Perditësimi i fundit March 18th, 2026 10:34 AM
Mar 18, 2026 Zani i Nalte Shkenca Islame 0
Prof. Dr. Qazim Qazimi
Abstrakt
Ky punim trajton figurën e Profetit Muhamed (s.a.s.) si personaliteti më me ndikim në historinë njerëzore, duke analizuar dimensionet e tij fetare, politike dhe shoqërore përmes thjerrëzës së burimeve hyjnore dhe traditës historike. Studimi fillon me argumentimin kuranor dhe paralajmërimet biblike mbi ardhjen e tij, duke vijuar me mrekullitë që shoqëruan lindjen e tij dhe zhvillimin e personalitetit të tij moral (el-Emin) përpara shpalljes.
Një fokus i veçantë i kushtohet fenomenit të Mevludit (përvjetorit të lindjes), duke e analizuar atë si një fenomen socio-kulturor dhe letrar. Punimi hulumton zanafillën e festimit të Mevludit në botën islame dhe transformimin e tij në një traditë të pasur artistike, veçanërisht në trojet shqiptare. Përmes analizës së kontributit të poetëve dhe dijetarëve si Hasan Zyko Kamberi, Tahir Popova dhe Hafiz Ali Korça, evidentohet se si kjo trashëgimi letrare shërbeu jo vetëm si akt devotshmërie, por edhe si një mjet i fuqishëm për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhësor dhe kulturor të shqiptarëve përballë rreziqeve të asimilimit.
Në përfundim, punimi argumenton se manifestimi i Mevludit, i parë si një “risi e mirë” (bid’atun haseneh), mbetet një element esencial i memories kolektive islame, i cili promovon vlerat universale të paqes, bashkëjetesës dhe nderimit ndaj figurës profetike në epokën bashkëkohore.
Fjalët kyçe: Muhamedi (s.a.s.), Mevludi, Identiteti Kombëtar, Bashkëjetesa, Bid’atun Haseneh.
بسم الله الرحمن الرحيم
لَقَدْ مَنَّ اللَّـهُ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ إِذْ بَعَثَ فِيهِمْ رَسُولًا مِّنْ أَنفُسِهِمْ يَتْلُو عَلَيْهِمْ آيَاتِهِ وَيُزَكِّيهِمْ وَيُعَلِّمُهُمُ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ وَإِن كَانُوا مِن قَبْلُ لَفِي ضَلَالٍ مُّبِينٍ ﴿آل عمران/ ١٦٤﴾
“Vërtetë Allahu u ka dhënë besimtarëve një dhuratë të madhe kur u solli një të dërguar nga mesi i tyre i cili ua lexon shpalljet e Tij i pastron nga gjynahet dhe u mëson librin (Kuranin) e urtësinë edhe pse më parë ata ishin në rrugë të gabuar”. [1]
Nga ky ligjërim kuranor kuptojmë se dhurata e madhe që i bëri Krijuesi i Gjithësisë besimtarëve ishte dërgimi i Profetit të fundit (s.a.s.), si një prijës që nuk ishte i panjohur për rrethin ku jetonte.
Në historinë e lavdishme të Islamit është i njohur përkushtimi, nderi e respekti që kanë shprehur besimtarët ndaj profetëve (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ta) në përgjithësi dhe ndaj Muhamedit (s.a.s.) në veçanti. Mënyra e shfaqjes dashurisë ndaj Profetit (s.a.s.) ndër breza është bërë në forma e trajta të ndryshme. Kronistët shprehen dhe regjistruan me respekt dhe dashuri jetën dhe biografinë e Profetit Muhamed (s.a.s.). Mjeshtrit e penës, poetët thurën vargje në prozë e poezi. Letrarët shkruan poema, ode e tregime. Ulemaja ligjëruan po edhe varguan kaside, ilahi e mevlude kushtuar jetës dhe veprës të ndritshme të Profetit tonë (s.a.s.) të fundit, Muhamedit (s.a.s.).
Allahu (xh.sh.), Krijuesi i gjithësisë nëpërmjet Kuranit na tregoi dhe vlerësoi virtytet, atributet dhe muxhizet (mrekullitë) e Profetit (s.a.s.), duke e ngritur nё piedestalin mё tё lartë personalitetin e Muhamedit (s.a.s.). Madje, ligjërimi kuranor do tё bëhej burimi kryesor dhe pikë referimi për gjithë ata qё patёn vullnet e dëshirë qё, përmes fjalës sё bukur artistike, tё shprehin lavdërime për vlerat universale tё Profetit Muhamed (s.a.s.).
