Perditësimi i fundit June 25th, 2025 9:29 AM
May 21, 2025 Zani i Nalte Filozofi, Gjuhë-letërsi 0
Nuredin Nazarko
Abstrakt
“Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ ndërmjet mendimit filozofik, poezisë dhe artit. Teksti shqyrton tema të thella si qëllimi i ekzistencës, liria individuale, kujtesa, dashuria dhe marrëdhëniet e njeriut me shoqërinë dhe botën përreth. Përmes një ndërthurjeje të bukur të filozofisë dhe ndjeshmërisë poetike, autori argumenton se përmbushja e vërtetë njerëzore nuk mund të arrihet thjesht përmes plotësimit të nevojave materiale, por kërkon një përkushtim të vazhdueshëm ndaj pasurimit shpirtëror dhe kuptimit të mistereve të jetës.
Përmbushja e jetës njerëzore lidhet me qëllimin pse jetojmë. A duhet të kryejmë vetëm funksionet që na diktohen prej përmasës biologjike, apo jeta është shumë më tepër se kaq? Si mund të jetohet një jetë ku çdo veprim është brenda një skeme të caktuar, i përgjigjet një funksioni të caktuar për të marrë një rezultat të caktuar? Kjo do të thotë të jetosh në laborator ose thënë ndryshe të vdesësh jetën, sepse dilemat dhe përpjekjet për të ndërtuar së brendshmi njeriun pushojnë së qeni. Në këtë gjendje njeriu përsos funksionin, por humbet (edhe) bukurinë e mistikës së jetës.
Konak me Edisonin rreh të ecë (ecën) shtigjeve ku zbulohet mistika e jetës për aq sa është e mundur një gjë e tillë, ku përballesh me dilemën që e bën njeriun të ndihet njeri. Është një sprovë që nuk duhet shmangur, as duhet tejkaluar, duhet jetuar.
Nëpërmjet gjuhës së thellë, të pasur me metafora dhe simbole, “Konak me Edisonin” është një thirrje për të jetuar me vetëdije të plotë, për të ruajtur lirinë personale dhe për të kërkuar një jetë me përmbajtje dhe kuptim përtej të dukshmes. Teksti ngre pyetje ekzistenciale që i mbijetojnë kohës dhe mbeten thelbësore në përpjekjen e përhershme të njeriut për të kuptuar veten dhe botën.
Fjalët kyçe: liria, qëllimi, kujtesa, dashuria, arti (Poezia)
THEMELET
Të ekzistosh apo të jetosh?
Një njeri që nuk ndryshon asnjëherë, që noton gjithnjë në të njëjtat ujëra, që bën një jetë të ashtuquajtur lineare, që është i sigurt dhe i qartë për çdo gjë, që karakterizohet nga një gjendje pothuajse e njëjtë emocionale rezulton të ketë bërë vetëvrasje shpirtërore, pasi në një mënyrë apo në një tjetër ka flijuar botën e tij të brendshme. (17)
Të ndryshosh apo jo? Dilemë e kahershme e njeriut. Dilemë edhe më e madhe është se ç’lloj ndryshimi duhet të bëjë njeriu? Dhe për më tepër a është gjithmonë ndryshimi një gjendje që duhet patjetër të lidhet me pasurinë materiale? Një ndryshim që sjell pasurim material dhe rrënim shpirtëror nuk i duhet njeriut dhe as bashkësisë njerëzore. Një përlindje shpirtërore, një ndriçim i brendshëm që e çon njeriun udhës së mistikës së jetës është ndryshimi që duhet.
Shpjegimi e cënon thelbin
Sa më shumë t’i shpjegojmë gjërat, aq më shumë zvogëlohet hapësira e lirisë. (18)
Përsiatja mbi atë që lexojmë është kusht për të marrë nektarin dhe për ta shndërruar në mjaltin e mendimit dhe ligjërimit. Pa lirinë për t’u endur luleve mes rreshtave do të përfundonim në një diktaturë mendimi, ku njeriut i tregohet deri dhe si duhet ta shkruajë pikën e presjen, duke ia hequr mundësinë për të provuar emocionet e një pune që nuk i bindet skemave të thata, por përsiatjes dhe meditimit.
Nostalgjia është njohje
Kujtesa për gjërat e së shkuarës nuk është e rëndësishme të jetë kujtesë për gjërat siç kanë qenë. (Proust) (20)
Njeriu nuk duhet të përpiqet të kujtojë ngjarjet e së shkuarës pikë për pikë, por më shumë duhet të kujtojë se si e ka bërë të ndihet kjo ngjarje. Nëse ka qenë ngjarje negative do të ngjallë ëmbëlsinë e përpjekjeve për t’u ringritur. Nëse ka qenë ngjarje pozitive do të ngjallë emocione që sjellin përmallim dhe përpjekje për të parë gjithmonë anët e bukura të jetës edhe kur vështirësitë vijnë duke u shtuar. E rëndësishme është që kjo kujtesë të ngjallë tek njeriu energjinë për të ecur dhe punuar gjithmonë në anën e së mirës me shpresën se një ditë njeriu do të kthehet atje ku nisi udhëtimi që u kthye në kujtesë dhe nostalgji të pashlyeshme.
Gjana të vogla e të mëdha
Normalja apo normaliteti, në fakt, është një lëndinë me mijëra bimë e lule të ndryshme, ku secila është “normale” në llojin e vet, në ngjyrën, formën, aromën, shijen, freskinë e vet unike. E tillë është edhe normalja e njerëzve në lëndinën e përpjetme të asaj që njihet si jetë – në të vërtetë, shumë ma tepër se kaq. Nëse e vazhdojmë metaforën, ideologjia – e çfarëdo ngjyre qoftë – kërkon me i heqë të gjitha lulet në lëndinë e me mbjellë vetëm një lloj. (25)
Jeta është e bukur sepse ka diversitet, kontradiksion, ulje dhe ngritje, gëzime dhe hidhërime. Çdo gjendje ka thesaret e veta që nuk mund të zbuloheshin (zbulohen) pa kaluar përmes këtyre gjendjeve. Kjo e bën njeriun të marrë frymë, të gjallojë, të gëzojë mes luleve shumëngjyrëshe të jetës. Ideologjia kërkon njëtrajtshmëri, bindje dhe heshtje. Të gjithë në rresht. Të gjithë në një linjë mendimi e prodhimi. Përfundimi, të gjithë skllevër të bindur e të shtruar e pa nerv rebelimi. Prandaj njeriu duhet të jetë syçelë ndaj farave të ligësisë së ideologjive kundërnjerëzore, se nëse arrijnë të zhvillohen i zënë frymën jetës dhe e zhveshin nga ngjyrat që i japin bukuri.
