Perditësimi i fundit October 9th, 2025 7:51 AM
Oct 06, 2025 Zani i Nalte Histori 0
Prof. Asoc. Dr. Ilirjana Kaceli
Departamenti i Historise, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
Abstrakt:
Kushtetuta e vitit 1925 shënon një moment kyç në historinë politike dhe juridike të Shqipërisë, duke vendosur themelet e një sistemi republikan pas përfundimit të periudhës së princërimit dhe krizës së shtet formimit. Ky studim shqyrton në mënyrë analitike përmbajtjen e Kushtetutës, duke u përqendruar në formatin e republikës presidenciale, rolin e Presidentit të Republikës, dhe kufizimin e funksioneve të institucioneve legjislative dhe gjyqësore. Nëpërmjet një analize të hollësishme të zhvillimeve politike të asaj kohe, trajtohet mënyra se si kjo kushtetutë legjitimoi konsolidimin e pushtetit personal të Ahmet Zogut dhe ndikoi në krijimin e një sistemi autoritar me tipare qendërzuese. Gjithashtu, vlerësohet ndikimi i saj në transformimin e rendit juridik, në raport me legjislacionin e mëparshëm osman dhe përpjekjet për modernizim sipas modelit perëndimor. Përmes një qasjeje ndërdisiplinore, hulumtimi ofron një vështrim kritik mbi pasojat afatshkurtra dhe afatgjata që kjo kushtetutë pati në jetën politike dhe juridike shqiptare, duke ndihmuar në kuptimin më të thellë të proceseve të institucionalizimit në Shqipërinë e viteve ’20.
Fjalë kyçe: Kushtetuta e vitit 1925, republikë, senat.
Pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912 dhe përpjekjeve të pasigurta për krijimin e një shteti të qëndrueshëm, Shqipëria përjetoi një periudhë të gjatë trazirash politike, ndërhyrjesh të huaja dhe mungesë të institucioneve kryesore shtetërore. Kriza politike e viteve 1920–1924, e cila kulmoi me përmbysjen e qeverisë së Fan Nolit dhe me rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet, krijoi një kontekst të ri për riformatimin e formës institucionale të shtetit. Në këtë kuadër, miratimi i Kushtetutës së vitit 1925 përbën një moment historik me rëndësi të veçantë për zhvillimet politike dhe juridike të vendit.
Zhvillimet politike të viti 1924, kishin tronditur thellë jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Mungesa e rendit, e qetësisë dhe anarshia që kishin kapluar vendin, të gërshetuara me prapambetjen e gjithanshme të shoqërisë shqiptare kishin vështirësuar së tepërmi qeverisjen dhe kryerjen e funksioneve të shtetit[1].
Tek një pjesë e mirë e diplomatëve të huaj, madje edhe tek politikanët shqiptarë në qeverinë e mëparshme, ishte kristalizuar ideja se Shqipëria kishte nevojë për një dorë të fortë qeverisëse. Për nevojën e një regjimi të tillë në Shqipëri ishin edhe në Foreign Office. Në analizën që ai i bënte ngjarjeve në Shqipëri në vitin 1924, kishin arritur në përfundimin se ato ishin një dëshmi e qartë se Shqipëria nuk “… i është përshtatur konceptit perëndimor të qeverisjes. Përfaqësimi i tyre në institucione nuk është i plotë, idetë për unitet kombëtar janë të nivelit fillestar dhe nëse nuk mbikëqyren ekzistojnë mundësi për konflikte të brendshme…”[2].
Kishte ardhur koha për të prerë të gjitha fijet lidhëse me Shqipërinë turko-feudale në shuarje dhe për të ndërtuar një shtet dhe një komb që të ishte modern dhe i kohës, me një drejtues që të ishte i fortë, bashkëpunues, dhe energjik.
Sipas politikanit të kohës Eqerem Bej Vlorës emri që po qarkullonte më së shumti në bisedimet diplomatike dhe politike ishte ai i Ahmet Zogut[3]. Në fakt edhe vetë Zogu, po punonte fort dhe me shumë kujdes të ishte sa më real-politik brenda dhe jashtë vendit. Në fillim Zogu, e drejtoi vëmendjen tek procesi i legjitimitetit formal kushtetues të institucioneve të reja të shtetit në Shqipëri.
Ahmet Zogu do të rikthehej në qeverisje në dhjetor 1924, duke shpallur triumfin e legalitetit (ligjshmërisë). Sipas dokumenteve angleze të kohës ligjërisht Ahmet Zogu nuk ishte hequr nga pushteti, pasi kishte ardhur me zgjedhje në pushtet dhe largimi i tij ishte bërë me dhunë nga pushteti. Rikthimi i tij ishte më se i ligjshëm në dhjetor 1924. Sipas këtyre dokumenteve: “Meqë Fan Noli e kishte detyruar me forcë Iljaz Vrionin të largohej nga Shqipëria, para se ky i fundit të jepte dorëheqje, mund të thuhej se teknikisht Vrioni ka qenë Kryeministër edhe gjatë gjithë regjimit të Fan Nolit sepse qeverisja e tij nuk ishte deligjitimuar me krijimin e qeverisë së Nolit. Pasi vetë Noli nuk realizoi zgjedhje të përgjithshme për të legalizuar pushtetin e tij. Meqenëse qeveria e Iljaz Vrionit ishte e njohur nga HMG (qeveria e madhërisë së tij), kjo e drejtë i jepej edhe pasardhësit të tij A. Zogut, që ishte emëruar kryeministër të ishte zgjedhur në mënyrë kushtetuese.[4]
Vënia në funksion e qeverisë që ekzistonte para Kryengritjes së Qershorit, si dhe ringritja e institucioneve të tjera u cilësuan prej Zogut dhe mbështetësve të tij si “triumfi i Legalitetit”[5].
Edhe pse në Shqipëri kishte vështirësi të mëdha në aspektin institucional dhe ligjor por edhe me rendin, Ahmet Zogut dhe shqiptarëve ju dilnin vështirësi të mëdha për të zhvilluar më tej shtetin dhe rendin kushtetues dhe juridik. Ky vlerësim shprehej jo vetëm në dokumentet italiane të kohës por edhe tek ato angleze[6].
