Perditësimi i fundit June 25th, 2025 9:29 AM

  • Rreth Nesh
    • Bordi editorial
    • Rreth revistës shkencore “Zani i Naltë”
  • Rregullat e shkrimit
  • Autorët
  • Lidhje
  • Zani i Naltë në PDF
  • Kontaktoni

Zani i Naltë

Te fundit

  • Abstracts no. 39
  • KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK
  • Home
  • Aktivitete
  • Shkenca Islame
  • Editoriale
    • Abstraktet
    • English
  • Shkenca
    • Shkenca dhe besimi
    • Shkenca ekzakte
    • Shkenca Komunikimi
    • Mjekësi
    • Gjuhë-letërsi
    • Përkthime
  • Studime
    • Psikologji
  • Sociologji
    • Filozofi
  • Histori
    • Personalitete
    • Retrospektivë
    • Zani i Nalte 1923-1939
  • Jurisprudencë
  • Galeri
  • Video
  • Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Google+
    • Pinterest
    • RSS Feed
    • Linked
    • Youtube

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth “El-Huruf el-Mukatta’a” Shkronjave të Ndërprera

May 21, 2025 Zani i Nalte Kurani dhe shkenca, Shkenca Islame, Studime 0


Abstrakt

Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29 sureve të Kur’anit Famëlartë. Këto shkronja të veçanta, të cilat lexohen veçmas dhe jo si fjalë të përbëra, kanë ngjallur debate të thella dhe interpretime të ndryshme që nga fillimi i studimeve islame. Dijetarët kanë ndarë mendimet e tyre në dy grupe kryesore: disa mendojnë se kuptimin e këtyre shkronjave e di vetëm Allahu, ndërsa të tjerët argumentojnë se ato kanë kuptime të caktuara dhe mund të interpretohen.
Në punim shqyrtohen mendimet e dijetarëve klasikë dhe modernë, duke përfshirë qasjet që i trajtojnë këto shkronja si simbole të mrekullisë hyjnore, argument për paarritshmërinë e Kur’anit, shenja të profetësisë së Muhamedit (a.s.), apo si kode sekrete që mbartin kuptime të thella. Diskutimi përfshin gjithashtu analiza mbi përdorimin e shkronjave si elemente për të tërhequr vëmendjen, si betime hyjnore, apo si një mjet për mësimin dhe njohjen e shkronjave arabe.
Punimi përpiqet të hedhë dritë mbi kompleksitetin dhe diversitetin e mendimeve për këto shkronja, duke u bazuar në burime të ndryshme të tefsirit (komentimit të Kuranit) dhe literaturës bashkëkohore islame. Në përfundim, theksohet se megjithëse këto shkronja mbartin një kuptim të thellë dhe hyjnor, interpretimi përfundimtar i tyre mbetet i fshehtë, duke u lënë hapësirë hulumtimeve të mëtejshme për të zbuluar misterin që ato përfaqësojnë.

Fjalët kyçe: “El-Huruf el-Mukatta’a”, Kur’an, dijetarë klasikë, dijetarë modern, mrekullia e Kur’anit.

Hyrje

Kur’ani Fisnik është libri i fundit që krijuesi i gjithësisë, Allahu (xh.sh) ka dërguar si udhërrëfyes për njerëzimin deri në ditën e kiametit. Që në fillimet e zbritjes së Kur’anit, njerëzit kanë treguar një interes të gjerë rreth tij. Njerëzit e mendjes janë përpjekur me kujdes që t’i kuptojnë mirë mësimet e Kur’anit dhe tua përcjellin ato të tjerëve. Në çdo periudhë, dijetarët e tefsirit (komentimit të Kur’anit) janë përpjekur t’i komentojnë versetet e Kur’anit sipas kohës dhe kushteve të tyre.
Një nga temat që ka qenë objekt i hulumtimeve të gjera, i diskutimeve akademike në literaturën islame, dhe që ka tërhequr edhe vëmendjen e studiuesve perëndimorë apo orientalistëve, janë “El-Huruf el-Mukatta’a” shkronjat e ndërprera.
Në këtë punim shtjellohet kuptimi i “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjave të ndërprera) si dhe qasja e dijetarëve klasikë dhe atyre modern rreth këtyre shkronjave. “El-Huruf el-Mukatta’a” që në arabisht shkruhen si المقطعة الحروف fjalë për fjalë ka kuptimin i shkurtuar ose i ndërprerë. Ato janë kombinime unike të shkronjave arabe me të cilat fillojnë 29 kapituj të Kur’anit Fisnik. “El-Huruf el-Mukatta’a” njihen gjithashtu edhe si hapëse, pasi ato formojnë versetin hapës të kapitujve përkatës në Kur’anin Fisnik.
Këto shkronja shkruhen së bashku si një fjalë e vetme në gjuhën arabe, por çdo shkronjë shqiptohet veçmas. Diskutimi i dijetarëve rreth kuptimit të shkronjave të ndërprera është zhvilluar në dy boshte kryesore. Njëri grup, ku më së shumti bëjnë pjesë dijetarët klasik, mendon që kuptimin e tyre e di vetëm Allahu (xh.sh). Ndërsa grupi tjetër mendon që kuptimi i tyre është i njohur dhe kanë përmendur mbi njëzet kuptime të ndryshme të këtyre shkronjave.
“El-Huruf el-Mukatta’a” është një temë e rëndësishme në kuptimin e plotë dhe të qartë të mesazhit hyjnor. Pavarësisht rëndësisë së temës, punimet e plota dhe të gjera rreth “El-Huruf el-Mukatta’a” shkronjave të ndërprera janë të pakta në gjuhën shqipe. Qëllimi i këtij punimi modest është që të hedhë një dritë sado të vogël në kuptimin e “El-Huruf el-Mukatta’a”.
Ky punim është përftuar nga burimet më të spikatura origjinale të tefsirit (komentimit të Kur’anit), qofshin ato të shkruara nga dijetarët klasikë apo modernë. Tek dijetarët klasikë bëjnë pjesë të gjithë interpretuesit e Kur’anit fisnik që nga koha e zbritjes së tij deri në shek.. XIX. Ndryshimet dhe zhvillimet e shumta që ndodhën në shek. XIX në botën islame, patën ndikim edhe në qasjen e dijetarëve ndaj interpretimit të Kur’anit fisnik. Të ndikuar nga mendimet e Xhemaludin Afganit, Muhamed Abduh dhe Reshit Riza u bënë iniciatorët e një fryme të re në kuptimin dhe interpretimin e Kur’anit. Të gjithë interpretuesit e Kur’anit që prej kësaj periudhe e deri në ditët e sotme njihen si dijetarët modern apo bashkëkohor në fushën e tefsirit (komentimit të Kur’anit).
Gjithashtu, më këtë punim janë marrë si referencë edhe mendimet e studiuesve të gjuhës arabe, të cilët kanë dhënë një kontribut të gjerë në kuptimin e drejtë të mesazhit hyjnor.
Punimi përbëhet nga dy kapituj kryesorë. Në kapitullin e parë është bërë përkufizimi i “El-Huruf el-Mukatta’a” dhe është dhënë një statistikë në lidhje me këto shkronja. Në kapitullin e dytë janë shtjelluar qasjet e dijetarëve klasikë dhe atyre modern në lidhje me “El-Huruf el-Mukatta’a”.

Termi “El-Huruf El-Mukatta’a”

1.1 Përkufizimi i “El-Huruf El-Mukatta’a”
1.1.1 Kuptimi leksikor:
“El-Huruf El-Mukatta’a” është togfjalësh i përbërë nga dy fjalë. Fjala e parë, “huruf “ është shumësi i fjalës “harf”. “Harf” në gjuhën arabe ka kuptimin e cepit, anës së diçkaje. Me këtë emër janë quajtur shkronjat e alfabetit, shumësi i të cilave është “ehrruf” dhe “hurruf”. Maja e diçkaje, kufiri i saj. Zërat të cilat kanë kuptim, por që nuk janë emra, folje dhe as fjalë.
“El-Mukatta’a” rrjedh nga “kata’” që ka kuptimin e ndarjes së pjesëve nga njëra-tjetra dhe nga pjesa origjinale. “El’kat’u”, “Mikata’” pres, shkëput, ndaj nga njëra-tjetra. Shkronjat që nuk lexohen ashtu siç lexohen kur formojnë fjalën, por lexohen siç janë në formën origjinale, quhen “El-Huruf El-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera).
1.1.2 Kuptimi terminologjik
Dijetarët e kanë përkufizuar si: “Ato janë shkronja nga shkronjat e alfabetit arab me të cilat Allahut ka filluar disa nga suret e Kur’anit Fisnik. Mund të jetë një shkronjë ose më shumë. Çdo shkronjë lexohet e veçuar.” Emri i përbashkët i shkronjave që gjenden në fillim të njëzet e nëntë sureve (kapitujve) të Kur’anit fisnik dhe që lexohen me emrat e tyre.
1.2 “El-Huruf El-Mukatta’a” në Kur’an
1.2.1 Vendi dhe forma e tyre në Kur’an
Qëllimi i këtij kapitulli është që të paraqesë një statistikë të përmbledhur rreth “El-Huruf el-Mukatta’a” dhe në cilat sure (kapituj) të Kur’anit gjenden këto shkronja me të cilat fillojnë këto sure.
Kur’ani Fisnik përbëhet nga 114 sure (kapituj), nga të cilat 29 prej tyre fillojnë me “El-Huruf el-Mukatta’a”. P.sh: (الم)، (الر)، (كهيع), “Elif lam mim, elif lam rra, kef he je ajn sad”.
Këto shkronja që përmenden në fillim të sureve janë 78 shkronja, ndërsa pa përsëritje janë 14 shkronja të tilla.
Për lehtësim të punimit dhe për të qenë sa më të qartë, po paraqesim një tabelë me emrat e sureve ku përmenden këto shkronja si dhe shkronjat:

