Perditësimi i fundit October 9th, 2025 7:51 AM

  • Rreth Nesh
    • Bordi editorial
    • Rreth revistës shkencore “Zani i Naltë”
  • Rregullat e shkrimit
  • Autorët
  • Lidhje
  • Zani i Naltë në PDF
  • Kontaktoni

Zani i Naltë

Te fundit

  • Për çfarë shërbejnë universitetet?
  • Kushtetuta e vitit 1925 dhe ndikimi i saj në zhvillimet politike dhe juridike në Shqipëri
  • LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE FESË NË KONTEKSTIN E TË DREJTAVE THEMELORE
  • KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË PËR MENDIMIN GJEOGRAFIK ISLAM
  • Perspektiva mbi Psikologjinë Islame: al-Raghib al-Isfahani për Shërimin e Emocioneve në Kuran
  • Home
  • Aktivitete
  • Shkenca Islame
  • Editoriale
    • Abstraktet
    • English
  • Shkenca
    • Shkenca dhe besimi
    • Shkenca ekzakte
    • Shkenca Komunikimi
    • Mjekësi
    • Gjuhë-letërsi
    • Përkthime
  • Studime
    • Psikologji
  • Sociologji
    • Filozofi
  • Histori
    • Personalitete
    • Retrospektivë
    • Zani i Nalte 1923-1939
  • Jurisprudencë
  • Galeri
  • Video
  • Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Google+
    • Pinterest
    • RSS Feed
    • Linked
    • Youtube

MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI

Sep 13, 2024 Zani i Nalte Editoriale, Studime 0


nga Resul Rexhepi

إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا صَلُّوا عَلَيْهِ وَسَلِّمُوا تَسْلِيمًا.

“Me të vërtetë Allahu dhe engjëjt e Tij e lavdërojnë Pej­ga­mberin. Prandaj edhe ju, o besimtarë, lavdërojeni atë dhe përshëndeteni me selam!”

(Kuran, el-Ahzab, 56)

Hyrje

Sa herë që vjen 12 Rebiu’l evveli, myslimanët në të gjithë bo­tën e edhe te ne, me programe të ndryshme fetare festojnë dhe kuj­tojnë ditëlindjen e më të dashurit të Allahut, Muhamedit (paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!). Në fakt, ne sa herë që festojmë mevludin – ditëlindjen e Pejgamberit, në të vërtetë kujtojmë thirr­jen islame, misionin paqësor që me aq besnikëri na e përcolli Pejga­mberi (a.s.), rrugën e ndritshme islame që ai na e trasoi. E kuj­tomë edhe duanë e hazreti Ibrahimit, i cili tek sa i ngrinte muret e Qabesë me të birin hazreti Ismailin, në një moment iu drejtua Zotit duke e lutur:

رَبَّنَا وَٱبْعَثْ فِيهِمْ رَسُولًا مِّنْهُمْ يَتْلُواْ عَلَيْهِمْ ءَايَٰتِكَ وَيُعَلِّمُهُمُ ٱلْكِتَٰابَ وَٱلْحِكْمَةَ وَيُزَكِّيهِمْ ۚ إِنَّكَ أَنتَ ٱلْعَزِيزُ ٱلْحَكِيمُ.

“O Zoti ynë, dërgo ndër ata (pasardhësit tanë, ymetin is­lam) një të dërguar nga gjiri i tyre që t’ua lexojë argu­mentet e Tua, t’ua mësojë Librin (Kuranin) dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë ata (nga pafesia). Vërtet, Ti je i Plotfuqish­mi dhe i Urti!”[1]

Dhe mu për këtë u desh të kalonte një kohë e konsiderueshme, madje disa shekuj, u desh që dielli shumë herë të lindte e të perë­ndonte, derisa Allahu i Gjithëmëshirshëm ia pranoi lutjen Ibrahi­mit a.s. dhe e dërgoi atë që shndriti gjithësinë, tokën dhe qiejt, të gjitha krijesat. E dërgoi më të zgjedhurin e Tij, mëshirën e njerëzi­së! Këtë, më të madhen dhuratë, me të cilën errësirën e zëvendësoi me dritë, injorancën me dituri, të keqen me mirësi, e pohoi Ai Vetë në Kuran, kur tha:

لَقَدْ مَنَّ اللَّهُ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ إِذْ بَعَثَ فِيهِمْ رَسُولًا مِّنْ أَنفُسِهِمْ يَتْلُو عَلَيْهِمْ آيَاتِهِ وَيُزَكِّيهِمْ وَيُعَلِّمُهُمُ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ وَإِن كَانُوا مِن قَبْلُ لَفِي ضَلَالٍ مُّبِينٍ.