Çfarë thuhet nё Kuran për Profetin Muhamed (s.a.s.)
Duhet ditur se për lindjen dhe profetësinë e Muhamedit (s.a.s.) ka pasur paralajmërime edhe në librat e shenjtë tё mëparshme. Ardhja e Profetit (s.a.s.) është pranimi dhe realizimi i duasë së Ibrahimit (a.s.), nga gjenealogji-loza e tё cilit lindën, erdhën dhe u shpallen tre profetët e feve monoteiste: Musai (a.s.), të cilit i zbriti Tevrati (Tora); Isai (a.s.) të cilit i zbriti Inxhili (Bibla); dhe Muhamedi (s.a.s.) të cilit i zbriti Kurani, në të cilin gjejmë edhe duanë e Ibrahimit (a.s) ku thotë:
رَبَّنَا وَابْعَثْ فِيهِمْ رَسُولًا مِنْهُمْ يَتْلُو عَلَيْهِمْ آيَاتِكَ وَيُعَلِّمُهُمُ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ وَيُزَكِّيهِمْ ۚ إِنَّكَ أَنْتَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ (سورة البقرة/129)
“Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiri i tyre, një të dërguar që t’u lexojë atyre ajetet e Tua, t’u mësojë atyre Librin dhe urtësinë”.[2]
Paralajmërime për ardhjen e Profetit (s.a.s.) ka pasur edhe në “Inxhil” (Bibël), madje edhe arabët idhujtarë kanë pasur parandjenja për ardhjen e një Profeti nga mesi i tyre.[3] Në Kuran thuhet:
وإِذْ قَالَ عِيسَى ابْنُ مَرْيَمَ يَابَنِي إِسْرَائِيلَ إِنِّي رَسُولُ اللَّهِ إِلَيْكُمْ مُصَدِّقًا لِمَا بَيْنَ يَدَيَّ مِنَ التَّوْرَاةِ وَمُبَشِّرًا بِرَسُولٍ يَأْتِي مِنْ بَعْدِي اسْمُهُ أَحْمَدُ… (سورة الصف/ 6)
“Kujto kur Isai, i biri i Merjemes, tha: “O bijtë e Israilit, unë jam i dërguari i Allahut tek ju, për t’ju vërtetuar Teuratin e shpallur para meje dhe për t’ju sjellë lajmin e gëzueshëm për një të dërguar, emri i të cilit është Ahmed, që do të vijë pas meje”. Por, kur ai u solli atyre shenja të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapur!”[4]
Kështu përgëzoi Isai (a.s.) në “Inxhil” (Bibël), për ardhjen e Muhamedit (s.a.s.). Dhe, thënia e Isait u vërtetua me lindjen e Profetit të fundit. Muhamedi (s.a.s.) ishte njeriu që kishte lindur, rritur e edukuar në mesin e arabëve idhujtarë. Dhe s’do mend se kjo që po ndodhte (lindja e profetit të fundit) nuk ishte rastësi, por një realitet që po realizohej dhe po vinte nga mëshira e të Gjithëmëshirshmit:
﴿سورة الأنبياء) وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا رَحْمَةً لِّلْعَالَمِينَ
“Dhe Ne nuk të dërguam ty (Muhamed ndryshe) vetëm mëshirë për të gjithë botët”.[5]
Mrekullia e lindjes së Muhamedi (s.a.s.)
Muhamedi (s.a.s.) lindi në mëngjesin e së hënës së 12-të (dymbëdhjetë të Rebiul-Evelit), në Vitin Elefantit, pra më (20 prill të vitit 571). Hasan b. Thabiti (s.a.s.), (poet i pranuar, por dhe i ligjësuar nga vetë Muhamedi (s.a.s.)), në ditën kur lindi Muhamedi (s.a.s.) paskësh dëgjuar një hebre duke u thënë kurejshëve-(fisit nga ku rrjedh Muhamedi (s.a.s.)):
“… Dëgjoni mirë o kurejshë! Sonte tek ju lindi Profeti i fundit në botë… Në mes të shpatullave të tij ka një shenjë të zezë, e ajo është vula e tij profetike. Verifikoni, se vërtet në këtë natë ka lindur i dërguari i fundit i këtij ymeti.”[6]
Interpretuesi i Kuranit, Ibni Kethiri, në veprën e tij më të rëndësishme “El-Bidaje ue En-Nihaje”, ka shkruar një kapitull të veçantë mbi fenomenet, ngjarjet e çuditshme dhe mrekullitë tё cilat ndodhen në natën kur lindi Muhamedi (s.a.s.), ndër tё tjera ai ka përmendur:
-Pozita e ulët e yjeve gjatë asaj nate ( yjet iu afruan Tokës).
