Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Jul 02, 2024 Zani i Nalte Sociologji 0
Msc. Migena Jani
1. Futja në shpirt e besimit islam fillon nga familja
Populli shqiptar, në përgjithësi, është besimtar. Pavarësisht regjimit komunist, në shpirtin e tyre jetoi e mbeti e gjallë dashuria e respekti për Zotin e Madh (xh.sh.). Rrënjët e mbijetesës së këtij besimi, në shpirtin e popullit ndodhen te familja, e cila është fillesa e qendra e besimit te fëmijët. Mirëpo, edhe ndikimi që kanë pasur shkollat ka qenë mjaft i madh saqë, ky edukim fetar, ka ndikuar shumë edhe te prindërit e familjarët e tjerë. Gjithashtu është shtuar edhe numri i literaturës fetare nëpër biblioteka, të cilat shfletohen nga mjaft të rinj. Rol të rëndësishëm në informimin e familjes, në aspektin fetar, kanë luajtur edhe ndjekja e radiove, organizuar nga bashkësia e Rinisë Islame. Ky emision ndiqet nga shumica e familjeve; gjithashtu është shtuar numri i lexuesve të gazetës “Drita Islame”, të cilën, në shumicën e rasteve, e dërgojnë në shtëpi nxënësit e medresesë. Kështu arrijmë në përfundimin se lidhja e shkollës me familjen, në këtë drejtim, po ndikon në rritjen e rolit të kësaj të dytës në shtimin e njerëzve që ndjekin e besojnë në fenë islame.
Po të shikojmë temën “Futja në shpirt e besimit fetar fillon nga familja”, autori, Idriz Kali, e ka trajtuar në aspektin edukues dhe fetar. Autori i jep një rëndësi të madhe edukimit fetar dhe bashkëpunimit shkollë-familje. Siç duket edhe te trajtimi i çështjes së mësipërme, shkollat, siç janë edhe medresetë, kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në edukimin e fëmijëve, si në aspektin fetar ashtu edhe në atë arsimor, si dhe lidhja ngushtë e institucionit të shkollës me familjen, apo e nxënësve me prindërit, ka sjellë një ndikim mjaft të madh te prindërit, duke u bërë një udhërrëfyes në rrugën e besimit. Autori thekson se një rol tjetër të rëndësishëm për edukimin fetar kanë luajtur edhe disa elementë të tjerë si radiot, gazeta “Drita Islame”, etj…
2. Përgjegjësia e prindërve për edukimin e fëmijëve me normat e moralit islam
Në dispozitat e Kur’anit i kushtohet një rëndësi e veçantë punës edukative me fëmijët e brezin e ri, si problem themelor që lidhet drejtpërsëdrejti me njohjen e një Zoti të vetëm. Allahu xh.sh. urdhëron e thotë: “O ju që keni besuar mbroni vetveten dhe familjen tuaj nga zjarri…” Nga ky ajet del një dispozitë me rëndësi edukative me normat morale të fesë islame për fëmijët në moshë të njomë. Prindi, nëpërmjet edukatës familjare duhet të arrijë të nxjerrë vlerat e ndjenjave morale e fetare, si faktorë të rëndësishëm të personalitetit në formim të fëmijëve, duke u bazuar në zhvillimin dhe edukimin e proceseve njohëse, të lidhura ngushtë me qëndrimin emocional pozitiv të fëmijëve ndaj realitetit. Por nuk ndodh gjithmonë kështu, sepse te prindërit shihen dy tendenca kryesore; ajo e shfaqjes së indiferentizmit dhe e sentimentalizmit, të cilat, në këtë periudhë, nuk duhet të manifestohen, por të punohet me kujdes dhe në mënyrë korrekte për mënjanimin e tyre. Edukimi duhet të vazhdojë te fëmijët në moshë sa më të vogël, sepse ndikimi edukativ në këtë moshë është i rëndësishëm, jo vetëm për zhvillimin mendor dhe emocional, por edhe për formimin e shprehive dhe zakoneve të caktuara morale e fetare dhe për kthimin e tyre më vonë në veti të karakterit. Në këtë mënyrë shprehet edhe rëndësia e madhe që ka për edukimin e ndjenjave dhe të gjitha anëve të personalitetit të fëmijëve, zhvillimi i aftësive për veprimtarinë dhe aktivitetin e deri në imitimin e prindërve në vënien në praktikë të riteve fetare. Prindërit janë pasqyra e familjes prandaj duhet të jenë shembull si me fjalë ashtu edhe me vepra, që të jenë sa më shumë ndikues te fëmijët e tyre. Përgjegjësia e familjes në edukatën fetare të fëmijëve i jep një kuptim të thellë jetës, sepse paralajmëron se Zoti është Një dhe se është fillimi dhe qëllimi i çdo ekzistence. Kjo fe tregon vlerën e pafund të shpirtit të njeriut, i cili është në themel të natyrës Hyjnore, për të përvetësuar këto cilësi Hyjnore.
Prindër, edukojini fëmijët me normat morale të Islamit si: sinqeriteti, dashuria, barazia, ndershmëria, drejtësia, mëshira e të gjitha cilësitë e mira morale.
Përgjegjësia e prindërve për edukimin e fëmijëve normat e moralit islam. Kjo temë është trajtuar nga autori në aspektin edukativ-fetar ku autori në fillim flet për rëndësinë që ka edukimi, pasi ai është procesi themelor që ka të bëjë drejtpërsëdrejti me njohjen e Allahut (xh.sh.). Autori thekson se edukimi duhet të vazhdojë te fëmijët në moshën sa më të vogël, sepse ndikimi edukativ në këtë moshë është i rëndësishëm, jo vetëm për zhvillimin mendor dhe emocional, por edhe për formimin e shprehive dhe zakoneve të caktuara morale e fetare dhe për kthimin e tyre më vonë në veti të karakterit. Prindërit janë përgjegjës për edukimin e fëmijëve, sepse prindërit janë pasqyrë e fëmijëve, edukimi i tyre s’duhet të mbetet vetëm me fjalë por edhe me vepra pasi veprat janë më ndikues te fëmijët. Prindërit përveç edukimit të vlerave dhe moralit, në përgjithësi, një rëndësi të madhe duhet t’i japin, në veçanti, edhe edukimit fetar, pasi ky edukim paralajmëron për kuptimin e thellë të jetës dhe ekzistencën e një Krijuesi të vetëm.