“Me të vërtetë se Allahu u dha besimtarëve dhuratë të ma­dhe kur atyre u dërgoi Pejgamber nga mesi i tyre me qëllim që atyre tua lexojë argumentet e Tij, t’i pastrojë nga idhuj­taria e shirku dhe t’ua mësojë Kuranin dhe Urtësinë (rre­gullat e fesë), ndonëse ata para dërgimit të këtij Pejgamberi ishin krejtësisht të humbur!”[2]

Me dërgimin e Muhamedit (a.s.) bota do të fitojë një ndriçim të ri, i cili do të angazhohet në zhdukjen e fanatizmit, injorancës dhe errësirës shumëshekullore. Tashmë rrënjësisht do të ndryshojë filozofia e jetës, njeriu do ta adhurojë Krijuesin e vërtetë, do t’i nde­rojë vlerat njerëzore dhe do të mbjellë farën e dashurisë mba­rë­njerëzore. Muhamedi (a.s.) me një rast do të deklarojë: “O njerëz, ta dini se unë jam i dërguari i Allahut për të gjithë ju për t’ua pre­za­ntuar fenë e vërtetë të Zotit, fe të cilën e kanë pasur të gjithë pej­gamberët e Zotit, por që me kalimin e kohës njerëzit e ndryshu­an dhe futën shumë gënjeshtra e shumë risi të shpikura, ndaj, unë me urdhrin e Zotit po e dëlir dhe po e pastroj dhe kështu po ia kthej origjinalitetin e saj.”

Pra, Islami është fe e natyrshme e çdo njeriu, me të lindë dhe konceptet e tij janë të gjera sa edhe vetë njerëzimi. Fundja, a nuk ishte Islami feja e Ademit, Nuhut, Ibrahimit, Musait, Isait dhe e të gjithë vëllezërve të tyre pejgamberë?!

Është, prandaj, dashuria jonë e madhe dhe respekti i pashoq që ndiejmë për Pejgamberin tonë, ajo që na shtyn që atë ta kujtojmë në mënyra të ndryshme, edhe me mevlud e salavate, pikërisht në di­tëlindjen e tij. Dashuria ndaj Resulullahut ka qenë ajo që i ka shtyrë shumë autorë, shqiptarë dhe të tjerë, që ndër shekuj kanë thurur vargje e poezi, e që për nga stili dhe karakteri i tyre i lartë, janë thjesht të paarritshme.[3]

 

Disa fjalë për lindjen e Pejgamberit tonë

Në prag të shekullit VI bota ishte në një gjendje skajshëm të vështirë, e në veçanti ajo e Siujdhesës së Arabisë. Dominonin ve­set negative dhe të dëmshme për shoqërinë, kurse morali kishte rë­në në një nivel tepër të ulët. Shoqëria ishte katandisur sa s’bën më. Ishin kohë të vështira atëbotë, të vështira aq shumë sa që nje­rë­zit më me ëndje e dëshironin vdekjen se sa jetën. Shumë pak as­pekte, për të mos thënë fare, të jetës kishin ngelur pa u prekur nga imo­raliteti e degjenerimi.

Dhe pikërisht në këto momente dramatike, mëshira e Allahut shndriti gjithësinë, shndriti njerëzimin dhe gjithë ç’ka jaratis i Madhi Zot!

Ditën e hënë, herët në agim, më 12 Rebiu-l-evvel ose 20 prill 571[4], ka lindur më i zgjedhuri i Allahut, Muhamedi a.s. në qytetin e Mekës. Familja Hashimite së cilës i përkiste, ishte një degë e fisit fisnik e të fuqishëm Kurejsh. Ai lindi jetim, sepse babai Abdu­llahu kishte vdekur para se ai të lindte, megjithatë gëzimi s’kishte kufi. Gjyshi i tij Abdylmutalibi, sapo e mori lajmin për lindjen e nipit, vajti ke dhoma e resë së tij Eminesë, e përgëzoi për këtë li­nd­je dhe e mori nipin dhe me të vajti te Qabja, me ç’rast edhe i vuri emrin Muhamed, një emër jo edhe krejtësisht i panjohur, por rra­llë­herë i dëgjuar. Në pyetjen se përse e emëroi pikërisht kështu, gjyshi Abdylmutalibi do të përgjigjej: “Dëshiroja që ai të bëhet i fa­lë­nderuar nga të gjithë”. Emineja – e ëma e Pejgamberit e ka qu­aj­tur edhe Ahmed. Të dy këta emra janë të përmendur në Kuran.[5]

Autorët shqiptarë të mevludeve, shumica e tyre, lindjen e Mu­ha­med Mustafasë e përshkruajnë shumë bukur. Mulla Mehmed ef. Salihu, fjala vjen, në “Mevludin” e tij thotë:

N’atë Rebiul-Evel leu fahrixhihanë

E hanë prama e dymdhjeta natë u konë.[6]

Deri kur i mbushi katër vjet, ai qëndroi te nëna e tij e qumësh­tit-Halimja e fisit benu Sa’d, në periferi të Mekës. Ndërkaq, kur ishte 6 vjeç, me t’ëmën Eminenë, kishin vajtur në Medinë për ta vi­zi­tuar varrin e babait Abdullahut dhe për t’u njoftuar me ca ku­hë­rinj atje, e duke u kthyer për në Mekë, gjatë rrugës Emineja së­muret e ndërron jetë dhe varroset në vendin e quajtur Ebva. Kur ai u bë 13 vjeç, filloi të punonte duke e ndihmuar xhaxhanë e tij në tregti, me ç’rast u bë i njohur për ndershmërinë dhe virtytet e tij. Në moshën 25-vjeçare u martua me Hadixhenë. Kur Muhamedi va­jti rreth të dyzetave, filloi të izolohej jashtë qytetit e të medito­n­te. Për këtë, shpeshherë kalonte kohë në shpellën Hira. Gjatë mu­ajit Ramazan të vitit 610, meleku Xhibril filloi t’ia sillte shpalljen hyjnore, pesë ajetet e para të sures “El-Alek”. Me këtë, Muhamedi u nderua nga Allahu me pejgamberi. Fillimet e para qenë shumë të vështira, ama njerëzit sa vinin e pranonin udhëzimin e Muhamedit pejgamber dhe numri i tyre sa vinte e shtohej. Pak kohë para se Pejgamberi (a.s.) të emigronte në Medinë, i ndodhi mrekullia, me ç’rast u mor nga Allahu në një udhëtim qiellor (Mi’raxh), e kjo bëri që ai të hynte në audiencë të Allahut të Madhëruar dhe ai u be­kua në marrjen e urdhëresave hyjnore pa ndonjë ndërmjetës. Pak kohë pas kësaj, Pejgamberit iu lejua emigrimi për në Medinë, prej nga Islami do të marrë krahë ku e ku më shumë.