Sipas tyre Ahmet Zogu “është kthyer me vendosmëri të krijojë një qeveri të përshtatshme në këtë vend, por ai do të ketë vështirësi të mëdha në gjetjen e bashkëpunëtorëve të përshtatshëm. Ai nuk është hakmarrës…Tani ai është duke rivendosur rregullin dhe njerëzit e mirëpresin dorën e tij të fortë“[7].
Përfaqësuesit anglez Eyres raportonte në Foreign Office se “përveç përpjekjeve ligjore për vendosjen e rendit dhe qetësisë publike në vend, presidenti –Ahmet Zogu- bënte edhe përpjekje të natyrës tradicionale shqiptare për t’ia arritur qëllimeve…”. Zogu ftoi pleqtë e prefekturave të Shkodrës, Kosovës e të Dibrës në Tiranë, ku mbajti një takim të pleqësisë… Në këtë takim malësorët i dhanë besën Ahmet Zogut dhe kërkuan që ai të merrte masa energjike kundër gjakmarrjes.[8]
Sipas ministrit anglez në Tiranë Eyres Ahmet Zogu “është drejtues i ashpër e i papërkulshëm, si një person që nuk ndërmerrte hakmarrje për motive personale.[9]
Si një aristokrat përparimtar, Zogu besonte në zhvillimin gradual dhe natyral të vendit të tij në kundërshtim me rivalin i tij politik Fan Noli, i cili besonte në ndryshimet radikale dhe të menjëhershme. Ai ishte në esencë një perëndimor që anonte fortë në drejtim të ligjit dhe rendit. Me ardhjen e tij në fuqi si president, Zogu u përpoq të eliminonte zakone të tilla si gjakmarrja, duke bërë çarmatimin e popullsisë, vendosjen e policisë dhe pajtimin e personave që ishin në gjak dhe arriti një farë suksesi në shuarjen e kësaj fatkeqësie shumë të vjetër.[10]
Kështu, Shqipëria eci përpara me rikthimin në fuqi të Ahmet Zogut. Ai i solli vendit paqen që ishte mjaft e nevojshme.[11]
Më 5 janar 1925 Këshilli i Lartë ngarkoi Ahmet Zogun të formonte qeverinë e re[12]. Ahmet Zogu mbajti një fjalim me 7 janar 1925[13] me rastin e formimit të institucioneve të reja, ku “paralajmëroi reforma të përgjithshme në formën e organizimit shtetëror, ndër të cilat shkrirjen e ushtrisë, krijimin e një forcë të xhandarmërisë nën organizimin dhe trajnimin e instruktorëve të huaj, çarmatosjen e popullsisë, riorganizimin e administratës, reforma në ekonomi, ruajtjen e pavarësisë dhe të integritetit territorial, dhe ndjekjen e parimit të neutralitetit dhe fqinjësisë së mire”.[14]
Për të arritur qëllimet e përmendura më sipër dhe për ta zhvilluar Shqipërinë në aspektin shtetëror-institucional, por edhe më gjerë: “Këshilli i Lartë, me propozim të qeverisë, thirri më 17 janar 1925 në Tiranë, Asamblenë Kushtetues që të miratonte Statutin Themeltar (Kushtetutën) dhe të përcaktonte formën politike të shtetit shqiptar.”[15]
Asambleja (Kuvendi) Kushtetuese i dha votëbesimin qeverisë dhe kaloi në shqyrtimin e formës politike që do të kishte shteti shqiptar. Në përfundim të bisedimeve rreth formës politike të shtetit, në seancën e datës 21 janar 1925 Asambleja Kushtetuese vendosi njëzëri të shpallë Republikën Shqiptare. Ndërkohë, komisioni i ngarkuar për përgatitjen e projektit të Statutit Themeltar, e paraqiti atë në Asamblenë Kushtetuese, së bashku me një relacion shpjegues.[16]
Më 21 janar 1925 Shqipëria u shpall republikë parlamentare. Pas votëbesimit të qeverisë së re më 9 shkurt 1925, Asambleja Kushtetuese mbaroj funksionin e saj dhe u kthye në parlament por vazhdoi më tej punimet për miratimin e neneve të tjerë të projektstatutit i cili përfundoi në 3 mars 1925[17]. Botimi i plotë i Statutit Themeltar të Republikës Shqiptare (kushtetutës) u bë në “Fletoren Zyrtare” më 7 mars 1925[18].
Pasi miratoi edhe dispozitat e fundit të Statutit Themeltar, ai i dha fund detyrës dhe e deklaroi veten të shpërndarë.[19]
Statuti Themeltar Republikës i njohur si Kushtetuta e Shqipërisë e vitit 1925 është një dokument kyç në historinë kushtetuese dhe politike të vendit, duke shënuar një fazë të rëndësishme të konsolidimit të shtetit shqiptar. Rikthimi i Ahmet Zogut në pushtet në fund të vitit 1924 shënoi një kthesë në rrugën e konsolidimit të shtetit përmes miratimit të një Kushtetute që e orientoi Shqipërinë drejt një sistemi presidencial dhe me pushtet të fortë qendror (Stevenson 2004, 42).
Kushtetuta e 3 Marsit 1925 shënoi kalimin nga forma monarkike në një republikë presidenciale, -një strukturë e re për realitetin shqiptar të asaj kohe, -dhe synonte institucionalizimin e pushtetit të përqendruar të Ahmet Zogut, tashmë në funksionin e Presidentit të Republikës. Ajo u hartua dhe miratua në një kontekst ku përparësitë politike mbizotëronin mbi proceset demokratike dhe konsultative. Procesi i miratimit të kësaj kushtetute ishte i ndikuar fort nga rrethanat e brendshme të konsolidimit të pushtetit të Zogut, si dhe nga ndikimet e modeleve kushtetuese autoritare të kohës në Evropë, veçanërisht ato të Francës dhe Italisë. Hartuesit e projektit republikan të mbështetur në studimet më të mira të asaj kohe mbi të drejtën konstitucionaliste i paraqitën Asamblesë arsyet sepse zhvillimi i Shqipërisë mund të sigurohej vetëm me zbatimin e regjimit republikan[20]. Studiuesi Bush Zautner, përqasjen e Zogut ndaj kësaj reforme regjimi e sheh jo si një arsye doktrinash por si arsye për të siguruar pushtet[21].