3. Tronditjet e thella në familjen shqiptare
Është me të vërtetë tronditës fakti, që gati çdo ditë në kronikën televizive si dhe në faqet e shtypit të përditshëm dëgjon dhe lexon lajme si këto: “bashkëshortët vrasin njëri-tjetrin, vëllai vret vëllain për një copë tokë, etj.”. Mirëpo këto lajme dëgjohen e lexohen gati çdo ditë! Dhe pikërisht këtu qëndron e keqja me e madhe; në familjen shqiptare po ndodhin të tilla ngjarje që tregojnë se themeli i saj po tronditet nga dita në ditë. Dhe s’ka dyshim se kjo ndodh sepse një pjesë e mirë e njerëzve kanë harruar që ka një Zot dhe po nuk ndoqe mësimet e Tij patjetër do të ndodhin ato që po e tronditin mbarë familjen shqiptare. Mungesa e besimit në Zot është një fakt mjaft i hidhur që po e paguajmë shumë shtrenjtë dhe në radhë të parë me humbjen e harmonisë familjare. Në ditët e sotme kemi shumë divorce, braktisje të fëmijëve, dërgimi i prindërve në azil, apo bashkëjetesa, etj. Një rol shumë negativ në shkatërrimin e familjes shqiptare, po luajnë edhe radiot, stacionet televizive, gazetat e revistat, të cilat propagandojnë shfaqjet më negative të shoqërisë njerëzore. Një rol tjetër negativ, në familjen shqiptare, luan edhe shkolla, ku shumë pak flitet për edukatën, kulturën, zakonet e traditat e bukura shqiptare, por është fakt i pranuar që në shkollën 8-vjeçare kanë vënë lëndën e edukimit seksual që ndikon negativisht te fëmijët. Populli ynë vazhdimisht e ka konsideruar familjen si qelizën bazë të shoqërisë. Ai vazhdimisht është shquar për të ruajtur nderin e familjes, dashurinë dhe harmoninë mes njëri-tjetrit. Shqiptari e ka pasur për turp braktisjen e fëmijëve, të prindërve, të farefisit. Prandaj u bëjmë thirrje besimtarëve myslimanë, që të punojnë pa u lodhur për të ruajtur qëndrueshmërinë e familjes, ashtu siç e kërkojnë mësimet e të Plotfuqishmit. Edhe familja myslimane shqiptare ka pasur lëkundje, prandaj çdo besimtar mysliman duhet ta kuptojë më mirë se çdo njeri tjetër mësimin e madh të Islamit që na thotë: “Foleja familjare është elementi themeltar i shoqërisë. Aq sa pjesëtarët e saj respektojnë të drejtat dhe detyrat e njëri-tjetrit, po aq e fortë do të jetë dhe shoqëria”.
Tronditja e thellë në familjen shqiptare. Në këtë temë autori tregon për rëndësinë që ka familja, që për momentin ka pësuar një lëkundje të thellë në themelet e saj dhe kjo lëkundje ka ndodhur pikërisht për shkak të harresës dhe neglizhencës së edukatës fetare dhe harresës se ekziston një Zot. Një tjetër rol negativ që ka ndikuar në shkatërrimin e themeleve të familjes janë edhe shfaqjet televizive me propagandë negative, si dhe mungesa e edukatës morale nëpër institucionet shkollore. Autori prek edhe aspektin patriotik ku e cilëson familjen shqiptare si një familje e cila është e ngritur në cilësi morale, prandaj ai i bën thirrje edhe një herë popullit shqiptar, sidomos atij besimtar, që të rizgjohet e të mbrojë tradita dhe zakonet e familjes së bukur shqiptare, pasi qëndrueshmëria e saj ka qenë ashtu siç e kërkojnë mësimet e Allahut (xh.sh). Nuk duhet harruar edhe roli i madh që familja ka në aspektin sociologjik, pasi një familje e fortë dhe e qëndrueshme është një sinjal dhe siguri për një shoqëri të fortë dhe të sigurt.
4. Edukimi i virtyteve një udhëtim që nis në fëmijëri
Kudo në këtë shoqëri, seksi dhe seksualiteti përfliten dhe shpërfaqen hapur. Në këtë klimë seksi të lirë dhe normash morale që po humbin, bëhet e domosdoshme për prindërit myslimanë që të jenë një hap më përpara me edukimin seksual të fëmijëve të tyre. Sot, megjithëse për shumë prej nesh, mendimi që t’u shpjegojmë fëmijëve tanë pse-të, si-të dhe ku-të e sjelljes sonë seksuale mes një burri dhe një gruaje na bën të skuqemi deri te veshët, nëse mendojmë një alternativë, do ta shohim se nuk kemi rrugëdalje. Edukimi seksual është një frazë tabu’ për shumë myslimanë. Pjesërisht arsyeja për këtë keqkuptim buron nga fakti se njerëzit që nxisin lapërdhinë dhe shtrembërimet seksuale shpesh i mësojnë shoqërisë edhe edukatën seksuale. Si mund të mos shqetësohet një prind mysliman kur sheh se shkolla dhe masmedia e portretizon lapërdhinë si liri seksuale, dhe homoseksualitetin si një “prirje seksuale”? Por a ka kuptim që prindërit dhe mësuesit myslimanë të pranojnë që fëmijët e tyre të mos marrin asnjë edukatë seksuale? Përgjigja është Jo! Fëmijët gjithsesi do ta marrin një edukatë seksuale edhe nëse izolohen, pasi mund ta përthithin nga fëmijët e tjerë. Qëndrimi i drejtë është t’u japim fëmijëve tanë një edukim seksual të saktë, i cili buron nga Kur’ani dhe Suneti. Gjithsesi është detyrim i çdo prindi që të jetë i përgatitur ta përmbushë këtë detyrë, madje ta bëjë këtë në mënyrën më të mirë.
Fazat e ndryshme të edukimit seksual. Ndërsa një fëmijë kalon nëpër faza të ndryshme zhvillimi, edukimi i tij seksual duhet gjithashtu të planifikohet në faza dhe çdo mësim duhet të jetë në përputhje me moshën e fëmijës. Megjithëse pjekuria e fëmijëve ndryshon thellë me çdo moshë, ka katër periudha kryesore në të cilat kalojnë fëmijët:
7-10 vjeç- Mosha e Gjykimit Në këtë moshë, fëmija duhet të dijë rregullat e hyrjes në dhomën e prindërve dhe rregullat sesi duhen shikuar të tjerët.
10-14 vjeç- Adoleshenca Në këtë moshë, fëmija duhet të mësojë si të shmangë nxitjen seksuale dhe duhet mbrojtur prej saj.
14-16 vjeç- Pjekuria kur fëmija duhet të dijë çfarë është marrëdhënia seksuale, nëse ai apo ajo janë gati të martohen në një të ardhme të afërt.
16 vjeç e lart- Rinia, djali apo vajza e pamartuar duhet të mësojnë si të përballojnë mungesën seksuale si dhe rreziqet e tradhtisë seksuale dhe imoralitetit.
