Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
Abstraktet e artikujve të Zanit të Naltë 3.
1- FEJA DHE QYTETËRIMET
Prof. Dr. Qazim Qazimi
Dekan i Fakultetit të Shkencave Islame
“Gjithsesi Ne i kemi dërguar të dërguarit Tanë me argumente të qarta dhe Ne zbritëm me ata Librin dhe peshoren (e drejtësisë) që t’i përmbahen njerëzit së drejtës…” – Kur’ani, sureja El-Hadidë, ajeti 25.
Njeriu-Individi është qeliza e parë e një shoqërie dhe guri themeltar i një qytetërimi. Për këtë krijesë, aq të vyeshme dhe të vetme të qytetëruar, fetë monoteiste flasin me admirim. Familja është institucioni themelor i bashkësive njerëzore. Bashkësia, e cila është formuar e pastër në rrugë sociale, pa u bazuar në tendencat instinktive dhe afrimet natyrore, është shoqëri e qytetëruar.
Lirshëm dhe bindshëm mund të themi se në botë nuk ka shoqëri ose bashkësi ku nuk ekziston aktiviteti fundamental i quajtur religjion ose fe. Feja është besimi aktiv individual ose shoqëror dhe institucional i një mjedisi të dalluar në jetën e njerëzve. Me anë të fesë, shoqërisë i ofrohet një jetë humane si një formë kënaqësie kuptimplotë e shpirtit dhe e trupit.
2- PROFETI (S.A.S.) ME MADHËSHTINË E PERSONALITETIT TË TIJ DHE GRADËN (STATUSIN) E TIJ TË LARTË
Pr. Dr. Ali Xhuma
«Nuk është i mundur perceptimi i personalitetit të Muhamedit (s.a.u.s) në të gjitha aspektet e tij. Ai ishte Muhamedi Profet, Muhamedi luftëtar, Muhamedi biznesmen, Muhamedi politikan, Muhamedi predikues, Muhamedi reformator, Muhamedi strehues i jetimëve dhe mbrojtës i skllevërve, Muhamedi çlirues i grave dhe Muhamedi gjykatës … Të gjitha këto role të mrekullueshme në të gjitha disiplinat e jetës njerëzore e kualifikojnë atë – Muhamedin – për të qenë një hero».
Ai është i cili u plotësua kuptimi dhe portreti i tij Pastaj Krijuesi i Shpirtrave të dashur e zgjodhi I pakrahasueshëm, e i pashoq në virtytet e tij Vetë esenca e bukurisë është në natyrën e tij3- NJË VËSHTRIM NË LIDHJE ME HADITHIN E DOBËT
Përgatiti: Elton KARAJ
Shkenca e hadithit është me të vërtetë një fushë rreth së cilës është thënë shumë dhe janë bërë shumë studime. Si çdo shkencë tjetër, edhe kjo, është sistemuar hap pas hapi. Nga ana tjetër, ndërkohë që me idetë e reja dhe zhvillimin e metodologjisë çështjet janë sistemuar dhe ekuilibruar, në të njëjtën kohë kanë lindur edhe shumë mendime ekstreme, të cilat, në shumë raste, të çojnë në keqkuptime dhe keqinterpretime, madje ndonjëherë bëjnë që të humbim edhe një pjesë të pasurisë që kemi trashëguar prej Profetit Muhammed (s.a.u.s.) apo prej dijetarëve të mëdhenj, të cilët janë trashëgimtarët e profetëve.
Çështja e haditheve të dobët është pikërisht njëra prej tyre. Shumë njerëz e kanë folur, diskutuar dhe trajtuar këtë çështje. Ne do të mundohemi të paraqesim pikëpamjen e përgjithshme të ehli synetit (pasuesit e vërtetë të synetit profetik) në lidhje me temën në fjalë, me shpresën dhe lutjen që të sqarohen sadopak disa pika të keqkuptuara.