Nr. Nr. i sures (kapitullit) në Kur’anin Fisnik Emri i sures (kapitullit) El-Huruf El-Mukatta’a
1 2 Bekare الم (elif lam mim)
2 3 Ali Imran الم (elif lam mim)
3 7 Araf المص (elif lam mim sad)
4 10 Junus الر (elif lam rra)
5 11 Hud الر (elif lam rra)
6 12 Jusuf الر (elif lam rra)
7 13 Rad المر (elif lam mim rra)
8 14 Ibrahim الر (elif lam rra)
9 15 Hixhr الر (elif lam rra)
10 19 Merjem كهيعص (kef he je ajn sad)
11 20 Taha طه (ta ha)
12 26 Shuara طسم (ta sin mim)
13 27 Neml طس (ta sin)
14 28 Kasas طسم (ta sin mim)
15 29 Ankebut الم (elif lam mim)
16 30 Rum الم (elif lam mim)
17 31 Lukman الم (elif lam mim)
18 32 Sexhde الم (elif lam mim)
19 36 Jasin يس (je sin)
20 38 Sad ص (sad)
21 40 Gafir حم (ha mim)
22 41 Fusilet حم (ha mim)
23 42 Shura عسق حم (ha mim ajn sin kaf)
24 43 Zuhruf حم (ha mim)
25 44 Duhan حم (ha mim)
26 45 Xhathije حم (ha mim)
27 46 Ahkaf حم (ha mim)
28 50 Kaf ق (kaf)
29 68 Kalem ن (nun)

1.2.1.1 Këto shkronja nuk kanë ardhur në numër të njëjtë në çdo sure.
Në disa raste ka ardhur vetëm një shkronjë, në disa të tjera dy shkronja, tre shkronja, katër shkronja apo edhe pesë shkronja.
Me një shkronjë gjenden në 3 sure: ”ص Sad” në suren Sad, “ق Kaf” në suren Kaf dhe “ن Nun” në suren Kalem.
Me dy shkronja gjenden në 9 sure: 6 herë ka ardhur “حم Ha Mim”, në suret Gafir, Fusilet, Zuhruf, Duhan, Xhathije dhe Ahkaf. ”يس Je Sin” dhe “طه Ta He” në suret me të njëjtat emra si shkronjat. Si dhe “ طس Ta Sin” në suren Neml.
Me tre shkronja gjenden në 13 sure. 6 herë ka ardhur “ الم Elif Lam Mim”, në suret Bekare, Ali Imran, Ankebut, Rum, Lukman dhe Sexhde. 5 herë ka ardhur ” الر Elif Lam Rra”, në suret Junus, Hud, Jusuf, Ibrahim dhe Hixhr. Dhe dy herë “ طسم Ta Sin Mim”, në suret Shuara dhe Kasas.
Me katër shkronja gjenden në 2 sure.” المص Elif Lam Mim Sad” në suren Araf dhe “ المر Elif Lam Mim Rra” në suren Rad.
Me pesë shkronja gjenden në 2 sure. “ كهيعص Kef He Je Ajn Sad” në suren Merjem dhe “ حم عسق Ha Mim Ajn Sin Kaf” në suren Shura.
Nga këto shkronja më së shumti janë përdoruar shkronjat “elif lam mim”. Nëse elifin e cilësojmë si një shkronjë, ajo është përsëritur në mënyrë të barabartë me shkronjat e alfabetit 29 herë. 29 nga këto sure që fillojnë me “El-Huruf el-Mukatta’a”, 2 prej tyre kanë zbritur në periudhën medinase, ndërsa të tjerat kanë zbritur në periudhën mekase. Këto sure mund t’i radhisim në këtë formë sipas radhës së zbritjes: Kalem, Kaf, Sad, Araf, Jasin, Merjem, Tahe, Shuara, Neml, Kasas, Junus, Hud, Jusuf, Hixhr, Lukman, Gafir, Fusilet, Shura, Zuhruf, Duhan, Xhathije, Ahkaf, Ibrahim, Sexhde, Rum, Ankebut, Bekare, Ali Imran dhe Rad. Kjo është sipas radhës së njohur. Në të gjitha suret veç sureve Merjem, Ankebut, Rum dhe Kalem, menjëherë pas “El-Huruf el-Mukatta’a” vijnë ajete që flasin rreth Kur’anit apo rreth librit, që ka kuptimin e Kur’anit. Pas këtyre ajeteve, flitet rreth fillimit të jetës, universit, krijimit, kiametit dhe rreth temave të tilla thelbësore.
Allahu (xh.sh) duket sikur shkronjat në alfabetin arab i ka ndarë në tre grupe:
Pjesa e parë nga Elifi tek Dhel (ذ ،د ،خ ،ح ،ج ،ث ،ت ،ب ،ا) është me 9 shkronja. Allahu i Lartë nga ky grup shkronjash ka zgjedhur vetëm dy shkronja Elif dhe Ha, shtatë të tjerat i ka lënë.
Pjesa e dytë përbëhet nga 9 shkronjat e fundit të alfabetit, nga Fe deri tek Je (ى ،ه ،و ،ن ،م ،ل ،ك ،ق ،ف). Nga grupi i dytë ka lënë pa përmendur vetëm shkronjën Fe dhe Uau, ndërsa 7 të tjerat i ka përmendur.
Ndërsa grupi i tretë përfshin shkronjat midis grupit të parë dhe të dytë, pra nga Rra deri tek Gajn (غ ،ع ،ظ ،ط ،ض ،ص ،ش ،س ،ز ،ر) që janë 10 shkronja. Nga këto 10 shkronjat e këtij grupi, një shkronjë e ka përmendur një e ka lënë. Kjo radhitje shkronjave tregon që shkronjat e ndërprera nuk kanë ardhur rastësisht siç pretendojnë orientalistët. Por, ato tregojnë mrekullinë e paarritshme të Kur’anit. Kjo zgjedhje dhe renditje e shkronjave nuk është rastësi, por është zgjedhje dhe renditje sipas një qëllimi të caktuar.
1.2.2 Diskutime të ndryshme
1.2.2.1 A janë këto shkronja të ndërprera emra apo shkronja?
Ajo që transmetohet nga Profeti Muhamed (sal’lallahu alejhi eue sel’lem), është sqaruar në përgjigjen që i jep Sheukeni pyetjes: “A ka diçka të saktë nga Profeti (a.s.) rreth ‘El-Huruf maukata’at’?” Sheukeni përgjigjet: “Nuk di që Profeti (a.s.) të ketë folur diçka rreth kuptimit të tyre. Ajo që është transmetuar nga Ai (a.s.) është vetëm numri i tyre. Transmeton Ibn Mes’udi që Profeti (a.s.) të ketë thënë: “Kush lexon një shkronjë nga libri i Allahut ka një sevap, dhe sevapi shpërblehet me dhjetë fish. Nuk po them që elif lam mim është një shkronjë, por elifi një shkronjë, lami një shkronjë dhe mimi një shkronjë” .”
Edhe pse gjendet transmetimi i qartë i profetit Muhamed (s.a.s) që këto shkronja të ndërprera janë shkronja, shohim që dijetarët myslimanë kanë dy qasje të ndryshme në lidhje me qenien e këtyre shkronjave të ndërprera thjesht shkronja apo emra:
E para: Dijetarët e rëndësishëm të tefsirit (komentimit të Kur’anit) si Zemahsheri , Bejdaui , Alusi dhe gjuhëtarët si Khalili dhe Sibeuejhi mendojnë se këto shkronja të ndërprera janë emra. Janë quajtur emra, sepse emrat tregojnë kuptim për veten e tyre, ndërsa shkronja tregon kuptim për të tjerët. Po ashtu, edhe mënyra e shqiptimit të tyre tregon që janë emra dhe jo thjesht shkronja.
E dyta: Qasja që këto shkronja të ndërprera janë shkronja dhe jo emra.
Dijetarët e tefsirit (komentimit të Kur’anit) të cilët kanë jetuar para Zemahsheriut kanë pasur këtë mendim. Vetë Zemahsheriu e përmend që ky mendim është shprehur prej tyre.
Këto shkronja janë shkruar në Kur’anin Fisnik në formën e shkronjave që përdoren në të folur, dhe jo në formën që ato lexohen. Shkaku sipas Ashur është: “Sepse qëllimi janë shkronjat e alfabetit. Dhe shkronjat e alfabetit shkruhen me formën e tyre, dhe jo me emrat e tyre” .
1.2.2.2 A janë këto shkronja pjesë e Kur’anit Fisnik?
Mendimi që kanë hedhur përgjatë historisë armiqtë e Islamit dhe në kohët moderne orientalistët që shkronjat e ndërprera nuk janë pjesë e Kur’anit, fatkeqësisht kanë gjetur mbështetës edhe në botën Islame. Në fakt për gjatë gjithë historisë Islame, në asnjë periudhë nuk ka ekzistuar ndonjë version Kur’ani ku të mos jenë shkruar “El-Huruf mukuta’at” (shkronjat e ndërprera) në të. Përkundrazi disa sure e kanë marrë emrin nga këto shkronja. Për më tepër, nga të parët tanë nuk ka ardhur as shenja më e vogël që të tregojë që këto shkronja nuk janë pjesë e Kur’anit. Në të kundërt, përveç hadithit që përmendëm më sipër nga Profeti (s.a.s) transmetohet që Ai ka lexuar edhe në namaz në formën “Elif Lam Mim”. Për më tepër, ekzistenca e këtyre shkronjave në librin e Kur’anit, është argument i qartë që ato nuk mund të mohohen që janë pjesë e Kur’anit. Për këtë arsye, ky lloj mendimi që “El-Huruf el-Mukatta’a nuk janë pjesë e Kur’anit, nuk është aspak i saktë.
1.2.2.3 A janë këto shkronja të ndërprera ajete Kur’anore?
Mund të themi se dijetarët kanë dy qasje kryesore në këtë çështje. Gjuhëtarët nga Basra nuk i shohin “El-Huruf el-Mukatta’a” si ajet të veçantë, por i cilësojnë si pjesë e ajetit pasardhës. Shumë prej komentuesve të Kur’anit e transmetojnë këtë mendim në librat e tyre. Ndërsa gjuhëtarët nga Kufe mendojnë se disa nga shkronjat e ndërprera janë ajet i veçantë dhe disa të tjera janë pjesë e ajetit pasardhës. Në këtë pikë nuk mund të bëhet analogji për të gjitha rastet e shkronjave të ndërprera, sepse ajetet janë caktuar me shpallje hyjnore. Një prej dijetarëve të parë, i cili ka trajtuar këtë temë është edhe Tusi, i cili thotë se përpjekja e dijetarëve për tu dhënë kuptim shkronjave të ndërprera, tregon në mënyrë të tërthortë që ata e pranojnë idenë që këto shkronja janë ajete të veçanta.
Sipas gjuhëtarëve nga Kufe, rastet e shkronjave të ndërprera janë si më poshtë: Në 6 rastet ku kalon “Elif lam mim” cilësohet ajet, “Elif lam mim sad” është ajet, “Ta sin mim” në dy rastet që kalon cilësohet ajet, “Ha mim” në gjashtë rastet që kalon cilësohet ajet, “Ha mim ajn sin kaf” cilësohen si dy ajete të veçanta, “Ta he” një ajet dhe “Je sin” një ajet. Ndërsa, rastet kur kalon “Elif lam rra” nuk cilësohen ajete, as “Nun” “Kaf” dhe “Sad” nuk cilësohen ajete të veçanta. Komentuesit e rëndësishëm të Kur’anit si Zemahsheri dhe Bejdaui, mendojnë se kjo nuk është çështje që mund të bësh analogji por është e përcaktuar me shpallje hyjnore.

