Perditësimi i fundit October 9th, 2025 7:51 AM

  • Rreth Nesh
    • Bordi editorial
    • Rreth revistës shkencore “Zani i Naltë”
  • Rregullat e shkrimit
  • Autorët
  • Lidhje
  • Zani i Naltë në PDF
  • Kontaktoni

Zani i Naltë

Te fundit

  • Për çfarë shërbejnë universitetet?
  • Kushtetuta e vitit 1925 dhe ndikimi i saj në zhvillimet politike dhe juridike në Shqipëri
  • LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE FESË NË KONTEKSTIN E TË DREJTAVE THEMELORE
  • KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË PËR MENDIMIN GJEOGRAFIK ISLAM
  • Perspektiva mbi Psikologjinë Islame: al-Raghib al-Isfahani për Shërimin e Emocioneve në Kuran
  • Home
  • Aktivitete
  • Shkenca Islame
  • Editoriale
    • Abstraktet
    • English
  • Shkenca
    • Shkenca dhe besimi
    • Shkenca ekzakte
    • Shkenca Komunikimi
    • Mjekësi
    • Gjuhë-letërsi
    • Përkthime
  • Studime
    • Psikologji
  • Sociologji
    • Filozofi
  • Histori
    • Personalitete
    • Retrospektivë
    • Zani i Nalte 1923-1939
  • Jurisprudencë
  • Galeri
  • Video
  • Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Google+
    • Pinterest
    • RSS Feed
    • Linked
    • Youtube

Për çfarë shërbejnë universitetet?

Oct 09, 2025 Zani i Nalte Shkenca sociale 0


Nuredin Nazarko

Abstrakt

Në një botë ku zhvillimi teknologjik dhe kërkesat e tregut të punës po diktojnë gjithnjë e më shumë drejtimin e arsimit të lartë, lind nevoja për të rishikuar me kujdes qëllimin dhe misionin e universiteteve. Ky tekst është një reflektim i thellë mbi rolin e arsimit të lartë në formësimin jo vetëm të profesionistëve të aftë, por edhe të njerëzve me integritet, ndjeshmëri morale dhe botëkuptim të gjerë. Duke u mbështetur në mendimin kritik të Ziauddin Sardar dhe Jeremy Henzell-Thomas, argumentohet se universitetet nuk mund të mbeten vetëm qendra trajnimi për tregun e punës, por duhet të jenë hapësira ku dijet, vlerat dhe njerëzorja ushqehen e kultivohen.

Teksti ngre pyetje thelbësore mbi drejtimin që ka marrë arsimi: A po e ndihmon njeriun të kuptojë veten, qëllimin e ekzistencës dhe vendin e tij në botë? Apo po e shtyn drejt një ekzistence të zbrazët, ku suksesi matet vetëm me arritje materiale? Autorët sugjerojnë një rikthim te thelbi: te dijet që pasqyrojnë mendimin e thellë, te vlerat që formësojnë karakterin dhe te një paradigmë e re që vendos shpirtin e njeriut në qendër të procesit arsimor.

Kjo analizë e gjerë nuk ndalet vetëm në kritikën ndaj modelit ekzistues, por ofron edhe një thirrje për veprim: për një reformë të gjallë, të natyrshme, që nis nga brenda institucioneve dhe që udhëhiqet nga mësues e studiues të përkushtuar. Vetëm në këtë mënyrë universitetet mund të rikthejnë besimin e shoqërisë dhe të ndihmojnë në ringritjen e një brezi që nuk kërkon vetëm të dijë, por edhe të kuptojë, të ndjejë dhe të veprojë me drejtësi.

Fjalë kyçe: arsimi i lartë, universiteti, kriza e dijes, paradigma arsimore.

 

Roli i dijes në shoqëritë e sotme është qendror në të gjitha zhvillimet. Arsimimi është kusht për të qenë profesionist në një fushë të caktuar të dijes. Kualifikimi i vazhdueshëm mbetet po ashtu një mundësi e hapur që njeriu të vazhdojë të përmirësojë profesionalizmin. Është një proces i kushtueshëm dhe në përfundim sërish të arsimuarit vendosen në vështirësi për të gjetur veten pikërisht në fushën që janë arsimuar. Është vështirësi faktike, pasi që ekonomia e konsumit në ditët e sotme ndoshta nuk ka dhe aq nevojë për njerëz të kualifikuar apo mbikualifikuar sa në të kaluarën. Zhvillimi marramendës i teknologjisë dhe ndërhyrja në shumë sektorë të prodhimit do të spostojë njeriun e kualifikuar. A do t’ia vlejë atëherë rruga e gjatë dhe e kushtueshme e arsimimit kur “në fund” të saj mund të gjendesh duke pritur shansin e radhës për të gjetur punë? Dhe për më tepër mund të përfundosh duke punuar në një sferë krejt tjetër nga ajo për të cilën ke sakrifikuar kohë e pasuri. Edhe titujt e gradat shkencore që hapin rrugën për një karrierë akademike janë në diskutim. Përveçse të kushtueshme a janë një mundësi që njeriu të jetë më mirë nga sa ishte? A ndikon rruga e gjatë e arsimit në zbutjen e zemrave, gdhendjen e karakterit, përmirësimin e moralit, fuqizimin e principeve në jetën e njeriut? Cila do të jetë sfida e së ardhmes së universiteteve, aftësimi i njeriut si mekanizëm prodhimi dhe konsumi apo formimi i personalitetit njerëzor me vlera dhe parime që i shërbejnë së drejtës?