Gjana të magjishme
Çka asht poezia? – pyet William Blake, qe përgjigjja që jep: “Me pa nji botë të tanë në nji kokrrizë rane e Qiellin në nji lule t’egër; me mbajtë pafundësinë n’pllambë të dorës e përjetësinë në nji dekikë.” (29)
Poezia është art dhe si e tillë nuk mund të mos burojë nga thellësia e shpirtit. Nuk mund të ketë poezi me porosi. Nëse ndodh e sigurtë që poezi nuk do të jetë. Do të jetë thjesht një kombinacion vargjesh që më shumë do të ngjajnë me rezultatin e një eksperimenti, sesa shprehje e përjetimit shpirtëror të autorit. Poeti duhet të krijojë i lirë dhe bash atëherë kur e ndjen se muza ka trazuar zemrën e tij. Kjo është poezia. Ky është poeti. Shumë mund të shkruajnë vargje, po jo të gjithë sa shkruajnë poezi janë poetë.
Kujtesa është çlirim
Pakkush e vret mendjen për të kuptuar siç duhet. (31)
Epoka e ekonomisë së konsumit ka sjellë një dinamikë ndryshe në perceptimin e njeriut mbi jetën. Njeriu rend të mbajë ritmin e punës se ndryshe s’postohet nga të tjerë syresh. Varfëria dhe shqetësimi për të ardhmen e trembin njeriun dhe prandaj zhytet gjithmonë e më shumë në përpjekje për të rritur shkallën e mirëqenies që e ardhmja të jetë më pak sfiduese. Ndërkohë koha rrjedh dhe i përfshirë nga kjo vorbull gjithmonë e më pak e vret vëmendjen për kuptimësinë e jetës, për thelbet mbi të cilat qëndron statura e njeriut si njeri.
Nga ndjenja te mendimi dhe anasjelltas
Zakonisht filozofët perceptohen si ata që mendojnë, ndërsa poetët janë gjithnjë ata që jetojnë në mbretërinë e ndjenjave. Por, natyrisht që nuk mund të jetë kaq e prerë, ose kaq “e thjeshtë”. Pothuajse në çdo libër filozofie hasim çaste poetike, sikundërse te shumë e shumë poezi gjejmë sentenca filozofike… (39)
Qenia njerëzore përskaj dualitetit trup–shpirt, apo thënë ndryshe tokë–qiell, e ka të pamundur njëtrajtshmërinë përgjatë jetës. Prandaj jeta e njeriut është gjithmonë suprizuese me rrjedhën dhe drejtimet që merr. Përtej çdo profesioni ka gjithmonë pak lëndë filozofike dhe poetike tek çdo njeri. Më shumë poetikë në rini, e më shumë filozofi në pleqëri. Shumë njerëz humbin në rrjedhën e jetës, sepse nuk marrin guximin të thellohen mbi këtë konfliktualitet përbrendësor që duhet të shpërthejë si një vullkan. Është në natyrshmërinë e njeriut përsiatja, vrulli ndjesor që kërkon të gjejë udhë, duke u shkrirë si flori për të hequr skorjet dhe për të na dhënë një esencë që shkëlqen dhe vlen sa të jetë jeta.
Bëj asgjë
…çdo gjë që nuk rroket dot nga arsyeja, atëherë ose është e parëndësishme, për të cilën nuk kemi nevojë, ose nuk ekziston fare, dhe si e tillë duhet hedhur pas krahëve. (42)
Shenjtërimi i arsyes prej modernitetit si përmasa kyçe verifikuese e saktësisë përmes metodës eksperimentale ka përjashtuar shumëçka nga vlerat në jetën reale, me të vetmin justifikim; nuk është e saktë shkencërisht. Arsyeja është dhuratë e çmuar për njeriun, por si çdo gjë njerëzore është e kufizuar dhe jo shteruese në shpjegimin e çdo çështje. T’i japim vendin e duhur dhe për gjërat ku arsyeja është e pafuqishme për shpjegime ta lejojmë të dorëzohet dhe të pranojë pafuqinë e saj. Vetëm kështu njeriu do të gjejë paqe me veten dhe do të shpëtojë nga andralla pa fund.
Një përrallë, pastaj shumë përralla
Përrallat na kujtojnë se njeriu është çfarë ndien, do dhe imagjinon, e jo çfarë thotë dhe vepron, pasi këto të fundit janë të kufizuara nga rrethanat, këto bija besnike të kohës dhe hapësirës. (46)
Gjuha e njeriut shpesh diktohet nga rrethanat ku gjendet dhe çfarë mban zemra jo gjithmonë shprehet. Ka stepje në atë që njeriu flet, pasi në shumicën e herëve njeriu i ruhet keqkuptimit të atyre që e rrethojnë, i druhet humbjes së miqve dhe kësisoj detyrohet të gdhendë fjalën dhe veprën. Jo se këto nuk duhen gdhendur, por kur gdhendja bëhet në kushte dhe rrethana detyruese, pjesa më e pashprehur e njeriut fluturon tek sajesat e imagjinatës, alegoria me botën e gjallesave dhe krijesat mitike pas të cilave fshihen mrekullisht emocione, ndenja, përshtypje, karakterizime personalitetesh të cilat kumtojnë një botë tjetër, që pasi është endur bukur gjatë në brendësinë e njeriut ia ka dalë të gjejë rrugën për në botën e fakteve.
MURET
Vetëm fjala mundet me na mbrojtë prej fjalës
Ishte fjala e tre mashtruesve ajo që e magjepsi mbretin e përrallës së Andersen-it, dhe ishte po fjala që e çmagjepsi dhe i bani të mundur me u kujtuar se ishte lakuriq: “Mbreti qenka lakuriq!” (53)
Fjala ka fuqi të jashtëzakonshme. Timbri e bën të veçantë dhe të pazëvendësueshëm pushtetin e saj. Njeriu e ka pushtetin e fjalës, por vlera e saj qëndron tek qëllimi. Në pastë qëllime djallëzore njeriu i zhveshur nga morali nuk kursehet të përdorë një fjalor të ëmbël e magjepsës për të realizuar qëllimet e tij. Në qoftë shpirtmirë e zemërgjerë fuqia magjike e fjalëve të ëmbla do të zbutë zemrat e çorientuara nga ligjërimi djallëzor dhe do t’iu kumtojë të vërtetën pa zbukurime dhe miklime trullosëse.
