Perditësimi i fundit September 11th, 2025 8:31 AM
Sep 10, 2025 Zani i Nalte Filozofi 0
M.sc Artan S. Mehmeti
Abstrakt
El-Farabi, një nga mendimtarët më të mëdhenj të periudhës së artë islame, shquhet jo vetëm për thellësinë e tij filozofike, por edhe për ndikimin e gjerë që pati në shumë fusha të dijes si logjika, metafizika, etika, politika, muzika dhe kozmologjia. Edhe pse nuk ishte gjeograf në kuptimin klasik të fjalës, veprat dhe konceptet e tij teorike formuan një themel të fuqishëm për zhvillimin e gjeografisë si shkencë konceptuale dhe filozofike në botën islame. Qasja ndërdisiplinore që El-Farabiu e aplikoi në analizën e universit, qytetit, njeriut dhe natyrës, bëri të mundur një ndërthurje të thelluar mes mendimit filozofik dhe realitetit hapësinor. Ky studim synon të shqyrtojë ndikimin e El-Farabiut në formësimin e mendimit gjeohapësinor, duke analizuar kontributin e tij në ndërtimin e paradigmave teorike që shërbyen si pikënisje për shumë studiues të mëvonshëm në fushën e gjeografisë, urbanizmit dhe filozofisë natyrore.
El-Frabiu (870 – 950)
Ebu Nasr Muhammed el-Farabi, Lindi në një fshat në afërsi të qytetit Farab (qyteti Farab sot mban emrin Otar) që ndodhet në Kazakistanin e sotshëm. Ai ishte i njohur për veprimtarinë e tij në filozofi shoqërore dhe fetare, logjikë, psikologji, metafizikë, filozofi politike, etikë, muzikë, si dhe për studime në astronomi, matematikë, kozmos, fizikë, urbanizëm dhe gjeografi.
Edhe pse kontributi i El-Farabiut në gjeografi nuk është aq i drejtpërdrejtë sa në filozofi, logjikë apo muzikë, ndikimi i tij në zhvillimin e mendimit hapësinor dhe kozmologjik në botën islame është i rëndësishëm. Ai e trajtoi kozmologjinë e cila është e lidhur ngushtësisht me gjeografinë fizike, duke përshkruar strukturën e universit dhe lëvizjen e trupave qiellorë sipas modelit aristotelian-ptolemeik. Kjo ndikoi në formimin e një kuptimi shkencor dhe filozofik mbi hapësirën. El-Farabiu e analizoi në mënyrë të detajuar edhe organizimin hapësinor dhe social të qyteteve duke kontribuar në zhvillimin e shkencës së urbanizmit.
Në librin më titull “Risala fi’l-ʿAkl”, El-Farabiu zhvillon një trajtim të thelluar të intelektit, duke e ndarë atë në nivele dhe funksione, nga intelekti potencial deri te intelekti i fituar dhe ai aktiv. Sipas tij, vetëm përmes zhvillimit të intelektit njeriu mund të arrijë të kuptojë rendin e universit dhe të hyjë në një marrëdhënie harmonike me të. Ky libër është themelor për të kuptuar se si njohuria dhe mendimi racional ndikojnë në perceptimin e kozmosit. Këto teori ndihmuan në përfytyrimin e një universi të organizuar sipas parimeve të qëllimit dhe rendit, duke ofruar një kornizë konceptuale që ndikoi më vonë në zhvillimin e modeleve gjeografike dhe astronomike, si dhe në studimet e mjedisit.
Libri “Kalam fi Harakat el-Falak” i El-Farabiut shtjellon lëvizjet e trupave qiellorë në aspektin filozofik dhe shkencorë, duke ndërthurur me parimet e metafizikës. Ai përpiqet të ndërtoj një sistem kozmologjik të bazuar filozofin e Aristotelit dhe modelin e Ptolomeut, të harmonizuar nga ligjet e natyrës të cilat janë të lidhura ngushtë me parimet fetare. Sferat qiellore (planetët dhe satelitet e tyre), El-Farabiu i përshkruan si trupa të përkryer që lëvizin në rrugë rrethore të udhëhequr nga një Shpirt Qiellor, i cili vepron si burim i lëvizjes së tyre. Ai besonte se sferat qiellore lëvizin në mënyrë të përjetshme duke u përpjekur të imitojnë përsosmërinë e Zotit.