Ky aspekt historiko-juridik na ndihmon të kuptojmë jo vetëm mënyrën se si u hartua dhe u miratua kjo kushtetutë, por edhe qëllimet politike që ajo shërbente, si dhe pasojat që solli në organizimin institucional të shtetit shqiptar. Në këtë kontekst, është me rëndësi të analizohen strukturat ligjore që ajo krijoi, raporti midis pushteteve, dhe mënyra sesi ajo kontribuoi në konsolidimin e një regjimi presidencial autoritar.
Ky dokument përmbante parime moderne perëndimore, por edhe elementë autoritarë, duke përfaqësuar një përpjekje për të ndërtuar një shtet të fortë në një territor me sfida të mëdha politike dhe shoqërore.
Në mënyrë të ngjashme, Kushtetuta shqiptare e 1925 konsolidoi pushtetin në dorën e Presidentit, duke reduktuar rolin dhe ndikimin e pushteteve lokale dhe të bajraktarëve tradicionalë, duke krijuar një administratë të disiplinuar dhe një kornizë ligjore të fortë për shtetin shqiptar. Ky model përfaqëson një largim nga format tradicionale të qeverisjes në Shqipëri dhe një afrimitet ndaj parimeve të autoritarizmit ligjor dhe organizimit shtetëror të kohës.
Ky ndikim historik dhe juridik është thelbësor për të kuptuar jo vetëm zhvillimin institucional të Shqipërisë në mes të shekullit të XX, por edhe pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare në një periudhë të pasigurisë dhe konkurrencës gjeopolitike në Ballkan.
Duhet theksuar se Kushtetuta e vitit 1925 pati një rëndësi shumë të madhe për krijimin e një kuadri të ri dhe të vlefshëm kushtetues e ligjor për Shqipërinë. Ajo e shpalli Shqipërinë republikë parlamentare, por gjithashtu i jepte kryetarit të shtetit një rol të rëndësishëm. Miratimi i saj ndikoi për realizimin e reformave të shumanshme që do të kishin ndikim edhe në zhvillimet e mëvonshme të Shqipërisë, për konsolidimin e shtetit shqiptar, për zhvillimin e infrastrukturës, etj.
Gjatë presidencës së A. Zogut, Shqipëria “filloi të shfaqej më shumë si komb sesa si agregat feudal i bejve lokale, për herë të parë që pas vdekjes së Skënderbeut”.[22] Kushtetuta e re e 3 marsit të vitit 1925 zgjidhi përfundimisht mbajtjen e postit të princit William Wied në Shqipëri.[23] Duhet theksuar se: “u konsoliduan institucionet politike, organet legjislative, ekzekutive dhe u stabilizua e modernizua sistemi i drejtësisë, duke pasur si bazë juridike Statutin Themeltar të Republikës (1925)”.[24]
Duhet theksuar se brenda 1 muaji, “ndryshimet politike në Shqipëri, së pari, formimi i qeverisë e më pas edhe shpallja e Republikës Shqiptare me Ahmet Zogun President, u njohën nga përfaqësuesit e akredituar në Shqipëri: të Greqisë, Bullgarisë, Italisë, Gjermanisë, MSKS-së, Hungarisë, Francës, Britanisë dhe SHBA-së”.[25]
Kushtetuta (Statuti Themeltar i Republikës) e vitit 1925 ishte një moment historiko-juridik me rëndësi të madhe për Shqipërinë, pasi krijoi një kornizë të qëndrueshme juridiko-institucionale që mundësoi zhvillimin e shtetit dhe institucioneve. Ajo përbën një “tërësi normash dhe rregullash” që rregullojnë marrëdhëniet shoqërore në fushën kushtetuese dhe siguron garanci juridike për qytetarët.
Kushtetuta ka një rëndësi shumë të madhe për një shtet pasi ajo është një “tërësi normash e rregullash që sistemojnë dhe rregullojnë marrëdhëniet shoqërore në fushën kushtetuese”, ajo përbën një pjesë të rëndësishme të sistemit juridik, e cila në thelb ngrihet si një “shtëpi” e garancive juridike që shteti u siguron qytetarëve të vet.[26]
Asambleja Kushtetuese më 21 janar 1925 shpalli Republikën Shqiptare dhe më 21janar 1925 Zogu u zgjodh President[27].
Sipas neni 1 të Statutit Themeltar përcaktonte formën e shtetit shqiptar: “Shqipnija asht Republikë Parlamentare e kryesueme prej një kryetari”[28].
Shqipëria u shpall Republikë Parlamentare me një President që zgjidhej nga Kuvendi për 7 vjet. Kjo shënoi ngritjen e formës republikane për herë të parë në historinë e Shqipërisë[29].
Gjithashtu duhet theksuar se “u miratua edhe një formë e re e regjimit kushtetues sipas modelit amerikan. Kuvendi Kombëtar ishte organi më i lartë legjislativ dhe ishte i ndarë në dy dhoma: Dhoma e Deputetëve (57 anëtarë të zgjedhur nga populli) dhe Senati (18 anëtarë, 12 të zgjedhur nga populli dhe 6 të emëruar nga Presidenti)[30].
Duhet theksuar se për herë të parë në sistemin historiko-juridik shqiptar u ngrit dhe u zhvillua organizimi republikan i qeverisjes, si dhe ndarja dy dhomëshe e parlamentit. Formalizimi de jure i ndarjes së pushteteve, përfshirja e disa të drejtave themelore në tekstin kushtetues, shprehën një hap përpara drejt modernizimit dhe oksidentalizmit të shtetit shqiptar.
