Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM
Nov 19, 2024 Zani i Nalte Editoriale 0
Nga: Msc. Dorian Demetja
Abstrakt
Periodikët islam shqiptarë që zunë fill nga shekulli XX, krahas periudhës së pavarësisë së Shqipërisë, marrin fizionominë e plotë me rastin e themelimit të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Fillimi i luftës së dytë botërore solli ndërprerjen e botimit të revistës “Zani i Naltë”, organ i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Për disa kohë nuk kemi asnjë periodik islam, gjë që la një boshllëk të madh për edukim islam dhe patriotik njëkohësisht sipas nevojave të kohës. Veprimtarinë e botimit të shtypit periodik, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e vazhdoi me revistën “Kultura Islame”, e cila iu ofrua publikut nga shtatori i vitit 1939 deri në shkurtin e vitit 1946. Revista “Kultura Islame” e filloi botimin e saj si revistë e përmuajshme fetare, filozofike, letrare, morale e shoqnore dhe më pas, si revistë fetare, letrare, ditunore, artistike.
Periodikët islam shqiptarë kishin për qëllim edukimin fetarë të besimtarëve në përputhje me të gjitha normat e fesë islame dhe synonin ta kultivojnë njeriun me moralin e fesë, duke e pajisur atë me virtyte të bukura dhe duke e përgatitur si një besimtar të dobishëm për shoqërinë e atdheun. Shtypi shqiptar islam u mor edhe me çështjen se ç’detyrë dhe obligim kanë intelektualët ndaj popullit dhe në veçanti ndaj rinisë shqiptare për edukimin e tyre fetar dhe kombëtar.
Në periodikun islam shqiptar të periudhës së luftës së dytë botërore, që më së shumti identifikohet me revistën “Kultura Islame”, një vend të rëndësishëm zënë artikujt fetarë, të cilët flasin dhe ftojnë për besim në një Zot, duke u treguar njerëzve se ky besim siguron unitet dhe vëllazërim të vërtetë. Nëpërmjet mesazhit fetar për besimin në unitetin e Zotit, bazuar në këtë revistë, arrihej një vëllazërim, një solidarësi shoqërore e kombëtare shumë e fortë dhe e shëndoshë: “Tu e konstatue se ekziston vetëm një Zot, pason se të gjithë njerëzi janë një para Zotit, i cili na urdhënon me adhurue vetëm atë, Prej këndej, një ideal i përbashkët stabilizohet për të gjithë njerëzit për të gjitha këto qenie të krijueme.”[1]
Ky është themeli i parë i fesë islame që e përshkruan revista “Kultura Islame”, pastaj aty flitet që njerëzit ta adhurojnë Zotin, si dhe aftësitë e talentin që na ka dhuruar Ai ta përdorin në të mirë të shoqërisë, mos t’i bëjnë keq askujt, ta duan njëri-tjetrin, të jenë të bashkuar, duke lënë anash përçarjet dhe grindjet ndërmjet veti. Krahas kësaj, nuk mungonin edhe shkrimet e herëpashershme rreth çështjeve kombëtare dhe plagëve të atdheut.
Revista “Kultura Islame”, por dhe i gjithë periodiku islam shqiptar i kësaj periudhe, i kushtuan rëndësi të veçantë çështjes fetare dhe kombëtare. Ky periodik ftonte për një unitet politik të shqiptarëve pa dallim feje e krahine etnografie, duke potencuar sidomos nevojën për unitet dhe tolerancë fetare ndërmjet shqiptarëve. Populli shqiptar ftohet që të mos bie pre e propagandës së huaj, e cila synonte t’i fusë shqiptarët në vëllavrasje, duke penguar në të njëjtën kohë edhe bashkimin kombëtar.
Njohuritë për fenë dhe kulturën islame që zinin vend në faqet e revistave islame, u ndërthurën në mënyrë të natyrshme nga dijetarët myslimanë patriot, me edukatë për dashurinë ndaj atdheut të përbashkët, Shqipërinë. Dashamirësia për njëri-tjetrin që predikohej në faqet e revistave të kësaj periudhe, mbështetur në moralin islam dhe në rrethanat e Shqipërisë, ishte në të njëjtën kohë edhe mesazh bashkimi mes shqiptarëve për t’i bërë ballë armikut të përbashkët të tyre.
