Perditësimi i fundit September 11th, 2025 8:31 AM

  • Rreth Nesh
    • Bordi editorial
    • Rreth revistës shkencore “Zani i Naltë”
  • Rregullat e shkrimit
  • Autorët
  • Lidhje
  • Zani i Naltë në PDF
  • Kontaktoni

Zani i Naltë

Te fundit

  • LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE FESË NË KONTEKSTIN E TË DREJTAVE THEMELORE
  • KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË PËR MENDIMIN GJEOGRAFIK ISLAM
  • Perspektiva mbi Psikologjinë Islame: al-Raghib al-Isfahani për Shërimin e Emocioneve në Kuran
  • Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare në kohën moderne
  • ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES HUXHURAT – I
  • Home
  • Aktivitete
  • Shkenca Islame
  • Editoriale
    • Abstraktet
    • English
  • Shkenca
    • Shkenca dhe besimi
    • Shkenca ekzakte
    • Shkenca Komunikimi
    • Mjekësi
    • Gjuhë-letërsi
    • Përkthime
  • Studime
    • Psikologji
  • Sociologji
    • Filozofi
  • Histori
    • Personalitete
    • Retrospektivë
    • Zani i Nalte 1923-1939
  • Jurisprudencë
  • Galeri
  • Video
  • Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Google+
    • Pinterest
    • RSS Feed
    • Linked
    • Youtube

LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE FESË NË KONTEKSTIN E TË DREJTAVE THEMELORE

Sep 11, 2025 Zani i Nalte Jurisprudencë 0


Prof. Asoc. Dr. Saimir SHATKU ,

Abstrakt
Ky punim ofron një analizë të thelluar akademike dhe juridike mbi interpretimin e nenit 9 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ), i cili garanton lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë, duke e lidhur atë me dispozitat përkatëse kushtetuese shqiptare, konkretisht nenet 3, 9, 10 dhe 24 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Analiza fokusohet në aspektet filozofike, normative dhe praktike që përcaktojnë kuadrin ligjor për ushtrimin e lirive themelore në një shoqëri pluraliste dhe demokratike.
Punimi trajton sfidat e interpretimit juridik që lindin nga përplasjet e mundshme midis lirisë së fesë dhe interesave të tjera shoqërore, përfshirë ruajtjen e rendit publik, mbrojtjen e të drejtave të palëve të treta dhe promovimin e barazisë. Në këtë kontekst analizohen edhe parimet e sekularizmit dhe pluralizmit në shtetin shqiptar, si dhe ndikimi i jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në formësimin e praktikave gjyqësore dhe politikave publike.
Përmes një qasjeje sistematike dhe krahasuese, ky punim synon të evidentojë balancimin delikat të të drejtave dhe lirisë së individit me përgjegjësitë shoqërore, duke nxjerrë në pah rekomandime për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe zbatimin efektiv të të drejtave të garantuara. Ky studim kontribuon në literaturën juridike duke theksuar nevojën për një interpretim dinamik dhe kontekstual i cili respekton ndryshimet kulturore dhe fetare pa cenuar parimet themelore të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Fjalë kyçe: Liria e fesë, liria e mendimit, Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Kushtetuta e Shqipërisë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