Në vitin 630 Pejgamberi (a.s.) do të rikthehej në vendlindjen e tij të dashur në mënyrë triumfale pa e derdhur as edhe një pikë gjaku, që në histori është shënuar si “Çlirimi i Mekës”. Ai e pastroi Qabenë nga idhujt e shumtë duke e kthyer atë ashtu siç ajo merito­nte.

Në Medinën e ndritshme, e cila e mori emrin sipas Pejgamberit që e ndriçoi me nurin e tij-Medinetu-Rresul, ditën e hënë, më 8 qershor 632, Pejgamberi i dashur i mbylli sytë në këtë botë për të kaluar në botën e amshuar – Ahiret, Allahu i kënaqur me të dhe ai i kënaqur me Allahun.

***

Me këtë rast, unë nuk dëshiroj të ndalem e të shkruaj më gjatë për ditëlindjen e Pejgamberit, sepse për të folën dhe shkruan dije­ta­rët më të spikatur, njohësit më të mirë të “Sires” – Jetësh­krimit të Pejgamberit (a.s.), dijetarët më autoritativë dhe njerëzit më me­ndje­ndritur. Për të shkruan e shkruan vëllime të tëra myslimanët dhe jomyslimanët. Ndonëse, sa do që të shkruhet e të flitet për Të, megjithatë gjuha jonë është e varfër, madje shumë e varfër në kra­hasim me atë që Allahu i Madhërishëm e tha Vetë në Kuranin e Tij famëlartë për Muhamedin (a.s.) وَ رَفَعْنَا لَكَ ذِكْرَكَ. “Dhe Ne ta ngritëm lart namin (famën) dhe emrin tënd!”

 

Manifestimi i ditëlindjes
së Pejgamberit (a.s.) ose Mevludi

Duke qenë se Pejgamberi (a.s.) ka gëzuar vend meritor në ze­m­rat dhe shpirtrat e besimtarëve, madje si askush tjetër nga krijesat e Allahut, poezi dhe vargje për të kanë thurur njerëzit që nga koha e Ebu Bekrit e tutje, e madje që nga e famshmja “Talea ‘l-bedru ale­jna”. Por literatura e krijuar për ditëlindjen e Pej­gam­berit (a.s.), nuk është qëllimi ynë në këtë rast, por është mani­fes­timi i organi­zuar për ditëlindjen e Pejgamberit (a.s.) – Mevludin.

Që në fillim duhet konstatuar se sa ka qenë gjallë Pejgamberi (a.s.), madje as gjatë kohës së sahabëve, tabiinëve e tebei-tabiinë­ve, nuk është se ka pasur organizime për të manifestuar ditëlindjen e më të dashurit të Zotit – Muhamed Mustafasë, ashtu siç është manifestuar ndër shekuj ose siç manifestohet sot, ose në ndonjë for­më tjetër më ndryshe, por kjo nuk nënkupton se ato gje­nerata nuk e përkujtuan ditën e lindjes së Pejgamberit (a.s.) në for­ma të ndryshme individuale, përmes formave të ndryshme të adhurime­ve, siç janë sadekatë, agjërimi, salavatet, humanizmi etj. Kjo, ndo­sh­ta ka bërë që disa individë, e më vonë edhe ca grupe dhe sidomos ata të drejtimit ideologjik vehabist, këtë lloj organi­zi­mi ta konsideronin si “risi – bidat”, ndonëse për një pandehje të tillë nuk e kanë as më të voglin argument.

Shumica dërrmuese e dijetarëve islamë, organizimet e ndrysh­me për ditëlindjen e Pejgamberit i përkrahin fuqishëm. Vetë prak­tika e myslimanëve tash e sa kohë, gjithandej në fshatra e qytete, si të botës islame, ashtu edhe të vendeve të tjera, është argumenti më i madh për këtë lloj organizimi.[7] Kjo traditë e krijuar shekuj me radhë nuk bën të nënçmohet, sepse nënçmimi i saj është nënçmim i vet Pejgamberit (a.s.). Sa kohë që hadithet e Pejgamberit (a.s.) dë­shmojnë se “Ymeti im nuk do të bien në ujdi për një çështje që është e gabueshme!” Ose “Atë që myslimanët e vlerësojnë të mirë, edhe te Allahu do të jetë e mirë”.