Edukimi i virtyteve një udhëtim që nis në fëmijëri. Kjo temë është trajtuar në aspektin edukativ sesi një prind duhet ta edukojë fëmijën e tij brenda normave të moralit rreth edukatës seksuale, autori thekson se fëmijët, dashur pa dashur, do mësojnë rreth këtij fenomeni, por më e drejta është që t’u japim fëmijëve një edukim seksual të saktë, i cili buron nga Kurani dhe Suneti. Autori në këtë trajtim çështjeje prek edhe katër periudhat kryesore në të cilat kalojnë fëmijët dhe përcakton se çfarë duhet t’u prindërit mësojnë atyre pikërisht në këto periudha kaq delikate.
5. Duke lexuar librin “Nga fara te lisi”
Për edukatën e fëmijëve dhe për një familje sa më të konsoliduar një kontribut mjaft të madh ka dhënë edhe libri “Nga fara te lisi” i autorit turk Fethullah Gylen. Në këtë libër shpjegohet shumë bukur kronologjia e vërtetë e Islamit, lidhur kjo ngushtësisht e pazgjidhshmërisht me fëmijën. Zanafilla e humbjes e më pas përhumbjes së shumë popujve qëndron te një fëmijë i rritur keq, pa edukatë, pa moral dhe pa arsimim të dobishëm. Shumë bukur autori na bën me dije se prindërit duke toleruar (e thënë shqip, duke lëshuar pe) nga feja e tyre, kanë lënë pas dore këshillat hyjnore të kapjes fort pas litarit të Krijuesit, e më pas, duke imituar kombet e tjerë, kanë arritur të injektojnë te fëmijët e tyre pavarësinë, largimin dhe injorimin e familjes, duke formuar individë që nuk bashkëjetojnë familjarisht, por që ndjekin vetëm epshet, pasionet dhe dëshirat e kësaj bote. E megjithatë, as fëmija vetë nuk është realisht prona jonë ekskluzive, me të cilën mund të bëjmë si të duam e çfarë të duam, por na është dhënë “me qira”, dhe për të kemi përgjegjësi të lartë dhe llogaridhënie deri më një tek Allahu, Krijuesi i të gjitha krijesave.
Autori i kushton një vend të rëndësishëm familjes në tërësi dhe ambientit familjar në veçanti, ngaqë, kur në bahçen familjare ka paqe, mirëkuptim e harmoni mes brezave, atëherë edhe fëmija ndihet i fuqishëm e krenar, i gatshëm për t’u bërë lis që nuk pritet me një të rënë sëpate. Profeti Muhamed (a.s.) na këshillon: “Martohuni dhe shtohuni, se unë do të krenohem Ditën e Kiametit me shtimin tuaj”.
Autori vlerëson se prindërit duhet të falin namazin edhe në shtëpi. Në prani të fëmijëve tanë të bëjmë biseda me vlerë. Një tjetër aspekt i trajtesës së këtij libri është edhe edukimi shkollor. Ndarja gjinore në shkolla është një hap tjetër ku autori vë theksin dhe çmon se sa vlera ka kjo mënyrë shkollimi për moralin e brezave, ku si bazë për edukimin e fëmijës nuk janë fjalët pa karar apo leksione të zgjatura për lejimin e së mirës dhe ndalimin nga e keqja. “Në vend të mbushjes së kokës së fëmijës me gjëra sasiore, duhen edukuar ndjenjat e tij me anë të kuptimeve të larta. Ata duhet ta duan aq shumë Kur’anin, saqë mësimin e tij ta bëjnë ideal!”, – sqaron Gylen. Sakaq, autori nuk lë pa trajtuar edhe përballjen që do të kenë edukuesit jashtë-kur’anorë me edukuesit kur’anorë. E për të shkuar nga fara te lisi, nga fëmija te shoqëria e më pas te kombi i shpëtuar, shkrimtari turk vlerëson se familja është një komb i vogël, kurse kombi është një familje e madhe. Prandaj, për ne mbetet parësore që familjarisht të kujdesemi për farën e lisit e shoqërisht të kujdesemi për lisnajën.
Autori temën “Nga fara tek lisi” e ka trajtuar në aspektin edukativ, por duke përfshirë edhe aspektin fetar dhe atë sociologjik. Duke u bazuar dhe duke treguar rëndësinë e librit, autori thekson se familja luan rolin kryesor në edukimin e fëmijëve. Është pikërisht familja vendi i parë ku fëmija mëson edukatën dhe moralin dhe duhet të jetë pikërisht familja ajo që nuk duhet të lejojë dhe tolerojë amoralitetin dhe edukatën e keqe te fëmijët e saj. Për të pasur një familje të lumtur dhe me një edukatë sa më të lartë autori thekson se është e rëndësishme që të ndjekim Kur’anin Famëlartë dhe traditën profetike, pasi është pikërisht Islami ai që na mëson mënyrën më të mirë të edukimit familjar. Autori në këtë temë prek edhe aspektin sociologjik pasi vlerëson shumë familjen ku thotë se kombi nis nga familja; një familje me mirëqenie dhe edukatë është pikërisht ajo që na ofron një komb të tillë, sepse familja është bërthama e shoqërisë. Një familje e shëndoshë dhe e edukuar sjell një shoqëri të shëndoshë dhe të edukuar.
6. Ndjenja e përgjegjësisë në edukim
“O Zoti im, më ndihmo në edukimin e fëmijëve dhe për t’i mësuar ata që të bëjnë mirë!” Kjo çështje është më e rëndësishme dhe serioze, sepse duke i lartësuar pjesëtarët e familjes në vlerat e përsosmërisë njerëzore, u mundëson atyre që të ndiejnë ëndjet e të qenët i përjetshëm! Ndonjëherë, u marrim dhurata fëmijëve dhe përpiqemi t’i gëzojmë. Madje, shkojmë në haxh dhe, edhe në kohët kur ndodhemi para Qabes ose të Dërguarit të Allahut (a.s.), i ndjejmë vazhdimisht në zemër. Edhe shërbimet më të shenjta e të rëndësishme nuk na bëjnë dot t’i harrojmë ata. Në të vërtetë, mënyra më e mirë e kujtimit të fëmijëve është t’u japim atyre edukatën islame. Unë them se nuk duhet të ketë dhuratë që të mund të matet me këtë. Përsëri në një hadith Profeti (a.s.) porosit: “Bëjuni dhurata fëmijëve dhe edukojini në një mënyrë të mirë!” Po, një edukatë me orientim për ta ringjallur rrugën e Profetit (a.s.) është dhurata më e madhe që mund t’i jepet fëmijës!
Shembulli i mirë. Çdo nënë e baba mysliman, në mënyrë mjaft të natyrshme, mendojnë t’i edukojnë fëmijët në formën e një pjese të shëndoshë e të përkryer të asaj shoqërie ideale të cilën përpiqen ta përfytyrojmë dhe përvijojnë sipas Kur’anit. Prindërit që dëshirojnë që fjalët e tyre t’u shkojnë te fëmijët, më së pari duhet t’i jetojnë vetë thellësisht.