HYRJE
Liria e ndërgjegjes dhe e fesë e garantuar nga neni 9 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) përbën një nga aspektet më thelbësore të lirisë individuale dhe të zhvillimit të identitetit personal të individit në një rend demokratik. Ky nen nuk përfaqëson vetëm një të drejtë civile dhe politike por edhe një dimension shpirtëror dhe moral që i përket vetë natyrës së qenies njerëzore, duke mbrojtur pluralizmin fetar dhe dinjitetin e individit në thelb të tij .
1.1. Natyra dhe përmbajtja normative e nenit 9 të KEDNJ-së
Neni 9/1 garanton lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe të fesë, duke përfshirë si elementin forum internum (e drejta për të pasur ose jo një besim, ose për ta ndryshuar atë), ashtu edhe elementin e forumit externum, pra shprehjen e jashtme të fesë përmes kultit, mësimdhënies, praktikës dhe riteve. Ky dallim midis përmbajtjes së brendshme (interne) dhe asaj të jashtme (eksterne) është thelbësore për të kuptuar thellësisht kufijtë dhe mundësitë e ndërhyrjes shtetërore. Siç ka pohuar Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), “liria e ndërgjegjes dhe fesë, në aspektin e saj të brendshëm, është absolute dhe e pakufizueshme” . Në këtë kuptim, askush nuk mund të detyrohet të ketë apo të mohojë një bindje të caktuar fetare ose filozofike.
Në kontrast, neni 9/2 i lejon shteteve anëtare që, në rrethana të caktuara, të kufizojnë shprehjen e jashtme të fesë, për aq sa këto kufizime janë të parashikuara me ligj që ndjekin një qëllim legjitim (si siguria publike, shëndeti, morali ose të drejtat e të tjerëve) dhe janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, një standard i cili kërkon proporcionalitet rigoroz dhe domosdoshmëri të vërtetuar.
1.2. Liria e fesë dhe autonomia personale
Aharon Barak e konsideron lirinë e ndërgjegjes si një shprehje të thellë të autonomisë personale, të cilën ai e vendos në thelb të gjithë sistemit të të drejtave themelore. Sipas tij, “…autonomia nënkupton kapacitetin e individit për të ndërtuar vetveten përmes zgjedhjes së bindjeve, qëndrimeve dhe mënyrës së jetesës…” . Liria e fesë, në këtë kuptim është jo vetëm një garanci formale por edhe një mjet thelbësor për vetërealizim dhe dinjitet.
1.3. Jurisprudenca e GJEDNJ-së mbi kufizimet e nenit 9
Në çështjen Sahin v. Turkey , GJEDNJ-ja e pranoi ndalimin e shamive në universitet duke u mbështetur në konceptin e laicizmit të shtetit dhe mbrojtjes së rendit publik. Gjykata vuri në dukje se shtetet kanë një kufizim vlerësimi (margin of appreciation) në rregullimin e çështjeve fetare, sidomos kur këto prekin balancën ndërmjet fesë dhe interesit publik.
Megjithatë, ky kufizim nuk është absolut sepse në çështjen Eweida and Others v. United Kingdom , GJEDNJ-ja vlerësoi se të drejtat individuale të punonjësve për të shfaqur simbolet fetare nuk mund të mohohen pa një arsyetim proporcional. Gjykata theksoi se ndërhyrjet duhet të jenë të ekuilibruara dhe të bazuara në një analizë të kujdesshme të interesave konkurruese.
1.4. Zbatimi në të drejtën kushtetuese shqiptare
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ka inkorporuar të drejtën për lirinë e ndërgjegjes dhe fesë në nenin 24, ku përcaktohet se: “1. Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar. 2. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet të marrë pjesë në një praktikë fetare apo të mbajë një besim fetar kundër vullnetit të tij.” Për më tepër, neni 10 i Kushtetutës sanksionon ndarjen e qartë të fesë nga shteti, duke njohur neutralitetin e shtetit ndaj besimeve fetare dhe duke ndaluar diskriminimin mbi baza fetare.
1.5. Balanca ndërmjet lirisë fetare dhe interesit publik
Një nga sfidat më të mëdha të interpretimit të nenit 9 është gjetja e ekuilibrit ndërmjet të drejtës së individit për të praktikuar besimin e tij dhe nevojës së shtetit për të mbrojtur rendin publik dhe të drejtat e të tjerëve. Siç ka vërejtur Brems , pluralizmi fetar në një shoqëri demokratike nuk është vetëm tolerim pasiv, por kërkon mbrojtje aktive nga shteti për të garantuar një hapësirë të barabartë për të gjitha besimet.
Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është një e drejtë themelore që mishëron aspiratën për autonomi shpirtërore dhe morale, dhe është një shtyllë e rendit kushtetues demokratik. Interpretimi i saj kërkon një balancë të ndjeshme ndërmjet lirisë individuale dhe interesave kolektive, një standard i përcaktuar nga parimi i proporcionalitetit dhe nga një jurisprudencë dinamike si ajo e GJEDNJ-së. Në këtë kuptim është detyrë e shtetit të krijojë një mjedis që promovon pluralizmin dhe respekton diversitetin, pa cenuar thelbin e kësaj të drejte.
2. NATYRA DUALE E NENIT 9 TË KEDNJ-SË: FORUMI INTERNUM DHE FORUMI EXTERNUM
2.1. Kuptimi i përgjithshëm i nenit 9 të KEDNJ-së
Neni 9 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) është një dispozitë themelore që garanton lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë, duke e konsideruar atë si një e drejtë themelore e njeriut e lidhur ngushtë me identitetin personal, dinjitetin njerëzor dhe pluralizmin demokratik. Struktura e nenit 9 reflekton një qasje duale, duke ndarë qartësisht aspektin e brendshëm (forum internum) dhe aspektin e jashtëm (forum externum) të kësaj të drejte .
2.2. Forumi internum: E drejta absolute e ndërgjegjes
Forumi internum është bërthama e padiskutueshme e lirisë fetare. Ai përfshin të drejtën për të pasur, mbajtur, ndërruar ose mos pasur fare një besim fetar ose filozofi jetësore. Ky është një dimension thellësisht personal, që lidhet me ndjeshmërinë shpirtërore dhe moralin individual, duke qenë në imunitet të plotë ndaj ndërhyrjes së autoritetit shtetëror.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), në çështjen Kokkinakis v. Greece, theksoi se kjo e drejtë është “një nga themelet e shoqërisë demokratike” dhe se “liria e ndërgjegjes dhe fesë, si përfshirje e të drejtës për të besuar apo jo, është absolute në thelbin e saj” .