Zhvillimi i shoqërisë njerëzore për të mbërritur deri në ditët e sotme nuk ka qenë i lehtë. Nuk mund të pretendojmë se i dimë të gjitha mbi të kaluarën, ashtu sikundërse nuk mund të pretendojmë se mund të parashikojmë të ardhmen. Gjithmonë jemi në kërkim për të zgjeruar njohuritë, për të thelluar kërkimin mbi botën që na rrethon dhe për të zbuluar të panjohurat që na grishin kuriozitetin drejt dyerve të fushave të ndryshme të dijes. Pas gjithë sakrificave prej shumë e shumë breznish duket se kemi mbërritur në pikën ku besojmë se dimë shumëçka me dijen e grumbulluar, librat e shkruar, bibliotekat e pasura anekënd botës, teknologjinë që na jep përgjigje të shpejta për çdo pyetje nga çdo fushë. Sa më i shpejtë informacioni i përcjellë aq më shumë siguri krijon njeriu mbi bindjen se tashmë di gjithçka ose mund të gjejë në të mijtat e sekondës përgjigjen për gjithçka. Në këtë çast interesi i tij ndaj gjërave që tashmë beson se i njeh ose mund t’i njohë pa ndonjë rrugëtim të mundimshëm në kërkimin e dijes bie në minimum ose zerohet. A jemi përballë një sfide të madhe në lidhje me mënyrat tradicionale të ruajtjes dhe përcjelljes së dijes ndër breza nga institucionet arsimore, apo duhet të vazhdojmë të besojmë në mitin e progresit të vazhdueshëm material të shoqërisë pa e vrarë mendjen aspak për vlerat që duhet të ketë njeriu?

Dy autorë të botës bashkëkohore, ndoshta pak të dëgjuar ose mbase dhe aspak në hapësirën shqiptare, Ziauddin Sardar dhe Jeremy Henzell – Thomas sjellin një qasje tejet interesante mbi dijen, konceptet  kyçe të ligjërimit në botën e sotme, universitetet, rolin e njeriut që përçon dije, sfida mbi të ardhmen, gjuhën, dialogun në një botë diverse dhe pluraliste kulturore e fetare, dhe rrugën e mesme që duhet të ndjekë shoqëria në zhvillimet e saj si kusht për të patur më shumë drejtësi.

…universitetit nuk i kërkohet më të përgatisin qytetarë. Si rrjedhim, universitetet po kthehen në ndërmarrje, dhe ideja e kulturës po zëvendësohet me një ligjëratë aftësie. Readings arsyetoi se arsimi i lartë duhet t’i përgjigjet shqetësimeve të drejtësisë më shumë sesa kushteve të së vërtetës, dhe qëllimi ynë duhet të jetë, që të bëjmë drejtësi në arsim.[1]

Në botën e sotme universitetet po i përshtaten zhvillimeve që ndodhin në shoqëri duke patur si masë matëse çfarë dëshiron shoqëria. Programet e studimit hartohen duke marrë në konsideratë aftësitë që kërkohen në tregun e punës. Universiteti nuk po përcjell ose po i përcjell zbehtë vlerat që i duhen njeriut, sepse vlerat nuk shiten. Aftësitë po. Duke marrë në konsideratë atë që shitet dhe blihet, universiteti bashkëkohor më shumë po i shërben mitit të progresit material të shoqërisë se sa bërjes së njeriut njeri. Kriza në edukim është fakt i pamohueshëm dhe njeriu e më tej shoqëria ka marrë një kahje e cila po e zhbën gjithmonë e më shumë njerëzoren aq sa shqetësimi kyç mbeten vetëm interesat materialë si në rrafshin individual ashtu dhe në atë shoqëror. 

Argumenti thelbësor i shumicës prej literaturës së hershme mbi krizën në edukim është, se falë ndërveprimit të rritjes së neoliberalizmit, globalizimit në rritje dhe teknologjive të zhvilluara të komunikimit universitetet janë kthyer në sipërmarrje të mëdha. Kjo prirje jo vetëm është bërë më e fuqishme gjatë dhjetë vjeçarëve, por tashmë është kthyer drejt një rruge të çuditshme. Tom Abeles mendon, se universitetet udhëheqëse në botë tashmë sillen si ndërmarrje shumëkombëshe me ortakë globalë, sipërmarrje të përbashkëta, dhe ndërlidhës me komunitetet e korporatave dhe bankave të investimeve. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J.15)

Universitetet po shërbejnë si ndërmarrje prodhuese që furnizojnë me energji të reja ekonomitë e fuqishme, interes themelor i të cilave mbetet zgjerimi i hartës së investimeve dhe ndikimit në ekonomi, politikë, shoqëri, për ta drejtuar zhvillimin e shoqërisë në kahun që dëshirojnë. Universiteti përballë thellimit të përkapjes së shoqërisë nga ethet materiale duhej të shërbenin si bosht rezistence ndaj materializmit pa principe dhe jo të viheshin në radhë për të pritur donacionin e radhës nga ekonomitë e fuqishme të cilat pa marrë dhjetë nuk investojnë një. 

… arsimi t’i bëjë jehonë ‘vlerave të kulturës, dhe të rrënjosë vetë-shqetësimin ndaj të tjerëve’, të përqendrohet mbi vlerat, etikën dhe pikëpamjen morale të dijes, dhe të hedhë një shikim të gjerë dhe afatgjatë’ (Zinser, 2012). (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J.18)

Arsimi jo se duhet ta largojë vëmendjen nga zhvillimi material, por nuk duhet të bindë brezat që studiojnë aty se suksesi më i madh që do të arrijë një i arsimuar është një jetë e rehatshme materiale. Dija duhet t’i shërbejë vlerave, etikës dhe moralit. Zhvillimi material do të vazhdojë ritmin e vet, por njeriu duhet të dijë se deri ku janë kufijtë që nuk duhet kaluar në skllavëri ndaj materies. Dhe këtë ja mëson fillimisht familja e më tej arsimi. Prandaj arsimi duhet të ketë më shumë shpirt.