Qasja e Dijetarëve Rreth “El-Huruf el-Mukatta’a”

Çështja e shkronjave të ndërprera ka tërhequr interesin e dijetarëve të hershëm e të sotëm. Janë të shumta mendimet dhe idetë e hedhura në këtë fushë. Këtë temë e kanë trajtuar me detaje dijetarë të ndryshëm të tefsirit. Disa prej tyre janë mjaftuar duke thënë “Allahu e di më së miri”, ndërsa disa të tjerë i kanë komentuar kuptimet e këtyre shkronjave, duke qenë të sigurt që ai është kuptimi i tyre . Në lidhje me temën nuk kemi ndonjë hadith të transmetuar nga Profeti Muhamed (a.s.) dhe as ndonjë argument ku shokët e Tij (sahabët) t’i kenë kërkuar ndonjë sqarim Profetit (a.s.) në lidhje me shkronjat e ndërprera. Por, pavarësisht kësaj, të gjithë shokët e Profetit (a.s.) i kanë cilësuar “El-Huruf el-Mukatta’a” si pjesë të pandashme të Kur’anit dhe mbi këto baza kanë ndërtuar edhe leximet e tyre.
Mendimet kryesore rreth “El-Huruf el-Mukatta’a” mund të klasifikohen në forma të ndryshme. Çdo komentues Kur’ani ka përdorur formën dhe metodën e tij të klasifikimit të shkronjave të ndërprera. Në këtë punim, komentet dhe mendimet që janë të përafërt me njëri-tjetrin, i kam klasifikuar nën të njëjtin titull.
Qasjet dhe komentet e dijetarëve rreth shkronjave të ndërprera mund t’i ndajmë nën dy tituj kryesorë:
I pari: Kuptimi i këtyre shkronjave është “muteshabih” (jo krejtësisht i qartë), i fshehtë dhe e di vetëm Allahu.
I dyti: Shkronjat e ndërprera tregojnë kuptim. Zerrkeshi thotë që dijetarët kanë përmendur më shumë se njëzet kuptime të ndryshme rreth këtyre shkronjave.
2.1. Cilësimi i këtyre shkronjave si “muteshabih” (me kuptim jo të qartë)
Shumë dijetarë klasikë janë të mendimit që “El-Huruf el-Mukatta’a” janë nga “muteshabih”, kuptimin e tyre e di vetëm Allahu i Lartë. Ato janë sekretet e Allahut në librin e Tij, Kur’anin fisnik. Nuk lejohet që të flasim rreth kuptimit të tyre, por i besojmë ato dhe i lexojmë ashtu siç kanë ardhur tek ne.
Thonë që ato janë sekret midis Allahut dhe të dërguarit të Tij (a.s.).
Prej dijetarëve që janë të këtij mendimi mund të përmendim: Sheabij dhe Sufjan E’theurrij . Nga komentuesit e Kur’anit mund të përmendim: Ebu Hajen , Alusi dhe Zekerija Ensarij . Kjo qasje përcillet edhe prej katër kalifëve të drejtë, Ebu Bekrit, Omerit, Osmanit, Aliut dhe Ibn Mes’udit (r.a).
Prej atyre që kanë ndjekur këtë rrugë është edhe Sheukeni. Ai është prej fanatikëve të këtij mendimi dhe ka folur ashpër për ata të cilët i komentojnë këto shkronja: “Kush flet për kuptimin e këtyre shkronjave në mënyrë kategorike që kjo është ajo që ka dashur të thotë Allahu, ka bërë gabimin më të rëndë. Transmetohet qartë që ne e kemi të ndaluar të hulumtojmë kuptimin e “muteshabih” apo të përpiqemi ta kuptojmë atë, edhe pse ato janë shkronja arabe dhe në formë të kuptueshme. Allahu thotë që ata që në zemrat e tyre kanë anim kah e shtrembërta, ata gjurmojnë atë që nuk është e qartë (muteshabih) .”
Urtësia e fshehjes së kuptimit të këtyre shkronjave
Ky grup dijetarësh mendon që urtësia e fshehjes së kuptimit të tyre është sprovë nga Allahut për robërit e Tij. Thotë Zerkani: “Thonë me këtë mendim që kuptimi i tyre është nga të fshehtat që i di vetëm Allahu dhe askush nga krijesat e Tij. Dhe kjo fsheh një urtësi prej urtësive të Tij të larta. Kjo urtësi është sprova nga Allahu për robërit e Tij, që të veçoj të mirin nga i keqi, atë që ka besim të vërtete nga hipokriti, pasi u ka sqaruar atyre argumentet e tij të shumta, argumentet e udhëzimit dhe u ka treguar mëshirën e Tij të gjerë në ajete dhe sure të shumta të Kur’anit fisnik përveç këtyre shkronjave të ndërprera. Këto shkronja në krahasim me argumentet e pafundme të Allahut, nuk cilësohen as sa një pikë në oqean.”
Thotë Mekij b. Ebi Talib: “Kjo tregon qartë se disa shkronjave ju është mbuluar kuptimi i tyre për të gjithë si sprovë nga Allahu dhe si test prej Tij. Kush u beson atyre do të shpërblehet dhe do të jetë i lumtur, ndërsa kush i mohon ato dhe ka dyshime rreth tyre, është në mëkat.”
2.1.1 Kuptimi dhe përmbajtja e “muteshabih”
Kuptimi leksikor i “muteshabih” është: “Diçka që ka pjesë që janë të ngjashme me njëra-tjetrën dhe në të cilën ka konfuzion dhe pështjellim.” Ndërsa si term ka kuptimin e fjalëve apo ajeteve të Kur’anit që nuk kanë kuptim të qartë, që janë të vështirë për tu kuptuar dhe që mund të kenë disa kuptime të ndryshme. Nuk mund të mësohet kuptimi i tyre vetëm nga vetja e tyre por kanë nevojë për argument të jashtëm. Siç është dita e kiametit, dalja e dexhalit, apo “El-Huruf el-Mukatta’a” në fillim të sureve. E kundërta e “muteshabih” është “muhkem” (me kuptim të qartë).
Në Kur’an siç gjejmë shprehje që tregojnë se të gjitha ajetet e tij janë “muteshabih”, po ashtu gjejmë shprehje që të gjitha ajetet e tij janë “muhkem”. Ajeti: “Elif, Lam, Ra, (ky është) Libër, ajetet e të cilit janë radhitur (në mënyrë të përsosur, njëkohësisht) edhe shkoqitur nga i Dijshmi” (Surja Hud, 1), thotë që i gjithë Kur’ani është “muhkem” (me kuptim të qartë). Pra, kur thotë që është i gjithi “muhkem”, flitet që nuk ka asnjë mangësi apo të metë nga ana gjuhësore dhe ngjasim me njëri-tjetrin nga ana e vërtetësisë. Në një ajet tjetër: “Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kur’anin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten” (Surja Zumer, 23), tregon që i gjithë Kur’ani është “muteshabih”. Në këtë ajet “muteshabih” është përdorur me kuptimin “përngjasim”. Në këtë kuptim, fjalët e Kur’anit nga fillimi deri në fund, për nga mënyra e shpjegimit dhe kuptimit të tyre i ngjasojnë njëra-tjetrës, dhe janë në përputhje me njëra-tjetrën. Kështu që, ajetet e Kur’anit nuk bien në kundërshtim me njëri-tjetrin.
Kur’ani Fisnik ndahet në “muhkem” (ajete me kuptim të qartë) dhe në “muteshabih” (ajete me kuptim jo krejtësisht të qartë) duke u bazuar tek ajeti: “Ai është që ta zbriti librin ty e që në të ka ajete të qarta dhe ato janë bazë e librit, e ka të tjerë që nuk janë krejtësisht të qartë (muteshabih).”
Në emërtimin e “muhkem” dhe “muteshabih” janë thënë mendime të ndryshe:
I pari: “Muhkem” është që i dihet kuptimi i qartë ose kuptohet me komentim. Thotë Kurtubi: “Ky është mendimi më i saktë që është thënë për muhkem”.
I dyti: “Muhkem” është që kur komentohet ka vetëm një kuptim, ndërsa “muteshabih” është që kur komentohet mund të dalim kuptime të ndryshme”. Ky është mendimi i Ibni Abasit.
I treti: “Muhkem” është i pavarur (në kuptim), ndërsa “muteshabih” nuk është i pavarur (ka nevojë për diçka tjetër që të kuptohet). Ky mendim transmetohet nga Imam Ahmedi.
I katërti: Thuhet që “muhkem” ka kuptim të qartë, i kuptueshëm dhe që nuk mund të jetë i shfuqizuar. Ndërsa “muteshabih” ka kuptim të fshehtë që nuk mund ta kuptojmë dot as me logjikë, e as me transmetime. Kuptimin e tij e di vetëm Allahu (xh.sh), siç është dita e kiametit dhe “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) në fillim të sureve.
Thotë Dr. Fadl Abas pasi i trajton këto mendime dhe të tjera:“Këto mendime janë të ndërthurura me njëra-tjetrën, kështu që mund të zgjedhim dy mendime kryesore prej tyre:
I pari: “Muhkem” e ka kuptimin të qartë, ndërsa “muteshabih” qartësohet vetëm pasi kemi kërkuar dhe hulumtuar rreth tij.
I dyti: “Muhkem” është ai që i dihet kuptimi dhe është brenda sferës së mundësisë, ndërsa kuptimin e “muteshabih” e di vetëm Allahu.”
2.2 Qasjet rreth kuptimit të “El-Huruf el-Mukatta’a”
Një grup tjetër dijetarësh, ku shumica e tyre janë nga gjeneratat e mëvonshme, kanë thënë se është e nevojshme që të studiohet kuptimi i ajeteve “muteshabih”. Për rrjedhojë, kanë thënë që është e rëndësishme të studiohet dhe të komentohet kuptimi i “El-Huruf el-Mukatta’a” shkronjave të ndërprera. Ebu Hajen, edhe pse nuk e përkrah këtë mendim, e pranon që shumica e dijetarëve janë të këtij mendimi.
Dijetarët që janë të mendimit që shkronjat e ndërprera kanë kuptim, kanë qasje të ndryshme rreth kuptimit të këtyre shkronjave. Madje në libra të ndryshëm përmenden deri në 20 mendime të ndryshme. Madje disa komentues Kur’ani i kanë trajtuar me detaje këto mendime.
Sipas Ibn Tejmijes fjala “muteshabih” në ajetin e 7-të të sure Ali Imran tregon që jo kuptimi dhe komenti nuk mund të dihet vetëm se nga Allahu, por ajo që nënkuptohet, që është e fshehtë nuk mund të dihet vetëm se nga Allahu. Urdhri për hulumtim që kalon në ajete të ndryshëm përfshin edhe “muhkem” (ajetet me kuptim të qartë) edhe “muteshabih” (ajetet me kuptim jo plotësisht të qartë). Sepse nuk mund të mendosh apo hulumtosh rreth diçkaje pa kuptim apo që është e vështirë të kuptohet.
Ibni Atije el-Endelusi, i cili thotë se përdorimi shkronjave të ndërprera në vend të fjalëve është diçka që ekzistonte në traditën arabe, pohon se “El-Huruf el-Mukatta’a” duhet të komentohen. Elmalili thotë se me shkronjat e ndërprera nuk synohet kuptimi i fshehtë i tyre në ajetet Kur’anore, por synohen kuptime të ndryshme në atë masë që mund të kuptojë mendja njerëzore. Për rrjedhojë, “El-Huruf el-Mukatta’a” kanë disa kuptime të ndryshme.
Sipas Meududit, këto shkronja ekzistojnë në kulturën arabe. Këto shkronja zënë një vend të gjerë në letërsi, ato janë përdorur në shkrime dhe poezi të ndryshme. Duke u bazuar tek përdorimi i këtyre shkronjave në kulturën e tyre, arabët nuk e kundërshtuan përdorimin e këtyre shkronjave në Kur’an, por me uljen e përdorimit të këtyre shkronjave me kalimin e kohës, dijetarët e tefsirit kanë hasur vështirësi në komentimin e tyre.
Sipas disa dijetarëve, të mendosh që këto shkronja kanë zbritur kot dhe pa kuptim, është një gabim i madh. Sipas tyre, ideja që mund të ketë fjalë pa kuptim më Kur’an, nuk përputhet me veçorinë e Kur’anit, i cili “ka zbritur në gjuhën e qartë arabe”, që i fton njerëzit që të meditojnë rreth tij, dhe që “është udhërrëfyes për njerëzit” (Bekare, 2/185). Në të kundërt, shumë cilësi të Kur’anin si i qartë, i mjaftueshëm, dritë, argument dhe shumë cilësi të tjera do të mbeteshim pa kuptim. Për më tepër, kur shumë ajete na urdhërojnë që të hulumtojmë Kur’anin për të nxjerr argumente prej tij, dhe dihet që argumentet nxirren vetëm prej gjërave të kuptueshme. Të pretendosh që shkronjat e ndërprera nuk kanë kuptim, është shpifje e madhe për Kur’anin. Mospasja e transmetimeve nga Profeti (a.s.) rreth kuptimit të shkronjave të ndërprera tregon qartë që kuptimi i tyre dihej dhe nuk kishte nevojë për koment.
Pas këtyre shprehjeve dhe vlerësimeve të përgjithshme, do të shtjelloj mendimet e ndryshme të dijetarëve të tefsirit rreth kuptimit të “El-Huruf el-Mukatta’a”.
2.2.1 Sqaruese për mrekullinë e Kur’anit
Disa dijetarë janë të mendimit se shkronjat e ndërprera janë përmendur në fillim të disa sureve (kapitujve) të Kur’anit për të sqaruar mrekullinë e paarritshme të Kur’anit, gjegjësisht për të treguar se njerëzit janë të paaftë të sjellin diçka të ngjashme si ai edhe pse këto janë shkronja që ata i njohin dhe i përdorin në gjuhen e tyre të përditshme.
