e derse, të gjitha shkollat fetare dhe qendrat edukative të jenë nën kontrollin e mbretërisë shqiptare dhe të mbyllen shumica e xhamive të mëdha, përveç dy ose tri xhamive në çdo qytet.
Erërat e doktrinës reformiste fetare frynin në të gjitha sferat e jetës fetare, kulturore dhe shkencore shqiptare. Ndër çështjet tredimensionale (shkencore, kulturore dhe fetare) ishte edhe çështja e vazhdimit të alfabetit arab ose zëvendësimi i tij me alfabetin latin. Dobësimi i shtetit osman arriti kulmin aty nga fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX. Krerët e rezistencës kundër shtetit osman filluan të paraqiten aty këtu nga vetë turqit dhe nga kombet e tjera. Historikisht është vërtetuar se mësimi dhe shkrimi i alfabetit shqip ishte i ndaluar shekuj me radhë nga shteti osman, përderisa ishte i lejuar për pakicat e tjera hebraike, serbe, greke, kurde. Ndoshta një gjë e tillë ka ndodhur nga arsyeja se shteti osman i konsideronte të gjithë myslimanët si një popull, edhe pse dalloheshin në gjuhë e komb, dhe se gjuha e tyre duhet të jetë vetëm gjuha e shtetit osman.
Shkaku që shteti osman nuk i kishte miratuar kërkesat e shqiptarëve rreth çështjes së alfabetit, ishte edhe frika nga kryengritja dhe rebelimi i tyre, sepse pas kërkesave të tyre fshihej synimi për pavarësi të plotë dhe përfundimtare nga shteti osman.
Në një nga mitingjet e organizuara rreth futjes së shkronjave latine, Hafiz Ali Korça në fjalimin e tij, ndër të tjera, kishte thënë: “…Shkronjat shqipe që kemi pranuar, janë vegla me të cilat shkruhet kjo gjuhë, por, kjo nuk do të thotë se ne i urrejmë shkronjat arabe me të cilat e mësojmë Kur’anin… Shkronjat e një gjuhe nuk kanë të bëjnë as me fenë as me halifenë. Shkronjat janë vegla: S’janë as mu’min as qafir…”
Kjo frikë dhe droje e kishte shtyrë Shejhul-islamin që më 22 mars 1920, të dilte me një fetva të prerë, ku kategorikisht ndalonte përdorimin e alfabetit latin, dhe pas pak kohe filloi procedura e mbylljes së shkollave shqipe. Mirëpo, këto orvatje të shtetit osman nuk zgjatën shumë, kështu që, befasisht, Ministria e Punëve të Brendshme të shtetit osman, lëshoi vendimin me të cilin lejohej hapja e të gjitha shkollave që ishin mbyllur, madje lejohej edhe hapja e shkollave të reja.
Zërat pro reformimit shoqëror dhe fetar në trurin e shqiptarëve filluan të dëgjohen më zhurmshëm në fillim të shekullit XX. Në këtë kohë kishte filluar të përhapet e t’i përforcojë rrënjët e veta edhe ideologjia komuniste në tërë territorin shqiptar.
Mirëpo, nga një ngjarje të cilën e shënon vetë Hafiz Ali Korça në librin e tij “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”, ai si personalitet dhe mendimet e tij për kërkimin e së drejtës për mësim dhe shkrim në gjuhën amtare, nuk do të thotë se ka qenë i prirur kundër shtetit Osman, gjuhës turke apo arabe. Këtë e kuptojmë nga ngjarja e radhës, ku në një takim, pasi disa intelektualë kishin mbajtur fjalime, i vjen radha që të mbajë fjalim edhe Hafiz Ali Korçës, dhe ky, pasi e përfundoi fjalimin, i lutet Zotit të Madhërishëm në tri gjuhë: në arabisht, turqisht dhe shqip, pastaj e falënderon Zotit për të mirat që ia ka dhënë dhe për krijimin e popujve të ndryshëm, që flasin gjuhë e dialekte të ndryshme, dhe më tej vazhdon duke thënë se kjo nuk nënkupton që ne ta urrejmë arabishten, ngase në gjuhën arabe mësojmë Kur’anin, por pasi që me ligjin e ri të Turqisë të shpallur në vitin 1908, lejohet një gjë e tillë, atëherë edhe ne me padurim dhe me gëzim të madh do ta mësojnë gjuhën tonë amtare dhe alfabetin, dhe nuk ka asnjë forcë që mund të na pengojë në këtë çështje.
