Perditësimi i fundit September 11th, 2025 8:31 AM

  • Rreth Nesh
    • Bordi editorial
    • Rreth revistës shkencore “Zani i Naltë”
  • Rregullat e shkrimit
  • Autorët
  • Lidhje
  • Zani i Naltë në PDF
  • Kontaktoni

Zani i Naltë

Te fundit

  • LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE FESË NË KONTEKSTIN E TË DREJTAVE THEMELORE
  • KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË PËR MENDIMIN GJEOGRAFIK ISLAM
  • Perspektiva mbi Psikologjinë Islame: al-Raghib al-Isfahani për Shërimin e Emocioneve në Kuran
  • Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare në kohën moderne
  • ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES HUXHURAT – I
  • Home
  • Aktivitete
  • Shkenca Islame
  • Editoriale
    • Abstraktet
    • English
  • Shkenca
    • Shkenca dhe besimi
    • Shkenca ekzakte
    • Shkenca Komunikimi
    • Mjekësi
    • Gjuhë-letërsi
    • Përkthime
  • Studime
    • Psikologji
  • Sociologji
    • Filozofi
  • Histori
    • Personalitete
    • Retrospektivë
    • Zani i Nalte 1923-1939
  • Jurisprudencë
  • Galeri
  • Video
  • Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Google+
    • Pinterest
    • RSS Feed
    • Linked
    • Youtube

Homazh i vonuar njeriut-gurqemer të urës shqiptare, Lumo Skëndoja te Zani i Naltë

Jul 12, 2016 Zani i Nalte Gjuhë-letërsi, Studime 0


mithat-Frasheri-lumo-skendo-224x300nga Prof. Dr. Rahim Ombashi, Universiteti Bedër

Sentenca minimaliste “Gjuha më shumë fsheh se shpreh” gjen zbatim te ajo që na ka mbledhur, te ky thesar i publicistikës sonë, i krejt komunikimit tonë kulturor, e jo vetëm.

E përmuajshmja Zani i Naltë bulëzoi në tetor 1923 dhe vijoi normalisht deri në shtator 1924 me 12 numra. Revista ridel pas një pushimi gjashtëmujor, mars 1925, vijon në prill, maj, por në qershor dhe korrik bëhet e përdymuajshme. Po kështu edhe gusht-shtator, kurse tetori dhe nëntori dalin botime mujore. Gjithsej viti 1925 mbyllet me 8 botime.

Revista e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë doli në një periudhë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, por që shfaqet shumë e trazuar, kur bota shpirtërore shqiptare vihet në kërkim të kohës së humbur dhe me pak ngjarje. Pas rebelimeve, revoltave dhe grushteve të shtetit që ndiqnin njëri-tjetrin, revista shfaqet në qiellin tonë shpirtëror si një dritë e ngrohtë që do të ndihmonte jo vetëm në informimin e lexuesit, por do të nxiste komunikimin që kishte kolorit lokal dhe kohor.

Koha zvarritej dhe Atdheu kishte mbetur ‘midis Urës!’, si e vendos artistikisht Lumo Skëndoja. Dekada II e shtetit të ri përhapte pesimizëm. Kishte vetëm një rrugë që mund të ndalte nga zhdukja e tmerrshme dhe e përjetshme. Ishim jo në rrugë, po mbi urë, që duhej ta kalonim. E kishim vetë në dorë. Të mençurit dhe të fismit e kombit i besonin kësaj alternative, ndaj dhe grishnin gjithkah e gjithkënd që ndiente e kishte zemër. Më 27 dhjetor 1924 zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që i fiton grupi qeveritar i udhëhequr nga Ahmet Zogolli, por ende nuk ka stabilitet politik, kësisoj edhe ekonomik e social. Pas atentatit që i bëhet Zogollit, po me atentat do të vritet Avni Rustemi, që do t’i shërbejë grupit opozitar të nisë Lëvizjen e Qershorit. Qeveritë në vijim janë ditëshkurtra. Më 27 maj 1924 jep dorëheqjen qeveria e Shevqet Vërlacit, që zëvendësohet nga qeveria disa-javore e Iliaz Vrionit. Shteti shqiptar mbijeton pas Këshillit të Lartë që nuk di të dorëhiqet.

Revista bllokohet në periudhën kur krijohet qeveria shtatanike e Fan Nolit, që do të qëndrojë në pushtet vetëm një javë më tepër se gjashtë muaj, sepse në 24 dhjetor 1924 do të hyjë në Shqipëri Ahmet Zogolli (më pas Ahmet Zogu).

