Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Jul 02, 2024 Zani i Nalte Jurisprudencë islame 0
Prof. dr. Bekir Topaloglu
“Njeriu që ka dy gra në kurorë dhe anon drejt njërës më shumë sesa tjetrës, në Ditën e Gjykimit do të vijë me njërën anë të trupit të paralizuar.” (Profeti Muhamed a.s.)
Martesa me shumë gra në sistemin e vjetër Juridik Religjioz
Në të drejtën e vjetër egjiptiane e cila iu jepte më shumë të drejta grave, në krahasim me atë greko -romake, gruaja, nëse nuk i takonte klasës klerikale, në kushte të caktuara burri mund të merrte më shumë se një grua.
Në të drejtën e Babilonit, sipas ligjeve të Hamurabit, nëse gruaja nuk mund të lindë ose nëse lëngon nga ndonjë sëmundje e rëndë, burri mund të marrë robëreshë.
Ndërsa në të drejtën kineze, burri mund të martohet me gra nga rendi i dytë, nëse e lejojnë kushtet financiare. Por, me kusht që fëmijët që do të lindin nga këto gra, të numërohen si fëmijë të vërtetë të gruas së parë. Te brahmanët e vjetër, sipas librit të Vishnus, burrat, sipas klasave që u takojnë, mund të marrin një, dy, tri ose katër gra. Ndërsa në librin Apastamba, vërehet një kufizim: nëse një grua i plotëson obligimet e veta dhe, nëse mund të lindë djalë, burri i saj nuk mund të martohet me një grua tjetër. E në të kundërtën, mund të martohet. Sipas rregullave Manu, një burrë duhet ta zgjedhë gruan e parë nga kasta e vet. Si grua të dytë mund të marrë një grua nga kasta më e ulët. Dhe në fund, sipas institucioneve të Naradës, burri sipas kastave mund të martohet me një, dy ose tri gra. E sipas disa institucioneve edhe gruaja ka pas të drejtë që ndonjëherë të ketë më shumë burra.
Edhe në Persinë e lashtë qe aprovuar poligamia. Në të drejtën romake ekziston istifrashi që do të thotë – bashkëjetesa me një grua pa kurorëzim ligjor.
Në Dhiatën e Vjetër theksohet se Daudi (a.s.) qe martuar me disa gra. Kur shpjegohen dispozitat që bëjnë fjalë për ndarjen e pasurisë së babait midis fëmijëve nga dy gra, flitet në mënyrë normale, pa ndonjë farë turpi. Prandaj, nga kjo kuptohet se edhe te hebrenjtë kishte poligami.
Në Dhiatën e Re nuk ekziston asnjë pasazh me anë të të cilit ndalohet martesa me më shumë se një grua. Por, këshillohet se “Një grua është e mjaftueshme për një njeri”. Martesa me më shumë gra në botën e krishterë, deri në shekullin XVI ishte gjë normale. Westermarck në veprën e tij historike këtë e thekson duke dhënë edhe shembuj. E dimë edhe atë se në botën e krishterë, bashkë me robërimin, ekzistonte edhe istifrashi.
Në siujdhesën arabike, ku lindi dhe u zgjerua Islami, nuk kishte kurrfarë kufizimi lidhur me këtë. Ashtu siç burri ka mundur të marrë sa gra të dojë, po ashtu ka qenë e mundur edhe të këmbehen gratë midis burrave. Kanë ekzistuar edhe gra “të lehta” që llogariteshin si pronësi e përgjithshme.
Poligamia në Islam
Islami, me ajetin 3 të sures Nisa’, lejon të merret më shumë se një grua, në të cilin thuhet:
“Në qoftë se frikësoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj bonjakeve, atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë; me dy, tri a me katër. E nëse i frikoheni padrejtësisë (ndaj tyre), atëherë vetëm me një, ose (martohuni) me ato që i keni nën pushtetin tuaj (robëreshat). Ky (përkufizim) është më afër që të mos gaboni.” Në këtë ajet theksohet “nëse nuk do të jeni të drejtë ndaj bonjakeve.”
Lidhur me të, Aishja (r.anha) shpjegon: “Bonjakja ndodhet nën kujdesin e zotërisë dhe ai dëshiron ta marrë atë me ndonjë mehr të thjeshtë, duke vënë merak në bukurinë dhe pasurinë e saj. Të këtillëve u ndalohet martesa me bonjaket, edhe nëse japin mehr të caktuar dhe nëse sillen në mënyrë të drejtë- u është urdhëruar të marrin gra të tjera përveç bonjakeve.”