Talat Pasha kërkoi nga Hafiz Ali Korça që të shkruante një artikull në gjuhën shqipe, po me alfabetin arab, dhe për këtë i premtonte postin e kadiut në Bejrut. Hafiz Aliu nuk e pranoi këtë ofertë, ashtu sikurse nuk pranoi akuzën se me shkronjat latine bënin gjynah ndaj Kur’anit. Talat Pasha iu kërcënua se Shqipëria përmes shkronjave do të ndahet nga Turqia, por këtë nuk do ta arrijë kurrë…
Pas kësaj pushteti osman fillon ta akuzojë Hafiz Ali Korçën si latinxhi, përkatësisht si hoxhë perëndimor, apo me mendime vesterniane, në kuptimin e sotshëm, ngase në raport me alfabetin arab, sipas tyre, Hafizi preferonte alfabetin latin. Për këto qëndrime të tij, ai kërcënohej me dënim dhe internim, por ai shumë herë, nuk hezitonte t’ua sqaronte faktin se çdo gjuhë ka karakteristikat dhe rregullat e veta, dhe meqë gjuha shqipe është gjuhë indo evropiane, atëherë edhe ajo duhet t’i ketë karakteristikat e veta, dhe kjo gjë nuk ka të bëjë fare me rrëzimin e kalifatit apo me distancimin nga ai. Shkronjat e gjuhës janë instrument shkrimi, nuk janë as besimtarë e as jobesimtarë, ashtu sikurse nuk mund të trajtohen as si myslimanë e as si jomyslimanë.
Sipas mendimit të prof. dr. hfz. Hajredin Hoxhës, kolonializmi perëndimor evropian dhe sllav ishte ai që i nxiti intelektualët të ringjallin idenë e alfabetit latin, si hap i parë për shkatërrimin e Islamit dhe devijimin e Kur’anit, duke u përqendruar në përdorimin e dialekteve në vend të gjuhës letrare, dhe një gjë e tillë vërehet mjaft qartë, në shkrimet e hershme dhe të mëvonshme të disa orientalistëve bashkëkohorë. Pra, siç vërehet, qëndrimi i studiuesit dallohet nga mendimi i intelektualëve për futjen e alfabetit latin në përdorim, pra edhe mendimit të vetë Hafiz Ali Korçës, alfabeti arab, i cili, njëherazi, ishte alfabeti i Kur’anit Fisnik dhe haditheve të Pejgamberit a.s., përveç kësaj, me plot të drejtë shtrohet pyetja se çfarë e dëmtoi Japoninë, Kinën, Tajvanin, Korenë dhe shtetet e tjera në rrugën e tyre drejt progresit dhe zhvillimit industrial e teknologjik, kur dihet se këto shtete akoma sot e kësaj dite vazhdojnë të përdorin alfabet interesant që ka simbole të posaçme dhe një intonacion që i ngjan alfabetit arab?! Prandaj, sipas mendimit të dr. Hajredin Hoxhës, pa marrë parasysh se çfarë forme ka alfabeti, ai nuk mund ta pengojë kurrsesi progresin, por në fakt ekzistojnë faktorë të tjerë konkretë dhe abstraktë që çojnë popujt kah progresi dhe përparimi ose kah prapambetja dhe regresi.
Kontributi për alfabetin e gjuhës shqipe
Hafiz Ali Korça, çështjen e alfabetit dhe të shkollës shqipe, e shtroi në Kongresin e Dibrës më 23-29 korrik 1909. Roli i këtij personaliteti në këtë Kuvend ka rëndësi historike, për problemet arsimore dhe kulturore që paraqiti para delegatëve, të cilët u pajtuan dhe i përkrahën në tërësi.