Dijetarët klasik që kanë këtë mendim janë: Bekalani , Zemahsheri , Razi dhe Ibni Kethir .
Thotë Zemahsheriu: “Këto shkronja, nuk janë përmendur të gjitha së bashku në fillim të Kur’anit, por janë përsëritur në disa vende që të jenë më bindëse në të sfiduar, ashtu siç është rasti edhe me përsëritjen e shumë rrëfimeve, ndërkaq në disa vende, të sfiduarit është bërë me fjalë të qarta. Këto janë përmendur për t’i tërhequr vëmendjen kundërshtarëve që sfidojnë Kur’anin fisnik, edhe pse këto janë shkronja që ata i njohin dhe i përdorin në të folurën e tyre, por sërish nuk munden të sjellin diçka të ngjashme së Kur’ani. Sepse Kur’ani nuk është e folur njerëzore, por është fjalë e Krijuesit të gjithëpushtetshëm.”
Thotë Ibn Kethirri: “Për çdo sure, e cila fillon me këto shkronja të ndara, patjetër që përmendet në të ngadhënjimi i Kur’anit dhe sqarohet paarritshmëria dhe madhështia e tij. Nga analiza e Kur’anit, ky konstatim vërehet qartë dhe haset në njëzet e nëntë sure. Prandaj, Allahu i Lartë thotë: “Elif, Lam, Mim. Ky është libri që nuk ka dyshim në të…” .”
Në radhët e dijetarëve modern të komentimit të Kur’anit, mendimi që shkronjat e ndërprera janë vendosur për treguar mrekullinë e paarritshme të Kur’anit dhe për të sfiduar mohuesit, zë një vend të gjerë. Midis tyre mund të përmendim Reshit Riza, Sheltut, Ibni Ashur dhe Aishe Abdurrahman. Gjithashtu edhe Muhamed Tantaui mendon në këtë mënyrë. Muhamed Ebu Zehra thotë se fakti që menjëherë pas këtyre shkronjave vijnë ajete që flasin rreth Kur’anit, tregon që këto shkronja janë për të treguar mrekullinë e paarritshme të Kur’anit, për të sfiduar mohuesit, janë edhe si argument që kanë zbritur nga Allahu.
Sejid Kutub thotë: “Këto shkronja janë tregues që ky libër është i përbërë nga shkronja të cilat arabët i njohin. Megjithatë ata janë të paaftë që të sjellin një Kur’an të tillë. Kur’ani, është libri që i sfidon ata që të sjellin një tillë si ai, një herë tjetër i sfidon që të sjellin dhjetë sure si ai apo edhe një sure të vetme si ai, por ata nuk kishin ndonjë përgjigje për këtë sfidë.”
Said Nursi në komentin që i bën “El-Huruf El-Mukatta’a”, tregon që edhe ai ka një qasje të tillë. Sipas tij: “Shkronjat e ndërprera që gjenden në fillim të njëzet e nëntë shkronjave reflektojnë mrekullinë në paarritshmërinë e Kur’anit. Mrekullia është e bukur si diamanti, është dritë që formohet nga reflektimi i shkallës së lartë të elokuencës.”
Në komentimin e sures Bekare, Fethullah Gylen thotë për shkronjat e ndërprera: “Këto shkronja, janë si elementët që formojnë atomin dhe si qelizat që përbejnë trupin e njeriut. Mrekullia e vërtetë është në këtë pikë: Edhe pse elementët që përbëjnë një krijesë dihen, askush nuk ka fuqi ta krijojë atë veç Allahut. Po ashtu, edhe Kur’anin, edhe pse dihen shkronjat e tij që janë (elif be te…) apo siç janë këtu (elif lam mim), sërish askush nuk mund të shkruaj një Kur’an si ky. Sepse, ashtu siç është i paarritshëm Allahu në të krijuar (askush nuk mund të krijoj si Ai), ashtu është i paarritshëm në të folur. Pra, ashtu siç është mrekulli urdhri i Allahut në univers që është fushëveprimi i “Fuqisë” dhe “Vullnetit”, mrekulli është edhe libri i ardhur nga cilësia e Allahut “Fjala”. Allahu, duke e nisur suren Bekare me (elif lam mim) fjalë që cilësohen si fjalë çelës, sikur u thotë njerëzve duke i sfiduar “Hajde urdhëroni, duke përdorur këto shkronja që i përdorni në të folur e në të shkruar dhe duke formuar fjali me këto, shkruani një Kur’an tjetër si ky”. Ajetet në vijim tregojnë këtë të vërtetë: “Nëse ju dyshoni në atë që ia kemi zbritur robit tonë (Muhamedit a.s.), atëherë hartoni një sure të ngjashme me atë që ia kemi shpallur atij! Thirrni në ndihmë edhe dëshmitarët tuaj (që i adhuroni) në vend të Allahut, nëse jeni të sinqertë. Nëse nuk mundeni, dhe kurrsesi nuk do të mundeni, atëherë ruajuni zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët dhe që është përgatitur për të ndëshkuar mohuesit”. (Surja Bekare, 23-24)”
Një nga dijetarët e njohur të tefsirit, Tantaui Xheuheri, e ka trajtuar nga një aspekt tjetër mrekullinë e paarritshme të Kur’anit, ai e ka trajtuar çështjen duke u nisur nga numri i shkronja. Sipas tij: “Shkronjat në gjuhën arabe janë 28. 14 nga këto shkronja janë me pika dhe 14 të tjerat pa pika. Gjithashtu “El-Huruf el-Mukatta’a” janë 14 shkronja, të cilat janë përdorur në grup-shkronjash të ndryshme. Muaj ka 28 faza, 14 në jug dhe 14 në veri. Si ka mundësi që Muhamedi (s.a.s) apo ndonjë njeri tjetër të ndërtoj një sistem kaq perfekt, t’i përshtasë këto numra me numrat e tjerë në univers dhe këto ligje t’i përshtasë me principet e tjera?! Për këtë arsye, Allahu duke vendosur këto shkronja në fillim të sureve, thotë që Kur’ani është Libri Im.”
2.2.2 Argument për profetësinë e Muhamedit (a.s.)
Disa dijetarë mendojnë se këto shkronja janë treguese të profetësisë së Muhamedit (a.s.), parë nga aspekti që Ai nuk dinte shkrim e këndim dhe fliste me emrat e shkronjave që janë “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera). Dihet që e folura me emrat e shkronjave është punë e leximtarëve dhe jo e atyre që nuk dinë shkrim e këndim. Përdorimi i shkronjave të ndërprera në fillim të sureve ishte argument i prekshëm që Profeti Muhamed (s.a.s) nuk fliste nga vetja e Tij, por i vinte shpallja nga i Gjithëdituri i Urtë.
Dijetarët klasikë të cilët kanë mendim janë Zemahsheri , Nesefi dhe Bejdaui .
Thotë Zemahsheri: “Fillimi i sures në këtë formë, në mënyrë që gjëja e parë që të dëgjoj veshi të jetë diçka e tillë, e cila është nga argumentet e mrekullisë së paarritshme të Kur’anit. Sepse e folura e zakonshme me shkronja ishte një nivel i te folurit normal e atyre që ishin analfabet dhe e ithtarëve të librit. Në kundërshtim me të folurën me emrat e shkronjave, e cila ishte diçka e veçantë e atyre që shkruanin, lexonin, shoqëroheshin me ithtarët e librit dhe mësonin prej tyre. Ishte diçka e habitshme që dikush, i cili nuk ishte marrë me shkrim e me këndim të fliste me shkronja të ndërprera, siç thotë Allahu i Lartë: “ti (Muhamed) nuk kishe lexuar kurrfarë libri e as që kishe shkruar gjë me dorën tënde; përndryshe, ndjekësit e së pavërtetës do të dyshonin” . Pra e folura në këtë formë ishte argument që Profeti (s.a.s) nuk i kishte mësuar këto nga të afërmit e Tij apo nga ngjarjet që tregonte Kur’ani për popujt e mëparshëm që nuk i dinin Kurejshët, por kjo ishte e gjitha shpallje që i vinte nga Allahu.”
Sipas Said Nursit, rruga e ndjekur në mësimin me shkronja të tilla ishte diçka e re, dhe që nuk imiton asnjë lloj stili letrar të mëparshëm. Kjo lloj metode që ndjek Kur’ani, e sjellë nga një person që nuk di shkrim e këndim, tregon për vërtetësinë e personit dhe tregon që burimi i këtij libri është hyjnor.”
Ka edhe prej atyre që e kundërshtojnë këtë mendim, duke thënë se edhe njerëzit që nuk dinë shkrim e këndim mund të thonë fjalë të tilla, siç ka ndodhur më herët në poezinë arabe.
2.2.3 Emra të sureve
Disa dijetarë mendojnë se këto shkronja janë emër i secilës sure që ato fillojnë. Ashtu siç janë vendosur emra për të bërë dallimin e sureve nga njëra-tjetra, ashtu janë vendosur edhe këto shkronja për të dalluar suret nga të tjerat.
Dijetarë klasikë të cilët mbështesin këtë mendim janë Zemahsheri , Razi dhe Sibeuejhi . Gjithashtu Hasan Basriu thotë se nuk e di kuptimin e këtyre shkronjave, por një grup nga myslimanët i cilësojnë këto shkronja si emra të sureve dhe çelësa të tyre.
Argumentet që këto shkronja janë emrat e sureve:
Ata të cilët kanë këtë qasje në lidhje me hurruful el-Mukatta’a (shkronjave të ndërprera) kanë këto argumente:
I pari: Transmetimi nga Ebu Hurejra që Profeti (a.s.) lexonte në namazin e sabahut ditën e premte “Elif lam mim Sexhde” (suren sexhde) dhe “Vallë, a nuk ka kaluar një periudhë kohore, kur njeriu…” (suren Insan).
I dyti: Është fakt që këto shkronja në fillim të sureve janë bërë si shenja dalluese për emrat e tyre. Si për shembull kur përmend një shkronjë dhe kuptohet një objekt i caktuar.
Reshit Riza e prezanton idenë që këto shkronja janë emra të sureve si bindje të Muhamed Abduh. Ndërsa Ferid Uexhdi, thotë që shumica i pranon këto shkronja si emra të sureve ku gjenden. Por, Alusi e kundërshton këtë mendim. Sepse, ka disa sure që fillojnë me të njëjtat shkronja. Emër i cilës sure do të jenë këto shkronja dhe kush do vendos për këtë. Sikur të ishin këto shkronja emra të sureve, duhet të kishte ardhur transmetimi tek ne, që të mos përdorej emër tjetër për këto sure që përmbajnë shkronja të ndërprera.
2.2.4 Betime të Allahut
Disa dijetarë thonë që Allahu është betuar me këto shkronja për të treguar vlerën e tyre. Dijetarët të cilët kanë këtë qasje janë Ibn Abasi , Ikrime , Ehfesh dhe Zerrkeshi .
Thotë Zerrkeshi: “Allahu është betuar me këto shkronja se ky libër që lexon Muhamedi (a.s.) është libër i shpallur nga Allahu pa asnjë mëdyshje. Kjo tregon lartësinë e këtyre shkronjave, siç është betuar në “agim”, në “paradite” apo edhe në gjëra të tjera.”
Një argument tjetër që mbështeten ndjekësit e këtij mendimi është transmetimi i Bejhakiut rreth Emrave dhe Cilësive të Allahut nga Ibni Abasi: “Ajetet si (Kef he je ajn sad), (Ta he), (Ta sin mim), (Je sin), (Sad), (Ha mim ajn sin kaf), (kaf) e të tjera janë betime që është betuar Allahu, dhe janë nga emrat e Allahut (xh.sh).
Sipas Ehfesh dhe Ibni Kajim’it, në Kur’an ashtu siç betohet për lapsin (kalem), agimin (fexhr), fikun (tin) dhe ullirin (zejtun), është betuar edhe për shkronjat e ndërprera. Sepse shkronjat përbëjnë bazën e librave që Allahu ka dërguar dhe përbëjnë thelbin e Emrave të Allahut. Allahu me këto shkronja sikur betohet që Kur’ani është libri dhe fjala e Tij.
2.2.5 Tërheqje vëmendje
Disa dijetarë mendojnë se shkronjat e ndërprera kanë zbritur për të tërhequr vëmendjen politeistëve duke qenë se këto shkronja do tu tingëllonin çuditshëm, dhe kështu do të dëgjojnë Kur’anin dhe do tu shkojë argumenti. Pra, sipas tyre funksioni i këtyre shkronjave është vetëm si thirrëse. Dijetarët klasikë që kanë këtë qasje janë Razi dhe Zerkani .
Thotë Zerkani: “Dihet që armiqtë e Islamit në fillimet e ftesës Islame i thoshin njëri-tjetrit: “Mos e dëgjoni Kur’anin, mbyllini veshët se mos ndoshta ju mund”. Kur zbriste ndonjë sure që fillonte me shkronja të ndërprera, ata fillonin ta dëgjonin dhe u tërhiqej vëmendja kah e vërteta. Kështu ata ishin para argumenteve të qarta që jua qetësonte zemrën dhe jua vinte trurin në punë. Për rrjedhojë, ata që donte Allahu të udhëzohen, udhëzoheshin. Mohuesit dhe kryeneçët vendoseshin përballë argumenteve të pakontestueshme, dhe kështu nuk kishin justifikim për mohimin e tyre në këtë botë e as në tjetrën.”