Natyra absolute e forumit internum është e tillë që edhe në rrethana të emergjencës publike, kjo e drejtë nuk mund të pezullohet sipas nenit 15 të KEDNJ-së. Ky koncept është konfirmuar edhe në praktikën ndërkombëtare , përfshirë Komitetin për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, i cili e ka theksuar se ndërrimi i fesë është një aspekt i brendshëm i mbrojtur në mënyrë të pakushtëzuar .
2.3. Forumi externum: Manifestimi i besimit dhe kufijtë legjitimë
Në kontrast me aspektin e brendshëm, forumi externum përfshin shprehjen e jashtme të fesë apo bindjeve, përmes: kultit (adhurimit fetar publik), mësimdhënies, praktikës (zakoneve fetare) dhe respektimit të riteve . Ky forum, ndonëse i mbrojtur, nuk është absolut dhe mund t’i nënshtrohet kufizimeve nëse përmbushen tre kushte kumulative:
1. Të jetë e parashikuar me ligj – pra, kufizimi të bazohet në një normë të qartë dhe të aksesueshme nga individi.
2. Të synojë një qëllim legjitim, siç janë: siguria kombëtare, rendi publik, shëndeti ose morali publik, ose mbrojtja e të drejtave të të tjerëve.
3. Të jetë e nevojshme në një shoqëri demokratike, që nënkupton ekzistencën e një domosdoshmërie shoqërore reale dhe respekt të parimit të proporcionalitetit .
Kjo analizë tregon se forumi externum është subjekt i një ekuilibri delikat, që kërkon një balancim të kujdesshëm ndërmjet lirisë së individit dhe interesit publik.
2.4. Zhvillimi i jurisprudencës evropiane mbi forumin externum
Në çështjen S.A.S. v. France , GJEDNJ pranoi ndalimin e mbulimit të fytyrës në publik nga gratë myslimane duke e konsideruar këtë ndalim si një ndërhyrje e justifikuar në forumin externum për të mbrojtur kushtet e bashkëjetesës shoqërore dhe të drejtën e të tjerëve për të ndërvepruar në mënyrë të barabartë .
Në të kundërt, në çështjen Eweida and Others v. the United Kingdom , Gjykata konstatoi se refuzimi i një kompanie për të lejuar një punonjëse të mbante një kryq ishte një ndërhyrje e pajustifikuar dhe joproporcionale, duke theksuar rëndësinë e respektimit të lirisë së manifestimit në vendin e punës.
Këto raste tregojnë se nuk ka një standard fiks por secili kufizim i forumit externum duhet të analizohet në mënyrë kontekstuale, bazuar në kriteret e nevojshmërisë dhe proporcionalitetit.
2.5. Rëndësia e dallimit teorik dhe praktik
Ndarja ndërmjet forumit internum dhe forumit externum ka vlerë teorike, por edhe implikime të drejtpërdrejta në praktikën juridike dhe gjyqësore. Një ndërhyrje e gabuar në forumin internum përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore, ndërsa kufizimi i forumit externum kërkon një analizë të saktë të rrethanave konkrete, qëllimeve legjitime, dhe proporcionalitetit të masës. Kjo qasje është e nevojshme për të siguruar një tension konstruktiv ndërmjet neutralitetit të shtetit laik dhe mos pengimit të besimit të lirë fetar, në përputhje me parimet themelore të një shoqërie demokratike.
Neni 9 i KEDNJ-së përfaqëson një arkitekturë komplekse dhe të sofistikuar të mbrojtjes së lirisë fetare , ku dallimi ndërmjet forumit internum dhe forumit externum është thelbësor për sigurimin e një mbrojtjeje efektive dhe të diferencuar të kësaj të drejte. Forumi internum është një sferë intime dhe e pacenueshme, ndërsa forumi externum i nënshtrohet rregullimeve shtetërore për aq sa janë të justifikuara, të ligjshme dhe proporcionale. Kjo strukturë duale është thelbësore për të ruajtur balancën ndërmjet lirisë individuale dhe rendit publik në një demokraci funksionale.
3. BALANCIMI I LIRISË FETARE ME INTERESIN PUBLIK DHE KUFIRIN E VLERËSIMIT
3.1. Liria e fesë si themel i shoqërisë demokratike
Neni 9 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) garanton lirinë e ndërgjegjes, mendimit dhe fesë, duke përfshirë si aspektin e brendshëm (forum internum) ashtu edhe atë të jashtëm (forum externum). Liria për të pasur ose për të ndërruar një fe, si dhe për ta shprehur atë publikisht, është thelbësore për vetëvendosjen shpirtërore të individit në një shoqëri demokratike, e cila mbështetet në pluralizëm, tolerancë dhe mendje hapje . GJEDNJ-ja ka zhvilluar një jurisprudencë dinamike që interpreton nenin 9 në kontekstin e balancimit të së drejtës për liri fetare me interesat legjitime të shtetit dhe me rregullimin e jetës publike. Kjo qasje përfshin testin e trefishtë të ligjshmërisë, qëllimit legjitim dhe nevojshmërisë në një shoqëri demokratike, një standard interpretativ i rikonfirmuar vazhdimisht nga gjykata.
3.2. Rasti Kokkinakis v. Greece (1993) : Liria e fesë dhe dënimi penal për prozelitizëm
Në këtë çështje historike, GJEDNJ trajtoi për herë të parë në mënyrë të thelluar thelbin e lirisë së fesë. Subjekti Kokkinakis, një anëtar i Dëshmitarëve të Jehovait, ishte dënuar në Greqi për prozelitizëm sipas ligjit penal kombëtar. Gjykata vlerësoi se ndëshkimi penal ishte i pajustifikuar, pasi nuk përmbushte kriterin e nevojshmërisë në një shoqëri.
GJEDNJ theksoi se “liria e fesë është një nga themelet e një shoqërie demokratike”, duke përjashtuar mundësinë që bindjet fetare të jenë të penalizueshme në mungesë të një dëmi konkret ose cenimi real të të drejtave të të tjerëve. Ky vendim konsolidoi parimin se shteti duhet të jetë neutral dhe paanshëm në çështjet fetare.
3.3. Rasti Leyla Şahin v. Turkey (2005) : Sekularizmi dhe kufizimi i manifestimit fetar
Në këtë rast, GJEDNJ trajtoi çështjen e ndalimit të mbajtjes së shamisë në universitetet turke. Gjykata e konsideroi ndërhyrjen si të justifikueshme, duke u mbështetur në parimin e laicizmit të shtetit turk, i cili ka një rol mbrojtës ndaj barazisë gjinore, rendit publik dhe të drejtave të të tjerëve.