Dr. Ismail Ahmedi, me plot të drejtë, i jep një vend mjaft parësor pjesëmarrjes së Hafiz Ali Korçës në Kongresin e Dibrës, në një kongres ku kishte mbi 300 delegatë nivelesh dhe përcaktimesh të ndryshme, personalitete deri atëherë të formuara dhe shumë të afirmuara në çështjen kombëtare e kulturore rreth çështjes së alfabetit të gjuhës shqipe.
Lidhur me këtë me të drejtë konstatohet se ai ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në kahen që mori puna e Kongresit e veçmas në vendimet suplementare që dolën nga ky Kongres, të cilat u arritën vetëm në saje të diskutimeve të fuqishme dhe të argumentuara të Hafiz Ali Korçës. Dhe pikërisht këto diskutime ndikuan te pjesëmarrësit që të marrin edhe vendime suplementare, që i dhanë Kongresit kahen e kundërt nga ajo që dëshironin organizatorët e tij apo politika aktuale xhonturke, që ishte bërë fuqi e përshtatshme politike e Turqisë.
Në Kongres u formuan dy grupe delegatësh: Ata që përkrahnin organizatorët e Kongresit, pra politikën xhonturke, që kërkonte të shfuqizohen vendimet e Kongresit të Manastirit, që gjuha shqipe të shkruhej me alfabet latin dhe të pranohet vetëm alfabeti arab për shkrimin e shqipes, që ishte një numër fare i vogël i tyre, dhe në ata që përkrahnin vendimet e Kongresit të Manastirit që gjuha shqipe të shkruhej ekskluzivisht me alfabetin latin.
Përjashtim i alfabetit arab për gjuhën shqipe, shkaktoi reagimin e qeverisë xhonturke. Ajo filloi një fushatë të gjerë kundër shkronjave latine. Autoritetet qeveritare u përpoqën në forma të ndryshme të bindnin shqiptarët që të heqin dorë nga këto shkronja.
Si kundërpërgjigje ndaj Kongresit të Manastirit dhe përhapjes së shkrimit latin, qeveria xhonturke organizoi Kongresin e Dibrës, siç përmendëm më sipër, me anë të të cilit synonte të dëshmonte përpara opinionit ndërkombëtar se të gjithë myslimanët e Perandorisë ishin osmanlinj.
Krahas kësaj, në vitet 1909-1910, me nxitjen e autoriteteve osmane, disa myslimanë organizuan mitingje kundër përdorimit të shkronjave latine në gjuhën shqipe. Nëpërmjet një telegrami që myderrizi i Manastirit i dërgonte atij të Korçës, e njoftonte këtë të fundit për mitingjet e zhvilluara në Manastir dhe Shkup. Myderrizi i Manastirit kërkonte nga kolegu i tij në Korçë që edhe në qytete të tjera shqiptare të organizoheshin mitingje të tilla.
Për ta detyruar të hiqte dorë nga alfabeti shqip, autoritetet osmane ushtruan një presion të madh mbi Hafiz Ali Korçën. Ata nxitën elementet fanatike myslimane të hidhnin gurë mbi shtëpinë e tij. Ky presion vazhdoi për 6-7 muaj, por ai kurrë nuk u dorëzua.
Hapja e shkollave normale
Në këto vendime suplementare thuhet se kudo që flitet shqip duhet të hapen edhe shkollat shqipe, madje kërkesa e Hafiz Ali Korçës ishte që të hapen shkolla profesionale, shkolla normale dhe një fakultet. Për këto propozime të Hafiz Aliut ishin një numër i madh i delegatëve dhe prandaj u pranua të hyjnë në vendimet suplementare. Meqë vendimet suplementare në tërësi ishin të konceptuara nga Hafiz Aliu, lajmi u përhap edhe në qarqet qeveritare turke. Për këtë dukuri, dr. Ismail Ahmedi ka hulumtuar edhe gazetat turke të kohës që shkruanin për rrezikun që i kërcënohej politikës qeveritare xhonturke, të cilat nuk ngurruan të kërkojnë që organizatori ta ndërpresë punën e Kongresit dhe ta arrestojë organizatorin e këtyre plotësimeve të vendimeve, Hafiz Ali Korçën. Kongresi nuk i ndërpreu punimet në sajë të reagimit të opinionit dibran që u mblodh rreth ndërtesës së Kongresit, as vendimet suplementare nuk u anuluan, por ndaj Hafiz Ali Korçës u morën masat më të rrepta në stilin “shtrëngo e liro” që ta frikësojnë që të heqë dorë nga kërkesa për përdorimin e alfabetit latin për shkrimin e gjuhës shqipe.