-Dridhja e pallatit të Kisras dhe rrënimi i 14 kolonave të tij.
-Shuarja e zjarrit që adhurohej në Persi. Zjarri, që ishte ndezur 1000 vite më parë, e që asnjëherë nuk ishte shuar deri në lindjen Muhamedit (s.a.s.).
-U thyen idhujt që ishin në brendësi të Qabes e që adhuroheshin nga arabët.
-Shteroi dhe u tha liqeni i quajtur Sava, të cilin e besonin si të shenjtë.
-U shfaq një “Nur” (dritë e madhe) të cilën e pa Amineja e ëma e Muhamedit (s.a.s.)-(dritë e cila i ka ndriçuar edhe pallatet e Shamit).”[7].
Rënia e të porsalindurit (Muhamedit s.a.s.) me fytyrë për tokë (në sexhde). Poeti shqiptar Tahir ef. Popova nga Vushtrria e Kosovës, në Mevludin e tij, këtë ndodhi në lindjen e Muhamedit (s.a.s.) e shpreh kështu:
Prej Mashrikut deri n’Magrib gjithë Dunjasë – I dha hjeshi lemja e këtij Mustafasë![8]
Në “Musnedin” e Imam Ahmedit, transmetohet që Ibni Abasi (r.a.) të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka lindur në ditën e hënë, në ditën e hënë është dërguar si profet, në ditën e hënë është shpërngulur nga Meka, në ditën e hënë ka hyr në Medine dhe në ditën e hënë ka vendosur “Haxherul-Esuedin” (Gurin e Zi) në vendin e tij me rastin e renovimit të Qabes.” Po me këtë datë, më 12 Rebiul-Evel, në paraditen e së hënës, Muhamedi (s.a.s.) ka ndërruar jetë.
Nga kjo që u përmend deri tani mësohet se lindja Muhamedi (s.a.s.) ndodhi më 12 Rebiul-Evel. Babai i tij quhej Abdullah, ndërsa nëna e tij ishte znj. Amine.
Muhamedi (s.a.s.) mbeti jetim ende pa lindur. Babai i tij, Abdullahu i kishte vdekur disa muaj para lindjes së Profetit (s.a.s.). Për rritjen, zhvillimin dhe edukimin e tij do të kujdesen e ëma, Amineja, mëndesha (gjidhënësja) Halimja, gjyshi, Abdulmuttalibi, xhaxhai, Ebu Talibi dhe ndonjë tjetër prej të afërmve të tij. Kur ishte i vogël, Muhamedi (s.a.s.) nuk pati mundësi të shkollohet edhe pse në atë kohë në Mekë kishte njerëz të ditur dhe të tillë që dinin shkrim-lexim.
Që në rininë e hershme, Muhamedi (s.a.s.) dallohet shumë nga moshatarët e tij për shumëçka. Si i ri u veçua nga të tjerët me karakter, moral e virtyte të larta. Ai tërhoqi vëmendjen shumëkujt për virtytet e tij të larta. Të përmendim se kur ai po shoqëronte xhaxhain e tij, Ebu Talibin, për tregti në Sham në moshën 12 vjeçare,[9] Muhamedin (s.a.s.) e kishte parë një autoritet, prift i devotshëm i quajtur Bahira, i cili kishte thënë: “Nga ky djalosh pritet një punë, mrekulli e madhe, saqë do të përmendet në lindje dhe në perëndim”.[10]
Muhamedi (s.a.s.) për një periudhë të shkurtër ka qenë edhe bari delesh, por edhe pjesëmarrës në beteja të ndryshme me xhaxhallarët e tij.[11] Duhet veçuar edhe martesa e Muhamedit (s.a.s.) me Hatixhen (r.a.), të bijën e Huvejlidit, qё në një farë mënyre kjo bashkëshortësi rregulloi edhe siguroi mirëqenie sociale për të. Ajo ishte gruaja e parë dhe, për sa kohë qe ajo ishte gjallë, Profeti (s.a.s.) nuk ka pasur asnjë grua tjetër.[12] Të gjithë fëmijët Muhamedi (s.a.s.) i pati me Hatixhen, me përjashtim të Ibrahimit. Fëmijët e këtij çifti ishin: Kasimi, Tahiri, Tajjibi, Zejnebja, Rukija, Ummi Kulthumi dhe Fatimja.