Gjykata theksoi se, në një shoqëri demokratike, është e lejueshme që rregullat e brendshme të universitetit të kufizojnë shprehjen fetare, nëse kjo ndihmon në mbrojtjen e pluralizmit dhe neutralitetit institucional. Kjo çështje është ilustrim i qartë i zbatimit të kufirit së vlerësimit të shteteve anëtare, duke e njohur atyre një hapësirë diskrecionale të gjerë për çështje që lidhen me sistemet arsimore dhe rendin kushtetues laik.
3.4. Rasti S.A.S. v. France (2014) : Bashkëjetesa sociale si qëllim legjitim
Në këtë rast, një shtetase franceze myslimane sfidoi ligjin francez që ndalonte mbulimin e fytyrës në hapësirat publike, përfshirë mbulesat si burka apo nikabi. GJEDNJ pranoi kufizimin si të ligjshëm dhe proporcional, duke e justifikuar atë me nevojën për të mbrojtur “bashkëjetesën sociale” (living together), një koncept i ri dhe më pak i standardizuar në jurisprudencë.
Gjykata e mbështeti këtë qasje në kulturën demokratike franceze të sekularizmit dhe universalizmit, duke vlerësuar se mbulimi i fytyrës mund të pengojë ndërveprimin shoqëror dhe të përbëjë një barrierë ndaj kohezionit social. Kjo çështje solli debat të thellë në doktrinë pasi bashkëjetesa sociale si qëllim legjitim është më i diskutueshëm sesa siguria publike apo mbrojtja e të drejtave të të tjerëve.
3.5. Tendenca drejt kufirit të gjerë të vlerësimit
Sipas Brems , kjo linjë jurisprudence tregon se GJEDNJ ka pranuar një hapësirë të gjerë manovrimi për shtetet anëtare, veçanërisht në çështjet që prekin identitetin kombëtar, moralin publik dhe traditat kulturore. Ky “kufizim vlerësimi” (margin of appreciation) është një mekanizëm që lejon fleksibilitet në zbatimin e Konventës, por siç argumenton Evans , ajo rrezikon koherencën e standardit të nevojshmërisë dhe krijon mospërputhje në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në rastin Lautsi v. Italy , GJEDNJ-ja pranoi ekspozimin e kryqit në klasat publike italiane si pjesë e identitetit kulturor dhe traditës kombëtare italiane, duke u mbështetur fuqimisht në kufirin e gjerë të vlerësimit që i njihet shteteve në kontekste të tilla.
3.6. Balancimi ndërmjet pluralizmit dhe uniformitetit normativ
Në nivel teorik dhe praktik, dilema qendrore në jurisprudencën e nenit 9 qëndron në balancimin ndërmjet mbrojtjes së lirisë individuale të fesë dhe respektimit të rendit shoqëror dhe vlerave kushtetuese të shteteve anëtare. Ky tension ndërmjet pluralizmit të lirive individuale dhe nevojës për kohezion kolektiv është një element i përhershëm në interpretimin e nenit 9.
Ndërsa koncepti i “living together” shënon një zhvillim të jurisprudencës drejt legjitimimit të ndjeshmërive kolektive, ai njëkohësisht rrezikon të zbejë standardin universal të të drejtave të njeriut, duke e relativizuar mbrojtjen e tyre në funksion të kulturave kombëtare .
Jurisprudenca e GJEDNJ-së mbi nenin 9 të KEDNJ-së tregon një qasje elastike, që përpiqet të mbrojë lirinë fetare individuale, por edhe të respektojë sovranitetin kulturor dhe kushtetues të shteteve anëtare . Kjo qasje shpreh një tendencë drejt balancimit pragmatik, por gjithashtu nënvizon nevojën për koherencë dhe mbrojtje efektive të lirisë së ndërgjegjes dhe fesë, si një shtyllë e rendit demokratik evropian . Në këtë kuptim, rasti Kokkinakis mbetet një pikë referimi për parimet themelore, ndërsa rastet Leyla Şahin, S.A.S. dhe Lautsi shënojnë dilemat moderne të pluralizmit kushtetues dhe të drejtave të njeriut.
4. NDËRTHURJA E NENIT 9 TË KEDNJ-SË ME KUSHTETUTËN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
4.1. Qasja sistemike dhe aksiale e Kushtetutës shqiptare në mbrojtjen e lirive themelore
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ofron një arkitekturë normative moderne dhe të harmonizuar me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Neni 3 i Kushtetutës përfaqëson bazën aksiologjike dhe metodologjike të gjithë interpretimit kushtetues, duke sanksionuar se “dinjiteti i njeriut, të drejtat e tij dhe liritë themelore, drejtësia sociale, rendi kushtetues, pluralizmi, bashkëjetesa fetare dhe barazia para ligjit janë baza e shtetit” . Ky formulim ngërthen një qasje teleologjike në interpretimin e të drejtave themelore, duke imponuar një standard integrues në trajtimin e çdo norme, përfshirë edhe atë që lidhet me lirinë e ndërgjegjes dhe fesë.
Në këtë kontekst, neni 9 i KEDNJ-së, i cili garanton lirinë e ndërgjegjes, fesë dhe manifestimit të saj, gjen një bashkëresonancë konstitucionale në nenet 24, 10, 9 dhe 3 të Kushtetutës shqiptare. Kjo ndërlidhje e thellë është thelbësore për të ndërtuar një harmoni vertikale midis të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës vendase .
4.2. Neni 24 i Kushtetutës: Korrespondenca substanciale me nenin 9 të KEDNJ-së
Neni 24 i Kushtetutës përmban një garanci eksplicite për lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë, në të dyja dimensionet që mbulon edhe neni 9 i KEDNJ-së – forumin internum dhe forumin externum: “Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar. Çdo person ka të drejtë të zgjedhë apo të ndryshojë fenë ose bindjet e tij, si dhe të shfaqë ato, individualisht ose kolektivisht, publikisht ose privatisht, me anë të kultit, edukimit, praktikës ose kryerjes së riteve” .
Kjo dispozitë përbën pasqyrimin më të qartë të parimeve të KEDNJ-së në tekstin kushtetues shqiptar, duke afirmuar lirinë negative (të mos besosh) dhe lirinë pozitive (të shprehësh besimin). Megjithatë, siç theksojnë studiues të së drejtës kushtetuese, zbatimi gjyqësor i këtij neni nuk ka qenë i konsoliduar, duke rezultuar në mospërputhje me jurisprudencën e GJEDNJ-së në raste konkrete .
4.3. Neni 10 i Kushtetutës: Neutraliteti shtetëror dhe autonomia e komuniteteve fetare