Rreth (mos)lejimit të organizimit të Mevludit si organizim fetar nuk dua të ndalem, sepse aq shumë është shkruar sa që kushdo që dëshiron mund të gjejë materiale të bollshme dhe bindëse. Do ta përmend vetëm mendimin e Imam Sujutiut, i cili manifestimin që e bëjnë njerëzit duke lexuar Kuran, duke lexuar bejte-vargje përkita­zi me Pejgamberin, duke rikujtuar momente para dhe gjatë lindjes, rreth mrekullive të tij e deri lidhur me kalimin e tij në Ahiret, duke dërguar salavate e duke bërë dua, i ka konsideruar të lejuara dhe të shpërblyera me sevape nga Allahu i Gjithëmëshirshëm. Për më te­për, kur kjo bëhet me qëllim ibadeti, atëherë shtrohet pyetja, a thua ka ibadet e që Allahu të mos na shpërblejë për të?!

Argument tjetër mund të konsiderohet edhe agjërimi i Pejgam­berit që e bënte ditën e hënë. Kur ai qe pyetur se përse e agjëronte atë ditë, ai kishte thënë: “Atë ditë kam lindur, atë ditë më ka ar­dhur shpallja dhe atë ditë kam bëra hixhretin!”.[8]

Mbi të gjitha, me këtë rast, nuk mund të mos e përmendim fjalën e Allahut në Kuran kur thotë:وَسَلَامٌ عَلَيْهِ يَوْمَ وُلِدَ وَيَوْمَ يَمُوتُ وَيَوْمَ يُبْعَثُ حَيًّا. “Paqja qoftë mbi të ditën kur u lind, ditën kur do të vdesë dhe ditën kur do të ringjallet”.[9]

Madje, të njëjtat fjalë të Zotit janë thënë edhe përmes gojës së Isait a.s. وَالسَّلَامُ عَلَيَّ يَوْمَ وُلِدتُّ وَيَوْمَ أَمُوتُ وَيَوْمَ أُبْعَثُ حَيًّا. “Paqja e shpëtimi qoftë mbi mua ditën kur u linda, ditën kur do të vdes dhe ditën kur do të ringjallem!”[10]

Sikurse kuptohet, këto dy ajete të Kuranit, argumentojnë res­pektin meritor të ditëlindjes dhe të vdekjes, si dy momente shumë të rëndësishme ku manifestohet fuqia e Zotit Krijues!

Nga sa u tha më sipër, duhet të jemi koshientë e nuk duhet ha­rruar edhe një të vërtetë të pakontestueshme se dashuria dhe res­pek­ti ndaj Pejgamberit (a.s.) nuk bëhet i mjaftueshëm vetëm me or­ganizim të manifestimit të Mevludit, përkundrazi dashuria e vër­tetë e respekti i sinqertë ndaj Resulullahut tregohet duke e ndje­kur Synetin e tij, duke e ndjekur rrugën që ai na e trasoi e duke vepruar sipas asaj që na udhëzoi. E pra, organizimi i manifestimit të ditë­lindjes së Pejgamberit duhet të shfrytëzohet edhe si një shkas më tepër për të jetësuar synetin e traditën që ai na e tra­shëgoi.

Shikuar historikisht, mund të konstatohet se Fatimitët janë ata të parët që filluan ta manifestonin ditëlindjen e Pejgamberit (a.s.) në Egjipt në shek. X (shek. IV h.)[11], për të vazhduar më vonë të shtrihet gjithandej ku jetonin myslimanët, madje deri në atë masë sa mund të thuhet se nuk ka vend në botë ku jetojnë sadopak mys­li­manë e të mos e shënojnë Mevludin në forma të ndryshme, gjith­sesi duke e paraprirë atë me pjesë nga Kurani, për ta shoqë­ruar me salavate e deri te lutjet e ndryshme drejtuar të Madhit Zot.

Kah fundi i shek. VI (h.) dhe fillimi i shek. VII (h.), manifestimi i Mevludit fillon të organizohet në Irak (Irbil e Mosul)[12]. Sunduesi i atëhershëm Mudhaffer, pasi kishte marrë miratimin e ulemasë së kohës, kishte organizuar një manifestim përrallor. Më vonë, ata që thurnin vargje për Pejgamberin (a.s.) i shpërblente me shuma të mëdha të hollash, aq sa diçka e tillë më nuk është përsëritur.

Në Perandorinë Osmane, sipas të dhënave historike, manifes­timin e Mevludit e ka futur në pallatin e tij sulltan Murati III më 1588, i cili shpejt ka gjetur përkrahje në kuadër të Perandorisë për të depërtuar më pas edhe në viset e tjera të saj, përfshirë këtu edhe vendet tona.

Prandaj, manifestimi i ditëlindjes së Pejgamberit (a.s.), ku më shumë e ku më pak, organizohet kudo në botë. Vargjet poetike, be­j­tet, poezitë e ndryshme, ilahitë e kasidet, mevludet e salavatet në qindra gjuhë të botës i dërgohen Muhamed-Mustafasë. Me të tilla manifestime, myslimanët e falënderojnë Allahun që me dër­gimin e Muhamedit Pejgamber, ua ndriçoi zemrat, ua shndriti rru­gën isla­me dhe i begatoi ata duke i bërë Ymet të tij. Përmes manifes­timit të Mevludit, myslimanët falënderojnë Allahun (xh.sh.) për begatitë e dhuruara me lindjen e tij, sepse ai, duke i udhëzuar në rrugë të drejtë, e shpëtoi njerëzimin nga humbja e sigurt, sepse lindja e tij i solli botës drejtësinë, lirinë, paqen dhe vëllazërinë. Sa mirë që populli ynë tashmë muajin Rebiul-evvel më shumë e quan muaji i Mevludit, aq sa gjithkush e di se fjala është për muajin në të cilin ka lindur më i dashuri i Allahut.