Hafiz Ali Korça, aktivitetin e tij intelektual e zgjeroi edhe në një fushë tjetër, kur u emërua anëtar i “Komisisë Letrare”, ku së bashku me veteranët: Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci e Sali Nivica, veproi me përkushtim në fushën e gjuhësisë. Në këtë Komision, kontributi i Hafiz Aliut për pastërtinë e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja, është i pamohueshëm.
Pikëpamjet e tij politike, arsimore-edukative janë rezultat i natyrshëm i Lëvizjes Kombëtare, që ndihej nga mesi i shek. XIX, dhe që mori përmasa më të mëdha në vitet ‘20-30 të shek. XX.
Hapja e medresesë së Tiranës dhe reformat arsimore në të
Shekulli i fundit i Perandorisë Osmane ishte i mbushur me sfida të mëdha, të cilat ishin kryesisht në fushat politike dhe ekonomike.
Mirëpo kjo gjë reflektonte në të gjitha fushat dhe shtresat shoqërore. Njëra nga këto fusha ishte dhe fusha e arsimit fetar në të gjithë perandorinë. Mejtepet dhe medresetë, tanimë, nuk po luanin rolin që kishin luajtur dikur, ku nxirrnin kuadro të zotë si në fushën fetare ashtu edhe në atë shkencore e shoqërore. Ndër shkaqet më kryesore që çoi në rënien e këtyre medreseve ishte mos reformimi i procesit arsimor sipas nevojave të vendit dhe kohës, si dhe metodat e vjetra dhe jo të përshtatshme të mësimdhënies dhe edukimit fetar.
Në të kaluarën këto medrese, krahas arsimimit fetar, zhvillonin edhe mësimdhënie të lëndëve shkencore. Kjo bënte që shumë nxënës të zgjuar të zgjidhnin këto shkolla dhe krahas hoxhallarëve të dilnin edhe shkencëtarë të mirëfilltë. Ndërsa heqja e këtyre lëndëve nga programi mësimor bëri që të binte interesimi për këto medrese. Si rezultat shumë nxënës të zgjuar zgjidhnin shkollat moderne ku mungonte arsimimi fetar. Ky fenomen bëri që të bijë suksesi i këtyre shkollave dhe të mos kryhej funksioni që kishin…
Në një letër të hapur që u kishte dërguar Hafiz Aliu ulemasë shqiptare, ndër të tjera u thotë: “Në qoftë se medresetë nuk do t’i pajosim si lipset, edhe në qoftë se myslimanët pasunike do të kursejnë të hollat ahere t’a dimë bukur se medreset që sodit pa na thonë lam t’u mirë, edhe padyshim ashtu edhe feja myslimane që prej tashti po na thotë ‘El-veda…’”. Dhe u thotë më tej: “Na Shqiptarët po nuk përgatitëm për çdo katund nga nji alim i cili fare pak të ketë vazhdu në medreset (5) vjet q’aty të bëjë imamët e hatibet edhe të mësojë dhe çunat si pas nevojës të kohës dhe po nuk qitëm për çdo qytet fare pak nga dhjetë Fahruddina, nuk mundim me mbajte as fe as Shtet…”.
Më 1924 në nivelin e gjimnazit klasik e teologjik, me personel tërësisht shqiptar u themelua Medreseja e Përgjithshme e Komunitetit Mysliman Shqiptar në Tiranë. U hap në bazë të vendimit Nr. 105/1 dhe Nr. 125/2 të Qeverisë Shqiptare dhe u organizua në përputhje me artikullin 60 të Statutit të Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Hapat e parë të medresesë në Tiranë u bënë në disa rrethana të veçanta historike, që po kalonte shoqëria shqiptare në atë kohë. Më 1931 në gjirin e Komunitetit Mysliman ishte krijuar dega kulturore, e cila qe miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave më 20.07.1931 dhe firmosur nga K/Ministri Pandeli Vangjeli dhe ministrat H. Mosi, M. Tutulani, etj.