Kur të vjedhin emrat
Heidegger–i qaset gjuhës si “shtëpia e qenies”. Kur një ideologji merr pushtetin politik dhe vendos për një “transplant” të disa prej organeve kryesore të gjuhës, siç janë emrat, atëherë kjo shtëpi është boshatisë dhe na kanë mbetë vetëm muret. (58)
Ideologjitë janë çdoherë kërcënuese të lirisë. Kudo ku vendosin pushtetin e tyre, njeriu dhe shoqëria i nënshtrohen tjetërsimit. Qëllimi është ripërcaktimi dhe dhënia formë njeriut sipas kallëpit ideologjik, sepse kështu manipulohen dhe sundohen lehtësisht. Ideologjitë përpiqen të fshijnë kujtesën historike, trashëgiminë e vlerave, njerëzit e rëndësishëm që kanë spikatur me potencialin dhe sakrificën e tyre në shërbim të vendit, sepse për ideologjitë historia e lavdishme nis dhe mbaron me to. Ideologjitë e thajnë shpirtin krijues të njeriut. Nëse njeriut i heq lirinë e ke zhbërë si të tillë dhe pasandaj përmes frikës shtëpinë ku ai banon ta kthesh në burg, ku edhe mirëqënia më e madhe do të ishte vuajtje e pamatë.
Të rimendosh kuptimin e filozofisë
Në të gjitha traditat, sa në Lindje e sa në Perëndim, në trajta nga më të larmishmet si: në përralla, legjenda, mite, besime, bestytni, gojëdhëna, letërsi e shumë domene të tjera, do pikasim me një lehtësi mbresëlënëse dëshminë madhore se njeriu është trup dhe shpirt. (68)
Tradita është e pakohë dhe e pavend edhe pse përsiatja mbi të zhvillohet në kohë dhe hapësirë. Rrethanat jetësore ndryshojnë, por dilemat ekzistenciale e shoqërojnë ngaherë. Në përpjekje për të gjetur hapësirat e përgjigjeve për të përballuar realitetin jetësor, urtitë e vjetra duhen rianalizuar për të dalë me sinteza të cilat do ta ndihmojnë njeriun të orientohet në detin e dallgëve bashkëkohore.
Ridiskutim mbi metodën
…roli i një autori është të përpunojë esencën, ta hollojë, pasi pjesa më e madhe e njerëzve nuk e përtypin ndryshe, prandaj lind nevoja që një e vërtetë e caktuar të vishet me një ngjarje. (73)
Dija është dhuratë. Thellimi në të është privilegj. Nuk sakrifikon kush për dijen përveç atyre që janë të dashuruar me të. Shumica as që do ta marrin mundimin të ulen e të lexojnë gjërat më bazike. Të tjerë syresh nuk duan të thellohen në dituri sepse e quajnë humbje kohe dhe humbje kohe do të thotë humbje e parave. Për t’i bërë më të afërt principet me masën e njerëzve të diturit duhet të jenë të urtë e të matur, e nëse nuk janë të tillë nuk janë as të ditur dhe as kanë për t’i dhënë njerëzve shenjat e udhëve të tokës dhe të qiellit.
Të çlirohesh nga autoriteti
Sa më shumë të zërë vend brenda qenies një autoritet i caktuar, aq më e thellë bëhet kriza. Sikundërse sa më shumë të pavarësohemi nga autoriteti, aq më shumë do e jetojmë lirinë, që është gjendja në të cilën lindim. (81)
Njeriu është qenie që është krijuar për të qenë i lirë, por jo të gjithë e mbajnë peshën e lirisë, prandaj është i prirur për ta dorëzuar lirinë tek autoriteti dhe të çlirohet nga frika e përgjegjësisë së vendimeve. Sa më shumë t’ia besojë jetën e vet autoritetit, aq më shumë e humbet jetën. Autoriteti kënaqet nga ushtrimi i shtypjes ndaj të palirëve, ndërsa të palirët ndihen të mikluar që autoriteti u kushton vëmendje dhe shtypja ju duket dhurata më e madhe që marrin prej tij. Janë verbërisht të bindur ndaj autoritetit. Nuk dyshojnë në vërtetësinë e premtimeve të tij dhe janë të gatshëm për çdo sakrificë për të rënë në sy të autoritetit si më të devotshmit në shërbim ndaj tij. Qenie të tilla nuk mund ta vlerësojnë asnjëherë lirinë, për rrjedhojë as jetën. Jeta e tyre ka kuptim vetëm kur marrin urdhëra dhe kur i zbatojnë urdhërat si misionin më të madh të jetës së tyre. As nuk duan të mendojnë dhe i tremben asaj fare të natyrshshmërisë që i grish hera – herës për të dalë nga kornizat. Kësisoj pa u çarë ende lëvozhga e farës së lirisë e asgjësojnë, duke asgjësuar vetë jetën. Pjesa tjetër është vetëm përmbushje ditësh mbi këtë botë.
Mbi lirinë, frikën dhe sigurinë
Asgja nuk zgjat përgjithmonë, as jeta, as ato vlera që bajnë dallimin midis të jetuarit dhe të gjalluarit. Ato duhen rifitu vazhdimisht, prej çdo brezi të ri, pikërisht si vetë jeta, që vazhdon falë brezit të ri! (85)
Pas 100 viteve jetë të tjera brezni do të trashëgojnë tokën. Njeriu reagon ndaj jetës, ashtu siç është formuar. Vlerat apo antivlerat nuk do të shuhen me ndryshimin e breznive. Ato do të vazhdojnë udhëtimin në këtë botë siç kanë bërë qysh nga thellësia e historisë. Çdo shekulli të ri i takon për detyrë të vazhdojë të qëndrojë në kufijtë e së mirës dhe së keqes. Përpjekja për të mbetur njeri është esenciale dhe pa këtë esencë jeta e njeriut nuk do të kishte kurrë aromë. Aq sa të zgjasë jeta, të jetojmë për të ndjerë aromat më të mira.
Mbi drejtësinë, lirinë dhe paqen
Qysh nga njeriu i parë e deri më sot, në një mënyrë apo në një tjetër ne vazhdojmë të përballemi me sfidën për të zgjedhur ndërmjet lirisë dhe lumturisë (sigurisë), gjë që e ka trajtuar me aq art e urtësi Dostojevski te Vëllezërit Karamazov, ku dialogu mes kryepeshkopit dhe Jezuit kulmon me “akuzën” e kryepeshkopit ndaj Jezuit: “Ti i ke mësuar njerëzit të jenë të lirë, por ata nuk e duan lirinë; ata duan të jenë të lumtur.” (93)
Pa liri nuk ka njeri. Është liria pa është njeriu i tillë, në të kundërt do të kishim tjetër histori. Kjo liri nuk mund të dalë në pah po qe se jeta do të kishte vetëm një përmasë. Duhet kontradikta mes të kundërtave, vlerave dhe antivlerave që njeriu të njohë, kuptojë dhe çmojë lirinë. Të jesh i lirë është barrë e rëndë, prandaj shumica e braktisin atë në emër të sigurisë. I tremben së ardhmes dhe duan që të kenë garanci bukën. Liria që kuptohet si liri për të mbushur stomakun është keqkuptim fatal për njeriun, sepse lumturia nuk do të perceptohet më si paqe shpirtërore, por si kënaqësi e stomakut dhe përfundimi nuk do të jetë aspak ai i dëshiruari.