 

Mevludi te shqiptarët

Sikur në shumë gjuhë të botës, edhe në gjuhën tonë të bukur shqipe, vargje kushtuar Resulullahut shkruan shumë dijetarë e ule­ma, madje edhe penat më të ndritura të kohës. Ndër ta do të veço­n­im: Hasan Zyko Kamberin (shek. XVIII), Muhamed Çamin, Ismail Floqin, H. Ali Ulqinakun, Tahir Popovën, H. Ali Kor­çën, H. Ibrahim Dalliun, Abdullah Zëmblakun, Sheh Ah­met Shkodrën, Islam Nekovcin, Mehmet Salihun, Ferit Vo­k­o­polën, Vexhi Buharanë, Idriz Lamaj, Fahrudin Osmanin, e shu­më të tjerë. Në aspektin e përmbajtjes, përmes vargjeve të mev­ludit, e ndiejmë dhe e përjetojmë kalimin e Pejgamberit nëpër fa­zat e jetës së tij: sikurse ishte lindja e tij, si fëmijë bonjak, sin­qe­riteti i tij në Mekë, pranimi i Shpalljes, emigrimi, mrekullitë e tij, rikthimi në Mekë dhe kalimi i tij në botën tjetër.

Mevludet, në fillim më shumë qenë përkthime nga gjuhët orie­ntale, megjithëse pati edhe përshtatje po edhe lëvrime origjinale në gjuhën tonë shqipe, fillimisht me shkronja osmane e gjatë shek. XX edhe me alfabetin e sotshëm.

Në aspektin kohor, te ne këto mevlude shtrihen përgjatë disa shekujve, duke filluar nga Mevludi i Hasan Zyko Kamberit në shek. XVIII, e për të vazhduar deri në ditët tona dhe dhëntë Zoti që kjo traditë të vazhdojë deri në Ditë të Kiametit, gjithmonë duke i kënduar Pejgamberit mirë e më mirë.

Në aspektin hapsinor, Mevludi dhe manifestimi që është organizuar me atë rast, ka qenë i shtrirë në të gjitha viset shqipfolëse, madje jo vetëm te shqiptarët në Ballkan, po madje edhe te vëllezërit tanë në diasporë, nga Evropa e deri në SHBA.[13]

Shumica dërrmuese e shteteve arabe, si në nivel shtetëror-qe­veritar ashtu edhe në atë popullor e institucional, organizojnë ma­nifestime të tilla, natyrisht, secila ndryshe nga tjetra, me qëllim që sa më shumë të ketë organizime kushtuar Pejgamberit (a.s.). Në të tilla raste, lexohet Kuran nga lexues eminentë, mbahen fjalë rasti kushtuar Pejgamberit (a.s.), recitohen poezi, kaside e ilahi, salavate, dua e lutje të ndryshme për të përfunduar me shpër­ndarjen e ëmbëlsirave… Në të kaluarën jo të largët, po edhe tash, populli ynë ka organizuar dhe organizon mevlude edhe gjatë mu­a­jit Rebiu’l-evel, po edhe për ndonjë rast tjetër familjar: lindje të fë­mijës (sidomos të fëmijës së parë), syneti, hyrje në shtëpi (ba­nesë) të re, vdekje të ndonjë anëtari të familjes etj. Fatkeqësisht këtë tra­ditë shekullore, të cilën as ish-sistemi komunist nuk mundi ta çrrë­njoste nga zemra dhe shpirti i besimtarëve tanë, arritën ta zbe­hin deri në njëfarë mase disa “ulema”, në veçanti ata që kishin mba­ruar ndonjë kurs në ndonjë vend të botës arabe.[14]

Me gjithë përpjekjet e pareshtura në këtë drejtim, jam thellë i bindur se këtë traditë mbase mund edhe ta zbehin ca, por kurrsesi ta çrrënjosin nga shpirti i popullit, i cili aq shumë e do Allahun (xh.sh.) dhe të Dërguarin e Tij.

Vlen të përmendet edhe një fakt tjetër që e konsideroj me shumë interes. Në shumë vakëfname, vakëflënësit e kanë precizuar që në xhamitë që ata i kanë bërë vakëf, në data të caktuara (rëndom për netët e mira, xhuma, bajrame…), të lexohet Kuran (mukabele), si dhe të këndohet mevlud. Atyre që e bëjnë këtë t’iu je­pen kaq e kaq akçe. Mjafton të lexohet vakëfnameja e Mahmud pashë Rrotullës nga Prizreni, e legalizuar më 1831, e cila kishte kushtëzuar që në harem të xhamisë së tij në Prizren “gjatë netëve të Ramazanit, Bajrameve, Mevludeve …të vendoseshin kandi­la….”[15] Dhe kjo është respektuar në përpikëri, sepse ata janë mbështe­tur në rregullin: شَرْطُ اْلوَاقِفِ كَنَصِّ الشَّارِعِ