…çlirimi i universitetit nuk do të thotë përjashtimin e dijes sot; vijimësia e çlirimit nuk është një sulm mbi Evropën, por është për të dalluar se dija evropiane sot është një prej formave të tjera të dijes. Megjithatë, ajo vë në dyshim qendërsinë Evropiane të dijes bashkëkohore dhe qëllimeve të saj për të qenë gjithëpërfshirëse (de Carvalho dhe Florez-Florez, 2014). (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J.36)

Vlerat nuk janë gjeografike, as racore sepse ato nuk lidhen me përmasën materiale të njeriut. Ato janë shpirtërore dhe si të tilla janë sa të Lindjes aq edhe të Perëndimit. Universitetet nuk duhen të krijojnë bindjen se dija nis dhe mbaron me Evropën e Rilindjes e më pas. Dija është vazhdimësi e cila i kalon si trashëgimi atyre që dinë ta marrin e ta kultivojnë. Dhe në këtë proces evropianët nuk kanë qenë gjithmonë siç janë sot. Universitetet në një botë diverse duhet të vlerësojnë dijen si mundësi e njeriut për të qenë më njerëzor dhe jo si kusht për supremaci dhe pushtet. 

Në fund të fundit, detyra e universiteteve duhet të ndryshojë ‘nga rojtarë të dijes në kujdestarë, krijues, ndërlidhës, certifikues dhe kodifikues të dijes’(Ëolfie dhe Andreës, 2014). (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J.37)

Universitetet nuk duhet t’i shërbejnë me fanatizëm një modeli të caktuar dhe as të ushqejnë supremacinë apo inferioritetin e aksh kulture a qytetërimi. Ruajtja me kokëfortësi e një modeli të caktuar të dijes dhe përçimit të saj, nuk sjell asgjë pozitive në marrëdhëniet midis studentit dhe profesoratit, midis njerëzve që vijnë nga kultura të ndryshme, por që në esencë mbeten po njerëz. Universitetet duhet të jenë kovaçhanë ku shkrihen dhe ribëhen dijet që duhet të jenë në shërbim të së mirës dhe së drejtës.

Nga përkufizimi origjinal i Thomas Khun, një paradigmë është një paketë besimesh mbi të cilat krijohet, kërkohet dhe zhvillohet dija. Ajo ofron një kornizë metafizike për kërkim dhe një botëkuptim, i cili përcakton natyrën e botës, vendin tonë në të, dhe sesi ne si njerëz dhe bashkësi ndërveprojmë me botën dhe pjesët e saj. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J.37)

Çdo paradigmë që mund të supozohet se do ta ndryshojë botën dhe ta çojë më para nga sa është, duke iu referuar për fat keq vetëm progresit tekniko-shkencor, nuk duhet të nxjerrë jashtë vëmendjes përcaktimin e Khun. Njeriu gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet një kërkues metafizik, sepse kërkon qëllimin e jetës, universit, pozitën që ka në kozmos dhe bazuar në këto si duhet ta jetësojë mënyrën e të jetuarit. A është e vështirë për universitetet që paradigmat e reja të mos i ndërtojnë jashtë këtij themeli?

…përpjekjet për të krijuar paradigma të reja të vërteta, duket që nuk po mbërrijnë gjëkundi shumë shpejt. Ajo çfarë ka ndodhur është, se disiplina të ndryshme janë përpjekur të imponojnë logjikën e fushës së tyre doxa (Besimi i përbashkët) mbi reformën arsimore. . (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J. 41)

Përderisa njeriu nuk mund të largojë prej vetes shqetësimin metafizik, paradigmat e reja nuk mund t’u japin zgjidhje krizave të ndryshme me të cilat përballet shoqëria, thjesht dhe vetëm duke u bazuar në përllogaritje materiale. Dalja nga kriza natyrisht që kërkon reforma, por reformimi nuk mund të kryhet vetëm duke ndryshuar përjashtësinë apo detaje që nuk prekin thelbin e krizës. Duket sikur ka një mungesë dëshire për të hulumtuar mbi arsyet e vërteta të krizës në edukim, sepse kriza përdoret vazhdimisht si justifikim për të gjeneruar reforma në vazhdimësi dhe bashkë me reformat dhënie fondesh për realizimin e tyre. Paradigmat e reja duhet të shqetësohen për të reformuar (ndryshuar) njeriun së brendshmi dhe ta afrojnë gjithmonë e më shumë më dijen që e ndryshon atë shpirtërisht.

Por për ku është drejtuar arsimi i qëndrueshëm? Kryesisht në krijimin e aftësive për një zhvillim të qëndrueshëm shoqëror-ekonomik dhe sipërmarrje të qëndrueshme. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J. 44)

Arsimi që duhet t’i shërbejë shoqërisë për edukim shpirtëror duket se për të qëndruar më këmbë po orientohet gjithmonë e më shumë drejt zhvillimit të qëndrueshëm të së ardhmes, zhvillim që lidhet vetëm me përmasën ekonomike. Aftësimi i njeriut për të realizuar korrektësisht trinomin prodho-fito-shpenzo dhe e gjithë koha e jetës në funksion të këtij trinomi, nuk duhet të jetë aspak fokusi i stafeve arsimore, universitare. Zhvillimi shpirtëror, ngjallja e moralit dhe një jetë e jetuar me drejtësi duhet të jenë boshti i jetës. Pjesa tjetër vetërregullohet nëse njeriu kupton statusin dhe përgjegjësinë e jetës mbi tokë.