El-Farabiu kritikon disa elemente të sistemit ptolemaik, sidomos epicyclet dhe deferentët , të cilat i konsideron në kundërshtim me natyrën fizike të universit sipas Aristotelit. Në vend të tyre, ai propozon një vizion më koherent, ku metafizika, astronomia dhe logjika përbëjnë një tërësi të unifikuar. Përmes kësaj vepre, El-Farabiu kontribuon në themelimin e një kozmologjie filozofike islame që pati ndikim të thellë tek mendimtarët pasardhës si Ibni Sina dhe Ibni Rushd, si dhe në filozofinë mesjetare perëndimore. Kjo vepër mbetet një dëshmi e përpjekjes për të ndërtuar një dije ku shkenca dhe metafizika bashkohen në mënyrë të harmonizuar.
Në librin “Kitab el-Xham’ bejna Raʾjaj el-Hakimejn Aflatun el-Ilahi ve Aristotalis” El-Farabiu bënë një analizë të detajuar të filozofisë së Platonit dhe Aristotelit, duke u munduar për të krijuar një harmoni në mesë pikëpamjeve të tyre filozofike për natyrën e universit dhe vendin e njeriut brenda këtij universi. Kjo vepër ndihmoi zhvillimin e mendimit filozofik mbi universin, duke u bërë burim bazë edhe për studimet e më vonshme që pasuan në shkencën e astronomisë dhe kozmografisë.
“Kitab el-Musika el-Kabir”, në këtë libër ai nuk kufizohet në një trajtim të konceptit të muzikës, por përkundrazi ai e sheh atë si një pasqyrim të harmonisë që sundon në kozmos. Përmes analizës së strukturave muzikore, intervaleve dhe modaliteteve, El-Farabiu e identifikon një rend universal që ka analogji të drejtpërdrejta me rregullin e trupave qiellorë dhe të realitetit metafizik. Muzika, sipas tij, është një disiplinë që na lejon të kuptojmë lëvizjet harmonike të universit dhe të vetë shpirtit njerëzor. Në këtë kuptim, muzika bëhet një mënyrë e perceptimit të rendit kozmik dhe një formë e thelluar e dijes.
Në fushën e filozofisë politike dhe urbanizmit, El-Farabiu shkroi librin më titull “Kitab el-Madina el-Fadila”. Në këtë libër, ai e harton një model të qytetit ideal si pasqyrë e rendit kozmik. Ky qytet sipas tij është një bashkësi e ndërtuar mbi virtytin, dijen dhe bashkëpunimin racional, ku çdo individ kryen funksionin e tij në harmoni me qëllimin e përgjithshëm të bashkësisë.
Modeli i qytetit ideal i paraqitur nga El-Farabiu është i bazuar në dy shtylla të filozofisë aristoteliane: konceptin e formës (morf) si parim organizues dhe nocionin e qëllimit (telos) si drejtim evolucionar. Ky sistem teorik është i kombinuar me parime etike dhe metafizike të traditës islame. Sipas tij, qyteti ideal duhet të udhëhiqet nga një filozof i ditur, i cili, duke pasur njohuri të së vërtetës, orienton qytetarët drejt lumturisë shpirtërore dhe zhvillimit të plotë të potencialit të tyre njerëzor. Këto ide, të shprehura në veprën e tij mbi organizimin politik të shoqërisë, kanë lënë gjurmë të rëndësishme në studimet e mëvonshme të gjeografisë politike dhe urbanizmit. Në veprën e tij, ai e koncepton qytetin si një entitet dinamik ku ndërthuren ngushtë dimensionet fizike, politike dhe shpirtërore.
Në librin e titulluar “Kiab el-Sijasa el-Madanijja”, El-Farabiu analizon më tej marrëdhëniet midis shtetit dhe qytetarit, duke propozuar një qeverisje të bazuar në virtyte dhe dituri (arsimim), ku ligjet dhe institucionet shërbejnë për të realizuar rendin dhe mirëqenien shoqërore. Kjo vepër ka shërbyer si një burim i rëndësishëm për teoritë e mëvonshme mbi organizimin politik dhe urban, duke e lidhur drejtpërdrejtë filozofinë me praktikat e urbanizmit. Modeli i propozuar nga El-Farabiu nuk është thjesht teorik, por paraqet një kornizë praktike për organizimin e hapësirave urbane dhe jetën në qytete, ku arsimi dhe drejtësia janë parime udhëheqëse.