Duhet theksuar edhe një fakt i pamohueshëm se, në kuadër të mejtepeve e më vonë edhe të medreseve, nxënësit vazhdimisht kanë lexuar Kuran dhe kanë kënduar mevlud. Madje, gjatë netëve të mira ose datave të rëndësishme islame, kanë organizuar programe të posaçme fetare, ndërkaq gjatë muajit Rebiu l’ evvel më së shumti kanë kënduar mevlude. Në kuadër të medreseve, gji­th­monë kanë ekzistuar seksione të ndryshme të nxënësve për akti­vitete të llojllojshme, e në mesin e tyre ka qenë edhe grupi i mev­ludit.[16]

Mevludi, qoftë si formë adhurimi, qoftë si manifestim rasti, në asnjë mënyrë nuk mund të cilësohet si diçka i ndaluar (haram ose mekruh), sikundër që as mund të pretendohet se është ndonjë de­ty­rim (farz, vaxhib, apo synet). Ai, sipas Sheriatit, është veprim i le­juar, mund të jetë mendub! Shpërblehet nga i madhi Zot ai që e organizon, ai që merr pjesë aktive dhe ai që prezanton, sikundër që privohet nga shpërblimi ai që nuk merr pjesë, por jo se ka gjynah. Prandaj, ai që nuk merr pjesë në manifestime të tilla, nuk është se bën gjynah, por edhe nuk fiton sevap.

Këtë pjesë, dua ta përmbyll me fjalët e Ibn Haxher Hejtemiut, i cili ka deklaruar:

“Në natën e Mevludit të gjitha krijesat, melaqet, xhindet e kafshët si dhe metalet e pashpirt iu japin myzhde njëri-tjet­rit duke u gëzuar se nderi i gjithësisë e ndriçoi botën”.[17]

 

Si përfundim

Pejgamberi (a.s.) nuk la trashëgimi tjetër përveç Kuranit dhe Synetit, pra Islamit dhe disa qindra mijëra myslimanë, për të arritur kjo shifër sot afër dy miliardë. Sot nuk ka vend ose mjedis në tërë rruzullin tokësor që të mos ketë besimtarë myslimanë, pasues të Mu­ha­medit (a.s.). Krahas faktit se ai përmendet dhe mbi të bien sala­vat miliarda myslimanë, mbi të gjitha, emrin e tij, Allahu e krahasoi me emrin e Vet: La ilahe il-lallah Muhammedun Resulu­llah. Vallë, a ka nder më të madh se ky?!

Prandaj, ditëlindjen e Pejgamberit (a.s.) është mirë dhe sevap ta manifestojmë. Akoma më mirë se kaq është që, krahas kësaj, ta ndjekim rrugën e tij, ta ndjekim synetin e tij, për më tepër kur dihet se Allahu përuljen ndaj Tij e ka ndërlidhur me përuljen ndaj Pej­gamberit. Lumturinë e vërtetë në të dyja jetët do ta arrijmë nëse i zbatojmë parimet dhe mësimet e Pejgamberit (a.s.) në jetën tonë dhe nëse për shëmbëlltyrë e kemi më të dashurin e Allahut, atë që me ardhjen e tij ndriçoi gjithësinë, atë që nderoi njerëzinë.

Përmbajtja e manifestimeve të Mevludit duhet të ketë të tilla elemente me të cilat i afrohemi Allahut (xh.sh.), ndër të cilat po i përmendim vetëm disa:

– Leximi i pjesëve të Kuranit, ose siç po veprohet në disa ve­nde, leximi i sures “Jasin”.

– Leximi dhe dërgimi i sa më shumë salavateve për Pejgamberin (a.s.) sepse: عَنْ أَنَسٍ أَنَّ النَّبِيَّ صلى الله عليه وسلم قَالَ: “مَنْ صَلَّى عَلَيَّ صَلاَةً وَاحِدَةً، صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ عَشَرَ صَلَوَاتٍ، وَحُطَّتْ عَنْهُ عَشَرَ خَطِيئَاتٍ، وَ رُفِعَتْ لَهُ عَشَرَ دَرَجَاتٍ”. Nga Enesi transmetohet se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Kush e thotë një salavat për mua, Allahu atë ka për ta shpërblyer me dhjetë sosh, do t’ia falë dhjetë gabime dhe do ta lartësojë dhjetë gradë!”[18]

– Duke mësuar ose duke rikujtuar biografinë e Pejgamberit (a.s.), ose detaje nga jetëshkrimi i tij, kjo do të ndikojë në leh­tësimin e pasimit të rrugës dhe mësimeve të tij për ata që du­an, me çka e arrijmë dashurinë e Allahut:قُلْ إِن كُنتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللَّهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ.  “Thuaj: Nëse e doni Allahun, atëherë më pasoni mua, sepse Allahu do t’ju dojë dhe do t’jua falë gjynahet!”[19]

Është konstatim tashmë i pranuar botërisht nga ana e dijetarëve të mirëfilltë se, manifestimi që e kanë organizuar myslimanët tanë, përveç tjerash, ka luajtur një rol me rëndësi për ruajtjen e iden­ti­te­t­it tonë fetar dhe kombëtar. Përmes një organizimi të tillë edhe janë shpërfaqur dashuria, nderimi dhe respekti që njerëzit e kanë tre­gu­ar karshi Muhamed Mustafasë. Është, prandaj, detyrë e intele­k­tua­lëve dhe njerëzve me autoritet, në veçanti e ulemave tanë, që këto vle­ra të mëdha të kulturës shpirtërore e materiale islame e kom­bë­tare t’i ruajmë që të jetojnë përgjithmonë deri në Ditën e Kiam­e­tit.[20]

