Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jul 02, 2024 Zani i Nalte Studime 0
Mr. Habib Ebibi
Hyrje
Për sa u përket shqiptarëve, në periudha të ndryshme historike, feja ka pasur rolin e vet konstruktiv, sidomos për t’i ikur asimilimit, sepse ajo ruan ndjenjat më të larta kombëtare dhe fetare… për atdheun jepet jeta, si gjëja më e shenjtë.
Materia e trajtuar në këtë punim i përket karakterit studiues dhe ka për qëllim të zbardhë sadopak kontributin e mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip gjatë periudhës së viteve 1930-1950 në rajonin e Kumanovës dhe më gjerë.
Për shkak specifikave që ka rajoni i Kumanovës jam koncentruar në këtë vend për të zbardh sadopak rolin e mejtepeve në zhvillimin dhe avancimin e gjuhës shqipe.
Mësimi i gjuhës shqipe në mejtep gjatë asaj periudhe kohore ishte më se i nevojshëm, për arsye se përballeshin me sisteme të cilët ua kishin pamundësuar shqiptarëve të mësonin në gjuhën e tyre amë, andaj, për realizimin e kësaj, rol dhe kontribut të madh kanë dhënë edhe mualimët (mësuesit) e ndryshëm, pa të cilët nuk do të realizohej një gjë e tillë.
Arsimimi në rajonin e Kumanovës gjatë viteve 1930-1950
Jugosllavia e vjetër nuk ishte vetëm shtet i pabarazisë sociale, i shfrytëzimit klasor. Ajo ishte edhe një vend i pabarazisë dhe i shtypjes kombëtare. Pushtetin e kishte borgjezia serbe që ishte e detyruar kohë pas kohe ta ndajë këtë pushtet me borgjezinë kroate e sllovene. Kombet si maqedonasit, myslimanët, malazezët nuk pranoheshin. Pakicave kombëtare nuk u pranoheshin as të drejtat më elementare e kulturore ndër të cilat ishte shkollimi në gjuhën amtare. Në pozitën më të vështirë ishin shqiptarët, ndaj të cilëve zhvillohej një politikë e asimilimit dhe shpërnguljes.
Që në fillim duhet theksuar se për mësimin në gjuhën shqipe qëndrojnë konstatime se arsimi sipëror në Maqedoni ka kaluar nëpër disa faza të sistemeve të ndryshme shoqërore-politike. Deri në vitin 1966 në suaza të shtetit të atëhershëm jugosllav, ishte e pamundur që shqiptarët të kërkojnë arsimim sipëror në gjuhën e tyre amtare, por edhe shkollimi fillor dhe i mesëm ishte i dozuar nga qarqet politike që vendosnin në Beograd.
Pas Luftës së Parë Botërore (1918) Kumanova ra përsëri nën sundimin e Serbisë, në fillim të Mbretërisë së SKS-së, e pastaj të Jugosllavisë. Serbia si më parë, për qëllime të veta, hapi shkolla në gjuhën serbe edhe në fshatra të banuar me shqiptarë, si në Kumanovë, Opajë, Vaksincë, Sllupçan, Hotël, Mateç, etj. Numri i nxënësve shqiptarë në këto shkolla ishte shumë i vogël, apo e ndiqnin ata fëmijë që vinin nga familjet e pasura.
Në Maqedoni, gjatë viteve 1930-1950 dhe vitet që pasuan deri në vitet e para pas çlirimit, gjendja e trashëguar jo e këndshme kulturore dhe arsimore, mbi të gjitha kushtet e këqija materiale dhe të kuadrit, kishin një ndikim negativ në zhvillimin e rrjeteve të shkollave fillore në sistemin edukativo-arsimor dhe në përfshirjen e nxënësve. Për atë shkak edhe shkalla dhe ecuria e parimeve programore ligjore është më e ulët në Maqedoni nga shtetet e tjera në Jugosllavi, të cilët kishin trashëguar një sistem më të zhvilluar shkollor, dhe kishin një numër më të madh të kuadrit të kuali¬fikuar.
Pas viteve 1930 pushteti serb nisi të ndërtojë shkolla në vendet me popullatë shqiptare. Ky fenomen u bë pasi në radhët e pushtetit serb filluan të punësohen shqiptarët. Godinat e shkollave, në të shumtën e rasteve ishin pronë shtetërore, dhe ishin pa kushte higjienike-pedago¬gjike. Ministria e Arsimit në Beograd, edhe pse kishte fonde të posaçme për ndërtimin e shkollave fillore, ajo kundrejt shqiptarëve praktikoi të kundërtën, pra pushteti e detyronte popullatën shqiptare të punonte në angari, ata bartnin gurë e drurë si dhe e bënin vetë mjeshtërinë.