Zani i Naltë në nr. 1, Tetuer, Viti I shpall se ‘e përkohëshmja’ fetare ‘meret edhe me filosofi, moral, literaturë kombtare, socjologjë’ dhe cakton periudhën kohore: ‘Del një herë në muej’. Drejtor i revistës është Ismail Maçi në Tiranë, por revista nuk shënon se ku është shtypur. Numri 1 ka 32 faqe. Në faqen e parë Lënda jep 7 rubrika, por nuk boton emrin e asnjë autori.

Numri 2, Nantuer, nga socjologjë shkruan socjologji duke shtuar vendin dhe shtypshkronjën ku u shtyp: Tiranë, Mbrothësia Kristo Luarasi. Revista do të shtypet te kjo shtypshkronjë me tharm nacional deri në Nr. 1, gusht, 1926, sepse më pas vijon të shtypet në Shkodër, Shtypshkronja Ora e Shkodrës.

Në nr. 4, viti 1926 emërohet drejtor vetëm për këtë numër Shyqyri Miftiu dhe pas tij drejtimin e merr Hafiz Isa Domni, kurse nga nr. 1 i vitit 1931 e gjersa u mbyll drejtor i saj do të jetë Haki Sharofi.

Numri i fundit, (153) ishte nr. 5, viti XIV, maj 1939. Pak vite për një medie periodike, po çfarë thesari ngërthehet brenda kolonës. Faktohet që cilësia nuk ka lidhje me sasinë ndaj nuk mund të gjykohet e aq më tepër të matet. Ajo vetëm vlerësohet.

Lexuesi shqiptar sado i pakët kishte krijuar përvojë-vetëdijen letrare të marrësit dhe arrinte të dallonte ndryshimet mediatike të krijimtarisë publicistiko-letrare qoftë nga aspekti i gjuhës poetike, i strukturës së mesazhit, i strukturës kompozicionale, si edhe qoftë nga sistemi i funksionimit dhe i koherencës tërësore të veprës. Gjithçka eci sipas parashikimit dhe shpresës së botuesit, revista iu nënshtrua (ta shprehim me nocionin H. R. Jaus-it) horizontit të pritjes, pranimit dhe ndikimit.

Revista dëshmon ndërlidhjen e traditës mediatike me bashkëkohoren, siç ka vënë në dukje T. S. Elioti në esenë e vet Tradita dhe talenti individual (1919), se, edhe pjesët më individuale dhe më të mira të veprës së autorit përkatës, janë ato me të cilat krijuesit paraardhës kanë verifikuar fuqimisht pavdekësinë e tyre.

Meqë fati kulturor kërkon që ende të jemi në pritje të Historisë sonë të letërsisë, duket ka ndodhur siç thekson A. Flaker: “Në ato kultura e mese ku studimi i artit letrar ka arritur një nivel të lartë, historia e letërsisë i ka lëshuar vendin historisë së veprës letrare”.

Objekt i hulumtimit tonë u bënë 3 shkrime dhe një rubrikë: Pjesa Sociale, që prezantohet me shkrimin Jemi midis Urës! dhe njoftimin Nji lutje këndonjsve. Kësisoj rritet numri i bashkëpunimeve të Lumo Skëndos, këtij personaliteti të kulturës shqiptare, me revistën.

  1. Refugjiatët Shqiptarë, shkruar në Tiranë, 19 shtator 1925. Është një reportazh ku vizatohet jeta autentike shqiptare, me shumë varfëri materiale e me shumë pasuri shpirtërore. f. 603-607. Refugjiatët Shqiptarë, 19.09.1925.

Është shkrimi i fundit i revistës qershor-korrik (6-7) 1924, që ka dalë për dy muaj, kështu do të dalë edhe numri 4-5, qershor-korrik 1925. Numri 8, tetor, ai 9, nëntor dhe ai 10, dhjetor do të jenë të veçantë.

  1. Edeb, jahu! (Edukatë!) Artikulli është botuar në nr. 1, 1926. Shkrim i shkurtër, me nota satire që grish për të ecur në rrugën e qytetërimit. Autori fton dhe nxit që të ecet në rrugën e edukimit moral, si pjesë integrale e edukimit shpirtëror të shqiptarit, kur ishte krijuar shteti shqiptar.