Krahas fjalës së drejtë, ka shumë rëndësi veprimi i drejtë. Në sy të fëmijës, kundërshtia mes fjalëve dhe veprimeve tuaja e trondit besimin e tij tek ju. Në jetë, sikur edhe një herë të vetme t’ju kapë fëmija në gënjeshtër ose në kundërshti mes fjalëve e veprimeve apo sjelljeve tuaja, për sa kohë do ta bartë këtë në mendje, në sytë e tij ju do të vazhdoni të mbeteni një njeri që s’i besohet. Po qe se pastaj, më vonë, nga sjelljet tuaja rrjedh ndonjë pakënaqësi e vogël, ajo del në mbi vetëdijen dhe, në vështrimin e fëmijës, ju shiheni si dikush për të cilin ndjehet “neveri”. Për pasojë, fjalët tuaja s’gjejnë aspak pasqyrim tek ai. Atëherë, sjelljet duhet t’i rregullojmë të tilla që, brenda shtëpisë, ata të na konsiderojnë neve jo nënë e baba, por “engjëj”. Ata duhet të shohin tek ne seriozitet, rëndësi, ndjeshmëri dhe duhet të na besojnë gjer në fund. Ja, pra, prindërit që arrijnë me sukses t’i përcjellin mendimet dhe ndjenjat me një rrugë të tillë, quhen mësuesit më të suksesshëm.
Ndjenja e përgjegjësisë në edukim. Këtë temë autori e ka trajtuar në aspektin edukativ-fetar, autori thekson rëndësinë që ka edukimi për fëmijët. Fëmijët janë pasuria më e rëndësishme për prindërit, janë dashuria më e madhe për ta, dhurata më e mirë që një prind mund t’i bëj fëmijës është edukata dhe morali islam që mund t’i japë. Ashtu siç e thekson dhe autori, në shumë thënie Profeti Muhamed (a.s.) i jep shumë rëndësi edukimit ku thotë mënyra më e mirë e kujtimit të fëmijëve është t’u japim atyre edukatën islame. Por që prindërit të jenë sa më ndikues te fëmijët e tyre duhet që gjërat që ua këshillojnë fëmijëve me fjalë duhet që në fillim t’i veprojnë vetë në praktikë, sepse kështu ato arrijnë të jenë mësuesit më të suksesshëm në edukimin e fëmijëve të tyre.
7. Familja dhe Arsimi
Edukimi i fëmijës fillon qysh me lindjen e tij. Ai nuk edukohet duke dëgjuar, por duke parë. Me një fjalë, fëmija bën atë që sheh e jo atë që dëgjon. Prandaj, jeta sociale pozitive është më e dobishme për fëmijën, sepse, nëse shkatërrohet jeta shoqërore, do të shkatërrohet edhe ajo individuale. Sot, rreziku më i madh për njeriun është amoraliteti. Dukuritë negative si alkooli, bixhozi, etj., e demoralizojnë shoqërinë. Vendet (ish)komuniste ishin të detyruara ta braktisnin atë, sepse ai zhveshi shoqëri të tëra nga jeta shpirtërore. Ashtu siç ka nevojë njeriu për ushqim trupor, apo mendja për dituri, ashtu edhe shpirti ka nevojë për ushqimin e tij, e ky është besimi dhe adhurimi. Nuk mund të ketë dobi njeriu i cili shpirtin e ka lënë të varfër, ndërsa tërë vëmendjen e ka përqendruar te nevojat trupore. Me këtë rast, fëmijët bëhen të vrazhdë dhe mendjemëdhenj, gjë që rezulton në mosdëgjim të këshillave. Myslimanët e vrazhdë, të cilët duke harruar krenarinë e fesë dhe duke u dhënë pas krenarisë së vetvetes, janë të vrazhdë në biseda. Kështu ata nuk kanë arritur t’u japin edukatën e duhur fëmijëve të tyre. Ka edhe prindër të atillë, të cilët kanë kërkuar që vetë ata të edukohen nga fëmijët e tyre. Me këtë rast, fëmijët, duke edukuar prindërit e tyre, ishin edukuar edhe vetë.
Nuk ka dyshim se thesari më i madh për njeriun janë fëmijët. Nëse familjes këtë thesar ia grabit amorali, atëherë ajo shkatërrohet. Nëse prindërit janë treguar të mëshirshëm dhe të ndershëm me fëmijët e tyre, edhe ata tregohen të kujdesshëm me ta. Parimet hyjnore, si mëshira dhe respekti, e bëjnë jetën të qëndrueshme. Allahu ka dërguar Islamin që këtë botë nga ferri ta shndërrojmë në parajsë. Meqë është ashtu, atëherë Islami është zgjidhje e çdo problemi në këtë botë. Sot, në sistemin arsimor ekziston vetëm mësim e jo edhe arsimim. Njeriun nuk e shpëton dot vetëm dituria. Nëpër shkollat tona është mësuar formula “mjafton mendja, për fenë nuk kemi nevojë”. Njeriu i çmendur nuk luan bixhoz. Vetëm njerëzit e mençur bëjnë mashtrime e falsifikime. Mendja është si uji, cilën ngjyrë t’i japësh, atë merr. Te njerëzit e këqij, mendja bëhet shkak për shkatërrim, ndërsa te njerëzit e mirë, ajo përhap paqen në çdo vend. Njerëzit të cilët i dhanë rëndësi mendjes, por lanë prapa arsimin, vuajtën për vite të tëra. Jetojmë në një botë, ku fëmijët, të cilët janë të ngjashëm me engjëj, i kthejmë në djaj. Nga ky shembull dhe shumë të tjerë, kuptojmë se individi dhe shoqëria kanë mbetur larg ndikimit të shkencës dhe fesë. Nëse këto plagë nuk shërohen, atëherë fundi i popullit tonë do të jetë shumë i tmerrshëm.
Familja dhe arsimi. Këtë temë autori e ka trajtuar në aspekti edukativ-fetar ku thekson se është shumë i rëndësishëm edukimi i fëmijëve me moral dhe virtyte. Autori thekson se ushqimi fizik duhet të ecë në mënyrë paralele me ushqimin shpirtëror, që është besimi. Është pikërisht besimi ai që i jep kuptim dhe vlerën e duhur, për konsolidimin dhe mirëqenien e familjes, pasi tek ato fëmijë dhe familje që nuk mbizotëron ndjenja e edukimit fetar apo ndjenja e besimit shohim që imoraliteti dhe shkatërrimi janë më prezent. Edukata islame ka një rëndësi shumë të madhe, pasi njeriun nuk e shpëton vetëm dituria, sepse te njerëzit e mençur mendja mund të bëhet shkak për shumë shkatërrime por vetëm te njerëzit që ndërthuret dituria, besimi dhe morali gjasa që të ndodhin gjëra të padëshirueshme dhe të këqija pothuajse nuk ekziston fare. Autori prek edhe aspektin sociologjik ku përmend se shoqëria sot ka ngelur larg ndikimit të fesë, por kjo largësi nuk ndikon vetëm në përkeqësimin e individit por edhe në përkeqësimin e gjithë shoqërisë.