Thotë Fahrudin Razi në tefsirin (komentin) e sures Ankebut: “I Urti kur i drejtohet dikujt që është i hutuar apo i pavëmendshëm, para se të thotë atë që dëshiron të shpreh, i drejtohet atij me diçka tjetër për t’i tërhequr vëmendjen. Ky para fjalim mund të jetë diçka kuptimplotë, si p.sh ti thuash dikujt “dëgjo këtu”. Por, gjithashtu ky para fjalim mund të jetë diçka pa kuptim, siç është fërshëllima mbrapa dikujt për t’i tërhequr vëmendjen. Kjo mund të jetë edhe diçka pa përdorur gojën siç është përplasja e duarve që dëgjuesi të drejtohet nga personi. Zgjedhja e disa shkronjave nga i Urti si paralajmëruese para se të shpreh atë që dëshiron, ia arrijnë më shumë qëllimit të dëshiruar sesa përdorimi i fjalëve me kuptim. Sepse vendosja para e këtyre shkronja paralajmëruese për të tërhequr vëmendjen e dëgjuesit për të dëgjuar atë që vjen më pas, bën që dëgjuesi mos ta shkëpusë vëmendjen nga ajo që do të vij më pas. Për rrjedhojë, vendosja e shkronjave të pakuptimta para fjalimit të synuar ka një urtësi të madhe.”
Një mendim i tillë ka zënë vend edhe tek dijetarët modern si Reshit Riza dhe Meragi. Reshit Riza thekson se me këto shkronja duke ju tërhequr vëmendjen politeistëve mekas, janë ftuar në Islam dhe kështu u është bërë e njohur profetësia e Muhamedit (s.a.s). Më pas, e njëjta mënyrë ftese iu drejtua ithtarëve të librit në Medine. Edhe Subhi Salih e mbështet këtë mendim.
2.2.6 Llogaritja Xhumel dhe Ebxhed
Përpara se të përmendim përdorimin e shkronjave të ndërprera në këtë formë, do të trajtoj shkurtimisht llogaritjet xhumel dhe ebxhed.
2.2.6.1 Përkufizimi i llogaritjes Xhumel ose Ebxhed
Renditja e shkronjave dhe fjalëve arabe sipas alfabetit të vjetër Sami duke përftuar kështu vlera numerike, apo sistemi i përllogaritjes numerike që përftohet nga vlerat numerike që simbolizon secila shkronjë quhet llogaritje Ebxhed ose Xhumel. Gjithashtu Ebxhed janë shkronjat e para të alfabetit arab dhe emri i parë që i është vënë atij.
2.2.6.2 Shkenca Xhifr
Duke u bazuar në të fshehtat e shkronjave, numrat dhe format gjeometrike, të japësh njoftime për të ardhmen quhet shkenca xhifr. Shkenca xhifr i ka rrënjët që në lashtësi. Por, me ardhjen e Islam, duke u bazuar tek kuptimet e brendshme të shkronjave dhe të disa ajeteve të Kur’anit, Xhaferri Sadik ka dhënë disa njoftime rreth të ardhmes.
2.2.6.3 Llogaritja Ebxhed e shkronjave të ndërprera
I pari që ka përdorur llogaritje ebxhed të shkronjave të ndërprera është Mukatil b. Sulejman. Duke mbledhur shkronjat e përsëritura, ka arritur në shumën 744 dhe ka thënë që ky numër tregon për moshën e popullit mysliman. Alusi në një transmetim nga Iz b. Sulejman nga shkronjat (ha mim ajn sin kaf) ka arritur të nxjerr ngjarjen mes Aliut dhe Muauijes.
Ebul Hakem b. Berexhan, i cili mbron tezën se mund të nxirren disa njoftime rreth së ardhmes nga Libri Allahut, nga ajetet e para të sures Rum ka nxjerrë vitin 583 kur Jerusalemi do të merrej nga të krishterët. Ibni Berexhan vdiq në vitin 536 dhe në të vërtetë në vitin 583 Jerusalemi merret nga kryqtarët.
Pavarësisht faktit që në disa raste janë bërë disa llogaritje që kanë rezultuar të sakta, në Kur’an nuk gjendet asnjë ajet që të flasë për emrat “ebxhed” dhe “xhifr” apo për këtë lloj llogaritjeje. Dijetarët klasikë duke përdorur këtë lloj metode nuk kanë treguar dot asnjë informacion që mund të jenë të gjithë dakord. Në Kur’an nuk gjendet asgjë që ta bëj të lejuar këtë lloj tefsiri (komentimi) duke u bazuar në “Ebxhed”.
Duke u bazuar në vlerat numerike të këtyre shkronjave nuk mund të arrihet në një përfundim të saktë dhe të bësh parashikime rreth të ardhmes në këtë formë nuk është diçka e saktë. Sipas shumë dijetarëve myslimanë, parashikimi që bëhet me këtë lloj llogaritjeje nuk mund të ketë ndonjë të vërtetë fetare. Sepse, sipas tyre, e ardhmja e Islamit nuk mund të jetë e lidhur me parashikimi të pabaza.
2.2.7 Mësim, shkrim dhe këndim
Disa dijetarë mendojnë që këto shkronja janë për t’i mësuar shkronjat e ndërprera, në mënyrë që kur të përmenden më pas në formë të rregullt, t’i kenë mësuar që më herët. I mësuan ato siç mësojnë fëmijët, i mësojnë shkronjat të ndara pastaj i mësojnë të bashkuara.
Dijetari që ka këtë qasje është Aziz b. Jahja , që thotë: “Allahu i ka përmendur këto shkronja dhe Ai sikur ka dashur të thotë: ‘Dëgjojini ato të ndara në mënyrë që kur t’i dëgjoni të bashkuara, t’i keni njohur ato që më herët. Ashtu si fëmija, në fillim i mëson shkronjat e ndara pastaj i mëson ato të bashkuara’.”
Suat Yildirim shprehet kështu në lidhje me këtë temë: “Me përmendjen e këtyre shkronjave, kuptohet që Kur’ani po mëson një popull analfabet dhe fillestar. Ashtu siç zbulimi i shkrimit solli fillimin e një epoke më të avancuar për njerëzimin, ashtu edhe udhëzimi që solli ky Libër, hapi rrugën e zhvillimit të qytetërimit dhe i nxori nga errësira në dritë. Ai ishte një Libër që filloi me “Lexo” dhe që në shpalljen e parë foli që Allahu “ia mësoi njeriut shkrimin (me laps)” (Surja Alak, 96/1-5). Allahu na nxit që të mësojmë shkrim e këndim. Sepse t’i lexosh shkronjat me emrat e tyre, është punë e fillestarëve në mësim. Këto shkronja duke ardhur ndonjëherë një, ndonjëherë dy, ndonjëherë tre, ndonjëherë katër dhe ndonjëherë pesë, përbëjnë një ushtrim shkallë shkallë.”
2.2.8 Simbole
Disa dijetarë të tefsirit nga sahabët (shokët e Profetit (a.s.), nga tabi’inët (pasuesit e sahabëve) dhe nga pasuesit e tyre, janë të mendimit se këto shkronja të ndërprera në fillim të sureve janë simbole të emrave dhe cilësive të Allahut (xh.sh).
Këtë qasje nga sahabët e ka Ibn Abasi dhe Ibni Mes’ud , ndërsa nga tabi’inët Selim b. Abdullah dhe Sheabij .
Argumenti që mbështeten këta është transmetimi i Bejhakiut rreth Emrave dhe Cilësive të Allahut nga Ibni Abasi: “Ajetet si (Kef he je ajn sad), (Ta he), (Ta sin mim), (Je sin), (Sad), (Ha mim ajn sin kaf), (kaf) e të tjera janë betime që është betuar Allahu, dhe janë nga emrat e Allahut (xh.sh). Si shembull i kësaj qasjeje mund të përmendim: “Me “elif” synohet Allah, me “mim” synohet Muhamedi (a.s.) dhe me “lam” synohet Xhebraili (a.s.).
2.2.9 Fillimi i një kapitulli dhe fillimi i një tjetri
Disa dijetarë mendojnë se këto shkronja tregojnë mbylljen dhe përfundimin e një sureje (kapitulli) dhe fillimin e një tjetri. Këtë qasje e kanë dijetarët si Muxhahid , Ebu Ubejde dhe Ehfesh .
2.2.10 Përmbajtja e disa kodeve
Sipas Bejdauit, këto shkronja që gjenden në fillim të 29 sureve, secila prej tyre është një kod që nënkupton një emër të Allahut, mirësi apo ndonjë fatkeqësi me të cilat sprovohet njeriu. Për shembull: “elif” është kod i emrit Allahu, “lam” është kod i emrit Latif (i Butë), ndërsa “mim” është kod i emrit Mexhid (Bujar).
Said Nursi thotë: “El-Huruf el-Mukatta’a në fillim të sureve janë kode hyjnore. Allahu me anë të tyre i ka dhënë disa mesazhe të fshehta robit të tij të veçantë, Muhamedit (s.a.s). Çelësi i atij kodi gjendet në duart e robërve të Tij të veçantë dhe pasardhësve të tyre. Përdorimi i këtyre shkronjave të koduara tregon për zgjuarsinë e pashoqe të Muhamedit (a.s), saqë edhe kodet më të fshehta i kupton si gjërat më të thjeshta. Vlera e këtyre shkronjave të ndërprera nuk është vetëm tek kuptimi i tyre, por siç është shprehur në shkencën e “të fshehtat e shkronjave”, ashtu siç është në tabelat numerike, tregon që ka një lidhje natyrore mes shkronjave.” Ndërsa në një vend tjetër thotë: “Fakti që Kur’ani i drejtohet çdo epoke, do të thotë që ai përmban kuptime që u drejtohet njerëzve të çdo lloj epoke dhe sipas nivele të tyre. Pjesa më mirë, u ka rënë të parëve tanë të mirë. Miqtë e Allahut, në udhëtimet e tyre shpirtërore, kanë gjetur shumë tregues të së fshehtës nga këto kode.”
Fethullah Gyleni shprehet që këto shkronja janë kode që përdoren nga Allahu (xh.sh). Dijetarët e mëdhenj si Muhjidin b. Arabi, Imam Rrabani dhe Bediuzaman, të cilët kanë ndikuar tek popujt me mendimet tyre, i kanë zgjidhur këto kode. Ai thotë: “Njohja e kodeve që përfaqësojnë këto shkronja, bëhet vetëm me frymëzim. Allahu i frymëzon zemrat që dëshiron t’jua tregojë këto kode. Pastaj ata, i zbulojnë të fshehtat e Kur’anit në periudhën e tyre me anë të këtyre kodeve dhe ua përcjellin njerëzve përreth këto të fshehta hyjnore. Këto sekrete nuk kanë të bëjnë me gjërat për të cilat jemi përgjegjës karshi Allahut. Këto sekret janë sofra Kur’anore dhe mirësi hyjnore ekstra.”
Koment tjetër interesant rreth kësaj qasjeje gjendet edhe në tefsirin e Xheuherit. Ai thotë që shkronjat e ndërprera mund të jenë kode të elementeve minerale. Kush i njeh mirë këto kode, mund të bëj shpikje të reja kimike. Për shembull sipas tij “ha” simbolizon hadid (hekurin), “nun” nuhas (bakër), “elif” oksigjen dhe “je” hidrogjenin. Hulumtimet moderne, duke u bazuar tek shkronjat e ndërprera, do të ndihmojnë në zbulimet e reja kimike.
2.2.11 Qasja e orientalistëve rreth shkronjave të ndërprera
Një vlerësim i shkurtër rreth qasjeve të orientalistëve mendoj se do të ishte me vend, edhe pse nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me temën tonë. Në përgjithësi orientalistët i kanë vlerësuar “El-Huruf el-Mukatta’a” si shkurtime, duke ndjekur kështu metodën e disa dijetarëve myslimanë. Për rrjedhojë, edhe ata janë në mosmarrëveshje me njëri-tjetrit se çfarë tregojnë këto shkurtime. Por, shumë orientalistë, duke u bazuar në qasjet që ekzistojnë rreth shkronjave të ndërprera, janë përpjekur të vërtetojnë që Kur’ani është libër i shkruar nga Muhamedi (a.s.) apo që Kur’ani është një vepër e sajuar. Ndër orientalistët më të njohur është Noldeke, i cili ka ndikuar edhe tek të tjerët pas tij. Ai pretendon se këto shkronja nuk janë pjesë e Kur’anit, por janë shkronja e parë e emrave të sahabeve që kanë mbledhur Kur’anin. Sipas tij, shkronja “mim” simbolizon Mugirren, “he” Ebu Hurejre, “sad” Sad b. Ebi Uakas dhe “nun” Uthman b. Afen.
2.2.12 Kuptime të ndryshme:
Disa dijetarë mendojnë se këto shkronja të ndërprera janë marrë nga emrat dhe foljet. Çdo shkronjë tregon kuptim të ndryshëm nga shkronja tjetër. Disa nga këto tregojnë për Emrat e Allahut, disa të tjera tregojnë për emra të tjerë veç Allahut. Pra, këto shkronja tregojnë për emra që u është marrë vetëm një shkronjë dhe pjesa tjetër është fshirë.
Dijetarët që kanë këtë qasje janë Ibni Abasi , Ibni Mes’udi , Seid b. Xhubejr dhe Zuxhexh .
Argumenti që mbështeten këta dijetarë qasje është transmetimi i Bejhakiut rreth Emrave dhe Cilësive të Allahut nga Said b. Xhubejr, nga Ibni Abasi: “(Kef he je ajn sad كهيعص), kef vjen nga “Kerim” me kuptimin Bujar, he vjen nga “Hedij” me kuptimin Udhëzues, je vjen nga “Hakim” me kuptimin i Urtë, ajn vjen “Alim” me kuptimin i Ditur dhe sad vjen nga “Sadik” me kuptimin Besnik.”
Thotë Taberi: “Është e përhapur në të folurën e arabëve që folësi të fshijë shkronja nga fjala nëse shkronjat e mbetura tregojnë që në atë fjalë janë fshirë shkronja. Dhe në disa raste shtojnë shkronja të tepërta nëse nuk prishet kuptimi i fjalës.”