Në përmbyllje të këtij shkrimi, nuk gjej diçka më të mirë se sa këto fjalë të Allahut të Madhërishëm nga Kurani famëlartë:فَالَّذِينَ آمَنُوا بِهِ وَعَزَّرُوهُ وَنَصَرُوهُ وَاتَّبَعُوا النُّورَ الَّذِي أُنزِلَ مَعَهُ أُولَٰئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ. “E pra, ata të cilët do ta besojnë atë (Pejgamberin), do ta përkrahin dhe do ta ndihmojnë, si dhe do të pasojnë Dritën që i zbriti atij (Kuranin), të tillët janë të shpëtuar!”[21]

Dhe:

Vëllezër nga zjari doni të shpëtoni

Me zemër të djekme “essalatu” thoni![22]

 

[1] Kuran, El-Bekare: 129. Pejgamberi (a.s.), tek sa lexonte këtë ajet, pra lutjen e Ibrahimit, me një rast kishte thënë: “Unë jam ai për të cilin është lutur Ibrahimi!”.

[2] Kuran, Ali Imran: 164.

[3] Sadik Mehmeti, Rëndësia e Mevludit për ruajtjen e vlerave fetare dhe të atyre kom­bë­tare ndër shqiptarët, botuar në “Takvimi 2020”, Kryesia e BI të Kosovës, Prishtinë.

[4] Afif Abdulfettah Tabbare, Mea’l Enbijâ fi ‘l-Kurâni ‘l-kerîm, “Dâr el-Ilm lil-melâjîn”, Bejrut, pa v.b. Krahasimin e ditëlindjes së Pejgamberit në mes të hixhri dhe miladi (si­pas hazreti Isaut) e kishte huazuar nga dijetari Mahmûd El-Feleki. Edhe Filip Hiti të “Istoria arapa” e thotë v. 571 (M), f. 115.

[5] Kuran, Saff: 6; Ali Imran: 143; Ahzab: 40; Fet’h: 29. Marrë nga Meulânâ Muhammed ‘Ali, Hajâtu Muhammed ve risâletuhu, e ka përkthyer në gj. arabe: Munir El-Bae­lbe­ki, “Dâr el-Ilm lil-melâjîn”, bot. i II, 1967, Bejrut, f. 55.

[6] Huazuar nga Faik Luli e Islam Dizdari, Mevludet në gjuhën shqipe, 2002, Shkodër, f. 699.

[7] “Mevludi tek shqiptarët”, përmbledhje kumtesash, bot. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, 2010, Prishtinë.

[8] Rreth argumenteve që i kanë shënuar dijetarët islamë përkitazi me lejimin e Mevludit, më gjerësisht, shih: Mr. Taxhedin Bislimi te “Mevludi tek shqiptarët”, bot. i Kryesisë së BI të Kosovës, f. 58 e tutje. Gjithashtu dhe “Mevludi, historiku dhe dispozita e tij” me autor Mr. Taxhedin Bislimi, 2006, Shkup.

[9] Kuran, Merjem: 15.

[10] Kuran, Merjem: 33.

[11] Në literaturë figuron se ishte halifi fatimij Ubejdijj-El Muizz li Dinil-lah në vitin 362 h. i pari që organizoi manifestimin e Mevludit të Pejgamberit (a.s.).

[12] Dr. Qazim Qazimi, te “Mevludi tek shqiptarët”, (Përmbledhje kumtesash nga sesioni shke­ncor i mbajtur më 22.4.2009 në Prishtinë, organizuar nga Kryesia e BI të Koso­vës, Prishtinë, 2010, fq. 18.

[13] Për shtrirjen e mevludeve te shqiptarët, më gjerësisht te Islam Dizdari për historikun dhe traditën e Mevludit tek shqiptarët, botuar në “Mevludi tek shqiptarët” (përmble­dhje kumtesash), Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, 2010.

[14] Më gjerësisht, Ramadan Shkodra te përmbledhja “Mevludi tek shqiptarët”, po aty, f.72-73.

[15] Sadik Mehmeti, Rëndësia e Mevludit për ruajtjen e vlerave fetare dhe të atyre kombë­tare ndër shqiptarët, botuar në Takvimi 2020, Kryesia e BI të Kosovës, Prishtinë.

[16] Sadik Mehmeti, Rëndësia e Mevludit për ruajtjen e vlerave fetare dhe të atyre kom­bëtare ndër shqiptarët, botuar në Takvimi 2020, Kryesia e BI të Kosovës, Prishtinë.

[17] Marrë nga Faik Luli e Islam Dizdari, Mevludet në gjuhën shqipe, 2002, Shkodër, f. 9.

[18] Transmeton Nesaiu, hadithi është sahîh.

[19] Kuran, Ali Imran: 31.

[20] Sadik Mehmeti, Rëndësia e Mevludit…, po aty, 265.

[21] Kuran: Araf: 157.

[22] Hafiz Ali Korça, Vepra 7 (Mevludi), Logos-A….