A ishte arsimi i lartë i përgatitur për sfidat e jetës në kohën e ndryshimeve të thella? A mundej arsimi i lartë të jetë pjesë e zgjidhjes ose zgjidhjeve për shqetësime të ndërlikuara? (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J. 51-52)

Shoqëria ndryshon vazhdimisht. Zhvillimet tekonologjike po e ndryshojnë dita me ditë. Në gjendje të tilla arsimi a do të jetë pjesë e zgjidhjes së krizave të ndryshme që prodhon zhvillimi material apo duke dashur të konfirmohet me prirjet e theksuara materiale të shoqërisë të bëhet pjesë e krizave, duke u përpjekur të paraqitet si model i zgjidhjes së krizave. Që arsimi të jetë pjesë e zgjidhjes dhe jo problemeve, ka vetëm një rrugë, vendosja e tij mbi baza metafizike dhe në përbërjen e vet të ketë një trupë arsimtarësh të drejtë e të përkushtuar për rigjallërimin shpirtëror të njeriut.

Kompleksiteti na tregon, se: …Reformat në arsimin e lartë nuk mund të zbehen në udhëzime, plane të përcaktuara dhe agjenda. Kompleksiteti shpjegon, se pse agjenda dhe projektet për reformën e arsimit të lartë ‘nuk mund të kodohen thjeshtësisht në dokumente politikash dhe të përçohen’ për ‘zbatimin e tyre mekanik’[2]. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J.  63-64)

Arsimi i lartë nuk është çështje vetëm e politikës zyrtare. Ai duhet t’i shërbejë njeriut për zhvillimin kulturor dhe për rrjedhojë reformat që duhen ndërmarrë në këtë aspekt nuk mund të kthehen në udhëzime të thata burokratike që duke patur në anën e tyre fuqinë e pushtetit politik imponohen si modeli që duhet ndjekur për zhvillimin e arsimit. Stafet arsimore duhet të çlirojnë nga brenda energji që çojnë në ndryshime pozitive dhe jo thjesht të presin udhëzimin e radhës nga zyrat burokratike, të cilat në shumicën e rasteve i shërbejnë forcimit të pushtetit politik mbi shoqërinë dhe mbajtjen e arsimit në binarët që i intereson pushtetit politik për të kontrolluar dhe drejtuar mënyrën e të menduarit në shoqëri.  

Ngërçi i tanishëm në krijimin e paradigmave të reja për arsimin e lartë na ofron gjithashtu një mundësi. Ne mund të ndihmojmë në shfaqjen e paradigmave të reja, dhe po ashtu të luajmë një rol veprues në formimin e tyre. Megjithatë kjo nuk është diçka, që mund të mbërrihet nëpërmjet një punimi madhështor të vetëm, ose ‘planeve të punës’ të mirë përcaktuara. Kërkon një proces përtëritës, që vazhdimisht përshtatet në rrethanat që ndryshojnë shpejt. Procesi duhet të nisë në rritje të vogla, që veprojnë si shtysë, duke u ndërtuar ngadalë, dhe përfundimisht fiton vrull. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J. 75)

Çdo gjë e planifikuar me detaje dhe që besohet se është modeli më i arrirë që nuk ka nevojë të ndryshohet edhe pse ndryshon shumëçka në shoqëri, në mos herët vonë do të shkojë drejt dështimit. Me ndryshimin e rrethanave në të cilat shoqëria zhvillon aktivitetet e saj, përçuesit e dijes duhet të ripërtërijnë vazhdimisht vetveten. Nuk duhet të stepen apo të ngelin në vend numëro përballë ndryshimeve, por duhet të lundrojnë mes dallgëve dhe mbi arritje qoftë edhe të vogla të ndërtojnë një punë e cila në një të ardhme mund të japë frute të mëdha. E ardhmja nuk mund të parashikohet, po në të tashmen duhet punuar me drejtësi e profesionalizëm, me përkushtim dhe besimin se çfarë të mbjellësh do të korrësh. Prandaj përtej planeve, orientimeve, politikave zyrtare, skemave për zhvillim, ka gjithmonë vend për dinamizëm.

…ne duhet të pranojmë se vlerat tona shpirtërore nuk mund të mbijetojnë pa fuqinë për të mbrojtur shoqëritë tona nga nënshtrimi’, gjë e cila do të thotë, se ne duhet të kemi disa vlerësime për dijen bashkëkohore. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J. 103)

Qëllimi i regjimeve politike mbetet sundimi dhe zgjatja e tij sa më shumë të jetë e mundur. Zgjatja e këtij sundimi ndodh kur kemi dobësimin dhe mënjanimin e vlerave shpirtërore nga brendia e njeriut. Që vlerat shpirtërore të mbijetojnë dhe t’i japin jetë njeriut duhet vlerësim maksimal për dijen që mban gjallë pishtarin për të mos u nënshtruar ndaj së keqes, e cila më së shumti prek dhe nënshtron këdo që i largohet ndriçimit shpirtëror.

…disiplinat akademike i japin Perëndimit fuqinë e tij themelore: fuqinë për të përcaktuar. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J. 114)

Zotërimi i dijes dhe përdorimi i saj për të imponuar supremacinë nuk është në qëllimin e dijes. Qëllimi i dijes është t’i japë ekzistencës njerëzore kuptim dhe shkëlqim shpirtëror, pavarësisht se ku lind e jeton njeriu. Në çastin kur dija përdoret për të shënjuar caqe që përcaktohen nga pushteti që zotëron më shumë fuqi, atëherë vlera e dijes cungohet dhe zbehet, sepse nuk i shërben më njeriut si qenie, por interesave të caktuara që lidhen më përpjekjen e dominimit të Perëndimit modern ndaj të gjithë trashëgimisë tradicionaliste në botë. Të përpiqesh të mos i nënshtrohesh caqeve që vendos Perëndimi modern në fushën e dijes më së pari, nuk të bën automatikisht kundërperëndimor, sepse dija dhe kultura është shumë më e gjerë sesa përcaktimet e Perëndimit modern. 