Shkolla dhe arsimimi i popullatës shqiptare në Maqedoni gjatë viteve 1929/30 dhe deri në vitet 1940/41, e gjitha do të zhvillohej në gjuhën serbe. Ministria e Arsimit e asaj kohe, nga viti 1933, do të sjellë edhe plan-programin mësimor për shkollat fillore. Plani dhe programi mësimor u soll dhe u aprovua vetëm për katër klasat e shkollës fillore (shkollat katërvjeçare), nuk ishte e angazhuar për plan-programin e shkollave tetëvjeçare edhe pse e kishte proklamuar si të detyrueshme.
Në bazë të plan-programit të hartuar, fëmijët duhej t’i mësonin bazat elementare të shkrimit dhe leximit serb , e që do t’i kushtonin rëndësi të madhe edhe religjionit apo fesë e cila do të ishte me dirigjime nga ana e pushtetit.
Për të qenë më i qartë diskriminimi ndaj shqiptarëve për mësim në gjuhën shqipe, tabela në vazhdim na e pasqyron më së mirë gjendjen faktike të lëndëve dhe orëve në plan-program.
Tabela 1. Paraqet lëndët mësimore dhe fondin e orëve të plan-programit të hartuar në vitin 1933.
Lëndët mësimore I II III IV
Mësim-besimi 1 1 2 2 6
Gjuhë popullore (serbe) 10 9 6 5 30
Gjeografi – – 2 3 5
Histori – – 1 3 4
Njohje e natyrës dhe reko. mbi shëndetin – – 3 3 6
Matematikë dhe gjeometri 5 5 4 4 18
Vizatim – 1 1 1 3
Bukurshkrim – 1 1 1 3
Dituri praktike dhe bujqësia – – 3 3 6
Muzikë 2/2 2/2 1 1 4
Gjimnastikë 4/2 4/2 2 1 7
Gjithsej 19 20 25 27 92
Tabela tregon gjendjen faktike të diskriminimit ndaj fëmijëve shqiptarë përmes plan-programit të hartuar për shkollat katërvjeçare.
Nga viti 1933 deri në vitin 1940 mësimi u zhvillua në përqindje të vogël nga radhët e fëmijëve mysliman. Pas këtyre viteve, përkatësisht gjatë viteve 1941 deri në periudhën e vitit 1945, kur Kuman¬ova dhe territoret përreth saj ranë nën pushtetin okupues bullgar, kjo gjë ndodhi si rezultat i marrëveshjes së arritur në Vjenë më 20-29 prill 1941 mes gjermanëve, italianëve dhe bullgarëve, ku pjesa e Shkupit, Kumanovës dhe disa vise të tjera do t’i takojnë Bullgarisë , andaj bullgarët, duke i konsideruar entet arsimore si instrumente të rëndësishme për denacionalizimin dhe asimilimin e të rinjve, në qytet dhe rrethinat e tij, organizoi rrjetin e gjendjes së shkollave. Nëpër shkolla mësimi zhvillohej sipas programit të posaçëm arsimor të përgatitur nga Ministria e Arsimit e Bullgarisë cariste në të cilat vend të posaçëm kishte mësimi i lëndëve nëpërmjet të cilave duhej të mbillej ndjenja kombëtare bullgare te nxënësit.
Si rezultat i këtyre ndikimeve ekzistonin arsye të ndryshme për mos ndjekjen e mësimit fillor. Edhe pse më vonë gjërat do të ndryshonin në aspektin politik, teoria dhe entuziazmi ishin të ndryshme në relacion me praktikën, pasi pasojat e sllavizmit te fëmijët mysliman do të jenë prezent pothuajse gjatë gjithë kohës së ish-Jugosllavisë.
Ndër arsyet prej të cilave mund të veçojmë janë: Arsyet që burojnë nga ana e vetë myslimanëve dhe nga jashtë (jo-myslimanët).
Arsimimi nën sundimin e Mbretërisë Serbe Kroate Sllovene (SKS)
Largimi i osmanlinjve dhe depërtimi i forcave dhe pushtetit të mbretërisë serbe në Shkup dhe në territoret e banuara nga myslimanët shënon fillimin e përkeqësimit dhe shkatërrimit të kulturës islame dhe të myslimanëve nga të gjitha aspektet. Me kalimin e këtyre trevave prej sundimit të Perandorisë Osmane nën sundimin e Mbretërisë Serbe Kroate Sllovene (SKS) dhe me marrëveshjen paqësore mes Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë Serbe (SKS), e arritur në Stamboll më 1-14 mars 1914, Mbretëria Serbe do të ketë sundim absolut mbi popullatën myslimane në përgjithësi dhe mbi popullatën shqiptare në veçanti.
