Perditësimi i fundit March 3rd, 2026 9:59 AM

  • Rreth Nesh
    • Bordi editorial
    • Rreth revistës shkencore “Zani i Naltë”
  • Rregullat e shkrimit
  • Autorët
  • Lidhje
  • Zani i Naltë në PDF
  • Kontaktoni

Zani i Naltë

Te fundit

  • Abstracts no. 41
  • Abstraktet e nr. 41 (194)
  • PAMJE MAHNITËSE E QELIZËS (QELIZA-SHKENCA DHE KURANI)
  • Recension për librin: “Me Zotin mes njerëzve” me autor z. Dorian Demetja
  • Zhvillohet konferenca shekncore “Ihtijari dhe roli i tij në mendimin juridik islam”
  • Home
  • Aktivitete
  • Shkenca Islame
  • Editoriale
    • Abstraktet
    • English
  • Shkenca
    • Shkenca dhe besimi
    • Shkenca ekzakte
    • Shkenca Komunikimi
    • Mjekësi
    • Gjuhë-letërsi
    • Përkthime
  • Studime
    • Psikologji
  • Sociologji
    • Filozofi
  • Histori
    • Personalitete
    • Retrospektivë
    • Zani i Nalte 1923-1939
  • Jurisprudencë
  • Galeri
  • Video
  • Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Google+
    • Pinterest
    • RSS Feed
    • Linked
    • Youtube

Abstraktet e nr. 41 (194)

Mar 03, 2026 Zani i Nalte Abstraktet 0


Revista shkencore dhe kulturore “ZANI I NALTË”

Përmbajtja e nr. 41 (194)

  1. Shkenca Islame

Muhamedi (a.s.) prijësi mё me ndikim në udhëzimin e njerëzimit – Prof. Dr. Qazim Qazimi

Abstrakt

Ky punim trajton figurën e Profetit Muhamed (s.a.s.) si personaliteti më me ndikim në historinë njerëzore, duke analizuar dimensionet e tij fetare, politike dhe shoqërore përmes thjerrëzës së burimeve hyjnore dhe traditës historike. Studimi fillon me argumentimin kuranor dhe paralajmërimet biblike mbi ardhjen e tij, duke vijuar me mrekullitë që shoqëruan lindjen e tij dhe zhvillimin e personalitetit të tij moral (el-Emin) përpara shpalljes.

Një fokus i veçantë i kushtohet fenomenit të Mevludit (përvjetorit të lindjes), duke e analizuar atë si një fenomen socio-kulturor dhe letrar. Punimi hulumton zanafillën e festimit të Mevludit në botën islame dhe transformimin e tij në një traditë të pasur artistike, veçanërisht në trojet shqiptare. Përmes analizës së kontributit të poetëve dhe dijetarëve si Hasan Zyko Kamberi, Tahir Popova dhe Hafiz Ali Korça, evidentohet se si kjo trashëgimi letrare shërbeu jo vetëm si akt devotshmërie, por edhe si një mjet i fuqishëm për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhësor dhe kulturor të shqiptarëve përballë rreziqeve të asimilimit.

Në përfundim, punimi argumenton se manifestimi i Mevludit, i parë si një “risi e mirë” (bid’atun haseneh), mbetet një element esencial i memories kolektive islame, i cili promovon vlerat universale të paqes, bashkëjetesës dhe nderimit ndaj figurës profetike në epokën bashkëkohore.

Fjalët kyçe: Muhamedi (s.a.s.), Mevludi, Identiteti Kombëtar, Bashkëjetesa, Bid’atun Haseneh.

 

  1. Studime Islame

a)Vlera shkencore dhe pedagogjike e veprës “El-ihtijar li-ta’lil al-muhtar” në mësimdhënien e fik’hut islam – Dr. Abdulxhemil Nesimi

Shkencat islame (shkencat e Sheriatit) përbëjnë themelin kryesor për ruajtjen e fesë islame dhe për kuptimin e saktë të Kuranit dhe Sunetit të Profetit Muhamed ﷺ. Nëpërmjet këtyre shkencave, myslimanët njohin dispozitat fetare që rregullojnë adhurimet, marrëdhëniet dhe sjelljen e tyre në jetën e përditshme. Për këtë arsye, këto shkenca kanë pasur një rëndësi të veçantë që nga fillimet e Islamit.