Më 1931 përfunduan punimet e ndërtesës së re të Medresesë së Përgjithshme në Tiranë. Ky qe një sihariq për tërë botën shqiptare. Mehdi Frashëri, një nga politikanët dhe sociologët e shquar shqiptarë, në fjalën e përshëndetjes, tha: “Përparimi i vrullshëm për ne shqiptarët është një nevojë e jetës, se për të mjeruarit në këtë botë s’ka mëshirë. Mëshira mund të jetë personale, por jo midis popujve, d.m.th. se s’është internacionale.”
Gjatë viteve 1918-1924 Hafiz Ali Korça ishte në krye të këshillit të Sheriatit në Tiranë. Derisa qëndroi në këtë funksion, ai ndërmori një varg hapash të rëndësishme. Së pari hapi Medresenë e Tiranës dhe po aty qe mësimdhënësi i parë. Kërkoi po ashtu, zbatimin e planeve dhe programeve mësimore bashkëkohore në të gjitha medresetë e Shqipërisë, hartues i të cilave ishte vetë. Në këtë frymë, ai hartoi një numër tekstesh shkollore për shkollën shqipe.
Njëra ndër pikat e dobëta ku Hafiz Ali Korça ngulmonte më shumë ishte mësimdhënia dhe metodat e mësimit të gjuhës arabe. Kjo gjuhë për shekuj kishte qenë gjuha e qytetërimit dhe urë lidhja midis popujve myslimanë. Kështu që çelësi për të arritur thesaret klasike të qytetërimit islam ishte gjuha arabe. Mirëpo medresetë që kishin për detyrë të mësonin këto gjuhë studentëve të rinj, nuk po e kryenin si duhet funksionin. Sipas Hafiz Ali Korçës arsyeja kryesore ishte metoda e gabuar e mësimdhënies së gjuhës arabe. Me gjithë kohëzgjatjen prej dhjetë vjetësh, përsëri nxënësit që diplomoheshin nga këto medrese nuk arrinin të përvetësonin gjuhën arabe. Kjo gjë reflektonte edhe në shkencat e tjera islame, sepse librat klasikë ishin në këtë gjuhë. Kështu që myslimanët në asnjë fushë nuk po përparonin.
Siç e theksuam, këtë çështje Hafiz Ali Korça e quan çështje ontologjike për myslimanët, si në botë ashtu edhe në Shqipëri. Në qoftë se duam të jetojmë si myslimanë dhe të mbajmë fenë e Hz. Muhamedit a.s., medoemos duhet të ripërtërijmë dhe reformojmë arsimin në medresetë ekzistuese. Kështu që të mundim të nxjerrim dijetarë si Fahrudin Razi, Ibn Sina, Sujuti, Gelenbeviu, Mulla Fenari, Hoxha Tahsini, etj.
Ai e kritikoi ashpër sistemin pedagogjik të medreseve të kohës, që nuk nxirrnin kuadro të afta për t’u regjistruar pa vështirësi në universitetet e ndryshme. Më tepër kritikon metodikën e mësimit të gjuhëve të huaja, sidomos metodikën e mësimit të gjuhës arabe…
Këto pikëpamje dhe mendime Hafiz Ali Korça i pati shprehur në kongresin e Dibrës, kur midis pesë pikave që i kishte propozuar komisionit, pika e parë dhe e dytë ishte për mësimdhënien e gjuhës shqipe nëpër shkolla dhe përmirësimin e programit mësimor nëpër medresetë e vendit. Këto pika komisioni i pati pranuar me kënaqësi. Më pas Hafiz Ali Korça kishte botuar edhe shumë artikuj nëpër gazetat turke që dilnin në Stamboll atë kohë lidhur me përmirësimin e programit mësimor në të gjithë perandorinë, mirëpo, fatkeqësisht, askush nuk ia vuri veshin. Në këtë periudhë perandoria po përjetonte momente të vështira të shoqëruara me dekadencë dhe humbje territoriale, kështu që nuk ishin në gjendje të mendonin shumë lidhur me këtë problem, edhe pse ishte “problem ontologjik” për ta.