Ringritja, për nga natyra e saj është ushtrim, që anon drejt së ardhmes. Por fillon në të tashmen; pa e vlerësuar rrethanën brenda së cilës ne jetojmë dhe veprojmë, një reformë kuptimplotë nuk është e mundur. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J. 117)

Kur flasim për paradigma të reja që do të mund të zgjidhin probleme komplekse në një shoqëri gjithmonë e më shumë të ndërvarur nga teknologjia, qëllimi mbetet e ardhmja. Si do të jetë ajo nëse bota nënshtrohet gjithmonë e më tepër ndaj teknologjisë? Si do të jetë ajo nëse njeriu bëhet përfundimisht skllav i asaj që po vetë e ndërtoi? A do të mund njeriu të ndihet në paqe me veten edhe nëse ndërton makina fluturuese apo robotë që do i marrin punën, nëse mendon me stomak? Ringritja e arsimit për ta nxjerrë nga kriza ku e ka zhytur cungimi i vlerave shpirtërore nuk mund të nisë nëse nuk merren parasysh shkaqet e krizës dhe gjendjen e tanishme prej nga ku duhet të nisë ndryshimi që e ardhmja të mos vuajë nga parashikime të zymta dhe katastrofike.

Prandaj ne duhet të jemi të saktë në përdorimin e gjuhës: ne duhet të themi atë që synojmë të themi, dhe të sigurohemi të themi atë që duam të themi. Ose, siç e tha Henzell-Thomas, -‘një nga qëllimet kryesore duhet të jetë grumbullimi i një niveli terminologjie, i cili siguron kahje dhe barazpeshë në mënyrën sesi ne shqyrtojmë konceptet… Ne duhet të dallojmë konceptet e mirëfillta nga shtrembërimet dhe kopjimet e tyre, kuptimin e tyre historik dhe kuptimin e ri, që mund të dëshirojmë t’ua japim atyre për të “shmangur kapjen ose manipulimin nga emërtimet ideologjike”. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J. 130)

Të njohësh konceptet themelore në kuptimësinë e tyre të njëmendtë gjuhësore dhe të përpiqesh të mësosh breznitë me kthjelltësi mbi koncepte që drejtojnë ligjërimin bashkëkohor dhe jo vetëm, është një nga detyrat themelore të arsimit. Dija nuk vuan vetëm nga përçuesit e dobët, por vuan edhe shtrembërimet e natyrës ideologjike që janë përdorur e përdoren nga pushtetet që nuk e duan një ringritje të pastër shpirtërore të njeriut, për të kontrolluar dhe manipuluar çdo rreze rigjallërimi kulturor që paralajmëron pranverën shpirtërore dhe fundin e acarit të shtrembërimeve ideologjike.  

Një vlerësim i fesë, kuptimi i saj, vlerat dhe botëkuptimi duhet të jetë një pjesë e ringritjes arsimore. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J. 143)

Moderniteti në truallin e perëndimit synoi ta mënjanonte sa më shumë të ishte e mundur fenë nga jeta publike, nga lidhja me njeriun, duke ia ngushtuar gjithmonë e më shumë hapësirat. U nda kisha nga shteti dhe ky model u kthye në modelin themelor që duhej ndjekur nga të gjitha kulturat dhe shoqëritë e tjera në botë. Zhvillimi i pandalshëm material i perëndimit në kohët moderne legjitimoi si të suksesshëm këtë model jete e qeverisje, saqë vlerat fetare u vunë në dyshim dhe me daljen në skenë të komunizmit ateist u forcua lufta ndaj fesë duke e konsideruar opium për popullin dhe përfaqësuese të obskurantizmit mesjetar. Ringritja arsimore nuk duhet të mënjanojë studimin e feve, vlerat që ato përcjellin për tek njeriu dhe shoqëria, pasi që qëllimi përfundimtar i fesë është që njeriu të jetojë si njeri dhe jo si majmun i evoluar në njeri.   

Vetë ringritësit nuk jetojnë kurrë për të shijuar frytet e ringritjeve të tyre (ose të provojnë makthet që mund të kenë lëshuar). Është brezi tjetër që duhet të merret me ringritjet dhe t’i çojë ato përpara. Kjo është arsyeja pse është thelbësore që ne jo vetëm t’i sjellim të rinjtë në shtjellimin tonë, por t’i bëjmë ata një pjesë bashkërenduese të projektit tonë të përgjithshëm. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J.  145-146)

Jo të gjithë ata që flasin në emër të ringritjes arsimore, janë që e dëshirojnë një të tillë. Jo të gjithë ata që ideojnë një paradigmë i shërbejnë ringritjes së njëmendtë të arsimit. Ka plot raste, dhe historia na e dëshmon këtë, kur thirrjet për ringritje të arsimit dhe çuarjen përpara të shoqërisë që duhet të çlirohet nga tradita dhe reaksioni, kanë përfunduar në jetë mbushur me makthe për njeriun dhe shoqërinë. Prandaj emancipimi dhe i ashtuquajtur çlirim nga tradita (Zoti në qendër) për të qenë sa më modernë (njeriu në qendër) ka sjellë jo pak probleme në shoqërinë njerëzore. Edhe në shoqëritë tradicionaliste ka probleme, ka sfida, sepse nuk mund të ketë shoqëri dhe jetë ideale.  Ekziston përpjekja dhe thirrja për kthim dhe heqje dorë nga ligësitë. Në shoqërinë moderne kjo thirrje e quajtur arkaike është zëvendësuar me mundësi dhe pamundësi, sepse çdo veprim para se të gjykohet moralisht gjykohet si mundësi apo pamundësi përfitimi mbi interesa meskine. Prandaj nuk mund të plasohet një paradigmë nga syresh sot për të ardhmen pa dëgjuar zërin e të rinjve dhe pa dialoguar me ta për shqetësimet e tyre ekzistenciale dhe jo thjesht ato materiale, sepse janë ata që ose do të vjelin frytet e saj, ose do të vuajnë makthet e saj.