Për nderin që gëzojnë shkencat islame të  mjafton  thënia e të Plotfuqishmit:

) فَلَوْلَا نَفَرَ مِن كُلِّ فِرْقَةٍ مِّنْهُمْ طَائِفَةٌ لِّيَتَفَقَّهُوا فِي الدِّينِ وَلِيُنذِرُوا قَوْمَهُمْ إِذَا رَجَعُوا إِلَيْهِمْ لَعَلَّهُمْ يَحْذَرُونَ (  

“E përse nga çdo grumbull i tyre të mos shkojë një grup për t’u aftësuar në diturinë fetare, për ta mësuar popullin e vet kur të kthehen te ata, në mënyrë që ata ta kuptojnë (e të ruhen).” [Teube : 122]

Ndërkaq, Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) ka thënë:

)مَنْ يُرِدِ الله بِهِ خَيْراً يُفقِّهْهُ فِي الدِّين(

“Kujtdo që Zoti ia do të mirën, ia jep kuptimin e fesë.”

Me zgjerimin e botës islame dhe me shtimin e nevojave shoqërore, u shfaqën dijetarët si bartës të dijes dhe udhërrëfyes të ymetit. Ata u dalluan për përkushtimin e tyre në ruajtjen, shpjegimin dhe sistemimin e dijes fetare. Nga këta dijetarë dolën imamët e medhhebeve juridike, të cilët vendosën rregulla të qarta për nxjerrjen e dispozitave fetare, duke ruajtur ekuilibrin mes teksteve fetare dhe realitetit të jetës.

Në këtë kontekst historik dhe shkencor, u shfaq libri “El-Ihtijar li Ta’lili el-Muhtar” (الاختيار لتعليل المختار) i dijetarit Abdullah ibn Mahmud el-Mavsili (v. 683 h.), një nga veprat më të rëndësishme të fik’hut hanefi. Ky libër u dallua për faktin se nuk mjaftohet vetëm me përmendjen e dispozitave, por gjithashtu shpjegon arsyetimin dhe argumentet e tyre, gjë që e bën atë një burim shumë të vlefshëm për studentët e shkencave islame dhe për institucionet arsimore fetare. Për këtë arsye, libri “El-Ihtijar” ka zënë një vend të rëndësishëm në fakultetet islame, veçanërisht në trevat ku medhhebi hanefi ka qenë dhe mbetet i përhapur, duke kontribuar në formimin e mendimit juridik dhe në ruajtjen e trashëgimisë islame. Autori ofroi një prezantim të saktë të çështjeve ligjore me shpjegim të provave dhe motiveve të tyre. Ai gjithashtu sqaron opinionet e ndryshme brenda shkollës hanefite, si dhe shkollave të ​​tjera, duke përdorur një stil që kombinon koncizitetin me thellësinë. Për këtë arsye, libri ka fituar vlerësimin e dijetarëve, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen. Është miratuar nga mësimdhënësit në institutet e Sheriatit, si dhe është përdorur nga gjyqtarët dhe myftinjtë. Jurist të shkollës e kanë përshkruar si një libër që kombinon transmetimin dhe të kuptuarit (racionalen), ku autori paraqet metodologjinë hanefite të arsyetimit dhe argumentimit në formën e saj më elegante.

b) Taʿlili dhe etika e përgjegjësisë: Një rilexim i El-Ihtijar li taʿlil el-Muhtar si urë mes tekstit dhe kontekstit – Ana Gjeci

Abstrakt

Ky punim synon të ripozicionojë vlerën metodologjike dhe etike të veprës “El-Ihtijar li taʿlil el-Muhtar” të autorit el-Mausili (vd. 683/1284), një tekst kyç i jurisprudencës hanefite. Pika qendrore e analizës është praktika e taʿlil-it (arsyetimit të dispozitave), e cila e shndërron veprën nga një manual i thjeshtë normativ në një platformë aktive interpretimi. Studimi argumenton se el-Mausili, duke sqaruar shkaqet efektive (ʿilel) pas çdo rregulli, vendos në qendër të procesit juridik përgjegjësinë etike dhe epistemike të juristit.