Disa vite më pas, kur në Shqipëri ndodhej princ Vidi, Hafiz Ali Korça u emërua si drejtor i Drejtorisë Arsimore për disa rrethe ku u mundua të çelte një medrese me pikëpamje dhe program të tillë, mirëpo konservatorët fetarë e penguan, sepse nuk përputhej me metodën e tyre mësimore. Gjatë luftës së Parë botërore kur Shqipëria ishte e pushtuar nga Austro-Hungaria, H. Ali Korça emërohet Anëtar i Këshillit të Lartë të Sheriatit dhe i Besueshmi i Fetvave nga përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë, August Krali. Këtë detyrë ai e zhvillonte në Shkodër dhe përveç kësaj kishte edhe detyrën e anëtarit të Komisionit të Gjuhës, bashkë me Ndre Mjedën dhe disa figura të tjera. Këto mendime H. Ali Korça ia shpalos popullit të Shkodrës dhe gjen mbështetje. Për këtë blihet toka dhe mblidhen 1000 korona nga 2000 që ishin planifikuar. Mirëpo nga disfata e Austro-Hungarisë dhe koha e luftës koronat e mbledhura u dogjën në bankë.
Hafiz Ali Korça gjithashtu mundohet që kjo medrese të njihet në nivelin e një shkolle të mesme, mirëpo shteti i atëhershëm nuk ia vuri veshin. Nga ana tjetër nga reformat e bëra në kuadrot fetare nuk gjeti mbështetje dhe kështu Hafiz Ali Korça nuk arriti të realizojë planet dhe ëndrrat e tij për këtë vend.
Iluminizmi dhe ndikimi te Hafiz Ali Korça
Sipas Immanuel Kantit “Iluminizmi çliron njeriun nga paaftësia e funksionimit të intelektit pa ndonjë udhërrëfyes të jashtëm. Kjo paaftësi vjen nga humbja e trimërisë dhe nga insistimi i funksionimit të intelektit pa udhërrëfyes”.
Në kuptimin më specifik iluminizmi ndërlidhet me një lëvizje intelektuale në Evropë nga shekulli XVI-XVIII që beson se fuqia e arsyes njerëzore mund të kuptojë botën dhe ta udhëheqë sjelljen njerëzore. Iluminizmi shënon kulmin e skepticizmit, racionalizmit dhe empirizmit të kohës së re, rryma këto në sajë të të cilave shpirti njerëzor ka shpëtuar nga devijimet, padituria dhe paragjykimet e periudhës, të cilën filozofët francezë e quanin “mesjeta e errët”.
Në planin iluminist nuk është aspak i vogël kontributi i Hafiz Ali Korçës për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe në të gjitha territoret ku flitet kjo gjuhë, natyrisht për kohën kur Turqia, jo de juro por de facto, e ndalonte shkollën shqipe, veçmas atje ku përdorej alfabeti latin. Po Hafiz Ali Korça, thotë me të drejtë studiuesi ynë, kërkon edhe zgjerimin e rrjetit shkollor dhe reformimin e tij. Zgjerimin në aspektin e hapjes së shkollave profesionale dhe të shkollave të larta dhe reformimin në ndryshimin e plan programeve, ndryshime në metodën e mësimit të gjuhëve të huaja, në pasurimin e plan programeve me lëndë shkencore jofetare.
Në monografinë Hafiz Ali Korça, jeta dhe vepra dr. Ismail Ahmedi , një vend të merituar i jep edhe përpjekjes së Hafiz Aliut për hapjen e shkollave fetare islame në gjuhën shqipe dhe çështjes së përpilimit të teksteve mësimore për këto shkolla, ku edhe vetë ka qenë njëri nga pedagogët që ka ligjëruar disa lëndë. Në këtë rast do të kishim përmendur Medresenë e Përgjithshme të Tiranës që shquhej për nivelin e lartë të përgatitjes shkollore të pedagogëve të saj, por edhe për lëndët nga shkencat jofetare dhe për gjuhët e huaja që mësoheshin. Nga kjo shkollë dolën shumë kuadro shkencorë që me sukses i kanë kryer universitetet në Evropë dhe janë bërë shkencëtarë dhe albanologë, si Shaban Demiraj, Mahir Domi, etj. Ndër themeluesit e këtij institucioni është edhe Hafiz Ali Korça i cili dha edhe mësim dhe sot shumë nxënës e mbajnë në mend si pedagogun e tyre të vyeshëm, të urtë e të dijshëm.