Mbi kujtimet dhe historinë
Lufta dhe paqja, apo Të mjerët janë edhe libra historikë, por duke qenë se nuk kanë qëllim një gjurmim “sistematik” faktesh, ato na lidhin me thelbin njerëzor në kushtet e historisë, domethënë në kushtet e kohës dhe hapësirës. (97)
Njeriu bën historinë e tij. Kalimi i viteve e ndërton atë. E në gjithë historinë e përpjekjeve mbi tokë, njeriu shpalos atë çfarë mban së brendshmi. Shprehja e shpirtit njerëzor përmes veprimeve nuk mund të jetë një kronologji e ftohtë ngjarjesh. As edhe një renditje gurësh mozaikë. Historia e njeriut si qenie gjen më shumë hapësirë tek arti i letërsisë, sesa tek vetë historia. Përtej të gjitha ngjarjeve që ndodhin në jetën njerëzore, episode të caktuara janë ato që lënë gjurmë, aq sa dhe harresa nuk mund t’i fshijë prej shpirtit njerëzor. Dhe është pikërisht kjo lënda prej së cilës përpunohen dhe dalin në dritë vepra të mëdha letrare pavarësisht subjektit historik që mund të shtjellojnë. Ndryshe arti i tyre do të ishte një hiç dhe nuk do të ngjallte asnjë emocion njerëzor tek lexuesi. Përtej kohës dhe hapësirës ku ndodhin të gjitha ngjarjet, përmasa shpirtërore e vlerave njerëzore nuk njeh as kohë dhe as hapësirë dhe kthehet në burim të pashtershëm të përpjekjeve për të njohur njeriun.
Personazhe në udhëkryq
Personazhe në udhëkryq, pa të nesërme, pa të djeshme. Personazhe pa bindje, pa peshë, si një zarf në stuhi. (99)
Ideologjitë dhe sistemet politike që kanë si qëllim parësor sundimin me çdo mjet, nuk duan njeriun me personalitet, me principe dhe vlera që i japin peshë njeriut në vetvete dhe në shoqëri. Principet janë të shenjta dhe kushdo që e jeton jetën nën hijen e tyre nuk mund të luhatet si lavjerrës. Njeriu ka një të shkuar, ka një gjenealogji vlerash. Nuk mund të jetë qenie që mbin nga kërpudha. Trashëgimia që i rrjedh ndër deje i jep edhe më shumë peshë e rëndësi. Është i qartë se nga vjen dhe i kthjellët se për ku shkon. Nuk përhumbet në udhëkryqe ideologjish derisa t’i soset jeta.
Jo përmes meje
Thellë-thellë të gjithë e dimë se çfarë duhet me ba, se nga me ia fillu, por ngaqë nuk na pritet, ngaqë na soset shpejt durimi, ndjekim rrugën e shkurtër, kërkojmë me ndryshu botën, me shpresën se bota ka me na ndryshu edhe ne! (104 – 105)
Një nga mangësitë e njeriut, mungesa e durimit. Durimi është virtyt i lartë dhe jo të gjithë kanë durim për të patur durim. Proverbi na thotë se rruga e shkurtër të nxjerr gjatë, duke vënë në pah vlerën e durimit dhe njëkohësisht rëndësinë e ndryshimit të ngadaltë, por të gdhendur fort përgjatë jetës. Kushdo që ka nxituar për të marrë frute përpara stinës së pjekjes së tyre ka shijuar vetëm thartësirë dhe hidhtësi. Mungesa e durimit është dërrmuese për njeriun. Pa durim, pa pritje, ka vetëm rrugë të shkurtra dhe të shpejta që çojnë drejt rrënimit.
Dizajn: si ta shndërrosh shpirtin në trup
Sa më shumë joshje aq më pak arsyetim, aq më pak mendim. Sa më shumë joshje, aq më shumë tufëzim, aq më pak individualitet. (108)
Arsyeja është dhuratë e çmuar për njeriun. Të menduarit është një akt i lartë analize dhe sinteze. Jo çdokush ecën rrugës së vështirë. Syresh duan përjashtësinë dhe shkëlqimin e rremë të gjërave të jetës. I nënshtrohen fuqisë së grupit shoqëror dhe ndihen më rehat si pjesë e tij sesa si individualitet dhe personalitet. Joshja që gjërat e rreme i bëjnë shpirtit njerëzor e topitin arsyen, ia humbin individualitetin, gjenealogjinë e vlerave dhe e shndërrojnë në pjesë amorfe të masës.
Petkat e realitetit
Në njifarë mënyre, realiteti është si uji, i cili merr trajtën dhe ngjyrën e enës në të cilën hidhet. Kjo enë është fjala. (113)
Fjala bëhet shtëpia në të cilën banoni – thoshte dikur Hafizi. Njerëzit e lexojnë realitetin sipas natyrës së zemrave dhe shpirtërave që kanë. Nëse njerëzit flasin mirë do të përpiqen të shohin nga jeta anët e saj të bukura. Nëse do të flasin keq do të shohin vetëm anët e vështira dhe të errëta të saj. Gjendja në të cilën gjendet njeriu ndikon në pozitivitetin apo negativitetin e mendimeve të tij, për rrjedhojë edhe në realitetin jetësor ku jeton.
Kulturizëm
Nëse duam të dimë se cili është botëkuptimi i një komuniteti/shoqërie, shihni se cila është ndërtesa qëndrore e vendit/qytetit të tyre. Por, përveç kësaj, duhet të shihni edhe a është funksionale ajo ndërtesë apo e kanë kthyer në muze. E nëse ka ndodhë kjo e fundit, atëherë qendra është zhvendosë, sepse paraprakisht kanë zhvendosë botëkuptimin. (117)
Proceset historike janë “të pamëshirshme” si mbi njeriun, shoqërinë, ashtu dhe urbanistikën. Idetë janë ato që vendosin në lëvizje njeriun dhe historinë. Sa më pranë natyrshmërisë idetë mbi mënyrën e të jetuarit, aq më ruajtës i traditës është njeriu. Sa më i korkolepsur me ideologji që ushqejnë hedonizmin, aq më shkatërrues i traditës do të jetë.
Kur zbulimi është mbulim
Format më të thella të komunikimit janë pa fjalë. (121)
Fjala është ura përmes së cilës njeriu komunikon me tjetrin. Ura mbart thellësinë shpirtërore të njeriut dhe shpreh në të gjithë elementët e saj ngarkesën emocionale të qenies që flet. Përtej fjalëve ka gjithnjë gjendje që nuk mund të shprehen përmes tyre, pasi fjalët shpesh shterin para stuhive shpirtërore. Do të mjaftonte një shikim, një gjest dhe gjithçka do të shprehej më së miri në heshtje, në heshtjen e thellë të shpirtit pa fjalë.