Punimi ndiqet nga një analizë e strukturës didaktike të veprës, ku theksohet se si ky model arsyetimi shërben si një urë ndërmjet besnikërisë ndaj tekstit hyjnor dhe përgjigjshmërisë ndaj realitetit shoqëror. Përmes kësaj qasjeje, studenti i fikhut nuk mëson vetëm rregullin mekanik (“çfarë”), por internalizon logjikën e qëllimshme dhe transparente të ligjit (“pse”).

Në mbyllje, abstrakti shtjellon rëndësinë bashkëkohore të këtij modeli, duke propozuar që etosi i el-Mausilit të mos shihet si një mjet për zgjidhje të gatshme, por si një paradigmë për të përballuar sfidat etike të sotme. Punimi përfundon me idenë se rileximi i kësaj tradite ofron një vijueshmëri të domosdoshme ndërmjet trashëgimisë klasike dhe nevojave të interpretimit modern në mendimin islam.

Fjalët kyçe: taʿlil – konteksti dhe ndërmjetësimi tekst–kontekst – përgjegjësia etike e interpretimit – metodologjia hanefite

 

c) Metodologjia e arsyetimit juridik në veprën El-Ihtijar li ta‘lili el-Muhtar – Eduart Shefkiu

Abstrakt

Ky punim merr në analizë veprën monumentale “El-Ihtijar li ta‘lili el-Muhtar” të Imam Mausiliut, një manual qendror i jurisprudencës hanefite që shërbeu si gur themeli për standardizimin e praktikave juridike islame. Studimi trajton metodologjinë unike të autorit, i cili nuk mjaftohet vetëm me prezantimin e dispozitave fetare (metn), por i shoqëron ato me arsyetimin juridik dhe argumentimin e tyre burimor nga Kurani, Suneti, ixhmaja dhe kijasi.

Një fokus i veçantë i kushtohet ndarjes midis kapitullit të adhurimeve (ibadat) dhe marrëdhënieve kontraktuale (muamelat). Ndërsa normat e adhurimeve trajtohen si statike, punimi vë në dukje fleksibilitetin dhe dinamikën e muamelateve, duke argumentuar se si vepra “El-Ihtijar” mbetet aktuale përmes parimeve që i përshtaten konteksteve të ndryshme socio-ekonomike. Gjithashtu, analizohet rëndësia e motivimit të çështjeve (ta’lil) si një mjet që mundëson kalimin e rregullit fetar nga rasti bazë te ngjarjet dinamike të jetës së përditshme.

Punimi shqyrton gjithashtu terminologjinë komplekse juridike të përdorur nga Imam Mausiliu dhe ndikimin e parimeve të Usulul Fikhut në strukturimin e veprës. Në mbyllje, theksohet se “El-Ihtijar” nuk është thjesht një manual historik, por një instrument pedagogjik që zhvillon aftësinë e juristit bashkëkohor për të menduar juridikisht dhe për të ofruar zgjidhje brenda kornizës së Sheriatit.

Fjalët kyçe: El-Ihtijar, Imam Mausiliu, Fikh Hanefi, Ta’lil (Arsyetim), Muamelat, Usulul Fikh, Kijas.

  1. Histori

Organizimi fetar në Tokat e Liruara në vitet 1941-1944 – Phd.c Jeton Idrizi

Abstrakt

Ky punim shqyrton në mënyrë të detajuar procesin kompleks të riorganizimit administrativ, juridik dhe institucional të Komunitetit Mysliman Shqiptar gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore (1941–1944). Fokus i veçantë i kushtohet trevave të njohura historikisht si “Tokat e Liruara” (Kosova dhe Maqedonia Perëndimore), të cilat pas shpërbërjes së Mbretërisë Jugosllave iu bashkëngjitën administrativisht shtetit shqiptar. Kërkimi evidenton kalimin historik të kompetencave fetare nga Ulema Mexhlisi i Shkupit drejt Kryesisë së Komunitetit Mysliman në Tiranë, duke shënuar një hap vendimtar drejt unifikimit institucional të shqiptarëve mbi baza kombëtare dhe shpirtërore.