Ndërsa Ibn Xherir et-Taberi thotë: Disa kanë thënë se domethënia e këtij ajeti është: “Ashtu siç frikësoheni nga pamundësia e plotësimeve të të drejtave ndaj bonjakeve, në të njëjtën mënyrë duhet të frikësoheni nga prostitucioni me gratë. Mos bëni prostitucion, por nga gratë që u janë të lejuara merrni nga dy, tri ose katër.”
Edhe Sheukani përmend të njëjtën domethënie në tefsirin e tij “Fethu’l-kadir”.
Duket se martesa me më tepër se një grua, dy, tri e në fund katër nuk është ndonjë detyrim farz ose urdhër vaxhib, por është një leje në mënyrë që t’i iket prostitucionit. Por edhe kjo leje është kushtëzuar me mundësitë dhe drejtësinë. Ajeti na shpjegon se në bashkëshortësi është kryesore të mjaftohesh me një grua, duke theksuar se martesa me një grua është më afër plotësimit të të drejtave. Kështu, mund të japim një rezyme lidhur me poligaminë në Islam, para lindjes së të cilit, nuk pati ndonjë kufizim:
1. Përkufizimi i numrit. Është e lejuar martesa me katër gra më së shumti. Ajeti i lartpërmendur e shpreh këtë sipas specifikës së gjuhës arabe. Vërtetimi se martesa me më shumë se katër gra është e lejuar, duke u mbështetur në këtë ajet, është gabim, mosnjohje e gjuhës arabe. Pejgamberi a.s. i urdhëroi ata që u bënë myslimanë të rinj dhe kishin më shumë se katër gra, që të shkurorëzohen me ato mbi katër.
2. Drejtësia si kusht.
3. Urdhëroi që individi të mjaftohet vetëm me një, nëse nuk ka mundësi për drejtësi. Duhet pasur parasysh se këtu theksohet llogaria për drejtësinë midis grave si në ushqim, veshmbathje, strehim, në respektim, në dashuri e kështu me radhë. Le ta veçojmë pakëz vetëm dashurinë. A është e mundur që, të duhen në mënyrë të barabartë gratë e bukura dhe ato më pak të bukura, të rejat dhe ato më të vjetrat? Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë nuk ka drejtësi. E kur nuk ka drejtësi atëherë njeriu duhet të mjaftohet vetëm me një grua. E në këto kushte nuk krijohet poligamia.
Disa argumentojnë se, në Islam, është asgjësuar kjo leje, me qëllim që të pengohet poligamia. Por, ky është mendim i gabuar, meqë nyja është zgjidhur me ajetin ku flitet për poligaminë. Tani e tutje, njeriu që do të ketë më tepër se një, e më së shumti katër gra, do ta kryejë detyrimin ndaj shpirtit të vet, që s’varet nga ai, pas plotësimit të kushteve materiale siç është ushqimi, veshmbathja, strehimi e të tjera, madje edhe fjetjen me to:
“Ju kurrsesi nuk do të mund ta mbani drejtësinë mes grave edhe nëse përpiqeni, pra mos anoni krejtësisht nga njëra e ta leni tjetrën të varur. E nëse përmirësoheni dhe i ruheni (padrejtësisë), Allahu ju fal dhe ju mëshiron.”
Pejgamberi (a.s.) bënte drejtësi midis grave të tij, dhe thoshte kështu:
“O Zot, kjo është drejtësia që kam në duart e mia. Mos më merr si përgjegjës nga drejtësia që Ti ke e që unë nuk e zotëroj.”
Burri e respekton barazinë mes tyre në të gjitha sjelljet e veta, përveç në dashuri, sepse ajo nuk varet prej tij. Pejgamberi a.s. thotë: “Njeriu që ka dy gra në kurorë dhe anon drejt njërës më shumë sesa tjetrës, në Ditën e Gjykimit do të vijë me njërën anë të trupit të paralizuar.” Nëse njëra nga gratë nuk është myslimane, ajo gëzon të njëjtat të drejta si gratë e tjera.
A ka nevojë për poligami?