VOTRA
Kujtesë për Kujtesën
Kështu është fare e kuptueshme ajo që thotë Borges-i, se të gjithë mësuesit e mëdhenj të njerëzimit kanë dhënë mësime gojarisht, sepse kujtesa ruhet duke i përmendur vetes dhe njëri-tjetrit të tjera gjëra nga ato që i takojnë rrjedhës së përditshme, pra jo vetëm duke i shkruar ato, por duke i biseduar. (127)
Që nga koha kur njeriu filloi të përdorë shkrimin, u duk sikur humbi vlera e kujtesës njerëzore që përcillet gojarisht nga një brez në tjetrin. Shkrimi ka rëndësinë e vet, por edhe mësimi i moralit përmes eposit, baladave, këngëve, përrallave, rrëfenjave, tregimeve, proverbave, historive të rrëfyera plot ngjyra e pasion, ka patur dhe do të ketë vlerën e vet në edukimin e njeriut dhe ruajtjen e kulturës. Përmes shkrimit është më e lehtë ruajtja e kulturës, kurse përcjellja gojarisht e saj merr një tjetër vlerë. Njeriu që e përcjell brez pas brezi nuk është thjeshtë një kopjues shkrimesh të lashta, por përcjellës i një arti të hollë e të gdhendur në shpirtin njerëzor.
Vetëkënaqësi dhe mbijetesë
Shtëpitë braktisen gjithnjë e më shumë, duke u shndërruar në dhoma hoteli, kurse aeroportet, metrotë, stacionet e trenave dhe autobuzëve banohen përherë e më shumë nga individë të ngarkuar me vetmi, që duan vetëm të ikin. Me të mbërritur diku, sërish duan të ikin. Destinacioni për ta është vetëm një justifikim, ose një maskë për atë që s’janë në gjendje ta tregojnë. (131)
Shtëpia ëshë hotel. Ide që ka bërë vendin e saj tashmë në shoqëri dhe për rrjedhojë njerëzit nuk po e shohin më shtëpinë si vendin e dashurisë, sakrificës, debatit, faljes, butësisë, përkujdesjes. Shtëpia nuk është vendi ku t’i pushon dhe nuk të thotë njeri çohu e dil prej këtu. Shtëpia është vendi me të cilin të lidhin shumë gjëra, pa të cilat jeta është nonsens. Shtëpia nuk duhet të jetë vendi ku këmbët të çojnë me përtim. Rrjedha e ngjarjeve bashkëkohore nuk duhet të na heqë kënaqësinë e shtëpisë si frymë, si dashuri e përkujdesje. Muret dhe madhështia e jashtme nuk kanë rëndësi nëse brenda tyre nuk ka frymë. Jeta që gjallon brenda mureve të shtëpisë nuk mund të kërkohet ndër vende të tjera.
Çdo utopi përfundon në distopi
Planifikimi, sipas të gjitha gjasave, është kërcënimi më i madh ndaj lirisë, dhe për pasojë edhe ndaj jetës. (133)
Thelbi i njeriut është liria. Jeta e njeriut duhet të rrjedhë si uji që në lirshmëri çan udhën e tij dhe pikturon peizazhet jetësore si mozaik shumëngjyrësh. Sistemet politike që i tremben fuqisë së lirisë së njeriut përpiqen të orientojnë energjinë njerëzore drejt skemave të caktuara, në mënyrë që kreativiteti i njeriut të konturohet sipas planit që vjen nga lart, nga autoriteti sundues i shoqërisë që në fund të ditës ka interes vetëm për të zgjatur sundimin. Planifikimi mund të nxjerrë një shfaqje perfekte të njeriut në shoqëri, por është shfaqje pa shpirt. Jeta pa shpirt është e zymtë sado “arritje cilësore” të shënojë sistemi politik në tabelën e sukseseve.
Nga njëri kafaz në tjetrin
Nëse nuk jemi të drejtë, nuk do të na ndahen “reformat” nga shpina…(138)
Shoqëria ndryshon. Bota ecën para. Tabutë duhen thyer. Nuk jemi në kohën e Baba Qemos. Duhen reforma. Vetëm reformat do të na çojnë përpara. Ecja përpara duket si ishull i largët ku duhet mbërritur me patjetër dhe nuk ka rëndësi se si. Duke rendur pas reformave gati të të gjitha fushave të jetës, harrohet apo bëhet sikur se vlera e reformave nuk mund të qëndrojë aspak pa qenë njeriu i drejtë. Dhe njeriu i drejtë nuk ka nevojë për reforma për t’u bërë më i mirë. Vetë drejtësia është themeli, rrënja. Nëse një pemë ka rrënjën e kalbur sado krasitje dhe spërkatje me preparate t’i bësh, nuk ka për të dhënë kurrë frutet që dëshiron.
Ndërmjet komedisë dhe tragjedisë
Fatkeqësia më e madhe për një shoqëri është një elitë e cila u imponon njerëzve një mënyrë tjetër të menduari dhe (si rrjedhojë) të jetuari; domethënë, që i mbivendoset shoqërisë dhe karakterit të saj jo që ajo të bëhet më e mirë, por më e ndryshme. (143)
Në shoqërinë ku elita bëhet njësh me pushtetin autoritar shoqëria merr goditjen e knockout. Elita kulturore parimisht duhet të jetë opozita më e fortë e çdo sistemi politik, po veçanërisht e sistemeve totalitare. Është ajo që duhet të mbjellë farat e rezistencës ndaj sundimit dhe tjetërsimit të njeriut për interesa të sistemit politik. Kur elita zgjedh të shpëtojë lëkurën e vet, atëherë çdo produkt i saj do të jetë politik. Shoqëria nuk do të drejtohet nga thelbet, por do të drejtohet drejt hijeve që elita do t’i trajtojë si vetë e vërteta. Si rezultat do të kemi një shoqëri që nuk korrigjon dhe përmirëson veten me ndërgjegje të lirë, por një shoqëri që ndryshon për të mirën e sistemit politik në aleancë me elitën kulturore.
Mjegulla nuk është aleatja e ujkut
…si mundesh me e dashtë botën kur nuk don vendin tand? (148)
Shumë syresh rendin ta kryqëzojnë vendin e tyre, duke e cilësuar si të mjerë dhe të pamerituar për të ndërtuar jetën. Ushqejnë antipati të vazhdueshme ndaj shtëpisë së tyre, sepse vendi është shtëpia, dhe ngrejnë në qiell jetën në vende të tjera. Vendi ku lind e rritesh nuk është thjesht një pjesë toke. Është vetë jeta. A mund ta urresh veten dhe të duash tjetrin më shumë se veten? Kush nuk do veten, nuk mund të dojë as tjetrin. Të duash veten nuk do të thotë të mahnitesh me të dhe të kalosh në delir. As nuk duhet kaluar në kompleks inferioriteti, pasi çdokush në këtë botë ka vendin dhe fatin e vet.Para se të jemi internacionalistë duhet të duam shtëpinë tonë. Dhe nëse e duam me dashuri të pastër, nuk do ta vjedhim e plaçkitim si kaçakë të krisur e të pabindur.