Konkluzione
Të gjitha qasjet rreth “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjave të ndërprera) janë hulumtime të dijetarëve, parë nga këndvështrimi i tyre. Në Kur’an dhe në sunet (në traditën profetike) nuk ka argumente që tregojnë për kuptimin e tyre. Për rrjedhojë, kanë dalë në pah shume qasje të ndryshme rreth shkronjave të ndërprera dhe kuptimit që ato mbartin. “El-Huruf El-Mukatta’a” shkronjat e ndërprera janë versete të Kur’anit fisnik me të cilat Allahu ka sfiduar dëgjuesit e Kur’anit. Këto shkronja kanë kuptim dhe nuk janë vendosur rastësisht siç mendojnë orientalistët, por janë vendosur me shpallje hyjnore.
“El-Huruf El-Mukatta’a” edhe pse quhen shkronja, ato janë emra sepse lexohen me emrat e shkronjave dhe jo thjesht si shkronja.
Dijetarët klasikë deri tek Taberiu, përveç disa prej tyre, nuk i kanë dhënë ndonjë kuptim të veçantë shkronjave të ndërprera. Qasjet e tyre kanë qenë vlerësime të përgjithshme. Dijetarët klasikë të interpretimit të Kur’anit më tepër mbështesin mendimin që kuptimin e “El-Huruf mukuta’at” e di vetëm Allahu dhe ne nuk mund t’i kuptojmë apo komentojmë dot këto shkronja. Ndërsa dijetarët modern, më tepër mbështesin mendimin që këto shkronja mbartin kuptim dhe mund të komentohen. Këtë qasje e ka edhe një pjesë e dijetarëve klasikë.
Qasja më e përhapur dijetarëve rreth shkronjave të ndërprera është që këto shkronja kanë ardhur si mrekulli për të treguar paarritshmërinë e Kur’anit dhe që këto shkronja janë treguese të vërtetësisë së profetësisë së Muhamedit (a.s.). Ndërsa, për sa i përket kuptimit të tyre nuk mund të bëjmë një përzgjedhje për një kuptim të caktuar, sepse kjo mund të përcaktohet vetëm me orientim hyjnor.
Edhe pse janë bërë llogaritje të shumta dhe ka pasur rezultate të sakta, nuk ka lidhje të saktë midis shkronjave të ndërprera dhe llogaritjes “ebxhed”.
Duke qenë se Kur’ani përbëhet nga shkronja dhe fjalë, duhet treguar një kujdes i veçantë për shkronjat. Sepse këto shkronja dhe fjalë kanë formuar tekstin dhe librin hyjnor. Fakti që këto shkronja të ndërprera gjenden në Kur’an, edhe komentet që bëhen rreth tyre nuk duhet të bien ndesh me Kur’anin dhe frymën e tij të përgjithshme.
Gjithashtu, këto shkronja të zgjerojnë horizontin për hulumtime të reja rreth kuptimit të verseteve Kur’anore.

