Perditësimi i fundit February 26th, 2026 12:14 PM
Feb 09, 2026 Zani i Nalte Recensë, Shkenca Islame 0
Nga: Prof. Asoc. Dr. Rahim OMBASHI
Pakkush prej lexuesve të rregullt, por edhe prej intelektualëve që japin ndihmesën e tyre në lëmin e letërsisë islame, e ka ditur se Drejtori i Kulturës pranë KMSH-së veç detyrës administrative, ka pasion edhe shkrimtarinë brenda këtij stili funksional, që ka lexues të sinqertë e pasionantë. U deshën një sërë botimesh të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, që të zbulohej ky tipar, detaj që bën diferencën e autorit Dorian Demetja si besimtar i dëlirë, nëpunës i përkushtuar dhe studiues i letërsisë islame.
Pas artikujve te revistat zëmëdha “Zani i Naltë” dhe “Drita Islame”, ku jepen informacione dhe qëndrime shkencore plot interes, duket natyrshëm që iu mblodh aq material, sa nuk kishte mundësi ta linte ashtu në heshtje, apo siç thuhet rëndom: ta mbante për vete. Ashtu siç pohon vetë, nëpërmjet atyre trajtesave është përpjekur të tregojë rrugët e fitimit të kënaqësisë së Zotit, mbi të cilat njeriu duhet të shkelë për t’u bërë një rob prej robërve që pëlqen Krijuesi. Në këtë lëmi vijon të çapitet, ndaj kësisoj kjo vepër, që i shtohet bibliotekës myslimane duke e pasuruar atë, është e mbushur me pikëpamjet joshëse të autorit për probleme dhe qasje të tij, që kanë lidhje me formimin shpirtëror, mendor dhe moral të gjithkujt, duke shkoqitur edhe kahjen nga duhet të priren.
Si profesionist i fushës, shpalos mes këtyre shkrimeve pikëpamjet vetjake për shumë probleme themelore, që lidhen me gjendjen e zhvillimin më tej të edukimit shpirtëror në përgjithësi dhe atij islam në veçanti, por dhe me rrugët efikase si ai mund e duhet të plotësohet.
Të përmbledhura në libër, autori Dorian Demetja fton lexuesin të bëhet me gjithë zemër rob i Zotit, që të mos e ndiejë kurrë veten të vetmuar, si dukuri e kohës moderne. I tregon se cili duhet të jetë qëllimi i jetës, e cila bëhet një sprovë, i jep atij armën e besimit, e fton të lexojë dhe të bëhet i dashuri i dijes, sepse edhe dituria është dashuri.
Në aspektin konceptual, libri “Me Zotin mes njerëzve” mund të lexohet në dritën e parimit kuranor të teuhidit, i cili nënvizon unitetin e Zotit dhe lidhjen e pandashme ndërmjet besimit dhe veprës. Autori e trajton besimin jo si deklaratë formale, por si proces të vazhdueshëm që reflektohet në sjelljen individuale dhe marrëdhëniet shoqërore. Kjo qasje përkon me traditën islame të etikës praktike, ku vlera e njeriut matet përmes veprimit të drejtë dhe ndërgjegjes morale.
Nga pikëpamja metodologjike, libri mbështetet në reflektime eseistike dhe analiza morale, duke shmangur diskursin dogmatik dhe polemik. Kjo e bën librin të hapur për dialog ndërdisiplinor, veçanërisht në fushat e teologjisë islame, filozofisë morale dhe sociologjisë së fesë. Gjuha e përdorur është e thjeshtë dhe e qartë, çka ndihmon në përcjelljen e mesazhit etik dhe shpirtëror pa humbur seriozitetin akademik.
Një aspekt i rëndësishëm i librit është theksimi i përgjegjësisë njerëzore dhe i bashkëjetesës shoqërore, elemente që zënë një vend qendror edhe në mësimet islame mbi drejtësinë, mëshirën dhe solidaritetin. Në këtë kuptim, libri kontribuon në diskursin bashkëkohor mbi rolin e besimit në ndërtimin e një shoqërie etike dhe humane.
“Me Zotin mes njerëzve” nuk është thjesht një libër, por një udhëtim mendimi dhe përvoje shpirtërore. Është një ftesë e hapur për të reflektuar mbi rolin e besimit në realitetin tonë të përditshëm – një realitet ku njeriu lëviz mes sfidave, pasigurive, por edhe shpresave të mëdha.
Ky libër na kujton se Zoti nuk është një koncept i largët, i shkëputur nga jeta jonë. Ai është i pranishëm pikërisht aty ku ne jemi: në marrëdhëniet tona, në dilemat tona morale, në momentet e vështirësisë dhe gëzimit. Autori ka ditur t’i ndërthurë bukur përsiatjet teologjike me përvojat njerëzore, duke na dhënë një tekst të qartë, të afërt dhe të ndërtuar me ndjeshmëri të thellë.
Në një kohë kur njeriu shpesh ndjehet i ndarë mes kërkesave të jetës moderne dhe nevojës për qetësi të brendshme, “Me Zotin mes njerëzve” vjen si një urë e domosdoshme: një ftesë për të ndërthurur besimin me përgjegjësinë, devocionin me humanizmin, lutjen me veprën.
Autori arrin ta ndërthurë bukur mendimin teologjik me realitetin social. Ai na kujton se besimi nuk është një ritual i izoluar dhe as një përvojë vetmitare. Besimi është udhërrëfyesi ynë në marrëdhëniet njerëzore. Është mënyra se si ne lexojmë dhimbjen, kuptojmë drejtësinë, ushqejmë mëshirën, dhe mbajmë gjallë humanizmin në një botë që në shumë momente e ka të nevojshme rikthimin te vlerat hyjnore.