Arsimi, para luftës (Luftës së Dytë Botërore), ishte karakteristikë e përgjithshme e bazës materiale, kishte zhvillim të pamjaftueshëm dhe kishte prapambetje. Vetëm një pjesë e vogël e popullsisë arriti të merrte arsimin e përgjithshëm dhe profesional. Analfabetizmi i popullatës në moshën mbi 10 vjeçare ka qenë shumë i madh, kurse arsimi i përgjithshëm i popullsisë ishte shumë i ulët. Para luftës ka pasur rreth 40% banorë analfabetë, shumicën e përbënin gratë. Kishte vise në të cilat, për shkak të rrjetit jo mjaft të zhvilluar, nuk zhvillohej as arsimi fillestar i përgjithshëm. Pos kësaj, disa kombe përfshirë edhe shqiptarët, s’kanë pasur mundësi të mësojnë nëpër shkolla në gjuhën e vet amtare.
Meqë ranë dakord për marrëveshjen paqësore Perandoria Osmane dhe Mbretëria Serbe (SKS), marrëveshje e cila për shqiptarët ishte diskriminuese në gjitha sferat e jetës, duke përfshirë edhe sferën e arsimit, treva e Kumanovës, si pjesë më e madhe e tokave shqiptare, bie nën sundimin e Serbisë. Serbia për interesa të veta hapi shkolla serbe në Kumanovë dhe në disa vendbanime shqiptare, në Rramanli, Llopat, Opajë, Mateç, etj. Ndonëse në shkolla kishin për qëllim t’i asimilonin shqiptarët, një gjë të tillë nuk e arritën. Ata shqiptarë të pakët që mësuan, përsëri nuk u asimiluan. Në të njëjtën mënyrë vepruan edhe bullgarët.
Ajo që vërteton se vetëm një pjesë e vogël e popullsisë ka mundur të mbarojë arsimin e përgjithshëm është përfshirja e pakët e nxënësve shqiptarë, ku kemi të dhëna për në vitin shkollor 1923/24, 1924/25 dhe në vitin 1928/29 kur mësimi në shkollat fillore ishte në gjuhën serbo-kroate.
Tabela 1. Tregon përqindjen e përfshirë të shqiptarëve në shkollat fillore.
Viti shkollor Përqindja e përgjithshme e nxënësve Përqindja e nxënësve shqiptarë
1923/24 83,13 % 1,76 %
1924/25 84,12 % 3,98 %
1928/29 84,72 % 5,28 %
Arsimimi gjatë Luftës së Dytë Botërore
Gjatë Luftës së Dytë Botërore mësimi në përgjithësi nuk u zhvillua për arsye se shumë shkolla ishin shkatërruar, disa u shndërruan në kazerma, burgje, etj. Menjëherë pas çlirimit (përfundimit të luftës) shkollimi filloi të zhvillohet me vrull për arsimim më të gjerë për të gjithë popujt.
Këtij çrregullimi nuk mundi t’i ikin as territoret e Maqedonisë të cilat në të ardhmen do të ballafaqohen me mungesën e shkollave si rezultat i dëmtimit të tyre. Mirëpo, pas kalimit të “krizës” nga lufta gjërat do të fillojnë të marrin drejtim tjetër në bazë të asaj që kishte filluar për arsimin e të gjithëve, pasi paraqiste një nga problemet më serioze.
Në nivel të Maqedonisë në vitin shkollor 1944/45 punojnë vetëm 50 shkolla fillore në gjuhën shqipe, edhe ato në ato vende ku shkolla kishte ekzistuar edhe më herët dhe nuk ishte dëmtuar, sepse popullata shqiptare jetonte nëpër fshatra dhe nuk ka pasur mundësi që në të gjitha fshatrat të ndërtohen apo adaptohen objekte shkollore. Mirëpo, kishte raste kur në një vend ekzistonte shkolla por ishte larg e fëmijët udhëtonin 10 kilometra larg. Atëherë, meqë kjo ishte e vështirë të realizohet, Ministria lejoi që të themelohen shkolla në fshatrat ku kishte më shumë nxënës, kurse si shkolla të përdoren mejtepet e xhamive, ndërsa atje ku nuk kishte mejtep u lejua që mësimi të zhvillohet në shtëpitë private.