Përmes analizës së dokumenteve arkivore dhe referencave historiografike, artikulli detajon strukturimin e ri hierarkik, duke filluar nga krijimi i Këshillit të Ulemave deri te riorganizimi i kryemyftinive në qendrat kryesore si Prizreni dhe Prishtina. Punimi analizon rolin e rëndësishëm të institucioneve arsimore, si Medresetë e Gjakovës, dhe rëndësinë e revistës “Kultura Islame” në kultivimin e një ndërgjegjeje që harmonizonte vlerat islame me ato atdhetare. Një vëmendje e veçantë i kushtohet Kongresit të Klerit Mysliman të Prizrenit (1941), i cili shërbeu si gur themeli për ligjshmërinë e re administrative, si dhe ndryshimeve udhëheqëse nën administrimin e Jacomonit, që kulmuan me zgjedhjen e Hafiz Sherif Langut si kryetar të komunitetit.

Punimi arrin në përfundimin se ky riorganizim nuk ishte thjesht një ndryshim burokratik, por një mjet efikas për kapërcimin e dasive të vjetra fetare e krahinore. Ai dëshmon se te popullsia shqiptare, ndjenja e kombësisë mbetej parësore, duke e shndërruar Bashkësinë Islame në një shtyllë të rëndësishme të unitetit kombëtar dhe stabilitetit social në një periudhë trazirash globale.

Fjalët kyçe: Tokat e Liruara, Komuniteti Mysliman Shqiptar, Bashkim Kombëtar, Këshilli i Ulemave, Kongresi i Prizrenit, Hafiz Sherif Langu, Historia e Kosovës.

 

  1. Filozofi

Liria dhe demokracia nuk mund të realizohen pa një ripërtëritje morale dhe intelektuale – Prof. Dr. Gjergji Sinani

“Është një fatkeqësi e kohës që të marrët drejtojnë të verbrit”

Uilliam Shekspir: “Mbreti Lir”

 

Që Evropa të mos binte në një “urrejtje shpirtërore dhe barbari”, Husserli, kërkoi një “rilindje të Evropës duke nisur nga shpirti i filozofisë”, sepse “Filozofia, duke u shpalosur në format e kërkimit dhe të kulturës prodhon një pasojë të dyfishtë shpirtërore. Nga njëra anë, më thelbësorja në qëndrimin teoretik të njeriut filozofik është vetë universaliteti i sjelljes kritike, e cila vendos që të mos pranojë pa pyetje asnjë opinion të dhënë që më parë, asnjë traditë dhe të shtrojë sa më parë, kundrejt universiumit tradicional të dhënë që më parë, pyetjen mbi të vërtetën në vetvete, e cila është një idealitet”

Këto rreshta ai i shkroi në vitin 1936 dhe pas tre vitesh Evropa ra në një barbari siç ishte Lufta II Botërore, ndërsa ne ramë në një barbari më shumë, siç ishte barbaria e arsyes. Ne shpresuam se në demokraci do ta dilnim nga barbaria e arsyes për të ngjallur shpirtin kritik, siç e kërkon filozofia, por ramë në një barbari të re të opinionit. Në vend që të dilnim nga apatia mendore, ne ende nuk po dalin nga “kaosi i unit shoqëror”, siç shprehej dikur Niçja. Shkurt, ka ardhur koha që të vendosim rregull në unin tonë shoqëror, me qëllim që të mos mbetemi viktima të mediokritetit dhe sharlatanizmit. Të gjitha kombet e qytetëruara e kanë filluar zhvillimin përmes një ripërtëritje shpirtërore.

  1. Jurisprudencë

Prezenca fetare dhe të drejtat e besimtarëve në një shtet laik: shumica myslimane dhe neutraliteti selektiv në Shqipëri – Myzejen Myftari

Abstrakt

Ky punim merr përsipër të analizojë në mënyrë kritike zbatimin e parimit të laicitetit në Shqipërinë bashkëkohore, duke u fokusuar në atë që autorja e emërton si “neutralitet selektiv”. Megjithëse Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (Neni 10) sanksionon një model laiciteti pluralist dhe neutral, praktika institucionale dhe diskursi publik shpesh dëshmojnë një qasje asimetrike ndaj komunitetit mysliman, i cili përbën shumicën demografike dhe një shtyllë historike të identitetit kombëtar.

Artikulli argumenton se laiciteti, në vend që të shërbejë si një mjet për mbrojtjen e lirisë së fesë dhe pluralizmit (sipas traditës liberale të Rawls dhe Kymlicka), po instrumentalizohet si një mekanizëm për kontrollin kulturor dhe “riedukimin” e identitetit Islam. Autorja analizon se si modelet e tejkaluara të sekularizmit agresiv, që synojnë zbrazjen e hapësirës publike nga elementet fetare, po rikthehen në formën e pengesave burokratike, stigmatizimit mediatik dhe paragjykimeve ndaj simboleve si mbulesa apo Ezanit.