Presidenti, që ishte njëkohësisht edhe Komandant i Forcave të Armatosura, kishte kompetenca të gjera, si e drejta e vetos, emërimi dhe shkarkimi i ministrave dhe prokurorëve, shpallja e luftës me miratimin e Kuvendit, ratifikimi i traktateve, etj. Ministrat duheshin të merrnin besimin e Dhomës së Deputetëve etj. [31]
Sipas trajtesave të disa juristëve dhe konstitucionalistëve shqiptarë kushtetuta e vitit 1925 nuk parashikonte sa duhet mekanizma për kontrollin dhe balancimin e pushtetit dhe pamundësinë e kontrollit efektiv të saj mbi presidentin.
Në kundërshtim me sa shprehëm më sipër duhet theksuar se sipas dokumenteve diplomatike të kohës, kompetencat e zgjeruara në duart e presidentit dhe zbatimi i sistemit republikan në Shqipëri u mbështetën nga ndërkombëtaret (dhe jo vetëm nga italianët por edhe nga britanikët).
Në vitin 1925, përfaqësuesi Eyres njoftonte Foreign Office se përpara presidencës së Ahmet Zogut: “Regjenca ishte jo funksionale, anëtarët e saj shpesh e kalonin Brindisin me një pjesë të thesarit të shteti,… -Edhe- Harold Nicolson shprehej se: kompetencat e presidentit janë të gjera dhe jo edhe të tejkaluara për një shtet si Shqipëria, kurse dispozitat që e rregullojnë gjyqësorin përmbajnë parime liberale”.[32]
Kushtetuta krijoi një strukturë të thjeshtë të pushtetit gjyqësor, me Gjykatën e Lartë si organin më të lartë të drejtësisë. U garantua pavarësia e gjykatave dhe mospërzierja e pushteteve të tjera në punët gjyqësore.[33]
Kushtetuta njohu disa të drejta themelore, përfshirë lirinë e besimit dhe praktikimit të fesë, por në praktikë ato ishin të kufizuara për shkak të ndikimeve politike dhe sociale të kohës.
Në aspektin politik, kjo kushtetutë kishte ndikim për zhvillimin e administratës shtetërore dhe ndihmoi në pastrimin e strukturave të qeverisjes nga burokracitë mëdha dhe të paefektshme, duke bërë të mundur që të zhvilloheshin politika shtetërore për të përmirësuar ekonominë e Shqipërisë.
Sipas mendimit tonë dhe leximit të dokumentave kryesore të kohës dhe artikujve që përbejnë kushtetutën e vitit 1925 mund të themi se kjo kushtetutë pati disa risi dhe elementë shumë të rëndësishme të saj për Shqipërinë e asaj kohe. Risitë kryesore të Kushtetutës së vitit 1925 ishin:
Në përfundim mund të themi qe Kushtetuta e Republikës Shqiptare të vitit 1925 përfaqësoi një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shtetit shqiptar, duke vendosur një kornizë ligjore për funksionimin e institucioneve, përmirësimin e administratës dhe përqasje me praktikat ndërkombëtare. Megjithatë, ajo përmbante edhe kufizime në kontrollin e pushtetit dhe në garantimin e të drejtave themelore, reflektim i kushteve historike dhe politikave të kohës.
Pas shekujve përpjekjesh për të fituar të drejtat dhe për të krijuar një shtet të pavarur, Shqipëria nuk arriti menjëherë të zhvillonte një rend kushtetues dhe institucional të qëndrueshëm, si dhe të organizonte një shtet modern dhe perëndimor. Edhe pse Kuvendi i Vlorës (1912), Statuti Organik i vitit 1914, Statuti i Lushnjës (1920) dhe Statuti i Zgjeruar i Lushnjës (1922) dhanë kontribut të rëndësishëm, por krizat e brendshme politike dhe ndikimet e huaja penguan stabilitetin juridiko-politik dhe zhvillimin e shtetit shqiptar.
Në këtë kontekst, Kushtetuta e vitit 1925 u shqua si një instrument kyç për zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për sfidat që Shqipëria po përballej. Ajo mundësoi që Shqipëria të krijonte dhe të forconte marrëdhëniet diplomatike, sidomos me shtetet perëndimore dhe veçanërisht me Italinë. Me një kornizë të fortë kushtetuese dhe një administratë të qëndrueshme, Shqipëria u bë një partner i besueshëm për shtetet si Italia, duke krijuar kushtet për investime të huaja dhe për zhvillim ekonomik.
Shqipëria nga ana e saj kërkonte të siguronte një mbështetje ndërkombëtare për konsolidimin e shtetit, ndërsa Italia e shihte Shqipërinë si një mundësi për të ushtruar ndikim gjeopolitik dhe ekonomik më të madh në Shqipëri, Ballkan e më gjerë gjatë kësaj kohe dhe më pas.
Sipas burimeve italiane të kohës, ndryshe nga fqinjët tokësorë të Shqipërisë, të cilët kishin edhe pretendime territoriale[34], Italia nuk kishte qëllime të tjera, por vetëm ndërtimin e marrëdhënieve të mira dhe të frytshme ekonomike e tregtare me Shqipërinë[35].
Mirëpo, përkundër këtyre deklaratave të Romës zyrtare, po nga këto burime del që krahas përpjekjeve për të monopolizuar ekonominë, Italia kishte dhe pretendime politike[36], të cilat kulmojnë me pushtimin e Shqipërisë më 1939.