Te revista Zani i Naltë, 1926, tetor, nr. 3, kur revistën e drejtonte Ismail Maçi, del si artikull i parë i saj brenda rubrikës Rreth studimeve historike, artikulli Nga pikat qi duhen shpjegue n’islamizmë: ‘Tesavvufi’ prensipi dhe rrugët e tij. Ky shkrim, ashtu si edhe shumë të tjerë, nuk ka autorin, por duke u nisur nga shkrimet në vijim, përveç veprës së gjatë poetike Fluturimet e shpirtit të Ferit Vokopolës, del edhe emri letrar i Lumo Skëndos te rubrika Pjesa Sociale Nji lutje këndonjësve. Studiuesi u thekson lexuesve:

“Për neve sod të tana kto shkrime të moçme, kanë randësi fort të madhe: duhet të kujdesemi qi të mos hupnje dhe të jesë e harrueme as njena prej tyneve, se ata na diftojnë jetën morale, intelektuale dhe fetare të babavet dhe gjyshvet t’onë.”

Më poshtë ai u lutet lexuesve që materialet “… të na i dërgojnë në Zyrë të Zanit të Naltë…”, që na jep të drejtën të mendojmë se edhe shkrime të tjera mund të jenë të tij, përfshi edhe pjesën e mëparshme të rubrikës.

Është vendi të theksojmë se kjo revistë i ka çelur udhë botimit të veprës poetike të Nezim Frakullës në vitin 1938, kallnuer-fruer, numri 1-2 dhe më pas pothuajse në çdo numër deri te viti 1939, numri 2-3, fruer-mars, vetëm dy numra para numrit 4 dhe 5, ose numrit të fundit të revistës.

Nëse do të përdornim si metodë letrare për përimtimin e Divanit shqip të Nezimit metodën psiko-letrare të Arshi Pipës, do të zbulonim lidhjen e vjershëtarit bohem me veprën, ku shkrimi dallon si individual, me mbizotërimin e dhembjeve të jetës.

Kësisoj revista bënte vlerësimin e traditës dhe realizonte lidhjen me bashkëkohësinë e periudhës, duke realizuar detyrën që kishte kritika letrare.

  1. Rubrika: Pjesa Sociale. Jemi midis Urës! dhe Nji lutje këndonjsve, 4, 1926, tek i cili lypset të ndalemi për jonatyrshmërinë e tij dhe origjinalitetin, hijeshinë dhe mendimin që zgjon.
  1. Grishje. Ky titull lexohet në nr. 5, 1928 dhe del si shkrimi i fundit i këtij personaliteti të kulturës shqiptare, që përsëri ka befasimin si veçanti:

Grishje

Zotërinj

Me rastin e festës së Shën Gjergjit, revista Diturija, do t’organizojë, më 23 të prillit, një ekspozitë për Skënder Benë, me libra të botuarë mbi heronë t’ënë, estampa dhe figura.

Ekspozita jonë është në Librarit Luma Skendo, dhe do të jetë çelur tër ditën gjer më 25 të prillit, mbrëmanet.

Jinni të luturë të nderoni këtë festin të kujtimit të Gjergj Kastiriotit t’ënë me ardhjen tuaj, dhe të miqvet tuaj.

Me nderime

Lumo Skendo

Drejtori i revistës “Dituria”

 

Shenim:

Ekspozitë jonë bëhet me një qëllim historik. Objektet e treguar janë pronja personale e drejtorit të Diturisë, dhe nuk janë destinuar për shitje.

Të hymit ësht’ i lirë për gjith vizitorët nga ora 10 e mëngjezit e gjer sa perëndon dielli.

Njoftimi i shkurtër dëshmon për vizionin e madh të patriotit dhe dijetarit në zë. Tashmë ai ka mbështetje të fuqishme edhe revistën e vet dhe grishjen e boton vetëm atje, nëse duhet, por jo. Gjithçka e vë në shërbim të çështjes kombëtare: edhe revistën e bekuar, që duhet të vijojë me edukimin shpirtëror, i cili duhet të shkojë krahas atij intelektual, patriotik e profesional. Festa e Shën Gjergjit për të është së pari kombëtare, sepse lidhet me heroin kombëtar, njëherazi edhe fetare. Fakti që e thotë me shkrim këtë në revistën fetare të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë zbulon arsyen kryesore pse ai iu ndodh pranë kësaj reviste. Të zgjedhurit prej tij të jetë në krye të revistës së KMSH, nuk e zvjerdh nga origjina bektashiane e familjes së vet. Mid’hat Frashëri natyrshëm qëndroi i lidhur me rrënjët e besimit, siç do të provohet edhe me varrimin e tij në Amerikë.