4- NË LUFTËRAT BALLKANIKE 1912-1913 MBRETËRITË SERBE, MALAZEZE DHE GREKE KANË USHTRUAR GJENOCID DHE SPASTRIM ETNIK MBI POPULLSINË MYSLIMANE SHQIPTARE
Prof. Dr. Bajram XHAFA
Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër
Bateria e artilerisë serbe drejt qytetit të Shkodrës, në ndihmë të malazezëve, 1913.
Shkaktarë tё armiqësive nё luftën e parë (ballkanike), shkruan raporti i Komisionit Ndёrkombёtar, kishin qenë vetë sllavët e Ballkanit, jo vetëm me shkeljet që u kishin bёrё ligjeve ndёrkombёtare por edhe marrëveshjeve tё ndryshme që kishin nënshkruar me njëri tjetrin…
Leo Freundlich përshkruan ngjarjet nga mesi i tetorit 1912 deri në mars 1913. Në një periudhë kohe më pak se pesë muajsh ushtria dhe bandat çetnike serbe “Egërsisht dhe në mënyrën më antinjerëzore që ka shfaqur ndonjëherë çizmja e pushtuesit, kriminuan barbarizma që nuk kanë të përshkruar. Me dhjetëra mijë burra të paarmatosur të therur, – gra të përdhunuara, – pleq e fëmijë të mbytur, – me qindra fshatra të djegur të rrafshuar për tokë. Megjithatë Evropa edhe sot vazhdon të heshtë”.
I cilësuar si “bela epoka”, fillimi i shekulli XX i solli popullit dhe kombit shqiptar katastrofën me të madhe në historinë e tij. Por, aksidentalisht edhe një fitore të madhe: Shqipëria u regjistrua në librin e gjendjes civile ndërkombëtare (shprehje e A. Baletës), sepse deri në këtë kohë shqiptarët nuk njiheshin nga Evropa as si popull, as si komb me të drejtat përkatëse dhe as si njësi politike apo shtetërore të ndonjë forme të caktuar. Ashtu, të copëtuar dhe të ndarë, shqiptarët iu vunë punës së Sizifit duke ngritur atë gurin e rëndë mitologjik për të mbërritur në fund të shekullit me dy fitore historike, që padyshim janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën: 1. Rënia e diktaturës dhe fitorja e demokracisë në Shqipërinë londineze dhe 2. Çlirimi i Kosovës më 1999 dhe Pavarësia e saj më 2008. Ç’vjen më pas? Këtë do ta përcaktojnë historia dhe politika.
5- ROLI I AUSTRO-HUNGARISË PËR ORGANIZIMIN E INSTITUCIONEVE TË FESË ISLAME NË SHQIPËRI NË VITET 1916-1918
Dr. Hasan Bello
Ky artikull ka si objekt analizimin e politikës së ndjekur nga Austro-Hungaria për organizimin e institucioneve të fesë islame në vitet 1916-1918. Megjithëse kjo perandori ishte një shtet multi-etniko-konfensional, zyrtarisht ajo ishte një shtet teokratik katolik dhe në varësi të interesave gjeo-politike ndoqi një politikë specifike ndaj popullsisë myslimane të Shqipërisë. Kjo politikë në përgjithësi na rezulton pozitive, me gjithë rastet e papëlqyeshme që herë pas here nuk munguan, këtë më së miri e tregon edhe fakti se institucionet e bashkësisë islame në këtë periudhë njohën një zhvillim të hovshëm në aspektin praktiko-organizativ.