8. Roli i familjes në edukimin e fëmijëve
Familja është një bashkësi njerëzore sociale, anëtarët e së cilës janë të lidhur me anë të lidhjeve të gjakut, apo me anë të marrëdhënieve martesore. Lidhja familjare kërkon edhe pranimin e ndërsjellë të të drejtave e detyrave, që t’i respektojnë të gjithë anëtarët. Islami porosit që familja të ndërtohet mbi baza të shëndosha, anëtarët e së cilës të ushqejnë sinqeritet reciprok dhe një intimitet të vërtetë, në këtë mënyrë familja merr kuptimin e një institucioni hyjnor, origjina e së cilës të çon deri në krijimin e njeriut. Feja vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në të gjithë sistemin e raporteve familjare. Një nga të drejtat më të pacenueshme të fëmijëve, në Fenë Islame, është e drejta për të jetuar dhe për të pasur mundësi të barabarta në jetë. Në Kur’an thuhet se është detyrë e familjes që të tregojë kujdes për mirëqenien e saj shpirtërore, për nevojat e edukimit dhe për mirëqenien e përgjithshme. Problemet e edukimit në familje janë mjaft të gjera dhe të komplikuara, që duhen kuptuar mirë nga familja, e cila mban peshën kryesore në edukimin e fëmijëve. Sot në kushtet e demokracisë, kanë lindur përfytyrime të reja mbi familjen e rolin e saj në edukimin e fëmijëve, por në këtë drejtim Islami krijon premisa për formimin gjithnjë e më të shëndoshë për edukimin e mirërritjen e tyre. Familja është një institucionin që lidhet ngushtë me jetën shoqërore dhe që pëson ndryshime me zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Marrëdhëniet në gjirin e familjes e raportet e drejtpërdrejta të brezit të vjetër me brezin e ri, eksperienca e gjatë historike e brezit të vjetër luan rol të rëndësishëm në edukimin e fëmijëve. Ajo, duke qenë e varur nga jeta shoqërore dhe ligjet objektive të saj, sot është më e shëndetshme, sepse qëndrojnë në plan të parë liritë dhe të drejtat e njeriut, për të cilat Islami i ka theksuar mbi 14 shekuj më parë. Liritë ideore, ekonomike, psikologjike e shpirtërore e pasurojnë më shumë bazën e familjes, i lejojnë asaj t’i transmetojë fëmijëve normat e shëndosha të edukatës, që konkretizohen në jetën e përditshme të fëmijëve, larg veseve negative si mashtrimi, vjedhja, gënjeshtra, alkooli, droga, prostitucioni, krimi i rënduar e deri brenda familjes.
Edukata është proces që nuk mbaron në familje, por vazhdon në shkollë e jashtë saj. Roli i familjes është parësor, sepse fëmija këtu e bën kontaktin e parë dhe këtu njihet me mjedisin përreth tij, si dhe njohjen me të kaluarën. Në edukimin e fëmijëve duhet të kemi parasysh: Besimin te Zoti. Familja, në punën edukative, duhet të niset nga qëllimi kryesor që ta drejtojë atë në besimin te Zoti, që do ta udhëheqë në realizimin e të gjitha detyrave, që i dalin përpara nga mosha më e vogël, në rini e deri në pleqëri. Edukimi i ndjenjave morale. Edukimi i drejtë i familjes duhet të fillojë menjëherë pas lindjes së tij, e jo kur ai fillon të kuptojë. Në moshën e njomë të fëmijës në familje, fillon dhe hedh bazë sjellja e tij, që për të përbën thelbin e edukatës. Fëmijët në familje duhet të edukohen që të ndihmojnë njëri-tjetrin ose prindërit të ndajnë me njëri-tjetrin atë që kanë të përbashkët, të mësohen të sakrifikojnë për njëri-tjetrin, etj. Në këto momente ndikimi edukativ ndikon në zhvillimin mendor e emocional të fëmijëve si dhe në formimin e shprehive dhe të zakoneve të caktuara morale që më vonë ato të kthehen në veti të karakterit.
Gabimet e edukimit të fëmijëve në familje i pasojnë fëmijët në jetë dhe në ambientin shoqëror. Nga mungesa e kulturës apo e pakujdesisë së prindërve në edukim, ata sjellin ndryshime në normat morale e zakonet e krijuara, gjë që shkakton një gjendje të vështirë për fëmijën dhe paraqet gjithmonë vështirësi në edukim, sepse tek ai janë krijuar zakone të këqija. Roli i familjes duhet të konsiderohet një veprimtari e organizuar, e paramenduar, që i drejton shijet e fëmijëve të tyre në një drejtim të caktuar. Prindërit nuk mund të arrijnë qëllimin e tyre në qoftë se shijet ua imponojnë fëmijëve me forcë. Prind i mirë është ai që me përfytyrimet e tij për të bukurën apo të shëmtuarën, t’ua rekomandojë fëmijëve në mënyrë të tillë, që ata të kthehen në motive të brendshme për vetë fëmijën. Kuptohet që përmbajtja dhe qëllimi i edukatës përcaktohet edhe nga marrëdhëniet ekonomike, mbi të cilat mbështetet familja. Këtu qëllimet e edukatës së punës përcaktohen nga rritja dhe ruajtja e pronës familjare, shtimi i pasurisë në favor të familjes. Kontrolli i familjes duhet të jetë i vazhdueshëm. Prindërit nuk duhet të edukojnë vetëm me fjalë, por edhe me shembullin e tyre, në organizimin e kohës së lirë bashkë me fëmijët në mjedise argëtuese e edukuese.
Roli i familjes në edukimin e fëmijëve. Këtë temë autori e ka trajtuar më shumë në aspektin edukativ por ka bërë edhe një gërshetim me aspektin social. Në fillim autori bën një përshkrim dhe përkufizim ku tregon se çfarë është familja, duke i dhënë asaj rëndësinë dhe vlerën që meriton ku thekson se familja është institucioni kryesor dhe më hyjnor i shoqërisë. Që një familje të jetë e shëndetshme duhet të ndërtohet në bazë të disa elementeve dhe cilësive siç është sinqeriteti, dashuria, drejtësia dhe respekti reciprok ndërmjet anëtarëve të familjes. Autori thekson shumë edhe rëndësinë e madhe që ka familja në edukimin e fëmijëve me edukatën islame, sepse feja luan rolin kryesor në raportet familjare. Rolin kryesor në edukimin dhe rritjen e fëmijëve e ka pikërisht familja, sepse familja është kontakti i parë që fëmijët kanë dhe institucioni në të cilën fëmija merr mësimet e para. Prindërit janë përgjegjës për edukimin e fëmijëve, sepse ato janë shembull për to. Edukimi i mirë i fëmijëve në moshë sa më të vogël është sinjal që tregon se te fëmijët do mbizotërojnë vlerat dhe virtytet. Ndërsa gabimet e edukimit te fëmijët në familje do të lënë pasoja fatale që do i shoqërojnë ato gjithë jetën. Edukimi i fëmijëve dhe roli kryesor që ka familja në këtë edukim është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për fëmijën por për të gjithë shoqërinë, pasi familja është një institucionin që lidhet ngushtë me jetën shoqërore dhe që pëson ndryshime me zhvillimin e shoqërisë njerëzore.
