Perditësimi i fundit September 13th, 2024 8:23 PM
1. “Për fe dhe atdhe”; një letërsi vizionare dhe misionare
Dok. BRIKENA SMAJLI
Tiranë
Një vështrim në krijimtarinë apo veprimtarinë shkrimore të drejtuesve fetarë, në përgjithësi dhe atyre islamë, në veçanti, gjatë periudhës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe më tej, na zbulon disa të dhëna dhe veçori, të cilat kanë të bëjnë me shkrimin si proces, krijimtarinë si koncept edhe marrëdhënien që, këto të fundit, kanë me përkushtimin fetar, vlerën e misionit dhe përjetimin e tyre, në cilësinë e njeriut të përkushtuar ndaj besimit, besimtarëve dhe atdheut.
Nëse Said Najdeni ose Hoxhë Voka (Vogli) thotë: “Nuk vuaj për para e për grada, por për komb e atdhe. Unë dua të fitoj liri me i mësua këtij populli gjuhën shqipe, që ta njeh veten e tij e të përpiqet për vetvete.” kjo, në njëfarë mënyre është vlera e misioni i pjesës më të madhe të prijësve fetarë, të cilët priren drejt përmbushjes së këtij qëllimi, duke e konceptuar veten pjesë e së tërës, pjesë e atdheut dhe, që e tëra të jetë, e atdheu të bëhet, lipset që secili, sidomos ata, të plotësojë më së miri pjesën që i takon, me përkushtim. Pikërisht, është kjo marrëdhënie me përkushtimin fetar dhe vlerën e misionit, që përcakton edhe natyrën e letërsisë së shkruar në aspektin fetar, e cila, dallohet në më të mirën e saj, për cilësinë edhe vizionare.
2. Një Shqiptar në Shërbim të Njerëzimi: Mehmet Akif Ersoj
MA. Eduard Caka
Në këtë shkrim synohet të prezantohet tek lexuesi shqiptar mendimtari, poeti dhe aktivisti i madh turk me origjinë shqiptare Mehmet Akif Ersoj. Rëndësia e këtij punimi qëndron në faktin që, Mehmet Akifi është dëshmitar i shekullit më të gjatë të perandorisë Osmane i mbushur me dhimbje e vuajtje për të gjithë kombet që e formonin atë. Vetë poeti është dëshmitar dhe vuajtës i kësaj periudhe të vështirë, aspekt i cili e bën të rëndësishëm studimin e tij. Duke patur parasysh faktin që publiku i gjerë shqiptar nuk ka shumë dijeni rreth Mehmet Akifit këtu është trajtuar në vija të përgjithshme, pa u thelluar e pa bërë analiza të hollësishme jeta, krijimtaria e sistemi i mendimit të tij.
3. RESPEKTI NDAJ RAMAZANIT
MA. Elton Karaj
Feja Islame është e ndërtuar mbi dy baza. Njëra është besimi/imani, e tjetra është praktikimi/Islami. Nëse një njeri dëshiron ta quajë veten e tij mysliman me kuptimin e plotë të fjalës, duhet të vendosë në jetën e tij të dyja këto baza të fesë. Sepse, megjithëse nga kuptimi leksikor i dy fjalëve iman dhe islam ka një ndryshim; mendimi më i saktë i pranuar është se s’mund të ketë Islam pa iman, dhe as iman pa Islam.
Njëra nga pesë pjesët përbërëse të Islamit është edhe agjërimi i muajit të Ramazanit, me të cilin është urdhëruar çdo besimtar i fesë Islame. Agjërimi ka qenë një nga adhurimet më të rëndësishëm duke nisur që nga Hz. Adem alejhisselam. Me ardhjen e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të), ky adhurim ka ruajtur këtë rëndësi dhe është caktuar si detyrim në ditën e dhjetë të muajit Shaban në vitin e dytë të hixhretit.