Karakteristikat e kësaj filozofie ishin: Çlirimi i intelektit dhe mendjes nga besëtytnitë fetare e religjioze; çlirimi i intelektit dhe trurit nga irracionalizmi dhe metodat regresive; transferimi nga tirania politike; amoraliteti dhe tortura e përhershme në progres e përkryerje. Me zhvillimin e këtyre fuqive intelektuale, njerëzit do të mund të ecin dhe të përparojnë deri në përkryerje.
Përfundim
Personaliteti universal, karakteri dhe virtytet e një personi formohen në frymën e edukimit familjar, kushteve kohore dhe materiale, si dhe arsimimit të një personi të caktuar. Faktorët e përmendur, ndër të tjera, ndikuan në personalitetin e plotë të studiuesit dhe kolosit shqiptar Hafiz Ali Korça. Ai gjithë jetën ia kushtoi shërbimit të fesë dhe atdheut, për t’i ardhur në ndihmë popullit të tij dhe për të kontribuar në arsimimin e përgjithshëm fetar të shqiptarëve.
Ai gjatë gjithë jetës së tij luftoi me dije dhe zemër për një të nesërme më të mirë të popullit shqiptar në ngritjen e vetëdijes fetare e kombëtare, duke besuar se njerëzit që humbasin besimin do të humbasin edhe atdheun.
Hafiz Ali Korça hasi vështirësi në sistemin dhe rendin shoqëror të atëhershëm, pothuajse gjithë jetën e tij e kaloi nën mbikëqyrjen e elitës politike dhe njerëzve në pushtet. Mirëpo, ai asnjëherë nuk u dorëzua dhe as devijoi nga rruga e drejtë, por ishte këmbëngulës në synimin dhe dashurinë ndaj rregullave fetare dhe interpretimit të mesazheve nga Kur’ani dhe hadithi i Muhamedit a.s. Dashurinë që synonte ta përcillte në mënyrën më të mirë të mundshme, në gjuhën e popullit të tij ose, më saktë, metodologjinë me të cilën interpretonte predikimet fetare sipas rrethanave shoqërore.
Fatkeqësisht, personaliteti i Hafiz Ali Korçës, edhe sa ishte gjallë, u la nën hijen e harresës dhe u dëmtua më së shumti gjatë regjimit të dhunshëm të diktaturës komuniste në Shqipëri, një sistem famëkeq që kërkonte të zhdukte çdo gjë fetare dhe kombëtare te populli shqiptar.
. Mbi polemikat e tilla shih më gjerësisht: Ali M. Basha, Islami në Shqipëri gjatë shekujve, f. 140-141.
. Shih: Gazmend Shpuza, Kuvendime për historinë kombëtare, f. 231-236, 237-242.
. Hajredin Hoxha, Doktrinat e tefsirit në trojet shqiptare, Shkup, 2010, f. 85.
. Ali M. Basha, Islami në Shqipëri gjatë shekujve, f. 142-143.
. Sipas prof. dr. Behauddin Muhammed Husejn, nëse osmanlinjtë vërtetë i konsideronin myslimanët një popull, atëherë do të duhej t’i mësonin arabisht e jo turqisht, ngase arabishtja është gjuhë e Kur’anit dhe Sunetit të Pejgamberit a.s., si dhe gjuhë e halifatit të Hulefai-rashidinëve dhe të Abasidëve. Sipas tij, elementi nacionalist ka ndikuar që osmanlinjtë dhe turqit t’ua ndalojnë popujve të tjerë përdorimin e gjuhëve të tyre dhe t’ua mësojnë turqishten, dhe ky fenomen sipas tij, konsiderohet thyerje e të drejtave të tyre në mënyrë shumë të vrazhdë. Shih në: Hajredin Hoxha, Doktrinat e tefsirit në trojet shqiptare, f. 94. (fusnota 240).