Në fushën e gjeografisë dhe marrëdhënies së saj me mjedisin, El-Farabiu kontribuoi përmes veprës së tij “Kitab el-Huruf”. Edhe pse kjo vepër është kryesisht një trajtim logjiko-filozofik mbi gjuhën dhe sqarimet e koncepteve, gjithashtu ka pasur edhe një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e mendimit gjeografikë dhe në kuptimin e marrëdhënies midis njeriut dhe mjedisit. Në këtë vepër, El-Farabiu trajton lidhjen ndërmjet gjuhës, koncepteve dhe realitetit, duke theksuar se përdorimi i termave ndikon drejtpërdrejt në perceptimin dhe organizimin e botës. Kjo qasje ndihmon formësimin e kategorive gjeografike si hapësira, vendi dhe kufijtë, duke sqaruar nocionet e “hapësirës”, “lëvizjes” dhe “ndryshimit”. Gjithashtu, vepra ofron një bazë teorike të gjerë për analizimin e marrëdhënieve midis njeriut dhe natyrës, si dhe kontribuon në strukturimin dhe sqarimin e koncepteve të mjediseve natyrore brenda kontekstit të filozofisë islame.
Në veprën “Kitab Ihsaʾ el-ʿUlum”, El-Farabiu propozon një klasifikim sistematik të të gjitha disiplinave të njohura të kohës së tij, duke përfshirë logjikën, matematikën, shkencat natyrore, metafizikën dhe shkencat praktike. Një nga disiplinat që ai i kushtoi një vëmendje të veçantë në këtë sistem ishte gjeografia, të cilën e sistemoi si pjesë integrale e shkencave që i studiojnë realitetin fizikë dhe hapësinor. Disiplinën e gjeografisë El-Farabiu e sistemon në lidhje të ngushtë me disiplinat e tjera siç janë: astronomia, meteorologjia dhe filozofia natyrore. Kjo ndërthurje pasqyron synimin e tij për të kuptuar mjedisin fizik si një element të një strukture më të gjerë dhe të organizuar të universit. Nëpërmjet kësaj qasjeje, ai thekson rolin e gjeografisë jo vetëm si shkencë përshkruese, por edhe si mjet për të interpretuar ndikimin e mjedisit në jetën dhe zhvillimin e shoqërive njerëzore. Kështu, në “Kitab Ihsaʾ el-ʿUlum”, gjeografisë i është dhënë një vend i rëndësishëm në hartën e dijes, duke reflektuar dhe pasqyruar përpjekjen e El-Farabiut për të kuptuar mjedisin si pjesë e një strukture më të gjerë dhe të organizuar të universit.
Megjithëse El-Farabiu nuk e studioi direkt gjeografinë, studimet e tij filozofike mbi natyrën dhe organizimin shoqëror krijuan një bazament teorik që u shërbeu brezave të mëvonshëm të gjeografëve dhe filozofëve për të eksploruar ndërveprimet midis hapësirës fizike dhe realiteteve shoqërore e politike. Në këtë mënyrë, El-Farabiu mund të konsiderohet si një ndër themeluesit e paradigmës filozofike që kontribuoi në formësimin e gjeografisë politike dhe asaj njerëzore në botën islame. Këto ide filozofike u shndërruan në pikënisje për studiuesit myslimanë si: Ibni Sina, El-Biruni dhe Ibni Halduni, të cilët i zhvilluan më tej në disiplinat shkencore si në gjeografinë fizike, astronomi dhe etnografi. Veçanërisht i rëndësishëm është ndikimi që El-Farabiu ka pasur tek Ibni Halduni, i cili në veprën e tij “Mukaddimeh” (Prologomena), jo vetëm iu referua, por edhe i zhvilloi dhe i thelloi edhe më tej konceptet e shtetit ideal dhe të organizimit shoqëror, duke u bazuar në ato që El-Farabiu kishte ndërtuar brenda kuadrit të filozofisë politike.
Gjithashtu, edhe dijetarë e tjerë të shquar si El-Mes’udi, në veprën e tij “Muruxh’udh-dhehebi ve me’adin ul-xhevher”, dhe El-Biruni, në “Kitab’ul-Tarihu’l-Hind”, adoptuan metoda filozofike të ndërthurura me vëzhgime sistematike dhe metodologjinë empirike, të cilat u formuluan dhe u përdorën nga El-Farabiu. Përdorimi i këtyre metodave, këtyre studiuesve ju mundësoi të zhvillonin kërkime më të thelluara dhe më të strukturuara në fushat e gjeografisë, etnografisë dhe historisë natyrore.