4. Komunikimi përmes objekteve të kultit islam
Msc. Ferit Lika
Që nga qytetërimet e lashta e deri në ditët tona, objektet e kultit kanë pasur ndikim të ndjeshëm në komunikimin mes njerëzve. Feja ndikon në forcimin e unitetit të anëtareve të shoqërisë nëpërmjet predikimit dhe kontrollit të zbatimit të vlerave dhe normave të njëjta. Sipas sociologut të famshëm francez Emile Durkheim, ceremonitë dhe ritualet fetare të praktikuara kolektivisht ripohojnë dhe rrisin solidaritetin e grupit shoqëror. Por sa dhe si ndikojnë objektet e kultit në komunikimin mes njerëzve? Në raportin e tyre me shoqërinë dhe në raportin e tyre vertikal me Krijuesin? Si mishërohet komunikimi në botëkuptimin islam? Çfarë përfaqëson ai? Sa dhe si u komunikon feja dhe objektet fetare besimtarëve por jo vetëm, do të jenë disa nga pyetjet që do të synohet t’u jepet përgjigje në këtë studim.
Intelektuali mysliman paralel me njohjen thelbësore të Islamit dhe pikëpamjeve botërore për Islamin, së bashku me elementët e ndërthurura qenësore të tij, duhet të dijë se komunikimi dhe fizionomia e Islamit, një pjesë të madhe i dedikohet objekteve të kultit, nga ku është transmetuar e vazhdon të transmetohet mesazhi i tij. Sipas studiuesit të njohur belg Titus Burchkardt, studimi i artit islam (ku futet edhe arkitektura), apo i çfarë do arti tjetër të shenjtë, mund të çojë drejt një kuptimi pak a shumë më të thellë të realiteteve shpirtërore, që qëndrojnë në rrënjë të një bote të tërë njerëzore dhe kozmike.
5. Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes kombëtare
H. Vehbi Dibra njëri nga shembujt konkretë
Dok. Genti Kruja
Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët në trojet e veta kanë hyrë në vitin jubilar të 100 vjetorit të ngritjes së flamurit, shpalljes së pavarësisë dhe themelimit të shtetit shqiptar. Kështu është një fat që bashkësitë islame shqiptare ndërmorën nismën e organizimit të kësaj konference shkencore, për të ndriçuar jo pak historinë e lëvizjeve të mëdha kombëtare për liri e pavarësi, për arsimim dhe aspirata në ndërtimin e identitetit kombëtar, ruajtjes së vlerave universale islame dhe trashëgimisë së madhe kulturore te shqiptarët, nëpërmjet figurave të ndritura të prijësve myslimanë shqiptarë.
Kur hulumtojmë mbi librat e historisë shqiptare, por fatkeqësisht jo shumë asaj të botuar dhe zyrtare, por asaj arkivore dhe që akoma nuk njihet shumë, e flet për këto lëvizje dhe përpjekje mbarëkombëtare, kupton se një rol të jashtëzakonshëm kanë luajtur edhe rilindësit e mëdhenj shqiptarë, të cilët në shumë raste ishin prijës myslimanë me detyra të larta fetare, ku në kushtet dhe rrethana të ndryshme dhe shpesh herë mjaft të vështira, punuan për krijimin dhe ngritjen e shtetit shqiptar, si dhe kontribuuan në formësimin e vetëdijes kombëtare dhe fetare të popullit tonë.
Periudha e Rilindjes, Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Dibrës, i Manastirit, Shpallja e Pavarësisë, e në vazhdimësi përbëjnë kauzën shekullore shqiptare në mbrojtje të vlerave kombëtare. Dhe padyshim se kësaj epoke të vështirë iu bashkëngjitën edhe dijetarët myslimanë shqiptarë, madje në shumë raste roli i tyre ishte vendimtar.
6. “Hafiz Ali Korça – Hoxha i përndjekur”
(Vështrim për Abetaren e tij)
Prof. dr. Njazi KAZAZI
USH “Luigj Gurakuqi”
Departamenti i Gjuhësisë
“Hafiz Ali Korça i përket atij brezi ideologësh e organizatorësh, që më veprimtarinë e tyre i bënë një shërbim të denjë çështjes së zgjimit dhe bashkimit kombëtar, çështjes së tërësisë dhe pavarësisë së Atdheut dhe çështjes së përparimit të kombit”.
“Midis hoxhallarëve të përndjekur nga pushtuesit, nga fanatikët dhe komunizmi për idetë, pikëpamjet dhe veprimtarinë e tyre është edhe Hafiz Ali Korça”, shkruan Dr. Ramiz Zeka në librin e tij: “Zhvillimi i kulturës Islame te shqiptarët gjatë shekullit XX”, ribotim, Tiranë, 2002, dhe vazhdon “…i rritur në një mjedis patriotik, fetar e kulturor korçar të pastër, ai u brumos me bindje dhe parime, që e ngritën lart emrin e tij”.