Megjithatë Ahmet Zogu, sipas Eyres, bëri gjithçka për t’i siguruar italianët se Shqipëria nuk do të ishte vegël e Beogradit, duke synuar marrëdhënie më të mira me fqinjët për mbrojtjen e integritetit dhe pavarësisë. Dokumentet e Foreign Office-it të asaj kohe përshkruajnë Shqipërinë si një “pikë rreziku” dhe theksojnë nevojën që fqinjët të mos ndërhyjnë, dhe në rast konflikti çështjen ta adresojë Lidhja e Kombeve. Shqipëria e ndiente veten si shtet i pavarur dhe anëtar i Lidhjes së Kombeve, duke ruajtur të drejtën të ftojë ndërhyrjen e huaj kur e konsideronte të nevojshme.[37]
Duhet theksuar se gjatë kësaj kohe ishin situata të vështira politike dhe ekonomike të brendshme dhe të jashtme për Shqipërinë, dhe sipas dokumenteve diplomatike të asaj kohe të Foreign Office “Shqipëria është një pikë rreziku. Fqinjët duhet t’i mbajnë duart larg nga ajo dhe në rast rreziku, çështja të adresohet në Lidhjen e Kombeve”[38] Gjithashtu këto dokumente theksonin që “qeveria shqiptare e ndien se Shqipëria është shtet i pavarur dhe anëtare e Lidhjes së Kombeve, prandaj e mban të drejtën që ta ftojë secilin që ajo mendon se ka nevoje”[39], qoftë dhe Italinë.
Kushtetuta e vitit 1925 u miratua në një periudhë kur Shqipëria ishte e varur nga Fuqitë e Mëdha ndërkombëtare, veçanërisht nga Italia. “Tërheqja e britanikëve, e bërë në kuadrin e strategjisë së tyre globale botërore, u reflektua me hapa konkrete të italianëve. Kushtetuta e vitit 1925 u shërbye si një bazë e ligjshme për marrëveshjet që lidhën Shqipërinë me Italinë. Një nga marrëveshjet më të rëndësishme ishte krijimi i Shoqërisë për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë (SVEA) më 1925, e cila u angazhua t’i jepte Shqipërisë një hua prej 50 milionë frangash ari me interes 7.5% vjetor. Kjo huadhënie shërbeu si një mjet për të ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe për të forcuar lidhjet italo-shqiptare.[40]
Kushtetuta bëri të mundur lidhjen e disa marrëveshjeve politike dhe ekonomike, duke krijuar një kornizë ligjore dhe institucionale që favorizonte bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve. Ahmet Zogu u detyrua të pranonte mbështetjen italiane për të siguruar financime për zhvillimin ekonomik, ushtarak dhe kulturor të Shqipërisë, për shkak të mungesës së ndihmës nga Lidhja e Kombeve. Pas miratimit të Kushtetutës u lidhën disa marrëveshjeve politike dhe ekonomike që favorizonin bashkëpunimin e ngushtë italo-shqiptare. “Zogu ishte i detyruar ta pranonte në kërkim të gjetjes së mjeteve financiare për zhvillim ekonomik, ushtarak e kulturor të vendit. Refuzime e përsëritura të kërkesave shqiptare për ndihma nga Lidhja e Kombeve (fillimisht të bëra prej qeverisë së Nolit) i treguan atij se Shqipëria nuk do të kishte ndihmë kolektive”.[41]
Kjo Kushtetutë i mundësoi Shqipërisë të bëhej pjesë e marrëveshjeve bilaterale dhe multilaterale, duke zhvilluar një legjislacion dhe administratë që lehtësuan kontaktet diplomatike dhe ekonomike me shtetet e tjera, sidomos me Italinë. Shqipëria nën regjimin presidencial të Ahmet Zogut arriti të krijonte marrëveshje të rëndësishme me Italinë, përfshirë marrëveshje për asistencë financiare, ndihmë në ndërtimin e infrastrukturës dhe mbështetje në forcimin e institucioneve shtetërore. Ajo përforcoi pozicionin e Italisë si aktor kryesor në politikën e jashtme shqiptare dhe shërbeu si legjitimim juridik për rolin e Romës në Shqipëri.
Pas miratimit të Kushtetutës së vitit 1925, Shqipëria arriti të krijonte një sistem të ri juridik e politik që i mundësoi vendit të ndërmarrë hapat e parë të politikës së jashtme të pavarur dhe të zhvilluar, kryesisht të orientuar nga Italia si një partner shumë i rëndësishëm në rajon. Gjithashtu, Kushtetuta dha mundësi për të krijuar një sistem të zhvilluar të menaxhimit të burimeve natyrore dhe të kapitalit të huaj, gjë që duhej për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, e cila, në atë kohë, ishte e varur nga investimet e huaja, sidomos ato italiane.
Pas vitit 1925, me ndihmën italiane u themeluan institucione të reja shtetërore si banka, ndërmarrje infrastrukturore dhe shkolla, të cilat mbështeteshin nga kapitali italian dhe përfshinin klauzola që i jepnin Italisë privilegje ligjore dhe tregtare në Shqipëri.
Për Italinë, kjo ishte një fitore diplomatike dhe juridike. Kushtetuta shërbeu si garanci për zbatimin e marrëveshjeve, ndërsa Shqipërisë i solli përfitime afatshkurtra financiare dhe infrastrukturore, por njëkohësisht edhe një dobësim të pavarësisë së saj në plan afatgjatë.
Konkluzione
Ahmet Zogu rikthehet në qeverisje në dhjetor 1924, duke shpallur triumfin e legalitetit. Më 5 janar 1925, Këshilli i Lartë i ngarkoi Zogut formimin e qeverisë së re.