Libri “Me Zotin mes njerëzve” është një kujtesë se Zoti nuk kërkon të ndahemi nga bota, por të jemi më të mirë brenda saj. Të sillemi me drejtësi, të flasim me urtësi, të veprojmë me dashuri dhe të jemi burim paqeje kudo ku jetojmë.
Kjo vepër na udhëzon drejt një besimi aktiv, një besimi që nuk mbyllet në teori, por shfaqet në praktikë: në mënyrën se si trajtojmë familjen, punën, komunitetin, madje edhe tensionet dhe dilemat që sjell jeta moderne. Autori na kujton se edhe në zhurmën e qytetit, edhe në vrapin e përditshëm, Zoti mbetet pranë nesh – dhe është detyra jonë ta kërkojmë, ta njohim dhe t’ia bëjmë të njohur të tjerëve.
Si njohës dhe praktikues i Kuranit Fisnik, autori e fton lexuesin të bëhet mik i librit hyjnor, por të mos ndalet vetëm aty. Që ta kuptojë dhe jo vetëm ta ndiejë dhuratën e shenjtë, i duhet të miqësohet edhe me porositë profetike, që vijnë të përcjella prej sahabeve, të cilët patën fatin e nderin të jetojnë në epokën e tij. Në të gjitha shpjegimet që bën, autori niset nga pikëpamja e drejtë se duke pranuar të jesh rob i Zotit, beson pa gjykuar, pa kushte, por vetëm me forcën e zemrës së dëlirë.
Me rëndësi janë porositë që përcjell Dorian Demetja për praktikimin e besimit islam, që kërkon përkushtim dhe sakrificë. Pyetja që ai i drejton vetes, i drejtohet edhe lexuesit, prandaj dhe libri largon distancën autor-lexues. Të dy e kërkojnë kënaqësinë e Zotit, që fitohet me përpjekje pa fund.
Me vlerë janë sqarimi i termave islame, që shërbejnë si gurë qemeri në formimin, forcimin dhe praktikimin e besimit prej gjithsecilit. Duke shqyrtuar materialet publicistiko-shkencore dhe shpjegimet e botuara, apo të shtuara në këtë libër, bindemi se kemi mes nesh një besimtar të sprovuar me përgatitje të gjithanshme, njohës deri në thelb të Kuranit, të haditheve profetike, po ashtu dhe zbatues i zellshëm i tyre, që punon jo vetëm si nëpunës i lartë, si teoricien, por dëshmohet dhe farkëtues bashkëkohor i kulturës islame.
Kur i vështrojmë me syrin e lexuesit dashamirës shkrimet e tij eseistike, konstatojmë se shumë prej ideve, që i kanë ngjizur ato, janë shqetësime për të gjithë shoqërinë shqiptare, jo vetëm për besimtarët e një besimi monoteist, madje shumë më gjerë.
Në përfundim, libri “Me Zotin mes njerëzve” paraqitet si një tekst me vlerë reflektuese dhe analitike, që kontribuon në diskutimin bashkëkohor mbi besimin, etikën dhe përfshirjen e dimensionit shpirtëror në jetën sociale. Libri ofron një perspektivë të moderuar dhe humaniste, duke e pozicionuar besimin si faktor dialogu dhe jo përjashtimi, çka e bën atë të përshtatshëm për trajtim dhe diskutim në kontekstin e botimeve të një niveli të lartë.
Me dëshirën për të ngjallur interesin dhe kureshtjen për ta marrë në dorë këtë libër, po i mbyll këto rreshta me gjykimin tërheqës së autorit, ku spikat dashuria pa kushte për Zotin, zbulesën e Tij, për Profetin e fundit të dërguar prej Tij, që janë njëherazi edhe pasioni i zjarrtë i autorit Dorian Demetja, i cili fton gjithsecilin në besim dhe adhurim:
“E çel fjalën time me emrin e Zotit, i Cili më krijoi dhe më bëri prej besimtarëve. Falënderimet e panumërta qofshin për Allahun, Krijuesin e gjithësisë, të Gjithmëshirshmin, Mëshirëplotin. I dërgoj përshëndetje pa fund Profetit tim të shtrenjtë, Hz. Muhamedit (s.a.s.) si shembull mishërues për ymetin e Tij, si dhe të gjithë profetëve të tjerë, dërguar nga Zoti qysh me krijimin e kësaj bote. Përshëndetje të sinqerta u dërgoj gjithashtu familjes së Profetit të fundit dhe të gjithë atyre që ndjekin rrugën e tij deri në fundin e kësaj bote.”
Jan 15, 2026 0
Dec 21, 2023 0
Sep 04, 2025 0
May 26, 2025 0
May 21, 2025 0
May 21, 2025 0
Jan 15, 2026 0
Kjo konferencë u organizua në ambientet e “Tirana International Hotel”, me rastin e botimit të kolanës “El-Ihtijaru li Ta’lili-l-Muhtari”, botim ky i cili vjen si bashkëpunim...May 21, 2025 0
Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...May 21, 2025 0
Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...Sep 04, 2025 0
Dr. Feim Hoxha ABSTRAKTI Sociologjia, si një nga shkencat më të rëndësishme humane, ka në fokus të studimeve të saj njeriun si një qenie sociale, si dhe shoqërinë në të cilën...