Në Kumanovë prej periudhës së viteve 1912 deri në periudhën e viteve 1945, nuk punoi ndonjë shkollë shqipe. Gjatë kësaj periudhe funksiononin vetëm shkollat fetare, mejtepet dhe medresetë.
Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, në Kumanovë dhe rrethinë, filloi procesi i hapjes masive të shkollave në gjuhën shqipe. Në dhjetor të vitit 1944, ish-Jugosllavia akoma nuk ishte në tërësi e çliruar, në Kumanovë u formua një komision për evidentimin e nxënësve shqiptarë. Këtë Komisioni e përbënin: Shaban Osman Jashari, Shinasi Hallaçi, Refik Shaqiri dhe Azem (Hoxha) Latifi.
Për këtë qëllim, me një autorizim të lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Brigadës së IV Shqiptare që mbante datën e 10 janarit të vitit 1945, të nënshkruar nga Nexhat Agolli, si dhe autorizimin tjetër që mbante datën 21 janar të vitit 1945, të lëshuar në Preshevë nga Këshilli i Frontit Nacional – Çlirimtar i po së njëjtës brigadë, të nënshkruar nga sekretari Abdullah Aliu – Krashnica (në gjuhën shqipe dhe serbe), oficeri i mobilizimit i kësaj brigade, Skender Demir Hoxha ngarkohet me detyrën për organizimin e Shkollave Shqiptare si dhe mësimeve në Kumanovë dhe rrethinë.
Në dhjetor të vitit 1944, në Kumanovë, shkolla “Bajram Shabani”, e njohur në fillim edhe me emrin “Bajram Cimi”, kishte filluar së funksionuari në mënyrë normale si shkollë shqipe, duke u bërë institucioni i parë pasluftës ku mësohej gjuha shqipe. Dy vite më pas më 1945/46 karakterizohet me faktin se në këtë vit shkollor për herë të parë hapet shkolla e plotë fillore ose pro-gjimnazi me kohëzgjatje prej shtatë vjetëve (shtatëvjeçare). Si rezultat i kësaj merr edhe zyrtarisht emrin “Bajram Shabani”, në fillim nuk mbante kurrfarë emri, por quhej “shkolla fillore shqipe”. Refik Shaqiri, për vetë faktin se ishte mësues në këtë shkollë, ushtroi edhe funksionin e inspektorit të shkollave shqipe në rrethinën e Kumanovës, ndërsa nxënësit shqiptarë mësonin me abetaren e hartuar nga mësuesi i Gostivarit, Abdylhaqim Dogani, si dhe me abetaret e ardhura nga Shqipëria.
Mirëpo një fat të tillë nuk e pati rrethina e Kumanovës, respektivisht Komuna e Likovës, e cila ndjente mungesën e objekteve për zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe. Një vit pas (1945) në rrethinën e Kumanovës dhe në komunën e Likovës do të fillonte të zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe, por kësaj here në objektet e mejtepeve.
Arsimimi pas Luftës së Dytë Botërore
Pas Luftës së Dytë Botërore me hapjen e shkollave në gjuhën shqipe në trevat shqiptare, ku kishte mungesë të jashtëzakonshme të ambienteve, lokaleve dhe ndërtesave shkollore, mejtepet pranë xhamive ishin foletë e para të arsimit shqip në këto treva. Edhe pse ndoshta mejtepet nuk i plotësonin kushtet dhe standardet për organizimin e mësimit, sepse ato ishin ndërtesa të vogla dhe nuk kishte mundësi që për secilën klasë të ketë ambient më vete, ato për momentin ishin ambientet e vetme në të cilat mund të zhvillohej mësimi. Këto shkolla kryesisht ishin vendosur nëpër lokalet e mejtepeve të xhamive, ku mësimi zhvillohej në kushte tejet të vështira, pa banka dhe karrige të mjaftueshme, pa mjete të tjera mësimore dhe pa kushte të tjera higjienike-sanitare.
Mungesa e objekteve shkollore ishte si shkak për mos inkuadrimin e nxënësve myslimanë në to, sepse në hapësirat ku jetonin popullata myslimane, numri i shkollave është minimal. Kjo është rezultat i udhëheqjes së keqe të politikës diskriminuese arsimore nga ana e faktorëve kompetentë. Nga momenti që Ministria e Arsimit e asaj kohe do të vërente mungesën e objekteve shkollore, do të lejonte adaptimin e shkollave në drejtim të shkollës fillore, e që në rastin konkret, në rajonin e Kumanovës, do të ishin objektet e mejtepeve; atëherë kemi rritje të interesimit nga ana e popullit shqiptar për mësimin e fëmijëve të tyre.