Me interes është të evidentohet se revista “Kultura Islame”, edhe pse në tërësinë e shkrimeve trajton dashurinë që duhet të kenë besimtarët për njëri-tjetrin dhe me popujt e tjerë, ajo bëri objekt temash trajtimi edhe simbolet kombëtare. Ashtu si gjuha dallon një popull nga një tjetër “ashtu edhe flamuri dallon kombet njërin prej tjetrit.” Dhe vazhdon: “Çdo komb krenohet me flamurin e vet, e do, e admiron dhe e naltëson. Një komb, të cilit i dhunohet flamuri, ka të drejtë me tund qiell e dhe, e deri ku të mundet. Sikurse nuk mund të ketë dritë pa diell, aq mundet me qenë një komb pa gjuhë e flamur.” [2]
Botimi i revistës “Kultura Islame” ka qenë një kontribut i rëndësishëm i myslimanëve shqiptarë në debatin publik të asokohshëm. Për nga përmbajtja, revista “Kultura Islame”, kishte ndjekur rrugën e revistës “Zani i Naltë”, por me një vizion më të gjerë. Ajo u përpoq të ruajë fizionominë patriotike pararendëse të saj. Gjuha që përdori kjo revistë dhe problemet që shtroi në tryezën e diskutimit, krijuan mjedise tërheqëse për intelektualët myslimanë.
Revista “Kultura Islame” kishte në krye të saj dy nga përfaqësuesit më të rinj të kulturës islame, që kishin kryer studimet teologjike në universitetin Ezher të Egjiptit dhe në Lahorë të Pakistanit. Këta ishin Sadik Bega, drejtor dhe Sherif Putra, redaktor. “Studimet dhe temat e paraqitura aty kanë pasur cilësi të lartë. Mbizotërojnë ato origjinale ndaj përkthimeve, materiali është më i vëllimshëm. Në faqet e saj ka pasur shumë studime me vlerë shkencore në vartësi të rolit qytetërues e përparimtar të kulturës islame shqiptare. Revista u drejtua nga Sadik Bega me redaktor Sherif Putrën, të cilët afruan si bashkëpunëtorë penda të njohura të studiuesve islamë shqiptarë të kohës, si dhe të rinj studentë universitarë nga vendet islame e nga Perëndimi, që ndikuan për ngritjen e efikasitetit të saj formues e edukativ, filozofik e moral të lexuesve shqiptarë.”[3]
Krahas emrave të vjetër si Hafiz Ali Korça, Dr. Behxhet Shapati, Haki Sharofi etj., në faqet e kësaj reviste filluan të paraqiten edhe emra të rinj me prirje islame dhe të talentuar në fusha të ndryshme si Sadik Bega, Vexhi Buharaja, Sherif Putra, Jup Kastrati, Muhamed Bala, Shefik Osmani etj.[4] Formohet një komision për të shqyrtuar artikujt që do të botohen në revistën “Kultura Islame”. Kryetari i komisionit është Sulejman Kadiu, anëtarë: Haki Sharofi, Vexhi Demiraj, me pjesëmarrjen edhe të Sadik Begës dhe të Sherif Putrës.[5]
Revista “Kultura Islame” luante rol të rëndësishëm për formimin e shpresës te besimtarët, duke sjellë herë pas here shkrime me karakter psikologjik, rreth forcimit të individit dhe shoqërisë, duke forcuar së pari besimin dhe mbështetjen te Zoti i Lartësuar. Përkthimet dhe studimet kanë sjellë në shqip frytet më bashkëkohore të mendimit filozofik të kohës, duke e njohur lexuesin shqiptar me prurjet e reja në këto fusha.
Megjithatë, kjo revistë nuk pati vetëm qasje ndaj opinionit publik, ajo ndihmoi jashtëzakonisht për ide, mendime e koncepte të nevojshme mbi problemet e kohës, duke dhënë një kontribut të vyer në zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare. Përveç trajtimit të problematikave të kohës, revista “Kultura Islame” ka ofruar një material të pasur me njohuri e me studime në fushën e mendimit, kulturës dhe shkencës.