Kuvendi Kushtetues, i thirrur më 17 janar 1925, dhe miratoi më 21 janar shpalljen e Republikës Shqiptare dhe më 7 mars Statutin Themeltar (Kushtetutën), një akt me rëndësi historiko-juridike për konsolidimin e sistemit kushtetues shqiptar. Kushtetuta e vitit 1925 luajti një rol thelbësor në ndërtimin institucional dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Ajo kontribuoi në krijimin e një administrate shtetërore më efikase dhe të disiplinuar, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të strukturave shtetërore. Nëpërmjet këtij dokumenti themeltar u hap rruga për reforma të rëndësishme në sektorë të ndryshëm, veçanërisht në arsim, duke përhapur ide perëndimore me synimin e ndërtimit të një shoqërie policentrite dhe më të zhvilluar. Një aspekt qendror i Kushtetutës ishte përqendrimi i pushtetit juridik dhe ekzekutiv në duart e Presidentit dhe të administratës qendrore. Ky konfigurim institucional rezultoi në dobësimin e pushtetit të strukturave krahinore tradicionale, sidomos të bajraktarëve, të cilët shpesh vepronin në mënyrë autonome dhe jashtë kontrollit të shtetit qendror. Kjo nismë kontribuoi në ndërtimin e një shteti unitar dhe në rritjen e autoritetit të institucioneve qendrore. Kushtetuta garantoi gjithashtu lirinë e besimit dhe ushtrimin e lirë së fesë, duke dëshmuar për një qasje më tolerante dhe të avancuar në raport me të drejtat civile dhe fetare. Ajo vendosi themelet për një sistem gjyqësor funksional, i cili mundësonte administrimin e drejtësisë dhe trajtimin e çështjeve që lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Për më tepër, përmbajtja e Kushtetutës përfaqësonte një shkëputje të qartë nga modelet tradicionale të qeverisjes dhe një orientim drejt parimeve të shtetit ligjor sipas modelit perëndimor. Në këtë mënyrë, Kushtetuta e vitit 1925 kontribuoi në formësimin e kulturës juridike dhe politike në Shqipëri, duke vendosur standarde të reja në fushën e legjislacionit kushtetues dhe duke shërbyer si pikë referimi për aktet normative dhe kushtetuese të mëvonshme. Ndikimi i saj u ndie edhe në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare: ajo fuqizoi statusin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe e pajisi vendin me një bazë ligjore të përshtatshme për të nënshkruar marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.
Në një periudhë kur Shqipëria sapo kishte fituar statusin e saj si shtet i pavarur, Kushtetuta e vitit 1925 luajti një rol kyç në afirmimin ndërkombëtar të vendit dhe në zhvillimin e marrëdhënieve të tij diplomatike. Ky dokument themeltar jo vetëm që ofroi një bazë ligjore të domosdoshme për ndërtimin e institucioneve shtetërore, por gjithashtu u bë një instrument i rëndësishëm në konsolidimin e pozitës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Përmes strukturës së saj të qartë juridiko-kushtetuese dhe me mbështetjen e një administrate të stabilizuar, Kushtetuta mundësoi krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për vendosjen dhe forcimin e marrëdhënieve diplomatike, në veçanti me vendet perëndimore, ku spikati Italia. Kjo e fundit e konsideronte Shqipërinë si një hapësirë strategjike për zgjerimin e ndikimit të saj politik dhe ekonomik në Ballkan. Marrëdhëniet mes dy vendeve u thelluan mbi bazën e një interesi të përbashkët: Shqipëria kërkonte mbështetje ndërkombëtare për ruajtjen dhe forcimin e sovranitetit të saj, ndërsa Italia synonte të siguronte praninë e vet në rajon përmes një partneriteti të privilegjuar me Tiranën.
Kushtetuta e vitit 1925 kontribuoi në krijimin e një klime të favorshme për investimet e huaja, veçanërisht ato italiane, duke siguruar stabilitet ligjor dhe garantimin e të drejtave të investitorëve. Kjo kornizë ndihmoi në zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit, duke e pozicionuar Shqipërinë si një partner i besueshëm dhe me potencial për bashkëpunim në një kontekst më të gjerë gjeopolitik.
Bibliografia
Burime Arkivore
Arkivi i Institutit të Historisë, Tiranë. (AIH) A-V_16 Zautner Busch, “Shqipëria nën regjimin e Ahmet Zogut (Translated material).
Arkivi Qendror Shqiptar, Tiranë. (AQSH), F.647, V.1925, D.1, Fl.4.
The National Archives, London (TNA)
Foreign Office
Dokumente të publikuara
Documents on British Foreign Policy, First Series, vol. XXVI, London: HMSO, 1985.
Documents on British Foreign Policy, First Series, vol. XXVI, London: HMSO, 1985.
Statuti Themeltar i Republikës Shqiptare, 3 mars, 1925,. Tiranë: 2025.
Fletorja zyrtare, nr.40, 31.7.1925.
Bisedimet e Kuvendit Kombëtar, Mbledhja n.65, V.1925, Tiranë: 1925.
Libra dhe artikuj
ANASTASI, A. Historia e së drejtës kushtetuese në Shqipëri, Pegi, Tiranë: 2007.
CHRISTIE, B. Emerson. “The New Albanian Constitution”, “American Political Science Review “, XX (February 1926), J. 120-123.
ELEZI, I. ELEZI, E, Zhvillimi historik i rendit teoriko-juridik shqiptar, Botimet Erik, Tiranë” 2010.
FANIKO, I, V. Historia e të Drejtës Kushtetuese Shqiptare, Botimet Jozef, Tiranë” 2014.
FISHTA, I, TOÇI, V. Gjendja ekonomike e Shqipërisë në vitet 1912-1944, prapambetja e saj, shkaqet dhe pasojat, Shtèpia 8 Nèntori, Tiranë 1983.
HASANI, M. Rrethanat Socio-Ekonomike në Shqipëri 1912-1939, Institutit i Historisë, Prishtinë: 2023.
Historia e Popullit Shqiptar, vëll. III, Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Insituti i Historisë, Toena, Tiranë: 2007.
LUARASI, A, ANASTASI, A, KRISAFI, K. Çështje të Historisë së Shtetit dhe të së Drejtës, Luarasi, Tiranë: 1998.
MEHMETI, A. Qasja britanike për hapat e parë të Republikës Shqiptare, në Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, Shqiptarët dhe ndërkombëtarët në vitet 1912-1926, Botimet Albanologjike, Tiranë: 2021, f. 248.
MUSAJ, F. Republika Shqiptare 1925-1928, Akademia e Studime Albanolgjike, Instituti i Historisë, Tiranë: 2018.
OMARI, L. ANASTASI, A. E Drejta Kushtetuese, ShBlsh Tiranë: 2010.