6- MINIATURË HISTORIKE E NDËRTIMIT TË IDENTITETIT MYSLIMAN SHQIPTAR
MA. Redi Shehu
Prania e myslimanëve në tokat shqiptare është shumë më e hershme se sa ardhja e osmanëve… Ardhjet e myslimanëve në trojet tona kanë qenë të organizuara edhe mbi baza të arsyeve të ndryshme, për faktin se, trojet tona ndodheshin në kryqëzimin e rrugëve tregtare i cili përbënte trajektoren më të shkurtër për të lidhur tregjet aziatike e perse, me pjesën perëndimore të kontinentit evropian. Duhet prekur këtu edhe fakti se përreth nesh civilizimi islam kishte arritur majat në qendra të mëdha si Damasku, Bagdadi, Kajro, Kordova, Toledo, e shumë qendra të fuqishme ekonomike, politike e ushtarake myslimane që në të njëjtën kohë ishin edhe qendra të mëdha dijeje. Kështu që, udhëtimet e shumta të tregtarëve myslimanë në brigjet perëndimore të tokave shqiptare, që në atë kohë ishin nën sundimin e Bizantit, kishin stabilizuar një realitet islam në rrethana minoritare. Ajo që duhet sjellë në vëmendje, në ndryshim nga teza e gabuar se Islami erdhi në Shqipëri nga Lindja, është edhe fakti se qytetërimi islam si dhe myslimanët e parë erdhën në Ballkan dhe në trojet tona nëpërmjet Andaluzisë dhe Sicilisë myslimane, pra nga Perëndimi.
7- URBANIZIMI, VENDBANIMET DHE IMIGRIMI: IDENTITETI URBAN PAS VITEVE 1990 NË SHOQËRINË SHQIPËTARE
Ph.D Cand. Matilda LIKAJ SHAQIRI
Bedër University
Në sociologji, qytetet nuk janë dispozuar të studiohen vetëm si vendbanime të mëdha dhe shumë të populluara. Qyteti ka gjithmonë një situatë tërheqëse, sepse ai është i pasur prej strukturës e cila përmban shtresa të ndryshme sociale, ekonomike dhe kulturore që formojnë një larmishmëri diferencash të aktorëve socialë. Gjithashtu përmban aktivitetet e shërbimeve të ndryshme kulturore, ekonomike dhe sociale. Qyteti ka një strukturë të bazuar në industri, tregti, transport dhe rrjete komunikimi. Të gjitha këto kanë krijuar faktorët tërheqës drejt qytetit. ‘Qyteti’ si term dhe si vendbanim duhet të përcaktohet në dimensione të ndryshme sepse ka një strukturë dhe funksione kompleksive. Numri i banuesve të qytetit rritet ndjeshëm edhe sipas numrit të imigrantëve nga zonat e ndryshme të një vendi. ‘Qyteti është një vend banimi i cili, nuk merret me bujqësi, ku prodhimi industrial dhe fabrikues zë vendin kryesor, shpërndarja është e koordinuar, përdoret një teknologji e përcaktuar, popullsia ka arritur një numër të konsiderueshëm si dhe ka përbërje heterogjene.
8- FEJA, ELEMENT I RËNDËSISHËM NË STRUKTURIMIN SHPIRTËROR TË NJERIUT
Xhemal Balla
Myslimanët në themel të ndërtimit të jetës udhëhiqen nga besimi në “Zotin Një”, që e shoqëron atë në të gjithë aktivitetin jetësor nga lindja deri në vdekje. Për besimtarët, feja ka lozur rolin më të rëndësishëm si kod etiko – moral, që ka ruajtur të pastër familjen e shoqërinë. Feja tek ne nuk ka njohur konflikte, por është karakterizuar nga toleranca e humanizmi. Islami ka kultivuar në ndërgjegjen e besimtarëve shumë elemente pozitive të normave etiko – morale, të praktikuara në jetën familjare e shoqërore. Ajo ka ushqyer shpirtin e tyre në ndërtimin e jetës, që është manifestuar në ceremoni të ndryshme gëzimi e hidhërimi. Megjithatë është ruajtur uniteti me fetë e tjera për çështjen kombëtare. Të bashkuar, myslimanë, katolikë e ortodoksë kanë luftuar për të mbrojtur interesat e vendit, që nga përpjekja për shpalljen e pavarësisë më 1912 e deri në ditët e sotme.
9- FRUTAT E PËRMENDURA NË KUR’ANIN FAMËLARTË
Prof. Dr. Davut Aydüz
Universiteti Sakarya, Fakulteti i Shkencave Islame, Turqi
Shpesh Kur’ani Famëlartë na e tërheq vëmendjen të kthejmë shikimin nga libri i natyrës duke na nxitur të meditojmë dhe të bëjmë kërkime në fusha të ndryshme.