Duhet veçuar edhe zgjidhja e problemit të vënies së gur themelit gjatë rindërtimit tё Qabes. Muhamedi (s.a.s.) ofroi zgjidhjen më të mirë. Propozoi që të gjitha fiset gurin e zi ta bartin me një çarçaf deri te vendi i duhur e pastaj ai, me duart e tij, e vendosi në themel të Qabes. Ndodhi kjo më 12 Rebiul-Evel, kur Muhamedi (s.a.s.) ishte 35 vjeç, dhe prej atij çasti i dhanë ofiqin “eI-Emin” (Besnik).[13]
Profetësia e Muhamedit (s.a.s.)
Ajo që u tha deri tani në lidhje me Muhamedin (s.a.s.) na jep të kuptohet se kishim të bënim me një njeri të rëndomtë, por jo edhe të mbinatyrshëm. Por, kur Muhamedi (s.a.s.) mbushi 40 vjeç, filloi shpallja hyjnore dhe që nga ajo kohë ai tashmë ishte profet i shpallur.[14] Shpallja hyjnore, që vjen nga jashtë, është një dhunti hyjnore e Allahut (xh.sh) që ia fal profetit të Tij.
Muhamedi (s.a.s.) nuk dinte shkrim e këndim, prandaj me rastin e shpalljes, kur Xhibrili (a.s.) kërkoi nga ai që të lexonte, përgjigjja e Profetit (s.a.s.) ishte se nuk di të lexojë.[15]
Mirëpo, pas një trysnie të fortë të Xhibrilit mbi Muhamedin (s.a.s.) dhe pas përgatitjes së tij fizike e psikike, iu shpallën ajetet e para të Kuranit dhe me kёtë akt Muhamedi (s.a.s.) u bё Profet i shpallur:[16]
اقرأ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ* خَلَقَ الإِنسَانَ مِنْ عَلَقٍ* اقرأ وَرَبُّكَ الأَكْرَمُ* الَّذِي عَلَّمَ بِالْقَلَمِ* عَلَّمَ الإِنسَانَ مَا لَمْ يَعْلَمْ (سورة العلق/-5-1)
“Lexo në emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo, se Zoti yt është më bujari! I Cili e mësoi njeriun (të përdorë) lapsin. I mësoi njeriut atë që nuk e dinte…”[17]
Ndodhi ky akt natën e Kadrit, më 1 shkurt të vitit 610.
Shëmbëlltyra e Profetit (s.a.s.) në çdo fushë e në çdo aspekt të jetës, vlerat universale njerëzore, virtytet sublime, janë ato që e bëjnë të dashur e që e karakterizojnë personalitetin e Profetit (s.a.s.). Nga Aishja, gruaja e Muhamedit (s.a.s.) është dëgjuar të ketë thënë se: “Karakteri, morali i tij ishte Kurani i Madhërueshëm”, që do të thotë se çdo fjalë e vepër e tij ka qenë në harmoni e përputhshmëri të plotë me Kuranin Famëlartë, nё tё cilin i thuhet : وَإِنَّكَ لَعَلَىٰ خُلُقٍ عَظِيمٍ ﴿ سورة القلم /٤﴾.
“Vërtet ti (Muhamed) je në piedestalin më të lartë të moralit”.[18]
Dymbëdhjetë vitet e qëndruara në Mekë gjatё profetësisë ishin mjaft tё rënda dhe jeta në të tashmë ishte bërë padurueshme. Kështu qё më 20. 9. 622 vetë Profeti (s.a.s.), së bashku me Ebu Bekrin (r.a.) u detyrua ta lërë Mekën, dhe të emigrojnë në Jethrib (Medine)
Duhet theksuar se kur Profeti Muhamed (s.a.s.) me emigrantët myslimanë të përndjekur nga Meka (vendlindja e tij), arritën në Jethrib, Medine, aty themeluan një shoqëri multi-fetare, multi-kulturore, multi-etnike (me tri fe monoteiste dhe katër bashkësi etnish).