OMARI, L. Çështje juridike e shoqërore, Kristalina-KH, Tiranë: 2017.
STEVENSON, Robert J. Zhvillimet politike në Shqipëri në vitet 1920-1939, Geer, Tiranë: 2004.
TAFAJ, Sinan. Marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet anëtare të BEE, Shtëpia botuese “Horizont”, Tiranë: 1999.
TELI, P. (Dibra), Shqipëria dhe Diplomacia Angeze 1919-1927 (nën dritën e burimeve arkivore angleze), Shtëpia Bouese “Neraida”, Tiranë: 2005.
TELI, Pranvera (Dibra). Angazhimi i Harry Eyres në politikat e brendshme të konsolidimit të shtetit shqiptar, 1921-1925, në përmbledhjen me kumtesa të konferencës shkencore “ Shqiptarët dhe ndërkombëtarët 1912-1926”, (përgaditi: Ledia Dushku), Akademia e Studimeve Albanologjike & Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, Botimet Albanologjike, Tiranë: 2021, f. 222.
USHTELENCA, I. Diplomacia e Mbretit Zog I, Tiranë 1995.
VLORA, E. bej. Kujtime 1885-1912, vëll II, Tiranë, Shtëpia e Librit & Komunikimit, Tirane: 2001.
[1] Fatmira Musaj, Republika Shqiptare 1925-1928, Akademia e Studime Albanolgjike, Instituti I Historisë, Tiranë:2018, f.57.
[2] The National Archives, London (më tej-TNA), Foreign Office (më tej -FO), 371/10654 C, 217/52/90/ Memorandum of Foreign Ofiice, 5 January 1925.
[3] Eqerem bej Vlora, Kujtime 1885-1912, vëll. II, Tiranë, Shtëpia e Librit & Komunikimit, Tirane: 2001, f.249; Pranvera Teli, Shqipëria dhe Diplomacia Angeze 1919-1927 (nën dritën e burimeve arkivore angleze), Shtëpia Bouese “Neraida”, Tiranë: 2005, f. 259-260.
[4] TNA, FO, 371/10654, C334/52/90. Coments from FO, 7 janar 1925; Pranvera Teli (Dibra), Angazhimi i Harry Eyres në politikat e brendshme të konsolidimit të shtetit shqiptar, 1921-1925, në përmbledhjen me kumtesa të konferencës shkencore “Shqiptarët dhe ndërkombëtarët 1912-1926”, (përgaditi: Ledia Dushku), Akademia e Studimeve Albanologjike & Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, Botimet Albanologjike, Tiranë: 2021, f. 222.
[5] Historia e Popullit Shqiptar, vëll. III, Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Insituti i Historisë, Toena Tiranë: 2007, f.247.
[6] Documents on British Foreign Policy, First Series, vol. XXVI, London: HMSO, 1985, dok. nr. 308. Informacion i Eyres per Chamberlain, 29 dhjetor 1924; Pranvera Teli (Dibra), Angazhimi i Harry Eyres në politikat e brendshme të konsolidimit të shtetit shqiptar, 1921-1925, në përmbledhjen me kumtesa të konferencës shkencore “ Shqiptarët dhe ndërkombëtarët 1912-1926”, ( përgaditi: Ledia Dushku), Akademia e Studimeve Albanologjike & Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, Botimet Albanologjike, Tiranë: 2021, f. 222.
[7] Documents on British Foreign Policy, First Series, vol. XXVI, London: HMSO, 1985, dok. nr. 308. Information provided by Eyres for Chamberlain, 29 dhjetor 1924;
[8] TNA, FO 371/10654, fl. 117-118. Letër e H. Eyres për A. Chamberlain, 13 korrik 1925; Armend Mehmeti: Qasja britanike për hapat e parë të Republikës Shqiptare, në përmbledhjen me kumtesa të konferencës shkencore
“Shqiptarët dhe ndërkombëtarët 1912-1926”, (përgatiti: Ledia Dushku), Akademia e Studimeve Albanologjike & Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, Botimet Albanologjike, Tiranë: 2021, f. 254.
[9] TNA, FO 371/10654, fl. 102. Letër e H. Eyres për Foreign Office, 29 mars 1925.
[10] Robert J. Stevenson, Zhvillimet politike në Shqipëri në vitet 1920-1939, Geer, Tiranë 2004, f. 45.
[11] Robert J. Stevenson, ibid, f. 46.
[12] Arkivi Qendror Shqiptar (më tej-AQSH), F.647, V.1925, D.1, Fl.4. Telegram i drejtorisë së Zyrës së shtypit drejtuar prefekturave e nënprefekturave të vendit, Tiranë më 5 janar 1925.
[13] Proklamatë e Ahmet Zog drejtuar popullit shqiptar , Gazeta “Bisedimet”, nr.1. Kajro, 8 shkurt 1925, f.3: Eqerem bej Vlora, ibid, f.246.
[14] FO, 371/10654, fl. 40-41. Shkresë e Sekretarisë së shtetit për A. Chamberlain, 22 janar 1925. Armend Mehmeti: Qasja britanike për hapat e parë të Republikës Shqiptare, në Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, Shqiptarët dhe ndërkombëtarët në vitet 1912-1926, Tiranë 2021, Botimet Albanologjike, p. 248..
[15] Bisedimet e Kuvendit Kombëtar, Mbledhja nr.65, V.1925, Tiranë: 1925. f. 889.
[16] Aleks Luarasi, Aurela Anastasi, Ksenofon Krisafi, Çështje të Historisë së Shtetit dhe të së Drejtēs, Luarasi, Tiranë: 1998, f.108-109.
[17] Ismet Elezi, Ela Elezi, Zhvillimi historik i mendit teoriko-juridik shqiptar, Botimet Erik, Tiranë : 2010, f. 39.
[18] Fletorja zyrtare, nr. 8, Tiranë 7 Mars 1925, f.1-19. Statutit Themeltar i Shtetit Shqiptar
[19]Aleks Luarasi, Aurela Anastasi, Ksenofon Krisafi, Çështje të Historisë së Sshtetit dhe të së Drejtēs, Luarasi, Tiranë: 1998, f.109..