Frutat e përmendura në Kur’an njihen si një burim i mirë ushqyerjeje dhe shërimi të shumë sëmundjeve. Për këtë arsye në këtë shkrim ne do të japim versionin dhe mendimin e mjekësisë së sotme në lidhje me dobitë e këtyre produkteve. Për ta bërë këtë ne kemi kontaktuar persona specialistë të kësaj fushe.
Me anë të këtij shkrimi ne nuk i drejtohemi lexuesit me fjalët “lërini mënjanë metodat kuruese të mjekësisë moderne dhe kurohuni me frutat e përmendura në Kur’an”. Qëllimi i artikullit është përdorimi i këtyre produkteve në trajtë melhemi, tablete, shurupi apo çamçakëzi pasi të bëhet analizimi i tyre nga farmacistët dhe të jenë zhvilluar eksperimentet e nevojshme.
10- SHKENCA DHE BESIMI -I-
nga Hekimoglu Ismail
Duke shëtitur në dete, nuk mund të mos flasim për ishujt që quhen ajsbergë. Në fizikë çdo gjë që ngrohet bymehet, ndërsa ajo që ftohet tkurret. Uji qëndron jashtë këtij ligji. Zoti ka urdhëruar zgjerimin e akullit. P.sh. nëse mbushim një shishe me ujë dhe e lëmë jashtë në ditë të ftohta, do të shohim se kur të zë akull shishja do të copëtohet. Kjo gjendje tregon që uji që zë akull zgjerohet. Dendësia e akullit të zgjeruar është e pakët, kështu që bëhet e mundur që akulli të notojë mbi ujë. Në qoftë se uji kur të ftohej do të tkurrej dhe dendësia do të zmadhohej, atëherë akujt do të tërhiqeshin në fund të detit, duke mos u shkrirë dhe detet do të fillonin të ngrinin që nga fundet e tyre, duke u bërë një shtrat akulli. Atëherë jeta jonë do të ishte e pamundur. Ja pra ky ligj i jashtëzakonshëm i fizikës mbron vlerën e jetës në botë.
Kush është Ai që i ka vënë ligjet në fizikë?
11- ZBEHJA E LIDHJEVE REALE NË BOTËN E VIRTUALITETIT
Ramadan Çipuri & Luis Bekteshi
Të dhënë në maksimum pas rrjetit, njerëzit janë kthyer në pasiv të jetës së përditshme dhe aktivë para ekranit të kompjuterit. Edhe pse duket me natyrë gazmore, midis njerëzve është zhvilluar shprehja “e kam shok në facebook, por nuk i flas në rrugë”.
Krijimi i ‘një jete të rreme’ është një tjetër pasojë e shumëkujt që frekuenton dhe lidhet shumë pas rrjetit. Duke mos qenë të lumtur dhe aktivë në jetën reale, ata e kërkojnë këtë në botën virtuale. Kjo përbën një problematikë të rëndësishme, pasi këta persona për arsye të ndryshme i qëndrojnë larg realitetit. Në vend që të përballen me problemet e tyre, ata gjejnë një mënyrë për t’u zhytur në botën virtuale, pasi aty mund të jenë kushdo.
Individualizmi duket se po ndikon e se do të ndikojë negativisht në shoqërinë globale. “Nëpërmjet një individualizmi të skajshëm të marrëdhënieve shoqërore rrezikohet që çdo person të kthehet në një njësi të përmbyllur brenda vetes: pa komunikim real e të vërtetë me të tjerët. Pra, të shndërrohet në një njeri që është në kontakt vetëm me veten.”
12- NGA I DINË KËTO GJËRA PERSONAT E RIKTHYER NË JETË?
“Unë nuk analizoj personat që i afrohen vdekjes, por ato që përjetojnë vdekje klinike”, shprehet Dr. Sam Parnia.