Punimi ndalet gjerësisht në tri dimensione problematike:

  • Aspekti Juridik: Përplasja midis standardeve ndërkombëtare (GJEDNJ) dhe interpretimeve arbitrare vendase që kufizojnë shprehjen fetare në emër të një “neutraliteti” të keqkuptuar.
  • Aspekti Sociologjik: Roli i fesë si prodhuese e kapitalit social dhe kohezionit, duke vënë në dukje se margjinalizimi i Islamit publik dëmton solidaritetin qytetar dhe nxit “orientalizmin e brendshëm”.
  • Aspekti Psikologjik: Pasojat e stigmatizimit në identitetin e besimtarëve, që shpesh përkthehen në ndjesi përjashtimi dhe ankth identitar.

Në mbyllje, artikulli propozon një rikonceptim të laicitetit shqiptar jo si një proces “spastrimi” të religjionit nga jeta publike, por si një garanci për bashkëjetesë të barabartë. Autorja thekson se toleranca fetare në Shqipëri nuk është fryt i laicizmit shtetëror, por produkt i kulturës shekullore të komunitetit mysliman dhe komuniteteve të tjera, ndaj mbrojtja e kësaj trashëgimie kërkon një shtet që respekton të drejtën e secilit për të qenë prezent dhe i barabartë në sferën publike.

Fjalët kyçe: Laicitet, neutralitet selektiv, komuniteti mysliman, hapësirë publike, pluralizëm, liri fetare, identitet kombëtar.

 

  1. Shkencë & Besim

Pamje mahnitëse e qelizës (Qeliza shkenca dhe Kurani) – Hasan Domi

Abstrakt

Ky shkrim ofron një vështrim analitik dhe reflektues mbi qelizën si njësinë bazë të jetës, duke harmonizuar zbulimet më të fundit të teknologjisë shkencore me vërtetimet e hershme të shpalljes kuranore. Teksti nis me referimin e një imazhi të fundit mikroskopik të realizuar nga shkencëtarët italianë, i cili konsiderohet si pamja më e detajuar e qelizës njerëzore deri më sot, për të argumentuar se shkenca moderne po zbulon sot atë që në Kuran është cilësuar si “argument në veten tuaj” (Surja 51:21).

Përmes një narrative që gërsheton biologjinë me mirënjohjen, autori nderon figurat e shquara të pedagogjisë shqiptare, si Robert Papajani dhe Aleko Xoxe, të cilët hodhën themelet e njohjes shkencore mbi botën misterioze të qelizës në auditoret shqiptare. Shkrimi detajon kompleksitetin mahnitës të sistemeve organike, me fokus të veçantë te truri dhe zemra, ku kjo e fundit nuk trajtohet thjesht si pompë mekanike, por si një qendër kognitive që përputhet me konceptin kuranor të “zemrës që arsyeton”.

Një aspekt kyç i punimit është edhe analiza e ripërtëritjes qelizore dhe aftësia e ADN-së për të ruajtur informacionin, fenomen që autori e lidh me dëshminë eskatologjike të gjymtyrëve në Ditën e Gjykimit. Ky shkrim përfundon me mesazhin se përsosmëria e ndërtimit njerëzor është dëshmia më e qartë e projektimit hyjnor, duke ftuar lexuesin drejt një reflektimi të thellë mbi dijen dhe ekzistencën.

Fjalët kyçe: Qeliza, Shkencë, Kuran, Ripërtëritja Qelizore, Neuroshkenca, Argumenti Hyjnor, ADN.

 

  1. Ekologji

 Mbrojtja e mjedisit në dritën e Kuranit dhe Sunetit- Resul ef. Rexhepi

Abstrakt

Ky punim shqyrton krizën ekologjike bashkëkohore përmes perspektivës së Kuranit dhe Sunetit, duke argumentuar se mbrojtja e mjedisit nuk është thjesht një detyrim ligjor apo social, por një imperativ teologjik. Gjithashtu analizohet konceptin islam i “Mëkëmbësisë” (Hilafetit), ku njeriu ngarkohet me amanetin e ruajtjes së Tokës dhe trajtimin e çdo krijese—nga bota bimore te ajo shtazore—si një qenie që dëshmon Madhështinë e Krijuesit.