7. Roli i imamëve dhe i ulemave në Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare
MA. Ramadan Shkodra
Gjendja e rëndë që u krijua në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, bëri që aty të merrte hov rezistenca kundër shtypjes dhe pushtuesit të ri jugosllav. Për organizimin e qëndresës popullore, për përpunimin e programit dhe kërkesave të popullit shqiptar në këto treva, u formuan dhe u riaktivizuan grupe dhe organizata politike që ishin pjesë përbërëse e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (LNDSh).
Ndër organizatat më të rëndësishme të asaj kohe ishin Organizata Nacional Demokratike Shqiptare (ONDSH) dhe “Besa Kombëtare”, me degët e tyre në Kosovë dhe në trevat etnike shqiptare në ish-Jugosllavi. Nuk ka ndonjë rast tjetër ndokund në Evropën Lindore, që pikërisht atëkohë të jetë themeluar një lëvizje demokratike, natyrisht pa llogaritur këtu mbetjet e shkapërderdhura të lëvizjeve të rezistencës antikomuniste, që vinin nga ditët e para të luftës. Pra, fjala është për një lëvizje dhe organizatë me program të qartë e me aspirata po ashtu të qarta politike e kombëtare.
8. Qasjet estetike në mendimin filozofik mysliman
MsC. Redi Shehu
Në filozofinë islame, artet në përgjithësi nuk janë parë si caqe përfundimtare si qëllim në vetvete brenda një rrethi të mbyllur, por si një dritare e drejt pafundësisë brenda një konteksti intelektual. Ato (artet) janë konsideruar si mjete për të përçuar të vërtetat edhe filozofike drejt perceptimit të masës, pra përmes artit e vërteta filozofike thjeshtëzohej për një kapacitet më të kufizuar perceptimi. Në trajtimin që filozofët myslimanë i bënë së bukurës shihet edhe ndikimi që ato kanë nga konceptet platonike, si dhe nga ndikimi i teorisë së Plotinit mbi të bukurën e përkuptueshme apo të intelektueshme. Monizmi plotinian mbi joqenien si produkt i Qenies pa ndryshuar substancën e saj (Qenies) dhe lidhja e tyre përmes një vije ekzistimi, karshi dualizmit të Platonit për shqisoren dhe mbishqisoren, ishte koncept më afër filozofisë së Qenies si thelb dhe ekzistencë në të njëjtën kohë të mendimit filozofik islam. Filozofët myslimanë avancuan më tej konceptet e së bukurës së përkuptueshme, si dhe ndryshimet me procesin e të ndijuarit të së bukurës.
9. KONTRIBUTI I ULEMAVE DIBRANË PËR ÇËSHTJEN SHQIPTARE
Mr. Ruzhdi Lata-Dibër e Madhe, Maqedoni
Në kuadër të të gjithë patriotëve shqiptarë bën pjesë edhe një plejadë e konsiderueshme e ulemave të Dibrës, të cilët përveç njohurive profesionale fetare që kishin arritur gjatë shkollimit në qendrën e Perandorisë Osmane, Stamboll, kishin kultivuar edhe atdhedashurinë. Për këtë, atyre u mundësonte edukimi dhe shkollimi islam i mirëfilltë, i cili në parimet kryesore ka edhe atdhedashurinë, ngase askush nuk mund të jetë besimtar i mirë nëse nuk ka dashuri maksimale ndaj atdheut të vet. Po ashtu, ulematë dibranë kishin edhe një inspirim vendor të Dibrës ku gjithmonë respekti, dashuria, përkushtimi dhe angazhimi për çështjen kombëtare ishte parim i domosdoshëm për çdo njeri. Ulematë dibranë njihnin mirë historinë dhe traditën e Dibrës, kanunin dhe raportet shoqërore, familjet patriotike etj., kështu që ishin të brumosur me idenë maksimale të përkushtimit për çështjen shqiptare, për tokat shqiptare dhe për ardhmërinë e shqiptarëve.