[20]AQSh, F.146, V.1925, D.90, fl.11, Raport, mbi arsyet e zbatimit republikan në Shqipëri.
[21] Arkivi I Insititutit të Historisë (më tej –AIH), A-V_16 Zautner Busch, “Shqipëria nën regjimin e Ahmet Zogut (Translated material).
[22] Irvin V. Faniko, Historia e të Drejtës Kushtetuese Shqiptare, Botimet Jozef, Tiranë: May 2014, f.70.
[23] Emerson B. Christie, “The New Albanian Constitution”, “American Political Science Review”, XX (shkurt, 1926), f. 120-123.
[24] Ismet Elezi, Ela Elezi, Zhvillimi historik i mendimit teoriko-juridik shqiptar, Botimet Erik, Tiranë: 2010, f. 29.
[25] FO, 371/10654, fl. 79. Letër e H. Eyres për Foreign Office, 24 shkurt 1925. Armend Mehmeti: Qasja britanike për hapat e parë të Republikës Shqiptare, në Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, Shqiptarët dhe ndërkombëtarët në vitet 1912-1926, Tiranë 2021, Botimet Albanologjike, f. 249.
[26] Luan Omari, Aurela Anastasi, E drejta kushtetuese, Tiranë 2010, f. 9.
[27] Aurela Anastasi, Historia e së drejtës kushtetuese në Shqipëri, Pegi, Tiranë , 2007, f. 29.
[28] Statuti Themeltar Republikës Shqiptare, 1925, Kaptinë 1, Pjesa A, Art. 1. f. 3.
[29] Aleks Luarasi, Aurela Anastasi, Ksenofon Krisafi, Çështje të Historisë së Shtetit dhe të së Drejtēs, Luarasi, Tiranë 1998, f. 109.
[30] Fletorja Zyrtare, nr.8, Tiranë: 7 Mars 1925, f.1-19, Statuti Themeltar i Shtetit Shqiptar, p.3.
[31] FO, 371/10654, fl. 60. Shkresë e Sekretarisë së shtetit për A. Chamberlain, 22 janar 1925. Armend Mehmeti: Qasja britanike për hapat e parë të Republikës Shqiptare, në Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, Shqiptarët dhe ndërkombëtarët në vitet 1912-1926, Tiranë 2021, Botimet Albanologjike, f. 248.
[32] FO ,371/10656, fl. 141. Letër e H. Eyres për Foreign Office, 22 janar 1925.:Armend Mehmeti: Qasja britanike për hapat e parë të Republikës Shqiptare, në Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, Shqiptarët dhe ndërkombëtarët në vitet 1912-1926, Tiranë 2021, Botimet Albanologjike, pp. 248-249.
[33] Luan Omari, Çështje juridike e shoqërore, Kristalina-KH, Tiranë 2017, f. 217.
[34] Mentor Hasani, Rrethanat Socio-Ekonomike në Shqipëri 1912-1939, Institutit I HIstorisë, Prrishtinë: 2023 f. 316-317.
[35] AIH, F.A.V, D.90, V.1924, fl.3, Berri G.I. Balcani Inquesti , Milano, 1924.
[36] Mentor Hasani, ibid, f. 317.
[37]Documents on British Foreign Policy, First Series, vol. XXVI, London: HMSO, 1985, dok. nr. 310. Informacion i Graham për Chamberlain, 30 dhjetor 1924. Pranvera Teli (Dibra), Angazhimi i Harry Eyres në politikat e brendshme të konsolidimit të shtetit shqiptar, 1921-1925, në përmbledhjen me kumtesa të konferencës shkencore “Shqiptarët dhe ndërkombëtarët 1912-1926”, (përgaditi: Ledia Dushku), Akademia e Studimeve Albanologjike & Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, Botimet Albanologjike, Tiranë: 2021, f. 221.
[38]TNA, FO 371/10656, fl. 82-84. Memorandum i Foreign Office, 2 mars 1925. Armend Mehmeti: Qasja britanike për hapat e parë të Republikës Shqiptare, në Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, Shqiptarët dhe ndërkombëtarët në vitet 1912-1926, Tiranë 2021, Botimet Albanologjike, f. 253.
[39] TNA, FO 371/10656, fl. 53-54. Letër e H. Eyres për Foreign Office, 26 janar 1925. Koloneli Stirling për Foreign Office, 31 janar 1925, Armend Mehmeti: Qasja britanike për hapat e parë të Republikës Shqiptare, në Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë, Shqiptarët dhe ndërkombëtarët në vitet 1912-1926, Tiranë 2021, Botimet Albanologjike, f. 248-2490.
[40] Fletorja zyrtare, nr.40, dt 31.7.1925. Konvencion mbi krijimin e bankës dhe huanë SVEA; Societa italiana per Azioni, Notizie statistiche edizione, XIII, Roma, 1932, f. 270; Sinan Tafaj, Marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet anëtare të BEE, Shtëpia botuese Horizont, Tiranë 1999, f. 26.
[41] Shih më gjerë I. Fishta-V. Toçi, Gjendja ekonomike e Shqipërisë në vitet 1912-1944, prapambetja e saj, shkaqet dhe pasojat, Tiranë 1983, fq.15; I. Ushtelenca, Diplomacia e Mbretit Zog I, Tiranë, 1995, f. 91.
Oct 09, 2025 0
Sep 11, 2025 0
Sep 10, 2025 0
Sep 04, 2025 0
May 21, 2025 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 01, 2024 0
May 21, 2025 0
Në kuadër të marrëdhënieve të mira ndërfetare dhe bashkëpunimit me institucionet fetare ndërkombëtare, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori...May 21, 2025 0
Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...May 21, 2025 0
Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...Sep 04, 2025 0
Dr. Feim Hoxha ABSTRAKTI Sociologjia, si një nga shkencat më të rëndësishme humane, ka në fokus të studimeve të saj njeriun si një qenie sociale, si dhe shoqërinë në të cilën...