Neni 10 e vendos shtetin shqiptar si laik dhe neutral ndaj çështjeve fetare, duke sanksionuar se “shteti nuk cakton një fe zyrtare” dhe se “bashkësitë fetare janë të lira të rregullojnë jetën e tyre brenda strukturës së tyre institucionale”. Ky nen konfirmon parimin e ndarjes së fesë nga shteti, në përputhje me standardet e KEDNJ-së dhe me jurisprudencën përkatëse, siç është rasti Leyla Şahin v. Turkey , ku GJEDNJ theksoi se laiciteti është një parim kushtetues i pranueshëm, për aq kohë sa nuk degjeneron në kufizime joproporcionale ndaj lirisë fetare . Neni 10 gjithashtu garanton autonominë institucionale të bashkësive fetare, një koncept i afërt me nocionin e autonomisë së komuniteteve fetare të zhvilluar nga jurisprudenca e Strasburgut në raste si Metropolitan Church of Bessarabia v. Moldova .
4.4. Neni 9 i Kushtetutës: Kufizimi i partive me bazë fetare dhe tensioni me parimin e mosdiskriminimit
Neni 9 parashikon: “Partitë politike dhe organizatat e tjera nuk mund të kenë karakter ushtarak apo paramilitar, dhe nuk mund të ndërtohen mbi baza fetare apo etnike”.
Ky kufizim shpreh një frikë historike nga instrumentalizimi politik i fesë, por mund të cenojë parimin e pluralizmit demokratik dhe të mosdiskriminimit, sidomos nëse interpretohet në mënyrë mekanike dhe jo proporcionale.
Në dritën e jurisprudencës së GJEDNJ-së ky nen duhet të lexohet në përputhje me nenin 11 të KEDNJ-së dhe me nenin 9, duke pranuar organizimin e grupeve që bazohen në vlera fetare për aq kohë sa ato respektojnë rendin demokratik dhe nuk synojnë përjashtimin e të tjerëve. Rasti Refah Partisi v. Turkey është ilustrativ ku GJEDNJ konfirmoi shpërbërjen e një partie për shkak të rrezikut real për vendosjen e një sistemi jodemokratik të ligjit islamik.
4.5. Neni 3: Dimensioni filozofik dhe aksional i bashkëjetesës fetare
Neni 3 i Kushtetutës, duke përmendur në mënyrë të shprehur bashkëjetesën fetare pasqyron një vlerë themelore të identitetit shqiptar, të ndërtuar mbi tolerancën dhe pluralizmin ndërfetar. Ky formulim përbën një element identitar dhe jo vetëm një normë pozitive, duke ofruar një bazë interpretative për qasjen e moderuar dhe përfshirëse të shtetit ndaj lirisë fetare.
Ky nen mund të lexohet në harmoni me nenin 9 të KEDNJ-së për të forcuar dimensionin afirmativ të lirisë fetare, si pjesë e moralit publik në një shoqëri demokratike, siç është theksuar në rastin Kokkinakis v. Greece .
4.6. Harmonia ndërmjet Kushtetutës dhe KEDNJ-së: Një qasje konvergjente
Analiza e ndërthurjes së nenit 9 të KEDNJ-së me dispozitat përkatëse të Kushtetutës tregon një nivel të lartë të harmonizimit formal, por edhe nevojën për zhvillim të mëtejshëm të praktikës gjyqësore shqiptare në përputhje me jurisprudencën e Strasburgut. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka një rol kyç për të garantuar që interpretimi i normave kushtetuese të reflektojë balancimin ndërmjet laicitetit dhe lirisë fetare, duke respektuar standardin e proporcionalitetit dhe kufizimin e nevojshëm të vlerësimit, sipas modelit të GjEDNJ-së. Ndërthurja ndërmjet nenit 9 të KEDNJ-së dhe normave kushtetuese shqiptare dëshmon për një qasje të përafërt konceptuale dhe normative, e cila ka nevojë për thellim të interpretimit gjyqësor dhe institucional. Qasja shqiptare ndaj lirisë fetare duhet të respektojë neutralitetin shtetëror, të garantojë barazinë ndërfetare, por edhe të sigurojë hapësirë të mjaftueshme për manifestimin individual dhe kolektiv të besimit fetar në përputhje me standardin evropian të të drejtave të njeriut .
5. KUFIZIMET E LIRISË SË BESIMIT NË DRITËN E DOKTRINËS SË PROPORCIONALITETIT
5.1. Parimi i proporcionalitetit si standard i domosdoshëm për kufizimin e të drejtave themelore
Kufizimi i lirisë së fesë, si e drejtë e garantuar nga neni 9 i KEDNJ-së dhe nga neni 24 i Kushtetutës së Shqipërisë mund të justifikohet vetëm nëse përmbush kriteret e një ndërhyrjeje të pranueshme në një shoqëri demokratike. Në këtë kontekst, doktrina e proporcionalitetit përbën instrumentin juridik më të avancuar për të balancuar lirinë themelore të individit me interesin legjitim publik .
Kjo doktrinë, e cila e ka origjinën në jurisprudencën e Gjykatës Federale Gjermane dhe është e përhapur në të gjithë sistemin evropian të të drejtave të njeriut, përbëhet nga katër komponentë të domosdoshëm:
1. Qëllimi legjitim – ndërhyrja duhet të synojë një interes të mbrojtur nga ligji, siç përcaktohet në paragrafin e dytë të nenit 9 të KEDNJ-së: siguria kombëtare, rendi publik, shëndeti publik, morali ose të drejtat e të tjerëve.
2. Përshtatshmëria – masa duhet të jetë e aftë për të arritur qëllimin legjitim.
3. Nevojshmëria – ndërhyrja duhet të jetë forma më pak kufizuese ndër alternativat e disponueshme.
4. Proporcionaliteti në kuptimin e ngushtë – balancimi midis interesit të mbrojtur dhe cenimit të të drejtës, në mënyrë që barrat të mos jenë joproporcionale me përfitimet .
5.2. Jurisprudenca e GjEDNJ-së mbi testin e proporcionalitetit: Rasti Eweida and Others v. United Kingdom (2013)
Rasti Eweida and Others v. UK paraqet një ilustrim të spikatur të zbatimit të testit të proporcionalitetit në fushën e të drejtës së punës dhe lirisë fetare. Në këtë rast, aplikantja, zonja Eweida, punonjëse në British Airways, ishte ndaluar të mbante një kryq të vogël të dukshëm në vendin e punës, në kundërshtim me rregulloren e uniformës së kompanisë.
Gjykata vlerësoi se mbajtja e kryqit ishte një formë e manifestimit të besimit fetar të mbrojtur nga neni 9 i KEDNJ-së dhe se refuzimi i punëdhënësit për ta lejuar atë nuk përmbushte standardin e proporcionalitetit. Më konkretisht, Gjykata theksoi:
“…autoritetet shtetërore nuk arritën të sigurojnë një ekuilibër të drejtë midis dëshirës së zonjës Eweida për të shprehur besimin e saj fetar dhe interesit të punëdhënësit për të imponuar një imazh koorporativ neutral”.