9. Edukimi i fëmijëve me ndjenjën e familjes
Fëmija i edukuar me një moral të lartë shquhet për qëndrimin, sjelljen e veprimet e vullnetshme pozitive, që rrisin personalitetin e tij.
Roli i familjes është themelor në formimin e njeriut. Raporti mes pjesëtarëve të familjes, dhe në mënyrë të veçantë midis burrit dhe gruas, nuk është thjesht një raport intim, por ka karakter shpirtëror dhe prej tij burojnë dashuria, sinqeriteti, mirëkuptimi, mbështetja, besimi reciprok, shpirti i sakrificës, përkrahja dhe ndihma. Pikërisht brenda familjes ngulitet në personalitetin e fëmijës ndjenja e solidaritetit, dashurisë, mirëkuptimit, tolerancës dhe e mirësjelljes. Duke u mbështetur në parimet bazë të Islamit, çdo familje gjen të gjitha fushat e aktivitetit njerëzor, qofshin ato shpirtërore apo materiale. Feja dhe besimi janë bazat morale mbi të cilat duhet të zhvillohet edukimi i fëmijëve dhe i shoqërisë. Fëmija i edukuar me një moral të lartë karakterizohet për qëndrim, sjellje e veprime të vullnetshme pozitive, që rrisin personalitetin e tij. Momenti më i rëndësishëm i veprimit të vullnetshëm për problemet kryesore në jetë është lufta e motiveve dhe pastaj marrja e vendimit. Pavarësisht se mund të ndeshet me vështirësi në jetë, djali/vajza me vullnet do të kapërcejë çdo gjë dhe do të arrijë atë që dëshiron me këmbëngulje e durim. Vetëm në ambiente shoqërore, te djali dhe vajza mund të lindin ndjenja e mendime të përbashkëta, shtohet ndjenja e simpatisë për njëri-tjetrin dhe arrihet në konkluzionin e martesës me pëlqimin e tyre dhe të familjes, për të nderuar një familje të re me baza të shëndosha. Këtu nuk duhet lejuar eksperimenti, bashkëjetesa e të tjera të këtij lloji, sepse në këto kushte si djali dhe vajza nuk mendojnë për një familje të shëndoshë, por vetëm për të kaluar çaste emocionale të përkohshme, që nuk janë të qëndrueshme. Familja ka për detyrë të edukojë fëmijët, si djalin ashtu edhe vajzën, se nuk është vetëm dashuria ajo që i lidh, por është tërë jeta. Familja duhet të parandalojë te fëmijët e saj marrëdhëniet seksuale paramartesore, ose mendimin që djali dhe vajza të kenë të dashur. Kjo çon në shthurje morale dhe humb ndjenjën e sinqertë e reciproke, siç kultivohet kur janë fëmijë të vegjël. Islami mbështet lidhjen martesore si celula bazë e shoqërisë. Me krijimin e një ambienti të shëndoshë, e një fronti unik edukativ të përbashkët me shkollën, organizata joqeveritare, etj., familja do të arrijë të formojë bindje të shëndosha aktive morale dhe estetike te fëmijët e saj.
Por, ditët e sotme, vërejmë se po bëhet e kundërta pasi kemi një shthurje të moralit dhe mungesë vlerash dhe virtytesh. Këto veprime kryhen ngase mungon besimin në Zotin Një, në kërkesën e llogarisë në emër të drejtësisë së ligjeve të Tij. Në këtë botë drejtësia është relative, ndërsa nesër, në ditën e fundme, njeriu do të përballet me drejtësinë absolute. Kjo botë është kalimtare. Secili do të provojë vdekjen dhe do të llogaritet për atë që ka punuar. Kush i mendon këto, nuk bie në llumin e degjenerimit moral, e për rrjedhojë do të kemi familje, fëmijë dhe shoqëri të shëndoshë moralisht.
Edukimi i fëmijëve me ndjenjën e familjes. Këtë temë autori e ka trajtuar ne aspektin sociologjik ku fokusohet më shumë te rëndësia që familja ka si një institucion bazë dhe si celula e shoqërisë, si dhe bazohet shumë edhe te marrëdhëniet që krijojnë anëtarët e familjes me njëri-tjetrin. Autori gjithashtu e ndërthur edhe me aspektin edukativ ku thekson rolin kryesor që familja ka në edukimin e fëmijëve në të gjitha aspektet e jetës, duke vazhduar nga shpjegimi i rëndësisë së familjes. Një rëndësi të madhe autori i jep edhe aspektit fetar, sepse feja dhe besimi janë bazat morale mbi të cilat duhet të zhvillohet edukimi i fëmijëve dhe i shoqërisë, pasi mungesa e besimit në Zot është një ndër faktorët kryesorë që ndikon në shthurjen e familjes dhe të shoqërisë.
10. Adoleshenti, familja, shkolla, komuniteti
Adoleshenti është brumi që gatitet njëherësh nga tri duar. Dora e parë është familja që prin, udhëheq, dora e dytë është shkolla dhe dora e tretë komuniteti. Të tria këto duar duhet të jenë në harmoni të plotë me njëra-tjetrën për ta gatitur adoleshentin të futet e të integrohet mirë në jetë. Kur njëra nga këto duar shfaq mangësi, brumi del i pa gatuar mirë e për rrjedhojë i serviret shoqërisë një bukë e padëshiruar. Adoleshenca është kalimi i vështirë nga bota e fëmijës në botën e të rriturve. Adoleshenti është në kërkim të krijimit të personalitetit të tij. Ai kërkon të sillet si i rritur, ndërsa prindërit e shikojnë ende si fëmijë. Adoleshenti përjeton ndryshime të dukshme fizike. Këto ndryshime të jashtme reflektojnë ndjeshëm në botën e tij të brendshme që sjellin reagime të shumta, të paparashikueshme. Në njërin kah është adoleshenti me ndryshimet e veta dhe në kahun tjetër është rreptësia e familjes dhe shkollës.