Siç dihet, kurora në Islam mbështetet në qetësinë dhe paqen, dashurinë, simpatinë, ndershmërinë shpirtërore dhe në vazhdimësinë e gjeneratave, e jo vetëm në kënaqësinë seksuale. Pejgamberi (a.s.) për këtë temë, thekson: “Martohuni, por mos shkurorëzoni, meqë Allahu i Lartësuar nuk i do burrat dhe gratë që varen nga kënaqësitë (pasionet).”
Në këtë mënyrë ai e ndaloi përhapjen e martesës në favor të kënaqësive të ulëta. Atëherë, bie poshtë pohimi se gratë janë të robëruara kundrejt kënaqësive të burrave, duke pasur parasysh lejimin e poligamisë në Islam. E ritheksojmë se poligamia nuk është ndonjë gjë e urdhëruar, kryerja e së cilës është e domosdoshme si farz ose vaxhib, por është një mënyrë e ruajtjes nga prostitucioni dhe nga imoraliteti. Siç do të shpjegojmë më tutje, Islami mundohet t’i mbyllë rrugët për të rënë në prostitucion, kështu që parasheh dënime, madje edhe me vdekje.
Shkencëtarët e Islamit i radhisnin disa prej arsyeve pse poligamia do të ishte e nevojshme:
1) Kur gruaja të jetë e sëmurë nga impotenca që në lindje dhe të mos ketë ndjenja për marrëdhënie intime;
2) Të jetë e sëmurë, aq sa të mos ketë mundësi të plotësojë detyrimet bashkëshortore;
3) Kur nuk lind fëmijë. Shkurorëzimi do të sillte dëme dhe halle më të mëdha nga rimartesa. Gruaja që do të përjetonte këtë, nuk do të mund të martohej me të tjerë dhe do të shkatërrohej.
4) Gruaja kalon nëpër periudha të menstruacionit mesatarisht një javë në muaj, ndërsa pas secilës lindje, dyzet ditë lehoni. Në këto periudha sipas Islamit, është haram të kryejë marrëdhënie seksuale. Veç kësaj, veçanërisht gjatë kohëve të fundit të shtatzënisë, shpeshherë nuk mund të plotësohen detyrimet ndaj bashkëshortit. E disa burra nuk janë të durueshëm, ndaj anojnë nga prostitucioni.
5) Aftësia seksuale e gruas dobësohet dhjetë deri në njëzet vjet më herët në krahasim me atë të burrit. Ndërsa, sipas gjendjes familjare, gjatë kësaj kohe, mund të dëshirohet madje edhe fëmijë.
6) Mungesa e meshkujve për shkak të tragjedive, kryesisht nga luftërat. Shembull më i mirë është Gjermania pas luftës së Dytë Botërore. Të gjithë e dimë gjendjen e mjerueshme të grave gjermane, madje edhe kërkesat e tyre për “importimin e burrave”. Faraoni në kohën e Musait a.s. i vriste bijtë e izraelitëve, ndërsa bijat e tyre i linte të jetojnë. Këtë mos-baraspeshim, Kur’ani e quan “torturë, dhimbje të madhe dhe shkatërrim.”
Evropa, që e kundërshton me ashpërsi poligaminë në Islam, të gjitha këto domosdoshmëri përpiqet t’i mbulojë me një gjë: “mos-mbikëqyrjen e prostitucionit”. Prostitucioni, prostituta dhe fëmija jo legjitim, preferohen në vend të kurorës ligjore, gruas dhe fëmijës ligjor. Mirëpo, mendimtarët evropianë filluan të shikojnë drejt poligamisë në mënyrë pozitive, të cilën, e pranuan për shkak të çekuilibrit në numër mes grave dhe burrave, për ta ruajtur nga shkatërrimi jetën dhe pronat e burrave, si dhe duke pasur parasysh edhe shtimin e vrasjeve e të aborteve, me qëllim të pengimit të fëmijëve të paligjshëm.
Westermarck, në veprën e tij historike, thotë: “Poligamia, pas ndalimit në Perëndim, s’është shmangur nga praksa. Më pastaj, a është sistemi më i përkryer dhe i fundit, ai në të cilin do të kënaqet njerëzimi vetëm me një grua?”
Përgjigjet janë të ndryshme. Sipas Herbert Spenserit, sistemi i fundit është monogamia.
Ndërsa sipas Lebonit: “…ligjet evropiane për një kohë të shkurtër do ta lejojnë poligaminë.”