Në këtë mënyrë, Gjykata konfirmoi se punëdhënësit duhet të tregojnë një shkallë të arsyeshme akomodimi, nëse manifestimi fetar nuk shkakton një barrë të rëndë disproporcionale për funksionimin e institucionit apo për të drejtat e të tjerëve.
5.3. Parimi i balancimit ndërmjet lirisë fetare dhe interesave institucionale
Rasti Eweida dhe çështje të tjera si Ladele v. UK dhe McFarlane v. UK, të shqyrtuara së bashku, tregojnë për një qasje të sensibilizuar ndaj kontekstit, ku GJEDNJ aplikon balancim ndërmjet të drejtave të individit dhe politikave institucionale. Ajo mbron autonominë institucionale, por jo në mënyrë absolute. Çdo kufizim ndaj lirisë fetare duhet të kalojë një vlerësim të rreptë proporcionaliteti, që përjashton arbitraritetin dhe diskriminimin indirekt.
5.4. Aplikimi në kontekstin shqiptar: boshllëqe në jurisprudencë dhe sfida në praktikë
Në Shqipëri, ndonëse Kushtetuta përfshin të drejtën për lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë në nenin 24 dhe njeh karakterin laik të shtetit në nenin 10 , zbatimi i testit të proporcionalitetit në praktikën gjyqësore është ende në zhvillim. Në disa raste që lidhen me ndërhyrje në aktivitetin e komuniteteve fetare apo në të drejtën për të manifestuar bindje në vendin e punës, autoritetet administrative kanë vepruar në mungesë të një analize të detajuar të domosdoshmërisë së masës, duke mos aplikuar mekanizmat e racionalitetit institucional dhe akomodimit të arsyeshëm, të njohura në të drejtën evropiane. Proporcionaliteti është një mekanizëm thelbësor për mbrojtjen e lirisë së fesë në një shtet demokratik. Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nëpërmjet rasteve si Eweida v. UK, demonstron një standard të qartë ligjor, i cili kërkon që çdo kufizim i të drejtave të jetë i justifikuar, racional, minimal dhe i balancuar. Shqipëria ndonëse formalisht e harmonizuar me këto standarde në nivel normativ ka nevojë për një zhvillim më të thelluar të praktikës gjyqësore për të siguruar zbatim efektiv dhe të qëndrueshëm të parimeve të proporcionalitetit dhe mbrojtjes së lirive themelore.
6. PROBLEMATIKAT PRAKTIKE DHE INTERPRETATIVE TË ZBATIMIT TË NENIT 9 TË KEDNJ-SË NË SHQIPËRI
6.1. Tensionet praktike në zbatimin e lirisë fetare në kontekstin shqiptar
Shqipëria, ndonëse ka ndërtuar një arkitekturë kushtetuese të përputhur me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), has vështirësi në zbatimin praktik dhe interpretimin koherent të të drejtave që burojnë nga neni 9 i KEDNJ-së dhe neni 24 i Kushtetutës shqiptare . Këto vështirësi janë evidente në disa fusha sensitive ku liria e manifestimit të fesë ndërthuret me interesat publike, politikat arsimore, urbanistikën fetare dhe sekularizmin institucional.
6.2. Rasti i përdorimit të simboleve fetare në shkolla publike
Kjo çështje prek dimensionin e forumit externum, i cili ndonëse i mbrojtur, është subjekt i kufizimeve legjitime sipas nenit 9(2) të KEDNJ-së. Në mungesë të një ndalese të qartë në ligjin shqiptar, shkollat publike janë përballur me raste ad hoc, ku përdorimi i simboleve fetare, si kryqe apo shamia, është ndaluar ose toleruar në mënyrë të pakoherente duke krijuar pasiguri juridike dhe diskriminim potencial indirekt. Në çështjen Lautsi v. Italy , GJEDNJ diskutoi vendosjen e kryqit në klasat e shkollave publike italiane, duke konkluduar se për aq kohë sa simboli fetar nuk imponohet dhe nuk pengon pluralizmin ai mund të jetë pjesë e identitetit kulturor. Ky rast është relevant për Shqipërinë, ku bashkëjetesa fetare është normë kulturore e përbashkët dhe duhet të trajtësohet me maturi institucionale dhe jo me ndalesa arbitrare.
6.3. Debati mbi mbulimin islam për nxënëset femra
Ky problem shfaqet në ndërthyerjen mes lirisë së fesë dhe parimeve të laicitetit në arsimin publik. Në mungesë të një rregullimi të qartë ligjor, disa institucione arsimore kanë ndaluar shaminë islame, duke krijuar konflikt me të drejtën për të shprehur bindjet fetare.
Rasti Leyla Şahin v. Turkey ofron një precedent të diskutueshëm ku GJEDNJ-ja pranoi ndalimin e shamive në universitete turke për të ruajtur laicitetin dhe barazinë gjinore, duke theksuar se këto janë vlera thelbësore të rendit kushtetues. Megjithatë në kontekstin shqiptar, ku shteti laik bashkëjeton me një shoqëri fetarisht heterogjene dhe tolerante, ndalime të tilla duhet të justifikohen me prova konkrete të rrezikut për rendin publik dhe të kalojnë testin e proporcionalitetit, siç e kërkon jurisprudenca e Strasburgut .
6.4. Regjistrimi i komuniteteve të reja fetare
Procesi i regjistrimit të subjekteve fetare në Shqipëri është shoqëruar me vonesa administrative, mungesë transparence dhe në disa raste refuzime të paarsyetueshme, duke ngritur pikëpyetje mbi respektimin e nenit 9 të KEDNJ-së dhe nenit 10 të Kushtetutës.
Në çështjen Metropolitan Church of Bessarabia v. Moldova , GJEDNJ-ja deklaroi se refuzimi i regjistrimit të një komuniteti fetar përbën një ndërhyrje serioze në lirinë e besimit për aq kohë sa pengon ushtrimin institucional të fesë. Nëse Shqipëria nuk siguron një procedurë transparente, objektive dhe të paanshme ajo bie në kundërshtim me këtë standard.
6.5. Kontrolli mbi ndërtimin e objekteve të kultit
Autoritetet vendore në Shqipëri shpesh aplikojnë kritere jo të unifikuara në dhënien e lejeve për ndërtimin e xhamive, kishave apo objekteve të tjera fetare. Kjo situatë krijon perceptimin e diskriminimit selektiv institucional, sidomos në zonat ku komunitetet fetare janë minoritare.
Në çështjen Jehovah’s Witnesses of Moscow v. Russia , GJEDNJ theksoi se ndërtimi i objekteve të kultit është pjesë integrale e ushtrimit të fesë dhe kufizimi i tij kërkon një justifikim të bazuar në standardet e nevojshmërisë dhe proporcionalitetit.