Dukja, trupi dhe turpi
…nuk ka rëndësi se si je, por si dukesh…(149)
Ditët e sotme janë tepër sfiduese në pjesën e dukjes. Vlerësimi dhe pranimi nga opinioni publik varet shumë nga mënyra se si dukesh, se si prezantohesh. Njerëzit gjykojnë tjetrin që nga mënyra se si vishet, se si ushqehet, nga pasuria që zotëron dhe nga mënyra se si e prezanton në publik fuqinë e pasurisë. Në qofsh në rregull me metrin vlerësues të opinionit publik je për në piedestal, në të kundër nuk vlen një grosh. Është një trysni e jashtëzakonshme për njerëz të cilët vuajnë të jenë me patjetër në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe të marrin lavdet e tij. Në e paç këtë qëllim, sido që të ndihesh, do ta detyrosh veten të sillesh në shumë mënyra të cilat jo që nuk e ndihmojnë mirëqënien shpirtërore, por e sakatojnë nga të gjitha drejtimet derisa t’i nënshtrohesh tëhuajësimit.
Fetarë pa fetari
Ka nji prirje dhe nji përpjekje për me e ba fenë pjesë të kulturës masive apo të botës së spektaklit. (152)
E shenjta duhet të mbetet dhe të nderohet si e tillë. Nuk mund ta zbresim nga froni dhe t’ua shërbejmë masave ashtu siç masave iu pëlqen ta shohin të shenjtën. Kompromiset janë për të gjetur zgjidhje mes njerëzish, dhe jo për të përshtatur të shenjtën me shijet e masës. Nuk është e rëndësishme se sa do ta besojnë dhe ndjekin të shenjtën, por si ta do kuptojnë dhe jetësojnë atë që kërkon e shenjta për të qenë njeri. Spektakli, fanfarat, banderolizimi nuk i shkojnë bukurisë së të shenjtës, pasi çfarë është e bukur pa ndërhyrjen e njeriut nuk ka nevojë të zbukurohet nga njeriu.
Fjalë që vuajnë nga mungesa e përdorimit
“Caqet e gjuhës sime janë dhe caqet e botës sime”, na kujton Wittgenstein-i. (156)
Njeriu është i kufizuar si qenie. Gjuha e folur dhe e shkruar është tipar shques i njeriut. Megjithëse dëshira e njeriut është që të zotërojë dhe shprehë shumë disiplina studimi, mbetet gjithmonë i kufizuar. Fjalët janë të kufizuara dhe shkojnë në përputhje më gjerësinë e botës personale. Çdokush shpreh prej vetes aq sa e pasur është edhe gjuha e mësuar prej tij, për rrjedhojë njeriu e ka të pamundur ta dalë nga një botë ku çdoherë që mendon se ka kaluar një cak, shfaqet sërish një cak tjetër që e përqarkëson. Sa më i gjerë caku, aq më larg sheh njeriu. Sa më i ngushtë caku, aq më vështirë e ka njeriu të njohë.
V.ANDRRAT
Etika dhe estetika përbëjnë një binom
Është qëllimi, domethënë aspekti etik, që përcakton mandej edhe dukjen, pra aspektin estetik. (162-163)
Çdo vepër varet nga qëllimi, madje edhe vetë jeta. Qëllimi përcakton mënyrën e të jetuarit dhe mënyra e të jetuarit përcaktohet nga idetë që njeriu beson dhe i ka ontologjike. Qëllimi i pastër dhe i sinqertë e ngre etikën në shkallën më të lartë të vlerës. Etika e nivelit të lartë bën që dhe estetika të jetë e zbukuruar me ngjyrat shpirtërore të etikës. Kushdo që dëshiron jetë të bukur, duhet të pastrojë qëllimin.
Kush janë personazhet e Hockney-t?
Nuk ka asgjë tërheqëse – kjo është tërheqja. (167)
Njeriu është i prirur të ndjekë mistiken si një përçapje drejt asaj pjese të jetës që nuk është shpalosur ende përmes gjërave të njohura. Ajo ushtron një tërheqje magnetike ndaj njeriut duke e çuar shtigjeve të reja. Po çfarë ndodh me njeriun kur gjithçka bëhet e vjetër? Kur nuk ka më asgjë nga jeta e kësaj bote që ta grishë për diçka më të lartë se konsumi material? Atëherë kjo është tërheqja e cila e vë njeriun në lëvizje për këtë mungesë të mistikes në jetën e përditshme. Shqetësimi për mungesën e saj me siguri do ta tërheqë shpirtin njerëzor në udhën e parëhershme.
Fluturimi i Chagall-it
Por, mesa duket, personazhet e Chagall-it nuk i besojnë kësaj parajse në tokë, ndaj dhe fluturojnë, duke iu dhënë Qiellit. (172)
Ëndrra e vjetër e njeriut është Qielli. Edhe pse jeta mbi tokë e tërheq njeriun me zbukurime që e ftojnë për ta shijuar atë, shpirti njerëzor mbetet gjithmonë i uritur për të ecur rrugëve të qiellit. Sado mirëqenie të zotërojë njeriu dhe sado i dehur të jetojë në të, ka gjithmonë diçka që e ngacmon dhe e bren së brendshmi. Është kjo parehati shpirtërore që e bind se ëndrrat me parajsë tokësore praktikisht janë të pamundura. Dhe atë që njeriu nuk e gjen dot në tokë e kërkon në Qiell. Prandaj fluturimi është çlirim i shpirtit nga përmasa biologjike e trupit. Materia i kthehet tokës, shpirti Qiellit.
Para shkrepjes
Por, a buzëqeshim kur buzëqeshim teksa bëjmë një foto? (178)
Buzëqeshja është bukuri e njeriut. Ajo shpreh botën shpirtërore dhe karakterin e njeriut. Pas një buzëqeshje qëndron një shpirt i pastër, i sinqertë, i gëzueshëm, por mund të qëndrojë dhe një shpirt tallës, qesëndisës dhe hipokrit. Pavarësisht gjendjes shpirtërore dhe karakterit, njeriu përpiqet të buzëqeshë kur del në foto. Është një e dhënë që tregon shumë për atë çfarë njeriu ka realisht nevojë në jetë. Edhe pse shpesh buzëqeshjet në foto janë një tentativë për të buzëqeshur në çast, duhen përpjekje që buzëqeshjet të mos jenë vetëm për foto, për dukje dhe momentale. Duhet punuar me mirësi që të qeshë shpirti dhe jo vetëm buzët e sforcuara.