Prof. Ehrenfeli mendon se poligamia është e domosdoshme për shkak të ruajtjes së racës ariane. Shpjegim më të mirë lidhur me këtë çështje nxjerrim nga vepra e prof. Muhamed Hamidullahut:
“Monogamia, faktikisht, është dukuri më e rrallë në krahasim me bigaminë, që llogaritet si gabim i rrezikshëm dhe mosrespektim i ndalimeve dhe rregullave të shenjta. Përveç kohëve të fundit, kur u zhvillua në mënyrë të shpejtë kultura e Perëndimit, s’mund të gjendet një nocion ideal dhe parimor, kuptim që s’mund të shtrembërohet. Madje edhe në doktrinën e krishterë, asgjë s’është thënë që të japë argumente të një pasqyre të këtillë.”
“Askush nuk ka të drejtë të thotë se krishterimi është ai që e detyron botën e civilizuar të Perëndimit në monogami. Krishterimi nuk e ka ndaluar haptazi poligaminë, veç kryepeshkopëve dhe gjakonëve (Timotheu 3/2,12)… Asnjë nga koncilët e krishterë nuk e kundërshtuan poligaminë; nuk u pengua që kjo të vazhdojë as nga mbretërit, aty ku ekzistonte poligamia në kohën e idhujtarisë. Në mes të shekullit të VI mbreti i Irlandës Diarmait, kishte dy mbretëresha dhe dy robëresha. (D’Arbois de Jubainville, VI, 292). Poligamia është vënë në praksë pa kurrfarë pengesash gjatë kohës së mbretërisë së Merovingienit. Karli i Madh kishte dy mbretëresha dhe shumë robëresha, e njëri ndër ligjet e tij theksonte se poligamia nuk është e panjohur për murgjit . Më vonë Filipe de Hesse dhe Frederic – Guillaume de Prusse nga sekti luterian marrin nga dy gra me lejen e murgjve. Lutheri personalisht ia lejoi bigaminë të lartpërmendurit. Të njëjtën gjë e bëri edhe Melanchetoni. Shumë herë Lutheri vetë personalisht, fliste për poligaminë me një tolerancë të madhe: “Kjo (poligamia) s’është e ndaluar nga Zoti… Nuk ka dyshim se poligamia preferohet në vend të shkurorëzimit.” Më 1650 pas marrëveshjes së Westfalisë, Parlamenti Ushtarak i Frankonit (Kriegstag) lëshoi vendim, që prej atëherë, çdo burrë mund të marrë nga dy gra, si preventivë kundër zvogëlimit të popullatës, pas luftimeve tridhjetëvjeçare. Disa sekte të krishtera luftuan shumë për poligaminë. Më 1531, në Munster anabaptistët bënë përpjekje duke dashur që, në mënyrë të hapët, ta zgjerojnë poligaminë dhe thanë se i krishteri i vërtetë duhet të ketë shumë gra. Dhe, siç e dimë, Mormonët e shikonin poligaminë si një institucion hyjnor.
Në njoftimin e princit gjerman Philippe de Hesse, që ia dërgoi teologut Marthin Bucer, lidhur me ca pyetje që i kërkoi t’u parashtrohen shkencëtarëve të tjerë fetarë (Martin Lutherit dhe Filippe Melancheton), shënohet “(Paragrafi i X): “E di se Luteri dhe Melancheton e kanë këshilluar mbretin anglez që të martohet me një grua tjetër para se të ndahet prej së parës .
Gruas së parë në poligami, do t’i lëndohet krenaria. Do të ndjejë xhelozi dhe brenga për shkak të martesës së burrit të saj me një grua tjetër. Por, nga ana tjetër, në martesën jo ligjore që i takon jetës së prostitucionit me dashnore, ekzistojnë edhe rreziqe të tjera: humbja e nderit të burrit që hyn në prostitucion dhe të gruas së tij, dëmin që do të pësojë gruaja e një burri të tillë, për shkak të jetës së përbashkët me një njeri të pandershëm, dhe mundësia që burri të ndjekë rrugë të këqija, si dhe dëmi, që ai do të pësojë në këtë mënyrë. Nga ana tjetër edhe burri i asaj gruaje, me të cilën ky i fundit kryen prostitucion, dëmtohet nga marrëdhënia e tyre… Nga të gjitha këto marrëdhënie jo ligjore shfaqen fatalitete shoqërore si mbytja e fëmijëve, shtimi i sëmundjeve veneriane dhe armiqësia midis palëve… Duket se kur ndalohet poligamia, megjithëse ekziston nevoja dhe domosdoshmëria për të, tragjeditë pasojnë njëra-tjetrën, e vijnë deri aty ku “mbushet kupa”.