Shkrimi: Nji lutje këndonjsve, 4, 1926, nis në fund të faqes dhe vijon edhe në faqen në vijim. Asnjë shkrim tjetër i këtij numri, që është lajmëruar te Landa, nuk fillon kësisoj. Duke parë edhe elemente të tjera të stilit, gjykojmë se e gjithë rubrika Pjesa Sociale, që prezantohet me shkrimin Jemi midis Urës! është e këtij autori. Metoda diplomatike vjen në ndihmë të gjykimit tonë. Eseja sociale do të jetë objekt i mëvonshëm, por le t’i kthehemi krijimit të nisur.

Te njoftimi Nji lutje këndonjsve lypset të ndalemi për jonatyrshmërinë e tij, origjinalitetin, hijeshinë dhe mendimin që zgjon, ndiejmë se na lë një peng diçka të shenjtë, ndaj duhet ta japim të plotë:

Prej këndojsëve të “Zanit të Naltë” kena nji lutje, dhe ushqejmë uzdajen (r.o, besimin në kohë, shpresën) se do të na digjojnë dhe do të na përgjegjen.

Midis shkrimeve në gjuhë shqip gjinden nji shumicë ilahi, vjersha, histori qi kanë mbetë në dorë të popullit dhe po ruhën n’arkat a në raftat e shtëpivet, në qytet a në katunde. Ma të shumët ose me thanë ma mirë të gjith kta shkrime të moçme me germa (shkrojat) Turqisht.

Për neve sod të tana kto shkrime të moçme, kanë randësi fort të madhe: duhet të kujdesemi qi të mos hupnje dhe të jesë e harrueme as njena prej tyneve, se ata na diftojnë jetën morale, intelektuale dhe fetare të babavet dhe gjyshvet t’onë.

Do prej ktyne shkrusave, dy mevluda kanë qenë shtypun katerdhetë dhe pesdhetë vjetë përpara, ashtu si kundër kanë qenë të shkrumun, dua me thanë me shkronja Turqishte. Po jemi sigur se dhe nji shumicë e madhe po rrin e harueme dhe rezikon të hupi e të digjet na nji zjarë, t’a hajë miu, ose t’a treti lagshtina.

Detyra e djemvet asht me pas nji nderim e dashtuni për veprat e mira të gjyshvet dhe t’i shikojë si nji trashgim të çëmueshëm.

U lutena pra këndusvet t’onë qi kujdesen për këta shkrime të vjetra dhe të na i dërgojnë në Zyrë të Zanit të Naltë[1] do me nji njeri të sigurt, do me postë, tue pasë menden qi mos grisen dhe prishen kartrat.

Na dishrojmë qi të kemi këto dokumenta n’origjinal, ashtu si kanë qenë. Do t’i përshkojmë pastaj me gërma shqipe dhe do t’i botojmë nji ka nji, dyke refyrë emnin e atyre zotënive qi kanë patur mirësin me na içue, ose me na i dhanë uha.

Këjo punë qi ka randësin e posaçme nga pikpamja e gjuhës e letraturës, ka edhe nji kuptim për jetën fetare të Shqipnisë.

Lumo Skendo

 

Gjuha e artikullit është sipas gegërishtes jugore të Elbasanit, çka dëshmon se ai vijon të jetë nën ndikimin e ideve të Shoqërisë së Stambollit, ku drejtonte Sami Frashëri. Gjykimin e tij për ruajtjen e zhvillimin e traditës kulturore e mbështet më pas edhe Mehdi Frashëri, një tjetër Frashëlli me shenjë i kulturës dhe historisë sonë, çka dëshmon vizionin parak të Lumo Skendos:

“… për të kupëtuar ngjarjet e sotme me gjith arsyet e tyre, ka nevojë të kërkojmë ngjarjet e shkuara mbi krye të këtij populli, tue vazhduar fill’ e punëravet të shkuara pa prerë, që nga kohërat më të vjetëra deri në ditët tona. Në këtë udhëtimin’ e mendjes, çfaqet psikologjia e kombit që ka zotnuar ngjarjet.

 (Frashëri, 1928)

E shkuara, psikologjia nacionale vjen e bëhet pjesë e identitetit kombëtar, ndaj këtë Lumo Skendoja synonte ta ruante me çdo kusht:

“Kur do të shofim qi organizat e pleqësive fillojë të regullohet me lider qi kuptojnë psikologjin e popullit, historin e qarkut qi ndollet, poziten gjeografike shëndetsore, e kulturale të vendit, do të mbesojnë se kemi siguruë shtegtimin social në udhën madhshëtore të Evolucioneve: Pjesa intelektuale duhet të banjë këto sakrifica morale e materiale ma parë se të lypin realizimin e dishirave evolucionare.”