Ne duhet të jemi vazhdimisht në mbrojtjen tonë ndaj asaj, që mund të quhet ‘entropi terminologjike’, atë ç’vlerësim dhe rënie të kuptimit brenda fjalorëve ideorë: ‘Kjo nuk do të thotë që t’i jepet përparësi botës së përkohshme mbi botën shpirtërore, as t’i vendosësh kundër njëra-tjetrën, por për të kuptuar që mendjet njerëzore kushtëzohen ndryshe në secilën epokë, dhe ajo traditë duhet të jetë e vetë ripërtëritshme në mënyrë të gjallëruar dhe të përgjigjet ndaj kushteve të reja dhe pyetjeve të reja, nëse do të mbetet një traditë e gjallë’. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J. 149)

Thelbi i ringritjes arsimore në një botë plot me shqetësime dhe ndërlikime të shumta mbetet pranimi dhe respektimi i dualitetit të njeriut, trup dhe shpirt. Njeriu është njësi e tërë sa biologjike aq dhe shpirtërore. Të nxitësh konflikt mes këtyre dy pjesëve është minim i paqes shpirtërore dhe kthim i njeriut në një kafshë ku për të mbijetuar në xhungël duhet të heqë dorë nga mëshira dhe përshpirtshmëria. Arsimi nuk duhet të japë mesazhe të tilla. Ai duhet të edukojë tek njeriu pranimin e këtij dualiteti dhe shërbimin maksimal si ndaj përmasës biologjike ashtu dhe asaj shpirtërore duke mos i kundërvënë njërën ndaj tjetrës dhe as duke vendosur mbisundimin e biologjikes ndaj shpirtërores si dëshmi zhvillimi dhe emancipimi. Edhe tradita duhet të marrë në konsideratë sfidat e tanishme të njeriut dhe shoqërisë dhe të mos mbetet e ngurtë dhe joaktuale në mënyrë që të jetë ajo që udhëheq njeriun, shoqërinë, duke e zbutur egërsinë biologjike me vlera dhe principe shpirtërore, për të patur një jetë në paqe e begati.

Ndërsa Indianët kishin të drejtë të gjykonin, se mënyrat e reja të njohurive, nuk ishin të përshtatshme për shoqërinë e tyre në atë kohë, kjo zgjedhje nuk bëri asgjë për të ruajtur kulturat e tyre apo për t’i shpëtuar ato prej humbjes shkatërrimtare. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J. 166)

Në një botë që ndryshon përherë e më shumë, nuk duhet mbetur në guaskë, e as duhet kthyer në geto kulturore. Brezat e rinj duhet të mësohen të jenë të zhdërvjellët që të ruajnë traditën dhe të përdorin të renë për të përfituar sa më shumë, por gjithmonë duke ndjekur principet morale si gjykatësi i fjalëve dhe veprimeve. Duke mos e çuar në konflikt zhvillimin me principet, kultura si zgjatim i botës shpirtërore jo vetëm që nuk do të venitet por do të vazhdojë të ndriçojë udhën e njeriut në botë.

…‘mprehtësi intelektuale, përfytyrim, kureshtje, sipërmarrja, përgjegjësi shoqërore dhe luftë për drejtësi’ si dhe çlirimin e mendjes dhe shpirtit njerëzor, kërkimin e kuptimit dhe qëllimit më të thellë, dhe një vegim se çfarë do të thotë të jesh një qenie plotësisht njerëzore. Dhe le të shtojmë krijimtarinë, mendim të pavarur dhe, natyrisht, atë shtrirje dhe pranim të zemrës dhe mendjes së hapur, e cila mund të dëgjojë, si dhe të flasë dhe të mbërrijë me interes të vërtetë dhe mirësjellje të thellë ndaj ‘tjetrit’ jo vetëm përmes bisedës dhe diskutimit, por edhe përmes shndërrimit të dashurisë. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J. 180-181)

Universiteti duhet të jetë vatra ku ngjizen idetë, diskutohen mendimet, mësohet metoda, respektohet qenia njerëzore paçka se është nxënës, student, mësues, pedagog, kërkues shkencor apo shkencëtar. Duhet të jetë vatra ku ndizet zjarri i frymëzimit për të synuar ngritjen shpirtërore, paqen e zemrës, largësinë nga e keqja, dashurinë për njeriun, drejtësinë e mirësinë që e gjitha sa mësohet të mos jetë vetëm teorike por bazë e fortë për shndërrimin e karaktereve njerëzorë në ngjitës të lartësive përmes principeve. 

mund të arsyetohet gjithashtu, se një mësues i mirë duhet të jetë jo vetëm një mu’alim, përçues i dijes, por edhe një murabbi, një ushqyes i shpirtrave dhe zhvillues i karakterit. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J. 185)

Vlera dhe rëndësia e mësuesit është e pazëvendësueshme. Kushdo që mundohet të na bindë për të kundërtën meqë tekonologjia po ecën me hapa gjigandë dhe mund të zëvendësojë njeriun në shumë profesione, është në udhën e gabuar. Sado të përsoset teknologjia, ajo nuk frymëzon. Sado e saktë të jetë në përpunimin e njohurive ajo nuk ndez dot zjarrin e pasionit për dijen, shkencën sepse është krejt e akullt. Për të prekur shpirtrat njerëzorë dhe për t’i bërë ta duan dijen e mirësinë, duhet të flasë një zemër, një shpirt i madh që përmes zërit të depërtojë në zemrat e atyre që dëgjojnë me zemër, që kuptojnë me zemër dhe që jetojnë me zemër.