Në kuadrin e eksperiencave të treguara nga të rikthyerit në jetë thuhet se zakonisht ndihen të qetë, shohin një dritë të shndritshme dhe ndjejnë prezencën e një personi të cilësuar si të dhembshur, të dashur dhe plot ngrohtësi.
13- Ç’THONË TË TJERËT PËR PROFETIN MUHAMED (a.s.)
“Është e pamundur për këdo, që studion jetën dhe karakterin e Profetit të madh të Arabisë, që di sesi ai i mësoi të tjerët dhe si jetoi vetë, të mos ndiejë veçse nderim të thellë për atë Profet të fuqishëm, për një nga të Dërguarit më të mëdhenj të të Plotëfuqishmit. Dhe, megjithëse në atë që po ju paraqit, do të them shumë gjëra, të cilat janë të njohura për shumë njerëz, prapëseprapë, unë vetë, sa herë që i rilexoj ato, provoj një mënyrë të re admirimi e një ndjenjë të re përnderimi për mësuesin e gjithëfuqishëm arab.”
14- KOHË NDARJESH TË MËDHA, SPROVASH TË MËDHA..!
Imam Muhamed Sytari – Myfti i Zonës Shkodër
Në një hark kohor njëmujor, bota islame dhe mbarë ymeti, u sprovua me humbjen e dy prej dijetarëve islamë dhe korifejve më të mëdhenj të kohës në Damask të Sirisë, aty ku All-llahu i Madhëruar ka grumbulluar ajkën e dijetarëve dhe edukatorëve të kësaj bote ndër shekuj…
15- HAXHI VEHBI SULEJMAN GAVOÇI (1923-2013)
Dijetar nga dijetarët e ymmetit
Mallin e tij për vendlindjen e ka shprehur edhe në intervista të ndryshme e shkrime që janë botuar gjithandej. Në njërën prej tyre, shprehet: “E kisha provu ar të vija në Shqipëri në 1974 kur vizitova Kosovën dhe ndenja atje tre muaj, por kur kërkova të hyja në kufi me Shqipëri nga Prizreni, nuk më lejuan të hyja në vendin tim…por megjithatë unë nuk e mora inat Shqipërinë, pavarësisht se komuniste…Do ta kisha vizituar me shumë qejf Shkodrën, ani pse e dija se komunizmi i kishte shkatërruar xhamitë…Ne shqiptarët jemi njerëz të mirë, shumë të mirë dhe në Siri kemi ndërtuar gjysmën e Sirisë…Ne shqiptarët kemi ndërtu shtetet e tjera, po duhet me e ndërtu Shqipninë mor djema. Shqipnia asht e bukur dhe e ka fal Zoti (xh.sh) me vende të bukura. Pse me e shkatrru na shqiptarët si në 97′? Jam pikëlluar në 1997 dhe që atëherë s’kam ardh ma në Shqipni, po du me ardh se jam plak e du me e pa për her të fundit Shqipninë dhe Shkodrën…”.
16- PROBLEMI FETAR DHE FILOZOFIJA
Prof. Vexhi S. DEMIRAJ
Kur njeriu interesohet për me marrë vesh realitetin e eksistencës, një problem që ka preokupuar mëndjet e gjith njerzëvet, qysh në kohën që kanë fillue me gjykue. Ky problem përmblidhet në pyetje: si dhe në ç’mënyrë u krijue kjo botë? Me fjalë të tjera si u shfaq dhe si mundi t’eksistojë kjo botë?…
Edhe më parë se të lindte dielli i qytetnimit, njerëzit e kanë pohue eksistencën e Zotit, aq sa në çdo popull dhe në çdo shekull e kanë quejtë me një emër të veçantë, si mbas rrymës së shekullit. Jo vetëm qielli, por çdo kreatyrë asht një argument i randësishëm dhe i mjaftueshëm për vërtetimin e madhërisë së Tij. Poeti angles, Tennyson, thotë: «Jo, nuk janë Dielli, Hana, yjet, fushat dhe lëndinat veç se një nga pamjet e Zotit të të gjith botnavet».
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...