Mid’had Frashëri (1880–1949), që besonte te evolucioni social i kombit tonë e vetëm te ai (i druhej revolucionit), biri i Abdylit, nipi i Naimit dhe Shemsetin-Sami Frashërit, u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit në Manastir, ku kryetar i Komisionit ishte Atë Gjergj Fishta. Në qeverinë e krijuar nga Ismail Qemali ai emërohet ministër i Botores, në qeverinë e Princ Vidit ndihmon në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kryen detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë nga 1923-1925.

Diplomat

Në vitin 1927, fillon të botojë sërish në Tiranë, revistën Diturija të cilën e kishte themeluar në Selanik më 1909 dhe e vijoi më vonë në Bukuresht gjatë qëndrimit të tij atje. Në Tiranë themelon dhe librarinë Lumo Skëndo. Në 4 prill 1929 Mid’hat Frashëri në testamentin e tij shkruan amanetin duke e lënë si peng për ne:

“Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin’ e një “INSTITUT ALBANOLOGJIE” që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheq një studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë.”

Kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, detyrohet në nëntor 1944 të largohet nga atdheu për në Itali dhe pas 5 vjetësh shpërngulet për në SHBA. Në vitin 1949, vetëm disa muaj si kishte arritur në atë vend, gjatë një udhëtimi për në Nju Jork, ‘ora 9.25 minuta, në hotelin Winthrop, ai ndërron jetë si pasojë e një ataku kardiak’ (?).

Gazeta Dielli përshkruan sesi u vendos në një sallë të madhe ku binin në sy 25 kurorat e dërguara. Në orën 14 ka filluar ceremonia e varrimit. Imam Vehbi Ismaili i ardhur nga Detroiti ka bërë lutjet. Imam Vehbiu kujtonte shpesh në bisedat vetjake me miqtë se ky kishte qenë varrimi i parë i drejtuar prej tij në Amerikë. Kishte qenë amanet i Frashëlliut të shquar, që kurrë nuk e ndau besimin fetar nga besimi kombëtar, ashtu ndihej i plotë dhe në paqe me veten, duke mos iu ndarë binomit Fe-Atdhe.

Aftësinë e shquar, pasurinë dhe në fund edhe jetën ia fali Atdheut; nuk krijoi familje dhe nuk kërkoi kurrë asgjë prej tij. Jetoi e ndërroi jetë në paqe, që e sjell veç besimi. Një ditë, ndoshta, mund të kujtohemi ta vendosim pranë atit që e lindi dhe xhaxhallarëve që e formuan si të tillë.

Arkivoli ishte ‘i mbuluar me flamurin kombëtar dhe në sallë ishin 200 veta’. Më pas kortezhi drejtohet për në varrezat Ferncliff të Nju Jorkut, që nuk janë sektare. Mid’had Frashëri prehet në mërgim mes figurash të shquara, përfshi Nikola Teslën, shkencëtarin e madh që kujtohet për aforizmin:

“E tashmja është e tyre; e ardhmja, për të cilën kam punuar me të vërtetë, është e imja.”

Revista, që u bë sebep (shkas) për tubimin sot, së shpejti mbush shekullin, duke provuar se realisht ka siguruar ardhmërinë. Peizazhit mediatik shqiptar ajo i shton edhe ndihmesën metodologjike, origjinalitetin e pamohueshëm si kontribut specifik për studime të mëtutjeshme kuranistikës shqiptare. Shteti shqiptar e ka kapërcyer tashmë urën e gurtë me qemer, ku gurkyç ka pasur luçidë si Mid’had Frashëri – alias Lumo Skëndoja.

 

Bibliografia 

Frashëri, Mehdi. (1928) Histori e Shqipërisë dhe shqipëtarëvet, vol. I, Botim i Ministris s’Arsimit, shtypshkronja “Vlora” Cav. G. direttore e C., Vlorë, f. 7.

[1]. Zyra e Zanit të Naltë asht ne Zyren e Myftiut përgjithshëm ne TIRANË.


  • tweet
Përse ekziston frika nga Islami? Ai është Kur’an i Famshëm

Zani i Nalte

Artikuj të ngjashëm
  • LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE FESË NË KONTEKSTIN E TË DREJTAVE THEMELORE
    LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE...