Fjala është në të vërtetë një veprim heroik, një vepër në vetvete, e cila mbart të njëjtën përgjegjësi si ajo, që merret për të vepruar. Ne kemi shprehjen “me fjalë dhe me vepra” dhe kjo përfshin këtë mençuri, këtë pikë bashkimi midis fjalës dhe veprimit. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J. 203)

Fjala është ura që lidh Hyjnoren me njerëzoren, është thelbi i gjuhës që lidh njerëzit me njëri – tjetrin pavarësisht së flasin gjuhë të ndryshme që është parakusht që njerëzit të përpiqen të njohin dhe përfitojnë prej kulturave të ndryshme. Fjala është e rëndësishme dhe pa të komunikimi ndërnjerëzor do të ishte pa jetë. Ajo duhet të jetë e gdhendur me stil, e bukur në përmbajtje dhe frymëzuese për shpirtrat që e dëgjojnë, në mënyrë që veprat që do të kryhen të shkojnë sipas fjalës së bukur. Duhet ruajtur gjuha prej shëmtisë dhe së keqes që shpirtrat njerëzorë të mos mbushen me mllef e urrejtje.

…e jashtmja pa të brendshmen është e zbrazët, një lëvore pa një thelb, dhe anasjelltas e brendshmja pa të jashtmen, edhe pse është e mbushur me mundësi, është memece, nuk ka formë, pa mjet, pa fushë veprimi, pa gjuhë të kuptueshme për ta shprehur veten. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J.205)

Moderniteti duke i dhënë më shumë dorë përmasës materiale tek njeriu dhe duke ia tkurrur në maksimum lidhjen me shpirtëroren ose duke ia ndërprerë tërësisht ndezi dëshirën për t’u kujdesur shumë më tepër për të jashtmen se sa për të brendshmen. Ndërkohë që njeriu modern, dhe modern nuk është vetëm kapitalizmi, shkëlqen së jashtmi në brendi të tij zhvillohen gjithfarë dramash, tragjedish të cilat nuk do të ishin shpesh të rënda, nëse njeriu do të ruante ekuilibrin mes së jashtmes dhe së brendshmes. Universiteti duhet ta kthejë shqetësimin e tij në këtë kah, duke synuar që përmes së jashtmes të flasë e brendshmja dhe përmes së brendshmes të flasë e jashtmja duke qenë në kohezion me njëra – tjetrën.

…ndjekja e rrugës ‘së drejtë’ nuk ka pse të jetë një rrugë tepër e ngushtë, një xhaketë e ngushtë, një rrethanë ‘ngushticash të tmerrshme’. Rrënja e fjalës ‘straight’ (dhe ‘strait’) është në Latinisht strictus, dhe na jep shumë fjalë, që shprehin rreptësi, duke përfshirë ‘kufizimin, rreptësinë, shtrëngimin, shtypjen, ankthin dhe shqetësimin’. Kjo është një porosi për të gjithë ata, që e shtyjnë ndjesinë përfituese të fjalëve përtej kufijve, qoftë në tepricë ose të metë. Nëse teprica e drejtësisë është xhaketa e ngushtë, mangësia e saj është shtrembërimi ose shmangia, e cila ka humbur çdo ndjenjë të busullës morale ose kahje. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J.224)

Universiteti duke qenë shtëpia ku diskutohet me dije për dijen duhet të ndjekë rrugën e drejtë në dhënien e duhur të kuptimësisë së koncepteve. Studenti duhet të mësojë se fjalët kanë kuptim të caktuar dhe që në kohën e sotme shumë koncepte që ato shprehin mund të kenë një kuptim tjetër nga e kaluara. Prandaj hulumtimi, pranimi i ndryshimeve, kuptimi i drejtë i koncepteve do ta çlirojë shoqërinë nga keqkuptimet, nga ngatërresat prej fjalëve dhe do të jetë garanci që nuk do të humbim busullën morale në detin e trazuar të modernitetit.

…zemra e ekselencës, nuk ka të bëjë thjesht me mjeshtërinë vetjake, apo dobinë në përmbushjen e një detyre, por përfshin ekselencën e karakterit njerëzor, dhe që ka një përmasë morale dhe përfundimisht një shpirtërore. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J. 242)

Ajo erdhi në Anglisht përmes Frëngjishtes së vjetër nga Latinishtja excellere, ‘të ngrihesh lart, të ngrihesh, të lartësohesh, të jesh i shquar ‘, i formuar nga ex – (jashtë) + elementi foljor hamendësues foljor cellere, i menduar se nënkupton diçka si ‘ngrihu, lartësohu’. (Sardar. Z, Henzell-Thomas. J. 245)

Universiteti nuk duhet të mburret me ekselencën akademike. Prindërit nuk duhet të lavdërohen me ekselencën e notave. Nxënësit dhe studentët nuk duhet të krenohen me ekselencën e jashtme. Të gjithë duhet të dinë se ekselenca nuk lidhet vetëm me memorizimin dhe riprodhimin e njohurive saktësisht si mësohen. Ekselenca është shkëlqimi i shpirtit njerëzor përmes një jete të virtytshme, që do të thotë të lartësohesh së brendshmi dhe të shkëlqesh së jashtmi duke dëshmuar përndritjen shpirtërore që merr njeriu kur principet morale çmohen ashtu siç e meritojnë. Për këtë duhet të shërbejnë universitetet.