Të përkujtojmë se në të drejtën islame, gruaja ka të drejtë të kërkojë që burri të mos i martohet me një grua tjetër, për aq kohë sa është e lidhur në kurorë me të. Pas aktit që do të kryhet në mënyrë ligjore, marrëveshja që do të bëhet do të aktive, dhe nëse ajo e ndalon burrin të martohet rishtas, e ndërkohë ai martohet, gruas së parë i lind e drejta e shkurorëzimit. Në një hadith thuhet: “Kushti që më së shumti meriton ta plotësoni është ai që e keni pranuar gjatë kurorëzimit.”
Në këtë rast, gruaja, në poligami do të ketë të drejtë vote. Do të eliminohen dëmet shpirtërore që i takojnë. Në shumë vende të botës zyrtarisht nuk ekziston poligamia. Por, faktikisht ajo vazhdon të përhapet. Për këtë arsye, kohë pas kohe sillen ligje të ndryshme që të përcaktohet origjina e fëmijëve sipas sistemit juridik.
Në fund, mund të thuhet se Feja Islame e ka aprovuar poligaminë për shkak të disa domosdoshmërive. Nëse njerëzia ende nuk e di dobinë e poligamisë dhe nuk e aprovon atë, s’mund të thuhet se një ditë, pas përvojave të ndryshme, nuk do ta aprovojë.
. M. Es’ad, “Tarihu ilmil-Hukuk”, f. 44.
. Po aty, f. 74.
. Po aty, f. 97.
. Po aty, f. 139, 141, 149, 165.
. Po aty, f. 173, 175.
. R. Honig, “Roma Hukuku”, f. 171, 175
. Samueli, 2/12; 7/8.
. “Libri i Ligjit të Përtërirë”, 21/15-17.
. M. Es’ad, “Tarihu ilmi’l-Hukuk”, f. 193.
. Buhari, v. VI, f. 116.
. Ibn Kethir; “Fet’hu’l-kadir”; M. Z. El-Keutheri, “Makalatu’ el-Keutheri” f. 217; “El-Muakki’in”, v. IV, f. 343.
. Nisa’, 4:129.
. Mishkatu’l-mesabih, v. II, f. 196.
. Po aty, v. II, f. 196.
. Ibnu’l-Humam, “Fet’hu’l-kadir”, v. II, f. 517
. Sujuti, “El-Xhamiu’ es-sagir”, v. I, f. 448, 449.
. Bekare, 2:49; Kasas, 28:4.
. Shikoni “Encyclopedia Britannica” me titull “Marriage” dhe “Polygami”.
. Thierry, “Narratives of the Merovingian Era”, f. 17 dhe vazhdimi; Hellwald, “Die Menschilche Familie”, f. 558 I,; Hallam, “Europe During the Middle Ages” I, f. 420, n. 2.
. Friedberg, “Lehrbuch des kath, u evang Kirchenrecht”, 436, n. 2 paragrafi 143.
. Koestlin, Martin Luther, II, 475 dhe vazhdimi.
. E njëjta vepër, V. I, 137; v. II, f. 693 dhe vazhdimi.
. Helvalld, f. 559 dhe vazhdimi.
. Vepra e njëjtë, v. I, f. 558.
. Westermarck, III, 50-51.
. J. P. Bossuet, “Histoire des variations des Eglises protestantes”, Libri i VI, prej vitit 1537 deri në vitn 1546: Oeuvres completes de Bossuet nouvelle. Bar-le-Duc 1877, v. III, f. 233-250, veçanërisht f. 244. Shikoni “Dictionaires de la Bible” F. Vigoreux. Paris, 1912, materia Poligamia, v. IV, f. 513.
. Muhammed Hamidullah, “Islam’a Giris”, v. I, f. 139.
. Buhari, v. VI, f. 138; Ibnu’l-Humam, “Fet’hu’l-kadir”, v. II, f. 458; “I’lamu’l-Muakki’in”, v. II, f. 335; “Islam’a Giris”, f. 140; ‘Ömer Nasuhi Bilmen, “Hukuk-i Islamiye ve Istilahat-i Fikhiyye Ka’musu”, v. II, f. 38-40, 120.
Jan 23, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...