Në prill dhe maj të vitit 1945, në fshatin Mateç fillojnë të punojnë dy klasë dhe mësimi zhvillohej në ndërtesën e mejtepit të xhamisë. Po ashtu, në mejtepin e xhamisë fillon të punojë edhe klasa e parë shqipe në fshatin Rramanli. Fatin e tillë e patën edhe mejtepet e rrethinave të Shkupit, të cilat në periudhën komuniste kishin shërbyer si shkolla fillore shqipe për nxënësit e fshatit.
Viti 1945 në objektet e mejtepeve të rajonit të Kumanovës do të shënonte hapjen e shkollave në 13 fshatra. Në procesin edukativo-arsimor inkuadrohen 26 mësues, ndërsa numri i nxënësve arrin në 800. Ndërsa sipas një të dhëne tjetër thuhet se numri i nxënësve arrinte në 730 nxënës me të cilët punonin 19 mësues. Si do që të jetë, e rëndësishme ishte se filloi të zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe. Andaj organet arsimore i angazhuan mësuesit nëpër fshatrat e rrethinës së Kumanovës.
Tabela 2. Paraqet emrat e fshatrave të rajonit të Kumanovës dhe emrat e arsimtarëve të parë (1945) pas hapjes së shkollave të para shqipe.
Emri i fshatit Emri i mësuesit (arsimtarit)
Llojan Ahmet Hasani dhe Qemal Jahija
Runicë Zeqir Rushiti
Sllupçan Elizabeta Maho
Orizare Elham Destani
Likovë Ibrahim Stëblava dhe Ahmed Kardija
Hotël Mehmet Haliti dhe Nazim Destani
Mateç Sami Namani dhe Selami Tanaku
Vishticë Baudin Vilica
Nikushtak Ekrem Alajdini dhe Adem Hajrullahu
Shkollat edhe pse ekzistonin me emër në vendet e caktuara ato kryesisht ishin vendosur nëpër lokalet e mejtepeve të xhamive, për shkak se objektet e shkollave nuk ishin në gjendje për të organizuar procesin mësimor apo kishte mungesë të objekteve shkollore.
Tabela 3. Paraqet emrat e disa fshatrave të rajonit të Kumanovës dhe emrat e shkollave fillore.
Emri i fshatit Emri i shkollës
Mateç “Haxhi Lleshi”
Llojan “Sali Iljazi”
Sllupçan “Bajram Shabani”
Vishticë “Sami Frashëri”
Orizare “Emin Duraku”
Likovë “Vëllaznimi”
Runicë “Drita”
Vaksincë “Selami Hallaçi”
Hotël “Bashkimi”
Allashec “Përparimi”
Mungesa e objekteve shkollore u bë fenomen i njohur si për shqiptarët në përgjithësi po ashtu edhe për shqiptarët e rajonit të Kumanovës. Arsyet ishin nga më të ndryshmet, por ajo që ndikonte ishte kur fondi shtetëror i mjeteve kaloi në kompetencat e komunave, andaj fakti tjetër që i rëndoi shqiptarët ishte kur komunat i caktonte në vendbanimet që ishin me popullatë sllave.
Pasi fondi shtetërorë i mjeteve kaloi në kompetencë të komunave, sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 1973, në 375 vendbanime nuk kanë ekzistuar as shkolla fillore katërvjeçare. Mes tyre në rajonin e Kumanovës ishin fshati Vaksincë me 1.950 banorë, Opajë me 1.086 dhe fshati Orizare me 1.284 banorë.
Mësimi zhvillohej në kushte të vështira ngaqë nxënësit shtoheshin dhe nuk kishin as banka as karrige të mjaftueshme për të gjithë, pa mjete të tjera mësimore dhe pa kushte të tjera higjienike-sanitare, ata ishin të detyruar të rrinin nga katër apo pesë veta në një bankë. Megjithatë, te mësuesit ekzistonte një ambicie dhe vullnet i pathyeshëm për mposhtjen e këtyre pengesave. E mira e kësaj ishte edhe ajo se filluan edhe vajzat e fshatrave të shkollohen edhe pse me shumë vështirësi ato ndiqnin mësimin për shkak të rrethanave dhe kushteve të asaj kohe.
Në lidhje me vështirësinë e shkollimit të vajzave pohon edhe mësuesja Elizabeta Maho, që ishte mësuese në fshatin Sllupçan, kur thotë: “Patjetër dua të theksoj se vështirësia më e mëdha gjatë hapjes së shkollave ishte kuadri, veçanërisht regjistrimi i vajzave. Kishin probleme edhe te gratë shqiptare për heqjen e ferexhesë.”