Nisur nga këtu, nuk ka dyshim se në rrafshin burimor islam, bashkëjetesa, respektimi i vlerave të ndërsjella, toleranca ndërfetare dhe multinacionaliteti janë bazament i pakapërcyeshëm për të ndërtuar një shoqëri pluraliste, dhe shërben si arketip për rregullimin fetar, shoqëror, kulturor, ekonomik, po pse jo edhe politik e të tjera, të shoqërive bashkëkohore-moderne.
Për personalitetin e Profetit (s.a.s.) si drejtues shpirtëror-fetar, si prijës, si njeri i qytetëruar më karakter e moral të lartë, si strateg ushtarak, si udhëheqës politik e si burrë shteti që mundë të shërbejë si shembull përgjithmonë dhe kudo, kanë folur Kurani, shumë hadithe, por edhe personalitete myslimane dhe jomyslimane me renome ndërkombëtare, e ndër ta edhe Michael Hart i cili është prononcuar: “Muhamedi është personalitet prijës si nga aspekti religjioz, ashtu edhe nga ai politiko-shoqëror, respektivisht, si forcë lëvizëse e çlirimeve arabe. Me të drejt ai mund të mbaj vendin e parë si udhëheqës politik më me ndikim në histori”. [19]
Muhamedi (s.a.s.), poetët dhe poezia
Është i pakontestueshëm fakti se Muhamedi (s.a.s.) ndaj poezisë, e cila me të drejtë llogaritët si mbretëresha e arteve, pati qëndrim afirmativ. Muhamedi (s.a.s.) dëgjonte poezi nga poeti Nabiga Dhubjaniu. Edhe nga Ka’b b. Zuhejri, e dëgjoi me vëmendje “Kasidetu el-Burde”[20] dhe kur arriti tek vargjet:
”Profeti është dritë, me të cilën ndriçohemi,
Luan, nga shpatat e zhveshura të Indisë.
Profeti (s.a.s.) ndërhyri duke e korrigjuar poetin dhe i tha: “Nga shpatat e Allahut”, dhe Ka’bi e përmirësoi vargun në fjalë. [21] Muhamedi (s.a.s.) për hir të fjalës së bukur artistike Ka’b b. Zuhejrit i fali jetën, sepse ishte i dënuar me vdekje. Madje e nderoi duke ja hedhur mbi supet e tij Burden e vet (një lloj manteli) në vlerë prej njëzet mijë dërhemësh dhe që atëherë kjo poemë është emërtuar “Kasidetu el-Burdetu”.[22]
Për poezinë Profeti (s.a.s.) pati thënë: “Poezia është diçka që të bukurën e bën më të bukur dhe të keqen e bën më të keqe”. (transmetim i Buhariut).
Abasi (r.a.), i biri i Abdulmuttalibit, xhaxhai i Profetit (s.a.s.) me një rast i është drejtuar Profetit (s.a.s.) me këto vargje:
E kur ti u linde, u shndrit toka, –و انت لما ولدت أشرقت الأرض
Me nurin tënd u ndriçuan horizontet و ضاءت بنورك الأفق –
E ne, me atë ndriçim فنحن على ذالك الضياء –
Rrugës së drejt po ecim.[23] و في سبيل الرشاد نخترق –
Siç vërehet nga hadithet e sipërcituara, kuptohet se të thurësh poezi e ta lavdërosh Profetin (s.a.s.) është një vazhdim i një tradite e mirë dhe që bazohet dhe mbështetet në literaturën burimore islame, madje është miratuar edhe nga vetë Profeti (s.a.s.).