Shtrohet pyetja: Ku dhe pse ekziston ky lloj rreptësie? Së pari duhet të jemi të ndërgjegjshëm që familja merret e duhet të merret me edukimin e fëmijës në të tëra fazat e zhvillimit të tij, siç thuhet, që në barkun e nënës. Është e vështirë dhe e lehtë të merresh me edukimin e fëmijës në moshat e vogla. Madje prindi nuk ndien lodhje në përkujdesjen ndaj rritjes së fëmijës edhe në netët pa gjumë.. Problemi qëndron në mirërritjen dhe mirë-edukimin e fëmijës në moshën e adoleshencës. Familja mbetet e befasuar. Deri tani e ka pasur shumë të qartë rolin e vet, ndërsa tani pozicionet ndryshojnë çuditërisht. Jo çdo prind është i përgatitur teorikisht e praktikisht nga ana psikologjike për të punuar në mënyrë të kualifikuar me adoleshentin. Duke lehtësuar disi prindin, familjen, autori do të ngarkojë më me përgjegjësi mësuesin, shkollën. Ai thotë se vetë natyra e punës së mësuesit është e tillë që tërë jetën punon me moshë të caktuar e pikërisht me moshën e adoleshencës. Do të thotë që mësuesi merr përvojë, kualifikohet çdo vit, pra bëhet më kompetent në mirë-edukimin e kësaj moshe. Kësisoj ai duhet të jetë konsulenti i parë, i patjetërsueshëm për familjen në gjetjen e rrugëve e të metodave për mirë-edukimin e adoleshentit. Adoleshenti nuk është më fëmija i vogël që e përkëdhelin të gjithë, por nuk është as i rritur që ta trajtojnë si të tillë. Përballë kësaj nevoje për ndryshim, familja shpesh mbetet shumë e ngurtë dhe përpiqet t’i imponohet adoleshentit. Kjo sjell kriza të brendshme për adoleshentin, madje edhe pasoja në marrëdhëniet e tij me prindërit dhe me pjesëtarët e tjerë të familjes. Në këtë aspekt do të duhej që familja të krijonte një mjedis të kuptueshëm ndaj nevojave të adoleshentit, duke e konsideruar atë si person me mendimet dhe me dëshirat e tij, duke i transmetuar njëkohësisht edhe vlera morale.
Familja është pasqyra në të cilën i riu sheh veten dhe të ardhmen e tij. Fillimi i rrënimit të familjes ka kohë që është ndjerë tek ne. Këtë rrënim, në një farë mënyre, familja kërkon t’ia adresojë rinisë. Të rinjtë, në fakt, thithin atë që vjen nga familja. Në emër të të ashtuquajturit “modernizim i familjes” janë ndier të çara të pariparueshme në familjet tona. Ndarja, divorci, dhuna prindërore, etj., e bëjnë adoleshentin të ketë probleme madhore me jetën. Ai shkon deri aty sa të përdorë narkotikë apo të ketë çrregullime të delirit në sjellje. Ajo që e orienton një adoleshent me këto ndryshime është familja. Rruga që ajo zgjedh për ta mbështetur atë është udhërrëfyese. Ajo që zhbëhet në familje nuk mund të riparohet e të ribëhet në shkollë apo diku tjetër, pavarësisht se një rol mjaft të madh luajnë edhe mediat sociale, shoqëria dhe komuniteti.
Adoleshenti, familja, shkolla, komuniteti. Këtë temë autori e ka trajtuar në aspektin edukativ-psikologjik dhe sociologjik. Në fillim autori flet për rëndësinë e edukimit të adoleshentit, për të pasur një mirë-edukim dhe një adoleshent me moral, edukatë dhe virtyte duhet që të tre institucionet kryesore siç janë: familja, shkolla dhe komuniteti të kontribuojnë në edukimin dhe përkujdesjen e adoleshentit, por nuk mjafton vetëm kontributi i tyre, por edhe bashkëpunimi që ato do kenë me njëri-tjetrin. Të tre këto institucione duhet të japin maksimumin e tyre pasi çdo gabim i tyre mund të ndikojë në mënyrë negative në jetën e adoleshentit. Kur fëmija kalon në periudhën e adoleshencës përballet me shumë ndryshime, si fizike ashtu edhe psikologjike, prandaj është shumë e rëndësishme roli i familjes që t’i kuptojë ato, sepse familja është pasqyra në të cilën i riu sheh veten dhe të ardhmen e tij. Shpeshherë ndodh që të ketë konflikt ndërmjet prindërve dhe adoleshentit, ngaqë ata s’arrijnë ta kuptojnë. Në këtë moment, pas familjes, roli parësor tani i takon shkollës, pra mësuesve, dhe më pas komunitetit, por sido që të jetë rolin që ka familja në edukim nuk mund ta zëvendësojë askush tjetër, sepse ajo që bëhet në familje nuk mund të riparohet e të ribëhet as nga shkolla as nga komuniteti.
24. Familja shkolla më e mirë për edukimin e njeriut
Mënyra me të cilën familja kryen funksionin e saj si celulë kryesore e jetës, përcakton një pjesë të madhe të shanseve të të rinjve për t’ia dalë mbanë në rrugën e tyre drejt autonomisë sociale. Si pasojë, para se të kenë një problem personal, të rinjtë në vështirësi kanë shpesh një problem familjar; para se të ndihen keq vetë, të rinjtë në vështirësi ndihen keq në familje. Për mirë apo për keq secili prej nesh është produkt i familjes së tij të origjinës, si në formimin fizik, ashtu edhe në atë psikologjik, social dhe moral. Prindërit tanë kanë ushtruar te ne një ndikim fizik, psikologjik dhe social. Gjërat që ne i konsiderojmë të rëndësishme në jetë (vlerat), qëllimet që ne ndjekim, arsyet që ne mbrojmë, miqtë që ne kemi, mënyra jonë për të zënë një vend në shoqëri, janë në funksion të vlerave të mësuara në mjedisin familjar. Fëmija varet nga prindërit në trupin e tij, në kokën e tij, në grupin e tij shoqëror. Ja pse marrëdhënia prind-fëmijë është një përbërës kryesor në zhvillimin e të rinjve. Megjithatë familjet s’janë të gjitha të njëjta. Portretet e familjeve janë të shumëllojshme këto vitet e fundit.