    Sep 11, 2025 0

  • KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË PËR MENDIMIN GJEOGRAFIK ISLAM
    KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT...

    Sep 10, 2025 0

  • Perspektiva mbi Psikologjinë Islame: al-Raghib al-Isfahani për Shërimin e Emocioneve në Kuran
    Perspektiva mbi Psikologjinë Islame:...

    Sep 04, 2025 0

  • Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare në kohën moderne
    Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe...

    Sep 04, 2025 0

Me shumë në këtë kategori
  • Konak me Edisonin
    Konak me Edisonin

    May 21, 2025 0

  • Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth  “El-Huruf el-Mukatta’a” Shkronjave të Ndërprera
    Qasja e dijetarëve klasikë dhe...

    May 21, 2025 0

  • MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI
    MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË...

    Sep 13, 2024 0

  • Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip
    Roli i mejtepeve në zhvillimin e...

    Jul 02, 2024 0


Leave a Reply Cancel reply

You must be logged in to post a comment.

Aktivitete

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për...

May 21, 2025 0

Në kuadër të marrëdhënieve të mira ndërfetare dhe bashkëpunimit me institucionet fetare ndërkombëtare, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori...
Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100 Vjet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë”

Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100...

May 10, 2025 0

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i paqes në këndvështrimin fetar”

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i...

Apr 01, 2022 0

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë në Universitetin Bedër aktivitet me studentë nga trevat shqiptare

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë...

Sep 18, 2021 0

Studime

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth  “El-Huruf el-Mukatta’a” Shkronjave të Ndërprera

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth “El-Huruf...

May 21, 2025 0

Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...
MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI

MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S....

Sep 13, 2024 0

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Jul 02, 2024 0

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar  i periodikut islam në gjuhën shqipe

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar i...

May 07, 2024 0

Gjuhë-letërsi

Konak me Edisonin

Konak me Edisonin

May 21, 2025 0

Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...
Një ngjarje “e rastësishme”

Një ngjarje “e rastësishme”

Nov 03, 2020 0

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje...

Oct 26, 2020 0

Sociologji

Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare në kohën moderne

Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare...

Sep 04, 2025 0

ABSTRAKTI Sociologjia, si një nga shkencat më të rëndësishme humane, ka në fokus të studimeve të saj njeriun si një qenie sociale, si dhe shoqërinë në të cilën ai bën pjesë....
ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES HUXHURAT – I

ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES...

Sep 04, 2025 0

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam...

May 21, 2025 0

1923 – 1939

1939 – 1945

Zani i Naltë (39)

Te Fundit

  • LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE FESË NË KONTEKSTIN E TË DREJTAVE THEMELORE
    LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE FESË NË KONTEKSTIN E...

    Sep 11, 2025 0

  • KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË PËR MENDIMIN GJEOGRAFIK ISLAM
    KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË...

    Sep 10, 2025 0

  • Perspektiva mbi Psikologjinë Islame: al-Raghib al-Isfahani për Shërimin e Emocioneve në Kuran
    Perspektiva mbi Psikologjinë Islame: al-Raghib al-Isfahani...

    Sep 04, 2025 0

  • Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare në kohën moderne
    Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së...

    Sep 04, 2025 0

  • ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES HUXHURAT – I
    ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES HUXHURAT –...

    Sep 04, 2025 0

  • KONCEPTI I SHPIRTIT SIPAS IMAM MATURIDIUT
    KONCEPTI I SHPIRTIT SIPAS IMAM MATURIDIUT

    Sep 04, 2025 0

  • Abstracts no. 40
    Abstracts no. 40

    Sep 04, 2025 0

Më të lexuarat

  • Mirë se vjen “Zani i Naltë”
    Mirë se vjen “Zani i Naltë”

    Nov 10, 2012 0

  • Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e kulturore
    Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e...

    Feb 25, 2013 0

  • 90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar
    90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar

    Feb 25, 2013 0

Të fundit

  • LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE FESË NË KONTEKSTIN E TË DREJTAVE THEMELORE
  • KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË PËR MENDIMIN GJEOGRAFIK ISLAM
  • Perspektiva mbi Psikologjinë Islame: al-Raghib al-Isfahani për Shërimin e Emocioneve në Kuran
  • Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare në kohën moderne
  • ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES HUXHURAT – I

Gallery

zani-i-nalte-1 1557671_490835901024941_1099865082_n 6 5
Copyright 2013 Zaninalte.al