Konak
Gjendja e paqtë e mjediseve të brendshme (home) po bëhet çdo ditë e më shumë një luks që e gëzojnë pak njerëz…(181)
Mishmashi shoqëror në epokën e mbizotëruar nga ethet materialiste ku boshti qëndror është rendja për të shijuar jetën në përmasën biologjike me shpresën se do të përfitohet edhe diçka në atë shpirtërore e ka trazuar njeriun aq shumë saqë gjendja e paqtë është bërë si uji në shkretëtirë. Kjo pasqyrohet kudo ku shkel këmba e njeriut modern. Ankthi dhe trazimi i vazhdueshëm shpirtëror e bën të mendojë se tjetri është problemi, ngaqë njeriu që principet i ka mall vitrine justifikon veten. Kësisoj të qënit në paqe me veten është një gur i çmuar që gjendet rrallë.
VI. MUGUJT: FILLIM PRANVERE NË OBORR
…me lexu don me thanë ma shumë Dritë. (186)
Padija është errësirë që njeriun e bën të jetojë me iluzionin se dija është e panevojshme për një jetë të ndriçuar së brendshmi. Njeriu u lartësua në sajë të diturisë dhe nuk ka rrugë tjetër përveç dijes së njëmendtë për të ecur i ndriçuar edhe në anën e patreguar të hënës. Mësimi është mënyra, leximi është rruga, kuptimi është metoda dhe përcjellja e dijes tek brezat e rinj është jeta. Të lexuarit është fuqia që çel portën e dritës. Sa më shumë lexim, aq më shumë çelen kanatet.
Shpeshherë e sakrifikojmë të tashmen tonë për hir të nji të ardhmeje që nuk vjen kurrë siç e parashikojmë. (190)
E ardhmja mbetet sfida e njeriut. Mendimet e tij shkojnë tek përfytyrimi se si do të jetë dhe energjinë e tij rinore e shkrin për të ndërtuar një të ardhme që asnjëherë nuk vjen ashtu si e projekton. Këtë e kupton jo shumë herët, por tashmë vitet më energjike kanë shkuar bashkë me shqetësimet e projekteve të kështjellave mbi orën me rërë të së ardhmes. Mbetet realiteti dhe përvoja. Prandaj sa më shumë kalon jeta aq më shumë njeriu fokuset tek e tashmja, sepse as e shkuara nuk mund të ndryshohet dhe as e ardhmja nuk mund të kontrollohet.
Jo çdokush mund të rrëfejë. (197)
Shumë syresh i mbushin mendjen vetes se mund të jenë të zotë në artin magjik të oratorisë. Rrëfimi, kumtimi, tregimi nuk është një ripërsëritje e thjeshtë e asaj që ke lexuar. Mund të jetë edhe e tillë nëse i qëndron besnik të mësuarit mekanik, por rrëfimi, kumtimi, tregimi do të jenë tepër të thatë dhe pa kurrfarë shije. Të rrëfesh do të thotë të përfshihesh, të ndjesh në zemër rrëfimin, të hysh në lëkurën e shkrimtarit, artistit, oratorit, filozofit, psikologut, historianit, shkencëtarit. Çfarë del nga zemra shkon në zemër. E jo të gjithë flasin me zemër, prandaj shumë flasin, por pak rrëfejnë e kumtojnë.
Nji përkthyes i mirë nuk përkthen thjesht fjalët, por kuptimet. (200)
Përkthimi është art jo i lehtë. Në epokën digjitale po ndodhin ndryshime që as ishin menduar më herët, por në përkthimin e shpirtit njerëzor teknologjia nuk është në domenin e vet. Përkthyesi mjeshtëror e bën një autor të flasë sikur të ishte rritur me gjuhën në të cilën përkthehet. Përkthyesi është një autor i dytë, pasi në veprën e përkthyer tashmë ka lënë gjurmët e veta edhe shpirti i tij. Kësisoj vepra e përkthyer do t’i shërbejë më mirë kulturës së lexuesit, pasi do t’i vijë më natyrshëm, më pranë pamësisë botëkuptimore. Duhen vlerësuar mjeshtrat e përkthimit.
Qytetërimet janë në nji garë të pashmangshme me njëri-tjetrin, ndërsa kulturat kanë vetëm nji garë: me vetveten. (202)
Qytetërimet janë në garë me njëri – tjetrin për të treguar fuqinë e zhvillimit të gjërave tokësore. Shkenca, teknika, financat, në shumicën e kohës janë përdorur për të zgjeruar territore, urbanizim, objekte madhështore në arkitekturë si shenja të fuqisë së tyre. Ndërkohë kultura nuk shqetësohet dhe aq për madhështinë e materies. Asaj i intereson njeriu, personaliteti i tij, vlerat dhe principet që i bëjnë të mundur njeriut të jetojë në paqe dhe harmoni me veten dhe kozmosin. Thënë ndryshe, njeriu është në garë me tjetrin për zotërim pasurie kur mendimi i tij është materialist, dhe është në garë me veten kur idetë e tij janë metafizike.
…dashuria është e mundur vetëm në sajë të dashurisë. (207)
Dashuria është e rrethuar me mjaft gjëra materiale, duke besuar gabimisht se ajo qëndron në këmbë në sajë të tyre. Dashuria ndaj materies është natyrore tek njeriu, por dashuria e njëmendtë që të bën njësh me Qiellin, që të bën të bësh sakrifica që për materien nuk do të bëheshin kurrë është e mundur vetëm në sajë të kuptimit të njëmendtë të vetë dashurisë si esenca e shpirtit. Shpirti është esenca e njeriut, është jeta. Pa jetë nuk ka dashuri, po edhe pa dashuri nuk ka jetë.
Pema dhe hija e saj nuk janë e njëjta gjë. (210)
Hija është përkthyese e origjinalit. Ajo i ngjan në formë origjinalit, por esenca është tjetërkund. Në këtë botë ku dyert e perceptimit shqisor janë të kufizuara ndodh shpesh që njeriu të rendë pas hijeve. Është rendje ku njeriu shter energjitë dhe harron të ndalet e të mendojë mbi idetë. Harron të ndalet e të meditojë mbi atë që i jep jetë dhe dritë. Xhelaludin Rumiu na thotë: “Nëse je duke kërkuar dritën, ndalu. Ti mund të jesh vetë drita”
Ata që nuk nderojnë paraardhësit e tyre, nuk duan t’ia dinë as për pasardhësit. (211)
Shumë syresh sot e shpërfillin trashëgiminë e brezave të kaluar, qoftë kjo edhe e paraardhësve të tyre në linjë gjenealogjike. Të yshtur nga idetë e të ecurit para dhe të lënit pas të së vjetrës, të mikluar nga forca që paskan për të thyer tabutë e së kaluarës dhe për t’u hedhur pa kushte në krahët e së resë, kanë humbur shumëçka nga nderimi i trashëgimisë së të parëve. Njerëzimi ka mbërritur këtu ku është sot në sajë të qindra e mijëra supeve të paraardhësve. Ndoshta do të ishte shumë më para nëse në periudha të caktuara nuk do të kishte shkatërruar të vjetrën në emër të ndërtimit të së resë. Ata që e bëjnë këtë jo vetëm që nuk kanë për të ecur para, por nuk kanë për të lënë as edhe një botë më të mirë për pasardhësit e tyre. Nderimi ndaj paraardhësve, ndaj virtyteve të tyre dhe kritika e drejtë ndaj gabimeve të tyre, është kusht që të ndërtohet një brez që do të jetë një shkallë e fortë mbështetëse për të patur një botë më të mirë dhe jo premtime boshe për një botë utopike.