  • Ditelindja e Pejgamberit, Mevlud, Resul Rexhepi, Zani i Naltë
  • tweet
Periodiku Islam në Shqipëri gjatë luftës së dytë botërore - Revista “Kultura Islame” KRENARISË SË NJERËZIMIT - PROFETIT MUHAMED (A.S.) (Nga Hafiz Ali Korça dhe Hafiz Ibrahim Dalliu – Zoti i mëshiroftë)

Zani i Nalte

Artikuj të ngjashëm
  • KRENARISË SË NJERËZIMIT – PROFETIT MUHAMED (A.S.) (Nga Hafiz Ali Korça dhe Hafiz Ibrahim Dalliu – Zoti i mëshiroftë)
    KRENARISË SË NJERËZIMIT –...

    Sep 11, 2024 0

  • BEDIUZZAMAN SAID NURSI, MREKULLIA E KOHËS
    BEDIUZZAMAN SAID NURSI, MREKULLIA E...

    Jan 30, 2023 0

  • Medreseja “Alaudin” e Prishtinës dhe kontributi i saj në formimin e inteligjencies fetare islame
    Medreseja “Alaudin” e Prishtinës...

    Nov 24, 2021 0

  • Abstraktet e nr. 30 (183), janar-qershor 2020
    Abstraktet e nr. 30 (183),...

    May 16, 2020 0

Me shumë në këtë kategori
  • Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth  “El-Huruf el-Mukatta’a” Shkronjave të Ndërprera
    Qasja e dijetarëve klasikë dhe...

    May 21, 2025 0

  • Periodiku Islam në Shqipëri gjatë luftës së dytë botërore – Revista “Kultura Islame”
    Periodiku Islam në Shqipëri gjatë...

    Nov 19, 2024 0

  • Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip
    Roli i mejtepeve në zhvillimin e...

    Jul 02, 2024 0

  • Në fillim ishte vetëdija
    Në fillim ishte vetëdija

    Jul 02, 2024 0


Leave a Reply Cancel reply

You must be logged in to post a comment.

Aktivitete

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për...

May 21, 2025 0

Në kuadër të marrëdhënieve të mira ndërfetare dhe bashkëpunimit me institucionet fetare ndërkombëtare, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori...
Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100 Vjet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë”

Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100...

May 10, 2025 0

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i paqes në këndvështrimin fetar”

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i...

Apr 01, 2022 0

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë në Universitetin Bedër aktivitet me studentë nga trevat shqiptare

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë...

Sep 18, 2021 0

Studime

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth  “El-Huruf el-Mukatta’a” Shkronjave të Ndërprera

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth “El-Huruf...

May 21, 2025 0

Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...
MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI

MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S....

Sep 13, 2024 0

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Jul 02, 2024 0

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar  i periodikut islam në gjuhën shqipe

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar i...

May 07, 2024 0

Gjuhë-letërsi

Konak me Edisonin

Konak me Edisonin

May 21, 2025 0

Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...
Një ngjarje “e rastësishme”

Një ngjarje “e rastësishme”

Nov 03, 2020 0

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje...

Oct 26, 2020 0

Sociologji

Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare në kohën moderne

Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare...

Sep 04, 2025 0

Dr. Feim Hoxha ABSTRAKTI Sociologjia, si një nga shkencat më të rëndësishme humane, ka në fokus të studimeve të saj njeriun si një qenie sociale, si dhe shoqërinë në të cilën...
ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES HUXHURAT – I

ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES...

Sep 04, 2025 0

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam...

May 21, 2025 0

1923 – 1939

1939 – 1945

Zani i Naltë (40)

Te Fundit

  • Për çfarë shërbejnë universitetet?
    Për çfarë shërbejnë universitetet?

    Oct 09, 2025 0

  • Kushtetuta e vitit 1925 dhe ndikimi i saj në zhvillimet politike dhe juridike në Shqipëri
    Kushtetuta e vitit 1925 dhe ndikimi i saj në zhvillimet...

    Oct 06, 2025 0

  • LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE FESË NË KONTEKSTIN E TË DREJTAVE THEMELORE
    LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE FESË NË KONTEKSTIN E...

    Sep 11, 2025 0

  • KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË PËR MENDIMIN GJEOGRAFIK ISLAM
    KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË...

    Sep 10, 2025 0

  • Perspektiva mbi Psikologjinë Islame: al-Raghib al-Isfahani për Shërimin e Emocioneve në Kuran
    Perspektiva mbi Psikologjinë Islame: al-Raghib al-Isfahani...

    Sep 04, 2025 0

  • Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare në kohën moderne
    Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së...

    Sep 04, 2025 0

  • ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES HUXHURAT – I
    ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES HUXHURAT –...

    Sep 04, 2025 0

Më të lexuarat

  • Mirë se vjen “Zani i Naltë”
    Mirë se vjen “Zani i Naltë”

    Nov 10, 2012 0

  • Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e kulturore
    Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e...

    Feb 25, 2013 0

  • 90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar
    90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar

    Feb 25, 2013 0

Të fundit

  • Për çfarë shërbejnë universitetet?
  • Kushtetuta e vitit 1925 dhe ndikimi i saj në zhvillimet politike dhe juridike në Shqipëri
  • LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE FESË NË KONTEKSTIN E TË DREJTAVE THEMELORE
  • KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË PËR MENDIMIN GJEOGRAFIK ISLAM
  • Perspektiva mbi Psikologjinë Islame: al-Raghib al-Isfahani për Shërimin e Emocioneve në Kuran

Gallery

zani-i-nalte-1 1557671_490835901024941_1099865082_n 6 5
Copyright 2013 Zaninalte.al