Më lart theksuam se në vitet e para pas çlirimit, aksioni i madh nga ana e Ministrisë së Arsimit ishte i orientuar në hapjen e sa më shumë shkollave fillore, sidomos atyre katërvjeçare e më vonë edhe shtatëvjeçare, që përfshinte edhe shkollat shqipe të cilat mësimin do ta ndiqnin në ato vende ku kishte shkolla dhe që kishte kushte për të zhvilluar procesin arsimor, dhe në rast mungese, mësimi do të zhvillohej në objektet e adaptuara si shkolla fillore.
Në vazhdim paraqesim dy tabela përmes të cilave do të kemi një pasqyrë më konkrete të shkollave shqipe gjatë viteve shkollore prej 1944/45 deri në vitin 1949/50, edhe atë në nivel shtetëror dhe në nivel të Kumanovës me gjithë rrethinën e saj.
Tabela 4. Shkollat shqipe në nivel shtetëror.
Viti shkollor Shkollat katërvjeçare Shkollat shtatëvjeçare Gjithsej
1944/45 50 / 50
1945/46 136 6 142
1946/47 143 5 148
1947/48 161 5 166
1948/49 172 7 179
1949/50 198 11 209
Tabela 5. Shkollat shqipe në nivel të Kumanovës dhe rrethinës së saj.
Viti shkollor Shkollat katërvjeçare Shkollat shtatëvjeçare Gjithsej
1944/45 1 / 1
1945/46 15 1 16
1946/47 20 1 21
1947/48 21 2 23
1948/49 23 2 25
1949/50 24 2 26
Ministria e atëhershme kishte dhënë leje për shumë objekte të cilat do të mund të adaptoheshin në shkolla fillore me të vetmin qëllim vazhdimin e procesit arsimor, e në rast mungese të objekteve të tilla apo atje ku nuk kishte qoftë edhe mejtep, u lejua që mësimi të zhvillohet në shtëpitë private. Andaj në vitin 1949/50, mund të thuhet se ishte viti i suksesit për faktin se me iniciativën e vetë fshatarëve u organizua mësimi edhe në fshatin Llukarë në shtëpinë e Hamdi Sulisit, sepse deri në atë periudhë në fshat nuk pati objekt ku mund të organizohej mësimi. Gjithashtu është me rëndësi fakti se do të dalë gjenerata e parë e gjysmë-maturantëve shqiptarë në shkollën fillore të Kumanovës “Bajram Shabani”. Të dhënat janë sipas një dokumenti me shifër AE/318-215, e gjetur në Arkivin e Kumanovës.
Arsimimi gjatë viteve 1944 – 1950
Sipas përshkrimit të viteve shkollore nga viti 1944 e deri në vitin 1950, numri i shkollave është paraqitur me të vetmin qëllim për të dëshmuar rolin e mejtepeve në rajonin e Kumanovës të cilët u gjendën në shërbim të popullit shqiptar për mësimin në gjuhën amtare shqipe. Rritja e numrit të nxënësve, të cilët ndiqnin shkollimin, edhe pse të cunguar dhe në kushte jo të volitshme për mësim; ata përsëri gjetën vullnetin për ndjekjen e mësimit në gjuhën shqipe.
Në pamundësi për të marrë ndonjë lloj interviste nga ish-nxënësit të cilët kishin mësuar në ato kohë në mejtep e që në fakt ishin shndërruar në cilësinë e shkollës fillore, atëherë si burim do i referohemi librit Monografi e fshatit Nikushtak. Në pjesën e këtij libri ku flitet për kronologjinë e zhvillimit të shkollës fillore është dëshmuar se në atë kohë, me hapjen e shkollave shqipe gjatë vitit 1945-1946, mejtepi i fshatit Nikushtak si shumë mejtepe të fshatrave të tjerë do të shfrytëzohej si shkollë fillore. Gjatë periudhës kohore 1946-1947 drejtor i shkollës fillore ka qenë Hafëz Ekrem Ahmedi.
Me hapjen e shkollës fillore, klasa e parë ka numëruar 25 nxënës prej moshës 6 deri 10 vjeç, ndërkohë nxënësit e moshës mbi 10 vjeç, mësimin do ta ndjekin në të ashtuquajturën “shkolla e natës”. Nga ana tjetër, duke u bazuar në burimet e shkruara, të cilat janë të botuara nëpër libra, mund të arrijmë në përfundimin se në masë të madhe nëpër fshatrat e Komunës së Likovës nga viti 1945 deri në vitin 1950 mësimi u zhvillua nëpër objektet e mejtepeve.