Si përfundim, mund të konstatojmë se, pavarësisht nga fakti se El-Farabi nuk u përkushtua drejtpërdrejtë studimeve gjeografike dhe nuk shkroi vepra të dedikuara kësaj disipline, ai ka ndërtuar një bazë të fuqishme filozofike, teorike dhe metodologjike që ka ndikuar në mënyrë të thelbësore në lindjen dhe zhvillimin e mendimit gjeografik në botën islame. Konceptet e tij mbi natyrën e universit, rendin shoqëror dhe rolin arsyes luajtën një rol themelor në konsolidimin e gjeografisë si një disiplinë e veçantë dhe e pranuar gjerësisht brenda traditës shkencore islame.
Përfundim
El-Farabiu, ndonëse nuk u mor drejtpërdrejt me gjeografinë në kuptimin e saj empirik, ndikoi thellësisht në themelimin e një kuadri teorik e filozofik që e bëri të mundur zhvillimin e mëtejshëm të kësaj disipline në botën islame. Përmes veprave të tij mbi kozmologjinë, filozofinë politike, urbanizmin dhe marrëdhënien e njeriut me universin, ai krijoi një model të integruar të dijes, ku hapësira, rendi, arsyeja dhe etika ndërthuren në mënyrë të pandarë. Ky model shërbeu si bazë për zhvillimin e teorive gjeografike, si dhe për përpunimin e ideve mbi qytetërimin, mjedisin dhe shtetin. Trashëgimia e tij, e reflektuar në veprat e Ibni Sinas, Ibni Rushdit, Ibin Haldunit dhe shumë të tjerëve, dëshmon për rolin qendror që ai luajti në ndërtimin e një mendimi shkencor të bazuar mbi filozofi, rregull dhe harmoni. Në këtë mënyrë, El-Farabiu mbetet një figurë kyçe jo vetëm në historinë e filozofisë islame, por edhe në historinë e gjeografisë si shkencë konceptuale dhe shoqërore.
Burimet
Prof. dr. Fuat Sezgin, Epoka e madhe e panjohur. Nga historia e shkencës dhe e teknologjisë Islame, përktheu nga turqishtja: Altin Qefaliu, LOGOS-A, Shkup 2015;
Sami Frashëri, Qytetërimi Islam, LOGOS-A, Shkup 2009;
Sigrid Hunke, DIELLI I ALLAHUT SHKËLQEN MBI PERËNDIMIN Trashëgimia jonë arabe, Shqipëroi nga frëngjishtja Ornela Ademovi, Tiranë 2007;
Ahmed Essa, Othman Ali, STUDIME NE QYTETERIMIN ISLAM Kontributi Musliman në Rilindje, përktheu: Festime Mehdiu Gashi, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), Tiranë 2019;
Xhorxh Sarton, Historia e Shkencës Islame, Përktheu, plotësoi me shtojcë dhe përgatiti për botim: Ermal BEGA, Botoi: Qendra Shqiptare për Studime Orientale – A.C.F.O.S. B∙O∙O∙K∙S, (botimi i dytë) Tiranë 2020;
KONTRIBUTET MUSLIMANE NË QYTETËRIMIN BOTËROR, përgatitën për botim: M. Basheer Ahmed, Md; Ambassador Syed A. Ahsani; Dilnawaz A. Siddiqui, Phd, përktheu: Festime Mehdiu Gashi, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), Tiranë 2019;
Dr W. Hazmy C.H. Dr Zainurashid Z. Dr Hussaini R., BIOGRAPHY Muslim Scholars and Scientists, Published by: Islamic Medical Association of Malaysia N. Sembilan, (https://docs.google.com/file/d/0B-e6qHPbxSdNd1oxMUVCVG82a0E/edit); https://en.wikipedia.org/wiki/Al-Farabi;
https://plato.stanford.edu/entries/al-farabi/; https://www.muslimphilosophy.com/ip/rep/H021.htm;
https://www.britannica.com/biography/al-Farabi;
https://thegreatthinkers.org/al-farabi/introduction/; https://www.middleeasteye.net/discover/farabi-muslim-philosopher-music-theorist-who; https://www.gov.kz/memleket/entities/mfa-london/activities/3387.
Sep 11, 2025 0
Sep 04, 2025 0
Sep 04, 2025 0
Sep 04, 2025 0
May 21, 2025 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Jun 26, 2021 0
May 21, 2025 0
Në kuadër të marrëdhënieve të mira ndërfetare dhe bashkëpunimit me institucionet fetare ndërkombëtare, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori...May 21, 2025 0
Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...May 21, 2025 0
Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...Sep 04, 2025 0
ABSTRAKTI Sociologjia, si një nga shkencat më të rëndësishme humane, ka në fokus të studimeve të saj njeriun si një qenie sociale, si dhe shoqërinë në të cilën ai bën pjesë....