Në shkrim detajohen parimet e Sheriatit që ndalojnë shkatërrimin e panevojshëm të natyrës, vrasjen e kafshëve për argëtim dhe djegien e arave (zjarret e qëllimshme), duke i cilësuar këto si akte që cenojnë rregullin hyjnor. Një vëmendje e veçantë i kushtohet trashëgimisë historike islame, si sistemet urbane të zonave të mbrojtura (Hima dhe Harem) dhe institucioni i vakëfit për kafshët, të cilat shërbejnë si modele pioniere të qëndrueshmërisë ekologjike.

Përfundimet e këtij studimi theksojnë se zgjidhja e krizës mjedisore kërkon një ripërtëritje të vetëdijes shpirtërore, ku pyllëzimi, pastërtia dhe kursimi i ujit konsiderohen forma të larta të adhurimit (Sadaka rrjedhëse). Shkrimi fton intelektualët dhe besimtarët myslimanë të jenë zëri kryesor në mbrojtjen e natyrës, si një përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm dhe ndaj Vetë Krijuesit.

Fjalët kyçe: Ekologji, Kuran, Sunet, Mjedis, Kafshë, Vakëf, Sadaka rrjedhëse, Mbrojtja e Natyrës

 

  1. Recensë

Recension për librin: “Me Zotin mes njerëzve” me autor z. Dorian Demetja – Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi

Pakkush prej lexuesve të rregullt, por edhe prej intelektualëve që japin ndihmesën e tyre në lëmin e letërsisë islame, e ka ditur se Drejtori i Kulturës pranë KMSH-së veç detyrës administrative, ka pasion edhe shkrimtarinë brenda këtij stili funksional, që ka lexues të sinqertë e pasionantë. U deshën një sërë botimesh të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, që të zbulohej ky tipar, detaj që bën diferencën e autorit Dorian Demetja si besimtar i dëlirë, nëpunës i përkushtuar dhe studiues i letërsisë islame.

Pas artikujve te revistat zëmëdha “Zani i Naltë” dhe “Drita Islame”, ku jepen informacione dhe qëndrime shkencore plot interes, duket natyrshëm që iu mblodh aq material, sa nuk kishte mundësi ta linte ashtu në heshtje, apo siç thuhet rëndom: ta mbante për vete. Ashtu siç pohon vetë, nëpërmjet atyre trajtesave është përpjekur të tregojë rrugët e fitimit të kënaqësisë së Zotit, mbi të cilat njeriu duhet të shkelë për t’u bërë një rob prej robërve që pëlqen Krijuesi. Në këtë lëmi vijon të çapitet, ndaj kësisoj kjo vepër, që i shtohet bibliotekës myslimane duke e pasuruar atë, është e mbushur me pikëpamjet joshëse të autorit për probleme dhe qasje të tij, që kanë lidhje me formimin shpirtëror, mendor dhe moral të gjithkujt, duke shkoqitur edhe kahjen nga duhet të priren.

Si profesionist i fushës, shpalos mes këtyre shkrimeve pikëpamjet vetjake për shumë probleme themelore, që lidhen me gjendjen e zhvillimin më tej të edukimit shpirtëror në përgjithësi dhe atij islam në veçanti, por dhe me rrugët efikase si ai mund e duhet të plotësohet.


  • tweet
Abstracts no. 41 PAMJE MAHNITËSE E QELIZËS (QELIZA-SHKENCA DHE KURANI)

Zani i Nalte

Artikuj të ngjashëm
  • Abstracts no. 41
    Abstracts no. 41

    Mar 03, 2026 0

  • PAMJE MAHNITËSE E QELIZËS (QELIZA-SHKENCA DHE KURANI)
    PAMJE MAHNITËSE E QELIZËS...

    Feb 26, 2026 0

  • Recension për librin: “Me Zotin mes njerëzve” me autor z. Dorian Demetja
    Recension për librin: “Me Zotin mes...

    Feb 09, 2026 0

  • Zhvillohet konferenca shekncore “Ihtijari dhe roli i tij në mendimin juridik islam”
    Zhvillohet konferenca shekncore...