6.6. Nevoja për interpretim teleologjik dhe proporcional në Shqipëri
Siç thekson Gráinne de Búrca , interpretimi i të drejtave themelore duhet të bazohet në një qasje teleologjike, që synon realizimin e vlerave themelore të rendit kushtetues demokratik, siç janë pluralizmi, toleranca dhe barazia. Shqipëria ndodhet në një fazë tranzitore të zhvillimit të së drejtës kushtetuese dhe administrative në fushën e lirisë së besimit. Tensionet që burojnë nga zbatimi praktik i kësaj të drejte mund të adresohen vetëm përmes standardizimit të interpretimeve, rregullimeve ligjore të qarta dhe zbatimit rigoroz të testit të proporcionalitetit, në përputhje me jurisprudencën e GJEDNJ-së dhe parimet e një shteti laik demokratik.
7. PËRFUNDIME DHE REKOMANDIME
Liria e ndërgjegjes dhe e fesë përbën një nga themelet e rendit juridik të një shteti demokratik, duke qenë një e drejtë që prek thellësisht identitetin moral, filozofik dhe shpirtëror të individit . Ajo është jo vetëm një garanci për liri personale, por edhe një element esencial i pluralizmit demokratik i cili sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) është “një nga themelet e një shoqërie demokratike”.
Në Shqipëri, kjo liri është e mbrojtur si në aspektin individual (forum internum) ashtu edhe në aspektin institucional dhe kolektiv (forum externum) përmes nenit 24 të Kushtetutës, i cili pasqyron në mënyrë të harmonizuar përmbajtjen e nenit 9 të KEDNJ-së. Për më tepër nenet 3, 9 dhe 10 të kushtetutës japin kuadrin strukturor të një shteti laik por jo armiqësor ndaj fesë, duke theksuar neutralitetin, bashkëjetesën fetare dhe barazinë ndërmjet komuniteteve fetare. Organet shtetërore përgjegjëse për arsimin, administratën publike dhe marrëdhëniet me komunitetet fetare duhet të ndërtojnë politika të akomodimit të arsyeshëm që mundësojnë ushtrimin efektiv të lirisë së fesë, pa e perceptuar atë si kërcënim për rendin institucional. Në këtë kuadër, krijimi i një mekanizmi monitorues ndërinstitucional për zbatimin e lirive fetare do të ishte një masë e domosdoshme për parandalimin e abuzimeve ose standardeve të dyfishta.
Bazuar në këtë analizë neni 9 i KEDNJ-së, në ndërthurje me nenet 3, 9, 10 dhe 24 të Kushtetutës së Shqipërisë përbën një regjim të harmonizuar të mbrojtjes së lirisë së ndërgjegjes dhe fesë, që kërkon një qasje dinamike dhe të integruar në interpretim, shteti ka një detyrim pozitiv jo vetëm për të mos ndërhyrë, por edhe për të krijuar kushtet institucionale për ushtrimin efektiv të kësaj të drejte, jurisprudenca e GJEDNJ-së duhet të jetë kompas orientues për praktikën vendase në mënyrë që zbatimi i të drejtave të mos jetë formalisht deklarativ, por realisht i zbatueshëm dhe interpretimi kushtetues duhet të jetë dinamik duke reflektuar zhvillimet sociale, teknologjike dhe kulturore të shoqërisë shqiptare në një kontekst pluralist dhe multikonfesional.
8. BIBLIOGRAFIA
• Barak, A. (2006). The Judge in a Democracy. Princeton University Press.
• Brems, E. (2001). Human Rights: Universality and Diversity. Martinus Nijhoff Publishers.
• Breskaya, O., Richardson, J. T., & Giordan, G. (2018). Human rights and religion: A sociological perspective. French Studies, 57(3), 419–431..
• European Court of Human Rights (2005). Leyla Şahin v. Turkey, Application no. 44774/98.
• European Court of Human Rights (2013). Eweida and Others v. the United Kingdom, Applications nos. 48420/10, 59842/10, 51671/10 and 36516/10.
• European Court of Human Rights. (1993). Kokkinakis v. Greece, App no. 14307/88, §31.
• European Court of Human Rights. (2001). Metropolitan Church of Bessarabia v. Moldova, App. no. 45701/99.
• European Court of Human Rights. (2003). Refah Partisi and Others v. Turkey, App. no. 41340/98, 41342/98, 41343/98 and 41344/98.
• European Court of Human Rights. (2005). Leyla Şahin v. Turkey, Application no. 44774/98.
• European Court of Human Rights. (2010). Jehovah’s Witnesses of Moscow v. Russia, App. no. 302/02.
• European Court of Human Rights. (2011). Lautsi v. Italy, App. no. 30814/06.
• European Court of Human Rights. (2013). Eweida and Others v. The United Kingdom, App. nos. 48420/10, 59842/10, 51671/10 and 36516/1.
• European Court of Human Rights. (2014). S.A.S. v. France, Application no. 43835/11.
• Evans, J. A. (2008). Human rights and the veil: The French headscarf debate. French Studies, 62(1), https://core.ac.uk/download/pdf/5079681.pdf.
• Evans, M. D. (2008). Freedom of religion and the European Convention on Human Rights: approaches, trends and tensions. In P. Cane, C. Evans, & Z. Robinson (Eds.), Law and Religion in Theoretical and Historical Context (pp. 291-316). chapter, Cambridge: Cambridge University Press.
• Human Rights Committee. (1993). General Comment No. 22: Article 18 (Freedom of thought, conscience or religion) (CCPR/C/21/Rev.1/Add.4). United Nations.
• Komiteti Shqiptar i Helsinkit. (2019). Raport studimor: Promovimi i mirëkuptimit, tolerancës dhe lirisë fetare në Shqipëri. Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
• Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (2016), Qendra e Botimeve Zyrtare.
• Letsas, G. (2007). A Theory of Interpretation of the European Convention on Human Rights. Oxford University Press.
• McGoldrick, D. (2006). Human Rights and Religion: The Islamic Headscarf Debate in Europe. Hart Publishing.
• Mowbray, A. (2012). Cases and Materials on the European Convention on Human Rights. Oxford University Press.
• Roberts, C. K. (2023). Freedom of religion or belief in the European Convention on Human Rights: A reappraisal. Cambridge University Press.
• Taylor, P. M. (2005). Freedom of Religion: UN and European Human Rights Law and Practice (Excerpt). Cambridge University Press.