Familja është një institucion social që ka jo vetëm funksione biologjike, por së pari sociale dhe edukative. Ajo është organizata e shoqërisë që ka më shumë mundësi që të funksionojë si strukturë sociale me unitet të fortë edukativ midis pjesëtarëve të saj, në radhë të parë midis prindërve dhe fëmijëve të tyre. Mungesa e “unitetit edukativ” në familje ka pasoja fatale në deformimin e personalitetit dhe “prishjen edukative” të fëmijëve të saj. Ky është kushti që siguron atmosferën e një respekti të ndërsjellë në familje, si parakusht për edukimin e fëmijëve tanë. Nuk edukohet fëmija nëse familja nuk bëhet vërtet një “skuadër” që funksionon dhe ndërtohet e bazuar në parime edukative unike, njerëzore, të përbashkëta dhe të miratuara e të pranuara nga të gjithë, nga prindërit dhe fëmijët e tyre. Vetëm kjo atmosferë krijon kushte që prindi të ketë një ndikim edukativ personal të frytshëm dhe të qëndrueshëm mbi fëmijët e vet. Thelbi i suksesit apo i dështimit në punën edukative në familje, është i lidhur ngushtë me mënyrën se si ne prindërit i shikojmë problemet që kanë fëmijët me veten dhe moshën e tyre, por që në të njëjtën kohë, i kemi edhe ne në marrëdhëniet që ndërtojmë me ta. Edukimi i fëmijëve dhe adoleshentëve në kohën tonë nuk bëhet me acarime prindërore anti-edukative, por duke ndryshuar dhe përmirësuar raportet, ndërveprimet, marrëdhëniet prind-fëmijë. Sa herë që fëmijët tanë kanë probleme edukative, aq më shumë kjo kërkon që ne të merremi me kujdes, të komunikojmë dhe të ndërveprojmë me ta. Të rinjtë mund të edukohen në familje, por vetëm kur ajo bëhen mjedis ku fëmijët dhe prindërit e duan dhe e respektojnë njëri-tjetrin. Në familjen që bëhet sundues detyrimi me forcë, minimalisht edukimi mungon. Në këtë rast vlera edukative e familjes shqiptare do të vazhdojë të jetë në “rënie të lirë”, duke e bërë atë thjesht një mjedis familjar biologjik, por pa funksionin dhe rolin e rëndësishëm edukativ. Përkujdesja aktive për fëmijën apo adoleshentin është një tjetër aftësi prindërore shumë e rëndësishme. Për të ushtruar këtë ndikim, për të aktualizuar rolet dhe lidhjet afektive, prindi duhet të qëndrojë pranë fëmijës, të përfshihet në mënyrë aktive në botën e tij. Një pjesë e mirë e të rinjve që kanë probleme psiko-sociale, kanë një mungesë përkujdesjeje apo pranie të prindërve pranë tyre. Për të luajtur mirë rolin e prindit duhet t’i qëndrosh pranë fëmijës, të përjetosh gjërat me të; ndryshimet bëhen aq shpejt në jetën e fëmijës sa është shumë e vështirë për prindin të ruhet realiteti i fëmijës pa qëndruar pranë tij. Mbështetje, vazhdimësi dhe respekt, ja tre kategoritë e mëdha të nevojave që shfaqin të rinjtë në lidhje me familjet e tyre dhe për më tepër në lidhje me shoqërinë e zgjeruar.
Familja shkolla më e mirë për edukimin e njeriut. Autori e ka trajtuar këtë temë më shumë në aspektin edukativ ku tregon rëndësinë që luan familja në edukimin e fëmijës, gjithashtu autori thekson se rolin kryesor dhe më primar në edukimin e fëmijëve e luan pikërisht familja. Në qoftë se do donim një brez të edukuar dhe me moral atëherë këtë duhet ta kërkojmë nga familja e cila është shembulli dhe pasqyrimi i fëmijës. Edukata, morali, dashuria, etj., të gjithë këto elementë kryesorë të shoqërisë marrin vlerë në momentin që përfaqësuesit e saj ushqehen me këto cilësi nga edukatorja e parë që është familja. Për një familje sa më të konsoliduar, sa me më shumë vlera dhe moral, rolin parësor dhe kryesor e luan pikërisht edukimi familjar, sepse ashtu siç është bërthama e shoqërisë, po ashtu do jetë dhe shoqëria. Prandaj familja nuk duhet të harrojë rolin e saj kryesor, që është roli edukativ. Në qoftë se ky rol kryhet me sukses nga ana e saj, atëherë edhe brezi i ardhshëm do jetë një brez me vlera dhe prosperitet për kombin dhe shoqërinë.
KONKLUZION
Familja është vendi i parë i humanizmit, ajo është institucioni më hyjnor dhe përbën bërthamën më të rëndësishme të shoqërisë. Familja është struktura më themelore e ekologjisë humane, ajo është vendi i edukimit të vërtetë dhe të mirë.
Me të vërtetë që një thesar i çmuar siç është “Drita Islame”, në tematikat e trajtuara meriton të nënvizohet trajtimi i çështjeve të familjes, të cilave u ka dhënë një rëndësi mjaft të madhe. Duke trajtuar çështjet e familjes te periodiku “Drita Islame” arrita në përfundimin se “Drita Islame” (1992-2017) ka dhënë një kontribut mjaft të madh në konceptin se si duhet të jetë një familje dhe rolet që ajo ka, pasi e ka trajtua familjen në shumë aspekte, si në atë të edukimit të fëmijëve me edukimin dhe moralin islam, po ashtu edhe në aspekte të tjera, si ai ekonomik, psikologjik, patriotik, etj.
Është pikërisht mirë edukimi i fëmijëve me vlera dhe moral ai i cili ndikon drejtpërsëdrejti në një familje të qëndrueshme dhe të lumtur, por s’duhet harruar që një familje e tillë është garancia edhe për një shoqëri po me këto cilësi.
BIBLOGARAFIA
– Nahi, Hasan, Kurani i madhërishëm, Tiranë, AIITC, 2006.
– Neveviu, Imam, Rijadus Salihin, Prishtinë 2004.
– Ahmed Ibn Abdul-Latif Zebidi, Zejnudin, Muhtesar Sahih El-Buhari, Shtypshkronja Mileniumi i Ri, Tiranë 2015.
– Gazeta “Drita Islame”, Botimi: Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Tiranë 1992-2011.
– Revista “Drita Islame”, Botimi: Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Tiranë 2012-2017.
– Gylen, M. Fethullah, Dritë E Pashuar 2, Shtëpia Botuese Prizmi, Tiranë 2007.
– Gylen, M. Fethullah, Nga fara te lisi, Shtëpia Botuese Prizmi, Tiranë 2008.
– Nezir, Reyhan, Familja në Islam, Shtëpia Botuese Kreuzlingen, Zvicër 2006.
– Dervishi, Zyhdi, Sociologjia (tekst për klasën e XI të shkollave të mesme Republikës së Shqipërisë), Tiranë: Shtëpia Botuese SHBLSH e Re, 2010.
– Halid, Amër, Rëndësia e Familjes në Islam, Shtëpia Botuese Furkan Ism, Shkup 2008.
– Kutub, Sejjid, Fij dhilalil Kuran, Shtëpia Botuese Daru esh-Shuruk, Kajro 1993.
– KMSH, Bibliografia e gazetës Drita Islame, janar 1992 – dhjetor 2011, Tiranë: Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, 2015.
Jul 02, 2024 0
Nov 30, 2022 0
Dec 16, 2021 0
Dec 06, 2020 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...