10. I NËMURI I FUNDMË I RILINDJES KOMBËTARE
Prof. Dr. RAHIM OMBASHI
Universiteti Bedër,
Fakulteti i Shkencave Humane,
Departamenti i Shkencave të Komunikimit, Tiranë
Viti 1924 dëshmon ngritjen dhe pjekurinë artistike të Hafiz Ali Korçës. Pason me vitin 1925, kur ky autor do të ketë dy botime: Bolshevizma a çkatrrim i njerëzimit dhe Gjylistani (Trëndafilishtja), e Sa’adiut, 1925, i ndjekur nga vepra e tij më voluminoze Kur’ani i Madhënueshëm e thelbi tij, 1926. Katër vite më pas boton Rubaijjati (Katroret) e Umer Khajjamit, 1930…, tre vite pasi kishte dalë botimi i dytë shqipëruar nga Fan Noli. Në vijim të veprimtarisë atdhetare, fetare, shkencore dhe krijimtarisë letrare, e cila nis në agun e shekullit XX, në vitin 1924 Hafiz Ali Korça boton përmbledhjen poetike me 17 poezi Shtat’ ëndrrat e Shqipërisë, e cila shpërfaq aktualitetin politik të atdheut, që do të pasohej nga eseja Bolshevizma a çkatrrim i njerëzimit, Tiranë. Shkrimi e rreshtoi përfundimisht në anë të kundërt me ideologjinë komuniste, e cila u përhap shpejt në vendin tonë, për t’u bërë zotëruese te ne mbas Luftës së II-të Botërore. Vepra u ribotua me kujdesin e imam Vehbi Ismailit me titullin: Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit, Albanian Islamic Center, Harper Woods, Mich. USA, 1993. Botimi i tretë: Bolshevizmi është shkatërrim i njerëzimit, Prishtinë, 2001, është përshtatje dhe i përgatitur për shtyp nga Prof. dr. Feti Mehdiu. Madje, te botimi i vitit 2001, në footnotën 15, njoftohet dhe për një botim tjetër të kësaj vepre në vitin 1933: “Bolshevizma… f. 13. Këto citate janë marrë nga botimi i vitit 1933″. Vepra e cila parashkroi ardhmërinë politike të atdheut, është bërë së pari objekt i qasjes tekstologjike, strukturës dhe prosodesë së saj, kurse domethëniet rreken të provojnë se çfarë ishte ajo ideologji që i binte ndesh jo vetëm besimit fetar, por edhe tipareve kryesore të identitetit tonë kombëtar. Komb-Fe-Atdhe është treshja, e cila ndih për të kuptuar drejt harrimin që ra mbi personalitetin e kësaj figure të madhe me vlera mëse kombëtare.
11. Problemi fetar dhe filozofija
Prof. Vexhi S. DEMIRAJ
II
(vijon nga numri i kaluar)
Si përgjegje të kësaj pyetje paraqiten dy hipoteza: a) Ase do të jenë ndjesitë fetare të krijuara për një herësh dhe në mënyrë të veçantë; b) Ase do të jenë krijuar gradualisht, simbas zhvillimit të zakonshëm të sendevet. Në pranofshim hypothezën e parë, e cila ka qënë pranuar prej filozofëvet më të mëdhenj të botës, prej shumë dijetarësh dhe prej shumicës së njerzisë, atëhere ky problem zgjidhet fare lehtë, në mënyrë që ndjenjat fetare janë të krijuara prej një Krijuesi tejvështrues dhe në konformitet me drejtimet e Tij.
Po të pranojmë hypothezën e dytë, që përmblidhet në doktrinën e Evolusjonizmit, e cila pretendon se fuqit njerzore janë përfundimi i ndryshimevet të shumta, që ka bërë njeriu gjer më sot, si rrjedhje e përshtypjevet të jashtme, atëhere konstatojmë, edhe në këtë rast, se kanë eksistuar disa rrethana të ndryshme, të cilat kanë shkaktuar krijimin dhe mbëkamjen e ndjenjavet fetare. Po qe se asht i vërtetë pretendimi i kësaj doktrine se qëllimi, rreth të cilit sillet çdo ndryshim në fushën e qytetnimit, asht pregatitja e njerzimit për plotsimin e nevojavet të saj, në këtë rast shofim se ndjenjat fetare, në çdo kohë dhe në çdo rast, kanë qënë një nga shkaqet kryesore të lumtërisë së njeriut. Sidoqoftë, në dasht të jetë krijimi i ndjenjavet fetare për njëherësh ase gradualisht, përfundimi i të dy hypothezavet vërteton eksistencën e ndjesivet fetare.
Apr 01, 2022 0
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...Sep 13, 2024 0
nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...Nov 03, 2020 0
nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...Jul 02, 2024 0
Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...