Referencat
Abas, Fadl, Itkanu’l-Burhan fi Ulumi’l Kur’an, Amman: Furkan viti 1997.
Ahfesh, Ebul Hasen, Meani’l-Kur’an li Ahfesh, Abdul Emir Muhamed Emin, vëll. II, Daru’l-Beshir 1981.
Alusi, Ebu Fadl Shihebudin Mahmud Sejid Mahmud, Ruhu’l-Meani fi Tefsirul-Kur’ani’l-Adhim ue Seba’ Metheni, vëll. I, Bejrut: Daru Ihjeu Turathi’l-Arabi 1985.
Ayduz, Davud, Huruf-I Mukattaa, revista “Yeni Umit”, Stamboll, nr. 76, 2006.
Begaui, Ferra, Tefsiru’l-Begaui (Mealimut-Tenzil), Rijad: Daru Tajbe, 1997.
Bekalani, Ebu Bekr Muhamed b. Tajjib, I’axhezul Kurr’an, vëll. I, Bejrut: Muesetu’l-Kutubu Thekafije.
Bejdaui, Nasrudin Ebu Said Abdullah Ebu Umr b. Muhamed, En’ueru Tenzil ue Esrraru Te’uil, Bejrut: Daru’l-Fikr viti 1996.
Duman, Zeki, Mustafa Altundag, El-Huruf Mukata’, DIA, 18, Stamboll, Botim i Fondacionit të Dijanetit Turk, 1998.
Ebu Hajen, Muhamed b. Jusuf, el-Bahrrul Muhit fi Tefsir, Deru’l-Kutubu’l-Ilmije 2006.
Ebu Su’ud, Mehmed, Irshadul Akli Seli mile Mezejel Kitebil Kerim, Bejrut: Daru’l-Ihja pa vit botimi.
Ebu Zehrra, Muhamed, Zehrratu Tefesir, Kairo: Derrul Fikr pa vit botimi.
El-Ensarij, Ebu Jahja Zekerija, Fet’hu Rrahman Bikeshfi me Jeltebisu fi’l Kur’an, pa vit botimi.
Ferra, Ebu Zekerije Jahja b. Zijed, Meani’l Kur’an, Bejrut: Alemu’l-Kutub, 1980.
Gylen, Fethullah, Kur’anin Altin Ikliminde, Stamboll: Botimet Nil viti 2010.
Gylen, Fethullah, Bir I’caz Hecelemesi, Stamboll: Botimet Nil 2014.
Ibn Ashur, Muhamed Tahir, et-Tehriru ue’t-Tenuiru, Tunus: Daru Sahnun, 1997.
Ibni Atije, Muhamed Abdulhak, Muhararu’l-Uexhiz fi Tefsiri’l-Kitebi’l-Aziz, Bejrut: Daru’l-Kutub, 1993.
Ibn Kajim el-Xheuzije, et-Tibjan fi Aksemi’l-Kur’an, Bejrut: el-Mektebetu Islamij viti 1982.
Ibn Kethir, Ebul Fide Ismail, Tefsiru’l-Kur’ani’l-Adhim, Rijad: Daru Tajbe, 1999.
Ibni Mendhur, Ebul Fadl Muhamed, Lisenu’l-Arab, Bejrut: Daru Sadir, viti 1994.
Ibni Tejmije, Takijudin Ahmed, Mexhmu’u’l-Feteue, Bejrut: Daru’l-Kutub, 2004.
Kurtubi, Muhamed b. Ahmed, el-Xhemiu Li’ehkemi’l-Kur’an, Kairo: Daru Sheab.
Kutub, Sejid, Fi Dhileli’l-Kur’an, Kairo: Daru Shuruk, 1980.
Mekij, Ebu Muhamed b. Ebi Tâlib el-Kisij, el-Umdetu fi Garribi’l Kur’an, Bejrut: Daru Nuri’l-Islam viti 1988.
Merragi, Ahmed Mustafa, Tefsiru Meragi, Kairo: Mustafa’l-Bebi’l-Halebi 1974.
Muhamed Ebu Zehra, Zehrratu’t-Tefesir, Kairo: Darrul Fikrr pa vit botimi.
Nesefi, Ebul Berraket Hafidhudin Abdullah b. Ahmed, Mederiku’l-Tenzil ue Hakaiku Te’uil, Kairo: Daru Ihjai Turrafil Arabi.
Razi, Ebu Abdullah Fahrudin, Mefetihu’l-Gajb, Bejrut: Daru’l-Kutubu’l-Ilmije viti 2000.
Riza, Reshid, Tefsiru’l-Menar, Kairo: Hej’etu’l-Masrrije li’l-Kuteb, 1990.
Said Nursi, Isherratul Ixhaz, Stamboll: Botimet Ensar 2004.
Said Nursi, Mektubat, Stamboll: Botimet Nesil, 2012.
Sibeuejhi, Ebu Besher Amru b. Uthmen, el-Kiteb, Bejrut: Daru’l-Xhelil 1967.
Sujuti, Abdurahman b. Kemal Xhelaludin, el-Itkan fi Ulumi’l-Kur’an, Bejrut: Daru’l-Fikr viti 1999.
Sharaui, Tefsiru Sharaui, Kairo: Ehbarul Jeum pa vit botimi.
Sheukeni, Muhamed b. Ali b. Muhamed, Fet’hu’l-Kadir, vëll. I, Bejrut: Daru’l-Fikr viti 1993.
Taberi, Ebu Xhaferr Muhamaed b. Xherir, Xhemiu’l-Bejen Fi Tefsiri’l-Kur’an, Bejrut: Daru’l-Marife 1978.
Tantaui, Muhamed, Tefsiru’l-Uesit, Kairo: Daru Nehde, 1997-1998.
Tahir, Ali Nasuh, Eueilu Su’uer fi’l-Kur’ani’l-Kerim, Kairo 1986.
Tusi, Ebu Xhaferr, et-Tibjanu el-Xhami’ li Ulumi’l Kur’an, Bejrut: Daru Fikr.
Xheuheri, Tantaui, El-Xhevuehir fi Tefsirril Kur’anil Kerim, Bejrut, 2004.
Yazir, Elmalili Hamdi, Kur’an Dili, Stamboll: Eser 1970.
Yildirim, Kur’an Ilimlerine Giris, Stamboll: Ensar 1989.
Yurdagur, Metin, Xhefr, DIA, 7, Stamboll: Botimet e Dijanetit turk 1993.
Zemahsheri, El-Keshaf an Hakaiki Tenzil ue Ujunu’l-Ekauil fi Uxhuhi Te’uil, Bejrut: Daru’l Fikr 1983.
Zerkeshi, Bedru Din Muhamed b. Abdullah, el-Burrhan fi Ulumi’l-Kur’an, Bejrut: Darul Marife 1972.
Zerkani, Muhamed Abdul Adhim, Menehilu’l-Irfan fi Ulumi’l Kur’an, Bejrut: Deru’l-Kutubi’l-Ilmije 1988.