Për të vërtetuar këtë që thamë deri më tani, në vazhdim do të paraqesim disa të dhëna të cilat i bazojmë në librin “Me pishtarët e arsimit shqip në Komunën e Kumanovës e të Likovës (1945-1950)”, e që vërtetohet se shkollat filluan të ndërtohen pas viteve 1950.
Në shtator të vitit 1948 hapet shkolla e parë në gjuhën shqipe në fshatin Goshincë. Në dy vitet e para mësimi u zhvillua në mejtepin e xhamisë që më pas të kalohet në objekt (shkollë) me mësonjëtore dhe zyrë të ndërtuar me kontributin e fshatarëve. Do të thotë se gjatë periudhës së ndërtimit të objekti të shkollës, mësimi u zhvillua në mejtepin e xhamisë së fshatit.
Në vitin shkollor 1951/52 në fshatin Llukarë u hap shkolla fillore në gjuhën shqipe. Po ashtu, në të njëjtin vit, u ndërmor aksion për ndërtimin e shkollës fillore. Ndërsa si rezultat i mungesës së shkollës shqipe në fshatin Llopat dhe Rezhanoc prej vitit 1950 deri në vitin 1966 nxënësit e këtyre fshatrave mësimin do ta ndiqnin në fshatin Opajë të Komunës së Likovës.
Në vitin 1958, mes fshatrave Orizare dhe Sllupçan, me vetë kontributin e dy fshatrave u ndërtua godina e re e përbashkët shkollore ku fillon të funksionojë edhe klasa e pestë. Kjo shkollë solemnisht do të hapet për nxënës më 27 mars 1959. Ndërsa një vit më vonë, në vitin 1960, mes fshatit Vaksincë dhe Llojan, vendoset gurthemeli i godinës shkollore, e cila u adaptua dhe u lëshua në vitin shkollor 1962/63.
Roli i mejtepeve gjatë viteve 1945-1950 ishte vendimtar në zhvillimin e arsimit shqip.
Nga ajo që u paraqit më parë pamë se gjatë periudhës së sundimit të SKS-së, shqiptarët e kishin të ndaluar mësimin në gjuhën shqipe, sepse përballeshin me një sistem i cili mësimin e gjuhës shqipe e konsideronte të rrezikshëm dhe krim ndaj sistemit serb. Politika e viteve 1945 do të ndryshonte e nga ky ndryshim do të përparonte edhe gjendja e arsimimit.
Gjatë kësaj periudhe do të mundësohej edhe mësimi në gjuhën shqipe për zonat të cilat ishin me popullatë shqiptare. Mirëpo, në zonat shqiptare procesi do të ngecë për shkak të mungesës së objekteve shkollore, mungesë së cilës i kishin paraprirë pasojat nga Lufta e Dytë Botërore.
Tabela 6. Pasqyra e gjendjes numerike në shkollat fillore në nivel shtetëror në fillim të vitit 1945.
Gjithsej Jo të dëmtuara Pjesërisht të dëmtuara Të dëmtuara (të djegura)
836 272 373 191
Për shkak se shkollat nuk plotësonin kushtet për procesin e zhvillimit arsimor, e që për banorët e rajonit të Kumanovës zhvillimi i mësimit do të haste vështirësi, atëherë në ndihmë atyre iu dolën objektet e mejtepeve, objekte të cilat u adaptuan për të zhvilluar mësimin në gjuhën shqipe.
Nga ajo që kemi paraqitur më herët pamë se në 9 mejtepet e xhamive në fshatrat e rajonit të Kumanovës u mundësua mësimi në gjuhën shqipe, që për ta ishin vërtet vite historike dhe vendimtare, për arsye se vinin nga një periudhë kur e kishin të ndaluar mësimin në gjuhën e tyre amë.
Nëse futemi në analizën e kësaj dhe shohim se në rast mungese të objekteve të mejtepeve, atëherë kush do të i dilte në ndihmë popullit shqiptar?! Sepse nga e kaluara e brishtë e sistemeve kemi parë se çdoherë ishin diskriminues për popullin shqiptar, sidomos nga ana praktike. Kur jemi në këtë pjesë te sistemet e brishta, duhet pohuar edhe një e vërtetë e brishtë e cila vinte fatkeqësisht nga disa individë shqiptarë, të cilët kishin depërtuar në organet shtetërore, duke propaganduar se: “Kush shkon në shkollë është i pa fe, pa din, pa iman, bëhet shkja etj.” Kjo propagandë kishte ardhur si rezultat i rrethanave kur populli, pa u menduar fare, mori pjesë në dërgimin e fëmijëve në shkolla.