Homeri ishte i verbër, por hodhi shumë dritë mbi njeriun, duke pa ma shumë se çdo poet tjetër. (214)
Verbëria e syrit e kufizon njeriun nga shumë gjëra në jetën e përditshme, por nuk ia shuan intuitën. Verbëria e vërtetë është ajo e zemrave, ku edhe pse sytë shohin nuk mund të depërtojnë në thellësinë e shpirtit njerëzor. Nga kjo e fundit duhet të ruajë veten njeriu.
“Fjala reformë shërben për të mbuluar një proces të fshehtë vjedhjesh të trashëgimisë kombëtare.” (Sollzhenjicin) (220)
Në emër të reformave pushteti politik i jep gjithmonë e më shumë mundësi dhe hapësira vetes që të gllabërojë atë që njerëzit kanë ndërtuar për breza të tërë. Në emër të premtimeve për të ardhmen e ndritur që na pret nën qeverisjen e aksh partie duhen patjetër reforma se ndryshe nuk ecet para. Dhe në fund reformat cënojnë apo shkatërrojnë pikërisht ato gjëra që i vështirësonin sundimin pushtetit politik, por ndërkohë terreni është përgatitur dhe masat nuk i kushtojnë rëndësi ndryshimeve, sepse presin të ardhmen e lumtur. Kur kthjellohen mbi vjedhjen e personalitetit, kulturës, pasurisë është tepër vonë. Disa zgjedhin t’i shërbejnë pushtetit, të tjerë pajtohen me fatin dhe pakica rebelimin ndaj vjedhjes së dinjitetit përmes reformave.
Disa prej poezive që nuk janë shkru asnjëherë, janë pikturu; sikundërse disa prej pikturave nuk janë pikturu asnjëherë, por janë shkru. (222)
Fuqia shprehëse e njeriut është sa e kufizuar, po aq edhe e paparashikuar. Bota shpirtërore është një mister dhe asnjëherë nuk jemi të sigurtë se çfarë gjërash të çmuara do të dalin prej llavës shpirtërore, apo se sa pasuri të tjera do të ngurtësohen si artefakte në muret e shpirtit për të pritur kohën kur muzat t’i nxjerrin prej aty përmes artit dhe formave të ndryshme të të shprehurit të tij.
Czeslaw Milosz shkon deri aty, sa thotë se, “armiku i vërtetë i njerëzimit është përgjithësimi.” (227)
Ekziston një prirje gati e përgjithshme për të bërë përgjithësime kur vlerësojmë një shoqëri, një komb, një krahinë, një fis, një fe. E keqja e përgjithësimeve është krijimi i një situate mbytëse dhe të pashpresë në mendjen dhe zemrën e njeriut. Duket sikur të gjithë i ka mbuluar e keqja dhe i vetmi që ka shpëtuar është përgjithësuesi që as vetë nuk e di si do t’i shpëtojë së keqes. Kushdo që lexon dhe njeh historinë, filozofinë dhe psikologjinë e popujve të shkuar, do të vërejë me patjetër se kjo botë nuk mund të jetë absolutisht e mirë, apo absolutisht e keqe. Është mejdan ku e mira dhe e keqja përpiqen të mbizotërojnë ndaj njëra – tjetrës. Kështu ka qenë dhe kështu do të mbetet. Prandaj njeriu nuk duhet të bjerë pre e përgjithësimeve, por të përpiqet të shohë të mirat e një shoqërie dhe të gjejë të ngjashmit e vet, edhe në qoftë se janë vetëm pak.
Fjala vjen, nëpërmjet pritjes së iftarit, agjërimi na kujton se durimi ose mundi i ka frytet e amla, se me jetu don me thanë me duru, e me duru nuk nënkupton me u dorëzu, por me vazhdu. (229)
Të jetosh nuk do të thotë të qëndrosh nën hijen e pemës dhe të presësh të të shërbejnë frutat më të zgjedhura. Jeta është një hapësirë ku njeriu vazhdimisht përpiqet t’ia dalë mbanë. Jo gjithmonë njeriu duhet të mësojë pasi e ka pësuar, sepse ka pësime prej të cilave ndoshta nuk mund të ringrihesh më. Historitë e popujve të kaluar na kumtojnë se jeta nuk t’i shërben frutet pa u lodhur, pa u djersitur, pa u munduar në sa e sa mënyra. Njeriu nuk duhet të humbë shpresën për të arritur në lartësinë e virtyteve, sepse asnjëherë nuk e di se në cilën ngjarje janë fshehur xhevahirët e mirësisë. Për këtë duhet durim dhe prandaj durimi do të thotë të ngrihesh e të vazhdosh sa herë rrëzohesh dhe humb. Kjo është fitorja që shumë njerëz e kanë aq pranë dhe iu duket aq larg.
Lotët e botës nuk reshtin. Sapo dikush nis me qa, nji tjetër kushedi se ku ka pushu së lotuari.” (Beckett, Duke pritur Godonë) (236)
Bota nuk mund të jetë njëngjyrëshe. Secili ka gurin e fatit të tij, që zë vendin e vet në mozaikun e jetës dhe përputhet mrekullisht me atë që i duhet njeriut për të qenë në koherencë me zbulimin e vetvetes. Prandaj fatet njerëzore janë kaq të ndryshëm dhe të padytë.
Jun 25, 2025 0
May 26, 2025 0
May 21, 2025 0
May 21, 2025 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Jun 26, 2021 0
Dec 08, 2020 0
May 21, 2025 0
Në kuadër të marrëdhënieve të mira ndërfetare dhe bashkëpunimit me institucionet fetare ndërkombëtare, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori...May 21, 2025 0
Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...May 21, 2025 0
Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...May 21, 2025 0
Abstrakt Ky studim përmbledh mësimet shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut lidhur me leximin dhe kuptimin e Kur’anit, duke u përqendruar në thellësinë e përvojës...