Fenomeni i Mevludit dhe këndimi i tij
Profeti (s.a.s.) e kanë lavdëruar dhe vazhdojnë ta lavdërojnë fetarët e devotshëm, dijetarët, por edhe shkrimtarët, ku me shkrimet e me këndimet e tyre artistike, në forma të ndryshme, kanë shprehur devotshmëri dhe respekt të nevojshëm për Profetin (s.a.s.). Shejh Ebu el-Hattab b. Dihjete, në fillim të shek. të VII-të hixhri, shkroi një poemë (Mevludin e parë) për Sulltan Mudhaffer Kevkeburin, mbi lindjen e Profetit (s.a.s.) të titulluar “Et-Tenviru fi Meulidi El-Beshiri En-Nedhiri”.[24]
Tek turqit, prej mevludeve më i njohuri dhe më i përdorur është “Vesiletu en-Nexhat” (Mjeti për shpëtim) që e përpiloi poeti turk Sulejman Çelebi në qytetin Bursa në vitin 1409. Pastaj pason mevludi i autorit kurd, Mulla Hasan Ertushi.[25]
Edhe shkrimtarët shqiptarë të letërsisë Islame kanë shkruar Mevlude origjinale apo përkthime qё nga shek. XIX. Të theksojmë se tek shqiptarët shumica e këtyre mevludeve janë shkruar në periudhën e Rilindjes Kombëtare nga personalitete dhe dijetarë të shquar e të dëshmuar si në rrafshin fetar po ashtu edhe në rrafshin kombëtar. Duhet theksuar se deri sot njihen mbi 30 mevlude të shkruara nga personalitete të njohura në fusha të ndryshme të fesë dhe të letërsisë, të cilët, me mjeshtërinë e tyre dhe në mënyrë artistike e shembullore thurën lavde e konsiderata, si për askënd tjetër, për të Dërguarin e Zotit, Muhamedin (s.a.s.).
Mevludi i parë tek shqiptarët besohet të jetë ai i poetit të madh, Hasan Zyko Kamberi. Mevlude të tjera kanё shkruar edhe Muhamed Çami, Ismail Flloqi, Hafiz Ali Ulqinaku, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Tahir efendi Popova etj. Shkrimtarët shqiptarët kanë vazhduar të shkruajnë Mevlude edhe gjatë shekullit XX-të.
Është realitet i pamohueshëm se festimi i mevludit (ditëlindjes së Profeti (s.a.s.)) nuk ndodhi në kohën e Profetin (s.a.s.). Madje, një festim i tillë nuk është bërë as në kohën e Sahabëve as të Tabi’inëve, por as në kohën e etebe-tabi’inëve nuk ndodhi festimi i mevludit në format të cilat i gjejmë dhe i praktikojnë sot myslimanët anë e kënd botës.
Tani, duke ditur se lavdërimi dhe përshëndetja e Profetin (s.a.s.) (dërgimi i salavateve dhe selame) Profetit (s.a.s.)është porosi e Kuranit, Sunetit (traditës profetike) dhe detyrim fetar, shpresojmë se edhe festimi i Mevludit është “bid’atun haseneh” njё fenomen- novatorizëm (një risi e mirë me premisa fetare) dhe ky është njё realitet qё e jetojmë edhe nё trevat tona, gjithandej ku jetojnë shqiptarët myslimanë.
Nё kёtё rast, patjetër duhet përmendur thënien e Abdullah b. Mes’udit (r.a.): “Atë vepër që myslimanet e vlerësojnë se është vepër e mirë, e që duhet të bëhet, edhe Allahu (xh.sh) e llogarit për të mirë. Atë vepër që myslimanët e shohin si të keqe, e të mos veprohet, edhe Allahu (xh.sh.) e konsideron si të keqe”. (transmetim i Ahmedit) Bazuar nё kёtё thënie tё Sahabiut tё respektuar, del në pah se njё veprim, punё, fenomen i ri, qoftё edhe “bid’at” risi (novatorizëm) qё nuk bie ndesh me burimet kryesore tё Islamit; Kuran, Hadith e tё tjera…dhe qё ёshtё i pranueshëm, i mirë e i dobishëm për shumicën e myslimanëve, atëherë ajo ёshtё njё “bid’atun haseneh”(risi e mirë) novatorizëm i dobishëm për myslimanët, lejohet dhe duhet të aplikohet.
Ibni Tejmije qartё është prononcuar në favor të manifestimit të Ditëlindjes së Profetit(s.a.s.) kur thotë: “Madhëro Mevludin dhe pranoje atë si festë! Këtë e bëjnë disa njerëz dhe për këtë punë ka shpërblim të madh, duke pasur parasysh qëllimin e mirë të tyre dhe duke parë se këtë punë e bëjnë për të nderuar Profetin e Allahut (s.a.s.)[26]
Ulemaja Islame thonë se: Në këtë natë është e pëlqyeshme të madhërohet Allahu, të këndohen salavate, tё jepet sadaka, tё bёhen punë të mira etj. Nëse bëhen këto punë për hir të Allahut (xh.sh.) është sevap i madh.