    Jan 15, 2026 0

Me shumë në këtë kategori
  • Abstraktet e nr. 40 (193)
    Abstraktet e nr. 40 (193)

    Sep 04, 2025 0

  • Abstraktet e nr. 39 (192)
    Abstraktet e nr. 39 (192)

    Sep 04, 2025 0

  • Abstraktet e nr. 38 (191)
    Abstraktet e nr. 38 (191)

    Jul 02, 2024 0

  • Abstraktet e nr. 37 (190)
    Abstraktet e nr. 37 (190)

    Jul 02, 2024 0


Leave a Reply Cancel reply

You must be logged in to post a comment.

Aktivitete

Zhvillohet konferenca shekncore “Ihtijari dhe roli i tij në mendimin juridik islam”

Zhvillohet konferenca shekncore “Ihtijari dhe roli i tij në mendimin...

Jan 15, 2026 0

Kjo konferencë u organizua në ambientet e “Tirana International Hotel”, me rastin e botimit të kolanës “El-Ihtijaru li Ta’lili-l-Muhtari”, botim ky i cili vjen si bashkëpunim...
Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun...

May 21, 2025 0

Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100 Vjet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë”

Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100...

May 10, 2025 0

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i paqes në këndvështrimin fetar”

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i...

Apr 01, 2022 0

Studime

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth  “El-Huruf el-Mukatta’a” Shkronjave të Ndërprera

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth “El-Huruf...

May 21, 2025 0

Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...
MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI

MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S....

Sep 13, 2024 0

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Jul 02, 2024 0

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar  i periodikut islam në gjuhën shqipe

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar i...

May 07, 2024 0

Gjuhë-letërsi

Konak me Edisonin

Konak me Edisonin

May 21, 2025 0

Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...
Një ngjarje “e rastësishme”

Një ngjarje “e rastësishme”

Nov 03, 2020 0

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje...

Oct 26, 2020 0

Sociologji

Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare në kohën moderne

Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare...

Sep 04, 2025 0

Dr. Feim Hoxha ABSTRAKTI Sociologjia, si një nga shkencat më të rëndësishme humane, ka në fokus të studimeve të saj njeriun si një qenie sociale, si dhe shoqërinë në të cilën...
ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES HUXHURAT – I

ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES...

Sep 04, 2025 0

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam...

May 21, 2025 0

1923 – 1939

1939 – 1945

Zani i Naltë (40)

Te Fundit

  • Abstracts no. 41
    Abstracts no. 41

    Mar 03, 2026 0

  • Abstraktet e nr. 41 (194)
    Abstraktet e nr. 41 (194)

    Mar 03, 2026 0

  • PAMJE MAHNITËSE E QELIZËS (QELIZA-SHKENCA DHE KURANI)
    PAMJE MAHNITËSE E QELIZËS (QELIZA-SHKENCA DHE KURANI)

    Feb 26, 2026 0

  • Recension për librin: “Me Zotin mes njerëzve” me autor z. Dorian Demetja
    Recension për librin: “Me Zotin mes njerëzve” me autor...

    Feb 09, 2026 0

  • Zhvillohet konferenca shekncore “Ihtijari dhe roli i tij në mendimin juridik islam”
    Zhvillohet konferenca shekncore “Ihtijari dhe roli i tij...

    Jan 15, 2026 0

  • Për çfarë shërbejnë universitetet?
    Për çfarë shërbejnë universitetet?

    Oct 09, 2025 0

  • Kushtetuta e vitit 1925 dhe ndikimi i saj në zhvillimet politike dhe juridike në Shqipëri
    Kushtetuta e vitit 1925 dhe ndikimi i saj në zhvillimet...

    Oct 06, 2025 0

Më të lexuarat

  • Abstracts no. 41
    Abstracts no. 41

    Mar 03, 2026 0

  • Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e kulturore
    Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e...

    Feb 25, 2013 0

  • 90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar
    90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar

    Feb 25, 2013 0

Të fundit

  • Abstracts no. 41
  • Abstraktet e nr. 41 (194)
  • PAMJE MAHNITËSE E QELIZËS (QELIZA-SHKENCA DHE KURANI)
  • Recension për librin: “Me Zotin mes njerëzve” me autor z. Dorian Demetja
  • Zhvillohet konferenca shekncore “Ihtijari dhe roli i tij në mendimin juridik islam”

Gallery

zani-i-nalte-1 1557671_490835901024941_1099865082_n 6 5
Copyright 2013 Zaninalte.al