  • tweet
KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË PËR MENDIMIN GJEOGRAFIK ISLAM

Zani i Nalte

Artikuj të ngjashëm
  • KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË PËR MENDIMIN GJEOGRAFIK ISLAM
    KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT...

    Sep 10, 2025 0

  • Perspektiva mbi Psikologjinë Islame: al-Raghib al-Isfahani për Shërimin e Emocioneve në Kuran
    Perspektiva mbi Psikologjinë Islame:...

    Sep 04, 2025 0

  • Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare në kohën moderne
    Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe...

    Sep 04, 2025 0

  • ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES HUXHURAT – I
    ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E...

    Sep 04, 2025 0

Me shumë në këtë kategori
  • Legjislacioni Shqiptar në lidhje me Komunitetin Mysliman, në vitet 1944-1967
    Legjislacioni Shqiptar në lidhje me...

    Jul 02, 2024 0

  • Liria e ndërgjegjes dhe besimit sipas parimeve juridiko-civile  dhe konventave ndërkombëtare
    Liria e ndërgjegjes dhe besimit sipas...

    May 07, 2024 0

  • POLIGAMIA NË HISTORI DHE NË PERSPEKTIVËN ISLAME
    POLIGAMIA NË HISTORI DHE NË...

    Jan 23, 2024 0

  • Mbrojtja e jetës sipas familjes ligjore islame
    Mbrojtja e jetës sipas familjes...

    Jan 19, 2022 0


Leave a Reply Cancel reply

You must be logged in to post a comment.

Aktivitete

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për...

May 21, 2025 0

Në kuadër të marrëdhënieve të mira ndërfetare dhe bashkëpunimit me institucionet fetare ndërkombëtare, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori...
Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100 Vjet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë”

Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100...

May 10, 2025 0

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i paqes në këndvështrimin fetar”

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i...

Apr 01, 2022 0

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë në Universitetin Bedër aktivitet me studentë nga trevat shqiptare

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë...

Sep 18, 2021 0

Studime

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth  “El-Huruf el-Mukatta’a” Shkronjave të Ndërprera

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth “El-Huruf...

May 21, 2025 0

Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...
MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI

MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S....

Sep 13, 2024 0

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Jul 02, 2024 0

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar  i periodikut islam në gjuhën shqipe

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar i...

May 07, 2024 0

Gjuhë-letërsi

Konak me Edisonin

Konak me Edisonin

May 21, 2025 0

Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...
Një ngjarje “e rastësishme”

Një ngjarje “e rastësishme”

Nov 03, 2020 0

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje...

Oct 26, 2020 0

Sociologji

Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare në kohën moderne

Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare...

Sep 04, 2025 0

ABSTRAKTI Sociologjia, si një nga shkencat më të rëndësishme humane, ka në fokus të studimeve të saj njeriun si një qenie sociale, si dhe shoqërinë në të cilën ai bën pjesë....
ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES HUXHURAT – I

ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES...

Sep 04, 2025 0

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam...

May 21, 2025 0

1923 – 1939

1939 – 1945

Zani i Naltë (39)

Te Fundit

  • LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE FESË NË KONTEKSTIN E TË DREJTAVE THEMELORE
    LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE FESË NË KONTEKSTIN E...

    Sep 11, 2025 0

  • KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË PËR MENDIMIN GJEOGRAFIK ISLAM
    KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË...

    Sep 10, 2025 0

  • Perspektiva mbi Psikologjinë Islame: al-Raghib al-Isfahani për Shërimin e Emocioneve në Kuran
    Perspektiva mbi Psikologjinë Islame: al-Raghib al-Isfahani...

    Sep 04, 2025 0

  • Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare në kohën moderne
    Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së...

    Sep 04, 2025 0

  • ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES HUXHURAT – I
    ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES HUXHURAT –...

    Sep 04, 2025 0

  • KONCEPTI I SHPIRTIT SIPAS IMAM MATURIDIUT
    KONCEPTI I SHPIRTIT SIPAS IMAM MATURIDIUT

    Sep 04, 2025 0

  • Abstracts no. 40
    Abstracts no. 40

    Sep 04, 2025 0

Më të lexuarat

  • Mirë se vjen “Zani i Naltë”
    Mirë se vjen “Zani i Naltë”

    Nov 10, 2012 0

  • Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e kulturore
    Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e...

    Feb 25, 2013 0

  • 90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar
    90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar

    Feb 25, 2013 0

Të fundit

  • LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE FESË NË KONTEKSTIN E TË DREJTAVE THEMELORE
  • KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË PËR MENDIMIN GJEOGRAFIK ISLAM
  • Perspektiva mbi Psikologjinë Islame: al-Raghib al-Isfahani për Shërimin e Emocioneve në Kuran
  • Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare në kohën moderne
  • ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES HUXHURAT – I

Gallery

zani-i-nalte-1 1557671_490835901024941_1099865082_n 6 5
Copyright 2013 Zaninalte.al