Gjatë periudhës që u botua, në këtë revistë spikat qëndrimi që ky organ mbajti në fillimet e veta ndaj pushtimit italian, ku mendimet ishin pro qeverisë fashiste të asokohshme, sigurisht duke dhënë arsyetimet dhe pikëpamjet e këtij qëndrimi, ku në bazë të shkrimeve, vërejmë se mbështetej fakti se qeveria fashiste nuk përzihej në punët e brendshme të fesë dhe se gëzohej me plot të drejta liria e ushtrimit të besimit dhe të aktivitetit fetar, gjë që, sipas këndvështrimit të dhënë këtu, kishte pasur problematika në qeverinë e mëparshme, ku thuhet se indirekt i qenë mohuar këtij populli ushtrimet e traditat fetare si anulim i të drejtave fetare, dhe se qeveria merrte masa antifetare që në të shumtën e rasteve dëmtonin më tepër elementin mysliman.[6]
Revista “Kultura Islame”, në faqet e veta shkroi edhe për personalitete, që nuk u pajtuan me pushtimin e huaj fashist, duke u bërë shprehje e qëndrimit të popullit shqiptar. I tillë ishte Fuad Dibra që gjatë katër viteve zotërimi italian, qe shprehje e gjallë e shpirtit të kombit shqiptar. Mohimi i bashkëpunimit të tij me pushtuesin ishte nga çdo pikëpamje mohim i krejt popullit shqiptar. Ky shkrim vlerësonte lartë idealin e tij të vetëm: “Për t’i bashkuar shqiptarët rreth një programi të aftë për me i siguruar shpëtimin tonë të përjetshëm për realizmin e Shqipërisë etnike.”[7]
Në pjesët e revistës “Kultura Islame”, u trajtuan edhe tema dhe probleme me karakter teorik e studimor si “Përhapja e Islamizmit” që u botua në disa numra, pastaj “Hyrje në filozofinë Islame”, i cili po ashtu vazhdoi në disa numra. Në aspektin moral, teologjik e filozofik u shtruan tema si “Problemi i së mirës dhe i së keqes”, kategori filozofike-morale këto, që kanë qenë objekt diskutimi për shumë doktrina. Shtjellimi u bë mbi bazën e tezave të “Masës së ligjit të evolucionit”, “Moralit dhe epsheve në masë”, “Para vendimit ose fatit”. Po ashtu, në këtë revistë u botuan edhe studime nga fusha e arteve dhe e historisë, siç ishin: “Kuptimi i artit dhe kufijtë e tij”, “Historia e bibliotekave” etj.[8]
Revista “Kultura Islame” si dhe revistat e tjera islame që u botuan në Shqipëri gjatë luftës së dytë botërore, me shkrimet e veta ndikuan jo vetëm në formimin e edukimin e besimtarëve, por kontribuuan në mbajtjen gjallë të frymës së luftës për çlirimin kombëtar, duke iu përgjigjur fuqimisht mendimit të rilindësve tanë se besimtarët që u drejtoheshin, ishin në radhë të parë shqiptarë dhe për Shqipërinë duhej të jepnin gjithçka, përfshi dhe jetën.
Nëse do të flitnim për çështjen kombëtare, të pasqyruar në revistë, nuk do të ishte e mjaftueshme, po të mos trajtohej roli që kanë luajtur fetë në këtë çështje, si për formimin e ndërgjegjes kombëtare, ashtu dhe për edukimin e saj. Është kjo njëra nga arsyet që shpesh përdoret togfjalëshi “pa fe nuk ka atdhe.” Prandaj ndër format më të larmishme që ndesheshin në shkrimet e këtyre revistave për çështjen kombëtare, ishin shkrimet me karakter historik. Evokimi i historisë së lavdishme të popullit tonë, bëhej që në zanafillën e lindjes së idesë kombëtare, duke përmendur momentet më të mprehta të historisë, ku varej e ardhmja e shqiptarëve. [9]
Revista “Kultura Islame” ndaloi së botuari në mars të vitit 1946, si rrjedhim i politikës ateiste të regjimit. Kjo revistë, i shërben kohës së sotme me pasuritë e saj, për të kuptuar se myslimanët duhet të forcojnë urat mes së shkuarës dhe së ardhmes për të qartësuar identitetin e tyre. Në vitin 2012 botohet për herë të parë kolana e revistës “Kultura Islame” e shtrirë në 3 vëllime, e cila vjen si botim i shoqatës Alternativa e së Ardhmes, ALSAR. Kjo kolanë me rreth 2000 faqe, përmbledh 73 numra të revistës “Kultura Islame” të botuara nga viti 1939 deri më 1946.
[1]. Vexhi Demiraj (Prof.), Besimi në unitetin e Zotit iu siguron njerëzve vllaznim të vërtetë, revista “Kultura Islame”, nr. 10, qershor 1944, f. 270.
[2]. Revista “Kultura Islame”, nr. 9-10, maj-qershor 1944, f. 50, 51.
[3]. Faik Luli – Islam Dizdari, 75-vjetori i botimit të revistës “Zani i Naltë”, gazeta “Drita Islame”, nr. 23 (154), viti i VII i botimit, dhjetor 1998.
[4]. Ramiz Zekaj (Dr.), Zhvillimi i kulturës islame te shqiptarët gjatë shekullit XX, Tiranë 1997, f. 173.
[5]. AQSH, fondi 482, viti 1942, dosja 5.
[6]. Shiko Behxhet Shapati (Dr.) Kryetar i Komunitetit Mysliman, Gjendja e djeshme dhe e sotshme e elementit shqiptar mysliman në Shqipni, revista “Kultura Islame”, nr. 6-7, viti i I i botimit, Mars 1940, f. 1-2.
[7]. Revista “Kultura Islame”, nr. 1, shtator 1943, f. 208-210.
[8]. Fahrush Rexhepi (Dr.), Periodiku shqiptar islam, gjysma e parë e shekullit XX, Prishtinë 2013, f. 162.
[9]. Ali M. Basha, Rrugëtimi i fesë Islame në Shqipëri (1912-1967), Tiranë 2011, f. 420.
Sep 13, 2024 0
Sep 11, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 29, 2024 0
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...