Dihet mirëfilli se nga praktika por edhe nga tradita shumë shekullore, mevludi është festë fetare e gjithë myslimanëve, që kremtohet e festohet në çdo përvjetor të Lindjes së Muhamedit (s.a.s.)
Tek turqit, Dita e Mevludit për të parën herë u festua në periudhën e Sulltan Muratit të tretë (sundoi në vitet 1574-1595 m.). Ishte ky sulltani i dymbëdhjetë në radhë nga osmanlinjtë, për të cilin thuhet se bënte shpenzime marramendëse për këso festimesh.[27] Në Turqi edhe sot, që të gjithë; turq, arabë, kurdë, çerkezë, shqiptarë e boshnjakë, e këndojnë mevludin në gjuhët e tyre.
Tek shqiptarët, siç dihet, Lindja e Muhamedit (s.a.s.) kremtohet e festohet në forma dhe organizime të ndryshme. Rëndom, këndimi i mevludit nis me leximin e disa ajeteve të Kuranit e më pastaj këndohet ndonjëri prej mevludeve të shkruar apo të adaptuara në gjuhën shqipe apo disa pjesë të tij. Kjo punë bëhet nëpër shtëpi private, xhami, por edhe në institucione kulturore e fetare, etj, duke u shoqëruar edhe me ndonjë ligjëratë rasti.
Duhet theksuar se nё Mbretёrinё e Arabisë Saudite, për herё tё parё në vitin 2016 (1438 h.), zyrtarisht u festua Ditëlindja e Muhamedit (s.a.s.) me bekimin personaliteteve mё tё larta fetare e shtetërore.
Nga gjithë ajo që u tha deri këtu në lidhje me manifestimin e mevludit, bazuar në argumente dhe kundër argumente, duhet ditur se manifestimi i mevludit nuk është detyrim i patjetërsueshëm, por është pjesë e traditës dhe kulturës tonë fetare-shpirtërore, është një vepër e mirë (mustehab) që myslimanët, kudo që janë, e në veçanti në këto troje tona duhet ta shënojnë ditëlindjen e Profetit (s.a.s.), sepse praktika po tregon se në mungesë të festimeve islame dhe nevojës së begatisë shpirtërore, tek myslimanët, e në veçanti rinia, po orientohet në festa krejtësisht të huaja e që nuk kanë asgjë të përbashkët me identitetin e tyre fetarë e kombëtar. Mesazhi qiellor porositë:
إِنَّ اللَّـهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا صَلُّوا عَلَيْهِ وَسَلِّمُوا تَسْلِيمًا ﴿سورة الأحزاب / ٥٦﴾
“Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”!”[28]
Është imperativ i kohës që t’i përkushtohemi fesë tonë, burimeve themelore të saj, Kuranit, haditheve të Muhamedit (s.a.s.), por edhe traditës sonë të lavdishme për derisa ajo nuk bie ndesh me principet substanciale Islame, sepse këtu është shpëtimi jonë nga tjetërsimi. Falë islamit shqiptarët e ruajtën identitetin; gjuhën, kulturën lëndore dhe shpirtërore, në etnosin e tyre dhe masa dërmuese e tyre u shpëtuan pa u sllavizma, pa u greqizuar, pa u latinizuar, apo pa u turqizuar.
[1] Kurani, Surja Ali Imran, 164.
[2] Kurani, Surja Bekare, 129.
[3] Shakir El-Bedrij, “Edh-dhikra El-Halidetu li En-Nebijji El-Halidi”, shtyp. “Daru El-Basrij”, Bagdad, 1969 m. (1388 h.), f 11.
[4] Kurani, Surja Saf, 6.
[5] Kurani, Surja Enbija, 106.
[6] Transmeton. Hakimi dhe Jakub ibni Sufjani, me sened të saktë (Hadithi hasen).
[7] Transmetim i el-Bzzarit dhe Taberanit; Hafidh ibni Haxher ka thënë se ky hadith është sahih (autentik). Kёtё e pohojnë edhe te Hibbani dhe Hakimi.