  • Kur'an, mrekullite e kuranit, Profeti Muhamed (s.a.s.), Shkenca Islame
  • tweet
Krijimi i Ademit dhe Havasë sipas Imam Maturidiut Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100 Vjet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë”

Zani i Nalte

Artikuj të ngjashëm
  • Aspektet sociologjike në Kur’an (Xhuzi i XXV-të)
    Aspektet sociologjike në Kur’an...

    May 02, 2022 0

  • Riakreditohen me 5 vjet programet e studimeve Bachelor dhe Master në Shkencat Islame, Bedër
    Riakreditohen me 5 vjet programet e...

    Nov 13, 2019 0

  • Departamenti i Shkencave Islame, Bedër zhvillon shkollë vere në Vjenë
    Departamenti i Shkencave Islame, Bedër...

    Jul 31, 2019 0

  • Shkencat Islame, Bedër organizojnë Shkollë Verore në Vjenë
    Shkencat Islame, Bedër organizojnë...

    Jul 16, 2018 0

Me shumë në këtë kategori
  • Krijimi i Ademit dhe Havasë sipas Imam Maturidiut
    Krijimi i Ademit dhe Havasë sipas Imam...

    May 21, 2025 0

  • MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI
    MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË...

    Sep 13, 2024 0

  • Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip
    Roli i mejtepeve në zhvillimin e...

    Jul 02, 2024 0

  • “Zani i Naltë” paraprijës – themeltar  i periodikut islam në gjuhën shqipe
    “Zani i Naltë” paraprijës –...

    May 07, 2024 0


Leave a Reply Cancel reply

You must be logged in to post a comment.

Aktivitete

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për...

May 21, 2025 0

Në kuadër të marrëdhënieve të mira ndërfetare dhe bashkëpunimit me institucionet fetare ndërkombëtare, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori...
Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100 Vjet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë”

Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100...

May 10, 2025 0

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i paqes në këndvështrimin fetar”

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i...

Apr 01, 2022 0

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë në Universitetin Bedër aktivitet me studentë nga trevat shqiptare

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë...

Sep 18, 2021 0

Studime

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth  “El-Huruf el-Mukatta’a” Shkronjave të Ndërprera

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth “El-Huruf...

May 21, 2025 0

Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...
MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI

MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S....

Sep 13, 2024 0

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Jul 02, 2024 0

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar  i periodikut islam në gjuhën shqipe

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar i...

May 07, 2024 0

Gjuhë-letërsi

Konak me Edisonin

Konak me Edisonin

May 21, 2025 0

Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...
Një ngjarje “e rastësishme”

Një ngjarje “e rastësishme”

Nov 03, 2020 0

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje...

Oct 26, 2020 0

Sociologji

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

May 21, 2025 0

Abstrakt Ky studim përmbledh mësimet shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut lidhur me leximin dhe kuptimin e Kur’anit, duke u përqendruar në thellësinë e përvojës...
Ndikimi i gjuhës së fesë në ndryshimet shoqërore

Ndikimi i gjuhës së fesë në ndryshimet...

Jul 02, 2024 0

Trajtimi i çështjeve të familjes në gazetën  “Drita Islame” (1992-2011) në aspektin edukativ

Trajtimi i çështjeve të familjes në gazetën ...

Jul 02, 2024 0

1923 – 1939

1939 – 1945

Zani i Naltë (39)

Te Fundit

  • Abstracts no. 39
    Abstracts no. 39

    Jun 25, 2025 0

  • KRYEPËRMENDORE  PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
    KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË

    May 26, 2025 0

  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
    Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në...

    May 21, 2025 0

  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
    Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL...

    May 21, 2025 0

  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK
    HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK

    May 21, 2025 0

  • Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut
    Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

    May 21, 2025 0

  • Konak me Edisonin
    Konak me Edisonin

    May 21, 2025 0

Më të lexuarat

  • Mirë se vjen “Zani i Naltë”
    Mirë se vjen “Zani i Naltë”

    Nov 10, 2012 0

  • Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e kulturore
    Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e...

    Feb 25, 2013 0

  • 90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar
    90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar

    Feb 25, 2013 0

Të fundit

  • Abstracts no. 39
  • KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK

Gallery

zani-i-nalte-1 1557671_490835901024941_1099865082_n 6 5
Copyright 2013 Zaninalte.al