. Ismail Ahmedi, Hafiz Ali Korça – Jeta dhe vepra, f. 51. Hafiz Ali Korça, Shtatë ëndrrat e Shqipërisë, f. 89.
. Hajredin Hoxha, op. cit., f. 91-92.
. Hafiz Ali Korça, Shtatë ëndrrat e Shqipërisë, Shtypshkronja e shtetit, II, 1944, 25-60.
. Ismail Ahmedi, Hafiz Ali Korça – Jeta dhe vepra, f. 61.
. Hafiz Ali Korça, Shtatë ëndrrat e Shqipërisë, f. 25-60.
. Hajredin Hoxha, ve. cit., f. 124-125.
. Shih në: Hajredin Hoxha, ve. cit., f. 124-125.
. Konferencë shkencore ndërkombëtare, Hafiz Ali Korça – 55 vjet pas (1873-1956), Korçë, Shqipëri, 2011, f. 31.
. Dr. Mahmud Hysa, Alamiada shqiptare 2, Studime dhe recepsione, Shkup, 2000, f. 129-130.
. Konferencë shkencore ndërkombëtare, Hafiz Ali Korça – 55 vjet pas (1873-1956), ve. cit., f. 119.
. Po aty, f. 119.
. Shih në librin e Hafiz Ali Korçës, Shtat ëndrrat e Shqipërisë, f. 50, 65.
. Dr. Mahmud Hysa, Alamiada shqiptare 2, op. cit., f. 130.
. Konferencë shkencore ndërkombëtare, Hafiz Ali Korça – 55 vjet pas (1873-1956), op. cit., f. 32.
. https://www.islamgjakova.net/artikulli.php?id=560, shikuar më: 26.11.2018.
. Hafiz Ali Korça, Publicistikë dhe shkrime të tjera, Vepra 12, Logos-A, Shkup, 2006, f. 64.
. Po aty, f. 69.
. Dr. Ramiz Zekaj, Zhvillimi i kulturës islame te shqiptarët gjatë shekullit XX, Instituti Shqiptar i mendimit dhe qytetërimit islam, Tiranë, 2007, f. 117.
. Sipas prof. Hajrullah Koliqit, Hafiz Ali Korça në Medresenë e Tiranës punoi deri në vitin 1949, kur pushteti komunist e internoi në Kavajë, ku edhe vdiq në vitin 1956. Në Medrese ai jepte gjuhën arabe dhe logjikën. Shih në: Konferencë shkencore ndërkombëtare, Hafiz Ali Korça – 55 vjet pas (1873-1956), ve. cit., f. 127 (fusnota nr. 78).
. Konferencë shkencore ndërkombëtare, Hafiz Ali Korça – 55 vjet pas (1873-1956), ve. cit., f. 33.
. https://www.islamgjakova.net/artikulli.php?id=560, shikuar më: 26.11.2018.
. Dr. Ismail Ahmedi, Hafiz Ali Korça – Jeta dhe vepra, Logos-A, Shkup, 2006, f. 44-45.
. https://www.islamgjakova.net/artikulli.php?id=560, shikuar më: 26.11.2018.
. https://www.islamgjakova.net/artikulli.php?id=560, shikuar më: 26.11.2018. Rreth hapjes së kësaj medreseje në Tiranë dhe futjen e metodave moderne për atë kohë në mësimdhënie, Hafiz Ali Korça flet edhe në librin: Rubaijjati a katrorët (të Umer Khajjamit), Vepra 10, Logos-A, Shkup, 2006, f. 129-133.
. Murad Vehbe, El-Mu’xhemu El-Felsefiju, Daru thekafetil-xhedideti, bot. 3., 1979, f. 135. Sipas: Hajredin Hoxha, ve. cit., f. 176.
. Ali Pajaziti, Fjalor i sociologjisë, Logos-A, Shkup, 2009, f. 256.
. Shih në: Dr. Ismail Ahmedi, Hafiz Ali Korça – Jeta dhe vepra, Logos-A, Shkup, 2006.
. Hajredin Hoxha, ve. cit., f. 177-178.
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Dec 21, 2023 0
Mar 13, 2023 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...