[8] Tahir ef. Popova, Mevludin e tij tё titulluar”Mendhumetu El-Mevludi fi Efdali El-Mevxhudi bi Lisani El-Arnauti” nё origjial f. 8, tё cilin e shkroi mё 1890 dhe e botoi me lejen e Ministrisё sё Arsimit tё Turqisё me nr. 109, nё Stamboll.
[9]Ebu el-Fidai Ismail bin Umer bin Kethir El-Kurejshij, “El-Fusulu fi Sireti er-Resuli”, përpunuar dhe korrektuar nga Ebu Usamete Selim, Es-Selefij, bot. I parë, libri 1, f. 49, Kuvajt, 2003 (1424 h.)
[10] Grup autorësh, “Es-Siretu en-Nebevijetu Li-Ibni Hisham”, pjesa e parë, bot. i tretë, f. 191-194, Bejrut, 1391 h. (1971). -Shih edhe: Safijurrahman El-Mubarekfuri, libri i cituar, f 21.
[11] Es-Siretu En-Nebevijetu Li-Ibni Hisham, f. 195-196.
[12] Grup autorësh, “Es-Siretu en-Nebevijetu” burimi i cituar f. 201, Bejrut, 1391 h. (19710). -Shih edhe Safijurrahman El-Mubarekfuri, Nektari i Vulosur i Xhenetit, f 61. përkthim nga boshnjakçja, Urtësia-Shkup, 1997.
[13] Po aty, f 204, 209.
-Ebu Abdilah ez-Zinxhanij, Terihu El-Ku’rani, Bejrut, 1969 (1388 ), f. 21.
[15] Safijurrahman el-Mubarekfuri, vepra e cituar, f. 65
[16] Muhamed Alij es-Sabuni, Vepra e cituar, botimi dytë f 12.
[17] Surja AIak, 1-2.
[18] Surja Kalem, 4.
[19] Michael Hart, “100 personalitete më me ndikim në histori”, f. 13, Tetovë, 1997.
[20] Ibni Kajjem el-Xhevzijjetu, “Medariku ed-Salikin ”pjesa e I-rë, botoi “Daru Ihjai Et-turathi El-Arabij”, Bejrut-Liban, 1999 m. (1419 h.) , f. 370.
[21] Transmetuar edhe në historinë e Ibni Hishamit.
[22] Dr. Shevki Dajf, “El-Asru El-Islamij”, botimi i 13-të, Kairo, 1963, f. 83.
[23] Shakir el-Bedrij, “Edh-dhikra El-Halidetu li-En-Nebijji El-Halidi”, shtyp. “Daru El-Basrij”, f. 16-17. Bagdad, 1969 m. (1388 h.).
[24] El-Imam El-Hafidh Ebu Ismail bin Kethir Ed-Dimshkij “El-Bidajetu ve En-Nihajetu” pjesa e XIII-të bot. “Mektebetu El-Iman” f 131-132,
[25] Shih Feridudin Aydin “Festimi i mevludit dhe kultura e imitimit” AlbIslam, i botuar më 1 Mars 2009.
[26] Ahmed bin Abdu Es-Selam Ibni Et-Tejmijjeti, “Iktidau Es Sirati El-Mustekim”, pjesa e II-të, botoi “Daru El-Asimeti”, botimi i VII-të, Rijad, 1998 m. (1419 h.) f 1 26
[27] Këto të dhëna janë marrë e nga numri më i ri i revistës AlbIslam, i botuar më 1 Mars 2009)
[28] Kurani, Surja Ah’zab, ajeti 56.
Mar 03, 2026 0
Mar 03, 2026 0
Feb 26, 2026 0
Feb 09, 2026 0
Feb 09, 2026 0
Sep 04, 2025 0
May 21, 2025 0
May 21, 2025 0
Jan 15, 2026 0
Kjo konferencë u organizua në ambientet e “Tirana International Hotel”, me rastin e botimit të kolanës “El-Ihtijaru li Ta’lili-l-Muhtari”, botim ky i cili vjen si bashkëpunim...May 21, 2025 0
Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...May 21, 2025 0
Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...Sep 04, 2025 0
Dr. Feim Hoxha ABSTRAKTI Sociologjia, si një nga shkencat më të rëndësishme humane, ka në fokus të studimeve të saj njeriun si një qenie sociale, si dhe shoqërinë në të cilën...