[1] Sardar. Z, Henzell-Thomas. J. (2022) Rivlerësimi i reformës në arsimin e lartë. Tiranë: AIITC, f. 12.

[2] Bates, 2016, f. 3.


  • tweet
Kushtetuta e vitit 1925 dhe ndikimi i saj në zhvillimet politike dhe juridike në Shqipëri

Zani i Nalte

Artikuj të ngjashëm
  • Kushtetuta e vitit 1925 dhe ndikimi i saj në zhvillimet politike dhe juridike në Shqipëri
    Kushtetuta e vitit 1925 dhe ndikimi i...

    Oct 06, 2025 0

  • LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE FESË NË KONTEKSTIN E TË DREJTAVE THEMELORE
    LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE...

    Sep 11, 2025 0

  • KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË PËR MENDIMIN GJEOGRAFIK ISLAM
    KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT...

    Sep 10, 2025 0

  • Perspektiva mbi Psikologjinë Islame: al-Raghib al-Isfahani për Shërimin e Emocioneve në Kuran
    Perspektiva mbi Psikologjinë Islame:...

    Sep 04, 2025 0

Me shumë në këtë kategori
  • Fëmijët dhe të drejtat e tyre
    Fëmijët dhe të drejtat e tyre

    Feb 12, 2024 0

  • Personat në moshë të shtyrë. Rëndësia e pjesëmarrjes nëpër sisteme shoqërore – trajtuar nga pikëpamja e punëve sociale
    Personat në moshë të shtyrë....

    Feb 12, 2024 0


Leave a Reply Cancel reply

You must be logged in to post a comment.

Aktivitete

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për...

May 21, 2025 0

Në kuadër të marrëdhënieve të mira ndërfetare dhe bashkëpunimit me institucionet fetare ndërkombëtare, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori...
Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100 Vjet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë”

Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100...

May 10, 2025 0

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i paqes në këndvështrimin fetar”

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i...

Apr 01, 2022 0

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë në Universitetin Bedër aktivitet me studentë nga trevat shqiptare

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë...

Sep 18, 2021 0

Studime

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth  “El-Huruf el-Mukatta’a” Shkronjave të Ndërprera

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth “El-Huruf...

May 21, 2025 0

Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...
MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI

MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S....

Sep 13, 2024 0

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Jul 02, 2024 0

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar  i periodikut islam në gjuhën shqipe

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar i...

May 07, 2024 0

Gjuhë-letërsi

Konak me Edisonin

Konak me Edisonin

May 21, 2025 0

Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...
Një ngjarje “e rastësishme”

Një ngjarje “e rastësishme”

Nov 03, 2020 0

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje...

Oct 26, 2020 0

Sociologji

Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare në kohën moderne

Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare...

Sep 04, 2025 0

Dr. Feim Hoxha ABSTRAKTI Sociologjia, si një nga shkencat më të rëndësishme humane, ka në fokus të studimeve të saj njeriun si një qenie sociale, si dhe shoqërinë në të cilën...
ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES HUXHURAT – I

ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES...

Sep 04, 2025 0

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam...

May 21, 2025 0

1923 – 1939

1939 – 1945

Zani i Naltë (40)

Te Fundit

  • Për çfarë shërbejnë universitetet?
    Për çfarë shërbejnë universitetet?

    Oct 09, 2025 0

  • Kushtetuta e vitit 1925 dhe ndikimi i saj në zhvillimet politike dhe juridike në Shqipëri
    Kushtetuta e vitit 1925 dhe ndikimi i saj në zhvillimet...

    Oct 06, 2025 0

  • LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE FESË NË KONTEKSTIN E TË DREJTAVE THEMELORE
    LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE FESË NË KONTEKSTIN E...

    Sep 11, 2025 0

  • KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË PËR MENDIMIN GJEOGRAFIK ISLAM
    KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË...

    Sep 10, 2025 0

  • Perspektiva mbi Psikologjinë Islame: al-Raghib al-Isfahani për Shërimin e Emocioneve në Kuran
    Perspektiva mbi Psikologjinë Islame: al-Raghib al-Isfahani...

    Sep 04, 2025 0

  • Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare në kohën moderne
    Arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së...

    Sep 04, 2025 0

  • ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES HUXHURAT – I
    ETIKA SHOQËRORE ISLAME NË DRITËN E SURES HUXHURAT –...

    Sep 04, 2025 0

Më të lexuarat

  • Mirë se vjen “Zani i Naltë”
    Mirë se vjen “Zani i Naltë”

    Nov 10, 2012 0

  • Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e kulturore
    Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e...

    Feb 25, 2013 0

  • 90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar
    90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar

    Feb 25, 2013 0

Të fundit

  • Për çfarë shërbejnë universitetet?
  • Kushtetuta e vitit 1925 dhe ndikimi i saj në zhvillimet politike dhe juridike në Shqipëri
  • LIRIA E MENDIMIT, NDËRGJEGJES DHE FESË NË KONTEKSTIN E TË DREJTAVE THEMELORE
  • KONCEPTET FILOZOFIKE TË EL-FARABIUT (870 – 950) SI BAZË PËR MENDIMIN GJEOGRAFIK ISLAM
  • Perspektiva mbi Psikologjinë Islame: al-Raghib al-Isfahani për Shërimin e Emocioneve në Kuran

Gallery

zani-i-nalte-1 1557671_490835901024941_1099865082_n 6 5
Copyright 2013 Zaninalte.al