Në fund të kësaj rezulton se institucioni mejtep ishte dhe është në shërbim të popullit dhe për popullin, ndërsa me theks të veçantë gjatë viteve 1945-1950 kur pati rolin e shkollës fillore në rajonin e Kumanovës.
Mejtepet kishin mungesa primare për zhvillimin e procesit mësimor.
Mejtepet filluan si shkolla fillore në vitin 1945, mirëpo ato nuk kishin hapësira të mjaftueshme për të gjithë nxënësit, sepse ato ishin ndërtesa të vogla dhe nuk kishte mundësi që për secilën klasë të kishte ambient më vete, por ato, për momentin, ishin ambientet e vetme në të cilat mund të zhvillohej mësimi. Mësimi zhvillohej në kushte tejet të vështira, pa banka dhe karrige të mjaftueshme, pa mjete të tjera mësimore dhe pa kushte të tjera higjienike-sanitare. Nga që kishte mungesa primare si fletore, libra, lapsa, etj., ato u plotësuan nga vetë populli, sipas mundësisë, sepse pushteti në shkollat shqipe i plotësonte aq sa donte dhe jo sa kishte nevojë.
Nga kjo që paraqesim dhe analiza që mund të bëhet shohim se sa interes kishte sistemi Jugosllav për arsimimin e shqiptarëve, sepse edhe pse morën hov të madh për t’iu siguruar mësim çdo njërit në gjuhën e vet, donin t’i tregonin botës se janë për barazi të popujve dhe se nuk e ndalonin shkollimin në gjuhën amtare, por nga ana tjetër nuk ua plotësuan kushtet dhe nevojat më elementare për mësim, sepse objektet më të mira i merrnin për vete ndërsa për shqiptarët caktonin objekte të vjetra.
Kështu arrijmë në përfundimin se sistemi kishte politikën për arsimimin e shqiptarëve vetëm sa për sy e faqe dhe për t’i treguar botës se janë për të gjitha kombet. Ndërsa realiteti në terren, pasqyra e tij, tregonte të kundërtën e deklarimit të tyre për faktin se vetë mungesa e skajshme e kushteve tregon se shteti nuk kishte ndërmarrë iniciativë për t’i përkrahur shkollat shqipe.
Bibliografia
Ademi, Minir, Arsimi dhe kultura shqiptare në Maqedoni (1944-1960), Kumanovë, 2018.
Ademi, Minir, Hotla nëpër kohë, Kumanovë, 2017.
Arifi, Feri, Tanusha në rrjedhat e historisë, Tetovë, 2015.
Bislimi, Taxhedin, Medreseja Medah e Ataullah efendiut dhe nxënësit e saj, Shkup, 2011.
Ebibi, Faredin, Monografi e fshatit Nikushtak, Shkup, 2016.
Grup autorësh, Bazat e marksizmit dhe vetëqeverisja socialiste për vitin III dhe IV të fazës së dytë të amo, Prishtinë, 1980.
Grup autorësh, Historia për klasën II të fazës së pare të edukimit dhe arsimit të mesëm të orientuar, Botimi i dytë, Prishtinë, 1978.
Grup autorësh, Kumanova: Histori, art, traditë, kulturë, Botimi i dytë i plotësuar, përkthyer në gjuhën shqipe nga Liri Lena, Kumanovë, 2004.
Grup autorësh, Me veteranët e arsimit shqip në Kumanovë dhe rrethinë (1945-1950), Shkup, 1998.
Jahiu, Tefik, Arsimi shqip në Kumanovë, Kumanovë, 1996.
Konferencë shkencore, Jeta shoqërore e shqiptarëve në Shkup dhe rrethinë ndërmjet dy Luftërave Botërore, vëllimi 30, 14-15 tetor 2015, Shkup, 2015.
Mustafa, Avzi, Edukata dhe arsimi nëpër shekuj, Shkup, 1997.
Mustafa, Avzi, Shënime arsimore-fetare shqiptare, Shkup, 2003.
Mustafa, Avzi, Zhvillimi i shkollës fillore shqipe në Republikën e Maqedonisë 1945-1975, Shkup, 1998.
Rushiti, Agim, Me pishtarët e arsimit shqip në komunën e Kumanovës e të Lipkovës (1945-1960), Kumanovë, 2000.
Tribunë shkencore, Studime albanologjike, vëllimi 3, Shkup, 2011.
Tryezë shkencore, 80 vjet të kushtetutshmërisë së BFI-së, Shkup, 2017.
Sep 13, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
Jan 23, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...